Skip to main content

Mesazhi.com: “LIBRI ËSHTË JETA IME” plus 9 more

Mesazhi.com: “LIBRI ËSHTË JETA IME” plus 9 more


LIBRI ËSHTË JETA IME

Posted: 19 Jan 2017 02:04 PM PST

Delvina KËRLUKU

Me drejtuesin e Shtëpisë botuese Logos A, përndryshe një nga shtëpitë botuese më me renome në hapësirat shqiptare, Adnan Ismailin, bisedojmë librin, për fëmijërinë e tij, për studimet në Prishtinë, për trajtimin e tij si "armik i shtetit", por edhe për projektet që do të pasojnë në të ardhmen.

KOHA: Çfarë Ju cyti që fatin tuaj ta lidhni ngushtë me librin?

ISMAILI: Është e njohur se jemi të etur për ujin atëherë kur nuk e kemi. Ka qenë koha e viteve të '80-ta – atëbotë isha nxënës e student në Prishtinë dhe, në kohën kur ideologjia komuniste jugosllave po bënte kërdi mbi mendjen tonë, ndërsa bibliotekat gati ishin të zbrazura, dashuria për librin ishte bërë dashuria më e madhe e rinisë së asaj kohe. Të gjeje një libër të mirë – në atë kohë – ishte një festë e veçantë e studentëve. Prandaj atëherë më shumë se kurrë ka ekzistuar tradita e këmbimit të librit dhe disi na vinte keq kur një libër rrinte i palexuar te dikush. Libri, në një mënyrë, ishte bërë produkti më i konsumuar i kohës. Këtu ka zënë vend tharmi i dashurisë për librin. Këtu e kam patjetër ta përmend se si antikomunistë e antijugosllavë që ishim, i mbështesnim të gjitha forcat e tilla në Jugosllavi. Prandaj na patën bërë përshtypje lëvizjet ilegale antijugosllave shqiptare të Kosovës, të personifikuara në figurat e Adem Demaçit e Ukshin Hotit, por edhe lëvizja e Alija Izetbegoviqit në Bosnjë, si një frymë reaksionare autoktone e boshnjakëve, që në ambientin tonë erdhi e u përkthye shqip përmes studentëve shqiptarë të Sarajevës, Ismail Bardhi – si nismëtar i parë i Logosit dhe Nexhat Ibrahimi – si kontribuuesi dhe mbështetësi më i madh i punës sonë. Përveç kësaj, ishte edhe një lidhje e jona me intelektualë të Turqisë, si Ahmet Davutogllu e Mahmud Eroll Këllëç etj., të cilët me punën dhe interesin e tyre për librin, ishin edhe një shtytje më shumë që ne ta ushqejmë këtë admirim për dijen. Krejt kjo ishte një ngjizje e dashurisë për librin.

KOHA: Para Lartësisë së Shenjtë dhe brendësisë së thellë e të sinqertë keni dëshmuar se me të vërtetë keni pasur admirim të flaktë ndaj fjalës së shkruar. Çfarë në fakt keni dëshmuar?

ISMAILI: Ashtu siç është Pagëzimi në Krishterim dhe Shehadeti në Islam, kjo ka qenë dëshmia më e madhe e jonë për përkatësinë e komunitetit të lexuesve dhe dashamirëve të librit. Më kujtohet se në atë kohë ishte punë e madhe të kishe makinë shtypi në shtëpi ose të ketë pasur ndonjë shok. Më ka ndodhur që gjithë natën të rrimë zgjuar për ta kopjuar një tekst që të mund ta ketë edhe dikush tjetër. Madje, për neve ka qenë ëndërr që ta kemi një aparat fotokopjimi. Gjithnjë flisnin me admirim se çfarë do të bënim po të kishim mundësi ta kemi një makinë për fotokopje, që të mund ta shpërndajmë sa më shumë fjalën e shkruar. Nga perspektiva e sotme mund të duket donkishoteske dhe plot të rinj mund të habiten për prirjet tona, por atëbotë vërtet kemi pasur admirim të flaktë ndaj fjalës së shkruar dhe sot jam shumë i bindur se vetëm ajo dashuri na ka humanizuar dhe njerëzorizuar – nëse vërtet kemi arritur në këtë shkallë.

KOHA: Më shumë se 25 vjet jeni në botën e librit. Çfarë Ju dha dhe çfarë Ju mori libri?

ISMAILI: E rëndësishme është se çfarë konsiderojmë se kemi humbur e çfarë kemi fituar. Kam humbur shumë kohë, shumë energji, kam kaluar nëpër shumë presione, disa herë na kanë bastisur në shtëpinë botuese, nëpër shtëpi private dhe në magazinën e librave, dhjetëra herë nëpër kufi policia sekrete më ka marrë në pyetje për libra të caktuar, por gjithë kjo veç sa më ka bindur më shumë se jemi duke bërë një punë fisnike dhe të vlefshme. Dhe, gjatë kësaj kohe, kam fituar qindra miq në gjithë botën shqiptare, që nga akademitë, institutet e fakultetet, e deri te imamët e xhamive. Por, përveç shqiptarëve, komuniteti i librit më ka lidhur me plot miq edhe në botë, që nga Amerika e Europa Perëndimore, deri në Turqi, vendet arabe e deri në Malajzi. Është një miqësi e shtrirë në katër kontinente. Janë qindra botues, autorë, përkthyes, recensentë, redaktorë e dizajnerë, me të cilët – po të mos ishte libri – nuk di a do të kisha mundësi t'i takoj ndonjëherë në jetë. E të fitosh kaq libra e ato libra të jenë arsye për kaq shumë miq, mendoj se nuk ka pasuri më të madhe.

KOHA: Fëmijëria është një kapitull i paharruar i jetës sonë. Si ishte fëmijëria Juaj?

ISMAILI: Jam i lindur në f. Dllëgë të Kumanovës. Sipas informacioneve që i kam arritur, ky fshat është banuar me banorë të ardhur nga Zabzuni i Peshkopisë në shek. XIX. Katër klasat e fillores i bëra në fshat, e pastaj erdha në Shkup – te halla ime (në shtëpinë e Haxhi Shefketit) – që ta vazhdoj hifzin (mësimin përmendësh të Kuranit të shenjtë) dhe ta vazhdoj pjesën tjetër të shkollës fillore në Shkup. Dy vite mësova te hfz. Sadullah ef. Selami, derisa e përfundova hifzin, e pastaj vazhdova në medresenë klasike të myderrizit të njohur të asaj kohe në Shkup, por edhe më vonë, hfz. Idriz ef. Idrizit. Aty mësova arabishten, mora mësime nga osmanishtja, njohuri elementare nga persishtja, pastaj bazat e fesë e kështu për 5 vite me radhë. Përveç punës në xhami, dua të theksoj se edhe shtëpia e Hoxhës ka qenë në atë kohë një vatër e dijes, në të cilën kanë kaluar me mijëra nxënës. Po ashtu Hoxha – si iluminist dhe antikomunist që ishte – iu kishte bashkuar thirrjes së Ataullah ef. Kurtishit, të dhënë para Luftës së Dytë Botërore, se shpërngulja në Turqi ishte e ndaluar edhe sipas fesë. Ishte kjo një fetfa (verdikt fetar) që ata dijetarë, në pamundësi që ndryshe ta pengojnë shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve në Turqi, e kishin shfrytëzuar mundësinë e nxjerrjes së një verdikti fetar, në mënyrë që shqiptarët të mos largoheshin nga vatrat e tyre. Siç e shihni, ka qenë një fëmijëri e mbushur me libra, me gjuhë orientale e me mësime klasike. Këtu duhet të përmend se ajo medrese ka qenë krejt private, te xhamia e Allaxhës në Shkup, dhe një përpjekje vetëmohuese e Hoxhës për ta mbajtur kujtesën për fenë e për dijen. Andaj shteti e mbante gjithnjë nën kontroll atë medrese dhe ushtronte presion ndaj Hoxhës, shpesh na e ndërprisnin mësimin, por mbase ky ishte motivi që ta dashurojmë aq shumë lirinë e mendimit, dijen dhe librin.

KOHA: Si ishte dita kur për herë të parë u ulët në bankën shkollore?

ISMAILI: Dita e parë e shkollës, libri i parë dhe dashuria e parë janë gjëra që ndodhin vetëm një herë në jetë. Në vitet e '70-ta shkollat ishin shumë pak të furnizuara, mungonin libra e fletore, ndjehej njëherazi një varfëri në kuptimin ekonomik dhe një admirim për dijen. Mbaj mend se ishim familje me të ardhura mesatare dhe shpesh prisnim që njëri nga vëllezërit të kthehej nga shkolla, që tjetri të mund t'i përdorte veshjet e tij në ndërrimin tjetër në shkollës. Megjithatë, vajtja në shkollë ka qenë një festë që kurrë nuk harrohet: takimi me mësuesin, me shokët, çanta, lapsi…

KOHA: A ju kujtohet se cili ishte libri i parë që keni lexuar?

ISMAILI: Meqë shkolla ka qenë një shkollë fshati, ka pasur fare pak mjete mësimore e, rrjedhimisht, pak libra. Libri i parë që e kam lexuar më duket se ka qenë një "Ilmihal i Vogël" nga hfz. Qamil efendiu i Shkupit. Por, më duhet të jem i sinqertë dhe t'ju them se pjekja ime me librin u bë vetëm në vitet e shkollës së mesme dhe, veçmas, gjatë studimeve.

KOHA: Keni studiuar në Prishtinë, me çfarë sfida jeni ballafaquar atëbotë?

ISMAILI: Më qëlloi që unë të shkoja në Prishtinë, fillimisht, si nxënës i medresesë "Alaudin" e pastaj edhe i Fakultetit të Filologjisë – Orientalistika, pikërisht pasi që ishin bërë demonstratat e '81-shit. Atëbotë ndjehej fuqishëm presioni që ushtrohej gjithkund, si edhe "Veshi i Madh", por – ka qenë interesant – ishte fuqizuar edhe shpirti rebel i nxënësve dhe studentëve shqiptarë. Përkundër trysnisë që dukej në çdo hap, ndjehej një gatishmëri që në një fishkëllimë a thirrje proteste, të gjithë studentët të ngriheshin në këmbë. Ky presion ndjehej edhe në medrese, por edhe më vonë fakultet. Medreseja shihej me sy të keq nga pushteti, sepse aty – sipas pushtetit – kishte shumë mundësi për indoktrinim të gjeneratave të reja. Prandaj survejimi i saj ka qenë gati i përhershëm. Dhe, mbase kishte pasur të drejtë pushteti, sepse pas vitit 1990-të shumica e aktiviteteve politike shqiptare të kohës ishin mbajtur pikërisht në medresenë "Alaudin". Disa arsimtarë ishin të detyruar të kenë "kujdes" ndaj lëvizjeve të nxënësve dhe kjo na shkaktonte probleme shpesh me ata, por kishim edhe plot mbështetës, që na inkurajonin. Sido që të ishte, ajo ishte edhe e kohë e kufizimit të fjalës së lirë dhe e librit, në përgjithësi, gjë që na bënte edhe më të etur për librin. Shpesh e kujtoj me admirim atë kohë kur librat shpërndaheshin në mënyrë ilegale dhe konsiderohej mëkat nëse libri rrinte në raft.

KOHA: T'i kthehemi sërish librit. Shoqëria shqiptare, në veçanti ajo në Maqedoni, që kur filloi pluralizmi, fatkeqësisht, sikur nuk na bindi se libri është një ushqim shpirtëror. Pse ndodh kjo?

ISMAILI: Vetëm ata që nuk janë marrë me libër mendojnë se plumbi është më "i rrezikshëm" se libri. Unë jam thellë i bindur se libri, që është elementi themelor i formimit intelektual të secilit, është strumbullari i ndryshimeve shoqërore. Dhe, të jeni të bindur se, sikur të mos ishin librat në Prishtinë ose, pastaj librat që u bënë në Maqedoni, ne nuk do të mund të flisnim as sot për këtë gazetë. Libri ka qenë shkaktari kryesor që shoqëria shqiptare filloi të mendojë, filloi ta shohë ndryshe lirinë, filloi të lexojë saktë padrejtësinë dhe diskriminimin, por vetëm në saje të librit, u krijuan mundësi të gjetjes së shtigjeve për prosperitet. Kur flasim për Maqedoninë e viteve të '90-ta, ajo ka qenë mjaft e varfër në aspekt të librit shqip. Kanë qenë botimet e "Flakës së vëllazërimit", botimet e ardhura nga Prishtina dhe jo më shumë. Prandaj, të bëje libër në atë kohë, kjo ishte sfida më e madhe. Më kujtohet se librin e parë në Logos-A e kemi shtypur në makinë daktilografie më shumë se 10 herë dhe, përkundër gabimeve që i bënim, e përsërisnim nga fillimi me shumë dëshirë. Ka qenë një dashuri e zjarrtë ta mbash në dorë një libër që e ke prodhuar vetë. Nëse na lejohet një krahasim, do të thosha se dashuria jonë për librin që e bënim vetë, ka qenë gati si dashuria e nënës për foshnjën kur e lind. Ajo që duhet vënë re ishte se, për shkaqe ideologjike, shqiptarëve të Maqedonisë u ishte mohuar e drejta e prodhimit të librave që përkonin me shpirtin e tyre autokton, madje agresioni ideologjik komunist kishte lënë pasoja të dukshme. Prandaj, kur filluam ne të botojmë libra, kjo përveç që ishte një ndërmarrje revolucionare, ishte njëherazi edhe një përpjekje për të korrigjuar një hibridizim të identitetit shqiptar në Maqedoni. Sot është e qartë se nuk kemi pasur kurrfarë tendencash, por atëbotë shumëkush na shihte ose si donkishotë ose si të rrezikshëm. Por, ia dolëm. Sot jam i bindur se, nëse e shikon katalogun e librave të botuara nga ne, e fiton përshtypjen se mjeshtërisht aty është thurur gjithë identiteti shqiptar në Maqedoni, i cili – si i tillë – është shpërndarë edhe tutje në hapësirat shqiptare. Madje, jam i sigurt se ky fond librash ka qenë – në një mënyrë – ambasadori më i mirë për njohjen e shqiptarit të Maqedonisë gjithandej.

KOHA: Një mik i Juaji ka thënë se institucioni më i suksesshëm i shqiptarëve në Maqedoni vazhdon të jetë Shtëpia botuese "Logos-A", drejtues i secilës jeni pikërisht Ju. Nga buron ky sukses?

ISMAILI: Si e para puna e Logosit nuk është meritë e imja, madje do të thosha është më së paku meritë e imja. Logos-A është kontribut i shumë shokëve e miqve që me vetëmohim e dashuri kanë punuar për librin. Zaten vetëm dashuria për librin është burimi i suksesit me librin. Por, janë disa momente të rëndësishme që një intelektuali shqiptar të Maqedonisë ia krijojnë atë përshtypje. Logosi i botoi lektyrat shkollore të klasave I-IV, që ishin festë e madhe e shkollës shqipe, ngase pas shumë kohësh botoheshin gati 30 libra shqipe vetëm për fëmijë dhe ashtu mbulohej formimi intelektual e artistik i fëmijëve shqiptarë. Pastaj, duke qenë botuesi i parë privat shqiptar në Jugosllavi, neve na ra hisja ta hapim rrugën edhe te librit shkollor shqip – të botuar me standarde shqiptare e të gatuar nga autorët e redaktorët më të mirë shqiptarë jo vetëm të Maqedonisë. Ndërkaq, ajo që e ka vulosur emrin e Logosit janë disa komplete, si ai 20-vëllimësh i Sami Frashërit, 12-vëllimëshi i Hafiz Ali Korçës, kompletet Imam Vehbi Ismailit, Milazim Krasniqit e Nexhat Ibrahimit, që ne i bëmë për herë të parë në kulturën e shkruar shqiptare. Kanë ardhur pastaj edhe vepra të tjera, sigurisht mjaft të rëndësishme, që marrë në tërësi e kanë ndërtuar perceptimin se Logos-A mund të jetë institucion i tillë kulturor i shqiptarëve të Maqedonisë.

KOHA: Çfarë keni sakrifikuar për librin?

ISMAILI: Varet si e kundrojmë sakrificën dhe pasurinë. Për mua libri është jeta ime. Unë nuk mund të them se kam sakrifikuar diçka për librin, sepse ashtu i bie se libri më ka borxh mua. Jeta ime ishte libri dhe vetëm libri e ka kuptimësuar jetën time. Nuk di çka do të bëja në jetë sikur të mos ishte libri. Thjesht e kam bërë atë që e kam besuar se duhet ta bëj në jetë, atë për të cilën jam në këtë botë. Pa kërkuar ndonjë kompensim për këtë.

KOHA: Thonë se të vjedhësh një libër nuk është mëkat? A keni vjedhur Ju ndonjëherë libër?

ISMAILI: Ha-ha-ha. Unë nuk kam qenë ndonjë "vjedhës i suksesshëm" i librit. Ndonëse edhe unë mendoj se "vjedhja e librit" nuk është ndonjë mëkat, unë nuk kam pasur ndonjë përvojë të tillë. Por, do të kisha dashur që sot ta takoj një të ri që një vjen në stendën Logosit "ta vjedhë" një libër. Do ia kisha dhënë gjithë stendën.

KOHA: Me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, Ju bëtë një akt madhështor, i cili akt, për fatin tonë të keq, nuk u trajtua ashtu siç e meritonte. Shpërndatë (falas) gjithandej hapësirave shqiptare mbi 100 mijë libra…

ISMAILI: Meqë 100-vjetorët vijnë vetëm një herë, ndërsa unë nuk kam shpresë ta arrij 200-vjetorin, bashkë me kolegët e mi në Logos-A vendosëm të bëjmë një akt sa simbolik, po aq përmbajtjesor – vendosëm t'i shpërndajmë 100 mijë libra për të gjithë bibliotekat shqiptare në të gjitha trojet. Prandaj kërkuam sponsorë dhe gjetëm mirëkuptim që të shpërndajmë 40 mijë libra në Kosovë, ku – pas luftës – ndjehej më shumë mungesa e librit, 40 mijë nëpër bibliotekat e Maqedonisë, 20 mijë i shpërndamë për bibliotekat e Shqipërisë, 5000 ua kemi dhuruar çamëve të Shqipërisë si amanet kur të çlirohet Çamëria, 5000 shqiptarëve të Malit të Zi dhe 5000 Luginës së Preshevës. Ndonëse e tejkaluam 100-mijëshin, ne vendosëm ta ruajmë sloganin "100 mijë libra për 100 vjet flamur". E pjesa tjetër se sa u vlerësua e si u vlerësua nga shqiptarët, kjo nuk është punë që duam ta kualifikojmë ne. "Ata që kërkojnë mirënjohje, rëndom nuk i meritojnë, ndërsa ata që i meritojnë, nuk i duan", do të thoshte Balzaku. Ne edhe ashtu e shohim veten në shiritin e historisë dhe jam i sigurt se dikush dikur do ta vlerësojë.

Ismaili: Në këtë objekt e fillova shkollimin

Ismaili: Në këtë objekt e fillova shkollimin

KOHA: I nderuari Adnan, pse disa qarqe Ju kanë akuzuar si "armik i rrezikshëm" i shtetit?

ISMAILI: Ashtu siç bëra një aluzion më sipër, libri – në të vërtetë – është më "i rrezikshëm" se plumbi. Ata që e dinë se libri është shkaktari më i mirë për të ndryshuar gjeneratat, për të ndodhur ndryshimet e mëdha shoqërore, gjithnjë e kanë konsideruar librin si rrezik më të madh. Prandaj edhe ndaj botuesve ka ekzistuar gjithnjë një animozitet i tillë. Hiç më mirë nuk është as sot, ndonëse me intensitet më të ulët. Edhe sot nuk shkon java pa dalë ndonjë shpifje për mua dhe miqtë e mi, për aluzione me politikën, për të tjera gjëra dhe, sikur të mos isha mësuar se këto metoda i ka përdorur kundër meje UDB-ja dhe pastaj DSK-ja, do të mërzitesha, por duke e ditur se veprimtaria botuese vret më shumë se plumbi, kam mirëkuptim dhe nuk më bëjnë shumë përshtypje. Për këtë arsye jam shpallur dhe vazhdoj të trajtohem si "i rrezikshëm", madje shpesh kam pasur problem me shtetin. Në vitin 1999 më arrestuan si të jem një kriminel dhe vetëm falë një dashamiri të librit dhe të kulturës, siç ishte miku im Arbër Xhaferi, më liruan. Por, po ua zbuloj juve se krejt ky kërcënim ndaj botuesit, që nuk mungon as sot, jo që na ka ndalur, por na ka trimëruar që të vazhdojmë të punojmë e të botojmë, sepse vetëm një popull që prodhon libra, mund të ketë shpresë për një të ardhme të denjë. Nëse ky është çmimi, për mua nuk është problem si më etiketojnë.

