Skip to main content

Madrigalet e Apollonit

Kritikë letrare

MADRIGALET E APOLLONIT

Refleksione mbi librin me poezi ZOMB të Ag Apollonit, të cilin e botoi shtëpia botuese “Faik Konica”, në Prishtinë

Bardh FRANGU

Ky shkrim është motivuar nga një ngacmim prej facebook-ut, ku poeti nga Gostivari i Maqedonisë, Lulzim Haziri, kishte hedhur disa vargje të bukura me motiv dashurie, për t’i dhënë mundësi diskutimit të pranisë së erosit në letrat shqipe. Mbase ky motivim edhe korrespondon natyrshëm me librin e ZOMB, në autometatekstin e të cilit autori do të shprehet: “Nisa ta imagjinoj ekranin si dritare të rrëfyestores”. Meqë pranë kompjuterit kisha librin e Ag Apollonit ZOMB, për të cilin këto ditë u fol dhe u shkrua shumë, nisa nga kopertinat e këtij libri, me një ilustrim surrealist dhe shumë përmbajtësor për këtë motiv që edhe e karakterizon librin e autorit në fjalë, i cili provokueshëm prezantohet në fund me një foto personale, që sikur të asocionon në rrugën drejt Nirvanës, e cila gjendet në mendjen e secilit prej nesh.
Nuk ka nevojë të thuhet se dashuria është at dies vitae edhe si temë, edhe si motiv, ndërsa dihet se edhe Fromi e vuri në qendër të psikoanalizës së tij, për të dhënë dëshmi revolucionare për kohën. Megjithatë këtu fjala është për dashurinë si motiv dhe si përpjekje për të thyer tabu, të cilat, ndër të tjera, do të shprishnin moralin e rrejshëm të një shoqërie si kjo jona, përkatësisht fjala është për ersoin shqiptar, i cili personifikon dashurinë dhe si i tillë na paraqitet në trajta dhe forma të ndryshme, por që në letrat shqipe ai vije kryesisht si  personifikim i fuqisë që lidhë dhe bashkon pjesët e të gjitha gjërave, për të ndërtuar një harmoni në jetën e njeriut.
Në librin ZOMB të Ag Apollonit nuk ndeshim motivin e dashurisë si dëshmi të një zemre të thyer, çfarë e ndeshim qysh tek autorët e traditës si Naimi, Çajupi dhe Lazgushi, të cilët padyshim që me vargjet e tyre i ndërtuan himnin shqiptar erosit, duke e nxjerrë nga trajta orale në atë të letrave. “Baltë e pluhur do të bëhem/ që t’më shkelë dhe këmbë e saj”, do të shprehet Naimi në poezinë “Bukuria”. Këta tre autorë të traditës, me  këtë rast mund të përmenden edhe në kontekst të metatkstit dhe mbase kompilimit, gjë të cilën e ngritë në parim të krijimit të tij edhe Apolloni, pavarësisht mundësisë së interpretimit ironizues të këtij teksti në formë pasthënie.

Apolloni kërkon që erosin të mos e himnizojë, por ta nxjerrë nga korniza himnizuese dhe ta problematizojë nëpërmjet meditimit lirik dhe refleksioneve të shumta filozofike. Ai në këtë mënyrë do ta kapërcejë traditën dhe do t’i bashkohet poetëve si Lulzim Haziri dhe Mimoza Ahmeti, të cilët arritën që më dukshëm dhe më suksesshëm se të tjerët ta trajtojnë këtë motiv me ritëm dhe dinamikë që përkon me frymën e njohur të rock-ut. Mbase në këtë aspekt mund të themi se poezia e Apollonit ngihet në nivel ekzistencialist, duke dëshmuar forcën e veprimit brenda një universi të trazuar. Ajo në këtë mënyrë na sjellë tek koncepti i Sartrit se paraqitja e narratorit në veprën letrare, shikuar nga perspektiva sociokritike, duhet të jetë edhe akt shoqëror. Ky fakt e bën të besueshëm edhe konstatimin e Eugen Finkut se nëse poetikës nuk i duhet problematika filozofike, filozofia, nga këndvështrimi i saj, nuk mund të lejojë që t’i shmanget diçka kaq e rëndësishme që ka të bëjë me fenomenin e të mbijetuarit në kulturë, siç është poetika. Shih për këtë Ag Apolloni autometatekstin e tij në formë pasthënie e pagëzon me titullin “Filozofia e kreacionit”. Në këtë mënyrë ai së paku ka bërë një sprovë të dobishme në kuadër të zhvillimit të mendimit filozofik, i cili në masë të jashtëzakonshme mungon tek ne.
Kur lexon vargjet e ZOMB-it të Apollonit, ekziston rrezikut të mashtrohesh nëse beson se këto madrigale janë reminishenca që janë shtresuar gjatë një përvoje komunikimi me vlera nga fusha të ndryshme të artit dhe dijes në inkoshiencë dhe që për një çast bëhesh koshient për to. Jo pse në këtë pikë të vjen në ndihmë Borhesi me besimin se njerëzimi shkruan sall një libër, por edhe fakti tjetër se dy mijë vjet para Krishtit Khakhepersenb shtroi dilemën se a mund të gjendet shprehje e cila veç nuk është e njohur dhe gjuhë e cila nuk është shfrytëzuar, përkatësisht a mund t’i shmangemi përsëritjes dhe asaj që njerëzit e kohëve të vjetra veç e kanë thënë. Si rrjedhojë logjike e këtij konstatimi del se letërsia duhet të përsëritet. Në kontekst të kësaj vetë autori, në autometatekstin e tij do të shprehet: “Në princip të gjithë shkrimtarët janë hajna dhe gjithmonë i riu e plaçkitë të vjetrin”, për të vazhduar me pohimin: “Gjithmonë kisha model “Komedinë hyjnore” të Dante Aligerit. Ndoshta diçka kam vjedhë edhe nga Bodleri” Po meqë këto çështje kanë shtruar dilema të vjetra dhe si të tilla të nxjerrin edhe në rrafshin socio-linguistik, marrja me to të futë në hak të poezisë së librit ZOMB.

Poema madrigale, përkatësisht ditari intim i Ag Apollonit krijon dëshminë se e kaluara përherë është më madhështore dhe më e bukur nga ajo që historia na e paraqet. Ndoshta dhe ky ka qenë motivi që Apolloni i  sjellë në trajtë simboli, mbase edhe metafore mitet që kanë shënjuar motivin e dashurisë dhe më shumë se kaq; kanë qenë shkas për luftëra të shumta, përkatësisht rrënime civilizimesh. Mbase ai për këtë ka zgjedhur  një gjuhë përmbytëse, në mënyrë që të krijojë mitin e ri, sipas nevojës dhe përmasave që do të ishin konform universit të tij krijues. Mbase ai edhe vetë do të shprehet në Autometatekstin e tij: “Në këtë libër kam krijuar dhe kam shkatërruar botën”
Duke trajtuar dashurinë si diçka ekzistencialiste, Apolloni shfaq refleksione edhe filozofike dhe nëpërmjet tyre arrin të ndërtojë edhe vargje sentenciale, që bëjnë pjesën më të bukur dhe më të veçantë të këtij libri. “Tash shpirti em i shkretë/ u ba rob i dy trupave”, do të shprehet në formë sentenciale në poezinë “Tango”.Ngjashëm shprehet edhe në poezinë “Kosomos”: “Asgja mos merr me vete/ na pret udhë e gjatë/N’shpinë s’na duhet barrë/N’shpirt kemi boll mëkat”. Në poezinë “Dea”, Apolloni do të shprehet kështu: “Dashnia m’ka ba ma shumë se njeri/ për me qenë i denjë për ty”.
Kur e kundrojmë gjuhën me të cilën ndërton motivin e dashurisë, themi lirshëm se Ag Apolloni dëshmon një meditim në veprim, i cili sa i përgjigjet ndjenjës, po aq i përgjigjet arsyes, e cila e shpie në një udhë epikuristike për ta dërguar tek një religjion, i cili s’është gjë tjetër veç praktikum i vetëdijes, siç është Budizmi. Prandaj nuk bëhet e zorshme të identifikohet përsiatja dhe përpjekja e poetit për ta arritur Om-in jo vetëm si fiksion. Në fakt të krijohet përshtypja se dashuria është dije, ose pjesë e saj që të shtyn deri tek thelbi i saj. Këtu nuk bëhet fjalë për një përpjekje të afrisë së poezisë erotike me atë të ashtuquajtur porno, sikundër që një tendencë të tillë mund ta ndeshim tek shumë autorë shqiptarë, të cilët motivit erotik iu kthyen më dendur dhe më ashpër pikërisht kur shoqëria shqiptare ra në pellgun e një krize të thellë morale përgjithësisht.
ZOMB-i për shumëçka është libër i veçantë, përkatësisht është një libër që paraqet një sprovë për një debat më të thellë letrar. Pjesë e veçantë e këtij libri janë shenjat koduese që kërkojnë një shpjegim të ndarë. Njësoj kërkon shpjegim të ndarë edhe teksti përmbyllës në formë pasthënie të titulluar “Filozofia e kreacionit”, ku autori edhe në detaje shpjegon gjërat që e kanë motivuar për ta ndërtuar këtë libër të 100 poezive, përkatësisht madrigaleve, mbase duke mos hezituar që edhe të bëjë një lloj dekodimi që ia prish misterin poezisë. Dikush këtë mund ta vlerësojë si një kolonë të nevojshme shpjegimi, ku autori merr rolin e kritikut, mbase edhe të mbrojtësit të prodhimit të vet poetik. Megjithatë ky autometatekst kam përshtypjen se nuk ka më shumë se kuptimin e një ambalazhi të vrazhdët që dëmton bukurinë e kësaj poezie. Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti se sa përnjëmend autori ka bartur shenja dhe konstrukte poetike nga paraardhësit e tij. Sigurisht që ky fakt kërkon një vështrim të ndarë dhe shumë më të angazhuar, por që nuk të lejon që ta lexosh dhe shijosh tekstin poetik me paragjykime.

Në përgjithësi, mbështetur në gjuhën e pasur poetike, në format e begata të vargnimit dhe thellësinë meditative, në qasjen eklektike, ky libër meriton nj respekt të veçantë, sepse ndër të tjera edhe thyen klishe,  trajta dhe forma poetike të banalizuara dhe na vjen në një formë tepër të veçantë në këtë kohë mungese vlerash të njëmendta. ZOMB është një libër i hapur që na shpie deri tek Shkolla e Aleksandrisë dhe na kthen  në përplasjet postmoderne.

(Tekst i botuar në gazetën “Express”, më 3 korrik 2009) 
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more