Skip to main content

“Pandemia e gënjeshtrës” plus 4 more Telegrafi Opinione

“Pandemia e gënjeshtrës” plus 4 more Telegrafi Opinione


Pandemia e gënjeshtrës

Posted: 30 Mar 2022 09:19 AM PDT

Titulli origjinal: Putini po e shfrytëzon makinën e gënjeshtrës, por nuk e shpiku atë. Historia britanike po ashtu është me plot të pavërteta

Nga: George Monbiot / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Për sirianët që kanë vuajtur sulmet e tij, janë shumë të njohura gënjeshtrat e Kremlinit për Ukrainën. Duke këmbëngulur se viktimat e bombardimeve janë “aktorë të krizës”, duke i përhapur gënjeshtrat për armët kimike, duke e justifikuar vrasjen masive të civilëve nën pretendimin se kushdo që reziston është “nazist” (në Ukrainë) ose “prerës kokash” (në Siri) – taktikat e tij të dezinformimit janë tashmë të njohura.

Gënjeshtra e organizuar e ka shkatërruar pak a shumë të majtën amerikane dhe e ka dëmtuar rëndë të majtën evropiane. Siç më 2019 dokumentoi aktivisti Terry Burke, opozita e majtë e Donald Trumpit u shemb nga mosmarrëveshjet e brendshme e të furishme rreth Sirisë dhe të ndërhyrjes ruse në politikën e ShBA-së, gjithë kjo nga figurat e shquara që i recitonin gënjeshtrat e Kremlinit. Disa prej tyre dolën se ishin paguar nga qeveria ruse.

Gënjeshtrat e tilla janë gjithashtu të njohura për ukrainasit. Gjatë Holodomorit (zia e bukës në vitet 1930 e përkeqësuar nga politikat e Josif Stalinit) – ku besohet se kanë vdekur nga 3-5 milionë njerëz – qëndrimi i Kremlinit ishte se fshatarët kanë shumë ushqim, por se e fshihnin atë. Në disa raste, ata madje vdisnin qëllimisht nga uria. Them se mund ta quani metodë e aktrimit të krizës.

Makineria aktuale e dezinformimit rus është fajësuar për atë që tani e shohim si “krizë epistemike” – kolapsi i pranimit të përbashkët të mjeteve përmes të cilave dallohet e vërteta.

Duhet ta kundërshtojmë dhe ta ekspozojmë gënjeshtrën e Kremlinit. Por, të thuash se sulmi publik ndaj së vërtetës është gjë e re, ose vetëm ruse, kjo po ashtu është dezinformatë. Për shumë breza, në vendet si Britania e Madhe nuk kishte krizë epistemike – por, kjo nuk ndodhi nga përkushtimi i përbashkët ndaj së vërtetës. Ishte kështu sepse kishim përkushtim të përbashkët kundër gënjeshtrave.

E përmenda Holodomorin, por le t’ia hedhim një sy një urie tjetër të keqe: në Bengal, në 1943-1944. Rreth tre milion njerëz vdiqën. Ashtu si në Ukrainë, ngjarjet natyrore dhe politike i shtynë njerëzit të preken nga uria. Por, edhe në këtë rast, politika qeveritare e shndërroi krizën në katastrofë. Hulumtimi nga ekonomisti indian, Utsa Patnaik, thotë se inflacioni që bëri që ushqimi të mos jetë i qasshëm nga të varfrit, u projektua qëllimisht nga politika e konceptuar nga ai heroi i liberalizmit britanik, John Maynard Keynes. Autoritetet koloniale e përdorën inflacionin, siç ka thënë Keynes, për ta “reduktuar konsumin e të varfërve” në mënyrë që të nxirrnin pasuri për t'i mbështetur angazhimet e luftës. Derisa hulumtimi i Patnaikut nuk u publikua më 2018, nuk ishim në dijeni për shkallën në të cilën u ndërtua uria e Bengalit. Fshehja e Britanisë ishte më efektive se e Stalinit.

Zitë e bukës të krijuara nga nënmbreti i Indisë, nga Lordi Lytton në vitet 1870, janë edhe më pak të njohura ndonëse, sipas librit "Holokaustet e vona viktoriane" nga autori Mike Davis, ato vranë 12-29 milionë njerëz. Tek kur më 2005 botohet libri i shkruar nga Caroline Elkins, "Gulagu i Britanisë", zbuluam se Britania e Madhe e kishte drejtuar një sistem kampesh përqendrimi dhe të “fshatrave të mbyllura” në Keni, në vitet 1950, ku u fut pothuajse e tërë popullsia kikuju. Me mijëra u torturuan dhe u vranë ose vdiqën nga uria e nga sëmundjet. Pothuajse të gjitha dokumentet që i regjistronin këto krime të mëdha, u dogjën ose u hodhën sistematikisht në det me arkat e rënda të prodhuara nga qeveria britanike. E, ato u zëvendësuan me dosje false. Në mënyrë të ngjashme u fshinë dëshmitë e mizorive koloniale britanike në Malaja, në Jemen, në Aden, në Qipro dhe në Ishujt Çagos.

Ashtu siç Kremlini e kërkon fushatën e dezinformimit për ta justifikuar agresionin e tij perandorak në Ukrainë, Perandoria Britanike gjithashtu kishte nevojë për një sistem gënjeshtrash gjithëpërfshirëse. Jo vetëm që krimet tona perandorake u fshinë nga të dosjet, por një ideologji e tërë – racizmi – u ndërtua për ta justifikuar vrasjen, plaçkitjen dhe skllavërimin e njerëzve tjerë.

