Skip to main content

“Lehtësia e padurueshme e përçmimit shovinist serb ndaj “šiptari”-t” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Lehtësia e padurueshme e përçmimit shovinist serb ndaj “šiptari”-t” plus 3 more Telegrafi Opinione


Lehtësia e padurueshme e përçmimit shovinist serb ndaj “šiptari”-t

Posted: 29 May 2022 05:55 AM PDT

Ardian Haxhaj

Tashmë është bërë përditshmëri të dëgjojmë politikanë, ministra e akademikë serbë që publikisht e zyrtarisht t'u referohen fqinjëve, shqiptarëve, me emrin përçmues e denigrues "šiptari". Me ndonjë përjashtim të ndonjë organizate joqeveritare serbe, apo të ndonjë intelektuali e opinionisti serb që e kundërshton këtë gjuhë urrejtëse, për të tjerët, për shumicën dërmuese të institucioneve serbe, ky emërtim përbuzës racist është krejt i zakonshëm në diskursin e tyre shovinist. Faktikisht, ky emërtim përçmues ka histori të gjatë dhe të vazhdueshme në kohë e rrethana të ndryshme, ku shumica e kalemxhinjve serbë me lehtësi të padurueshme raciste e mbllaçitin emërtimin "siptari".

Ndoshta duket e çuditshme, sidomos për të huajt, por që nuk ka kurrfarë çudie, se publikimet e shkrimtarëve, gazetarëve, historianëve, opinionistëve shqiptarë, që nga koha e konflikteve serbo-shqiptare të viteve 1877 e këndej, në pjesën dërmuese të tyre, duke i përfshirë edhe rilindësit, me ndonjë përjashtim, fqinjët serbë i kanë emërtuar me emrin zyrtar si "serbë", "serbët", "pushtuesit serbë", "politika gjenocidale serbe", "xhandarmëria serbe", "milicia serbe" etj. Pa dyshim se në jetën e përditshme njerëzit tanë e kanë konsumuar emërtimin pezhorativ, etnik e pse jo edhe përçmues, si: "shka", "shkiet", "shkavellat" etj., por që në pjesën e komunikimit zyrtar është përdorur dhe përdoret forma korrekte.

A ka të bëjë e gjithë kjo me emancipimin humanist e kulturor më të madh e më të shquar të një elite kombëtare në krahasim me elitën e një kombi tjetër? Si është e mundur që pjesëtarët e elitës së një kombi e shteti, që vetëm brenda një shekulli kanë kryer gjenocide kundër tre popujve fqinj të mos e tejkalojnë gjuhën shoviniste e raciste ndaj fqinjëve të tyre, e ndërkohë që elitat e fqinjëve të tyre nuk ia kthejnë me të njëjtën gjuhë?

***

Viti 1993. Kosova e okupuar nga okupatorët serbë. Aparteid. Shkollat dhe universitetet e mbyllura për shqiptarët. Maltretime, rrahje barbare, vrasje. Në gjimnaz mësonim në objektin e një shkolle fillore. I mllefosur nga robëria, shtypja, përçmimi, varfëria, terrori, diskriminimi; i pangopur nga etja për leximin e letërsisë dhe historisë, ku mbushesha me ndjenjën e sedrës së nëpërkëmbur nacionale, shkruaja vjersha. Atëbotë kombi shqiptar për mua ishte vlera më e lartë … po çfarë kombe të tjera more … jo, jo, vetëm ne ishim në majën e vlerave të përbotshme, por që na kishte okupuar e poshtëruar "kombi më i keq në botë", më i keqi që mund ta kemi pasur: "shkiet" … Në një varg adoleshent të një vjershe adoleshente kishte gjetur vend emërtimi, metafora: "shka". Disa fletë të shtypura me makinë shkrimi, në të cilat ishin të renditura një tufë vjershash, ia dhashë për lexim, atëbotë, profesorit të letërsisë, poetit, shkrimtarit, studiuesit dhe dashamirësit tim, Prend Buzhalës. Mezi prisja ta takoja profesor Prendin pas leximit të vjershave të mia për ta kuptuar se a isha bërë vërtet "poet", apo jo. Më kujtohet kur u takova me të pasi i kishte lexuar dhe redaktuar vjershat me laps kimik me ngjyrë të kuqe. Në secilën vjershë kishte bërë komente, variante të metaforave, heqje të ndonjë fjale a vargu. E te vjersha me vargun që përfundonte me emrin "shka" e kishte nënvizuar dy herë dhe në margjina të fletës e kishte shkruar "të hiqet". Një ndërtim i dialogut me të, që pak a shumë ka qenë kështu gati fiks para tri dekadave:

Unë: Po këtë përse është e nevojshme ta heq?

Prend Buzhala: Nuk është korrekte …

Unë: Profesor … është një shprehje … edhe ata na quajnë "šiptari"!

Prend Buzhala: Okupatorët e kanë si mjet të sundimit edhe shovinizmin …

Unë: Edhe ne duhet …

Prend Buzhala: Ne nuk jemi shovinistë dhe nuk duhet të bëhemi shovinistë sikur ata. Ndryshe janë pushtuesit serbë, ndryshe është populli serb, nuk duhet përgjithësuar …

Unë: Por …

Prend Buzhala: Ti je poet … Shovinizmin nuk e duron arti, poezia. Ne luftojmë për t'u çliruar nga pushtuesit serbë dhe një ditë do të çlirohemi, por nuk jemi e nuk duhet të bëhemi shovinistë!

E profesori Prend që më korrigjoi ta hiqja nga vargu shprehjen shoviniste për një komb, qoftë ai edhe kombi, pjesëtarët e të cilit ishin okupatorët tanë, ishte vetë i persekutuar nga pushtuesit serbë, i burgosur, i anatemuar dhe i larguar nga puna në vitet e tetëdhjeta dhe i persekutuar përsëri gjatë kohës së okupimit në vitet e nëntëdhjeta.

***

Është e dokumentuar se veprat dhe shkrimet e rilindësve tanë në përgjithësi dëshmojnë për qasjen konstruktive ndaj popujve fqinj, flasin me gjuhën e mirëkuptimit (me ndonjë përjashtim). Kjo traditë ka vazhduar edhe pas Luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka libër të shkruar nga autorë seriozë shqiptarë që u referohet fqinjëve serbë me emërtimin përçmues "shka", "shkie", qoftë edhe në librat ku flitet për luftëra e masakra të bëra nga pushtuesit serbë. Paradoksi i gjithë kësaj meseleje është se zakonisht ne ishim kryesisht viktima të serbëve e jo anasjelltas. Megjithatë përdorimi i emërtimit "šiptari" nga zyrtarët serbë deri në ditët e sotme tregon për shkollat e pandryshuara hegjemone serbe ndaj fqinjëve shqiptarë që nuk kanë të ndalur, madje as pas epokës së diskursit të demokracisë të proklamuar e të legjitimuar nga pothuajse çdo demokraci botërore.

Ta paragjykojmë situatën sikur një ministër shqiptar i Kosovës ta përdorte zyrtarisht e publikisht emërtimin përçmues "shka", "shkiet" për "serb", "serbët": burokratët e Brukselit do të ngriheshin në maje të gishtave të këmbëve për ta dënuar "me krejt forcën shprehjen shoviniste të një ministri që e përçmon një komb të tërë me emërtimin shovinist, në kundërshtim me vlerat evropiane dhe në kundërshtim me vetë ligjet e aplikueshme në fuqi". Hipotetikisht ai ministër do të bëhej tabelë qitjeje nga të gjitha institucionet, sidomos ato ndërkombëtare, duke i përfshirë edhe gjashtë ambasadorët e Quintit. Ai ministër do të shkarkohej nga pozita e ministrit, do të detyrohej edhe të kërkonte falje publike … Ndoshta kjo do të ishte debatuar deri në ndonjë seancë të OKB, ku do të raportonin përfaqësuesit serbë, rusë, bjellorusë, kinezë … Me siguri se edhe i zoti i shtëpisë së Shqipërisë Londineze do ta lëshonte ndonjë cicërimë dënuese ndaj të gjithë "kadrinjve" që e fëlliqin gojën me shprehje fyese ndaj kombit që e përfaqëson "miku im i ngushtë, zoti Vučić".

E mirë është që nuk e fëlliqim gojën …

The post Lehtësia e padurueshme e përçmimit shovinist serb ndaj "šiptari"-t appeared first on Telegrafi.

Supozohej se bombat e Putinit do të na thyejnë në Ukrainë, por e bënë të kundërtën

Posted: 28 May 2022 04:09 AM PDT

I detyruam rusët të largohen nga Kievi, jemi gati për atë që na pret I detyruam rusët të largohen nga Kievi, jemi gati për atë që na pret

Nga: Nataliya Gumenyuk / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Gjatë tre muajve të fundit, 600 njerëz kanë fjetur në stacionin e metrosë "Heroiv Pratsi" – në Kharkiv, në verilindje të Ukrainës. Qyteti shtrihet vetëm 40 kilometra nga kufiri rus dhe është granatuar rëndë që nga dita e parë e pushtimit. Javën e kaluar, kryetari i bashkisë së Kharkivit u kërkoi banorëve të përkohshëm të "Heroiv Pratsi"-it që të kthehen në shtëpitë e veta. Për herë të parë e vizitova "Heroiv Pratsi"-n në mes të marsit dhe herën e fundit u ktheva në stacionin e metrosë, disa ditë para njoftimit të kryetarit të bashkisë. Që nga vizita ime e mëparshme,

u habita se sa të mirëmbajtura ishin dhomat e përkohshme të gjumit të njerëzve. Pranë çdo dysheku ishin vendosur buqetat me jargavan dhe narcis.

Nina Maksymivna, një grua 80-vjeçare që kishte qëndruar në "Heroiv Pratsi", në vizitën time të fundit ishte ende duke fjetur pranë shkallëve, në të njëjtin vend ku e takova në mars. Përkundër sulmeve të shkurtra përjashta, përgjatë gati dy muajve pothuajse nuk ka nga dalë nëntoka. Është ende e mundur t'i dëgjosh në këtë zonë tingujt e shpërthimeve të largëta. Për të, ata gati ndiheshin të sigurt. Ushtria ukrainase i shtyu rusët nga rrethinat e Kharkivit në fillim të majit, por luftimet lokale ende vazhdojnë.

Në orën tre të mëngjesit, gjatë natës sime në qendër të qytetit Kharkiv, u zgjova nga një zhurmë e fortë. Megjithatë, më është thënë se kjo nuk ishte asgjë në krahasim me atë se si ndihej qyteti javë më parë. Në "Saltivka", lagjen më të dëmtuar të Kharkivit që kishte qenë e paarritshme për ca kohë, gjithçka që ka mbetur janë ndërtesat bosh dhe blloqet e djegura. Trupat ruse janë të stacionuara më pak se një milje larg. Në vizitën time të fundit, takova banorët që po ktheheshin për të kontrolluar nëse ndonjë nga gjërat e tyre kishte shpëtuar. Burrat dhe gratë po pastronin rrugët, disa padyshim të tronditur kur panë çfarë kishte mbetur. Një kompani lokale transporti po i ndihmonte njerëzit t'i lëviznin frigoriferët dhe televizorët. “Rroftë 'Saltivka'”, më bërtiti një nga djemtë i cili po ngarkonte një kamion, teksa unë kaloja pranë.

Pothuajse dy milionë njerëz jetonin në Kharkiv në fillim të luftës. Kanë mbetur akoma më shumë se një milion dhe shumë të tjerë tani po kthehen. Trenat ekspres nga Kievi në Kharkiv janë mbushur plot. Për ukrainasit, vendimi për t’u kthyer është racional, por vetëm nëse plotësohen dy kushte: së pari, nëse shtëpia u mbijetoi granatimeve dhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike është i rregulluar. Së dyti, nëse ka ende një shans për të gjetur punë. Pas tre muajsh lufte, kursimet e njerëzve janë varfëruar. Shumë të rritur, në moshë pune, po kthehen në shtëpi në Kharkiv, duke i lënë në qytetet më të sigurta anëtarët e familjes dhe miqtë që të kujdesen për fëmijët dhe të afërmit e moshuar. Por, është veçanërisht e vështirë për familjet ku të afërmit i janë bashkuar ushtrisë.

Krahasuar me Kharkivin, Kievi im i lindjes ndihet çuditërisht normal – pavarësisht nga shtetrrethimit, transportit publik ende jo plotësisht funksional dhe sirenave të herëpashershme të sulmeve ajrore. Megjithatë, lufta ende po vazhdon. Betejat kryesore po zhvillohen në Donbas, në jug të Ukrainës. Në zonën e pushtuar rishtazi rreth qytetit jugor të Khersonit, njerëzit po rrëmbehen dhe po torturohen. Kam mbuluar pushtimin rus të Donbasit dhe Krimesë në vitin 2014. Frika ime më e madhe sot është se ukrainasit në Kiev dhe në perëndim të vendit do të mësohen me betejat e largëta që zhvillohen qindra kilometra larg dhe se do ta injorojnë luftën. Herën e kaluar, konfliktet e pazgjidhura në Donbas dhe në Krime u bënë pretekst për sulmin në shkallë të plotë të Kremlinit.

Megjithatë, pasi kohët e fundit isha në një festë të vogël në Kiev, e di se këtë herë është ndryshe: nuk ka njeri në vend që është i paprekur nga lufta. Në festë fola me një nga blogerët më të famshëm të udhëtimit në Ukrainë, i cili tani po bën histori jo nga vendet e largëta ekzotike, por nga qytetet e çliruara të Ukrainës. Është me origjinë nga Luhansku i pushtuar, në lindje. Secili prej nesh në festë e kishte një shok të vrarë, ndonjë që kishte humbur një shtëpi, ishte refugjat ose që luftonte në vijën e parë.

Si reportere e konflikteve e di se luftërat shkaktojnë shpërbërjen e shoqërive. Por, nga ajo që kam parë, ukrainasit, dhe veçanërisht banorët e Kievit (të cilët më parë njiheshin për shpejtësinë dhe fokusin e tyre në punë), janë bërë më të sjellshëm dhe më të ngrohtë. Diskutimet që mbizotërojnë janë për rindërtimin e vendit, për më mirë. Profesionistët që ndihmuan me logjistikë gjatë muajve të parë të pushtimit ushtarak, tani po kuptojnë se aftësitë e tyre mund të jenë të dobishme në një mjedis të ri. Kushëriri im arkitekt kohët e fundit më telefonoi për të më treguar se si shokët e tij të universitetit janë bashkuar në zhvillimin e një plani për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar të vendit.

E kam më të vështirë të ndërveproj me ekspertët dhe analistët e huaj. Një gazetare veterane nga Ballkani, kohët e fundit më tha se sa më shumë të zgjasë lufta, aq më pak mund ta kuptonte qëllimin e saj. E hutuar u përgjigja se ukrainasit e shihnin qëllimin edhe më qartë tani se më parë: t'i mbronin qytetet nga pushtimi duke pasur sa më pak viktima të mundshme, dhe t'i çlironin territoret e pushtuara ku mizoritë kanë qenë më të mëdha.

Pavarësisht shumëve befasive pozitive që kemi parë gjatë luftës – përfshirë forcën e ushtrisë ukrainase, e cila është treguar më efikase në krahasim me trupat e organizuara keq të Rusisë – për ukrainasit gjërat po shkojë pikërisht ashtu siç imagjinonim. E dinim se, nëse do të sulmoheshim, kjo do të zgjaste shumë. Kam menduar shumë herë se ukrainasit duhet t'i menaxhojnë pritshmëritë e tyre dhe se “lodhja prej dhembshurisë” është e pashmangshme nga perëndimi. Por, ukrainasit nuk po kërkojnë dhembshuri: kërkojmë solidaritet. Jemi luftëtarë, jo viktima të pafuqishme.

Po, ukrainasit po përshtaten me luftën dhe po përpiqen ta bëjnë jetën e përditshme më të durueshme, siç dëshmojnë njerëzit që vendosin lule pranë shtretërve të tyre në metronë e Kharkivit. Por, kjo nuk do të thotë se duhet ta normalizojmë konfliktin. Diskutimet për rindërtimin e vendit dhe fitoren nuk vijnë nga naiviteti: ato janë të rrënjosura në njohurinë se nuk mund ta përballojmë humbjen e energjisë dhe kohës duke shpjeguar se pse gjërat janë të pamundura. Duhet ta ruajmë forcën tonë për të vërtetuar se e kundërta është e vërtetë.

Në Kiev, kohët e fundit kalova pranë një librarie që ende ishte e hapur. Shiste çorape qesharake me frazat famëkeqe si “Anija ruse, shko q…”. Në etiketën e njërës palë shkruhej: “Punuar me 92 për qind pambuk, tetë për qind stilastik, 100 për qind besim në Ukrainë”. /Telegrafi/

The post Supozohej se bombat e Putinit do të na thyejnë në Ukrainë, por e bënë të kundërtën appeared first on Telegrafi.

Sa fetarë janë tiranasit?

Posted: 28 May 2022 04:07 AM PDT

Nga një anketim rreth besimeve fetare në kryeqendrën e vendit, që e zhvillova para ca kohësh me anketues të shpërndarë në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë(me kuota përpjestimore demografike e gjeografike për secilën nga 24 njësitë administrative brenda katërkëndëshit Krrabë-Shëngjergj-Zall Herr-Ndroq), më rezultoi se besimi fetar në popullsinë e rritur tiranase ka shpërndarjen e paraqitur në Tabelën 1.

Marzhi i gabimit statistikor rreth përqindjes së besimtarëve sunitë është plus/minus 3.1 pikë përqindje (për besimet e tjera marzhi është më i vogël, sepse sa më e vogël është përqindja e një treguesi në anketim, aq më i vogël është intervali i gabimit rreth tij).

Por, sa të devotshëm janë tiranasit ndaj besimit të tyre fetar? Në mënyrë të tërthortë, përgjigjen e kësaj pyetje e marrim duke kryqëzuar pyetjen paraardhëse me përgjigjet e pyetjes tjetër në anketim: "Sa shpesh i frekuentoni shërbimet/ceremonitë fetare?". Përgjgjet e të anketuarve (Tabela 2) tregojnë që më shumë se gjysma e "besimtarëve" të vetëdeklaruar nuk ndjekin ose rrallë ndjekin shërbime/ceremoni fetare.

The post Sa fetarë janë tiranasit? appeared first on Telegrafi.

A po lodhemi ne nga Evropa apo Ballkani po harrohet në sirtar?!

Posted: 27 May 2022 12:18 PM PDT

Ballkani nuk ka "më" se çfarë t'i japë Bashkimit Evropian. I kemi dhënë angazhimin tonë politik, kahjen e preferencave të publikut dhe mbi të gjitha frymën. Pikën më "të ulët" të mbështetjes, opinioni publik shqiptar e arriti në vitin 2011, ku rezultoi se vetëm 80.7 për qind e shqiptarëve e mbështesnin integrimin në familjen evropiane, krahasuar me 93.4 për qind të një viti më parë (Perspektiva Evropiane e Shqipërisë, 2011). Ky perceptim ka lëvizur fare pak në këtë dekadë, paçka se euro-skepticizmi si inerci e krizës ekonomike, në veçanti asaj të eurozonës, gati e shembi ngrehinën e besimit për BE-në pak vite më parë. Ende ne, qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas, mbetemi entuziastë dhe të flaktë ndaj anëtarësimit në BE. Kjo prirje llogaritet qysh pas viteve të cilat datojnë rënien e Murit të Berlinit, ndërsa sot, ne kontribuojmë me frymën dhe sidomos një pjesë të emigracionit, e cila nga ana e saj mban identitetin e dyzuar të vendit të origjinës dhe atij mikpritës evropian.
Ani pse ka një sens pozitiv prej euro-parlamentarëve: Pak ditë më parë (19.05.22), parlamenti i BE-së në seancë plenare miratoi raportin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (MV) lidhur me progresin drejt anëtarësimit në BE. Theksi shkoi më shumë tek kontradikta mes Bullgarinë dhe MV, ku u kërkua të zgjidhet mosmarrëveshja historiko – kulturore mes tyre por pa e kushtëzuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kriteret e anëtarësimit në BE janë si pikat e Urdhëresës së Madhe, që do të thotë duhet të zbatohen apriori prej vendeve kandidate (lufta ndaj krimit, reformimi i gjyqësorit, garantimi i lirisë së mediave, çrrënjosja e korrupsionit, forcimi i shtetit të së drejtës). Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të mëdha po këto janë ende të pamjaftueshme për anëtarët e BE-së. Këtu heqim deridiku stigmën që kanë ende qarqe ndaj nesh. Për fat ka një frymë pozitive kontinentale në muajt e fundit dhe nga kjo pritet një lajm pozitiv në qershor, e cila nuk është se do bëjë ndonjë diferencë të madhe, pasi hapi që po bën Shqipëria dhe MV është thjesht procedurial. Ose si e shprehu në parashtrimin e vet me të drejtë Isabel Santos, raportuesja e PE për Shqipërinë:

"Është e drejtë që Këshilli Evropian më në fund të hapë negociatat e vonuara me Shqipërinë. Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar i cili është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshme për pranimin. Është koha për të kaluar në negociata formale dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian". Dhe, vërtetë Raporti i PE-së për Shqipërinë u miratua me votat pro të 519 euro-deputetëve nga 599 syresh, të pranishëm atë ditë në seancën plenare. Po a ka mundësi për shpresë dhe optimizëm? E dyshimtë. Charles Michel që do të ishte pak orë pas këtij votimi në Tiranë të mërkurën (18.05) e javës së shkuar, propozoi në Bruksel në Komitetin Social dhe Ekonomik Evropian ,"krijimin e një bashkësie gjeopolitike ku do të përfshihen vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE" që nënkupton edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Burimet zyrtare do referonin faktin e cituar te Presidenti i KE-së, Michel, se: "ekziston një bashkësi gjeopolitike, që përfshin hapësirën nga Reikjaviku deri në Baku apo Jerevan, nga Oslo deri në Ankara. Jam thellësisht i bindur se nga kjo hapësirë gjeopolitike duhet konfirmuar si një realitet politik. Dhe kjo duhet bërë menjëherë",

Për të hequr keqkuptimet dhe sidomos shpresat burokrati i Brukselit do të sqaronte qartë se:

"Kjo nismë, në asnjë mënyrë nuk shkon në drejtim të zëvendësimit të zgjerimit të BE apo të krijimit të një argumenti të ri për ngadalësim të procesit. Për ato vende që marrin pjesë në Bashkësinë Gjeopolitike Evropiane kjo nuk është garanci se një ditë do të jenë anëtare të BE-së".

Ambiguiteti i tij dhe asaj që përfaqëson do të zbulohej me një togfjalësh tjetër, përdorur në Tiranë lidhur me asociimin që bën të kuptohet se pengesat nuk do ndalen në të ardhmen pasi dukshëm janë një mal syresh, që ia bëjnë udhën e vështirë komunitetit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Nëse nuk do ishte kërkesa entuziaste e Ukrainës dhe gatishmëria për ta pritur në familje, evropianët nuk do e kujtonin të ashtuquajturën "lodhja nga zgjerimi", nga e cila këqyret përpjekja e Ballkanit Perëndimor. Në fakt, empatia për Kievin s'është se e ka zbutur shumë perceptimin evropian, ku të dhënat e Eurobarometrit-2013, që nuk ndryshojnë aq shumë me ato të fundit, do nxirrnin një shifër të mbi 60 për qind e evropianëve, të cilët kundërshtonin çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së. Kjo lidhej me shqetësimin e tyre për aftësinë e Bashkimit për të absorbuar vende të reja, qoftë politikisht apo kulturalisht, referuar ekspertëve, që do i shqyrtonin këto dokumentacione.

Tronditja kishte nisur pothuaj një dekadë më parë në vitin 2005, kur Kushtetuta Evropiane u hodh poshtë me referendume nga publiku francez dhe ai holandez. Angazhimi financiar i BE-së me Portugalinë dhe sidomos me Greqinë dhe kostoja për të shpëtuar ekonomitë e ashtuquajtura "të mbaruara" i bënte përfaqësuesit e BE-së të ishin skeptikë për zgjerimin e mëtejshëm, fillimisht për të qenë korrektësisht politikisht me parlamentet dhe sidomos me zonat e tyre elektorale. Nga ana tjetër, llogaritja si barrë për taksat e shtuara të qytetarëve evropianë prej varfërisë së Ballkanit Perëndimor dhe sidomos krizat e vazhdueshme, që e kaplojnë rajonin, e gjente mirëkuptimin e arsyetimit.

Në ditët tona, zvarritja e hapjes së negociatave po qëllon shumë e mundimshme për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, ku kjo e fundit parashihet se mund të ketë deri përplasje për shkak të zhgënjimeve të mëdha prej lëshimeve të shumta, që ka bërë deri te identiteti; kurse Shqipëria që duket më e qetë mund të jetë në çdo moment pjesë destabilizmi, falë dhe mëtimeve të opozitës që po kërkon momentin për protestat. Mali i Zi është i paqartë për shkak të një qeverie të re dhe brishtësisë së koalicionit por edhe kundërshtive të partive pro-serbe dhe atyre ruse; ashtu si Serbia, nga ana tjetër është duke marrë goditje të mëdha nga pushteti i presidentit Vuçiç. Nuk mund të flasim për Bosnjën që është jashtëzakonisht e rrezikuar dhe Kosovën me pengesat e pafundme që i bëhen nga të gjitha anët. Kjo e ka bërë Rusinë, që me të gjithë potencialin e saj të mundohet të luajë si duhet fijet që nga ato ekonomike deri në lidhjet e shkurtra politike, ashtu si Turqia po mundohet të këqyrë me kujdes por pa e përsëritur si dikur ideologjinë e Neo-Otomanizmit për qasje të tjera. Dhe, deri tani ka arritur të futet bindshëm në Bosnjë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Serbi, Kosovë …

