Skip to main content

Shkurt e shqip, apo shkel e shko


Shkurt e shqip, apo shkel e shko

Edicioni i gjashtë i festivalit “Nine Eleven”, pos problemeve të shumta organizative, ka shfaqur edhe një problem serioz: mosnjohjen e narratologjisë filmike nga ana e filmbërësve. Ky problem bipolar, i organizatorëve dhe i pjesëmarrësve, ka qenë njollë që e ka mbuluar fytyrën e festivalit

Ag APOLLONI

Filmat shfaqen në kinema, shfaqjet teatrale në teatër. Por, filmat e Festivalit Gjithëkombëtar të Filmit të Shkurtër Artistik, “Nine Eleven”, shfaqen në teatër, në një pëlhurë që mjafton të jetë e bardhë dhe me një teknikë që ka paksa probleme vizuale, si pasojë e zmadhimit të fotografisë, si dhe probleme auditive për kushedi çfarë arsyesh. Problemet auditive filluan me hapjen e festivalit, kur bateristi Babuka, pavarësisht lojës së bukur, na i prishi timpanet e veshëve duke i goditur “tupanat” e tij, pikërisht për shkaqe teknike.

Katalogu konfuz

Po ashtu edhe katalogu i festivalit me moton “Shkurt e shqip”, në vend se të jetë udhëzues, ishte dizajnuar për të qenë pështjellues. Kështu, në fjalinë e parë, në krye të katalogut, kemi një gabim gjuhësor, pastaj faqja e dytë shoqërohet më një grumbull gabimesh, në faqen e tretë festivalit i vishet petku nacionalist (Le të pëlcasë armiku!), në faqen e katërt tregohen vetëm sinopsisi, pastaj, “shkurt e anglisht” (!), biografia e regjisorit dhe emrat e aktorëve, se të tjerët, sipas organizatorit, nuk janë me rëndësi. Në faqen e katërt sinopsisi dhe emri i autorit, asgjë tjetër. Në faqet 6-7-8, pos sinopsisëve shqip dhe anglisht, jepen edhe emrat e ekipit që ka realizuar filmat (regjisori, skenaristi, producenti, muzikanti, montazheri, rolet etj.). pra këto tri faqe janë më korrekte, sepse në to shkruhet për filmat mysafirë, e me mysafirin, sipas Kanunit të organizatorëve, nuk duhet të koritemi. Menjëherë në faqen tjetër (faqja 9), filmi “Lufta” i Bekim Seles, i atribuohet Resul Jusufit, ndërsa e kundërta ndodh në faqen 12. Në faqen 24 regjisori bëhet femër, ndërsa në faqen 26, duke menduar se atij mund t’i mbetet hatri për këtë shkarje, informacionet për filmin “Vllau jem” përsëriten. Edhe pse gabime ka gjithandej në këtë katalog, kjo mjafton për të parë se me çfarë serioziteti është punuar për këtë festival dedikues. Çudia është se në këtë katalog është punuar gjatë, pasi “nuk u bo gati” për natën e hapjes, po vetëm për natën e dytë.

