Skip to main content

“Morali “i qepur” i shoqërisë shqiptare” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Morali “i qepur” i shoqërisë shqiptare” plus 2 more Telegrafi Opinione


Morali “i qepur” i shoqërisë shqiptare

Posted: 11 Nov 2016 09:28 AM PST

Lindita Arapi

A.A. la të zgjedhurën e tij se nuk ishte e virgjër. Vajza të fshatit detyrohen të "rivirgjërohen" për të kaluar provimin e natës së martesës. Deri kur do të vazhdojë shoqëria shqiptare të ushqejë vetë gënjeshtrën?

O tempora o mores? Nga njëra anë vajza të reja që nxjerrin në ankand virgjërinë për të fituar sa më shumë para nga ofruesit meshkuj- nga ana tjetër traumë e trishtim të atyre vajzave që e kanë humbur virgjërinë e i tremben beqarisë së përjetshme apo dhunës familjare. Nga njëra anë firma si Virginia Care që e "restaurojnë” virgjërinë për 60 euro në formën e një membrane artificiale – thjesht sa për t'u lumturuar burrat që duan të ngrenë flamurin në tokën e pashkelur – nga ana tjetër burra që ndajnë bashkëshorten, pas natës së parë, sepse në çarçafë, për dreq, nuk u shfaq asnjë njollë gjaku.

Para pak ditësh, një djalë shqiptar, A.A e ndërmori këtë hap, pasi vajza e përzgjedhur për grua nuk ishte e virgjër. Ai ndjehej i mashtruar! Nëse vajza do të kërkonte falje, mund të kishte shans ribashkimi, sipas A.A.

Një dramë e re shqiptare me fund të paditur, sepse djali tani kërcënohet me gjakmarrje nga familja e vajzës, që ndjehet e damkosur me njollën e turpit. Ndërsa vajza? Për atë nuk është thënë publikisht asgjë. E, kjo heshtje flet më shumë! Nëse nuk është dhunuar për turpin që i solli familjes, ajo ndoshta qan me orë e mbyllur në katër muret fatin e saj të keq.

Shoqëria shqiptare ka shumë halle, debati publik ka emergjenca të tjera, e jo virgjërinë e vajzave, megjithatë kjo tabu e rrënjosur pashkulmërisht në vetëdijen e burrit shqiptar është ende burim dramash të reja e të vjetra, sidomos në zonat rurale. Sigurisht, çdo djalë ka të drejtë të zgjedhë vajzën që dëshiron, edhe dëshira për t’u martuar me një vajzë, që nuk ka pasur marrëdhënie seksuale më parë, nuk është krim. Sigurisht, çdo vajzë ka të drejtë të qëndrojë e virgjër, nëse dëshiron që ta fillojë jetën seksuale me jetën martesore. Madje, edhe në SHBA, një tendencë e tillë nuk është aq e rrallë, si tek djemtë, ashtu edhe vajzat. Lëvizja "True Love Waits” e propagandoi që në vitet '90-të të shekullit të kaluar, askezën para martese, në emër të një dashurie më të madhe pas kurorëzimit.

Deri këtu jemi në zonën e gjelbër të tolerancës, deri këtu e tolerojnë njëri-tjetrin si ithtarët e virgjërisë, ata që e varin martesën nga njolla e gjakut në çarçaf, ashtu edhe ata që e shohin himenin virgjëror, më shumë si pjesë të anatomisë së femrës, si apandesiti, e jo si kusht absolut për jetën në çift. Hendeku mes dy botëve thellohet kur ithtarët e virgjërisë – sigurisht ndër ta duhet të gjendet vetëm gjinia mashkullore – i lejojnë djalit lirinë e jetës seksuale, vetëm sepse është djalë, ndërsa vajzës jo vetëm ia mohojnë atë, por e sanksionojnë me epitetet "e çnderuar”, "e përdalë”, "e përdorur”, si një mall që tani nuk ia vlen të blihet, se është „second hand”, nëse ajo ka guxuar të sfidojë këtë rregullore të pashkruar.

"Kujdes! Vajza është si qelqi, po u thye nuk ngjitet më”! "Kujdes! Vajza është si qelqi, po u thye nuk ngjitet më”! Këtë refren të përditshëm të rinisë sime, unë ende nuk e kam harruar, një refren që nganjëherë ka përcaktuar jetën ose vdekjen në shoqërinë shqiptare. E, në vitet e pritjes derisa të "zgjidhesha”, nuk duhej të shkelja në dërrastë të kalbur, ndryshe nuk e plotësoja listën e kërkuar për martesë, ku virgjëria renditej e para në listë.

