Skip to main content

Tirana Observer: “Atentatori te ish–Ekspozita “u pengua” nga dy fëmijë, dyshohet për vrasës me pagesë (VIDEO)” plus 9 more

Tirana Observer: “Atentatori te ish–Ekspozita “u pengua” nga dy fëmijë, dyshohet për vrasës me pagesë (VIDEO)” plus 9 more


Atentatori te ish–Ekspozita “u pengua” nga dy fëmijë, dyshohet për vrasës me pagesë (VIDEO)

Posted: 03 Nov 2016 09:00 AM PDT

Personi që qëlloi ndaj Andi Mustarafajt, mesditën e 28 Tetorit në një lokal në zonën e ish –Ekspozitës, dyshohet të jetë një vrasës me pagesë. Policia nuk ka mundur ta identifikojë atë.

Burime nga grupi hetimor thanë për Televizionin Klan se kamerat e sigurisë së lokalit nuk e kanë filmuar momentin kur ai ka qëlluar ndaj 29 – vjeçarit. Vetëm njëra prej tyre e ka fiksuar atë nga pas, në momentin që është larguar me vrap pas atentatit.

Ai mbante një kapele në kokë. I është afruar nga anash shënjestrës që ishte i ulur vetëm në tavolinë dhe e ka qëlluar disa herë në trup, siç tregohet në këtë skemë 3D, të ndërtuar në bazë të të dhënave hetimore.

mustafaraj

Ka përdorur një pistoletë me silenciator.

Dyshohet se 3 deri në 5 plumba e kanë prekur Mustafarajn në stomak, zorrë e mëlçi. Të gjithë plumbat kanë bërë hyrje dhe dalje, ndaj numri i tyre nuk është përcaktuar ende.

Mustafaraj nuk ka mundur ta shohë atentatorin, pasi ai i ka ardhur anash nga rruga dhe i është afruar në një distancë të afërt.

Hetuesit thonë se qëllimi ka qenë eliminimi i Mustafarajt, por atentatorit i ka dalë një pengesë. Ngjitur me shënjestrën kanë qenë dy femijë të vegjël dhe ky fakt, sipas hetuesve, ka bërë që ai ta ulë pistoletën për ta qëlluar në bark 29 – vjeçarin dhe jo në kokë.

femijet

Andi Mustafaraj ruhet në masa të forta sigurie në Spitalin e Traumës, 24 orë me radhë. Ai nuk ka dhënë asnjë detaj të vlefshëm për hetimet, duke thënë se nuk ka mundur ta njohë atenatorin.

Policia tha zyrtarisht se Mustafaraj është mik i ngushtë i Elton Çiçës, një person me precedentë kriminalë që u ekzekutua me 2 pluma në kokë mbrëmjen e 1 Majit të këtij viti, në një lokal në zonën e ish – Bllokut, ngjarje për të cilën janë shpallur në kërkim Jani Aliaj dhe Renato Milloshi.

Edhe në vrasjen e Çiçës, autori mbante një kapele në kokë. Grupi hetimor dyshon se ngjarjet kanë lidhje me njëra – tjetrën dhe po hetohet pista e lidhjes së dy atentateve me plagosjen e Nelgert Patës, në Gusht të këtij viti në një lokal prapë Parkut të Autobusëve, në rrugën e Kavajës.

Nelgert Pata njihej si armik i Elton Çiçës. Edhe pse u plagos, ai u largua dhe nuk u dorëzua në polici.

Tv Klan

VIDEO/ Mustafa Nano: Greqia i ka refuzuar Ramës vizitën zyrtare

Posted: 03 Nov 2016 08:56 AM PDT

Analisti Mustafa Nano ka deklaruar në emisionin "Rubikon" në televizionin "Koha", drejtuar nga Adriatik Kelmendi, se Greqia i ka refuzuar kryeministrit shqiptar, Edi Rama një kërkesë për vizitë në Athinë.

Gjithashtu edhe Cipras ka refuzuar ftesën të vijë në Shqipëri.

“Ky është një informacion që duhet konfirmuar, pasi ndoshta kjo shpjegon një nivel krize të thellë”, ka thënë Nano.

Më tej Nano ka përsëritur perceptimin e tij se Rama është i korruptuar dhe se rrethohet nga njerëz të inkriminuar.

NGA ERNEST KOLIQI/ Përkufizimi i Patriotizmit

Posted: 03 Nov 2016 08:45 AM PDT

Rubrika: Si shkruanin paraardhësit

Nga Ernest Koliqi

Fjala “patriotizëm” asht mënyrë kumbore qi përdoret retorikisht në vend të fjalës, “atdhedashuni”. Nga ky zevendsim rrjedh nji ndërlikim ase nakatosje edhe në kuptim. Nji ndiesi e thjeshtë, e natyrshëme si atdhedashunija shëndrrohet në nji virtyt të rrallë, të pikatëshëm, frymzues veprash të veçanta. Ndoshta kjo ndiesi, d.m. th. atdhedashunija e naltueme në shkallë heroike dh’e quejtun patriotizem, para pamvarsis shqiptare, ishte vërtetë pajë e të pakvet dhe kërkonte vetëmohim e shpirt herorizimi sepse atëherë veprimtaria për liri t’atdheut shkaktonte salvime.

Shumica, asokohe e plandosun në terr të padijes e në verbim fanatizmash fetare e krahinore, ata qi flijoheshin për të përtrim të nji Shqipnije së pamvarun nuk i kuptonte, i përbuzte, nganjiherë edhe i mëniente, ma shpesh i njehte rrugacë mendjekrisun e djerraditë. Prandej patrotat ishin të përndjekun, të burgosun e të vram.

Por sot atdhedashunija asht detyrë e çdo Shqiptarit qi nuk i bjen mohit prejardhjes së vet. Mjerisht shofim se, ndër mërgimtarë, shumkush s’e kupton në thelb fjalën atdhedashuni. Disa mendojnë se atdhedashunija dishmohet me punë trimnije, me kapadaillek, shkurt tue qitë pushkë e tue përdorë thikën, tue vra e therë njerëz. Gabohen. Shqipnija dashunohet tue i a ruejtë nderin, sidomos në vend të huej. Heroizmi çmohet e përlavdohet kur lulzon me vend e me kohë. Guximi kriminal i gangsterave nuk hyn në radhën e veprave heroike. Sidoqoftë, rasat për të veprue si herë janë të rralla dhe më të shumtën e herës kanë të bajnë me energji morale dhe trimni civile më tepër se me përdorim t’armës. Atdhedashunija e vërtetë qindron ne në ushtrim të përditshëm të vetive me të zgjedhuna njerzore e kombtare, sidomos në mërgim. Je atdhetar? Mos i a nxij fytyrën Shqipnis.

Nderi i atdheut ruhet me sjellje t’urta, dhe të përditëshme. Çdo marrëdhënje me të huej sherben me i a forcue e shtue namin e mirë Shqipnis. Ase, anasjelltas, m’e koritë emnin shqiptar. I hueji mbi Shqipni din pak ase aspak. Po dijti pak, zakonisht i shikon Shqiptarët si njerëz primitive, d.m.th. barbarë. Kanë ba propagandë të madhe anmiqt e kombit mbi të pandehunat veti prapanike të kombit t’onë  Njani sijsh lajmoi botën se Shqiptarët kanë bisht në fund të shpinës. Lypet urti e madhe nga ana e jonë, përjashta, për të përgënjeshtrue pohimet antishqiptare t’atyne qi dojshin me shtri sundimin mbi tokë t’ona, tue na përshkrue si njerëz të paaftë me u vetqeverisë. Çdo vepër e pagjashme vërteton akuzat kundërshtare. Siellesh me urti e me nderë në vendin ku punon, paraqitesh njerzisht ndër të huej me të cilët ke marrëdhanje, me autoritete të shtetit qi të dha strehim? Ke krye nji vepër patriotike më të madhe se me qitë pushkë për çështje shpesh të keqkuptueme nderi a prestizhi. Të rregullohemi në mënyrë qi, kudo në botë na hodhi murrani i fatkeqsive kombtare ase vetiake, tue shqyrtue të prumit t’onë I hueji të mendojë e të thotë: ” Burra të mirë këta Shqiptarët. I a marrët të keqen kush flet keq për ta “.

Marrë nga “Shejzat”, mars 1971

FJALA E PLOTË/ Ben Blushi: Ku ndryshojnë patriotët me nacionalistët dhe ku hyn Edi Rama

Posted: 03 Nov 2016 08:29 AM PDT

Deputeti Ben Blushi ka ndërhyrë në debatin mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule. Drejtuesi i LIBRA-s e quajti Ramën "një nacionalist dhe jo patriot".

 "Nacionalistët e shkatërrojnë vendin e tyre, ndërsa patriotët e mbrojnë", u shpreh Blushi.

Fjala plotë e Ben Blushit

Në këtë parlament janë zhvilluar gara të ndryshme mes burrave që konkurrojnë për pushtet dhe ditët e fundit, me kerkesë të Kryeministrit që kemi, ka nisur një garë e re:

Kush është më nacionalist!

Nëse do duhej të bënim një kalim të shpejtë në historinë e Evropës, është e thjeshtë të kuptohet se kush ka patur më shumë të drejtë, nacionalistët apo patriotët.

Nacionalistët e kanë shkatërruar Evropën, patriotët e kanë bashkuar.

Ky është ndryshimi mes tyre.

Evropa është shkallmuar dhe ka shkuar në luftë sa herë kanë trimfuar nacionalistët dhe është zhvilluar sa herë kanë dominuar patriotët dhe askund tjetër ata nuk janë përplasur me më shumë zell, me më shumë urrejtje dhe antagonizëm.

Për këtë arsye, Evropa e ka të qartë se çfarë është një nacionalist dhe çfarë është një patriot.

E ka mësuar këtë leksion historik duke derdhur gjak.

Unë e di që në kushtet e një vendi si Shqipëria, të cilit historia i ka dhënë shumë pak mundësi të dallojë nacionalizmin ekstrem nga patriotizmi i duruar, është e vështirë të gjesh një të mesme në shtegun e ngushtë, që në shumë raste nacionalistët e kapërcejnë për t'u trukuar si patriotë.

Nacionalistët shqiptarë, për aq sa mund të quhen nacionalistë, kanë patur bindjen se sa herë qeverisin keq dhe për këtë shkak mund të humbin pushtetin, duhet të sillen si nacionalistë të eksituar.

Për fatin e mirë të nacionalistëve, fqinjët tanë kanë dhuruar aq shumë ushqim duke i mbajtur ata gjallë deri në ditët tona dhe nuk e kam aspak problem të them se nacionalistët shqiptarë janë ushqyer gjithmonë me miellin e fqinjëve dhe krundet e Shqipërisë.

Edhe sot që flasim vazhdon të ndodhë e njëjta gjë.

E di që shumë njerëz e kanë të vështirë dhe në fund të fundit të paarsyeshme të bëjnë dallimin mes nacionalistëve dhe patriotëve.

Për ta bërë më të lehtë këtë diferencë po ju jap një shembull.

Ismai Qemali ishte patriot. Esad Toptani ishte një nacionalist tradhtar.

Abdyl Frashëri ishte patriot. I biri i tij Mithat Frashëri i kulturuar ishte me shumë nacionalist.

Fan Noli ishte patriot.

Ahmet Zogu nuk ishte nacionalist dhe gjatë gjithë marrëdhënies së tij me Italinë fashiste dhe me Serbinë nuk ishte as patriot. Ishte vetëm një pragmatist që donte pushtet.

Nacionalistët e sotëm në përgjithësi mendojnë se popujt e tyre kanë epërsi kulturore, fetare, ekonomike dhe demografike në raport me popujt e tjerë. Kjo i bën ata nacionalistë të dëmshëm, të cilët janë kundër kulturave të tjera, kundër hapjes së Evropës, kundër emigrantëve, kundër Evropës në përgjithësi.

Dhe meqë në Evropë nacionalistët kanë nisur të kenë sukses, pasi ky cikël përsëritet në kontinentin tonë çdo 100 vjet, natyrisht nuk mund të mbeteshim edhe ne pa nacionalistë.

Fati ynë i madh është se nacionalistët tanë të shtirur nuk merren seriozisht.

