Skip to main content

““Pasioni për astronominë, e ruaj ende teleskopin që nga fëmijëria”” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

““Pasioni për astronominë, e ruaj ende teleskopin që nga fëmijëria”” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


“Pasioni për astronominë, e ruaj ende teleskopin që nga fëmijëria”

Posted: 14 Sep 2016 07:43 AM PDT

Rudina HOXHA

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, në këtë intervistë të parë për shtypin e shkruar, tregon për “Gazeta Shqiptare” për karrierën e tij, objektivat në këtë post të cilin e mban prej 9 muajsh, ndërsa ndan mendimet e tij lidhur me reformën në drejtësi dhe integrimin europian të Shqipërisë. “Ishte një fakt shumë i rëndësishëm që reforma konstitucionale ndaj një çështjeje me kaq rëndësi u miratua me votë unanime, gjë e cila sipas njohurive të mia, nuk është e lehtë për t’u arritur jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë. Prandaj nuk duhet të jemi pesimistë. Mendoj që kjo përfaqëson një përpjekje serioze për të reformuar Kushtetutën dhe në veçanti gjyqësorin. Është normale që do të duhet kohë”, – tha Cutillo midis të tjerash në këtë intervistë. Ai tregon se politikisht është i dhënë pas projektit më të madh – atë të integrimit europian të Shqipërisë – ndërsa personalisht mbetet i lidhur më shumë me projektet që afrojnë njerëzit më pranë njëri-tjetrit, sidomos në fushën sociale apo atë të shëndetësisë.

Z. Ambasador, ju lutem, a mund të na bëni një panoramë të shkurtër të karrierës suaj?
Kam rreth 30 vjet në shërbimin diplomatik, që nga viti 1986. Kam mbuluar pothuajse të gjitha fushat, si në ministri në Romë, ashtu edhe jashtë vendit. Detyra ime e parë ka qenë konsull në Bordo, Francë. Më pas u emërova përgjegjës për marrëdhëniet dypalëshe midis Italisë dhe Arabisë Saudite. Gjithashtu pjesë e portofolit tim jashtë vendit janë edhe Gjeneva dhe Nju Jorku, ku u mora me marrëdhëniet shumëpalëshe në kuadrin e Kombeve të Bashkuara dhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Dhe tani në Shqipëri mbuloj marrëdhëniet bilaterale. Pra mund të them se kam pasur fatin të mbuloj tri fusha kryesore gjatë karrierës sime: çështjet konsullore, marrëdhëniet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe. Edhe në Romë kam punuar për shumë kohë në Ministrinë e Jashtme në sektorë të ndryshëm, si diplomacia ekonomike, çështjet konsullore dhe kulturore. Në 7 vitet e fundit, jam marrë edhe me çështjet e integrimit europian. Kurrë nuk jam fokusuar vetëm në një fushë të shërbimit diplomatik, por në disa.
Cila prej tyre ju tërheq më shumë?
Pyetje me vend! Pa dyshim të gjitha këto çështje janë të rëndësishme. Unë do të veçoja çështjet e integrimit europian. Gjatë punës sime me çështjet europiane, kam krijuar përshtypjen se është një fushë në të cilën vende si Italia dhe Shqipëria duhet të fokusohen, pavarësisht problemeve që lidhen me BE-në, si Brexit, kriza ekonomike në shumë vende apo pakënaqësia e opinionit publik ndaj BE-së në pothuajse të gjitha vendet anëtare. Të gjitha këto janë arsye për të bërë më shumë dhe jo më pak në aspektin e integrimit europian, për rastin e Shqipërisë, në aspektin e fuqizimit të përpjekjeve të saj për t’u bërë pjesë e BE-së. Sepse mendoj se një reagim kundër BE-së është vetëm emocional, por nëse i shikojmë gjërat nga një pikëpamje më e thellë, mendoj se nuk ka rrugë tjetër veç asaj të përballimit së bashku të sfidave sesa secili vend më vete. Kjo do të thotë një rol më i madh i BE-së në çështjet e përditshme si emigracioni, terrorizmi, kriza ekonomike e të tjera. Mendoj se e vetmja përgjigje e kuptimtë vjen nga një BE më e fortë.
Meqenëse po flasim për BE-në dhe Shqipërinë, reforma në drejtësi mbetet kryefjala e ditës…
Reforma në drejtësi është një element kyç për Shqipërinë për t’iu afruar BE-së. Mendoj se është një sfidë e madhe. Reforma është e gjerë, komplekse, pa dyshim kërkon shumë energji dhe kohë. Por Shqipëria tregoi korrikun e kaluar se mund të ecë në këtë rrugë në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Ishte një fakt shumë i rëndësishëm që reforma konstitucionale ndaj një çështjeje me kaq rëndësi u miratua me votë unanime, gjë e cila sipas njohurive të mia, nuk është e lehtë për t’u arritur jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë. Prandaj nuk duhet të jemi pesimistë. Mendoj që kjo përfaqëson një përpjekje serioze për të reformuar Kushtetutën dhe në veçanti gjyqësorin. Është normale që do të duhet kohë. Ajo që ka më rëndësi do të jenë rezultatet në fund të këtij procesi. Deri më tani, shqiptarët mund të jenë krenarë për rezultatet. Kuptohet, hapa të tjerë priten të merren. Përpjekjet duhet të vazhdohen, dhe shpresoj dhe shikoj shenja se fryma e kësaj reforme është ende aty për ta udhëhequr parlamentin drejt ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm.
Si do ta karakterizonit eksperiencën tuaj në Shqipëri deri më tani si nga ana profesionale ashtu edhe ajo personale?
Profesionalisht, mund të them se është një punë shumë kërkuese, por edhe shpërblyese, sepse marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë aktualisht shumë intensive në të gjitha fushat. Praktikisht nuk ka gjë që nuk e bëjmë bashkë dhe asgjë që nuk mund ta bëjmë më mirë së bashku. Të jesh ambasador i Italisë në Shqipëri është një mundësi unike për të punuar në të gjitha fushat, që nga programet kulturore, tek aktivitetet sociale. Pra, nuk mund të ankohem se mërzitem në këtë punë. Ndonjëherë është më shumë punë sesa duhet, prandaj qytetarët shqiptarë duhet të më kuptojnë ndonjëherë nëse nuk jam i pranishëm kudo, por ne këtu në Ambasadë kemi një skuadër të fortë dhe së bashku përpiqemi të mbulojmë dhe të ndjekim kërkesat e autoriteteve dhe qytetarëve shqiptarë.
Dihet se Italia zbaton shumë projekte në Shqipëri. Por kë keni më për zemër prej tyre?
Po të flasim nga pikëpamja politike, patjetër integrimi europian i Shqipërisë është i një rëndësie parësore jo vetëm për mua, por për çdo ambasador italian në Shqipëri në këto vite. Mendoj se procesi i hyrjes në BE është po aq i rëndësishëm sa edhe rezultatet. Politikisht, ky është shqetësimi im kryesor. Njëkohësisht shpresoj të mund të shoh dhe të ndihmoj përshpejtimin e këtij procesi si dhe të dallojmë rezultate në vitet në vijim. Personalisht tregoj më shumë vëmendje ndaj programeve që afrojnë njerëzit më pranë njëri-tjetrit, sidomos ato në fushën sociale, në sektorin e shëndetësisë e të tjera. Vë re shumë shembuj të këtij bashkëpunimi midis OJQ-ve italiane dhe institucioneve shqiptare. Sidomos në sektorin e shëndetësisë, ku shikojmë frymën më të hapur të mundshme për të punuar së bashku, me qëllim ofrimin e ndihmës ndaj njerëzve me probleme shëndetësore, me aftësi të kufizuar e të tjerë. OJQ-të italiane priren nga dëshira për të ndihmuar këto kategori, por edhe njerëzit e varfër apo të lënë pas dore. Kjo është fusha ku ne mund të bëjmë shumë. Edhe Italia ka shumë nevojë për një mbështetje të tillë, sepse edhe ne nuk jemi një vend pa probleme. Të punosh me Shqipërinë në këto drejtime na kujton se sa e rëndësishme është kjo fushë jo vetëm këtu, por kudo nëpër botë. Tek shikon këtu entuziazmin e të dyja palëve, si të shqiptarëve edhe të italianëve, për të punuar në këtë drejtim, mendoj se kjo është prekëse, por edhe motivuese për mua.
Kush është qëllimi që i keni vënë vetes në këtë detyrë?
Në përgjithësi, Shqipëria është një vend që ka bërë shumë progres në këto 25 vitet e fundit, duke u zhvendosur nga pozita e një vendi të izoluar nga Europa, të varfër ekonomikisht, drejt një vendi më të fortë, më të integruar në BE dhe në botë. Prandaj, mendoj se ky proces nuk mund të merret për i mirëqenë. Është një proces që duhet të përforcohet çdo ditë, sepse gjërat nuk ndodhin vetë. Partnerë si Italia, që janë pranë Shqipërisë historikisht, gjeografikisht, por edhe nga ana e marrëdhënieve njerëzore, mund ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara. Synimi im kryesor është pikërisht të shoh këtë proces të bëjë hapa përpara çdo ditë. Kjo mund të realizohet në sektorin e shëndetësisë, në zhvillimin e sektorit ekonomik apo në luftën ndaj krimit të organizuar, sepse siç e thashë, nuk ka fushë ku nuk bashkëpunojmë. Sfida është të mos i lëmë gjërat pezull.
Z. Ambasador, në fund të kësaj interviste, a mund të na zbuloni ndonjë nga hobet tuaja, pavarësisht se ju nuk doni të thoni shumë për veten tuaj?
Çdokush mund të presë të them se jam i interesuar për politikën, historinë, letërsinë, muzikën. Por edhe përveç këtyre mund të them se që fëmijë, kam treguar pasion për astronominë. Babai im më bleu një teleskop të vogël. Për vite të tëra, kam vështruar qiellin. Ende e ruaj atë teleskop. S’e di, mbase mund të vendosim një bashkëpunim të mirë midis dy vendeve tona edhe në fushën e astronomisë. Nuk kam bërë një kërkim të plotë, por me sa di, nuk është se ka shumë progres në këtë fushë në Shqipëri. Nuk ka një astronom shqiptar që njihet, dhe mbase një shkëmbim midis nesh mund të kontribuojë në krijimin e një gjenerate të re astronomësh shqiptarë. Ku i dihet!

Këngëtarit i vjedhin makinën luksoze 20 mijë euroshe”

Posted: 14 Sep 2016 07:42 AM PDT

Këngëtarit të njohur Majk i kanë vjedhur makinën e tij të re, të tipit “Audi Q-5”, të cilën nuk ka shumë kohë që e ka blerë. Kjo makinë, e cila kushton gati 20 mijë euro, është vjedhur e parkuar përpara banesës së reperit të famshëm. Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar vjedhjen e makinës së këngëtarit, ndërsa shpjegojnë se janë në kërkim të personave deri më tani të panjohur dhe duke hetuar rastin. “Ankuesi mashkull, K/Shqiptar, ka raportuar se nga persona të panjohur i është vjedhur makina e tij e tipit ‘Audi Q-5’ me targa vendase. Njësitë përkatëse policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Irritohet Roza Lati: “Peshkoj” edhe me gjoks të vogël

Posted: 14 Sep 2016 07:41 AM PDT

Eshtë përfolur shumë në media për masat trupore të moderatores Roza Lati. Por më shumë është folur për numrin e saj të gjoksit, të cilin fansat e kanë sugjeruar ta “zmadhojë”. Roza Lati thotë se ndihet mirë me gjoksin që ka dhe se do ndryshojë te vetja atë që i pëlqen asaj të ndryshojë. “Ty s’të pëlqen gjoksi im në foto me rroba banje? Shihe mirë, se po ta ekspozoj më shumë! Shihe mirë, që të kuptosh që unë ndihem seksi dhe joshëse kështu si jam! Dhe aty ku piketoj dhe peshkoj, me këtë gjoks të vogël, arrij ta bëj ‘atë’ për vete. Sepse unë e luaj lojën me personalitet dhe jo me gjoks e b*th. Sa më shumë e shani diçka, unë aq më shumë e dua! Sa më shumë ju e doni diçka, mua aq më shumë më velet! Kaq kisha!”, shkruan Roza në rrjetet sociale.

Mjekët: I hoqëm një plumb pas ndërhyrjes kirurgjikale

Posted: 14 Sep 2016 07:41 AM PDT

PRISHTINE -Mjeku në Urgjencën e Prishtinës, Avni Xhafa, ka folur për “KALLXO.com” për lëndimet që ka reperi Rigels Rajku, i njohur me nofkën Noizy, pas sherrit me djemtë e grupit “Babastars”, në qendër të Prishtinës. Mjeku Xhafa bën të ditur se Noizy-t i është hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale. “Konfirmoj se Rigels Rajku ka ardhur me një plagë në regjionin gluteal të djathtë si dhe plumbin, i cili prezanton në rentgen në të njëjtën anë. Plumbi është hequr, ndërsa gjendja e pacientit është stabile dhe pa dëmtime të strukturës kockore dhe neurovaskulare”, ka thënë për “KALLXO.com” mjeku Avni Xhafa. Sipas tij, pacienti ka refuzuar të qëndronte në spital. Noizy është parë i buzëqeshur në korridorin e Urgjencës pas operacionit.
Përveç Noizy-t, në incidentin e armatosur në qendër të Prishtinës është plagosur edhe shoku i tij, i njohur me nofkën Varrosi.
Reperat e grupit ‘Babastars’ janë përplasur dje me grupin ‘OTR’, të drejtuar nga reperi shqiptar Noizy, në Prishtinë. Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se reperi Noizy është plagosur lehtë në kokë. Historia e konflikteve mes ‘OTR’ dhe ‘Babastars’ ka kohë që ka nisur. Kohë më parë reperi Noizy u përlesh me anëtarët e labelit kosovar në Zvicër, ndërsa vazhdimisht nuk kanë munguar ‘thumbat’ mes tyre përmes këngëve të publikuara.

Noizy kur doli nga spitali: Jam mirë, ju pres në show

Posted: 14 Sep 2016 07:40 AM PDT

PRISHTINE – Reperi Noizy u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, teksa largohej nga spitali në Prishtinë. Ai ka siguruar fansat se të gjithë djemtë e grupit ‘OTR’ janë mirë dhe se gjaku në parkingun e hotelit “Swiss Diamond” nuk është gjaku i tij.
“Nuk jam i lënduar në kokë. Ishte gjaku i dikujt tjetër jo gjak i imi, edhe Varrosi është mirë”, është shprehur Noizy, i cili ka siguruar se nuk ka pasur provokime nga djemtë e ‘OTR’. Sipas tij, videot e regjistruara do të zbardhin tërësisht ngjarjen.
Gazetari: A je mirë me shëndet?
Noizy: A do me bo pompa këtu…
Gazetari: Çfarë ka ndodhur saktësisht?
Noizy: Kanë me dal videot, sonte ju pres në Mitrovicë dhe në Ferizaj, kaq di me thonë.
Gazetari: Është e sigurt që ke me performu?
Noizy: 100%.
Gazetari: A je lëndu dikund?
Noizy: Jo.
Gazetari: Pamë gjak, na trego çfarë ka ndodhur…
Noizy: Janë gjakrat e dikujt tjetër, jo i imi.
Gazetari: A është për shkak të mosmarrëveshjes së vjetër, a është diçka e re?
Noizy: Ka mundësi, por nuk jam i sigurt. S’ka pas provokime, kanë me dalë videot.
Gazetari: Varrosi është mirë?
Noizy: Krejt mirë janë.

Flet miku i Noizyt: Nuk i provokuam, na sulmuan ata të parët

Posted: 14 Sep 2016 07:40 AM PDT

Enida Himaj
Një sherr me armë ka ndodhur përballë një hoteli në Prishtinë ditën e djeshme. Konflikti ka qenë midis dy grupeve muzikore. “Babastars” dhe “OTR” janë përleshur mes tyre në qendër të Prishtinës, duke shkaktuar panik edhe tek kalimtarët e rastit. “Pak minuta para orës 18, ka ndodhur një përleshje mes 4 personave, nga ku si pasojë e kësaj është plagosur një person, i cili është dërguar në emergjencë për trajtim, ndërsa 3 të tjerë janë arrestuar”, thuhet në komunikatën e policisë së Kosovës. Dëshmitarët që kanë qenë afër vendit të ngjarjes kanë thënë se janë përfshirë në përleshje dy reperë të njohur shqiptarë, Noizy dhe Cozman. I plagosur mësohet se ka mbetur Noizy. Dëshmitarët që ishin në konfliktin e djeshëm kanë deklaruar se ka qenë Noizy, ai që ka nisur i pari sherrin me djemtë e “Babastars”. Për mediat kosovare të pranishmit kanë thënë: “Noizy po pinte kafe në restorantin e hotelit, kur aty erdhi Skivi bashkë me një djalë dhe më një femër tjetër. Porsa ka ardhur Skivi, kanë nisur sharjet mes tyre”, ka treguar dëshmitari. Më pas siç tregon ai, Skivi ka thirrur në telefon “bandën” e tij, të cilët kanë ardhur me një veturë. “Në atë moment ka nisur dhe sherri. Noizy është afruar afër veturës ku ishte Cozmani dhe një fjalosje e sipër e ka goditur fort me grushte në fytyrë shoferin, që e kishte emrin Albert. E më pas me të njëjtën forcë e ka goditur edhe Cozmanin”, vazhdon rrëfimin. “Në atë rast janë dëgjuar dy-tri të shtëna në fillim, kurse më pas edhe disa tjera, ku janë lënduar dy persona”, tregon dëshmitari i tmerruar me ajo që kishte parë me sy. Megjithatë, një nga miqtë e Noizyt, i pranishëm në këtë konflikt, ka rrëfyer një tjetër version për “Summer Pages”. “Nuk ka pasur debat mes grupeve. Sapo na kanë parë, na janë afruar dhe na kanë goditur, ne thjesht jemi mbrojtur. Cozman së bashku me miqtë e tij na ka ardhur pa paralajmërim dhe na kanë goditur. Megjithatë, asnjë nga djemtë tanë nuk ka marrë dëmtime serioze”, shprehet një prej shoqëruesve të reperit të mirënjohur për “GSH”. Megjithatë, vetë reperi i mirënjohur ka mohuar të jetë i plagosur. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur, sonte ju pres në Ferizaj dhe Mitrovicë”, ka thënë Noizy. Ndërsa, i pyetur se a ka mundësi që kjo përleshje të ketë arsye të vjetra, ai ka theksuar: “Ka mundësi, nuk jam i sigurt”. Gjithashtu, Noizy ka thënë: “S’ka pas provokime, do t’i shihni videot. Krejt OTR janë mirë. Nuk jam i lënduar në kokë. Ishte gjaku i dikujt tjetër jo gjak i imi, edhe Varrosi është mirë”, është shprehur Noizy pas konfliktit me labelin kundërshtar.

Menaxheri i “Babastars”: Nuk e dimë pse ka ndodhur ky konflikt

Posted: 14 Sep 2016 07:39 AM PDT

Menaxheri i “Babatars”, Dekorim Sahiti ka dhënë një deklaratë duke rrëfyer se shkaqet që kanë çuar deri tek incidenti i Cozman me Noizyt, ende nuk janë të qarta: “Ne nuk i dimë arsyet se pse ka ardhur deri tek ky incident. Unë jam informuar nga njerëzit e më pas edhe nga mediat për ngjarjen. Shumica e anëtarëve të ‘Babastars’ janë në pushimet verore dhe nuk janë në dijeni se pse ka ardhur ky incident. Gjithsesi, unë si menaxher i labelit jam duke i marrë të gjitha informacionet e mundshme, për të mësuar më shumë për këtë rast, sepse motivet ende nuk i di”, ka deklaruar ai.

Falja e borxheve, Ahmetaj: Nuk ka draft, po negociojmë me FMN

Posted: 14 Sep 2016 07:38 AM PDT

Ornela Manjani
Qeveria shqiptare nuk ka një draft, madje ministri i Financave nuk do t’i kërkojnë qeverisë që të miratojë faljen e detyrimeve për bizneset dhe automjetet derisa të marrë miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Politika fiskale nuk do të ndryshojë as në planifikimin afatshkurtër dhe as në atë afatmesëm, çka do të thotë se nuk do të ketë rritje taksash apo vendosje taksash të reja. Të dhënat u bënë të ditura nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një dalje për mediat ku bëri një analizë të performancës së ekonomisë dhe financave në 8-mujorin e vitit. “Është brenda kuadrit që ju e quajtët ‘amnisti’, unë s’e quaj amnisti dhe nuk do t’i sugjeroj asgjë qeverisë për vendimmarrje deri kur të kem qartësi me FMN-në, e cila është e domosdoshme jo për shkak të marrëveshjes, por është institucioni nr. 1 që mund të na këshillojë shëndetshëm në favor të tregut, dhe këtë e them me kënaqësi dhe me bindje”, – tha Ahmetaj. Kreu i Financave tha se nuk do të ketë rritje taksash, duke hedhur poshtë ekzistencën e një drafti për vendosjen e taksës së pasurisë. Ndërsa premtoi edhe një herë se do të ketë lajme të mira për pagat dhe pensionet. “FMN-ja rekomandon lloj-lloj taksash, na ka rekomanduar në 20 vite, që në ’93-shin që është bërë pjesë e pandashme e zhvillimeve ekonomike shqiptare… Kur të vijë si rekomandim, do ta shohim, por nuk ka asnjë në planifikimin afatshkurtër dhe afatmesëm. Çfarë do bëjmë me taksat, çfarë do bëjmë me pagat, pensionet? Lajmet janë vetëm të mira! Fatmirësisht terreni politik e lejon mazhorancën që të vazhdojë me reformat, me përmirësimin dhe rritjen e të gjitha instrumenteve që rrisin konsumin. Me lajme të mira shumë shpejt!” – tha ministri Ahmetaj.
Analiza
Rritja ekonomike e tremujorit të parë 2016 është më e madhja në 5 vite, duke arritur në 2.96%. Totali i të ardhurave në 8-mujor është rritur me 7%. Mesatarja e rritjes së 8-mujorit të tri viteve të fundit 2014-2016 është 8.2%, ndërsa mesatarja e rritjes së 8-mujorit në tri vitet 2011-2013, ishte vetëm 0.7%, pra është një statistikë e drejtpërdrejtë për të parë se sa ndikim ka efektiviteti i mbledhjes së të ardhurave. “Të ardhurat nga tatime, dogana dhe sigurime, që janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë (sepse në slide-n e mëparshëm ishin edhe të ardhurat nga pushteti vendor), kemi mbledhur 19.4 mld më shumë, rritja në 8-mujor është 9.1%, pra, me rreth 190 mln USD më shumë se 8-mujori 2015. Mesatarja e rritjes së të ardhurave në 8-mujor në vitet 2014-2016 është 8.5%; mesatarja e rritjes së 8-mujorit në tri vite 2011-2013 ishte vetëm 0.9%”, – tha Ahmetaj. Sipas Ahmetajt, “Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është duke bërë një analizë të detajuar, importues më importues dhe prodhues më prodhues, për të parë se cila është arsyeja, por po t’i shohim të gjitha produktet me radhë, cigaret kanë një rritje gati 19%, pijet alkoolike 35.8%, vera 14%, pijet energjike 13%, kafeja është pothuajse në të njëjtin nivel, karburantet rritje 3.2%. Pra, përveç birrës, janë të gjitha me rritje”. Sipas tij, kredia është çështje e debatueshme. “Është statistikë shumë e rëndësishme, megjithatë, përveç kredisë për individët, pjesa tjetër është ose e njëjtë ose me rënie fare të lehtë, dhe ky është një nga problemet që kemi sot. Imagjinoni që ne po rritemi 3.4%, ndërkohë që kredia është akoma në këto nivele, kredia konsumatore është rritur me 2 shifra, dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e mirë, por për bizneset e vogla dhe të mesme si dhe korporatat, akoma është në nivele gati-gati të sheshta, pra pa ndryshim. Ndërkohë që likuiditetet në banka janë përtej asaj që edhe vetë bankat dëshirojnë. Në një slide tjetër ne i kemi zhveshur efektet e kursit të këmbimit, ato efekte që kanë ndodhur midis euros dhe lekut, dhe sigurisht që ka një rritje të lehtë, por është një rritje e lehtë që akoma s’do duhet ta quajmë”, – tha Ahmetaj.

KLSH: Në Tiranë-Elbasan, dëmi në buxhet 6.4 milionë dollarë

Posted: 14 Sep 2016 07:37 AM PDT

Abuzimet në projektin për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan janë 6.4 milionë dollarë. Si përgjegjës për abuzimet është kallëzuar në pro-kurori për shpërdorim detyre A.Q., me detyrë Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. “Nga auditimi u konstatuan pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, keqmenaxhim i fondeve, me pasojë dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerë mbi 2,4 milionë USD, si dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e 3 E-ve (efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit) me vlerë mbi 4 milionë USD”, thuhet në njoftimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Auditi i KLSH-së është kryer për periudhën nga data 30.06.2014 deri më datë 30.06.2016, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh, që kanë të bëjnë me llogaritjen e preventivit të punimeve. Sipas përllogaritjeve të KLSH-së, preventivit të punimeve për Usekun e Mulletit duhet t’i zbritet vlera 2,434,309 USD, fakt i cili nuk është kryer. “Nga ana e Supervizorit dhe e Njësisë së Menaxhimit të Projektit është miratuar edhe ndryshimi i projektit për rrëshqitjen e Ibës me vlerë 8,606,189.4 USD. Edhe ky ndryshim nuk ka marrë miratimin përfundimtar nga donatori. Në vlerën e mësipërme është përfshirë shtesë transporti me vlerë 1,269,000 USD, në kundërshtim me Seksionin 4 të specifikimeve teknike të Kontratës, pikat 1.03.3 dhe 4.01 të specifikimeve teknike. Po ashtu është përfshirë vlera 250,000 USD për realizimin e vizatimeve dhe vlera 85,650 USD për monitorimin gjeoteknik, në kundërshtim me Pikën 13.2 të kushteve të përgjithshme të kontratës “Vlerësimi inxhinierik”. Në total, preventivit të punimeve për rrëshqitjen e Ibës i është përfshirë padrejtësisht dhe në kundërshtim me kontratën vlera 1,604,650 USD”, thuhet në njoftimin e KLSH-së. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të gjitha shkeljet e mësipërme mban përgjegjësi kryesore A.Q., me detyrë Drejtor i Njësisë Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të Shtetit dhe favorizuar subjektin privat.

Hysaj fiton në Kiev, Ludogorets ndal Xhakën

Posted: 14 Sep 2016 07:36 AM PDT

Jeton Selimi
Barcelona ka dhuruar emocione në "Camp Nou", ndërsa ka shpartalluar me një tërmet 7-ballësh skocezët e Sëlltikut. Lionel Mesi me 3 gola ishte heroi i ndeshjes, por pati lavdi dhe për Luis Suarezin dhe Andres Injestën, që gjetën gjithashtu rrugën e rrjetës. Sëlltiku kapitullon pa kushte, por e kishte një mundësi për të barazuar dhe për t'iu ushtruar presion Barcelonës, teksa Dembele humbet një penallti që mund ta çonte ndeshjen në 1-1. Pas kësaj Barcelona vallëzoi në fushë dhe dhuroi emocione të shumta për tifoët. Një nga pretendentët e tjerë, Bajerni i Mynihut, bërë një "manita" ndaj Rostovit. E çeli Levandovski në të 28-ën me një penallti, ndërsa Tomas Myler dyfishoi në fund të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë shpërthen i riu Xhoshua Kimish me një dygolësh, për ta mbyllur me rrjetën e tundur nga Bernat në limitet e kohës së rregullt. Në "Park De Princes" Kavani e nisi me një gol që në minutën e parë për francezët, që hubën disa mundësi të mira për ta mbyllur takimin derisa Aleksis Sançez barazoi në të 78-ën për Arsenalin. Fund i tensionuar për këtë takim. Verrati për PSG dhe Zhiru për Arsenalin, dalin me kartonin e kuq. Napoli i falet Arkadiuz Milikut, që arrin të përmbysë golin e Dinamos së Kievit, ndërsa tifozët napoletanë ëndërrojë që polaku të kthehet në zëvendësin ideal të Gonzalo Higuainit. Elseid Hysaj ka luajtur 90 minuta në debutimin e tij në Ligën e kampioneve, duke bërë një paraqitje të mirë. Ndërsa në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Beshiktash ngriu në minutën e 90-të buzëqeshjen e Benfikës, që sheh t'i barazohet rezultati në minutën e 90-të. Sfida tjetër e grupit C e vlefshme për Ligën e Kampioneve mes Mançester Sitit dhe Borusias së Mënçengladbahut, është shtyrë për shkak të motit të keq. Si zakonisht, Mançesteri ka pasur reshje të vazhdueshme, por sot ishin mbi normalen dhe gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjes provuan disa herë fushën, para se të konsultoheshin me skuadrat dhe të vendosnin shtyrjen e takimit, duke parë se në zona të caktuara të fushës topi nuk përplasej dhe nuk lëvizte nga vendi. PSV Eindhoveni mposhtet në shtëpi nga Atletiko e Madritit, ndërsa ka qenë një gol i Saulit në minutën e 43-të që ka vulosur takimin. Taulant Xhaka është aktivizuar 90 minuta në sfidën që Bazeli barazoi me Ludogoretsin në shtëpi. Kanë qenë bullgarët ata që kanë kryesuar nga minuta e 45-të pasi realizoi me Xhonatan Kafun, ndërsa Stefen ka barazuar në të 80-ën. Xhaka është aktizuar oër 90 minuta.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more