Nëna u vdiq para disa muajve, babai para dhjetë ditësh
Barra e familjes bie mbi 15-vjeçaren
Nuk është e vështirë ta kuptojmë se jetojmë në një vend ku ka shumë varfëri e mjerim. Aty ku për shumicën dita zbardhet duke menduar se çfarë do të kenë në tryezë për të ngrënë e kur nata vjen gjumi i zë duke menduar se si do t’ia bëjnë për ditën e nesërme. Një gjë të tillë e përjeton edhe familja Halili nga fshati Llaushë, komuna e Podujevës. Një shtëpi e vogël dydhomëshe, e ftohtë sikurse jetët e banorëve që strehohen aty. Një korridor i errët ndan dy dhomat. Muret e çara në shumë vende, e po ashtu edhe të kapluara nga lagështia dhe rroba të varura në disa tela, janë panorama e zymtë që ofron kjo shtëpi. Në njërën dhomë dy shtretër e një copë tepihu, ndërsa në tjetrën vetëm një copë tepihu e disa rroba të shpërndara, të cilat të tërhiqnin vëmendjen porsa hyje brenda në atë shtëpi. Kjo është streha e vetme e pesë fëmijëve të mbetur jetimë.
Një vajzë flokëzezë, me një fytyrë të mërzitur, mbante në duar një fëmijë të vogël diku rreth një vjeç. Ai nganjëherë qante e nganjëherë ndalej. Është ky Ylli i vogël, të cilit me siguri i mungon shumë e ëma, pasi që, si i vogël që është, nuk ka mundur ende ta ndiejë aromën e nënës së tij, pasi që ajo ka ikur nga kjo botë dhe e ka lënë atë disa muajsh. Ajo që e mbante në dorë Yllin është motra e tij më e madhe, Egzona. Tani asaj i ka rënë një barrë mbi supe, sepse në mungesë të prindërve i duhet të kujdeset për vëllezërit dhe motrat.
Ua ndërprenë edhe ndihmën sociale
Edhe pse në moshë të re, diku rreth 15 vjeçe, ajo ishte e vetëdijshme për një gjë të tillë. “Jemi pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza. Unë jam fëmija më i madh. Jam në klasën e nëntë. Nëna na ka vdekur disa muaj më parë, nga një sëmundje, ndërsa babai ka vdekur tani qe dhjetë ditë, dhe kemi mbetur tani kështu të vetëm e pa prindër”, thotë ajo duke mbajtur Yllin në prehër. Të rrëqethej trupi kur dëgjoje fjalët e saj, sepse të gjithë e dimë se sa të rëndësishëm janë prindërit për fëmijët dhe është tejet e rëndë kur mbetesh pa ta, e sidomos në kushte të vështira ekonomike. “Deri më tani e kemi marrë ndihmën sociale, por tani na e kanë ndërprerë, pasi që na kanë vdekur prindërit. Tani ka ardhur axha im Fadili me gruan dhe dy fëmijët e tij këtu, që të kujdesen për ne, sepse kemi mbetur pa përkrahje”, ka thënë Egzona, duke ulur kokën. Padyshim se kur dikush të ofron përkrahje në momentet më të vështira, është ndihma më e mirë që mund ta kesh, dhe kështu është edhe për Egzonën. “Po të mos vinte axha me gruan e tij këtu, unë nuk e di se si do t’ia bëja. Nuk do të mund të kujdesesha për vëllezërit dhe motrën sa duhet, e tani këta po kujdesen për ne sikurse t’i kishim prindër”, është shprehur ajo. Ndonëse axha i saj kishte ardhur të kujdesej për ta, edhe ai e kishte të vështirë një gjë të tillë. “Axha i ka dy fëmijë, ndërsa ne jemi pesë dhe këtu në këtë shtëpi e kemi shumë ngushtë të banojmë. Axha nuk ka pasur shtëpi të tijën, sepse edhe ai jeton në kushte të vështira. Nuk punon askund, merr vetëm një ndihmë sociale, e cila mezi po i mjafton që të na blejë bukë”, ka theksuar ajo, sytë e të cilës ishin të mbushur me lot.
Axha nuk mund t’i ndihmojë, i ka kushtet të vështira
Egzona ka dy xhaxhallarë, Fadilin dhe Asllanin. Ai që kujdesej për ta, Fadili, kishte shkuar në Qendrën për Punë Sociale që t’iu tregonte se sa vështirë e ka të kujdeset për fëmijët e vëllait të tij me një ndihmë sociale, e po ashtu në një shtëpi aq të vogël. Për këtë tregon Asllani, vëllai tjetër. “Fadili ka shkuar ndoshta gjen ndonjë zgjidhje, sepse e ka shumë të vështirë të kujdeset për pesë fëmijët jetimë, e po ashtu edhe për dy fëmijët e tij, me një ndihmë sociale. Unë nuk po mund t’i ndihmoj, pasi që edhe vetë i kam kushtet e vështira. I kam gjashtë fëmijë, nuk punoj askund, marr vetëm një ndihmë sociale dhe është e pamundur t’i ndihmoj”, ka thënë ai duke ulur kokën. Asllani ka thënë se do të kishte pasur dëshirë që këtyre fëmijëve t’ua zgjerojnë hapësirën ku jetojnë dhe se vëllait të tij t’i ndihmojë Komuna, të kujdeset për ta si në ushqim e në çdo gjë. Ndërsa ajo që e ka më së vështiri është Selvija, gruaja e axhës së Egzonës, e cila është bërë nënë për këta pesë jetimë. “I kam dy fëmijë të mi, por tani kujdesem edhe për pesë fëmijët e kunatit që më ka vdekur. Mundohem të kujdesem shumë për ta dhe nuk më vjen vështirë të kujdesem, por kushtet e rënda ekonomike po na e vështirësojnë këtë gjë shumë, madje edhe vendi i vogël ku jetojmë”, tregon ajo. E, kërkesa e vetme e Egzonës është që ta kenë një hapësirë më të madhe ku të jetojnë. “Kam dëshirë ta kemi një shtëpi pak më të madhe, e po ashtu edhe ushqim, sepse tani jemi bërë më shumë veta, pasi që ka ardhur axha, andaj shpresoj të na ndihmojë ndokush”, ka thënë ajo duke fshirë lotët. Numri ku mund ta kontaktoni këtë familje për ta ndihmuar është: 044/119 930.
loading...
Lexo edhe: