Të mirat publike, eksternalitetet, fuqia tregtare shkaktojnë mosalokim të burimeve, pra lidhen me pyetjen çfarë të prodhojmë. Në të gjitha këto raste, sikurse pamë më sipër, kërkohej ndërhyrja qeveritare. Një çështje tjetër që lidhet me problemin themelor është pyetja për kë të prodhohet. Çështja shtrohet: a është e drejtë shpërndarja, e gjeneruar nga tregu, e mallrave dhe shpërblimeve? Çështja e mësipërme, sikurse e dimë, zgjidhet në tregun e faktorëve. Të ardhurat e njerëzve përcaktohen në këtë treg, në përputhje me faktorët që ata zotërojnë dhe çmimet e këtyre faktorëve. Çdo ndërhyrje e qeverisë në fushën e shpërndarjes mund të ketë pasoja negative në efiçencë. Por, sidoqoftë, një ndërhyrje e një shkalle të caktuar është e domosdoshme pikërisht për të ndihmuar grupet më të dëmtuar të shoqërisë, duke bërë rishpërndarjen e të ardhurave me anë të politikës së taksave dhe pagesave transferuese. Përmes taksave që rriten progresivisht me rritjen e të ardhurave formohen fondet për përballimin e pagesave lidhur me papunësinë, pensionet, bursat e studentëve, programet e asistencës sociale, etj. Për shkallën e pabarazisë që ekziston në një vend lidhur me shpërndarjen e të ardhurave apo të pasurisë, mund të gjykojmë me ndihmën e kurbës së Lorencit. Sikur të ardhurat të shpërndaheshin në mënyrë të barabartë, kurba e Lorencit (vija e lakuar) do të përputhej me vijën e barazisë (diagonalen e kuadratit). Shmangia e kurbës së Lorencit nga vija e barazisë mat pikërisht pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave.
Lexo edhe:
loading...
Lexo edhe: