Skip to main content

“Vladimir Putini rri ulur në majën e piramidës së shembur të pushtetit” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Vladimir Putini rri ulur në majën e piramidës së shembur të pushtetit” plus 2 more Telegrafi Opinione


Vladimir Putini rri ulur në majën e piramidës së shembur të pushtetit

Posted: 28 Feb 2022 06:19 AM PST

Vladimir Sorokin, shkrimtar dhe dramaturg rus / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Qëllimi përfundimtar i Putinit nuk është Ukraina, por qytetërimi perëndimor …

Më 24 shkurt, mburoja e “autokratit të përndritur” – që kishte strehuar Vladimir Putin në 20 vjetët e mëparshme – u ça dhe u bë copë-copë. Bota e pa një përbindësh të çmendur në dëshirat e tij e të pamëshirshëm në vendimet e tij. Përbindëshi u rrit gradualisht, duke marrë forcë nga viti në vit, duke u pjekur në autoritetin e tij absolut, në agresionin perandorak, në urrejtjen për demokracinë perëndimore dhe ligësinë e nxitur nga pakënaqësia e shkaktuar nga rënia e BRSS-së. Evropa tani duhet të merret jo me ish-Putinin, por me Putinin e ri i cili e hodhi mënjanë maskën e tij të “partnerit në biznes” dhe të “bashkëpunëtorit paqësor”. Nuk do të ketë kurrë më paqe me të. Si dhe pse ka ndodhur kjo?

Në filmin e fundit të trilogjisë “The Lord of the Rings” të Peter Jacksonit, kur Frodo Baggins duhet të hedhë në llavën përvëluese Unazën e mallkuar të Fuqisë, atë unazën që u ka sjellë shumë vuajtje dhe luftë banorëve të Tokës së Mesme, papritmas vendos ta mbajë për vete. Dhe, me vullnetin e unazës, fytyra e tij befas nisë të ndryshojë duke u bërë e lig dhe e keqe. Unaza e Fuqisë e kishte marrë atë në zotërim të plotë. Megjithatë, në librin e Tolkienit ka një fund të lumtur …

Kur Putini u vendos në fronin e pushtetit rus nga një Boris Yeltsin i sëmurë, më 1999, fytyra e tij ishte mjaft simpatike, madje tërheqëse, ndërsa retorika e tij ishte shumë e shëndoshë. Shumëkujt iu duk se njeriu që ngjitej në majat e piramidës ruse të pushtetit ishte zyrtar inteligjent pa krenari dhe arrogancë dhe një individ modern që e kuptonte se Rusia post-sovjetike kishte vetëm një rrugë të mundshme për të ardhmen: demokracinë. Foli jo pak për demokracinë në intervistat e tij të asaj kohe, duke ua premtuar qytetarëve të Federatës Ruse vazhdimin e reformave, zgjedhjet e lira, lirinë e fjalës, respektimin e të drejtave të njeriut nga autoritetet, bashkëpunimin me Perëndimin dhe, më e rëndësishmja, një rotacioni të vazhdueshëm të atyre që janë në pushtet.

“Nuk e kam ndërmend të lidhem për këtë karrige”, ka thënë ai.

Në Rusi, siç e dinë të gjithë, njerëzit ende besojnë te fjalët dhe paraqitjet e qëndisura të sundimtarëve. E, në atë kohë, ky njeri ishte “individ i këndshëm në çdo aspekt”, siç shkroi Nikolai Gogol për protagonistin e tij te "Shpirtrat e vdekur": i hapur për diskutim, i gatshëm t'i kuptojë të gjithë, serioz e jo pa humor apo aftësi që të bëjë shaka me veten.

Për më tepër, disa politikanë, intelektualë dhe teoricienë politikë të cilët tash janë kundërshtarë të ashpër të Putinit e të sistemit të tij, e mbështetën atë; disa prej tyre madje kaluan nëpër dyert e shtabit të fushatës së tij për ta ndihmuar që t'i fitonte zgjedhjet e ardhshme. Dhe, ia doli. Por, Unaza fatale e Fuqisë ruse tashmë ishte në gishtin e tij dhe po e kryente punën e vet tinëzare: një përbindësh perandorak nisi ta zë vendin e këtij individi të pashëm e të këndshëm.

Në Rusi pushteti është piramidë. Kjo piramidë u ndërtua nga Ivani i Tmerrshëm në shekullin XVI – një car ambicioz, brutal e i pushtuar nga paranoja e shumë vese tjera. Me ndihmën e ushtrisë së tij personale – opriçnina – e ndau në mënyrë mizore dhe gjakatare shtetin rus në pushtet dhe në njerëz, miq dhe armiq, e hendeku mes tyre u bë hendeku më i thellë. Miqësia e tij me Hordhinë e Artë e bindi se e vetmja mënyrë për të sunduar gjigantin e Rusisë ishte duke u bërë pushtues i kësaj zone të madhe. Pushteti zotërues duhej të ishte i fortë, mizor, i paparashikueshëm dhe i pakuptueshëm për njerëzit. Populli nuk duhet të ketë zgjidhje tjetër veçse t’i bindet dhe ta adhurojë. Dhe, një person i vetëm ulet në majën e kësaj piramide të errët; një person i vetëm zotëron pushtetin absolut dhe të drejtën për të gjithë.

