Romani ''Nëna'' nga ''Maksim Gorki'' |
Shkruar nga : Agon Bislimi
Romani ''Nëna'' nga ''Maksim Gorki'' - ''Analiza''
Lufta
revolucionare e klasës punëtore është pasqyruar në mënyrë më të qartë dhe idetë
socialiste janë shprehur më hapur në romanin ''Nëna''.
Romani ''Nëna'' u shkrua me 1906—1907, apo menjëherë pas
revolucionit të vitit 1905.
Romani është nga veprat me karakteristike e më të mëdha
të letërsisë ruse e të letërsisë botërore si nga rëndësia e problemeve
që trajtohen në të, nga metoda artistike e re e përdorur, ashtu edhe nga
ndikimi që ushtroi në shtresat e gjëra punonjëse dhe në lëvizjen revolucionare
të mbarë botës.
Brendinë e romanit e formojnë ngjarjet revolucionare që
kanë ndodhur në Sormovë në vitet 1901—1902, grevat e demostratat e 1 majit,
gjyqi kundër pjesëtarëve të organizatës lokale të partisë.
Heronjtë kryesorë, Pavli dhe nëna e tij, janë njerëz që
kanë jetuar me të vërtetë dhe që i ka njohur Gorki. (Si prototipe për të
krijuar figurat e Pavlit dhe të Pellage Nilovnës, Gorki mori punëtorin e ri
bolshevik Pjetër Zallomov dhe nënën e tij, Ana Zallomovën, me të cilët kishte
miqësi).
''Subjekti''
Në fillim të romanit ''Gorki'' përshkruan jetën e mjerë
në një lagje punëtore në një qytet
industrial rus rreth vitit 1901. Punëtorët janë zhytur në varfëri, padituri e
paragjykime, ata s’janë të organizuar, prandaj nuk kanë mundësi t’u bëjnë ballë
pronarëve të fabrikave që i shfrytëzojnë egërsisht.
Në një nga familjet e lagjes punëtore, në shtëpinë e
punëtorit mekanik Mihal Vllasov jeta, si kudo, kalon monotone e pa asnjë gëzim.
Mihali i ri i ngrisur e i heshtur. I egërsuar nga jeta, mjerimi, ai pi e dehet
përherë, e rreh mizorisht djalin, Pavlin, e sidomos gruan e vet, Pellagenë, e
cila është katandisur si një skllave.
Pas vdekjes së babait Pavli shkon të punojë në fabrikë.
Në fillim edhe ai nis një rrugë disi të shthurur. Si shumë të rinj të tjerë
pi e sillet keq e kjo gjë e pikëllon fort Pellagenë, e cila përgjërohet për
të birin.
Por nuk zgjat shumë dhe në jetën e Pavlit ndodh një
ndryshim rrënjësor në lagjen punëtore nis të veproj organizata e Partisë
Social-Demokrate Ruse, që porsa është formuar. Pavli hyn në parti dhe i
kushtohet me mish e me shpirt çështjes së triumfit të klasës punëtore. Tani ai
bën një jetë shumë të rregullt, sillet shumë mirë me nënën dhe me të gjithë; së
bashku me punëtorin e ri Andrea Nahodka dhe me disa të tjerë studion me ngulm
teorinë marksiste, zgjeron horizontin kultural, bën agjitacion ndër punëtorët e
fabrikës, përpiqet t’i organizoj ata që të luftojnë bashkërisht kundër
fabrikantëve dhe qeverisë cariste. Dalëngadalë ai fiton besimin e madh dhe
respektin e punëtorëve që fillojnë të sqarohen politikisht, të bashkohen dhe të
kuptojnë se klasa e tyre zotëron një forcë të madhe dhe se ajo duhet të
udhëheqë tërë masat e tjera punonjëse të vendit.