Në fund të serisë së shkëlqyer të podkasteve të BBC-së rreth QAnon-in, "Stuhia që vjen", Gabriel Gatehouse u ankua për humbjen e një “kornize të përbashkët referimi” dhe për një “ndjesi të përbashkët të realitetit”. Jam dakord me të në lidhje me rrezikun e teorive konspirative, por duhet të kujtojmë se kur kishim kornizë të përbashkët referimi dhe ndjenjë të përbashkët të realitetit, ato u ndërtuan mbi gënjeshtrat. Pothuajse të gjithë në Britani besonin se perandoria ishte forcë për të mirën dhe se kishim detyrë të shenjtë – “barrën e të bardhëve” – ose t’i shtypnim ose t’i “civilizonim” ato raca që i etiketuam “inferiore” dhe “të egra”. Pothuajse të gjithë besuan te gënjeshtrat e heroizmit kombëtar, te gënjeshtrat e kurorës, gënjeshtrat e kishës dhe gënjeshtrat e rendit shoqëror.

Por, shumica prej nesh kanë dalë nga ajo epokë, apo jo? Jemi më skeptikë, më pak besojmë verbërisht. Shumica prej nesh i njohin marrëzitë kur i shohin. Vërtet? Pra, si mund ta shpjegojmë faktin se pothuajse të gjithë në jetën publike pajtohen me të njëjtin grup besimesh absurde? Le t'i lëmë mënjanë teoritë e egra të konspiracionit të së djathtës ekstreme, edhe pse ato tani kanë filluar ta infektojnë të djathtën normale. Le të përqendrohemi në gamën “e pranueshme” të opinionit politik.

Pothuajse të gjithë ata që shfaqen në media, në pothuajse gjithë spektrin politik, duket se e pranojnë se rritja ekonomike mundet dhe duhet të vazhdojë pafundësisht në një planet të kufizuar. Pothuajse të gjithë besojnë se ne duhet të ndërmarrim veprime për ta mbrojtur jetën në Tokë, por vetëm kur kjo nuk kushton shumë. Edhe atëherë duhet të shmangim kompromisin e fitimeve të industrive të trashëguara. Duket se besojnë se diçka që ata e quajnë “ekonomi” ka përparësi ndaj sistemeve tona të mbështetjes së jetës.

Ata besojnë po ashtu se është disi i pranueshëm përvetësimi i papenguar i pasurisë së madhe nga pak njerëz. Ata besojnë se janë të pamundura taksat e duhura për ta thyer ciklin e akumulimit dhe për rishpërndarje të pasurisë ekstreme. Ata besojnë se është në rregull nëse i lejon një grusht miliarderësh me para të pista që ta kontrollojnë median, ta përcaktojnë agjendën politike dhe të na tregojnë se ku janë interesat tona më të mira. Ata besojnë se ne duhet ta premtojmë besnikërinë e padiskutueshme ndaj një sistemi që e quajmë kapitalizëm, edhe pse nuk janë në gjendje ta përkufizojnë e lëre më të parashikojnë se ku mund të shkojë.

Nuk duhet terrori apo tortura për t’i bindur njerëzit që të përshtaten me këto besime të çmendura. Në një farë mënyre, sistemi ynë i gënjeshtrës së organizuar e ka krijuar një klasë të tërë politikanësh, zyrtarësh, komentuesish mediash, liderësh kulturorë, akademikësh dhe intelektualësh që e tundin kokën bashkë me ta. Duke i lexuar rrëfimet e terrorit të shekullit XX, më del se dikur kishte më shumë mospajtime mes intelektualëve që përballeshin me regjimet totalitare sesa në epokën tonë të lirisë dhe zgjedhjes.

Në rregull, kemi krizë të së vërtetës. Por, kjo është shumë më e thellë dhe më e gjerë se ajo që e pranojmë. Ndoshta gënjeshtra më e madhe prej të gjithave është se kriza kufizohet në gënjeshtrat e Kremlinit dhe te teoritë e konspiracionit të së djathtës ekstreme. Përkundrazi, është sistematike dhe pothuajse universale. /Telegrafi/

 

 

The post Pandemia e gënjeshtrës appeared first on Telegrafi.

Vonesa e Perëndimit në raport me Rusinë

Posted: 30 Mar 2022 08:24 AM PDT

Perëndimi ka fajet dhe kusuret e veta, çka po nënvizohet nga shumë ekspertë dhe politologë të huaj me emër. Natyrisht, as që bëhet fjalë për të vendosur shenjën e barazimit midis gabimeve dhe fajeve të Putinit me mangësitë e vonesat e Perëndimit. Por, për ta parë situatën në sy, për të qenë realistë, dhe për të shmangur në të ardhmen e afërt dukuritë, akterët dhe faktorët negativë të mëposhtëm, me qëllim që të mos ketë më "Putinë" të tjerë.

Le të ndalemi shkurt në dhjetë minuse, mungesa dhe vonesa që ka shfaqur Aleanca Perëndimore në qëndrimet ndaj Rusisë në këto 30 vitet e fundit.

Së pari, siç konstatojnë disa politologë, në vitet 1990 ShBA-ja dhe BE-ja u morën goxha me diktatura në vende më të vogla, por jo aq sa duhej me fatet e Rusisë. Ndryshimi i madh në vitet 1990 krijoi eufori të tepruar; kjo dhe mbi bazën e pohimit të gabuar të Fukuyamas së famshëm, sipas të cilit rënia e Murit të Berlinit shënoi fundin e historisë. Kur në fakt, siç ka pohuar presidenti gjerman Walter Steinmeier, ai ishte vetëm "stacioni i fillimit drejt demokracisë". Politologu i mirënjohur francez James Rupnik e ka quajtur me të drejtë Rusinë si "punë e pambaruar e Perëndimit". Ky i fundit praktikisht nuk e mbështeti Gorbaçovin dhe pas shembjes së ish-BRSS-së e la atë me fjalët e Jelcinit "president pa shtet". Veç kësaj, është marrë si i mirëqenë krijimi i një botë të re unipolare me ShBA-në në krye.

Ndërsa, nga vitet 2000 e këtej, ShBA-ja dhe Perëndimi në përgjithësi kanë ndjekur ndaj Rusisë politikën "tërhiq e mos e këput"; me një nënvleftësim të habitshëm ndaj saj, madje dhe pas vitit 2007, kur Putini i shprehu hapur ambiciet për një arkitekturë te re sigurie në Evropë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Munih. Po, ka patur përpjekje dhe demarshe, por pa ritmin e duhur derisa gjërat ngecën në mes të rrugës. Më shumë ka patur një trajtim libresk akademik, duke u marrë shumicën e kohës nëse Rusia ishte "partner apo rival, konkurent" .

Edhe Administrata e presidentit Biden e nënvleftësoi Rusinë, duke e kaluar përparësinë e saj në Paqësor. U harrua se ndonëse në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare Rusia nuk ka ndonjë rol të madh, në fushën e sigurisë, sidomos asaj evropiane, ajo të prish shumë punë!

Për ironi të fatit, BE-ja dhe NATO-ja u vonuan shumë në hartimin dhe miratimin e strategjive të veprimit ndaj Rusisë. Kështu, pas disa vitesh përgatitje, NATO do të miratojë këtë Kompas strategjik në Samitin e saj në qershor, ndërsa BE-ja e miratoi këtë mars, me ndryshimet e diktuara nga situata në teren.

Pengesa, vonesa dhe mungesa të mëdha, për të mos përdorur termin dështim kanë pësuar NATO dhe BE, politikisht dhe ushtarakisht, në disa zona të nxehta konfliktesh, sidomos në Irak, Siri, Libi; në këto të fundit, u desh ndërhyrja ruse dhe turke për rivendosjen e situatës. Ndërsa, BE-ja doli vërtet "jashtë loje". Së fundi dhe më dramatikja, tërheqja kaotike e NATO-s nga Afganistani pas dështimit 20 vjeçar atje i dha dhe më shumë zemër Putinit.

Sa për BE-në, megjithë premtimet, samitet dhe reformat, ajo ka mbetur siç e ka sintetizuar 31 vjet më parë ish kryediplomati belg, Mark Eyskens, "gjigand ekonomik, xhuxhmaxhuxh politik dhe krimb ushtarak".

Duke vijuar me ShBA-të, ish Presidenca Trump në vend të ndihmonte për një zgjidhje të qëndrueshme, u bë pjesë e madhe e problemit dhe për aleatët evropianë. Duke hequr dorë nga diplomacia shumëpalëshe, ShBA-ja u largua nga 10 organizata ndërkombëtare, përfshirë OBSh-në në kulmin e koronavirusit, duke i lënë hapësirë të lirë veprimi Rusisë dhe Kinës. Të dyja u zgjodhën në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së me seli në Gjenevë fill pas largimit prej saj të ShBA-së. Sulmi mbi Kapitol Hill më 6 Janar 2021 hodhi jo pak hije dyshimi mbi demokracinë amerikane.

Vende të BE-së dhe NATO-s, duke filluar nga Gjermania hoqën dorë nga planet e fuqizimit dhe modernizimit të ushtrisë dhe mbrojtjes, duke iu përkushtuar pacifizmit, begatisë ekonomike dhe paqes sociale. Bundesuehri u katandis si mos më keq, pa fonde, me shumë defekte dhe mangësi të palejueshme për shtetin më të madh të BE-së. Përkundër thirrjeve të përsëritura, Gjermania nuk e ka realizuar ende kuotën prej dy për qind të GDP-së për NATO-n dhe e ka patur të ndaluar dërgimin e armëve në zona konfliktesh.

Më tej, në vend të merreshin masa për kufizimin e importeve, veçanërisht pas vitit 2014, BE dhe Gjermania e shtuan më tej vartësinë ndaj gazit dhe naftës ruse, nga 25 për qind më 2014 në 37 për qind aktualisht.

Gjithsesi, gabimi më i madh gjeostrategjik i BE-së ka të bëjë me zbatimin pa kritere dhe garancitë e nevojshme të modelit të liberalizmit ekonomik. E nisur nga mendimi se globalizmi, bashkë me shtimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare me Rusinë do të çonte drejt krijimit të një tregu të madh. Ky i fundit do të qetësonte politikën dhe do ta kthente Rusinë nga një rival, në konkurrent dhe partner tregtar të sigurt, pa rreziqe sigurie. Askush nuk ia vuri veshin politikanit emblematik 94 vjeçar Claus von Dohanyi, ministri i vetëm i gjallë i qeverisë Brandt në vitet 1970, se "Putini dhe Xi Pin Jin nuk ndryshojnë". Këtë prirje e përforcoi më tej ish-presidenti Trump, i cili e bëri ekonominë dhe tregtinë përparësi absolute të politikës së jashtme dhe "kurën magjike" për çdo problem politik, duke përfshirë Çështjen Palestineze dhe dialogun Prishtinë-Beograd.

Nisur nga ideja e mësipërme naive, BE-ja ka bërë "një sy qorr dhe një vesh shurdh" ndaj shkeljes të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga ana e Rusisë. Pavarësisht nga deklarimet BE-ja ka vënë sistematikisht interesat e biznesit, mbi vlerat dhe parimet e saj themelore, realpolitikën mbi diplomacinë misionare. Natyrisht BE-ja ka shprehur reagimet e saj mbas aneksimit të Krimesë dhe persekutimit të përfaqësuesve të opozitës ruse; gjithsesi, ato ishin "kozmetike" me sanksione që nuk i "futën gjemb në këmbë Rusisë".

Tipikë për këtë politikë favorizuese ndaj Rusisë ishte Gjermania dhe kancelarja Merkel; jo vetëm me Rusinë, por dhe me vende të tjera mbështetej stabiliteti më shumë se demokracia dhe shteti i të drejtës, derisa "nuk mbante më ujë pilafi". Mjafton të përmendim se veç Putinit, miq të ngushtë të Merkelit ishin Borisovi bullgar, Orbani hungarez dhe Vuçiqi serb, pikërisht falë interesave gjigande të biznesit gjerman në ato vende.

Më tej, sherret, grindjet dhe mosmarrëveshjet mes Aleancës e kanë dëmtuar kohezionin politik dhe operativ të BE-së dhe NATO-s. Sidomos katër vitet e fundit me ish-presidentin Trump ishin tejet negative për to. Dihen tashmë fërkimet e mëdha brenda NATO-s – Greqi-Turqi, Francë-Turqi, Turqi-ShBA, madje dhe Francë-Gjermani lidhur me ushtrinë evropiane, kur njëra kërkon sovranitet, tjetra autonomi ushtarake!

BREXIT-i ishte padyshim rasti më problematik brenda BE-së me sfidat dhe të papriturat e tij, një lajm shumë i mirëpritur për Putinin dhe Trumpin. Madje, Trump shkoi aq larg sa dërgoi në Bruksel në vitin 2019 ish-këshilltarin e tij, Steve Bannon, për të organizuar ekstremistët e djathtë e për t'ua kundërvënë forcave të moderuara evropiane në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e ri Evropian. Për fat të mirë ai dështoi me turp dhe sot është përpara drejtësisë.

Po ashtu, katër vendet e Visegradit kanë dalë me teorinë e "demokracisë liberale" duke u paditur në instancat evropiane të drejtësisë për shkak të shkeljes së parimeve dhe vlerave themelore të BE-së.

Këto dhe të tjera ngjarje shqetësuese Euro-Atlantike janë nuhatur dhe shfrytëzuar nga Rusia dhe Kina, për të shtrirë më tej ndikimin dhe kontrollin e tyre.

"Karrem" tjetër për Rusinë ka qenë zgjatja e procesit të zgjerimit evropian drejt lindjes, paqartësitë dhe dyshimet e ngritura. Pas tetë vendeve ish-lindore më 2007, vetëm Kroacia është anëtarësuar më 2013, ndërsa negociatat janë çelur vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, por dhe ato kanë ngecur në vend. Nëse vendeve të tjera lindore iu deshën jo më shumë se 15 vjet për t'u anëtarësuar, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë 20 vite që presin "në radhë" pa ndonjë perspektivë të qartë kohore. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përkatësisht 17 dhe tetë vjet që presin. Kjo dhe për faj të klasave politike në vendet tona, dukurive shqetësuese, sidomos krimit, korrupsionit, sundimit të ligjit  etj. ndaj të cilave as ShBA-ja dhe as BE-ja nuk të falin më.

Fatmirësisht, tani Perëndimi po nxjerr mësimet e duhura nga pësimet e këtyre 30 vjetëve të fundit dhe konkretisht në marrëdhëniet e tij me Rusinë; gjithashtu, po nxiton për të kompensuar kohën e madhe të humbur dhe për të ndërmarrë veprime që nuk imagjinoheshin më parë. Kështu, BE-ja do t'i japë fund vartësisë së saj nga gazi rus, jo më në 2050 siç parashikonte para një viti, as më 2030 para një muaji, por më 2027, një kohë rekord kjo! Më 27 shkurt, Bundestagu gjerman bëri një "revolucion" të vërtetë" në politikën e jashtme me anulimin e Gazsjellësit Nord Stream II me Rusinë, që ishte kthyer në "mollë sherri" Euro-Atlantike, livrimin e ndihmave të shumta ushtarake për Ukrainën duke hequr dorë nga embargoja e tyre historike, vendosja e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, rritja mbi dy për qind të GDP-së për NATO-n dhe mbi të gjitha krijimin e Fondit gjigand të Garancisë Ushtarake prej 100 miliardë euro!

Ndërkohë, Franca, në bashkëpunim me Turqinë dhe Greqinë, kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet e dikurshme dhe janë angazhuar në projekte për strehimin dhe sistemimin e qindra mijëra banorëve viktima të Mariupolit martir në Ukrainë dhe ky "katalog" i larmishëm ndihme e solidariteti të paparë perendimor vazhdon.

Mbi të gjitha, tri samitet e G7, BE-së dhe NATO-s brenda një date, më 25 mars në Bruksel, me praninë fizike të presidentit Biden, me vendimet e tyre shënuan kulmin e unitetit të pathyeshëm historik të Aleancës Perëndimore, sa herë vjen puna për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, vlerave dhe parimeve të saj themelore. Tashmë kambanat e alarmit po ushtojnë fort për Putinin, i cili e sheh veten si humbës i madh në të gjitha planet. Dhe, në fushën ushtarake, përkundër supremacinë ndaj Ukrainës heroike, siç "duken bathët" së shpejti mund të flitet vetëm për një "fitore si të Pirros".

The post Vonesa e Perëndimit në raport me Rusinë appeared first on Telegrafi.

Lufta e Ukrainës nuk është fundi i Donald Trumpit

Posted: 29 Mar 2022 09:25 AM PDT

Nga: Janan Ganesh / Financial Times
Përktheu: Telegrafi.com

Është aq e fuqishme dhe e famshme "Teoria e të çmendurve" e Richard Nixonit – për marrëdhëniet ndërkombëtare – sa që e vë në errësirë përfundimin. Në vitin 1968, presidenti i ardhshëm i ShBA-së shpresonte se do të përfitojë koncesione nga Vietnami i Veriut, duke e paralajmëruar se “mund të bëjë gjithçka” me arsenalin bërthamor të Amerikës. Aq shumë u trondit armiku nga ky kërcënim, saqë luftoi edhe për pesë vjet të tjera dhe, gjatë këtij rrugëtimi, i shkatërroi rreth 20 mijë jetë të tjera amerikane. I çmendur? Goxha.

Por, kjo kolumne nuk mëton të tregojë se gjëja e duhur në politikën e jashtme është nëse armikut i jep diçka më shumë seç duhet. Ata që sillen në mënyrë jo të duhur me SHBA-në, jo kudo dhe gjithmonë frenohen nga prania e një koke të nxehtë e të paqëndrueshme në Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo, pyetja është se çfarë mendojnë votuesit amerikanë për këtë. Duke gjykuar me 56 përqindëshin që e shohin Presidentin Joe Biden si “jo sa duhet të ashpër” ndaj Rusisë, dera tel të jetë e hapur për një lloj të liderit të ashpër amerikan.

Kriza në Ukrainë nuk është fundi i Donald Trumpit. Liberalët kanë të drejtë kur i përmendin flirtet e tij të kaluara me Kremlinin, por e mbivlerësojnë dëmin që kjo do t’ia sjellë votës së tij elektorale. Fillimisht, pak liderë perëndimorë të këtij shekulli kanë ndonjë histori për t'u mburrur në lidhje me raportet ndaj Rusisë. Bideni i përkiste një Shtëpie të Bardhë që i “resetoi” marrëdhëniet me Moskën, pas pushtimit të Gjeorgjisë në vitin 2008. Ish-shefi i tij, Barack Obama, e hodhi poshtë nocionin për Kremlinin si kërcënimin kryesor ndaj Amerikës. Më e mira që mund të thuhet për atë administratë – në lidhje me politikën ndaj Rusisë – është se ishte më e matur se ajo e Angela Merkelit. Po, Trumpi është i dëmtuar nga gjërat që thuhen për të, por jo në mënyrë të veçantë.

Problem tjetër – nëse përmendet e kaluara e tij – është citimi selektiv. Po, Trumpi i lajkatoi të fortët e huaj. Por, edhe i kërcënoi. Botëkuptimi i tij ka qenë gjithmonë përzierje e kontradiktave konfuze: lëvdata për tiranët, por edhe një shtytje e maço-konkurrencës me ta; shmangia e barrëve të huaja ushtarake, por edhe tmerri për çdo gjë që shfaqte dobësi apo tërheqje. Trajtimi i tij ndaj Kim Jong-unit të Koresë së Veriut ndërronte mes dashurisë atërore dhe reagimit për ta zhbërë nga planeti përmes armëve bërthamore. Në vitin 2017, ndryshe nga paraardhësi, ai e imponoi vijën e kuqe të Obamas kundër përdorimit të armëve kimike në Siri.

Shkurtimisht, Trumpi e plotëson përkufizimin e “çmendurisë” strategjike. Ai beson se një udhëheqës amerikan duhet të jetë i ashpër e madje i pamatur për ta mbrojtur paqen globale. Është bindje që i thjeshtëzon interpretimet. Mund të jetë arsyetim për gjërat që thjesht janë instinkte të tij të pakontrollueshme. Por, në sipërfaqet po del një besueshmëri më e madhe për këtë sesa disa muaj më parë.

Po të dilte tani me Bidenin në zgjedhje, imagjinoni aspektet e sulmit që i ka në dispozicion. A duhet vërtet një president amerikan të presë që Rusia ta pushtojë një vend e pastaj t'i vendosë sanksionet? A duhet të deklarojë paraprakisht (hiç më shumë se përmes cicërimave në Twitter) për atë çfarë nuk është i gatshëm të bëjë për Ukrainën? Çfarë ndodhi me ambiguitetin strategjik? Dhe, pse Trumpi është i vetmi lider amerikan i zgjedhur në këtë shekull, nën kontrollin e të cilit Vladimir Putini nuk e ka sulmuar ndonjë vend fqinj?

Nuk duhet të nxiteni nga këto pyetje (ose të mendoni se Trumpi ka pozitë morale për t’i bërë ato) për ta kuptuar ndryshimin që votuesit mund ta bëjnë. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, amerikanët i kanë zgjedhur për presidentë ata që e korrigjojnë për të mirë politikën e jashtme se paraardhësit. Biden doli nga shovinizmi i njëanshëm i Trumpit, i cili doli nga “mos udhëheqja” e Obamas, që doli nga shtrirja ushtarake e George W Bushit. Është lehtë të paramendohet këndvështrimi popullor për vitin 2024 se Bideni, me gjithë koordinimin e tij të shkathët me aleatët, është lider shumë konvencional për një epokë brutale. Logjika e tërheqjes politike do ta krijonte kështu skenën për Trumpin ose për dikën si ai.

Duke i parë gjërat nga ky kënd, gafa e supozuar i Bidenit e fundjavës së kaluar, ku doli se e miratonte ndryshimin e regjimit në Moskë, nuk është asgjë nga këto. E futi një element kaosi në një administratë që mund gabojë. Është mungesë kujdesi. Është zbutje e zjarrit.

Këtë muaj, pa e njoftuar Uashingtonin, Emiratet e Bashkuara Arabe e pritën në vizitë zyrtare liderin sirian Bashar al-Assad. Diku tjetër në rajon, princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ka thënë se nuk ia ndien se çfarë mendon Bideni. Po, ogure të vogla këto, por i shtohen fiaskos së vitit të kaluar në Afganistan dhe një republikan i shkathët mund ta përkufizojë ShBA-në si shtet naiv nën menaxhimin aktual.

Edhe kriza e Ukrainës, nëse zvarritet, do të konceptohet më shumë si rast i kujdesit të tepruar të Bidenit sesa e pafuqisë amerikane dhe e mosndëshkimit rus. Ajo që shpesh i duhet një politikani nuk janë faktet të reja, por interpretim i ri i fakteve ekzistuese. Një vend që lodhet nga Bideni si diplomat i kujdesshëm, do ta kërkojë një lider që “mund të bëjë gjithçka”. /Telegrafi/

The post Lufta e Ukrainës nuk është fundi i Donald Trumpit appeared first on Telegrafi.

Ra lufta në Ukrainë, u panë politika dhe komentariati

Posted: 29 Mar 2022 05:12 AM PDT

Shkrimet dhe prononcimet e komentariatit për luftën në Ukrainë, më saktë për agresionin e Rusisë së Putinit kundër një shteti të pavarur dhe sovran, të cilit ia konteston regjimi rus sovranitetin dhe integritetin territorial, madje vetë identitetin kombëtar ukrainasve, është dëshmi e qartë se sa keq duken prijësit politikë, madje burrështetas vendesh të fuqishme, në dritën e situatave të reja, në retrospektivë. Ngjashëm edhe vetë komentariati.

Në gjuhë të huaja do të mund të keshë lexuar muajin e fundit shkrime të shkëlqyeshme komentatorësh, publicistësh, shkrimtarësh, ish-politikanësh, madje dhe rusë, për gabimet që duket tash qartë se i kanë bërë liderët e vendeve perëndimore përballë Presidentit rus Vladimir Putin. Të bindin lehtë tash këto shkrime e prononcime në media për gabimet e pandehura që kanë bërë presidentët amerikanë, kancelarët gjermanë, presidentët francezë, kryeministrat britanikë. Pa përmendur të tjerë, jo pak të rëndësishëm.

'Kur të vijnë mendtë, s' ti hanë as qentë', thotë një proverb. Një tjetër, në shqip, 'si kofini pas të vjelave', për një situatë mbasi ka mbaruar puna, tepër vonë. Kjo vlen për politikanët dje dhe sot, por edhe për komentariatin gjithëherë.

Në retrospektivë – mbas kuvendit, në shqip, in hindsight, në anglisht – simbas një pjese të madhe komentatorësh sot, del se presidentët pararendës amerikanë që kanë qenë në detyrë në kohën e liderit rus Putin (si kryeministër, më shumë si president) – Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Donald Trump – i kanë pasur gabim jo rrallë politikat ndaj Rusisë së Putinit, me përjashtim ndoshta të Clintonit, mandati i të cilit ka përfunduar në fillim të presidencës Putin, që atëherë ishte ende e dobët, në vitin 2000. Bushi e vlerësoi të besueshëm Putinin fillimisht; Obama i kishte relacionet e ftohta me të, por reset-i i tij i marrëdhënieve të ShBA-ve me Rusinë dështoi; Trumpi e çmoi shumë, madje tepër, sa më shumë i besoi atij se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 sesa shërbimeve inteligjente amerikane. Presidenti Biden ka mbajtur qëndrime të forta ndaj Putinit edhe më herët. Do të duhet të presim se si do të duket në restrospektivë politika e tij ndaj liderit rus, të cilin e quajti 'kasap' së voni.  Përfundimi i luftës në Ukrainë, shkalla në të cilën kjo do të shënojë humbje apo fitore të Putinit, mund të jetë përcaktuese, sepse Presidenti Biden është zotuar për ndihmë të madhe amerikane për Ukrainën në përballje me Rusinë okupatore.

Gjermania e ka marrë së tepërmi me të mirë Putinin dhe Rusinë në këto njëzet e sa vjet, venerojnë tash komentatorët. Kancelari Gerhard Schroeder, socialdemokrat, tash është mik i Putinit, prej ish-liderëve të lartë që ende refuzon ta qortojë, lëre më të distancohet prej tij. Kancelarja Angela Merkel, në 16 vjetët e saj në krye të qeverisë gjermane, ka mbajtur qëndrim të butë ndaj tij, shkaku i interesave ekonomike gjermane, por edhe i një faji që gjermanët duket se nuk e kanë larë ende karshi rusëve nga Lufta II Botërore. Politikanja e urtë gjermane, liderja e Evropës një kohë, ndonëse nuk e kërkonte këtë rol, atëherë lavdohej, tash kritikohet pothuaj prej të gjithëve. I vetmi që e kritikonte ishte Presidenti Trump, që e kritikonte për varësinë ekonomike gjermane ndaj Rusisë, për mospërmbushjen e kërkesave të tij që vendet anëtare të NATO-s, duke përfshirë Gjermaninë, të ndanin 2% të buxhetit për ushtrinë.

Është paradoksale që kancelari i tashëm gjerman, socialdemokrati Olaf Scholz, së voni zëvendëskancelar në kohën e Merkelit, bëri kthesën 180-shkallëshe, duke vënë 100 miliardë shtesë për shpenzime ushtarake të Gjermanisë në vitin 2022, po shkon drejt 2%-shit të buxhetit për ushtri, ndërpreu gazsjellësin Nordstream 2, që s'e ndërprente Merkeli. Thënë shkurt, po bën atë që kërkonte Donald Trumpi.

Apologjistë të Putinit gjen në Perëndim si në kampin e majtë, ashtu edhe të djathtë. Disa politikanë ndoshta do të paguajnë një çmim për këtë në fund të fundit. Ta shohim nëse ndodh kjo në zgjedhjet e pritshme në disa vende evropiane. Në Serbi jo, sigurisht. Vuçiqi, përkrahësi i madh Putinit, ndoshta pikërisht për këtë arsye, do t'i fitojë bindshëm zgjedhjet këtë të dielë, më 3 prill.

E vërteta është se ato që për momentin duken vendime të mira dalin shpesh vendime të këqija në afat të gjatë. Janë vendime të mira taktikisht, për konsum të brendshëm, për shije të turmave, pas të cilave shkojnë liderët e këqinj, shpeshherë populistë. Liderët e mirë marrin vendime strategjike, që mund të mos jenë për qejfin e popullit hëpërhë, por që dalin mirë edhe për të në afat të gjatë. Soji i njerëzve që merr vendime të tilla është soj i prijësve. Të tillë ka gjithnjë e më pak te ne dhe në botë, për fat të keq.

The post Ra lufta në Ukrainë, u panë politika dhe komentariati appeared first on Telegrafi.

23 vjet nga Masakra e Belegut: Varre pa epitafe

Posted: 29 Mar 2022 03:46 AM PDT

Lëndina në mes të fshatit mbetet e zbrazët. Është vendi ku prej forcave serbe mblidhen e ekzekutohen 46 civilë shqiptarë – jo vetëm banorë të Belegut, por edhe të fshatrave përreth që lufta i kishte degdisur atë ditë marsi.

Buzë rrugës, si heroinë shtrihet përmendorja e martirëve. Të skalitur diku-diku qëndrojnë emrat e të rënëve, ndonëse shumica janë ende të pagjetur.

Varret e pakta, me eshtra brenda, sikur bëjnë thirrje për shokët e rënë? Sikur thërrasin se ku janë? Varre që presin një grusht eshtrash, tash e 23 vjet … Nëna, motra e fëmijë që presin me ankth për një lajm për më të dashurit e tyre, për një vend për t'i 'takuar'.

Deri kur?

Sa herë vjen pranvera, sa herë vjen marsi, më rifreskohen pamjet e Masakrës së Belegut. Në mendjen time kthehen, si në ekran, pamjet e asaj ngjarje të tmerrshme e çnjerëzore. Është kujtesa e një fëmije nëntëvjeçar që u ballafaqua me vdekjen.

Nuk guxoj ta harroj 29 marsin e vitit 1999, sidomos agun e asaj ditë nisi tmerri. Me qindra forca policore, ushtarake e njësi paramilitare serbe zbarkuan në Beleg. I tërë fshati ishte pushtuar. Njësitet paramilitare hynin shtëpi për shtëpi – duke djegur, torturuar e vrarë civilë shqiptarë. Muzgun e saj natë marsi e shndriste vetëm flaka e shtëpive të djegura. Në mes të fshatit u grumbulluan të gjithë banorët e Belegut e të fshatrave tjera që ishin aty. Burra, gra e fëmijë të gjunjëzuar, me tyta automatikësh mbi krye, po e prisnin ekzekutimin.

Në mëngjesin e 30 marsit 1999, forcat serbe – duke i rrahur e keqtrajtuar – i kishin depërtuar, me forcë drejt Shqipërisë, gratë, fëmijët e pleqtë, ndërsa burrat dhe disa të rinj – ende pa mbushur të tetëmbëdhjetat – i ndalën për t'i pushkatuar.