Sa herë që më thyhen qelqe, ende edhe sot më duhet të mendoj për virgjërinë, për mitizimin që e ka shoqëruar atë në shekuj. Sa herë i gjen të përgjëruar burrat e letrave për virgjëreshat e dëlira, ato janë burim frymëzimi i përhershëm poezish. Por, nëse në antikitet, perëndeshat si Artemis dhe Athinaja konsideroheshin virgjëresha, kjo lidhej më shumë me rininë e përjetshme të tyre, sesa me paprekshmërinë. Glorifikimi i Virgjëreshës Marie në fenë e krishterë dhe i virgjërisë si shenjë e dashurisë që i jepet vetëm Zotit, e ktheu paprekshmërinë në një virtyt për femrën, në një standard të patjetërsueshëm për shekuj. Edhe në Islam e gjejmë mitizimin e virgjërisë, edhe aty vajzës i ndalohet seksi para martese.

Një mit që ka shkruar historinë shekullore të superioritetit mashkullor, i cili i kishte dhënë vetes edhe shpatën për ndëshkim edhe lapsin për të skicuar rolin e femrës, ndërsa femrave pa asgjë në duar, vetëm me fëmijën në gji, nuk u mbetej veç nënshtrimi e përmbushja e rolit të paracaktuar në mënyrë shembullore. Kushedi sa lot, sa tragjedi, sa zemra të thyera, jetë të çuara në vetmi janë mbuluar nga pluhuri i harresës në shekuj vetëm për një cipë virgjërie! Kushedi sa lot derdhen ende sot!

Po ku ka një problem, siç dihet, kërkohet edhe zgjidhja, e pse të mos e kërkojnë një rrugëdalje edhe femrat që duan ta heqin qafe këtë pengesë që u pret rrugën e bashkëshortësisë, sipas motos: më mirë një gënjeshtër për një virgjëri që vlen vetëm një natë, se një jetë e çuar në hidhërim.

Ka kaq vite që një pazar i heshtur bëhet nëpër klinikat shqiptare. Një pazar që sjell më shumë fitime në muajt e verës, kur kthehen djem të rinj emigrantë që duan të martohen me vajza shqiptare, virgjëresha të denja për të mos e lënë të vdesë traditën. Rivirgjërimi ose siç njihet në popull, "qepja” është një operacion i vogël që kushton pak krahasuar me "fitimin” e madh që kanë këto vajza për një jetë të siguruar. E, në një shoqëri, ku emancipimi njihet më shumë si koncept i komunizmit që nxori gruan në punë, dhe jo si pavarësim e pjekuri e vullnetit të lirë, ku sot ai shpesh thjeshtëzohet me lirinë e veshjes së minifundeve, femrat nuk gjejnë rrugën e protestës për t’u çliruar nga një traditë që i viktimizon, por zgjedhin finokërinë femërore, duke i vënë meshkujve, sipas kokës edhe festen.

Megjithë, debatet shoqërore për virgjërinë e femrës që nuk i përshtatet kohës sot, shumë meshkuj shqiptarë nuk e kapërcejnë dot kufirin që ka vendosur tradita shekullore. Një kufi që është vendosur në familje herët në fëmijëri, që është forcuar në biseda shokësh për nusen e paprekur, që është çimentuar nga fjalët e nënave pëshpëritëse se nusen e duan të virgjër, duke harruar vajzërinë e vet, një kufi që është lëkundur në kohët e reja, sepse siç më tha një i afërm imi "të virgjërat mund t’i gjesh tani vetëm në 9-vjeçare”, por prapë reziston, nuk është fshirë. Megjithatë, kush kërkon gjen! Edhe këta djem gjejnë virgjëresha duke përmbushur kështu ëndrrën e tyre, pavarësisht nëse virgjëria mund të jetë "e restauruar” nga mjeku, rëndësi ka gjaku, rëndësi ka që në opinion të thuhet se vajza u gjend e virgjër.

O tempora o mores! Të martuarit me rivirgjëreshë bëjnë mirë të mos zgjohen kurrë nga ëndrra, ka shumë gënjeshtra të ëmbla që na e rregullojnë jetën, kjo dihet. Por, djemtë e rinj duhet të vendosin një ditë: Ose të mos e mitizojnë virgjërinë si kusht për dinjitetin e vajzës që duan, ose të vazhdojnë të mbajnë gjallë moralin "e qepur” të shoqërisë shqiptare… ata e dinë shumë më mirë se kushdo tjetër, kur vajzat e dashuruara i bëjnë zemrat e tyre të rrahin aq shpejt, se dashurinë mes të rinjve deri më sot nuk e ka ndalur kush.