Të mjafton të njohësh historinë e përpjekjes së pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut të kuptosh se BE-ja jo thjesht ka aplikuar standarde të ndryshme dhe jo-reale të anëtarësimit për secilin vend në shqyrtim. Në fakt, i ashtuquajturi "integrimi i diferencuar" tashmë konsiderohet si një çështje e diskutueshme në Ballkan, ku specialistët që e shikojnë pozitivisht, e llogarisin si mundësi që çdo vend të përmbushë standardet e anëtarësimit me ritmin e vet, kurse nga ana negative, kjo lloj politike është jo thjesht jokonsistente por edhe diskriminuese.

Paradoksi është se ndërsa Shqipëria dhe Kosova respektivisht me vokacione më të larta integrimi (janë mbështetëset më të zjarrta të BE-së në rajon, me respektivisht 87 për qind dhe 75 për qind, duke e parë anëtarësimin si një zhvillim tejet pozitiv (Balkan Barometer 2020)), u ballafaqohen edhe pengesat më të mëdha.

Duket se BE-ja nuk e përtyp dot politikën e viteve të shkuara të anëtarësimit, derisa gjuha cinike e presidentit të KE-së, Jean-Claude Junckers, e tregoi gati institucionalisht se: BE-ja nuk do të pranonte më asnjë vend gjatë mandatit të tij, pra deri në vitin 2019. Dhe, emëruesi i të gjithës është i njohur: "kostoja" e pranimit të një anëtari të ri tejkalon çdo përfitim që mund të rrjedhë nga anëtarësimi i tij. Për hir të së vërtetës, goditja më e madhe për Ballkanin Perëndimor erdhi pas pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007, dhe ritmit të ngadaltë të ndryshimeve politike dhe ekonomike që ndodhën prej atëherë me këto vende. Kurse rasti i Polonisë dhe sidomos i Hungarisë, tregoi se evropiano-lindorët jo thjesht ishin të pabindur por edhe rrëshqitën në autokraci dhe hera-herës kaluan në sfida të hapura me Brukselin, duke na lënë faturën e hidhur të anëtarësimit… ne shteteve të mbetura të Ballkanit Perëndimor.

Për fat, është sërish Brukseli që po jep mesazhe shprese. Ekspertët mendojnë se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten jashtë BE-së për një kohë të pacaktuar, kostoja do jetë e rëndë për brukselin. E gjithë hapësira do jetë një vrimë të zezë në rritje në Evropën Juglindore, që do të thoshte se: Kjo do ndikonte edhe më tej në forcimin e regjimeve autokratike, ashtu si po ndodh në fakt në Ballkan me liderët e sotëm të Serbisë, Shqipërisë e Kosovës, kurse mungesa e shpresës do ndikonte në rënien ekonomike dhe politike, e cila do ta ndihte shumë krimin e organizuar dhe inkurajimin e emigrimit të mëtejshëm, që nuk njeh më ndalesë. Ndaj, duket se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duke pasur një pikëpamje veçanërisht pozitive për SHBA-në po mundohen të luajnë zgjuar duke dashur të zgjedhin të kultivojnë një partneritet më të dukshëm dhe prioritar transatlantik si një lloj presioni.

Në fund, nëse Brukseli do të vazhdojë kështu, do ta ulë frymën pro evropiane në dy vendet tona. Pak muaj më parë, përballja me problemin e refugjatëve si edhe emigrantëve por më së shumti i Covid-19 e ka vënë në provë të madhe projektin e Evropës së Bashkuar. Fakt, që po e ndih shumë fuqinë autokratike të qeverive të Ballkanit por sidomos stigmën ndaj BE-së, që duket se e ka harruar Ballkanin. Të paktën, mjafton të dëgjosh deklaratat ambigue të nëpunësve të Brukselit të kuptosh se rajoni tashmë tollovitet i harruar në sirtarët e BE-së. /Homo Albanicus/Liberale/

The post A po lodhemi ne nga Evropa apo Ballkani po harrohet në sirtar?! appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more