KOHA: A ka mirëkuptim familja Juaj për misionin që keni zgjedhur?

ISMAILI: Familja ime është mësuar më me mungesën time, me të gjitha problemet që i ka sjellë kjo rrugë, andaj lirisht mund t'ju them se ata kanë shumë mirëkuptim dhe për këtë u jam mirënjohës. Janë lodhjet, presionet, mungesat nga shtëpia, jeta gati si pa baba e fëmijëve, të gjitha ato që i sjell puna me librin. Sidoqoftë, më vjen mirë që familja ime e ka mirëkuptuar përzgjedhjen time jetësore dhe, madje, më vjen mirë, që tradita e dashurisë për librin kam shpresë se do të vazhdojë të ushqehet edhe më tej në familjen time. Besoj që sot, kur janë bërë më studentë, edhe fëmijët e mi kanë më shumë mirëkuptim për këtë.

KOHA: Cila është dëshira juaj që akoma nuk është plotësuar, gjithnjë në raport me librin dhe Shtëpinë botuese Logos-A?

ISMAILI: Kur merresh me librin, gjithnjë diçka të mbetet peng dhe e papërmbushur. Sepse gjithnjë të rriten ambiciet dhe synimet. Në këtë frymë do të doja ta gjej e ta botojmë përkthimet e Kuranit të bërë nga Sami Frashëri dhe, tjetrin, nga Ali Asllani, sepse kam një bindje se ato përkthime do të mund ta ngrinin cilësisht shumë gjuhën e Kuranit shqip. Meqë tashmë e kemi hapur librarinë në Tiranë, më ka mbetur peng të hapim një librari në Shkup dhe një në Prishtinë. Kur jam këtu, nuk mund të mos e shfaq brengën time që në Shkup – sidomos – kemi kaq pak librari. Prandaj, ky për mua nuk është vetëm detyrim botuesi, por edhe detyrim i një shkupjani që e admiron fjalën e shkruar dhe, në përgjithësi, kulturën shqiptare. Përveç kësaj, ndonëse në vitin 2016 e realizuam një komplet të letërsisë shqipe në Maqedoni, do të doja të botojmë edhe më shumë libra të letërsisë shqipe në Maqedoni, ngase kam përshtypje se shkrimtarët shqiptarë të Maqedonisë sikur janë lënë pas dore dhe gjithnjë e më pak kemi libra të letërsisë shqipe në Maqedoni. Këtu do ta theksoja edhe dëshirën që ta bëjmë një revistë letrare… Po ashtu do të doja të botojmë një seri të veprave të bejtexhinjve shqiptarë, sepse jam i bindur se ata janë një vlerë e veçantë e letërsisë shqipe dhe botimi dhe studimi i tyre do ta pasuronte mjaft korpusin e letërsisë së gjithmbarshme shqiptare. Po ashtu kemi nevojë ta kultivojmë në vazhdimësi traditën e klasikes letrare shqiptare etj. Kur je botues, gjithnjë mendon se ke bërë pak dhe planet e botimit nuk kanë fund. T'i lëmë ca gjëra që t'i zbulojë koha. Gazeta KOHA

The post LIBRI ËSHTË JETA IME appeared first on Mesazhi.com.

Mustafa e Vuçiqi takohen më 24 janar në Bruksel

Posted: 19 Jan 2017 10:19 AM PST

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i ka ftuar përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit në një takim të nivelit të lartë – në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve – më 24 janar në Bruksel.

Në një njoftim të zyrës së Mogherinit thuhet se "zhvillimet e ditëve të fundit kanë shtruar nevojën e një përkushtimi dhe angazhimi të shtuar nga të dyja palët në bisedime. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i një rëndësie të madhe për të dyja palët, për Bashkimin Evropian deh Ballkanin perëndimorë në tërësi".

The post Mustafa e Vuçiqi takohen më 24 janar në Bruksel appeared first on Mesazhi.com.

24-vjeçari humb jetën deri sa po skijonte në Brezovicë

Posted: 19 Jan 2017 08:51 AM PST

Një person ka humbur jetën në Brezovicë, pasi ai është goditur nga një ortek bore.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, derisa 24 vjeçari nga Ferizaj, ka qenë duke skijuar jashtë shtigjeve të skijimit, konkretisht në një shteg që është i pjerrët dhe i rrezikshëm i njohur si "Shtegu i Shqiponjave".

Policia në Ferizaj ka konfirmuar për KTV-në se ngjarja ka ndodhur rreth 14:00. Zëdhënësi, Agim Gashi, ka thënë se vdekjen e të riut e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes.

Në momentin e ortekut, afër viktimës kanë qenë edhe persona të tjerë, mirëpo që kanë shpëtuar. Trupi i viktimës pa shenja jete është nxjerrë nga bora nga shokët e viktimës.

Ky është viktima e parë që humb jetën në Brezovicë në rrethana të tilla, që nga viti 1981. Atë botë, një ortek i kishte zënë disa njerëz që qëndronin në një parking të Brezovicës.

The post 24-vjeçari humb jetën deri sa po skijonte në Brezovicë appeared first on Mesazhi.com.