Në mënyrë paradoksale, parimi i fuqisë ruse nuk ka ndryshuar shumë në pesë shekujt e fundit. E konsideroj këtë si tragjedinë kryesore të vendit tonë. Piramida jonë mesjetare ka qëndruar lartë gjatë gjithë asaj kohe; sipërfaqja e saj ka ndryshuar, por kurrë forma bazike. Dhe, ka qenë gjithmonë një sundimtar i vetëm rus i ulur në kulmin e saj: Pjetri I, Nikolla II, Stalini, Brezhnevi, Andropovi … Sot Putini është ulur në kulmin e saj për më shumë se 20 vjet. Pasi ka shkelur premtimin e vet ai lidhet për karrige me gjithë fuqinë e tij. Piramida e Pushtetit e helmon sundimtarin me autoritet absolut. Lëshon dridhje arkaike mesjetare te sundimtari dhe te brezi i tij, mbase duke u thënë: "Jeni zotërit e një vendi integriteti i të cilit mund të ruhet veç me dhunë dhe me mizori; bëhu i padepërtueshëm, si unë, aq edhe mizor e i paparashikueshëm, se çdo gjë të lejohet, se duhet të shkaktosh tronditje dhe frikë te popullata jote, se populli nuk duhet të të kuptojë, por duhet të ta ketë frikën".

Mjerisht, Jelcini i cili erdhi në pushtet në kulmin e valës së Perestrojkës, nuk e shkatërroi formën mesjetare të piramidës; thjesht e rinovoi sipërfaqen e saj – në vend të betonit të zymtë sovjetik u bë shumëngjyrëshe dhe u mbulua me tabelat që reklamonin mallra perëndimore. Piramida e Fuqisë i përkeqësoi tiparet më të këqija të Jelcinit: u bë i pasjellshëm, ngacmues dhe alkoolik. Fytyra e tij u kthye në maskë të rëndë e të palëvizshme të arrogancës së paturpshme. Nga fundi i sundimit të tij, Jelcini e nisi një luftë të pakuptimtë në Çeçeni kur ky vend vendosi të shkëputej nga Federata Ruse. Piramida e ndërtuar nga Ivani i Tmerrshëm arriti të zgjonte imperialistin edhe te Jelcini, një demokrat ky jetëshkurtër: si car rus dërgoi tanke dhe bombardues në Çeçeni duke e dënuar popullin çeçen me vdekje dhe me vuajtje.

Jelcini dhe krijuesit tjerë të Perestrojkës që e rrethonin, jo vetëm që nuk e shkatërruan Piramidën e mbrapshtë të Pushtetit, por nuk e varrosën as të kaluarën sovjetike – ndryshe nga gjermanët e pasluftës që varrosën kufomën e nazizmit të tyre në vitet 1950. Kufoma e këtij përbindëshi që kishte asgjësuar dhjetëra miliona qytetarë të vet e që e kishte kthyer vendin 70 vjet pas në të kaluarën, u mbështet në një cep: do të kalbet vetë, menduan ata. Por, doli se nuk kishte vdekur.

Pas ardhjes në pushtet, Putini nisi të ndryshojë. Dhe, ata që fillimisht e mirëpritën sundimin e tij, gradualisht e kuptuan se këto ndryshime nuk ishin të mira për Rusinë. Kanali televiziv NTV u shkatërrua, kanalet tjera nisën të kalonin në duart e bashkëpunëtorëve të Putinit pas së cilës gjë hyri në fuqi regjimi i censurës së rreptë: tash e tutje Putini nuk prekej nga kritikat.

Mikhail Khodorkovsky, kreu i kompanisë më të pasur e më të suksesshme në Rusi, u arrestua dhe u burgos për 10 vjet. Kompania e tij "Yukos" u grabit nga miqtë e Putinit. Ky “operacion special” u krijua për t'i frikësuar oligarkët tjerë. Kjo edhe ndodhi: disa prej tyre u larguan nga vendi e pjesa tjetër u betuan për besnikëri ndaj Putinit. Disa madje u bënë financues të tij.

Piramida e Fuqisë vibronte dhe dridhjet e saj e ndalën kohën. Si një ajsberg i madh, vendi po lundronte nëpër të kaluarën – fillimisht te e kaluara sovjetike, pastaj te e kaluara mesjetare.

Putin deklaroi se rënia e BRSS-së ishte katastrofa më e madhe e shekullit XX. Për gjithë njerëzit sovjetikë me mendje të shëndoshë, rënia ishte veçse bekim; ishte e pamundur ta gjeje një familje të vetme të padëmtuar nga Rrota e Kuqe e represioneve staliniste. Miliona u asgjësuan. Dhjetëra miliona u helmuan nga tymrat e komunizmit – qëllim i paarritshëm që kërkon sakrifica morale dhe fizike nga qytetarët sovjetikë. Por, Putini nuk arriti ta tejkalonte oficerin e KGB-së brenda tij; oficerin që ishte mësuar se BRSS-ja ishte shpresa më e madhe për përparimin e njerëzimit dhe se Perëndimi ishte armik i aftë vetëm për korrupsionin. Duke e vënë në lëvizje makinën e tij kohore drejt të kaluarës, dukej sikur po kthehej në rininë sovjetike ku ndjehej shumë rehat. Gradualisht i detyroi të gjithë nënshtetasit e tij të kthehen atje.

Perversiteti i Piramidës së Pushtetit qëndron në faktin se ai që ulet në kulmin e saj e transmeton gjendjen e tij psikosomatike për gjithë popullsinë e vendit. Ideologjia e putinizmit është mjaft eklektike; respekti për sovjetikën rri krah për krah me etikën feudale – Leninin që ndan shtratin me Rusinë cariste dhe me krishterimin ortodoks rus.

Filozofi i preferuar i Putinit është Ivan Ilini – monarkist, nacionalist rus, antisemit dhe ideolog i Lëvizjes së Bardhë që u dëbua nga Lenini prej Rusisë Sovjetike në vitin 1922 dhe që e përfundoi jetën në mërgim. Kur Hitleri erdhi në pushtet në Gjermani, Ilini e uroi përzemërsisht për “ndërprerjen e bolshevizimit të Gjermanisë”. "Refuzoj kategorikisht të vlerësoj ngjarjet e tre muajve të fundit në Gjermani nga këndvështrimi i hebrenjve gjermanë … Hipnoza liberal-demokratike e mosrezistencës është hedhur poshtë …", shkroi ai. Megjithatë, kur Hitleri deklaroi se sllavët ishin racë e klasit të dytë, Ilini u ofendua dhe Gestapoja shpejt e çoi në paraburgim për kritikat që nisi t'i bënte. Më pas ai u shpëtua nga Sergei Rahmaninovi dhe u nis për në Zvicër.

Në artikujt e tij Ilini shpresonte se, pas rënies së bolshevizmit, Rusia do ta kishte Fyhrerin e vet të madh i cili do ta çonte vendin nga gjunjët. Në të vërtetë, “Rusia që çohet nga gjunjët” është slogani i preferuar i Putinit dhe i putinistëve të tij. Nga Ilini i merr gjithashtu udhëzimet kur flet me përbuzje për një shtet ukrainas “të krijuar nga Lenini”. Në fakt, Ukraina e pavarur nuk u krijua nga Lenini, por nga Rada Qendrore në janar 1918, menjëherë pas shpërbërjes së Asamblesë Kushtetuese nga Lenini. Ky shtet u ngrit për shkak të agresionit të Leninit, por jo falë përpjekjeve të tij. Ilini ishte i bindur se nëse, pas bolshevikëve, autoritetet në Rusi "bëhen antikombëtare dhe antishtetërore, servile ndaj të huajve, për ta copëtuar vendin, për t'u bërë patriotikisht joparimorë, duke mos mbrojtur ekskluzivisht interesat e kombit të madh rus pa i marrë parasysh rusët e vegjël kurva [ukrainasit] të cilëve Lenini ua dha shtetësinë, atëherë revolucioni nuk do të përfundonte po do të hynte në fazën e re të zhdukjes nga dekadenca perëndimore".

“Nën Putinin, Rusia u çua nga gjunjët”, mbështetësit e tij shpesh brohorasin. Dikush një herë bëri shaka: vendi u ngrit nga gjunjët, por shpejt u ul në katër këmbë: korrupsion, autoritarizëm, arbitraritet burokratik dhe varfëri. Tani mund të shtojmë një tjetër: luftën.

Shumë gjëra kanë ndodhur në 20 vjetët e fundit. Fytyra e presidentit të Federatës Ruse është shndërruar në maskë të padepërtueshme që rrezaton mizori, zemërim dhe pakënaqësi. Instrumenti i tij kryesor i komunikimit është gënjeshtra – gënjeshtra të vogla dhe të mëdha, naivisht sipërfaqësore dhe shumë të strukturuara, gënjeshtra që duket se u beson vetë ai dhe gënjeshtrat që nuk u beson. Rusët tashmë janë mësuar me retorikën e presidentit të tyre të mbushur me gënjeshtra. Por, tani i ka tërhequr edhe evropianët në ato gënjeshtra. Një tjetër kryetar i një vendi evropian fluturon në Kremlin për ta dëgjuar pjesën tradicionale të gënjeshtrave fantastike (tani në një tryezë të madhe, krejtësisht paranojake), për të tundur kokën, për të thënë se "dialogu doli të ishte mjaft konstruktiv", në një konferencë për shtyp, e pastaj thjesht të fluturojë larg nga aty.

Merkel pranoi se, sipas saj, Putin jeton në tokën e tij të fantazisë. Nëse është kështu, çfarë kuptimi ka të merreni seriozisht me një sundimtar të tillë? Ai nuk është shkrimtar apo artist; ai duhet të jetojë në botën reale dhe të jetë përgjegjës për çdo fjalë të tij. Për 16 vjet, Merkel – e cila u rrit në Republikën Demokratike Gjermane, për çka duhet të kuptojë natyrën e vërtetë të Putinit – “ka krijuar një dialog”. Rezultatet e atij dialogu: kapja e disa territoreve në Gjeorgji, aneksimi i Krimesë, kapja e Republikës Popullore të Donetskut dhe të Luhanskit, e tani: luftë në shkallë të gjerë me Ukrainën. Pas luftës me Gjeorgjinë dhe pushtimit të territoreve të saj, "paqebërësi" Obama i ofroi Putinit … rivendosjen e marrëdhënieve mes tyre! Që do të thotë, hajde Vladimir, le t’i harrojmë të gjitha këto e t'ia nisim nga e para. Rezultati i kësaj “rivendosjeje” ishte aneksimi i Krimesë dhe lufta në Ukrainën Lindore.

Përbindëshi i brendshëm i Putinit nuk u rrit vetëm nga Piramida jonë e Fuqisë dhe nga elita e korruptuar ruse së cilës Putini, si cari i satrapëve, u hedh nga tryeza e tij copa të majme e të lëngshme korrupsioni.

U zhvillua edhe nga miratimi i politikanëve të papërgjegjshëm perëndimorë, biznesmenëve cinikë dhe gazetarëve e politologëve të korruptuar.

“Një sundimtar i fortë dhe i qëndrueshëm”! Kjo i magjepsi ata. "Një car i ri rus" ishte, për ta, diçka si vodka dhe havjari rus: gjallërues!

Gjatë kësaj periudhe kohore, takova shumë admirues të Putinit në Gjermani, që nga shoferët e taksive, biznesmenë dhe profesorë. Një pjesëmarrës i moshuar i revolucionin studentor të 1968-ës rrëfeu:

“Më pëlqen shumë Putini juaj”!

“E cila është arsyeja"?

"Është i fortë. E thotë të vërtetën. Dhe, është kundër Amerikës. Jo si ligavecët që kemi këtu".

"E, a nuk ju shqetëson fakti që në Rusi ka korrupsion monstruoz, se praktikisht nuk ka zgjedhje apo gjykata të pavarura, se opozita po shkatërrohet, se provincat janë varfëruar, se Nemtsovi është vrarë dhe se televizionet janë bërë propagandë"?

"Jo. Ato janë punët tuaja të brendshme. Nëse rusët i pranojnë të gjitha këto dhe nuk protestojnë, kjo do të thotë se e pëlqejnë Putinin".

Logjikë e hekurt. Përvoja e Gjermanisë në vitet 1930 nuk duket se u ka mësuar gjë evropianëve të tillë.

Por, shpresoj se shumica e evropianëve nuk janë të tillë. Se e dinë dallimin mes demokracisë dhe diktaturës – mes luftës dhe paqes. Në fjalimin e tij plot gënjeshtra, Putini e quajti sulmin ndaj Ukrainës “operacion special ushtarak” kundër “agresorëve ukrainas”. Që do të thotë: Rusia paqedashëse fillimisht aneksoi Krimenë nga “junta ukrainase”, më pas nisi një luftë hibride në Ukrainën lindore dhe tani po e sulmon gjithë vendin. Pak a shumë si Stalini me Finlandën më 1939.

Për Putinin, jeta gjithmonë ka qenë operacion special. Nga urdhri i zi i KGB-së mësoi jo vetëm përbuzjen për njerëzit “normalë” – gjithmonë një formë të materies së harxhueshme për shtetin molok sovjetik – por edhe parimin kryesor të çekizmit: asnjë fjalë të vetme të vërtetë. Gjithçka duhet të fshihet, të klasifikohet. Jeta e tij personale, të afërmit, zakonet – gjithçka ka qenë gjithmonë e fshehur, e tejmbushur me thashetheme dhe spekulime.

Tani një gjë është bërë e qartë: me këtë luftë Putini ka kaluar një vijë – një vijë të kuqe. Maska është fikur, mburoja e “autokratit të përndritur” është plasaritur. Tashmë të gjithë perëndimorët që e simpatizojnë “carin e fortë rus” duhet ta mbyllin gojën e të kuptojnë se një luftë në shkallë të gjerë po shpaloset në Evropën e shekullit XXI. Agresor është Rusia e Putinit. Kjo nuk do të sjellë gjë tjetër përveç vdekjes dhe shkatërrimit në Evropë. Këtë luftë e ka nisur një njeri i korruptuar nga pushteti absolut i cili, në çmendurinë e vet, ka vendosur të rivizatojë hartën e botës sonë. Nëse e dëgjoni fjalimin e Putinit duke e shpallur “operacionin special”, Amerika dhe NATO përmenden më shumë se Ukraina. Le ta kujtojmë gjithashtu "ultimatumin" e tij të fundit drejtuar NATO-s. Si i tillë, qëllimi i tij nuk është Ukraina, por qytetërimi perëndimor urrejtja për të cilin u josh nga qumështi i zi që pinte nga gjiri i KGB-së.

Kush e ka fajin? Ne, rusët. Dhe, tash duhet ta mbajmë këtë faj derisa regjimi i Putinit të bie. Sepse, me siguri do të shembet dhe sulmi ndaj Ukrainës së lirë është fillimi i fundit.

