Skip to main content

Zezaku i bardhë


            66-vjetori i ikonës së rokut

                                                                             Zezaku i bardhë

Eric Clapton, autor i disa megahiteve të rokut, zot i kitarës, i nderuar tri herë me yll në “Rock and Roll Hall of Fame”, herë Mexhnun e herë Don Zhuan, sot, pas afër 50 vjet karrierë muzikore, përfundimisht vlerësohet si ikona e muzikës rok

Ag APOLLONI


Me shumë hite muzikore, me disa martesa, me mbi një mijë të dashura, skandale dhe tragjedi mbrapa, kjo është odisejada e ikonës së rokut, Eric Clapton, i cili nga kritika është cilësuar si këngëtar i bardhë me shpirt zezaku, ngaqë rrënjët e artit të tij janë te muzika bluz të cilën ai e ka praktikuar dhe studiuar gjatë gjithë jetës. Madje dy albume të tij, “From the crudle” (1994) dhe “Me and Mr. Johnson” (2004), janë albume të realizuar me mjeshtri sipas standardeve të shkollës së vjetër, kurse në albumet tjera ka një bluz më të avancuar. Ai është këngëtar me një nostalgji të theksuar për muzikën e së kaluarës, prandaj sot mund të konsiderohet njohësi më i mirë i bluzit. Gjithashtu, është autor i hitit më të madh të muzikës rok, “Layla”, që mund të konsiderohet si kënga me fillimin më të trentë në histori të muzikës, krahas “Simfonisë së Pestë” të Beethovenit.








Shtëpia, shkolla, rruga 

Eric Clapton, u lind më 30 mars 1945 në shtëpinë e gjyshërve në Ripley të Anglisë, si fëmijë ilegjitim i Patricia Molly Clapton dhe i një ushtari kanadez të stacionuar në Angli, Edward Fryer, i cili, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u kthye te gruaja e tij në Kanada. Ericu mbetet nën përkujdesin e gjyshërve, pasi që pas një kohe edhe nëna e tij largohet për në Gjermani, ku martohet me një ushtar tjetër kanadez. Ricky, siç e quanin gjyshërit, ishte një djalë i urtë dhe i sjellshëm, një student mbi mesatar me një aftësi të veçantë për artin. Ai ishte rritur duke besuar se gjyshërit ishin prindërit e tij, kurse nëna ishte motra e tij. Në moshën trembëdhjetë vjeçare gjyshi i kishte dhuruar një kitarë për ditëlindje, kurse në moshën e adoleshencës, i fascinuar nga një performancë e Jerry Lee Lewisit, Claptoni kishte vendosur të bëhej kitarist dhe regjistrohet në “Kingston College of Art”, prej nga dëbohet (në vitin 1961) për shkak se edhe në orët e lëndëve të tjera të artit ai luante me kitarë. Del në rrugë dhe luan më kitarën elektrike që ia kishte dhuruar gjyshi.