Policia e Kosovës: Lajmi për të shtëna armësh në kufi me Serbinë nuk është i vërtetë

Posted: 19 Jan 2017 08:26 AM PST

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka reaguar ndaj një lajmi të publikuar në portalin "Gazeta Blic" se në kufirin Kosovë-Serbi ka pasur shkëmbim të shtënash ndërmjet policisë serbe dhe të Kosovës.

Siç ka thënë Kelani për Telegrafin, Policia e Kosovës nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth një ngjarje të tillë.

"Referuar informacionit të publikuar në portalin "Gazeta Blic" se në kufirin Kosovë-Serbi, gjuhen me armë xhandarmëria serbe dhe Policia e Kosovës, ju informojmë se nuk ka asnjë informacion zyrtar se ka ndodhur një rast i tillë. Andaj lajmi i publikuar është veçse një dezinformim i opinionit publik. Policia e Kosovës është në kryerje të detyrës zyrtare edhe në brezin kufitar", thuhet në përgjigjen e Kelanit për Telegrafin.

Ndryshe, ky portal kishte shkruar se "në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht në afërsi të fshatit Dobrosin sot ka pasur një situatë tepër të tensionuar ndërmjet Xhandarmërisë serbe dhe Policisë së Kosovës".

Ky portal ka shkruar se "nga burime të saja ka marrë vesh se ka pas të shtëna armësh".

Sipas burimeve të portalit në fjalë "është Xhandarmëria serbe ajo e cila ka provokuar e para".

The post Policia e Kosovës: Lajmi për të shtëna armësh në kufi me Serbinë nuk është i vërtetë appeared first on Mesazhi.com.

Jo produkteve serbe, konsumo produkte vendore: Forcoje shtetin me nacionalizëm ekonomik

Posted: 19 Jan 2017 08:23 AM PST

Analistët e çështjeve ekonomike kërkojnë reciprocitet me Serbinë. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës duhet të jenë edhe nacionalistë ekonomikë e të konsumojnë produktet vendore. Se Serbia mund të dëmtohet në kuletë, këtë e dëshmojnë prodhuesit kosovarë të lëngjeve që mbulojnë 65 për qind të tregut vendor. Ndonëse kanë kapacitete të mëdha për eksport, për shkak të politikës serbe ata nuk mund të eksportojnë në Serbi.

Analisti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se problemi i importit nga Serbia bazohet te lidhjet e kahershme ekonomike e tregtare të të dy vendeve.

"Kjo është njëra prej arsyeve se pse kaq shumë janë të pranishme produktet serbe në Kosove – në masën që ta dëmtojnë prodhimin vendor", ka thënë ai për Telegrafin.

Duhet pasur parasysh se në vitin 1999 – pas vënies së Kosovës nën administrimin ndërkombëtar – kufijtë me Serbinë janë cilësuar si kufij administrative, hyrja e mallrave serbe nuk është ngarkuar me taksë doganore. Pra, këto produkte të fqinjit verior – në raport me importet nga vendet e tjera – favorizoheshin në tregun e Kosovës.

Rexhepi beson se orientimi i biznesmenëve për tregti me Serbinë ka ndodhur edhe për shkak të afërsisë gjeografike dhe të kostos më të ulët për transport të mallrave.

"Por, duhet të jemi nacionalistë sa i përket konsumimit të produkteve vendore. Neve sikur na mungon inati; na mungon qasja nacionaliste në treg. Konsumatorët nuk duhet të blejnë produkte serbe. Ata fillimisht duhet të kërkojnë produkte të Kosovës, pastaj nga Shqipëria, nga BE e së fundi nga Serbia", ka thënë Rexhepi i cili i është bashkuar Aleancës Kosova e Re (AKR).

Sipas tij, për të rritur konsumimin e produkteve vendore duhet rol më i madh i shtetit, përfshirë hapat e reciprocitetit me Serbinë.

"Nëse nuk mund të mbyllen kufijtë, duhet të ashpërsohet kontrolli i marketeve; të analizohet cilësia dhe të merret parasysh afati i skadimit; të aplikohen masa jotarifore; apo, të ngritet kostoja e importit nga Serbia. Masat e reciprocitetit janë të kuptueshme, sepse nga Serbia duhet të importohet aq sa është eksporti i Kosovës në këtë shtet", ka shtuar ai.

Profesori i ekonomisë në Universitetin "Haxhi Zeka" në Pejë, Muhamet Sadiku, ka thënë për Telegrafin se Kosova duhet ta zhvillojë sektorin prodhimtarisë që të mos varet nga importi serbe.

"Këmbimi tregtar ka qenë gjithmonë asimetrik me Serbinë", ka thënë ai. "Kosova është ekonomi e hapur ndaj të gjithëve, pra edhe ndaj Serbisë. Mu për këtë, për ta lehtësuar këmbimin tregtar mes të shteteve të ish-Jugosllavisë – plus Shqipërisë dhe të tjerëve në rajon – ndërkombëtarët krijuan tregun e lirë CEFTA, të cilën Serbia më së shuti nuk e ka respektuar veç për ta dëmtuar Kosovën. Kështu, bilanci tregtar me Serbinë është negativ. Kjo na shtynë të ndërmarrim politikat e duhura ekonomike që Kosova këtë varësi ta vë në binarë normal. Askush në Kosovë nuk ka kërkesa për ndaljen e importit serbe, por ka kërkesa logjike për reciprocitet me Serbinë", ka thënë Sadiku. "Marrja masave të reciprocitetit është edhe në frymën e Organizatës Botërore të Tregtisë. Prandaj, duhet të mbrohet biznesi vendas".

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Telegrafin se po shtohet vlera e importeve nga Serbia.

"Në vitin 2015 kemi pasur rreth 370 milionë euro importe nga Serbia, kurse në vitin 2016 importi nga ky shtet arriti në 389 milionë euro. E, eksportet e Kosovës, si dhe rritja e këtij eksporti në Serbi, është simbolike. Nëse në vitin 2015 kemi pasur eksport ne vlerë të 27 milionë eurove në Serbi, në vitin 2016 kjo është rritur në 36 milionë euro", ka thënë Stavileci.

Telegrafi ka raportuar se janë shumë produkte të Serbisë që lehtë mund të zëvendësohen me prodhimin vendor. Shembull për këtë është prodhuesi i pijeve joalkoolike, Bashkim Osmani – drejtor i kompanisë "Laberion" nga Podujeva. Për Telegrafin ai thotë se prodhuesit vendor të këtij sektori kanë kapacitete më të mëdha prodhuese sesa nevoja e tregut kosovar. Madje, ai jep një lajm të mirë se lëngjet e prodhuara në Kosovë dominojnë tregun vendor.

"Kemi kapacitete të mjaftueshme për tregun vendor e po ashtu për eksport në vise të Ballkanit dhe të BE-së. Aktualisht, ne – prodhuesit e lëngjeve vendore – mbulojmë 65 për qind të tregut në Kosovë (importi me 35 për qind)", ka thënë Osmani, duke shtuar se për shkak të politikës serbe nuk mund të eksportojnë në Serbi

The post Jo produkteve serbe, konsumo produkte vendore: Forcoje shtetin me nacionalizëm ekonomik appeared first on Mesazhi.com.

Uashington, nesër inaugurohet presidenti Trump

Posted: 19 Jan 2017 08:13 AM PST

Presidenti Trump, përmes një postimi në Twitter, u ka bërë thirrje njerëzve që të marrin pjesë në festimet e së premtes.

Por, dy kongresistë nga Nju Jorku, Jerrold Nadler dhe Adriano Espaillat, i janë shtuar grupit prej rreth 50 demokratëve, që kanë thënë se do të bojkotojnë inaugurimin e presidentit.

Sipas tyre, Trump nuk është i përshtatshëm dhe përbuz liritë civile.

Sidoqoftë, ekipi planifikues i Trumpit ka thënë se deri në dy milionë njerëz mund të marrin pjesë në inaugurim.

Janë marrë edhe masa të larta të sigurisë, përfshirë dhe telat gjemborë dhe barriera të tjera.

The post Uashington, nesër inaugurohet presidenti Trump appeared first on Mesazhi.com.

Siri, një nga grupet më të fuqishme bojkoton bisedimet

Posted: 19 Jan 2017 07:56 AM PST

Një nga grupet më të fuqishme rebele në Siri, Ahrar al-Sham, tha se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për paqe, të parapara të mbahen më 23 janar në Kazakistan.

Ahrah al-Sham tha në median e tij sociale se nuk do të marrë pjesë, por se do të mbështesë çdo vendim "në interes të kombit", i cili mund të negociohet nga grupet e tjera rebele. Bisedimet në Kazakistan ndërmjetësohen nga Rusia, Irani dhe Turqia.

Grupet e tjera rebele dhe përfaqësues të regjimit sirian pritet të marrin pjesë.

Bisedimet vijnë pasi një armëpushim i ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, muajin e kaluar, ka reduktuar luftimet midis rebelëve dhe forcave pro-qeveritare në Siri.

Ahrah al-Sham tha se qëndrimi i tij është pasojë e aktivitetit të vazhdueshëm ushtarak nga ushtria siriane dhe ajo ruse.

The post Siri, një nga grupet më të fuqishme bojkoton bisedimet appeared first on Mesazhi.com.

Bilanci i viktimave në sulmin në Mali arrin në 77 persona

Posted: 19 Jan 2017 07:32 AM PST

Shtatëdhjetë e shtatë persona humbën jetën në sulmin e djeshëm me bombë ndaj një kampi në Malin Verior, deklaroi sot zëdhënësi i armatës franceze.

 

Franca ndërmori një operacion ushtarak në Mali në vitin 2013 që t'i dëbojë grupacionet kryengritese që e kanë marrë kontrollin ndaj territoreve më të mëdha, një vit më parë.

Grupi militant Al Murabitun, i lidhur me degën afrikanoveriore të Al Kaedas, e mori përgjegjësinë për sulmin në Mali, në të cilin u lënduan edhe 115 persona.

Sulmi ndodhi në bazën ushtarake në qytetin Gao, ku janë sistemuar ushtarët e Malit dhe qindra ish-luftëtarë që kanë nënshkruar marrëveshjen paqësore me Qeverinë.

The post Bilanci i viktimave në sulmin në Mali arrin në 77 persona appeared first on Mesazhi.com.