Putinizmi është fatkeqësi, sepse është armik i lirisë dhe armik i demokracisë. Më në fund, sot, njerëzit e kanë kuptuar këtë. E sulmoi një vend të lirë dhe demokratik veç sepse është një vend i lirë dhe demokratik. Por, është ai vet që është fatkeq, sepse bota e lirisë dhe demokracisë është shumë më e madhe se strofulla e tij e errët dhe e zymtë. Fatkeq sepse e tëra që ai dëshiron është një mesjetë e re, korrupsion, gënjeshtra dhe nëpërkëmbje e lirive njerëzore. Sepse ai është e kaluara. E, ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta bërë të mundshme atë që ky përbindësh të qëndrojë atje – në të kaluarën, përgjithmonë, së bashku me Piramidën e tij të Fuqisë. /Telegrafi/

Vladimir Putini – udhëheqësi zemërak i Rusisë po e çon botën në luftë Vladimir Putini – udhëheqësi zemërak i Rusisë po e çon botën në luftë

 

The post Vladimir Putini rri ulur në majën e piramidës së shembur të pushtetit appeared first on Telegrafi.

Si të ndihmohet Ukraina në përmbysjen e pushtimit rus?

Posted: 28 Feb 2022 04:38 AM PST

 Stanislav Nazarenko

Ukraina po e vazhdon luftën kundër pushtimit rus. Një numër i madh raketash po hidhen me synim të kapitullimit të Kievit. Hera e fundit kur Ukraina është ballafaquar me një pushtim të tillë ka qenë viti 1941. Ushtria ukrainase po tregon zemër të madhe në mbrojtjen e shtetit të vet, duke mos kërkuar ndihmë personale të çfarëdoshme. Sidoqoftë, të gjitha vendet evropiane mund ta ndihmojnë Ukrainën e bashkë me të edhe sigurinë ndërkombëtare duke ndjekur këta hapa:

– Të iniciohet vendosja e masës "No-fly zone" e cila do të ndalonte fluturimin mbi territorin e Ukrainës. Kjo mund të bëhet nga NATO ose nga OKB. Aviacioni rus sot paraqet njërin ndër rreziqet dhe armët më të forta ruse për shkatërrimin e Ukrainës. Aktet e guximshme mund ta ndërrojnë situatën. Mbylleni qiellin mbi Ukrainë;

– Mbështetje në fushën e sigurisë kibernetike dhe infrastrukturës së IT-së;

– Të mbyllet kalimi i flotës ruse në ngushticën e Bosforit dhe Dardaneleve, e paraparë edhe me Konventën Montreux;

– Ndërmarrja e hapave për ndalimin e shpërndarjes së propagandës ruse;

Për më tepër, ndihma me pajisje ushtarake dhe armë është ndihmë e domosdoshme për Ukrainën:

– Të rriten kapacitetet ajrore për ballafaqimin me artilerinë ajrore, balistikën dhe aviacionin rus;

– Të ofrohet numër maksimal i armëve për Ukrainën, asistim në mbrojtjen ukrainase dhe më e rëndësishmja – pajisje për mbrojtje ajrore, bashkë me infrastrukturë komunikuese të sigurt;

– Të sigurohen armët për mbrojtje territoriale për forcat vullnetare që janë të gatshme t'i rezistojnë agresionit dhe pushtimi rus;

– Helmeta dhe jelekë antiplumb, si dhe pajisje mjekësore.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme to ofrohet mbështetje maksimale financiare për ekonominë Ukrainase në kohë lufte.

Sigurisht që edhe masat diplomatike janë të rëndësishme, andaj duhet të organizohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në të cilën do të:

– dënohet agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës;

– nxirret një resolutë e cila sanksionon Rusinë si shtete agresorë;

– inicohet vendosja e një kolektivi paqeruajtës I bazuar në Rezolutën 377 (V) të UN GA, "Të bashkuar për paqe" i datës 3 Nëntor 1950, në Kore (1950), e cila lejon GA-në të lëshojë rekomandime mbi kërkesën e cilitdo nga shtatë anëtarët e këshillit të OKB-së ose shumicës së anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme;

– votohet përjashtimi i Rusisë nga Këshilli I Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Një shtet i cili paturpësisht sulmon fqinjin e tij, nuk mund të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit;

–  inicohet një hetim nga Këshilli i Sigurimi të OKB-së nën Kapitullin VI të Statutit të Kombeve të Bashkuara (Art.34-35, Statuti i KB). Nën nenin 27.3b Rusia nuk mund të vendosë veto në këtë hetim.

– intensifikohet përpjekja për krijimin e një koalicioni "anti-Putin" dhe mbrojtjes së Ukrainës nga agresioni Rus;

Së fundi, por jo edhe nga rëndësia janë sanksionet të cilat secili shtet demokratik duhet të vendosë, janë:

– Vendosja e sanksioneve kundër shtetit rus, oligarkëve dhe elitës rusë të lidhur me Putinin;

– Të zgjerohen sanksionet edhe ne familjet e tyre dhe të bëhet revokimi i vizave;

– Ndalimi i dhënies së vizave për shtetasit rusë;

– Të këputet plotësisht qasja e Rusisë në SWIFT;

– Të vendoset embargo në gazin dhe naftën Ruse;

– Të ndërpriten marrëdhëniet me linjat ajrore ruse, ngarkesat e anijeve dhe kompanitë e pasagjerëve;

– Të bllokohet qasja në porte për kompanitë ruse.

Të gjitha masat e përmendura më lartë paraqesin sfidë për ekonomitë e vendeve evropiane, por a do duhej të merren parasysh paratë kur populli Ukrainas po ballafaqohet me luftë për mbijetesë. Le ta kthejmë paqen në Evropë së bashku.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

The post Si të ndihmohet Ukraina në përmbysjen e pushtimit rus? appeared first on Telegrafi.

Kronika e një sulmi të paralajmëruar

Posted: 27 Feb 2022 04:53 AM PST

Bota njeh rastin kur, në premtim të paqes, u bënë shumë lëshime ndaj një fuqie botërore. Njerëzit ende mbajnë mend kryeministrin britanik Chamberlain i cili, gjatë daljes nga aeroplani, valëviste një letër me të cilën mburrej se ka arritur marrëveshje me Hitlerin dhe se me këtë ka evituar një luftë të madhe. Kjo histori njihet si Marrëveshja e Munihut. Ngjarjet që pasuan më vonë dëshmuan se me autokratë e diktatorë marrëveshjet janë të kota. Hitleri nuk iu përmbajt marrëveshjes; Lufta e Dytë Botërore filloi me pasoja tragjike.

Pak para fillimit të invadimit rus në Ukrainë shikonim se si liderë të ndryshëm botërorë vraponin pas Putinit, me shpresën se do ta bindin të mos e sulmojë Ukrainën. Shumë nga këta, gati-gati sa nuk i uleshin në gjunjë. Derisa përpjekjet diplomatike gjithmonë janë të mirëseardhura, dukej qartë se të gjitha këto përpjekje ishin të kota: autokrati Putin kishte vendosur ta sulmonte një shtet sovran.

Parashikimet e shërbimeve sekrete dolën të sakta. Në fakt, nuk kishte çka të parashikohej: grumbullimi i një arsenali të tillë ushtarak bëhet vetëm për një qëllim – për luftë.

Për më tepër, Putini nuk e qante kokën për deklaratat që vinin nga Perëndimi dhe për kërkesat për një takim me të. Takimet me liderët botërorë i bënte sa për sy e faqe. Për më keq, ai nuk bisedonte me ta, por i përbuzte dhe i nënçmonte. Takimi i tij me presidentin francez do të mbetet në analet e diplomacisë si rast flagrant i nënçmimit të një lideri botëror: detyrimi që ai të ulet në cepin e një tavolinë 10 metra të gjatë, ku biseda nuk mund të zhvillohet në mënyrë normale, do të mbetet njollë e madhe për gjithë diplomacinë perëndimore e sidomos për atë franceze e cila në jo pak raste ka flirtuar me Rusinë. Covidi-19 si arsye për atë veprim ishte pretekst për nënçmim.

Në Luftën e Dytë Botërore, Çekosllovakia mbeti e vetmuar para Hitlerit. Këtë herë fatin e njëjtë ia lanë Ukrainës. Është për t'u debatuar nëse bota u mashtrua prapë; nëse nuk kishte guximin të përballej me Putinin ose Ukraina u la qëllimisht e vetme. Sidoqoftë, kush mendon se Rusia do të ndalet në Ukrainë, mashtrohet keq. Pothuajse është e sigurt se Rusia nuk do të kënaqet me kaq. Apetitet e saja janë më të mëdha se ç'mund të mendohet.

Kërcënimi i fundit rus ndaj Finlandës dhe Suedisë – nëse këto dy shtete anëtarësohen në NATO – nuk është për t'u çuditur. Në fakt, pritet që kërcënimet e tilla të vazhdojnë edhe për vendet tjera. E, kjo qasje agresive e Rusisë do të vazhdojë derisa të ketë përgjigje adekuate e të vendosur nga NATO-ja dhe vendet tjera. Deri tani kemi parë një reagim të butë të Perëndimit, kryesisht përmes sanksioneve. Këto sanksione mund ta dëmtojnë Rusinë, por vështirë se do ta gjunjëzojnë. Kjo për faktin se jo të gjitha shtetet do të vendosin sanksione të fuqishme.

Kina qartë e ka bërë të ditur se nuk do të vë sanksione e kjo është ndihmë jo pak e vogël për Rusinë. Shembullin e Kinës do ta ndjekin shumë shtete tjera. Në këtë aspekt, nuk është për t'u befasuar qëndrimi kinez në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por ai i Indisë. Kjo për faktin se India konsiderohet si shtet me ndikim të madh në arenën botërore dhe si aleate e Britanisë së Madhe. Abstenimi gjatë tentimit për ta kaluar rezolutën e sponsorizuar nga ShBA-ja dhe nga Shqipëria, dhemb shumë. Qeveritë perëndimore duhet ta analizojnë këtë qëndrim dhe të nxirren disa përfundime strategjike. Gjasat janë që as India nuk do të miratojë ndonjë sanksion ndaj Putinit dhe estabilishmentit të tij.

Pas tre ditësh luftimesh, qëndrimet e fundit të disa vendeve perëndimore kanë filluar të forcohen dhe janë paksa më premtuese. Vlen të përmendet deklarata e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, që thotë se "Vladimir Putin duhet të kuptojë se aleanca Veri-Atlantike është aleancë bërthamore". Me të njëjtin ton edhe Boris Johnson foli para Parlamentit britanik, duke e konsideruar Putinin si njeri që vepron njëjtë si Millosheviqi, duke mos lënë pa përmendur se ky i fundit kishte përfunduar i vdekur në burgun e Hagës. Mesazh ky shumë kuptimplotë.

Ka shumë gjëra që shkuan keq me Ukrainën. Në rend të parë ajo u tradhtua nga NATO që ia kishte premtuar anëtarësimin në këtë Aleancë. Shtete tjera, qoftë brenda NATO-s ose si njësi të veçanta, mbyllën sytë dhe ia futën në një mënyrë thikën pas shpine. Të mos harrojmë "ndihmën" gjermane me 5 000 helmeta për ushtrinë ukrainase! Veprim më cinik, zor se mund të gjesh.

Pastaj, çfarë ndihmash ushtarake iu ofruan Ukrainës? Qysh në ditën e parë të sulmit rus, i gjithë arsenali kundërajror ukrainas pothuajse u asgjësua ose u harxhua, duke e lënë kështu hapësirën qiellore në duart e pushtuesit. Dihet qartë se forcat shkatërruese të Rusisë janë raketat e fuqishme me rreze të gjatë veprimi, si dhe aviacioni i fuqishëm. Pa armë të mjaftueshme për t'ju kundërpërgjigjur aviacionit dhe raketave ruse, mbrojtja e Ukrainës është pothuajse e pamundur. Ndaj, është për t'u admiruar rezistenca e popullit ukrainas që edhe duke prodhuar shishe molotovi mundohen të mbrojnë vendin e tyre, por kjo është pothuajse e pamundur. Ukraina reziston, e frika është se nuk do të mundet për shumë kohë.

Por, si arriti Rusia në këtë gjendje, ku haptas kërcënon Evropën dhe botën me përdorimin e forcës për arritjen e qëllimeve, duke përmendur edhe mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore?

Sigurisht se nuk ndodhi rastësisht e as brenda një nate. Shenjat ishin të qarta qysh moti. Pas kohës së Jelcinit, Rusia nisi të ngritet ekonomikisht, të forcohet dhe të ndërrojë qasjen në marrëdhëniet ndërkombëtare – nga një fuqi bashkëpunuese në fuqi agresive. E, meritën më të madhe për këtë e ka Evropa që lejoi varësinë nga gazi rus. Gjermania është shembulli më i mirë për ta ilustruar këtë. Prandaj, sot, kur Rusia bën kërdi në Ukrainë, Qeveria gjermane e ka vështirë të përcaktohet për imponimin e sanksioneve të fuqishme. Si ekonomi që ka shkëmbime të larta me Rusinë, dëme mund të përjetojë vetë Gjermania.

Kjo do të thotë që për shumë vjet Gjermania ka ndihmuar një shtet diktatorial i cili gjatë gjithë kohës ka pasur qëllime të dyshimta. Kjo qasje duhet të ndërrojë. Evropa nuk guxon të varet nga ekonomia ruse e sidomos jo nga gazi rus. Vlen të përmendet se gjatë kohës së luftës së Kosovës, kancelarin e asaj kohe të Gjermanisë, Gerhard Schroder, NATO dhe gjithë liderët perëndimorë mezi e kanë bindur për ta përkrahur sulmin ndaj forcave të Serbisë. Më vonë, pas përfundimit të mandatit të tij, ky kancelar u emërua në bordin e Gazpromit. Disa mund të thonë se gjatë gjithë kohës Schroder ka qenë Kali i Trojës në NATO dhe në BE. Kjo është strategjia e Rusisë që në vende dhe pozita kyçe të vendosë personalitete që punojnë për interesat e saj. Sot në Evropë hasim në grupacione politike që janë në krahun e Rusisë e ato vetëm sa po rriten. Asgjë nuk është e rastësishme!

Rusia u trimërua edhe pas reagimit të ftoftë të BE-së dhe NATO-s, me rastin e okupimit rus të Osetisë Jugore dhe të Abhazisë, krahina këto të Gjeorgjisë. Edhe sot mbahet mend konferenca për shtyp e presidentit të Gjeorgjisë, Mikkheil Saakashvili – me Sekretaren amerikane të Shtetit Coondoleezza Rice – ku pothuajse e kishte humbur kontrollin. Më shumë bërtiste sesa përçonte ndonjë mesazh. Jo pse Saakashvili kishte dëshirë të ishte protagonist, por sepse e kishte kuptuar se ishte tradhtuar nga BE-ja sidomos nga NATO-ja; e kishte kuptuar se dy regjione të vendit të tij kishin humbur përgjithmonë. Reagimi i butë i Perëndimit ishte sinjal për Rusinë se ajo mund të vazhdonte me politikën e saj agresive.

E njëjta ndodhi me Krimenë dhe me Luftën Civile në Siri. Reagimi i dobët i disa vendeve anëtare të NATO-s bëri që Rusia të vendoste kushtet e lojës. Është i njohur rasti kur Turqia rrëzoi aeroplanin ushtarak rus dhe pastaj mbeti e vetme në përballje me Rusinë. NATO ishte treguar cinike në këtë rast. Kjo sikur e shtyri Turqinë të sillet ndryshe: ky vend sot nuk e ka problem të furnizohet me sistemet raketore S 400 të prodhimit rus, diçka e paparamenduar më parë. Dështimi i përkrahjes së NATO-s ndaj Turqisë ishte mesazhi që ka marrë Rusia – se NATO nuk ka guxim për përballje direkte!  Të njëjtin gabim e bëri edhe BE-ja duke neglizhuar, shtyrë, vonuar e penguar integrimin e vendeve të Ballkanit nën ombrellën e saj. Me këtë qasje BE-ja vetëm sa mundëson hapjen e disa vendeve të Ballkanit ndaj interesave ruse e kineze që dallojnë shumë prej interesave të BE-së. Një qasje ndryshe është imperativ.

BE-ja dhe NATO duhet t'i koordinojnë aktivitetet e tyre për t'u përballur me agresionin në rritje të Rusisë dhe të depërtimit të interesave kineze në Ballkan dhe gjerësisht në Evropë. Mundësi dhe hapësirë veprimi ka sa të duash; nevojitet vetëm vullnet politik dhe vizion. Shteteve të vogla, pa kurrfarë peshe në arenën ndërkombëtare, duhet t'u hiqet e drejta e vetos, ndërsa shtetet e mëdha duhet të bëjnë kompromise në kuadër të BE-së për qëllimet e përbashkëta euro-amerikane në raport me interesat e tyre të ngushta. Procedurat për anëtarësim në BE dhe në NATO duhet të rimendohen edhe njëherë.

Rusia ka arritur kulmin e marrëzisë. Ajo bëri precedent të rrezikshëm duke sulmuar dhe invaduar një vend të pavarur e sovran, pa asnjë shkak. Ukraina me asgjë nuk provokoi. Lirisht mund të thuhet se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shënon edhe fundin e kredibilitetit të OKB-së që më nuk ka ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tashmë klinikisht ka vdekur. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh me të në të ardhmen.

Rusia për momentin mund të mendojë se është e pathyeshme, por jo shumë gjatë. Fitorja dhe nënshtrimi eventual i Ukrainës mund të jetë fitore dhe sukses afatshkurtër. Janë rrëzuar diktatorë e perandori me të fuqishme se Rusia e sotme. Edhe këtij autokrati dhe këtij regjimi do t'i vjen fundi.

Mënyrat për rrëzimin e kësaj diktature janë të ndryshme. Një nga mundësitë është që sistemi ekonomik rus të pësojë shkatërrim fatal nga sanksionet e vendosura, sa ta ketë të pamundur mbështetjen e luftës në Ukrainë. Kjo mund të ketë efekt nëse kombinohet me presionin e brendshëm nga demonstratat e popullit rus. Në këtë drejtim, shenjat e para janë premtuese.

Mundësia tjetër është ballafaqimi i vendosur dhe i pakompromis i BE-së, NATO-s dhe vendeve tjera karshi Rusisë. Perëndimi nuk e ka luksin të lejojë Rusinë dhe asnjë vend tjetër të vë në pikëpyetje vlerat perëndimore. Rusia njeh vetëm forcën dhe asgjë tjetër.

E treta mundësi është përmes votës së lirë. Kjo për momentin duket e pamundur, pasi sistemi rus kontrollohet plotësisht nga Putini dhe nga njerëzit e tij. Por, një gjë e tillë nuk është se nuk mund të ndodh. Rejtingu dhe imazhi i shtetit rus është në kuotat më të ulëta të mundshme. Rusët kanë filluar të ndihen të turpëruar nga veprimet e shtetit të tyre. Kjo mund ta ndryshojë disponimin e një mase kritike të votuesve dhe për pasojë mund të ndikojë në rrëzimin e pushtetit. E vështirë, por jo e pamundshme.

Nëse Rusia nuk mbledh mend, atëherë, njëjtë si në Luftën e Dytë, bota do të detyrohet të intervenojë edhe ushtarakisht për ta ndalur një aventurë të çmendur. Në rast të tillë, dëmet do të ishin katastrofale, por të domosdoshme sepse me asnjë çmim nuk duhet lejuar që njerëzit paranojakë të imponojnë rrjedhat e politikës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Njerëzimi duket se nuk ka mësuar asgjë nga historia! Koha prodhon liderë dhe heronj. Kjo kohë prodhoi një lider për t'u admiruar e ky është presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Fjalia e tij do të citohet gjatë: "Përderisa ju sulmoni, do t'i shihni fytyrat e jo shpinën tonë". Ky është lideri që i duhet një shteti e një kombi, nga i cili mund të mësojnë shumë shqiptarët!

Rusia do ta pushtojë Ukrainën, por vështirë se do të mund ta mbajë gjatë. Një popull i etur për liri nuk mund të mbahet i robëruar.

The post Kronika e një sulmi të paralajmëruar appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more