Odisejada muzikore 


Duke u sjellë rrugëve, djali i braktisur nga babai ushtar, u bashkohet disa grupeve britanike, derisa në vitin 1963 arrin të bëhet edhe vetë një ushtar i ri (“yardbird”) i muzikës. Grupi “The Yardbirds” u bë trinia e heronjve të viteve ’60 në Britani: Clapton, Jimmy Page dhe Jeff Beck. Grupi u kthye në një sensacion falë virtuozitetit të Claptonit. Këtu ai fitoi nofkat “slow handclap” dhe “slowhand”. Popullariteti i këtij grupi i detyrohet dy albumeve “Five Live Yardbirds” dhe “For Your Love”.
Në vitin 1965, Clapton bashkohet me grupin “John Mayall & the Bluesbreakers” më të cilin nis të bëjë muzikë nëpër klube, ku ai njihet si kitaristi më i mirë i grupit dhe bëhet i famshëm me lojën që bën në albumin “Blues Breakers”, pas daljes së të cilit një adhurues i Claptonit kishte shkruar në mur sloganin e famshëm “Clapton is God”.
Pas kësaj, Clapton kishte deklaruar se do të bënte një revolucion në muzikë, do ta ndryshonte botën, do t’i shkundte dhe do t’i shokonte njerëzit. Ky vizion i tij u realizua kur ai la grupin “The Bluesbreakers” dhe, bashkë me Jack Bruce dhe Ginger Baker, në vitin 1966 formoi grupin që la gjurmë të arta në historinë e rokut, “Cream”. Në vitin 1967, në Angli vjen Jimi Hendrix për të shfaqur aftësitë e tij prej kitaristi, mirëpo Clapton edhe më tutje nuk luante nga froni dhe vazhdonte të njihej si kitaristi më i mirë në gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Disa muaj më vonë grupi “Cream” shkoi në New York, ku u pranuan si një grup i fuqishëm dhe influencues. Hiti më i madh i grupit “Cream” ishte “Sunshine of Your Love”, por njiheshin mirë edhe “I feel free”, “White Room” dhe “Crossroads”. Ky konsiderohej grupi më i mirë i rokut, por nuk pati jetë të gjatë, sepse droga dhe alkooli, si dhe grindja mes Bruce dhe Beker, e shkatërruan atë. Në vitin 1968, “Cream” editoi albumin lamtumirës “Goodbye”.
Në vitin 1969, kur nga kritika cilësohet si një kitarist i jashtëzakonshëm, ndërsa publiku e quan “Zot”, Clapton i bashkohet të parit supergrup të rokut, “Blind Faith”, të krijuar nga Ginger Baker e Steve Winwood. Grupi debutoi para 100 mijë fansave në Hyde Park të Londrës, më 7 qershor 1969 dhe arritën të realizojnë një album, ku bënte pjesë edhe kënga e gjatë 15 minuta, “Do What You Like”.
Mandej, pas disa shfaqjeve okazionale, Clapton në vitin 1970 bëhet pjesë e grupit “Derek and the Dominos” me të cilin realizon albumin që do të mbetet datë e rëndësishme në historinë e muzikës, “Layla and Other Assorted Love Songs”, album ky që u frymëzua nga “Historia e Lejlës dhe Mexhnunit” të poetit të madh persian, Nezami Ganjavit, pas leximit të të cilit Clapton ishte identifikuar me Mexhnunin, kurse emrin “Layla” e përdorte për t’iu adresuar biondes së bukur Pattie Boyd, e cila aso kohe ishte e martuar me mikun e tij të ngushtë, George Harrison. “Kur e dëgjoni “Lejlën”, ju e dini menjëherë se për cka bëhet fjalë. Kuptohet që Ericu kishte ra n’dashni me Pettien. Këtë e dinin të gjithë, por s’e thoshte askush”, tregon anëtari i grupit “Derek and the Dominos”, Bobby Whitlock, dyzet vjet pas realizmit të albumit. Clapton i kushtoi edhe të tjera këngë të njëjtës grua, si: “Have you ever loved a woman”, “I’m Yours”, “Why Does Love Got to Be So Sad”, “Wonderful Tonight” etj. Gjatë viteve ’70, Claptoni realizoi edhe albume të tjera, si “E.C. Was here” dhe “No Reason to Cry”, si dhe hitin antidrogë  “Cocaine”. Këto janë vitet e bashkëpunimit me muzikantë të mrekullueshëm, si kitaristi Duane Allman dhe bateristi Jim Gordon, nga të cilët i pari vdiq në një aksident me motoçikletë, kurse i dyti u diagnostifikua me skizofreni dhe disa vjet më vonë vrau nënën e tij.
Në vitet ’80, Clapton ishte një duhanxhi dhe alkoolist i tmerrshëm, prandaj jeta e tij mbushej me incidente, lidhje e divorce. Realizon albumet “Money and Cigarettes”, “Behind the sun” dhe “August”, i cili përmban bashkëpunime me Phill Collins, Tina Turner, Michael Jackson etj. Më 1989, realizon albumin “Journeyman”, ku përzihen stile të ndryshme: blues, jazz, soul dhe pop.
Në vitet 1990, derisa po shkonin në koncertin e Claptonit, në një aksident ajror vdesin dy miqtë e tij të ngushtë, Colin Smythe dhe Nigel Browne. Në vitin 1991, djali i tij i vetëm, Conor, bie nga kati i dyzet e nëntë dhe gjen vdekjen. Në vitin pasues, 1992, Clapton realizon albumin “Unplugged”, që fiton gjashtë Grammy, përfshirë edhe atë për këngën më të mirë, “Tears in heaven”, të cilën ia kushtoi të birit. Dy vjet më vonë realizon “From the Cradle”, një kthim në rrënjët e bluzit. Më 1997 kënga “Change the World” nderohet me Grammy si kënga më e mirë e vitit. Në të njëjtin vit realizon edhe albumin “Retail Therapy”, kurse në vitin tjetër, 1998, realizon albumin të cilin ai e konsideron më të mirin në krijimtarinë e tij, “Pilgrim”, në të cilin përfshihen këngët e tilla, si: “Pilgrim”, “River of Tears”, “She’s gone” dhe  “My father’s eyes” e  “Circus”, të cilat ia kushtonte të birit që vdiq në moshën katër vjeçare. Albumi “Pilgrim” është vepra më atipike e Claptonit dhe, shikuar në tërësi, mund të konsiderohet albumi më i mirë i tij, ndërsa kënga “My father’s eyes” e nxiti gazetarin Michael Woloschuk të vihej në kërkim të babait të Claptonit, Edward Walter Fryer, për të cilin mësoi se kishte lindur më 1920 dhe kishte vdekur më 1985, pa e ditur se djali që shkundte skenën e muzikës evropiane dhe amerikane dhe që i kishte ngjarë me martesa e afera, ishte djali i tij i braktisur. Në vitin 1999, Clapton fiton çmimin Grammy për “The Calling”, që ishte një bashkëpunim me kitaristin meksikan Carlos Santana. Dekadën e përmbyll me albumin “Riding With the King”, ku kishte bashkuar forcat me “bablokun e bluzit”, B. B. King.
Dekada e parë e shekullit 21 e gjen Claptonin aktiv si në planin muzikor ashtu edhe në atë humanitar. Realizon albumet “Reptile”, “Me and Mr. Johnson”, “Back Home”, “The Road to Escondido”, kurse në shtator të vitit 2010 realizon albumin “Clapton”, që është një kthim nostalgjik te këngët të cilat i kishte dashur në rininë e tij dhe, po atë muaj, u bë e famshme deklarata e tij: “Nuk e pëlqej muzikën që e bëjnë të rinjtë. Më pëlqen muzika e të vjetërve”. Ndërsa në prill të këtij viti do të realizohet prapë albumi “Layla”, një përgatitje luksoze për dyzet vjetorin e albumit dhe gjashtëdhjetë e gjashtë vjetorin e Claptonit. Albumi, i cili ka hyrë në listën e atyre që duhet të dëgjohen patjetër (“Must Hear” list), do të kushtojë 100 dollarë.

Mexhnun apo Don Zhuan 

Me jetën e tij private Eric Clapton ka tërhequr vëmendjen e mediave, duke kryesuar në listat e senzacioneve. Së pari dashurohet në gruan e mikut të tij, modelen dhe fotografen e bukur Pattie Boyd, mandej martohet me të, ndërsa lind një fëmijë me Yvonne Kellyn, me të cilën lajmin për lindjen e fëmijës Ruth e mban sekret deri në vitin 1991. Për shkak të një afere me modelen italiane Lori Del Santo, e cila në vitin 1986 i sjellë në jetë djalin e tij të vetëm Conor, Clapton dhe Boyd divorcohen, duke i dhënë fund, pas një dekade, dashurisë që ishte konsideruar “dashuria më e krisur në botën e pop-artit të shekullit 20”. Mexhnuni i dikurshëm tashmë ishte shndërruar në Don Zhuan.
Në vitin 1995, Clapton kishte përjetuar një romancë me këngëtaren Sheryl Crow. Kurse më 1999, derisa po realizonte këngën “Marry you”, vjen befasia e radhës: 54 vjeçari Clapton fillon lidhjen me 23 vjeçaren Melia McEnery, me të cilën martohet në vitin 2002, në vendin e tij të lindjes. Nga kjo martesë i lindin tri vajza: Julie Rose, Ella May dhe Sophie Belle. Vulën e tij me karakter prej Don Zhuani, Clapton e vuri vitin e kaluar kur deklaroi se kishte pasur mbi një mijë femra. Kështu, ai përfundimisht e hoqi maskën e Mexhnunit dhe e zbuloi fytyrën e vërtetë prej Don Zhuani, por “Layla” e tij vazhdon t’i bëjë mexhnunë (të çmendur) miliona fansa gjithandej globit.


Gishtat që prekin shpirtin 

Sipas radhitjes së bërë më 2003 nga magazina “Rolling Stone”, B. B. King (1925) dhe Eric Clapton (1945) janë dy kitaristët më të mirë të gjallë. Derisa B. B. King ka një orientim prej “blues” kah “jazz”, Clapton është mes “hard rockut”, “popit” dhe sidomos “bluesit”, kështu që me të drejtë Richie Sambora në këngën e tij kushtuar Claptonit, e ka quajtur atë “Mr. Bluesman”.
Pos Samboras, kitaristë të tjerë mbi të cilët Clapton ka ushtruar ndikim janë edhe: Jimi Hendrix, Gary Moore, Eddie Van Halen, Brian May, Stevie Ray Vaughan, John Mayer etj. Muzika e tij është përdorë në filma të tillë si: “Goodfellas”, “Mean Streets”, “Tru Lies”, “Edge of Darkness”, “Phenomenon”, “Runaway Bride”, “School of Rock”, “Fahrenheit 9/11” etj., si dhe në episode të serialeve: “The Simpsons”, “The Sopranos”, “Friends”, “United States of Tara” etj.
Eric Clapton më 30 mars 2011 i ka mbushur gjashtëdhjetë e gjashtë vjet, nga të cilat 48 vjet janë karrierë e mahnitshme muzikore. Me jetën, veprën dhe ndikimin që ka ushtruar nga vitet ’60 e këndej, ai me të drejtë llogaritet “një nga njëqind artistët më të mirë të të gjitha kohëve”. Një nga thëniet më të famshme të Claptonit është: “Dëgjojeni këngën Layla!”. Ndërsa, B. B. King duke iu referuar Claptonit, thotë: “Ai është njeri i madh dhe muzikant i madh”; Eddie Van Halen thotë: “Clapton është i shkëlqyeshëm. Ai është i vetmi që më mposhtë mua. Ai është i vetmi që më bën ta dua lojën me kitarë”, kurse Brian May shprehet: “Gishtat e Claptonit janë të lidhur direkt me shpirtin e tij”.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more