Kryesisht nacionalistët kanë një të përbashkët kudo ku ata riprodhohen.

Ata nuk kërkojnë më shumë barazi, nuk kërkojnë më shumë paqe, nuk kërkojnë më shumë harmoni, nuk kërkojnë më shumë solidaritet, ata kërkojnë më shumë pushtet.

Nacionalistët kanë edhe një cen që i bashkon: ata nuk dinë të qeverisin ose qeverisin shumë keq dhe sa herë e kuptojnë këtë gjë, bëhen edhe më shumë nacionalistë dhe kërkojnë territore kulture dhe emocione të cilat nuk i kanë pushtuar dot me cilësi, me progres dhe me ide.

Nacionalistët pra nuk i shtyn dashuria për vendin, por dëshira për pushtet.

Kështu ndodhi me ne përpara katër vitesh. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Sali Berisha, Kryeministri që kishim, u bë papritmas nacionalist. Ai nuk kishte një bilanc ekonomik, nuk i kishte dhënë shoqërisë një standard më të lartë jetese, nuk kishte krijuar më shumë vende pune dhe duke e ditur se do t'i humbte zgjedhjet, lundroi për disa muaj në ujrat e nacionalizmit vetëeksitues. Jo vetëm si nacionalist dhe jo vetëm se Evropa dhe aleatët tanë atlantikë u shqetësuan nga gjuha e tij e papërshtatshme, sigurisht i humbi zgjedhjet.

Por meqë nacionalistët kanë një veti të pashuar, që të imitojnë njëri-tjetrin, pasi rrethi i njohurive të tyre është i ngushtë dhe në qiellin e tyre fluturojnë vetëm zogj të kuq, jemi kthyer aty ku ishim në vitin 2012.

Për shkak të bilancit të papranueshëm dhe shumë të dobët të kësaj qeverie në tre vitet e fundit, Kryeministri që kemi ka hapur një debat pa kuptim, prushin e të cilit e fryn nga pak përditë, duke i hedhur shkarpa të mbledhura nga lëçimet mediokre të historisë.

Unë kam një pyetje sot ose më saktë kam shumë pyetje:

Pse duhet ky debat në kushtet kur Shqipëria ka kaq shumë probleme me ekonominë, me papunësinë, me taksat, me emigracionin, me polarizimin, me arsimin dhe shëndetësinë dhe me invetsimet e huaja të cilat kanë firuar?

Duke besuar se ky debat është pjellë e shterpësisë dhe e nevojës për të mbledhur vota të kuqe mbi votat e partive, natyrisht dua të them disa gjera.

Natyrisht nuk mund të pranoj që Greqia proteston për prishjen e disa shtëpive me apo pa leje në Himarë. Unë nuk e di nëse janë me leje apo pa leje, nëse duhet të prishen apo jo, por sigurisht kjo nuk është një çështje e Greqisë, por e ligjit sovran shqiptar.

Duke besuar se Greqia ka të drejtë të mbrojë minoritetin grek, njëkohësisht mendoj se Greqia nuk ka pse të jetë dhe as duhet lejuar të jetë mbrojtësi i ortodoksëve shqiptarë, të cilët janë shqiptarë të barabartë me të gjithë shqiptarët e tjerë dhe të drejtat e tyre duhet të mbrohen nga Kushtetuta e një shteti laik, siç jemi ne. Të drejtat e tyre nuk janë çështje e Greqisë, siç nuk janë të drejtat e myslimanëve tanë një çështje e Turqisë apo e asnjë vendi tjetër.

Natyrisht nuk jam dakord as që në raportet e shtetit tonë me shtetet e tjera të ketë dy standarde.

Nëse është e vërtetë se Turqia, për arsyet e veta të brendshme, kërkon të penalizojë disa shkolla shqiptare, t'i mbyllë ato duke i konsideruar si vatra puçiste dhe nëse është e vërtetë se nacionalistët e shtirur shqiptarë e kanë pranuar këtë kërkesë, atëherë kjo provon se ata nuk janë nacionalistë, por vetëm abuzues elektoralë.

Nacionalistët e kanë këtë veti: i servilosen të fortëve dhe i kërcënohen të dobtëve.

Këtë po bën sot edhe Edi Rama. Sali Berisha i viteve 1996 nuk kishte ndonjë ndryshim.

Ka disa vjet që mendoj në fakt se Edi Rama i trajton shtetet siç trajton të pasurit dhe të fortët e Shqipërisë, bashkë me të varfërit e saj.

Je një shtet i pasur dhe i fortë, ai të përkulet. Je i varfër, të pickon apo më keq të përbuz.

Je një shtet i fortë dhe përdor grushtin kundër atyre që të kundërshtojnë, siç është rasti i Turqisë së Erdoganit, natyrisht je model dhe frymëzim për të.

Kjo është jeta e tij; nënshtrim ndaj të fortëve dhe të pasurve, përbuzje ndaj të varfërve.

Por kjo nuk është as politikë e jashtme, as diplomaci, as patriotizëm dhe natyrisht as nacionalizëm.

Kjo është një sëmundje e cila nuk kurohet me diplomaci, por me shaka të vazhdueshme.

I bindur se Edi Rama nuk e dëmton dot Shqipërinë duke u grindur me Greqinë, duke u përqafuar me Serbinë dhe duke u puthur me Turqinë, sigurisht mendoj se ai e ka dëmtuar shumë patriotizmin shqiptar, duke e vënë atë në një siklet të paarsyeshëm.

Për një vend si Shqipëria, politika e jashtme më e mirë është politika e saj e brendshme.

Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke mos rënë pre e leximit të historisë, por duke u përpjekur të përfitojë pozicion më të favorshëm në kushtet e një rajoni, i cili në 20 vjet ka përjetuar disa kriza të paimagjinueshme, siç ishte lufta në Bosnjë dhe Kosovë, ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, lufta në Maqedoni që çoi në marrëveshjen e Ohrit, kriza financiare greke, si dhe ngjarjet e puçit ushtarak në Turqi, çka tregon se rajoni ku jetojmë ka ende vatra konflikti të brendshëm, të cilat mund të ndizen kollaj nga pasionet nacionaliste të panevojshme.

Në këto kushte, ne kemi vetëm një detyrim: të forcojmë pozitat e Shqipërisë, duke e qeverisur mirë atë.

Një vend i fortë, i drejtë, funksional, solidar dhe që nuk përbuz të varfërit dhe emigrantët, një vend që nuk prodhon emigracion por barazi, ai vend ka politikën më të mirë të jashtme.

Ai respektohet dhe dëgjohet. Drejt tij shkojnë investimet, integrimi dhe mirënjohja.

Për fat të keq, ne nuk jemi ky vend.

Shqipëria po vuan shumë nga varfëria dhe padrejtësia dhe asnjë fqinj, as grek, as serb, as turk nuk e dëmton më shumë vendin se vetë ne sot.

Nuk janë grekët armiqtë e Shqipërisë, është pabarazia, nuk janë serbët armiqtë e Shqipërisë, është padrejtësia, nuk janë turqit armiqtë e Shqipërisë, është korrupsioni.

Të gjitha këto bashkë na dëmtojnë më shumë se çdo fqinj dhe më shumë se të gjithë fqinjët bashkë.

Ja pra ç'do të thotë të jesh nacionalist: të mos pyesësh se çfarë bëjnë shqiptarët, por çfarë bëjnë të huajt.

Ja ç'do të thotë të jesh patriot: të pyesësh si jetojnë, sa punojnë, si ushqehen dhe si edukohen shqiptarët, të cilët nëse janë mirë, të lumtur dhe të begatë, do jetojnë gjithnjë mirë me veten dhe fqinjët e tyre.

Nuk mund të jetë nacionalist dhe aq më pak patriot ai që e mbush Shqipërinë me mbetjet e fqinjëve.

Nuk mund të jetë nacionalist dhe as patriot, ai që u shet fqinjëve kanabis, duke shfrytëzuar varfërinë e popullit të vet.

Nuk është nacionalist dhe as patriot ai që shkakton 300 mijë emigrantë në tre vjet qeverisje dhe refuzon të presë emigrantët e ardhur nga lufta e popujve të tjerë.

A mund të jesh pra nacionalist dhe patriot, pasi ke shkaktuar kaq shumë dëm?

Unë them se jo.

Prandaj gara mes nacionalistëve dhe patriotëve sot zhvillohet në Shqipëri dhe jo në Serbi dhe as në Greqi e aq më pak në Kosovë.

Patriotizmi është dashuria për vendin dhe dashuria për vendin matet me gjërat që bën për vendin tënd.

Nacionalistët mendojnë për t'i bërë dëm të tjerëve, patriotët punojnë për t'i bërë mirë të vetëve.

Koha sigurisht i ka dhënë të drejtë patriotëve.

Nacionalistët kanë humbur dhe do humbin, duke u rrudhur si një rrobë e përdorur, të cilën Evropa e ka mbyllur në sënduk, ndërsa ne e nxjerrim herë pas here, për ta përdorur për hHalloëeenin e politikës sonë të jashtme.

Blushi e Bojaxhiu, dy sfidues që duhen llogaritur

Posted: 03 Nov 2016 08:14 AM PDT

 Nga Mimoza KOÇIU

63 parti politike ishin regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në garën e fundit vendore të qershorit 2015. Tetë muaj para zgjedhjeve parlamentare të radhës, dy parti të reja politike u zyrtarizuan brenda pak javësh. E para, "Sfida për Shqipërinë", e iniciuar nga Gjergji Bojaxhi, dhe e dyta u shpall këtë të martë me emrin "Libra", një iniciativë e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit.

A kemi nevojë për parti të tjera, kur këto që kemi janë shkaku pse Shqipëria ka politikanët më të pasur duke qenë vend i varfër? Përgjigjja jo aq e thjeshtë është PO, e për shumë arsye. Kemi nevojë për parti të reja që të tronditin statuskuonë e testuar prej 2005-ës nga trekëndëshi politik PS-PD-LSI.

Kemi nevojë për parti të reja, që të flasin nga këndvështrimi i interesit qytetar e të mos fshihen pas hesapeve të vogla politike, të sotme apo të nesërme. Kemi nevojë për parti të reja, majtas e djathtas, që ekzistueset të sfidohen në modelin e demokracisë së brendshme, që u modelon qëndrimin publik. Kemi nevojë për parti të reja, ku qytetarë të njohur e të panjohur të bashkohen rreth ideve e frymës së një projekti politik, jo rreth individit që i drejton.

Kemi nevojë për parti të reja, te të cilat të mund të dëgjojmë e frymëzohemi nga zëra me intelekt, e të informuar për çka shprehin në publik, jo për individë mediokër e të ricikluar, skllevër të kryetarit, që përdoren për betejat e tij personale, të palexuar e, më keq, me të kaluar të dyshimtë, merita e vetme e të cilëve është sigurimi i votave me çdo kusht për kryetarin. Kemi nevojë për parti të reja, ku të materializohet kontrata sociale, se të zgjidhesh do të thotë të mbash premtimet e të japësh llogari për çka bën e nuk bën.

Kemi nevojë për parti të reja që të krijojnë shpresë e të ngadalësojnë sadopak ritmin marramendës të largimit të mendjes e fuqisë punëtore nga Shqipëria, një kosto e rrezikshme për të ardhmen e vendit, që askush nuk po e merr seriozisht.

Ish-funksionar i PD-së, Gjergj Bojaxhi u testua në vendoret e 2015-ës, kur kandidoi për bashkinë e kryeqytetit, i mbështetur nga nisma qytetare "Ne Tirana". Duke dalë më vete e për herë të parë, Bojaxhi mori jo pak, por mbi 5% të votave, të cilat nuk u përkthyen në mandate në këshillin bashkiak, sepse "Ne Tirana" nuk garonte me një listë të tillë. Siç kishte premtuar, edhe pse me vonesë, 8 muaj para zgjedhjeve vjen me një parti, "Sfida për Shqipërinë", me një prezantim po aq modest publik sa në mars të 2015-ës, e me bastin për të luftuar kundër mosbesimit të fortë që ekziston ndaj çdo lëvizjeje politike në Shqipëri, relativizimit se të gjithë politikanët janë njëlloj.

Një sfidë kjo në kufijtë e një kompleksi të dëmshëm, përballë krizës së besimit, që është tipike, një tipar, por edhe taktikë e ushqyer nga vetë partitë tradicionale, si pjesë e lojës pa rregulla në politikë. Me premtimin se nuk do bëjë koalicion me asnjë parti politike, në një sistem zgjedhor që e penalizon këtë lloj zgjedhjeje, "Sfida" e Bojaxhiut rrezikon të mbetet edhe njëherë në stadin e ngjashëm të testimit, si në vendoret e 2015-ës. Pavarësisht kësaj, që të nesërmen e shpalljes si parti politike, ajo u perceptua si kërcënim nga PD-ja, partia nga ku Bojaxhi u largua, e kjo ishte fitorja e parë e "Sfidës" para zgjedhjeve.

Nga ana tjetër kemi "Libra"-n, partinë që pritej të dilte prej kohësh nga e majta, e iniciuar prej dy të majtëve tradicionalë, deputetët e larguar nga Partia Socialiste Ben Blushi e Mimoza Hafizi, që kanë nga pas edhe kolegë po aq tradicionalë të majtë, e që falë përvojës politike, i dhanë rëndësinë e duhur ceremoniale edhe shpalljes së partisë së re.

Parti të reja me fytyra jo të reja? Kjo është pikëpyetja e parë skeptike, por ndryshimi vjen tek idetë e njerëzve që përpunojnë mendim, ide të formuara si rrugëdalje, e që në rastin e Blushit janë artikuluar me shumë kurajë edhe brenda mureve të PS-së, para se të shpaloseshin publikisht prej dy vitesh tashmë.

Ben Blushi e Mimoza Hafizi janë dy zëra të spikatur të socialistëve, largimi i të cilëve, pa dyshim, është një humbje, një luks i tepruar për një parti që i ka me kokrra elementë të tillë. PS-ja nga ku u larguan u bë shkak që Shqipëria të kishte një ligj për dekriminalizimin. Duke u uruar "udhë e mbarë" Blushit e Hafizit, partia më e madhe e majtë, që ka humbur deputetë se i kanë përfunduar në pranga, jep një sinjal jopozitiv, të orientimit të gabuar të saj nën drejtimin e Edi Ramës, se pushteti duhet të fitohet me individë të fortë, e jo me njerëz të mençur.

Kontrastin e parë të fortë e bën me të gjitha partitë tradicionale. Duke u shpallur si parti e të barabartëve, lista e barabartë e "Libra"-s, vjen si një model që kontraston me PS-në, që identifikohet me Ramën, ku Blushi u ndalua të garonte për kryetar, PD-në me Bashën, apo LSI-në me Metën. Kjo duket një lëvizje e goditur për një parti të re, që tenton të hyjë në një sistem, me pretendimin që ta ndryshojë.

Nëse "Sfida" e Bojaxhiut ka vendosur të sfidojë mosbesimin, "Libra" e Blushit vjen më me përvojë dhe sfidon sistemin. E këtë e bën duke u renditur si parti e qendrës. Çka do të thotë se, për të maksimizuar rezultatin, aleancat janë pjesë e projektit politik që do e çojnë këtë parti, të sigurt drejt përfaqësimit në parlament.

Hafizi me Blushin vijnë si ish-disidentë brenda PS-së, të vetëlarguar me partinë në pushtet. Kjo është një lëvizje sa e ndershme, aq edhe e efektshme, për t'iu kundërvënë modelit ekzistues, që imponon promovimin me fjalë apo me heshtje të një realiteti të rremë virtual, krejt i kundërt me atë tokësor, që çdo qytetar e prek përditë.

Brenda PS-së Blushi ka spikatur gjithnjë fort, jo vetëm për artikulimin e zhdërvjelltë, plot stil e me efekt të garantuar publik, por edhe me aksionin që ndërmori, i mbështetur brenda grupit nga astrofizikania Mimoza Hafizi, duke kërkuar zbatimin e statutit për mandatin e skaduar të kryetarit-kryeministër, duke u ofruar si kandidat në garë, një mundësi që iu mohua në shkelje të rregullave nga vetë kryetari.

Ashtu si Bojaxhiu, edhe Blushi po përballet me mosbesimin se nuk do i çojë gjërat deri në fund, si dikur në rastin e LMN-së. Por këtë herë pikë të fortë ka aksionin në rritje, që e çoi deri në shpalljen e "Libra"-s, i inkurajuar nga jo pak zëra të pakënaqur socialistë, individë që kanë spikatur me kontributet e tyre që herët, e që e gjejnë veten te konkludimet e Blushit mbi Rilindjen e Edi Ramës.

Pa dyshim që puna më e vështirë nis tani, si për Blushin, ashtu edhe për Bojaxhiun. Dilemat ndaj tyre po davariten me materializimin e ofertave konkrete që kanë hedhur, partitë politike që kanë shpallur. Ato janë aty, të hapura për të zhgënjyerit apo për qytetarët që e kuptojnë se ndryshimi i duhur, fatmirësisht a fatkeqësisht, vjen vetëm përmes politikës. Më shumë apo më pak, e sigurt është se të dyja partitë e reja do i bëjnë të djersijnë partitë tradicionale majtas e djathtas, që tashmë 8 muaj para zgjedhjeve e kanë hedhur hapin e parë konkret: aleancat që do i mbajnë apo sjellin në pushtet. E në ato përllogaritje duhet të shtojnë edhe "Libra"-n dhe "Sfida"-n.

(Gazeta Shqiptare)

Klinton vs Tramp: A duhet t’u besojmë sondazheve dhe cilët janë “votuesit e fshehtë”?

Posted: 03 Nov 2016 08:08 AM PDT

Pikërisht në momentin kur Hillari Klinton u duk se po shkonte drejt fitores pa surpriza, FBI-ja bëri të ditur se po hetonte mbi skandalin e emaileve dhe gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua për pak ditë. Kjo u reflektua menjëherë në sondazhe.

Po a mjaftojnë  këto për t'i dhënë një shans rivalit Donald Tamp për në krye të Shtëpisë së Bardhë?

Nëse sheh rezultatet e sondazheve, mund ta vësh në dyshim këtë fakt. Sondazhet e fundit të CNN-it e shohin Klintonin 5 pikë para rivalit, pavarësisht skandalit të emaileve.

Vetë Tramp ka thënë se sondazhet janë të manipuluara. E vërteta është e kundërt. Por pyetja është: A mund të ndodhë që sondazhet të gabojnë?

Në rastin e Brexit-it në Britaninë e Madhe, një gjë e tillë ndodhi.

Mbështetësit e Brexit-it renditeshin 10 pikë mbrapa atyre që refuzonin daljen nga BE-ja, por referendum provoi të kundërtën.

Ekspertët e shpjegojnë këtë mangësi të madhe në parashikimin e rezultatit me faktin se anketuesit mund të mos kenë arritur te njerëzit që zakonisht nuk votojnë, por në momentin e fundit janë shfaqur në kutitë e votimit.

Ngjashëm me rastin në Britani, ekspertët e sondazheve thonë se pikërisht kjo pjesë e elektoratit mund të ketë ndikim të madh në rezultatin e zgjedhjeve, duke hedhur poshtë të gjitha sondazhet.

Ata heqin një paralele mes votuese të Brexit dhe Tramp, pasi ka një fenomen të "mbështetjes në mënyrë të fshehtë", në mënyrë që të mos etiketohesh si ksenofob apo racist.

Në këtë rast, ekspertët dorëzohen, pasi thonë se është e pamundur të gjurmohet ky lloj votuesi.

Ata e cilësojnë këtë si efekti "Tom Bradley", një kandidat afro-amerikan për guvernator në Kaliforni, në vitin 1982. Në atë kohë, sondazhet gabimisht parashikuan fitoren e tij./TemaTV

HISTORIA/ Gerd Muller dhe dashuria e pamundur me punonjësen e hotel “Dajtit”

Posted: 03 Nov 2016 07:30 AM PDT


Gerd Muller dhe dashuria e pamundur me punonjësen e hotel “Dajtit” 

Nga Andi Kasmi
screenshot_18Në karrierë ka shënuar 1461 gola. Është shpallur kampion bote e Europe me Gjermaninë. Ka fituar 4 kampionate, 3 Kupa Kampionësh e një Interkontinentale me Bayern si dhe ka bërë të tijin një Top të Artë në vitin 1970. Thërritet Der Bomber; 2 herë Këpuca e Artë e Europës dhe rekordmeni i golave të shënuar në Bundesliga, 365 të tillë.

E megjithatë Gerd Müller një sfidë e humbi: atë me Sigurimin e Shtetit për të jetuar dashurinë e tij me një vajzë shqiptare.

HISTORIA Një histori në kufijtë e të pabesueshmes ajo e djaloshit gjerman, zemra e të cilit u thye nga pamundësia për të qenë pranë dashurisë së tij. Një dashuri të cilën e zbuloi në Tiranë, 1535 km larg qytetit të lindjes, Nördlingen. Një dramë romantike që zgjat 18 vjet dhe përqëndrohet në tre etapa: 1967, 1972, 1985. Ishte dhjetori i vitit 1967 kur kombëtarja gjermane mbërrinte në Tiranë për t'u përballur më Shqipërinë, në eleminatoret e vlefshme për Itali '68. Pjesë e të atëhershmes Gjermani Perëndimore ishte edhe 22-vjecari Gerd Müller. Arritje historike për futbollin modest shqiptar, disfatë për atë të njohur gjerman. Një barazim 0-0 që do të ndalte një ndër fuqitë e futbollit botëror në rrugën drejt Euro '68, i vetmi kompeticion madhor në të cilin Gjermania nuk ka mundur të kualifikohet. Rezultat që do të arrihej pa Müller-in në fushë. Trajneri gjerman, Helmut Schön, nuk preferoi të aktivizonte sulmuesin e Bayern. Motivet nuk dihen. Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, kombëtarja gjermane është rehatuar në ambientet e hotelit më luksoz për kohën, "Dajti", përballë parkut "Rinia. Aty ku nis edhe historia e dashurisë së Müller me një punonjëse të hotelit, që kronikat e mëvonshme e paraqesin me emrin Hojna. Një episod i jashtëzakonshëm për kohën; Shqipëria ishte e tëra nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, sidomos më 1967, vit në të cilin besimet fetare u shpallën të jashtëligjshme nga regjimi socialist.

FATI Pavarësisht fshehtësisë e ruajtjes së anonimatit, ngjarja arriti të bëhej e njohur. Fjalët e pëshpëritjet mes rinisë kryeqytetase e adoleshentëve të asaj kohe "morën dhenë" dhe ndjenja mes dy të rinjve, ende pa lindur mirë, doli rrugëve të Tiranës. Gjermania largohet e zhgënjyer për rezultatin, ndërsa Müller ikën me "kokën pas", por jo vetëm për atë cka prodhoi fusha e lojës. Rastësia është mbret i botës, e 4 vite më vonë goglat do të rivendosin përballë Shqipërinë me Gjermaninë Perëndimore. Kësaj radhe luhet për kualifikimin në Europianin Belgjikë '72. Sërish në Tiranë e prapë te hotel "Dajti". Më 17 shkurt 1971 Gjermania Perëndimore zbret në "Qemal Stafa" përballë Shqipërisë. Ndryshe nga ndeshja e vitit 1967, trajneri Schön hedh në fushë edhe bomberin Gerd Müller, i cili ja shpërblen besimin duke realizuar golin e vetëm të takimit në minutën e 38'. Müller i jep fitoren Gjermanisë, ndoshta i frymëzuar nga netët e qëndrimit te hotel "Dajti". Ndoshta nën shoqërinë e Hojnës. Ndoshta…

