Skip to main content

“Moratoriumi për Dramën Shqipe” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Moratoriumi për Dramën Shqipe” plus 2 more Telegrafi Opinione


Moratoriumi për Dramën Shqipe

Posted: 25 Sep 2016 05:22 AM PDT

Stefan Çapaliku

Pas Moratoriumit të skafeve, të gjuetisë apo të pyjeve, më në fund në vendin tonë u vendos edhe Moratoriumi për Dramën Shqipe. Me shumë gëzim dhe hare këtë vendim e shpalli drejtori i Teatrit Kombëtar, në momentin kur bëri publike Menynë (Repertorin) e Teatrit të vet, që këndej e mbrapa mund të thirret lirisht Teatri Ndërkombëtar Shqiptar. Prej këtij çasti mos u çudisni kur të gjeni ndër të përditshme tituj të tillë të përngjashëm me "Moratoriumi i Mishit rrit çmimin e peshkut" apo "Hyn zyrtarisht në fuqi Moratorium i Pyjeve" e që në të vërtetë do të nënkuptojnë edhe situatën në të cilën gjendet drama kombëtare nën Moratorium.

Meqenëse ne jemi një vend ku drejtori i Teatrit Kombëtar emërohet nga kryeministri, atëherë i bie që drejtori në fjalë të jetë njeri politik dhe të zbatojë (prite Zot!) një direktivë marrë tërthorazi nëpërmjet ministres së Kulturës, që siç dihet është punëtore dhe dashamirëse e përkthimeve. Dhe, meqë ra fjala te politika, është shumë interesant fakti sesi ajo (politika shqiptare) nuk dëshiron të heq dorë nga kontrolli mbi teatrin. Ne e dimë fare mirë se ajo, politika jonë, e shtrënguar prej të tjerësh, ka hequr dorë nga emërimet e rektorëve dhe dekanëve, e së fundi edhe nga emërimet e prokurorëve, por ja që nuk heq dorë nga teatri. Thonë që e ka qejf!

Por, le të kthehemi tek Moratoriumi. Unë personalisht nuk mendoj se drejtori ka ndonjë problem personal me dramën shqipe. Nuk ka, thjesht sepse nuk lexon. Kësisoj, problemet e tij janë me autorët, që shpesh kanë qëlluar të jenë me cene të ndryshme. Por, ai ka problem edhe me regjisorët që janë të paditur apo jo aq kureshtarë sa t'i qasen dramës shqipe.

Megjithatë, çështja e dramës shqipe nuk është çështje arkeologjike. Unë po e ndihmoj drejtorin me një listë veprash të mrekullueshme të dramaturgjisë kombëtare, të pavëna asnjëherë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe që mund t'i jepnin punë këtij teatri edhe të paktën për dhjetë vite të tjera. Me këtë rast, mbetem me shpresë që edhe regjisorët shqiptarë ta marrin në konsiderate këtë listë se, kushedi, disa syresh mund t'i kenë shpëtuar vëmendjes (leximeve) të tyre.

Unë e di që t'i japësh dikujt të lexojë është një barrë e rëndë, por meqenëse ju nuk mbani në Teatër dramaturgë (libretistë, që janë thirr motit), që do duhej të paguheshin vetëm për të lexuar e rekomanduar, atëherë do t'ju duhet të mbërtheheni në bibliotekë. Ose, a di çfarë? Më mirë organizo një seancë tjetër leximesh publike. Ohoho… e ku ka më mirë që të t'i lexojë dikush tjetër e ju të dëgjoni?! (Ky lexim quhet "Lexim me vesh").

Gjithsesi, përpiqu ta zgjidhësh disi. Ja pra, po përqendrohem vetëm te modernët e bashkëkohorët, duke i lënë mënjanë klasikët e dramës sonë, si dhe ata dramaturgë aktivë si puna ime e që kanë vite që sillen rreth oborrit të Teatrit Kombëtar. Nga dramat e Martin Camajt kemi: "Loja e mbasdrekës" dhe "Kandili argjandit"; nga Zef Zorba kemi dramat "Si nata me ditë" dhe "Këpuctari, Zhelani dhe Bukuria"; nga Lekë Tasi kemi dramën "Gishtat e fortë"; nga Primo Shllaku gjeni dramat "Mbret pa mbretni", "Komshiu i katit sipër", "Aktorë pa kujtesë"; nga Naun Shundi dramën "Misto" e kështu më radhë. Për të mos ju lodhur vijmë te pjesët dramatike të Refet Abazit, Ridvan Dibrës, Lisandër Kolës e sidomos të Jeton Nezirajt, i cili po vihet në skenë edhe ndër teatro evropiane. A e shikoni pra, sesa shumë mund të gjeni, veç po të "gërmoni" pak?

Mirëpo, në fakt, detyra juaj si shërbyes dhe jo si sundimtar i Teatrit Kombëtar, si dhe detyra e shefes suaj si shërbyese dhe jo si sundimtare e Ministrisë së Kulturës, është që edhe nëse ato (veprat kombëtare dramatike) të mos ekzistojnë, t'i mbillni e t'i kultivoni.

Si kultivohet një autor?! Ah… duhet pyetur i dashur drejtor. Duhet pyetur, domethënë duhet lexuar. Më fal që ta përmenda prapë këtë fjalë fyese.

Shtete me tradita ku e ku më të pasura se ne e kanë vënë dramën kombëtare në qendër të edukimit e të nxënit. Kudo në vendet evropiane (sa për shembull: deri edhe në Malin e Zi, që është sa gjysma a çereku jonë) drama kombëtare komisionohet. Çfarë do të thotë ta komisionosh dramën kombëtare? Ah, edhe për këtë duhet pyetur (Ndjesë! "Lexuar" domethënë). Por, meqënëse Teatri Kombëtar për nga natyra juridike mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga Vermoshi në Konispol, a keni bërë ndonjë herë ndonjë sondazh nëse janë dakord apo jo njerëzit me Moratoriumin që keni shpallur? Se nuk po ju pyes nëse e keni spostuar ndonjëherë teatrin nga Tirana në drejtim të viseve të tjera të vendit, se kjo do ishte e tepërt.

Si për koincidencë, prejse u shpall ky Moratorium, edhe Ministria e Kulturës, në shenjë kujdesi, e mbylli konkursin kombëtar për dramën shqipe. Nga ana tjetër, teatrot lokale apo bashkiake, edhe pse me buxhete krejt të ulëta dhe pa emërtimin "Kombëtar", këtë vit të gjitha kanë pasur drama shqipe në repertor. Ku i gjetën dramat ata? Në Teatrin Kombëtar të Kosovës gjithashtu çdo vit realizohet konkursi për dramën shqipe dhe botohen fituesit. Mjafton të pyesësh se ku i gjejnë autorët ata? Është e thjeshtë pra, Në Teatrin Kombëtar në Tirane autorët janë shpallur si "Non Grata".

Drama kombëtare, i nderuar Z. Moratoriumist, është burimi bazë për mësuesit dhe edukatorët e një vendi në procesin e të mësuarit rreth dhe përmes dramës. Slogani "Mësoni nëpërmjet dramës!" duhet t'i paraprijë një procesi të natyrshëm njerëzor, sepse është vërtetuar se truri ynë është i etur për të. Kush e ka vërtetuar?! Ah edhe për këtë duhet (më fal), lexuar, zoti drejtor. Vendet evropiane e njohin dramën kombëtare si gurthemeli i një pedagogjie të fuqishme dhe si rezultat i një procesi krijues që siguron një nga mjetet më bindëse të eksplorimit të kuptimeve mbi jetën. Nëpërmjet kultivimit të dramës kombëtare ne mësojmë se çfarë ka qenë dhe çfarë mund që të jetë një qenie njerëzore e identifikuar si bashkëkombës. Drama kombëtare është dëshmi shpirtërore e historikes dhe diskursi dramatik i saj është i vetëidentifikuar si diskurs social.

Një burim tjetër i rëndësishëm i kultivimit të dramës kombëtare mbetet nxitja e procesit të dramatizimeve të veprave të mëdha e të rëndësishme të letërsisë kombëtare. Pikërisht për këtë, roli i dramaturgut në teatër është i pazëvendësueshëm. Ai, dramaturgu pra, ndërton diskutime të shëndetshme rreth estetikës së dramës bashkëkohore shqiptare dhe hedh farën për krijimin e teatrit të autorit.

Në të gjithë botën i nderuar z. Moratoriumist, teatri është para së gjithash një fenomen lokal. Mos vallë ju kujtoni se në Evropë teatrot rrinë e presin nëse po i sjell kush ndonjë tekst që të tingëllojë si vendali? Jo more zotëri. Në Gjermani porositen dhe paguhen paraprakisht më shumë se 100 tekste dramatike në vit. Dhe ti më thua se nuk të paska ardhur asnjë tekst shqiptar i prezantuar prej ndonjë regjisori!? Po juve mund të mos ju vijë asnjëherë një tekst i tillë. Çfarë do të thotë kjo? Mos do thotë që Shqipëria të dënohet për të mos pasur kurrë dramaturgji të veten?! Jo more zotëri! Nuk është muhabet ky. Duke parë Menynë që na ke paraqitur, kuptojmë edhe më mirë se eksterofilia e jote nuk e shpëton teatrin dhe as nuk e zgjidh çështjen. Duke lexuar atë Meny merr vesh edhe më qartë se nëse regjisorin mund ta sjellim nga jashtë, autorin duhet ta prodhojmë.

Vetëm një të drejtë keni ju kur thoni se regjisorët shqiptarë nuk prezantojnë drama shqipe. Dhe, duke deklaruar këtë të vërtetë keni rihapur debatin se regjisorët tanë nuk i qasen dramës shqipe, sepse nuk kanë ku marrin referenca regjisoriale. Po. Është krejt e vërtetë se drama shqipe përballohet vetëm prej regjisorësh të mirë, prej mjeshtrash. Po pra, se si regjisor që jeni, tashmë duhet ta dini se niveli i regjisë shqiptare është dhe nuk mund të jetë më i lartë se ai i dramës shqipe. Drama dhe regjia janë skajet e një litari.

Kështu pra, në këto kushte ose t'ia heqim emërtimin Teatër Kombëtar dhe të themelojmë Teatrin e Dramës Shqipe, në modelin e Commedie Francaise, ose t'i hapim rrugë dramës shqipe në këtë teatër, duke e kthyer në një shkollë dramatike. Por, unë ende besoj se në një vend si i yni, pa sistem edukimi në fushë të dramaturgjisë, është detyra e Teatrit Kombëtar të hartojë programe për kultivimin e dramës shqipe dhe dramaturgëve të rinj. Me Moratoriumin, drejtori i Teatrit Kombëtar na propozon haptazi të gjithëve ne, që kemi një jetë duke shkruar dramë, që të jetojmë pa u vene re, sepse ai ka vendosur përfundimisht që në vend që të bëhet një Marathonomak i dramës shqipe, të ikë duke u kujtuar si një Moratoriumist i Dramës Shqipe.

The post Moratoriumi për Dramën Shqipe appeared first on Telegrafi.

“Vdekja” e gazetës

Posted: 24 Sep 2016 02:41 PM PDT

The Week

Sa keq janë gjërat për shtypin?

Shumë keq. Tirazhi i gazetave dhe të ardhurave nga reklamat po bie me shpejtësi marramendëse. "The Sun" në Britani kishte një tirazh prej më shumë se tre milionë në vitin 2010; në fillim të këtij viti, kishte rënë në 1.7 milionë. "The Daily Telegraph" ra nga 691,000 në 488,500 gjatë po të njëjtës periudhë; "The Guardian", nga 302,000 në 166,500. Këtë pranverë, "The Independent" pushoi së ekzistuari si një gazetë e shtypur.

Që nga viti 2005, më shumë se 300 gazeta lokale në Britaninë e Madhe janë mbyllur. E njëjta gjë ka ndodhur në pjesën më të madhe të botës perëndimore. Sipas Shoqatës Botërore të Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, gjatë pesë viteve të fundit tirazhi i gazetave ka rënë me 23.9 për qind në Evropë dhe 11 për qind në Amerikën e Veriut. (Ndonëse falë rritjes në Indi, Kinë dhe gjetkë, në novel global ai është rritur me 22 për qind: rënia e gazetës së shtypur është problem i Botës së Parë).

Përse po ndodh kjo gjë?

Në një fjalë të vetme: prej Internetit. Modeli i vjetër i biznesit për gazetat ishte "mbulimi i çmimit plus reklamat". Tani që lajmet botohen falas në Internet, shitjet e gazetave janë goditur keq. Reklamat po zhvendosen nga shtypi në internet: Të ardhurat nga reklamat për gazetat e shtypura në Mbretërinë e Bashkuar ranë me 11 për qind në vitin 2015, ose 150 milionë stërlina – më shumë se fatura e pagave të "The Times", "The Sunday Times" dhe "Daily Telegraph" të marra së bashku. Për vite me radhë, gazetat kishin shpresuar të mbërrinin në një pikë kompensimi, ku të ardhurat nga reklamat online do të mbushnin boshllëkun e shkaktuar prej gazetave të shtypura.

Kjo nuk ka ndodhur. Reklamat online nuk sjellin shumë të ardhura – zakonisht më pak se 10 për qind të të ardhurave totale. Për shembull faqja shumë e suksesshme "Mail Online" ka 14 milionë vizitorë në ditë, megjithatë të ardhurat e saj në 2015, afro 73 milionë sterlina, ishin shumë më pak se sa biznesi i gazetës së shtypur të Mail. Një tjetër pionier i gazetarisë digjitale, "The Guardian" ka një prani shumë të madhe online, por nga pikëpamja financiare është në vështirësi – në vitin 2015 pati humbje prej 69 milionë stërlina. Oreksi për lajme është i fortë si gjithmonë – ndoshta edhe më i madh – por gazetat vuajnë për të "monetizuar përmbajtjen".

Përse nuk sjellin të ardhura reklamat online?

Reklamat e klasifikuara ishin dikur një burim i madh të ardhurash për gazetat, por këto janë "gëlltitur" kryesisht prej faqeve të specializuara si AutoTrader, PrimeLocation dhe eBay. Biznesi i reklamave online është i dominuar prej aktorëve të mëdhenj digjitalë, si Google dhe Facebook, që përthithin pjesën më të madhe të shpenzimeve për reklama: Në Britaninë e Madhe, fitimet e Google vitin që kaloi ishin 4.92 miliardë stërlina. Ato kontrollojnë mënyrën se si konsumohen pjesa më e madhe e lajmeve – Facebook dhe Google kanë portalet e tyre të lajmeve, ndërkohë që Apple ka një aplikacion të ri – gjë që u jep shumë avantazh. Dhe programet e bllokimit të reklamave online e rrisin vështirësinë për këtë lloj tregu.

Po sikur të kërkohet pagesë për materialet?

Një numër titujsh i ofrojnë materialet e tyre me pagesë, ose kanë adoptuar një sistem ku ofrojnë vetëm disa artikuj falas në muaj. Kjo gjë funksionon për botimet vërtetë cilësore me përmbajtje të specializuar: për shembull, Financial Times kishte 566000 të regjistruar digjitalë në vitin 2015. The Times, The Sunday Times dhe The Daily Telegraph janë gjithashtu me pagesë, dhe duket se kanë sukses – por kjo gjë redukton shumë trafikun në rrjet. Shumë gazetave u është dashur të pranojnë se kjo gjë thjeshtë nuk funksionon. Vitin e kaluar, The Sun i dha fund, pasi kishte tërhequr vetëm 250 000 lexues të regjistruar.

A fitonin ndonjëherë para gazetat?

Disa prej tyre kanë qenë shumë fitimprurëse. Siç thoshte Rupert Murdoch në vitin 2005, ato ofronin "lumenj me flori". Por ndonjëherë, shtoi ai, "lumenjtë thahen". Sipas Financial Times, fitimet e liderëve të tregut – The Daily Telegraph, The Daily Mail dhe The Sun – ranë me 40 për qind në dekadën e fundit. E vërtetë, disa gazeta cilësore kanë vuajtur edhe në të kaluarën, por ato mbështeteshin prej trusteve jofitimprurëse (The Guardian), apo nga grupe të mëdhenj fitimprurës (The Times). Problemi i madh ështëse, mënyra si njerëzit konsumojnë lajmet, ndoshta ka ndryshuar përgjithmonë.

Si ka ndryshuar konsumi i lajmeve?

Gazeta tradicionale është enciklopedike: ajo bën bashkë pak nga gjithçka – lajme, komente, sport, kulturë, stil jetese. Por sot, lexuesit online kanë prirjen të kalojnë nga një faqe interneti në tjetrën, duke u fokusuar tek ato që lidhen me interesat e tyre të veçanta – lehtësia e botimit në internet, ka bërë të mundur krijimin e një numëri të madh faqesh të vogla të specializuara. Sipas një studimi të OECD në vitin 2010, leximi online është shumë më "ad hoc, i parregullt dhe sporadik", sidomos mes të rinjve. Kështu që, përpjekja për të përsëritur gazetën e përditshme në internet, mund të jetë e destinuar të dështojë. Në të kundërt, gazetat e fundjavës kanë mbajtur shumë më mirë.

A ka rëndësi rënia e gazetës?

Rënia e të ardhurave nënkupton që ditët e redaksive të mëdha janë të numëruara. Mes viteve 2001 dhe 2010, numri i gazetarëve në Mbretërinë e Bashkuar ra me pothuaj një të tretën. Disiplinat – kontrolli i fakteve, trainimi, akreditimi – që karakterizojnë gazetarinë serioze janë në rrezik. Siç thotë Katharine Viner, Kryeredaktore e The Guardian, "redaksitë janë në rrezik që të humbasin atë që ka më shumë rëndësi në gazetari: zbulimin e atyre gjërave që dikush nuk do që ju ti dini, përmes 'daljes në rrugë', kërkimeve, pyetjeve sfiduese". Ashtu si e sheh ajo, lajmet do të dominohen gjithnjë e më shumë nga artikuj që shërbejnë si "karrem për klikime" – artikuj të ricikluar që janë shkruar që në krye të herës për të tërhequr trafikun në internet, kjo në dëm të debatit demokratik. Do të jetë e vështirë të ruhen investigimet e gjatë dhe të hollësishëm.

A është vërtetë kaq i zymtë horizonti?

Jo. Shumica e gazetave të mëdha janë duke mbijetuar, ndonëse jo duke lulëzuar, dhe ulja e barrierave të futjes në këtë biznes ka sjellë një seri faqesh të reja që kanë ndihmuar për prishjen e monopolit të disa pak organizatave të lajmeve. "Shoqëria nuk ka nevojë për gazeta. Ajo për të cilën kemi nevojë, është gazetaria", argumentonte disa vite më parë guruja i Internetit, Clay SHirky. Por sërish, gazetaria e mirë është e kushtueshme. Ajo për të cilën kemi vërtetë nevojë janë mënyrat për ta financuar. /Përgatiti: bota.al/

The post "Vdekja" e gazetës appeared first on Telegrafi.

Narcizizmi, një patologji e kohës së sotme!

Posted: 24 Sep 2016 02:39 PM PDT

Miron Çako

Narcizizmi, si patologji, e ka marrë emrin nga një personazh që vjen nga mitologjia e antikitetit grek. Narcizi (Narcissios) ishte një djalosh i pashëm dhe i mbyllur në vetvete, i cili refuzoi dashurinë e një nimfe (zanë). Ky refuzim nxiti zemërimin e nimfave të tjera, të cilat kërkuan ndihmën e hyjneshës Afrodita, që, si mallkim, e çoi Narcizin të dashurohet me veten e tij, duke e parë vetveten çdo ditë në reflektimin e një pellgu uji. Duke mos e përmbushur dashurinë e tij me një person tjetër, ai kaq shumë u dashurua pas imazhit të tij, saqë një ditë ky imazh e tërhoqi në pellgun e ujit, ku edhe u mbyt, dhe perënditë e kthyen në një lule. Kjo lule quhet "Narciz".

Narcizi është një ilustrim mjaft poetik i filozofëve grekë për vetëpëlqimin dhe pasojat që ai ka në jetën e një individi të dashuruar me vetveten me një mënyrë të deformuar të egos (unit) së tij. Sipas psikologëve e psikiatërve, ndjekja e kënaqësisë ose admirimi egoist i cilësive të vetë personit quhet "narcizizëm". Në teorinë psikoanalitike, "narcizizmi" është një koncept që u prezantua gjerësisht në esenë e Sigmund Freud-it "Për narcizizmin" (1914).

Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e ka pasur të klasifikuar "çrregullimin narcizistik të personalitetit" në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM), që nga viti 1968, duke u bazuar në konceptin historik të megalomanisë (mendjemadhësisë). Koncepti i egoizmit të tepruar (megalomania), ka qenë i njohur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Në Greqinë e lashtë, ky koncept u kuptua si arrogancë, por vetëm kohët e fundit egoizmi është parë si narcizizëm dhe është përkufizuar në aspektin psikologjik. Por, në vetvete, narcizizmi nuk është i njëjtë me egocentrizmin. Trevor Pederson thotë për egoizmin se: "Në këtë rast, funksionon vetëm përparësia e individit kundrejt të tjerëve, por, kur flasim për narcizizmin, ne jemi vetvetja me veten. Ka dallim midis koncepteve të narcizizmit dhe egoizmit. Pra, narcizizmi mendoj se është plotësim i dëshirës së egoizmit, duke marrë kënaqësinë e tij epshore (të biesh në dashuri erotike me veten)".

Më 1898, Havelock Ellis, psikolog anglez, përdori termin "Narcissus" në lidhje me "masturbimin" e tepruar, kur personi bëhet objekt i tij. Në vitin 1899, Paul Nacke ishte personi i parë që përdori termin "narcizizëm" në një studim për perversionet seksuale. Otto Rank, në vitin 1911, botoi gazetën e parë psikoanalitike, me fjalën specifike "Narcizizëm", duke e lidhur atë me kotësinë dhe vetadmirimin. Në vitin 1923, Martin Buber botoi një ese me titull "Ich und Du (Unë dhe Ti)", në të cilën ai vuri në dukje se narcizizmi ynë shpesh na shtyn të lidhemi me të tjerët si objekte e jo si subjekte.

Sipas psikologëve, ka edhe narcizizëm të shëndetshëm, i cili lidhet me shëndetin e mirë psikologjik. Vetëbesimi punon si një ndërmjetës midis narcizizmit dhe shëndetit psikologjik, d.m.th. të duash veten, që të kujdesesh për të. Në lidhje me gjendjen patologjike, narcizizmi i shëndetshëm ka të bëjë me një ndjenjë të fortë të "dashurisë për veten", që e mbron qenien njerëzore ndaj sëmundjes. Megjithatë individi duhet ta dojë tjetrin si subjekt të dashurisë, që të mos sëmuret nga vetmia. Individi sëmuret, si rezultat i frustrimit (zhgënjimit, acarimit) të krijuar, kur ai nuk është në gjendje të dojë subjektin, personin tjetër. Në narcizizmin e tillë patologjik, si çrregullimi narcizistik i personalitetit, libidoja (kënaqësia) e personit është larguar nga objektet dhe personat në botë dhe prodhon megalomaninë (madhështinë për veten) dhe dashurinë për veten.

Krahas kuptimit parësor (vetëpëlqimi) dhe atij të shëndetshëm (vetëdashuria) të narcizizmit, ai zakonisht konsiderohet edhe si një problem në marrëdhëniet e një personi a grupi me veten dhe të tjerët. Narcizizmi është konsideruar gjithashtu si një problem social apo kulturor. Hotchkiss e ka identifikuar narcizizmin në ato që ajo i quajti "shtatë mëkatet vdekjeprurëse të narcizistit":

1. Paturpësi;

2. Mendjemadhësi në të menduar;

3. Arrogancë;

4. Përbuzje ndaj të tjerëve;

5. E drejtë e veçantë mbi të tjerët;

6. Shfrytëzim;

7. Moskufizim për veprime egoiste.

Edhe pse shumica e njerëzve kanë disa tipare narciziste, nivelet e larta të narcizizmit mund të manifestohen në një formë patologjike, si çrregullim personaliteti narcizistik (NPD), ku pacienti mbivlerëson aftësitë e tij dhe ka nevojë të tepruar për admirim dhe afirmim të vetes.

Ky thuajse është koncepti i psikologëve e psikiatërve në shekujt XIX-XX për narcizizmin, por Shkrimi i Shenjtë (Bibla) i ka trajtuar këto devijime të personalitetit njerëzor shekuj më parë dhe, më e rëndësishmja është se Bibla na tregon shkakun kryesor të vetëpëlqimit (narcizizmit), që erdhi nga keqpërdorimi plot krenari i egos (unit) së dy njerëzve të parë dhe të të tjerëve pas tyre, të cilët u frymëzuan nga Eusfori, një kryeengjëll i rënë. Djalli (gënjeshtari) u injektoi njerëzve gabimin e tij.

Ja çfarë thuhet në Bibël për atë, i cili ra i pari nga krijesat në dashuri egoiste dhe vetëpëlqim, gjë e cila e çoi në rebelim kundër Zotit Perëndi në vendet qiellore dhe që për këtë arsye u dënua të bjerë në kaosin e hiçit: "E thuaji atij: Kështu thotë Zoti Perëndi: T'u rrit mendja për shkak të bukurisë, pasuria të bëri të humbësh urtinë; atëherë vetë të flaka përtokë, të vura para syve të mbretërve që të të shikojnë me përbuzje" (Ezekieli 28:17); "Të gjithë popujt që do të shohin, do të çuditen se çka të gjeti. Ti u bëre shenjë tmerrimi, humbe për jetë të jetës!" (Ezekieli 28:19).

Sindromën e vetëpëlqimit djalli e injektoi te dy njerëzit e parë, të cilët i nxiti të hiqnin shikimin nga Perëndia e ta drejtonin drejt vetes, duke i futur mendimin krenar, se pa Perëndinë mund të bëheshin të pavdekshëm, hyjnorë. Kështu, mendimi krenar i çoi ata në kotësi e vetëpëlqim; në fillim Evën (gruan), e cila besoi me krenari naive se mund të bëhej perëndi në Eden, më lart se Adami (burri) që ta sundonte atë. Jo vetëm Bibla, por edhe mësuesit e Kishës, Etërit e shenjtë që e ekzaminuan shpirtin njerëzor nga ndriçimi i Perëndisë dhe përvoja personale, thonë se krenaria dëmton aftësinë tonë për të menduar, na bën të jemi injorantë (të paditur) dhe të paaftë për të menduar drejt për vetveten. Atëherë kotësia prek pjesën dëshiruese të shpirtit tonë, na bën të duam e të realizojmë ide të çmendura, që krenaria na sjell në mendje.

Kotësia është ajo që u jep sinjal të gjitha mendimeve të kota, për të vazhduar më tej. Njerëzit që kanë shumë kotësi janë ata njerëz, të cilët nuk punojnë nga dashuria apo nga një nevojë e natyrshme, por për t'u njohur e pëlqyer nga të tjerët, njësoj si aktorët, që realisht nuk janë ata që duken në shfaqjet teatrale. Pra, me krenarinë, ne jemi krejtësisht të paditur se çfarë është vetja jonë, por me kotësinë ndërtojmë vullnetarisht një imazh të gënjeshtërt të asaj që jemi në të vërtetë. Ndërtojmë imazhin e vetes sonë, që të mund ta kundrojmë me kënaqësi të madhe, si Narcizi, që u dashurua me fytyrën e tij dhe "perënditë" vendosën ta shndërrojnë në një lule, që të rritej pranë ujërave të qeta e të kundronte në përjetësi imazhin e tij në ujë, por që, natyrisht, kjo ishte vdekja e tij si njeri. Dhe, kur ne ndërtojmë një imazh të vetes sonë, me qëllim që ta admirojnë të tjerët, kjo do të thotë gjithashtu vdekje për ne si person njerëzor.

Vetja jonë e vërtetë varroset në një varr të vogël të ndërtuar në zemrën tonë të prishur, të cilën tanimë e kontrollon kotësia e ku askush nuk dëgjon asgjë prej vetvetes, sepse ka dalë nga vetja reale. Prandaj, dhe shën Joani i Shkallës (shek. VII) thotë: "Lavdia e kotë është ndryshimi i natyrës, një perversion (neveritje, shtrembërim) i karakterit, harxhimi i kotë i mundimeve, shpërdorimi i djersës së derdhur".

E keqja është se njeriu lind i infektuar me narcizizmin, me vetëpëlqimin e trashëguar nga ADN prindërit si një deformim i psikikës. Këtë e vërejmë që në moshën fëmijërore dhe, në qoftë se nuk bëhet kujdes nga prindërit dhe vetvetja sipas moshës, atëherë fara e vetëpëlqimit zhvillohet dhe bëhet një gjembaç që shpon çdo njeri që i afrohet, por më shumë vetë veten e tij. Në sytë e tij, njeriu mund të duket i madh, i ditur, i bukur, por çfarë thuhet për atë në Shkrimin e Shenjtë? "Sepse ti thua: Unë jam i pasur, u pasurova dhe s`kam nevojë për asgjë; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur"(Zbulesa 3:17).

Kurse për bukurinë e jashtme pozante të fytyrës së gruas, që nuk korrespondon me pamjen e brendshme të shpirtit të saj, thuhet: "Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend"(Fjalët e Urta 11:22). Dhe po ashtu, për kotësinë e tërë jetës tokësore me shkëlqimin e saj të rremë, thuhet përsëri: "Ditët e njeriut janë si bari, lulëzon porsi lulja e fushës. Se fryn era mbi të dhe s'është më dhe nuk dihet më se ku e ka pasur vendin" (Psalmi 102:15-16).

Pra, thamë se të gjithë njerëzit janë pak a shumë narcizistë, të sëmurë me këtë sëmundje patologjike, që transmetohet në breza nga mëkati stërgjyshor-prindëror dhe personal. Kjo gjendje e narcizizmit vazhdon derisa të çlirohemi nga imazhi i gënjeshtërt për veten e të njohim veten se jemi njerëz të vdekshëm, të pendohemi për mëkatin e krenarisë, që është shkaku i narcizizmit, e të kërkojmë mjekun. Mjeku nuk mund të jetë thjesht një psikolog ose psikiatër, pavarësisht nga respekti për shkencën e psikologjisë dhe mjekësisë. Ato, në vetvete, janë të paafta për ta shëruar plotësisht këtë patologji, sepse, që të shërohet një sëmundje, nuk mjafton vetëm konstatimi i saj, por gjetja e shkak-pasojës dhe më pas e ilaçit të duhur. Njeriu me patologjinë e narcizizmit mendon se është zot i vetes së tij ose njerizot.

Por kjo, sado e dëshirueshme që mund të jetë, është e pamundur, sepse njeriu në fund bie nga "piedestali" që e kishte lartësuar vetveten dhe në fund vdes dhe varroset. Kështu, i vdekshmi nuk mund të ngjallë të vdekshmin dhe pacienti nuk mund të shërojë pacientin. Në të kundërt, Perëndia, që është i pavdekshëm, i përsosur dhe i gjithëfuqishëm, mund ta shërojë njeriun nga sëmundja vdekjeprurëse e vetëpëlqimit, duke i mësuar të vërtetën e realitetit njerëzor dhe duke i dhuruar, si ilaç për krenarinë, të kundërtën: një mendje të përulur. Perëndia i ndihmon njerëzit që të çlirohen nga narcizizmi, kur ata dëgjojnë dhe pranojnë si shpëtimtar Birin e Perëndisë, Zotin-Njeri, Jisu Krishtin, "i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit (përulësia e përsosur)" (Filipianve 2:6-7).

Ai i fton të gjithë njerëzit, pa dallim: "Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë" (Mateu 11:28- 30). "Sepse pa mua nuk bëni dot asgjë" (Joani 15:5). Edhe Kisha, si trupi i Krishtit, këtë mision ka: ajo është një spital që me anën e klerit (infermierët) i drejton njerëzit e sëmurë nga krenaria, egoizmi, vetëpëlqimi, për te Zoti Krisht (Mjeku i Madh), me anën e Mistereve të shenjta.

Njëri prej tyre shumë efikas për shërimin e vetëpëlqimin(narcizizmit), është dhe ai i Pendim-Rrëfimit, i cili kryhet me ndihmën dhe përpara një ati rrëfyes, që jo vetëm e konstaton sëmundjen e narcizizmit, por edhe transmeton Hirin e Perëndisë në emër të Krishtit, që fal mëkatin e krenarisë dhe është i domosdoshëm për shërimin e kësaj sëmundjeje patologjike me të gjithë pasojat e saja. Prandaj mund të themi se ati rrëfyes është edhe psikolog, por psikologu nuk është një atë rrëfyes, kështu ai nuk mund të japë shërimin e plotë nga vetvetja e tij, te pacienti narcizist. Te Fjalët e Urta thuhet: "Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij, shtrin një rrjetë në hapat e tij (Fjalët e Urta 29:5). Lajkat e frymëzojnë dhe e shtojnë dozën e narcizizmit. Dhe është një koincidencë se si fjala "like" në rrjetet e ndryshme sociale, mund të tingëllojë "lajkë" në gjuhën shqipe. Këtu e kam fjalën, p.sh. për fotografitë që postojmë, dhe jo për çdo fotografi, por për ato raste kur teprohet në ekspozimin e vetes, gjë që vjen nga një vetëpëlqim i lidhur me narcizizmin.