Hoti: Askujt nuk i ulet paga, përkundrazi

Posted: 19 Jan 2017 04:23 AM PST

Ministri i Financave Avdullah Hoti sot në Konferencë për Media ka sqaruar në lidhje me shqetësimet e ngritura për Ligjin për pagat në sektorin publik, ku bëri të ditur se me Ligjin e pagave askujt nuk i ulet paga, e në veçanti në kategorinë e Arsimit, Shëndetësisë, Policisë, Doganës dhe Tatimeve, Shërbimit korrektues, Forcave të armatosura, si dhe në kategorinë e Drejtësisë.

Ai bëri të ditur se Ligji i pagave është ligji më i rëndësishëm i reformës së administratës publike. Sipas tij mbi 80 mijë persona marrin paga rregullisht nga buxheti i shtetit.

"Buxheti për paga është në rritje. Buxheti për paga më 2017 është për 83 mil më i lartë se më 2014, apo 17% më shumë. Po zbatojmë kontratën kolektive për përvojën e punës, që kushton rreth 35 mil në vit", shtoi ministri Hoti.

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se "Punësimi në kategoritë kryesore është 26,000 persona të punësuar në arsim para-universitar, 11,000 persona të punësuar në shëndetësi, 18,000 shërbyes civil, 2,700 forca të armatosura, ,600 forca policore, Organet e drejtësisë, Arsimi i lartë, Shkenca dhe Kultura, Doganierët dhe Inspektorët tatimorë, Diplomacia, Shërbimi korrektues, Zjarrfikësit dhe të tjerë".

Me këtë rast ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se me këtë ligj Pagat do të harmonizohen, "Për shembull, një zyrtar duhet të ketë pagë të njëjtë në të gjitha institucionet. Një zyrtar i tillë paguhet: 520 në Ministri të Financave, 800 euro në një institucion tjetër publik, dhe arrin në 1200 në ndonjë agjenci ose rregullator", shtoi ministri Hoti.

Sipas tij parimi i Ligjit për Pagat është "Pagë e njëjtë për punë të njëjtë".

Ministri Avdullah Hoti edhe njëherë sqaroi se "Duhet të harmonizohen pagat në mes të agjencive të pavarura: 32 institucione dhe agjenci të pavarura të Kuvendit dhe 46 organe qendrore dhe trupa në kuadër të Qeverisë dhe Ministrive. Përveç pagës bazë, shumë të punësuar marrin shtesa të ndryshme. Me këtë ligj rregullohet mënyra e përfitimit të këtyre shtesave dhe niveli i shtesave: Shtesat për kushtet e tregut të punës, Shtesat për rrezikshmëri, Shtesat për pozitat menaxheriale.

"Shtesat e rrezikshmërisë nuk do të preken, në veçanti: Policia, Dogana dhe tatimet, Organet e drejtësisë, prokuroria dhe gjyqësia, dhe kategoritë e tjera", shtoi ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se me këtë ligj pagat nuk do të jenë diskrecion i vendosjes nga vetë personat që marrin ato paga, por çdo i punësuar e din pagën e vetë.

The post Hoti: Askujt nuk i ulet paga, përkundrazi appeared first on Mesazhi.com.

Xhamia Selimije vitin e kaluar u vizitua nga 1.5 milionë njerëz

Posted: 19 Jan 2017 03:23 AM PST

Vitin e kaluar, një nga veprat më madhore të Mimar Sinanit, xhamia Selimije, e cila gjendet në qytetin turk Edirne, është vizituar nga 1.5 milion njerëz, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Departamentit për Kulturë dhe Turizëm në Edirne, Ahmet Haciolgu për AA tha se kjo xhami gjithmonë ka diçka që tërheq njerëzit. Sipas tij, në rritjen e numrit të turistëve në vitet e fundit kanë ndikuar disa faktorë.

“Kryesisht bëhet fjalë për promovimin e xhamisë Selimije dhe Edrenesë, kurse pasi që është përfshirë në listën e UNESCO-s, xhaminë e kanë vizituar njerëz nga të gjitha anët e botës”, ka thënë Hacioglu.

Ai konsideron se njerëzit duhet të shohin se si është ndërtuar njëra nga veprat me të cilat është bërë i njohur Mimar Sinani dhe si guri në duart e gjeniut është shndërruar në një vepër madhështore.

“Përveç vizitorëve nga Turqia, të cilët vizitojnë xhaminë Selimije si pjesë e turizmit fetar, për të vizituar këtë vepër madhështore vijnë njerëz edhe nga India, Japonia dhe Kina. Vitin e kaluar Selimijen e kanë vizituar 1.5 milionë njerëz”, shtoi Hacioglu.

Ai theksoi se këtë vit do të fillojë restaurimi i xhamisë, por ajo edhe në këtë fazë do të jetë e hapur për lutje dhe vizita.

Xhamia me urdhërin e sulltan Selimit II, është ndërtuar në periudhën 1568-1575 dhe është e njohur si për arkitekturën e saj, po ashtu edhe për mënyrën se si është e zbukuruar.

Detajet, të cilat në atë kohë janë konsideruar së është e pamundur të realizohen, në saje të teknikave të shumta arkitekturore, sot janë simbole të njërës nga ndërtimet më të mëdha të periudhës osmane.

The post Xhamia Selimije vitin e kaluar u vizitua nga 1.5 milionë njerëz appeared first on Mesazhi.com.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more