Edhe pse janë bërë përpjekje të vazhdueshme, shumica dërmuese e të rënëve në masakër mbesin të zhdukur. Ndonëse dihen emrat e krimineleve që vranë e masakruan banorët e fshatit Beleg, ende nuk ka ndonjë veprim konkret nga autoritetet serbe apo ato ndërkombëtare për dënimin e autorëve të këtij krimi.

Sipas dëshmive të shumta, dhënë nga dëshmitarët edhe Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, në masakrën e Belegut kanë marrë pjesë policia, ushtria e rregullt dhe paramilitarët serbë. Ata që e mbijetuan këtë masakër, në dëshmitë e tyre dhënë Tribunalit të Hagës, ICG-së, KMDLNJ-së etj., kanë thënë emrat e ekzekutorëve, si: Vukmir (Mitar) Mirçiq, kryeshef i MUP-it të Deçanit; Zoran (Millorad) Nikiq (1957) nga Dashninoci, komandant i stacionit policor të MUP-it në Deçan; Zoran (Momçilo) Gjurishiq (1966) nga Prapaqani, më herët polic komunikacioni në Deçan; Danillo (Momqillo) Gjurishiq (1965) nga Prapaqani; Sllavko Llaban nga Prapaqani;Daniell Stomatoviç, elektricist nga Prejlepi; Dejani që ka punuar te pasaportat; Jova Zeçeviq, Ratka Zeçeviq e Lubo (Jovan) Zeçeviq (1961) nga Drenoci (më herët shofer në shtëpinë e shëndetit në Deçan); polici Pero (Jovan) Zeçeviq (1967) nga Drenoci; Dushan Zeçoviq, Dragan Siniq e Dushan Knezheviq, kriminel lufte në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci; djemtë e Mushk Jakupit – Muharrem e Isuf Ibraj nga fshati Osek Hylë i Gjakovës etj.[1]

Polici Zoran Gjurishiq, në hyrje të shtëpisë së Naim Vishajt në Beleg, e kishte vrarë nga afërsia mësuesin Daut (Murat) Aliçkaj (1949). Pak më tutje e kishin ekzekutuar edhe Naim Vishajn dhe Nezir Vishajn.[2] 46 burra – në mesin e tyre adoleshentët si Faton Vishaj e Hasan Mazrekaj – u ekzekutuan më pas.

Kosova, si palë negociuese me Serbinë, në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjë kompromis me fatin e të zhdukurve. Si i mbijetuar i masakrës dhe si familjar i të rënëve, nuk do të mbesim të qetë përderisa në Serbi janë eshtrat e mbi 1600 personave në nivel Kosove (nga masakra e Belegut, vetëm 12 nga 46 të ekzekutuarit janë identifikuar).

Krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë, pavarësisht distancës kohore.

Personalisht e ndjej për obligim moral e kombëtar të punojë pareshtur në ndriçimin e rastit të secilit të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Varret pa epitafe tash e 23 vjet i kemi të zbrazëta.

__________

[1] Fetnete Ramosaj, Krimet serbe në Kosovë: pa apologji 2 me fakte kundër shpifjeve, Anatema, Prishtinë, 2008, faqe 200.

[2] Po aty.

Dy dekada nga Masakra e Belegut Dy dekada nga Masakra e Belegut

Të rënët në Masakrën e Belegut:

Shaqë (Curr) BINAKAJ
Hysni (Curr) BINAKAJ
Nezir (Ibish)VISHAJ
Naim (Daut) VISHAJ
Daut (Murat) ALIÇKAJ
Gëzim (Selmon) VISHAJ
Jetmir (Arif) MAZREKAJ
Qazim (Osë) HULAJ
Sadri (Adem) ZUKAJ
Shefqet (Curr) BELEGU
Shaban (Haxhi) KADRIAJ
Ali (Haxhi) KADRIAJ

Të rënët, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur

Zymer (Miftar) BINAKAJ
Brahim (Adem) ZUKAJ)
Hamid (Dervish) ZUKAJ
Rexhep (Lum) NEZIRAJ
Faton (Hasan) VISHAJ
Fatmir (Halil) VISHAJ
Ramë (Shaban) KILAJ
Sadri (Hajdar) VISHAJ
Mujë (Isuf) VISHAJ
Malë (Isuf) VISHAJ
Zenel (Ukë) VISHAJ
Hazir (Himë) ZUKAJ
Shaban (Ramë) NITAJ
Nekë (Halil) BINAKAJ
Hajdar (Hamëz) MAZREKAJ
Ali (Avdyl) MAZREKAJ
Bashkim (Lush) HADERGJONAJ
Afrim (Lush) HADERGJONAJ
Xhevdet (Bajram) HADERGJONAJ
Muhamet (Bajram) HADERGJONAJ
Mehmet (Halil) TOLAJ
Xhevat (Ukë) TOLAJ
Misin (Hajdin) TOLAJ
Arif (Haxhi) MAZREKAJ
Isa (Tahir) TOLAJ
Sahit (Bekë) MAZREKAJ
Hasan (Sahit) MAZREKAJ
Sundim (Sahit) MAZREKAJ
Naim (Hysen) TOLAJ
Ragip (Osmon) MORINA
Beqir (Idriz) DERVISHAJ
Tafë (Bekë) DINAJ
Smajl (Ramë) UKËHAXHAJ
Haxhi (Shaban) KADRIAJ

The post 23 vjet nga Masakra e Belegut: Varre pa epitafe appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more