The post Morali "i qepur" i shoqërisë shqiptare appeared first on Telegrafi.

Edhe një president minor?

Posted: 10 Nov 2016 02:33 PM PST

Kulumnen time të fundit që e shkrova me 7 nëntor, për një moment mendova se do të ishte e fundit për këto zgjedhje presidenciale në ShBA. Por, menjëherë pas rezultateve të para, kur edhe u konfirmuan 270 votat elektorale për të fituar presidencën nga Tumpi, ndodhi befasia e radhës që unë edhe e them zakonisht: ky sistem di edhe të na befasojë!

Donald Trump fitoi presidencën, por ai, sipas të gjitha gjasave po duket të jetë edhe një president tjetër minor. Befasia e kësaj radhe nuk është e panjohur: Trump fitoi mbi 50 për qind të votës elektorale, 279 vota nga 538 të mundshme, por humbi votën popullore. Deri tani, nga gjithsej 98 për qind e votave të numëruara, del se Trump ka rreth 200 mijë vota (popullore) më pak se kundërkandidatja e tij Clinton në mbarë ShBA-në.

Nëse dy për qind e votave të mbetura nuk e ndryshojnë këtë rezultat, e që besoj se jo, atëherë kemi presidentin e pestë me radhë i cili fiton zgjedhjet presidenciale pa votën popullore. Para tij kishin fituar edhe John Quincy Adams (1824), Rutherford B. Hayes (1876), Benjamin Harrison (1888), George W. Bush (2000), dhe tani më 2016 kandidati republikan Donald J.

Trump po bëhet i pesti. A do të ketë edhe në të ardhmen mundësi të përsëritet një gjë e tillë, përgjigja është e thjeshtë: Po, dhe derisa nuk ndryshon sistemi i "winner takes all" i kolegjit elektoral, lehtë mund të përsëritet.

Në ShBA, votimi nuk është obligativ për qytetarët amerikan. Kjo ka bërë që dalja në votime të mos jetë shumë e kënaqshme, madje shpesh herë edhe nën 50 për qind. Kështu, si rezultat i kësaj, nga 51 palë zgjedhje presidenciale që janë mbajtur, 19 herë presidenti është zgjedhur edhe kur dalja në votime ka qenë më pak se 50 për qind e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.

Kur kësaj ia shtojmë edhe mungesën e përvojës politike të presidentit të sapo zgjedhur të ShBA-ve Donald Trump, atëherë befasia fillon të shndërrohet në ankth. Por, a duhet ta vlerësojmë kështu?

Nga përvoja e mëhershme e disa prej presidentëve amerikanë, kuptojmë se ata edhe pa ushtruar asnjëherë ndonjë pozitë publike të fituar me garë politike, në garimin e parë kanë arritur të ngjiten në majat e politikës amerikane, respektivisht në zyrën ovale. Kjo duket e frikshme dhe e pabesueshme, por kjo ka ndodhur disa herë në ShBA dhe pikërisht disa prej këtyre presidentëve bënë punë shumë të mëdha në ShBA dhe në botë.

Si p.sh. presidenti Dwight Eisenhower (1953-1961), si ish komandanti i parë i NATO-së, ia mësyu Shtëpisë së Bardhë dhe arriti atje. Madje, ai udhëhoqi shtetin për dy mandate në një kohë të vështirë politike dhe ekonomike. Më 1953 me iniciativën e Eisenhowerit, si ushtarak që ishte, u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi përgjatë kufirit të Koresë së Jugut, u realizua një traktat paqeje që neutralizonte Austrinë, tensionet me Rusinë u zbutën, kurse në shtator të vitit 1953 anuloi të gjitha ndihmat amerikane për Izraelin, duke kushtëzuar Izraelin që të ndërpresë punën në kanalin të cilin e kishin projektuar ata për të transferuar ujin e lumit Jordan brenda territorit të Izraelit. Ky projekt do të digjte marrëveshjen paqësore të vitit 1949, kështu që qëndrimi i tij pati sukses dhe Izraeli ndërpreu punët e kanalit.

Eisenhower edhe në politikën e brendshme ishte i kujdesshëm . Ai u mundua për një buxhet të balancuar, përkrahu heqjen e dallimeve në shkolla (mes të bardhëve dhe atyre me ngjyrë), si dhe urdhëroi heqjen e plotë të këtyre dallimeve në Forcave e Armatosura.