KËMBËNGULJA Delegacioni gjerman largohet triumfues nga Tirana, ndërsa Müller niset me shpresën për t'u kthyer sërish. Fati nuk do t'i vërë më dy kombëtaret përballë dhe Der Bomber do ta ketë të pamundur kthimin në Shqipëri si vizitor i thjeshtë: hyrja në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë ishte një privilegj vetëm për ata persona që kishin motive diplomatike. Këtu përfundojnë edhe kontaktet e Gerd Müller me Hojnën, punonjësen e hotel "Dajti"-t që kishte fituar zemrën e sulmuesit më të fortë në Europë. Por aty ku mundësitë pakësohen, shpresa nuk shuhet dhe ndodh ajo që pakkush do ta mendonte. Në vitin 1985, Flamurtari i Vlorës, si fitues i Kupës së Shqipërisë fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e Kupave dhe shorti e vë përballë finlandezëve të HJK Helsinki. Pak ditë pas shortit në zyrat e klubit finlandez mbërrin një kërkesë e vecantë. Një yll i futbollit botëror që kishte varur këpucët në gozhdë 4 vite më parë kërkon të bashkohet me HJK. "Dua një kontratë vetëm për një ndeshje. Vij me ju në Shqipëri për t'u takuar me të dashurën time…" Është Gerd Müller. Kërkesa e ish-kampionit gjerman pritet me habi nga drejtuesit e klubit nga Helsinki. Nga njëra anë forma e Müller, tashmë 40-vjecar, i cili në fund të sezonit 1980-81 i kishte dhënë lamtumirën futbollit të luajtur pas eksperiencës me amerikanët e Fort Lauderdale Strikers. Nga ana tjetër, frika për një incident diplomatik. Pavarësisht se në Shqipëri kishte filluar të frynte një erë ndryshimi (diktatori Hoxha ishte ndarë nga jeta në prill të atij viti) situata ishte e përafërt me atë të vitit 1971, kur Müller kishte shkelur për herë të fundit në tokën shqiptare. Kërkesa refuzohet dhe tratativa Müller-HJK dokumentohet nga gazeta finlandeze Iltalehti(në shqip Gazeta e pasdites). Të paktën deri pas ndërrimit të regjimeve Gerd Müller e pati të pamundur të hiqte fiksimin e tij të vjetër, takimin me Hojnën e hotel "Dajti"-t.

tiranaSOT Kjo histori dëgjohet ende në ambiente futbolldashësish në Tiranë e për mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet trajtohet shpesh si një legjendë. E vështirë është që emri i vërtetë i vajzës të jetë Hojna. Ndoshta frika e ndëshkimit nga regjimi apo kërkesa e privatësisë në një mentalitet shumë ndryshe nga ai i sotmi, kanë bërë që emri i dashurisë shqiptare të Müller, në gojëdhëna të mbetet Hojna. Hotel "Dajti" sot nuk shërben më si i tillë. I ndërtuar në vitet '40 sipas projektit të arkitektit Gherardo Bosio ("truri" i bulevardit të Tiranës), në vitin 2002 u shpall monument kulture ndërsa aktualisht është i mbyllur dhe pronë e Bankës së Shqipërisë.

Dy ditë më parë Gerd Müller festoi 70-vjetorin e lindjes. Dalja e tij e fundit publike daton në vitin 2013. Prej kohësh vuan nga Alzhaimer e që nga shkurti i këtij viti është i shtruar në një klinikë që kuron këtë sëmundje.

Burimi: andikasmi.com

Batutat/ Rama, Nokës: Je rrafsh. Deputeti: Je kanabist

Posted: 03 Nov 2016 07:12 AM PDT

Kryeministri Edi Rama u përplas edhe me deputetin demokrat Flamur Noka, i cili po fliste nga vendi kur Rama replikonte për çështjen e Himarës me Vangjel Dulen.

Rama: Ti çfarë problemi ke? Ti ku hyn këtu, problemi jot është që ti je i paaftë të ndërhysh në këtë lloj komunikimi, ti je loë level, e ke nivelin shumë poshtë, ti e ke nivelin vetëm kur ka kanabis, po s'pati kanabis në bisedë ti nuk kupton. Ti je nën efektin e drogës natyralisht, asaj lloj droge që s'ka shërim, ti je rrafsh e kupton.

Noka: Ky gjithollogu që profesionin e parë e shkarravinist, ky që vjen këtu dhe na hiqet si nacionalist e nisi në '90 si anarshist, erdhi me idenë se do bëhej eteist dhe sot u katandis kanabist.

Sa për historitë e tjera për Himarën s'kam ndërmend të hyj në komentet e atyre që tha por para disa ditësh isha në Himarë dhe ka ndërtesa pa leje që janë të lidhjeve të tij me pushtetin dhe nuk i ka prekur ato por ka prekur ndërtesa 200-vjeçare dhe i shpërblen me 5 milionë lekë të vjetra, po krijon çështje sociale për interesa të tij dhe bizneseve të tij.

 

Rama: Ka qejf nuk ka qejf njeri, Çamëria çështje shqiptare

Posted: 03 Nov 2016 07:05 AM PDT

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule akuzoi kryeministrin Rama për sulm ndaj minoritarëve në Himarë, të cilëve sipas tij, po u shemben shtëpitë me qëllim që të mposhtin frymën e tyre dhe t’u grabisin pronat. Duke përmendur urdhrin për heqjen e flamurit turk nga shkollat e një fondacioni armik të Erdoganit në Turqi, Dule la të kuptohej se kryeministri Rama po zbaton urdhrat e presidentit turk edhe për sulmin ndaj minoritarëve në Himarë.

Kreu i PBDNJ-së replikoi me kryeministrin duke thënë: “Ju shmangët thelbit të problemit. Po rrëzoni të gjitha ndërtimet e paligjshme në Himarë? Filloni nga mentori juaj, Kokëdhima. Po je i sinqertë nise prishjen e ndërtimeve pa leje nga Sarajet e Qeparoit. Mu drejtuat se jam duke u përpjekur ti bëj armiq vendit. Jam përpjekur ti bej miq të këtij vendi aq sa mundem, por është shumë e vështirë me një kryeministër të tillë. Më akuzuat se po përpiqem të nxi këtë qeveri, por a ka qeveri më të nxirë në këto 25 vite që t’i shtosh dhe një nuancë më tepër?”.

Duke replikuar me Dulen, kryeministri Rama theksoi se e folura në greqisht nuk do ta bëjë kurrë Himarën që qytet grek.

“Kur them se as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinën sot një qytet shqiptar, as e folura në greqisht sot nuk ka për ta bërë kurrë Himarën një qytet grek nesër. Çështjet duhet ti zgjidhim nën dritën e shembujve të panumërt të miqësisë, vllazërisë, njëlloj të udhëhequr nga e mira  përbashkët. Dy popuj fqinjë dhe miq ne zemër të Europës në një shekull të ri sfidash të rajonit dhe familjes europiane, të cilës bashkërisht i përkasim”, u shpreh Rama.

Duke i cilësuar të pabaza akuzat e Vangjel Dules për sulm ndaj minoritarëve, Rama tha me ironi se “zëri i Dules ngrihet vetiu qoftë sikur në ëndërr ti dalë një tjegull që del nga çatia e Himarë”.

“Këtë herë na ka dalë që banorët e prekur nga projekti i ri i Bashkisë së Himarës në fakt na qenkan deklaruar grekë”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Rama ka folur edhe për çamët.

“Nuk ka histori e të drejtë ndërkombëtare që e pranon që popullsia çame paska qënë bashkëpunëtore më nazizmin. Nuk ka të drejtë ndërkombëtare në Botë që pranon se edhe në se paskan qënë bashkëpunëtore me nazizmin popullsia çame të dënohet brez pas brezi duke i mohuar çdo të drejtë njerzore ashtu siç kanë bërë grekët me popullsinë çame.

E shkuara nuk mund të jetë një pengesë për të ardhmen e përbashkët të popujve tanë. Përkundrazi zgjidhja e bazuar në të drejtën ndërkombëtare janë në interes jetik për të dyja shtetet. Së pari ne dëshirojmë që lufta të mbarojë. Ne mirëpresim një akt të vlefshëm që të shfuqizojë dekretin mbretësor që i cili e konsideron shqipërinë  dhe greqinë në gjendje lufte.. një mbetej arkaike e mbetur aty e riciklueshem nga cdo qeveri si një kujtim, jo sepse është nëj akt që krijon pasoja konkrete për qytetarët shqiptarë.

Vangjel! Në qoftë se nuk të pëlqen çam s’ka problem, janë shqiptarë, në qoftë se nuk të pëlqen çështje çame ska problem, është çështje shqiptare, dhe për këtë çështje kemi të gjtihë të drejtën të kërkojmë zgjidhje bazuar në të drejtën ndërkombëtare", tha Rama.

 

A është Shqipëria qendra e “gylenistëve” në Ballkan?

Posted: 03 Nov 2016 06:48 AM PDT

Pasi ministri i jashtëm turk e quajti Shqipërinë si qendrën e "gylenistëve" në Ballkan, ekspertët në vend thonë se Shqipëria duhet t'i hetojë me kujdes pretendimet.

Nga Fatjona Mejdini / BIRN

Teksa Turqia vazhdon të ushtrojë presion në vendet e Ballkanit për të marrë masa të ashpra mbi të ashtuquajturit gylenistë – ndjekës të klerikut me bazë në SHBA Fethullah Gylen i akuzuar si planifikues i grushtit të dështuar të shtetit në Turqi më 15 korrik – ekspertët në Shqipëri thonë se vendi duhet të vërë interesat e veta para atyre të Ankarasë.

Pirro Misha, një shkrimtar dhe kërkues i nacionalizmit dhe kulturës, i tha BIRN se Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme në përgjigjen që do të ketë ndaj presionit të Ankarasë, pavarësisht miqësisë tradicionale që ka me Turqinë.

"Shqipëria duhet të vërë interesat e vendit mbi… kërkesat që vijnë nga një shtet tjetër, pavarësisht miqësisësë së fortë," këshilloi ai.

Megjithatë, Misha shtoi se mund të jetë në interes të Shqipërisë të hetojë pretendimet turke.

"Nëse ka prova se ekziston një organizatë e huaj sekrete në Shqipëri me ambicie për të ndërhyrë politikisht, në shkallë sociale dhe fetare, atëherë çështja bëhet e rrezikshme," tha ai.

"Por qeveria duhet të ketë prova të forta për këtë, ndryshe procesi mund të kthehet në një gjueti shtrigash", tha Misha.

Mevlut Cavusoglu, ministri i jashtëm turk foli për influencën e dyshuar të gylenistëve në Ballkan në një intervistë për të përditshmen e Katarit Haberturk, duke e shënjuar Shqipërinë si vendi kyç në rajon.

"Shqipëria duket se është qendra e gylenistëve në rajon; Bosnja, Maqedonia dhe Kosova gjithashtu janë kapur nga gylenistët," tha Cavusoglu të mërkurën.

Ermir Gjinishi, një teolog dhe ish-sekretar i përgjithshëm i komunitetit mysliman shqiptar i tha BIRN se investigimi i aktivitetit të gylenistëve në Shqipëri ishte gjithsesi i nevojshëm.

"Shqipëria është një vend me prani të madhe gylenistësh dhe ata kanë ndikim në çdo strukturë shtetërore. Kjo organizatë nuk përfaqëson interesat e Shqipërisë, në disa rasste, madje i ka manipuluar ato. Synimi i tyre është të kapin shtetin dhe kjo është çështje sigurie," pretendoi ai.

Deklarata e Cavusoglu erdhi ditë pasi homologu i tij shqiptar, Ditmir Bushati, mbajti një vizitë zyrtare në Turqi, ku u takua gjithashtu me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërsa deklaratat zyrtare të publikuara nga ministria pas vizitës theksonin se synimi i takimeve ishte përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, media në vend tha se zyrtarët turq i bënë sërish thirrje Tiranës të vepronte kundër gylenistëve.

Thirrje të ngjashme u bënë nga vetë Erdogan përpara se të ndodhte grushti i shtetit në Turqi.

Në maj 2015, gjatë një vizite në Tiranë, Erdogan e nxiti vendin me shumicë myslimane ta shpallte lëvizjen një organizatë terroriste.

Ai theksoi se i konsideronte kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin Bujar Nishani si vëllezër dhe shprehu besimin se ata do të "bënin gjënë e duhur".

Zyrtarët vendas raportuan se u duhej të ndiqnin ligjin shqiptar në lidhje me pretendimet se në vend veprojnë organizata terroriste.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more