Filmat si festivali

Edicioni i sivjetmë përbëhej nga 27 filma në konkurrencë, të cilët u shfaqën brenda tri ditësh (e martë, e mërkurë, e enjte), ndërsa dita e katërt ishte “dita e gjykimit”. Si festival panshqiptar, të gjithë filmat ishin të realizuar nga shqiptarët, kryesisht nga Prishtina dhe Tirana.
Prishtina përfaqësohej nga dy shkolla: kolegji AAB dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës. Derisa filmat e kolegjit AAB ishin moralizime të thjeshta (“Pa titull”), ekranizime të “foreve” të skaduara (“Hajnat”) etj., filmat e Fakultetit të Arteve u dalluan për një seriozitet më të madh, sado që mangësitë edhe këtu nuk qenë të vogla, sidomos në planin auditiv. Prandaj, shkurt e shqip, po të mos ishte anglishtja fjalët e shumë prej këtyre filmave nuk do të kuptoheshin, pak për arsye se aktorët nuk kishin diksion, pak për shkaqe teknike.
Ndërkaq, filmat nga Tirana ishin eksperimente që nuk vuanin nga mungesa e diksionit. Madje filmi “Cigarja e fundit” i Gledis Bicës kishte një strukturë interesante të shtjellimit të rrëfimit, porse ishte viktimë e imitimit të skenave të filmave gangster, e një skenari të papërpunuar dhe e një regjie modeste. Më i mirë se të gjithë filmat tjerë që vinin nga Tirana, mund të konsiderohet “Shenjtorja” i Eno Milkanit, punuar sipas një tregimi të Teodor Kekos, me muzikë të Pirro Çakos. Hiq pjesën ku trajtohej jeta e personazhit pas rënies së komunizmit, ky do të mund të quhej filmi më i kompletuar, që e nderonte festivalin dhe Tiranën nga e cila na u servuan edhe filma pa pikë vlere, si: “Mr. Fly” dhe “Kumarxhiu”, të cilët për nga niveli ishin të barabartë me filmat e Prishtinës, si: “Spider” (e mira e këtij filmi konsistonte në kohëzgjatjen më të shkurtër nga të gjithë filmat tjerë), “Lokja” (që mund të konsiderohet skenari më qesharak, pavarësisht që pretendonte të futej brenda kornizave të tmerrit), “Pa titull”, “Hajnat” dhe “Gjumashi”.
Ndër filmat e përqendruar kryekëput në storje, përfshihen: “Vrasja e dytë” dhe “Kriza globale”, ndërsa nga filmat që ruanin një ekuilibër mes regjisë dhe skenarit mund të veçohen: “Darka”, “Lufta”, “Vllau jem”, “Kuleta” dhe “Matanë lumit”. Filmi “Darka” i regjisores Blerta Zeqiri, shikuar shumë aspekte (regjia, kamera, audio, ndriçimi, postproduksioni dhe aktrimi), mund të cilësohet si filmi më i mirë i festivalit; filmi “Lufta” i Bekim Seles dallohet veçmas për idenë e skenarit dhe disa ide regjisoriale, megjithëse mund të qortohet për zgjedhjen e aktorit që luan djalin e vogël, mosha e të cilit nuk korrespondon me fjalët e tij; “Vllau jem” i Burim Baftiut është interesant për perspektivën infantile, për temën dhe aktrimin e Ernest Malazogut; “Kuleta” i Diar Xanit është i veçantë për një intrigë interesante brenda së cilës ekzistojnë të gjitha elementet dramaturgjike, përfshirë edhe befasinë dhe lënien e mesazhit hapur; “Matanë lumit” i autorit Ilirjan Himaj ka karakter etnografik, panorama të bukura (por jo edhe te eksterieri i kullave) dhe trajton një temë të konsumuar tashmë, e cila meqenëse nuk arrin të aktualizohet, imponon statusin e etnofilmit. Ndërkaq, nga animacionet, filmi “Molla e kuqe” mbetet i pakonkurrencë. Gjithashtu ka pasur edhe disa filma të refuzuar për shkak të ekzotizmit të tepruar, si: “Gruaja në të zeza”, “Lumi i verdhë” dhe “Liqeni”.
Ky edicion i festivalit “9/11” ka dëshmuar edhe një herë që filmi shqiptar ka probleme kryesisht me narratologjinë e filmit. Regjisorët kanë probleme me leximin e skenarëve dhe aplikimin e perspektivave të duhura narrative. Kështu që, lënda “Narratologji filmike” nëse nuk ekziston në këto shkolla, do të duhej futur menjëherë.
Festivali “9/11” duhet t’u japë më shumë kohë pjesëmarrësve dhe t’i forcojë kriteret e përzgjedhjes. Madje edhe juria duhet të jetë e përzgjedhur, e dëshmuar me vepra të vlefshme. Shkurt e shqip: festivali i kushtimit, duhet të jetë festival i përkushtimit ndaj artit dhe i kushtëzimit të vlerës. E, të mos bëhet si kësaj here, shkel e shko.



loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more