Ngjashëm me të, ushtarak, ishin edhe Zachary Taylor (1849-1850) dhe Ulysses S. Grant(1869-1877), kurse William Taft (1909-1913) dhe Herbert Hoover (1929-1933) nuk ishin madje as ushtarak, por ia dolën të arrinin në Shtëpinë e Bardhë.

Tani, oresidenti Trump, president minor dhe pa përvojë në politikë, a do të jap shembuj të disa prej paraardhësve të tij të Shtëpisë së Bardhë apo do na bëjë edhe ndonjë befasi tjetër presidenciale? Unë shpresoj, vetëm që ai mos të jetë Trumpi i fushatës zgjedhore.

The post Edhe një president minor? appeared first on Telegrafi.

Fitorja e Trumpit është shok e moment kthese

Posted: 10 Nov 2016 02:28 PM PST

Fitorja – fitorja e papritur e thellë – e Donald Trumpit ka sjellë një paralizë shoku. Të paktën në Evropë dhe në Gjermani. Këtu mbizotërojnë dallueshëm – me gjithë përpjekjet për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike – një qëndrim mosbesues për atë që ka ndodhur, hutim dhe tmerr. Motoja… motoja e duhur e këtyre orëve të para megjithatë është: askush nuk e njeh me të vërtetë Donald Trumpin. Natyrisht që planet e tij, ato që ka ndërmend, idetë e tij në fushatën elektorale u regjistruan – edhe stili i tij prej huligani, teprimet e tij, retorika e shpresave të gënjeshtërta, masohizmi i tij, racizmi i tij. Por natën e zgjedhjeve u pa edhe gatishmëria ose përpjekja e tij që pas kësaj lufte sharjesh e hedhjesh baltë SHBA të pajtohen me veten dhe që t’i trajtojnë partnerët në të gjithë botën me korrektesë. Për ta thënë thjesht: duhet pritur njëherë.

Megjithatë, në kryeqytetet perëndimore – dhe vetëkuptohet edhe në Berlin – zgjedhja e Trumpit është “worst case” (rasti më i keq). Për të nuk ishte përgatitur askush. Dhe askush nuk e di se kush do të vendosë së shpejti në politikën e jashtme, në politikën e sigurisë dhe në politikën e ambientit. Sepse Trumpi është një person jashtë sistemit në Partinë Republikane. Pra ai nuk mbështetet në mendjet dhe në korifenjtë e njohur. Me ata nuk ekzistojnë kanale, nuk ekzistojnë njohje joformale. Kjo nuk i bën gjërat më të lehta, sepse Trumpi ndoshta do të rrethohet ndoshta me njerëz që nuk kanë përvojë në parketin diplomatik dhe nuk kanë rrjetin e tyre.

Kjo vetëkuptohet që ka pasoja: në politikën ekonomike, në të cilën bëhet fjalë për tregtinë e lirë të përbotshme. Në politikën e jashtme dhe të sigurisë: këtu bëhet fjalë për Iranin; për Izraelin; për një veprim të mundshëm ushtarak kundër terrorizmit xhihadist, për imazhin e vetvetes të Uashingtonit në Lindjen e Afërme; për raportin e brishtë me Rusinë dhe me Kinën; për çështjen nëse e sheh veten si partner apo si rival të dy fuqive të tjera të mëdha – apo për kthim në izolacionizëm të theksuar. Fjala është edhe për raportin me aleatët. A është NATO-ja për SHBA edhe më tej sistemi kolektiv i sigurisë i Perëndimit? A do të deklarohet Trumpi pro politikës së aleancës? Apo beson ai se evropianët duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre? Ky është testi i rezistencës për Perëndimin.

Donald Trump është i panjohuri i madh. Ai përfaqëson – në mënyrë pak paradokse si miliarder nga New Yorku – triumfin e provincës mbi metropolet, fitoren e fshatit mbi qytetet. Në politikën e brendshme ai nuk është njeri i elitave të deritashme. Prandaj nuk do të jetë kaq e lehtë të gjendet qasje tek ai.

Por, paraliza nga shoku ka edhe të mirat e saj. Ajo çon në qendrim të matur. Derisa Trumpi të hyjë në janar në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 45-të i SHBA, do të kalojë mjaft kohë, për t’u përshtatur me të. Zgjedhja e Trumpit është një moment kthese, mbase edhe një vendosje historike piketash. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë e barabartë me fundin e bashkëpunimit të deritashëm të Perëndimit. Por më e parehatshme gjendja do të bëhet padyshim, sepse një gjë Trumpi është me siguri: jokonvencional.

The post Fitorja e Trumpit është shok e moment kthese appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more