Kjo është bërë në mënyrë të pavetëdijshme një varësi, një problem psikologjik, një patologji e njerëzve që keqpërdorin portalet e rrjeteve sociale. Për shembull, ka individë që e nisin ditën duke vetëpozuar para mikrokamerës së celularit e duke bërë selfie (fotografi të vetvetes) sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që midis tyre të gjejnë fotografi të përshtatshme për postimin e radhës, duke pritur reagimin e të tjerëve, ose në mungesë të fansave, kënaqen duke parë vetveten. Shumë postojnë foto pa u menduar, me nxitim, mjafton që të tërheqin like-t e të tjerëve. Kam dëgjuar se dikush bënte rreth dyqind selfie në mëngjes, për të zgjedhur një ose disa për portalin e vet. Shpeshherë pamjet janë sa qesharake, aq edhe të trishtueshme; pozimi shpeshherë vjen me ngërdheshje ose me poza ekstravagante deri në "striptizëm", vetëm për të tërhequr sa më shumë interes te të tjerët, për të ushqyer vetëpëlqimin(narcizizmin). Këtu kemi një krizë identiteti personal të individit, duke dalë jashtë vetvetes reale, se kush jemi me të vërtetë. Kjo gjë na bën qesharakë te të tjerët që na njohin se kush jemi ne.

Krahas kësaj, prindërit ekspozojnë pa kriter edhe fëmijët e tyre në "Facebook", vetëm për t'u mburrur, dhe këtu shfaqet narcizizmi prindëror. Me këto veprime prindërit u mësojnë diçka të gabuar fëmijëve, vetëpëlqimin (narcizizmin), të cilët e përvetësojnë nga imitimi i shembullit të prindërve të tyre. Përveç kësaj ka shumë rreziqe të tjera për fëmijët që i reklamojmë në rrjetet sociale, të cilat nuk po i përmendim këtu.

Mendoj se ky fenomen, që po na infekton përditë e më shumë, është tregues se brezi i sotëm po bëhet gjithnjë e më tepër egoist, me vetëpëlqim dhe dashuri për veten, duke ndaluar së qeni një qenie shoqërore normale në komunikim me të tjerët, madje edhe ato më intime, në çift. Ashtu si profetizoi apostulli i kombeve, Pavli: "Dhe brezi i fundit do të jetë egoist". Ky fenomen po na shkatërron, rrënon si individë dhe si shoqëri. "Sepse është e pamundur që dikush që është i robëruar nga dashuria për duartrokitje, të mendojë ose të bëjë diçka fisnike dhe të madhe. Ai duhet të jetë i ulët, i keq, i pandershëm, i vogël, mendjengushtë", thotë shën Joan Gojarti (shek. IV).

Teknologjia e komunikimit online (siç është "Facebook"-u, "Instagram"- i etj.) sot ka një shtrirje në gjithë globin. Sipas faqes "Zephoria.com" informohemi se deri në gusht të 2015-ës, gati 1.5 miliardë persona përdorin llogarinë e tyre në "Facebook", ku vetëm në Shqipëri janë 1.3 milionë përdorues, 44.9 për qind e popullsisë. Pra një deri në shtatë njerëz në të gjithë botën përdorin "Facebook"-un. Gjatë një dite, 4.5 miliardë përdorin butonin like, 30 për qind e personave janë 23-24 vjeç, 47 për qind meshkuj dhe 53 për qind femra. 50 për qind e personave nga mosha 18–24 vjeç futen në "Facebook" sapo zgjohen nga gjumi dhe çdo minutë publikohen 293 mijë statuse. Në një minutë postohen 136 mijë fotografi dhe në një ditë 300 milionë, çdo sekondë hapen pesë profile të reja. Kjo shpikje për komunikim, pavarësisht se është një arritje e madhe e teknologjisë moderne për njerëzimin, në vetvete a nuk është as e mirë dhe as e keqe, sepse varet nga mënyra se si e përdorim.

Ne mund ta përdorim atë si një pellg uji, ku thjesht mund të shohim çdo ditë veten, duke u dashuruar me të deri në perversion, dhe pastaj të mbytemi e të vdesim si njerëz të natyrshëm në pellgun e marrëzisë dhe egoizmit, si Narcizi i mitologjisë, ose mund ta përdorim si një pasqyrë, nëpërmjet së cilës të reflektojmë, me përulësi dhe dallim, dashurinë e shëndetshme për veten dhe për të tjerët, dhe të kontribuojmë për të mirën e të gjithëve, ashtu si thuhet në Shkrimin e Shenjtë: "Duaje tjetrin si veten". /Gazeta Shqiptare/

The post Narcizizmi, një patologji e kohës së sotme! appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more