Edhe nëna, Pellageja, pëson një ndryshim të madh
shpirtëror, që shtrihet gjatë gjithë romanit. Kjo është një grua mbi 40 vjeçe e
cila qysh në fëmijëri ka jetuar si një skllave, s’ka parë gjë tjetër në jetën e
saj veç se vuajtje e poshtërim; ndjenja e tmerrit ndaj jetës ia ka pushtuar
shpirtin, por ajo është shumë fetare dhe s’guxon të ngrej zërin për të
kundërshtuar. Shpresa e saj e vetme është i biri, prandaj në fillim ajo e sheh
me një frikë të madhe punën revolucionare të Pavlit, i cili ka vënë veten e vet
në rrezik. Por, me kohë Pellageja fillon të kuptoj shumë gjëra; ajo i dëgjon me
një interesim gjithnjë e më të madh fjalët e zjarrta të të birit dhe të
Andreas, i cili banon në shtëpi të saj. Kur policia i arreston të dy punëtorët
e rinjë, sepse dyshon ndër të tjera se mos ata shpërndajnë trakte socialiste në
fabrikë, Pellageja, për t’i shpëtuar, merr përsipër t’i shpjerë fshehurazi vetë
traktet. Kjo qe puna e saj e parë revolucionare.
Ajo merr pjesë në demostratën punëtore të 1 Majit, të
cilën e kanë organizuar Pavli me shokët.
Në gjyqin carist kundër drejtonjësve të demostratës,
Pavli dhe shokët e tij qëndrojnë të papërkulur; Pavlin e dënojnë me internim në
Siberi. Këto ngjarje nuk e trembin Pellagenë; përkundrazi ajo vendos që tanimë
të jepet e tëra pas luftës revolucionare. Ajo e ndihmon aktivisht organizatën e
partisë në shpërndarjen e letërsisë ilegale në krahina, bën agjitacion në
fshatra. Në shpirtin e saj s’mbeten as gjurmët e nënshtrimit, të mosbesimit dhe
të frikës së saj të dikurshme. Kur një ditë, në një stacion treni, policët e
diktojnë me një valixhe me trakte dhe e arrestojnë, ajo qëndron para tyre me
trimëri; dhe me zë të lartë, që ta dëgjojnë të gjithë, thërret: ,,Popull,
bashko fuqitë e tua! Të vërtetën nuk do
ta zhdukin as në një det prej gjaku…’’
Romani, pra,
mbaron me burgosjen e protagonistëve, megjithatë vepra të ngjall një ndjenjë të
fuqishme optimiste: lexonjësi sheh qartë
në të se çështja për të cilën lufton Nëna, Pavli e Andrea do të triumfoj.
''Personazhet''
Ndodhitë e
jetës personale në roman mpleksen e varen nga ngjarjet, me karakter politik e
shoqëror, kështu që romani është një pasqyrë e gjërë, tipike, e luftës
revolucionare të proletariatit rus. Gorki ka gjetur tani në përfaqësuesit
revolucionarë të klasës punëtore heronjtë, tipat pozitivë, plot guxim e dashuri
për të shtypurit që do t’i japin fund shfrytëzimit e do të ndërtojnë një botë
të re, të lirë e të lumtur. Dhe këta tipa ai i përshkruan me mjeshtëri të lartë
artistike në romanin ''Nëna”.
''Pavli''
Pavli
është tip i punëtorit bolshevik. Gjakftohtësia, burrëria, urrejtja dhe përbuzja
për armikun, zotësia për të fituar dashurinë e shokëve të tij, besimi i madh në
fitoren, janë disa veçori të karakterit të tij. Njeri me vullnet çeliku, ai ndjek
rrugën e vet, pa marrë parasysh kurrfarë pengese. Etja për arsim e përpjekja për
të zgjeruar dijen janë anë të natyrës së tij luftonjëse. Ai është i dhënë me
mish e me shpirt pas çështjes se çlirimit të klasës punëtore, së cilës i
kushton gjithë mendimet, ndjenjat dhe veprimet e tija. Largon edhe ndjenjën e
dashurisë për të mos pasur pengesë në rrugën e detyrës së tij. Gjithmonë i pari
ai kërkon të jap shembull gatishmërie për sakrifica dhe shkon në vendin më të
rrezikshëm. Për Pavël Vllasovin kuptimi i jetës është te lufta, te përpjekja;
ai shfrytëzon çdo rast për të zgjuar ndërgjegjen e punëtorëve dhe për të
propaganduar idetë socialiste. Prandaj edhe refuzon të arratiset nga burgu, se
dëshiron të parashtroj publikisht në gjyq programin e partisë së vet. Dhe atje,
nga i akuzuar, me guxim e me trimëri, ai kthehet në akuzonjës dhe agjitator.
''Nëna''
Figura themelore në roman është nëna e Pavlit, Pellagea Nilovna. Ajo zë vendin
më të madh në vepër, është shoqëruese e gjithë ngjarjeve dhe pjesëmarrëse në to
në një mënyrë ose tjetër. Çdo gjë që ndodh, lë vragë të thellë në të,
kundërvepron mbi ndërgjegjen e saj, e ndryshon gradualisht. Në këtë figurë
Gorki tregon si lind, si rritet luftëtari për një botë të re. Një grua e
vuajtur, Nilovna, hyn në lëvizjen punëtore në fillim për dashurinë që ka ndaj të
birit, më vonë prej dashurisë që ka për të gjithë ata që kërkojnë të drejtën.
Ajo hyn pak nga pak në punën ilegale, merr pjesë në të në mënyrë të vendosur e
pa rezerva, i kushtohet e tëra çështjes së madhe të çlirimit të punëtorëve. Në
procesin e luftës dashuria e saj ndaj djalit dhe shokëve të tij rritet e
kthehet në dashuri për klasën punëtore. Ajo përtërihet shpirtërisht dhe bëhet
një revolucionare e ndërgjegjshme, e cila tani beson plotësisht në fitoren e
fundit. Ky proces i lindjes dhe i rritjes së njeriut të ri Nilovna, ishte një
fenomen që ndeshej shpesh në ato kohë. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e
romanit si pasqyrim artistik i luftës për çlirimin e kiasës punëtore. Në këtë
luftë shumë punëtorë nga njerëz të humbur pa vetëdije klase, tërhiqen prej saj,
bëhen luftëtarë të vijës së pare.
''Rëndësia e
romanit''
Duke na dhënë
një pikturë të drejtë të lëvizjes shoqërore në fillim te shekullit XX, duke
pasqyruar kontradiktat komplekse shoqërore, aty vihen në dukje përfaqësuesit e
asaj klase e cila do të shpëtoj njerëzimin nga shfrytëzimi dhe do ta dërgoj
kulturën përpara. Ideja e socializmit vë në lëvizje gjithçka në roman.
Për herë të parë
në letërsinë botërore del
një roman i tillë ku përshkruhet se si zhvillohet ndërgjegja socialiste e klasës
punëtore dhe se si formohet karakteri i njeriut të ri në zjarrin e luftës
revolucionare. Në romanin ,,Nëna” del
qartë se klasa punëtore qëndron tani në pararojë të luftës së njerëzimit për
liri e përparim.
Romani ''Nëna'' luajti dhe luan gjithnjë edhe sot një rol të veçantë në edukimin e punonjësve të botes me idetë e socializmit.
Romani ''Nëna''
nuk dallon vetëm për idetë e thella dhe për problemet shumë të rëndësishme që
trajton; ai ka edhe një vlerë të madhe artistike: personazhet janë skalitur me
mjeshtëri, në të hasim analiza të thella psikologjike, sidomos bukur është
pasqyruar bota shpirtërore e Pellagesë.
Romani të
mallëngjen dhe të entuziazmon; ai përshkohet i tëri nga një frymë e ngrohtë
humaniste dhe heroike.
''Nëna'' është
modeli i parë i përsosur i një vepre të realizmit socialist.
Shkruar nga: ''Agon Bislimi''
Romani ,,Nëna” nga Maksim Gorki - Analiza,Këtu mund të gjeni analizën apo referatin e veprës apo romanit ,Nëna” nga Maksim Gorki.Në këtë analizë apo referat trajtohet ideja e romanit,brendia e romanit, heronjtë kryesorë,subjekti i romanit Nëna, personazhet, rëndësia e romanit,motivet,idetë socialiste,karakteret e personazheve etj.Analiza e romanit nena,romanit Nena analiza,Maksim Gorki analiza shqip,analiza te romaneve shqip,analize letrare shqip,koment,referat shqip,analiza letrare shqip,romani nena nga Maksim Gorki koment dhe analizeloading...
Lexo edhe: