Skip to main content

“Zbardhi në kohë rekord vrasjen e Behar Sofisë, prokurori i Tiranës “digjet” nga Vettingu” plus 9 more - Gazeta Dita

“Zbardhi në kohë rekord vrasjen e Behar Sofisë, prokurori i Tiranës “digjet” nga Vettingu” plus 9 more - Gazeta Dita


Zbardhi në kohë rekord vrasjen e Behar Sofisë, prokurori i Tiranës “digjet” nga Vettingu

Posted: 16 Apr 2021 02:04 AM PDT

Bledar Maksuti, Prokuror në Prokurorinë parë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk e ka kaluar Vetingun.

Anomalia e pasurisë së Prokurorit u nxor në pah nga trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si dhe nga vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova.

Prokurori rezultoi me pasaktësi në deklarime me mungesë burimesh për pasurinë.

Bledar Maksuti ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtronte profesionin e prokurorit prej vitit 2008.

Ndërkohë, nga Maksuti ishte vënë re një pasaktësi në deklarime si dhe mungesa e burimeve financiare, ndërsa anomalia vihej re në shpenzimet dhe transaksionet e kryera nga babai i tij, i cili ka ndërruar jetë.

Maksuti nuk është i panjohur në profesionin e tij, ai së fundmi ka zbardhur në kohë rekord vrasjen e Behar Sofisë në Tiranë.

j.l./ dita

FOTO: “Defender Europe 21”, tanket amerikanë zbarkojnë në Durrës bashkë me 8 mijë trupa. Do shtrihen nga veriu në jug në të gjithë territorin e vendit, nga toka, deti dhe ajri

Posted: 16 Apr 2021 01:51 AM PDT

Pritet të zhvillohet stërvitja më e madhe në vendit tonë, pasi kanë zbarkuar në Shqipëri trupat amerikane që do të marrin pjesë në stërvitjen e NATO-s.

Anija me forca dhe tanke ndaloi në portin e Durrësit, të cilët do të jenë pjesë e stërvitjes së madhe ushtarake ndërkombëtare "Defender Europe 2021".

Anija e parë amerikane USAV MG CHARLES (LSV-5) që është ankoruar pasditen e djeshme, rreth orës 16:30, në portin e Durrësit e nga e cila ka nisur zbarkimi i trupave ushtarake dhe logjistikës së nevojshme që do të përdoret në një nga stërvitjet më të mëdha ndërkombëtare që zhvillohen edhe në territorin e vendit tonë, por edhe në Evropë.

Kalatat 1,2 dhe 3 të portit do të jenë në funksion të kësaj stërvitjeje.

Një pjesë e trupave që marrin pjesë në stërvitjen ndërkombëtare do të pozicionohen në portin e Durrësit, ndërsa pjesa e mbetur e trupave do të vendosen në baza të tjera të Forcave të Armatosura në vendin tonë.

Stërvitja ndërkombëtare "Defender Europe 2021" do të zhvillohet përgjatë një muaji e gjysëm (në maj deri në mes të qershorit) dhe do të shtrihet thuajse në të gjitha bazat tokësore, detare apo ajrore të Shqipërisë, nga veriu në jug.

Grupi i punës i Forcave të Armatosura dhe përfaqësuesit ushtarakë amerikanë që kanë ardhur disa herë në vendin tonë kanë zhvilluar gjatë gjithë kësaj kohe vizita njohëse në të gjitha këto baza, ku është parashikuar të zhvillohet stërvitja.

Një vizitë e tillë u zhvillua pak javë më parë edhe në portin e Durrësit

Për stërvitjen ndërkombëtare "Defender Europe 2021 u shpreh muaj më parë, ish-ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë prezantimit të projektbuxhetit të Mbrojtjes për vitin 2021 në Komisionin e Sigurisë. Sipas saj, "kjo stërvitje është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe do të marrin pjesë mbi 8.000 trupa amerikane, që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura."

Stërvitja Defender Europe 2021

Stërvitja ushtarake do të zhvillohet nga 1 maj- 14 qershor të këtij viti dhe do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi.

Në të do të marrin pjesë mbi 17 mijë trupa amerikane dhe 14 mijë të tjera nga 26 vende anëtare të NATO-s, që do të vënë në dispozicion të stërvitjes edhe mjete ushtarake.

Stërvitja "Defender Europe 21" zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar "Defender Europe 21" dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.

Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të Forcave të Armatosura për të pritur, koordinuar dhe për t'u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete/operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks.

j.l./ dita

Kreu i KQZ: Përfundon printimi dhe paketimi i fletëve të votimit për 6 qarqe të Shqipërisë

Posted: 16 Apr 2021 01:42 AM PDT

Kreu i kqz, Ilirjan Celibashi ka njoftuar me anë të një postimi se ka përfunduar printimi i fletëve të votimit në qarqet: , Korçë, Berat, Gjirokastër, Elbasan dhe Fier.

Ato do të shpërndahen brenda ditës së sotme.

Postimi:

"Ka përfunduar printimi dhe paketimi i fletëve të votimit për qarqet Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Elbasan & Fier dhe mbërrijnë në Shqipëri brenda ditës së sotme.

Fletët e Votimit po printohen nga kompania sllovene Cetis."

 

j.l./ dita

Vrau bashkëshorten dy vite më parë, ish-gardisti dënohet me 35 vite burg

Posted: 16 Apr 2021 01:32 AM PDT

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 35 vite burg, ish-gardistin Alket Arapaj i akuzuar për vrasje në familje.

Rreth dy vite më parë ai ekzekutoi në banesën e tij bashkëshorten Evelina Seferaj.

Ngjarja e rënë ndodhi mëngjesin e 12 shkurtit të vitit 2019, në Allias, ku Arapaj ekzekutoi me armën e shërbimit 36-vjeçaren.

Ai e qëlloi tre herë bashkëshorten e tij duke e lënë atë të vdekur në vend. Shkak i krimit të rëndë, ishte xhelozia. Ishin fqinjët që pas krimit lajmëruan policinë pasi dëgjuan të shtënat me armë zjarri dhe fëmijën e mitur të çiftit duke qarë.

Policia shkoi menjëherë në vend ngjarje duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë te ish-gardistit, i cili nuk bëri rezistencë.

Çifti njihej nga fqinjët si njërëz model dhe pa probleme mes tyre.

j.l./ dita

Basha firmos paktin me fasonët: Taksë e sheshtë 9%, sigurime shoqërore 18% dhe 400 euro paga minimale

Posted: 16 Apr 2021 01:07 AM PDT

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka firmosur marrëveshjen me shoqatën e bashkuar të fasonëve.

Në fjalën e tij me të pranishmit, Basha tha fasoneria edhe pse është një nga sektorët më të rëndësishëm sa i përket punësimit, nuk është ndihmuar për 8 vite.

Kreu i opozitës, këtë marrëveshje e ka konsideruar si një garanci shtesë e zotimeve të qeverisë së ardhshme për të shëruar, për ta rritur dhe transformuar fasonerinë në një sektor të fuqishëm zhvillimi me investime kapitale.

Lideri i opozitës theksoi se me takën e sheshtë 9%, kontributet 18, heqja e taksës Rama 240 lekë mbi karburantin, janë pjesë e paketës që do të prekë gjithë ekonominë shqiptare e në veçanti sektorin e fasonerive.

j.l./ dita

VIDEO: Çfarë po u mësojmë këtyre të rinjve?! Në këtë filmim janë zyrtarët dhe politikanët e nesërm. Atyre u edukohet gënjeshtra, dyfytyrësia, mungesa e përgjegjësisë ligjore

Posted: 16 Apr 2021 01:06 AM PDT

Shënim i Kryeredaktorit

Ligjet dhe rregullat janë për të tjerët, për atë popullin budall atje jashtë, jo për ne këtu brenda. Ne jemi “familja” mbi ligjin, sepse ne jemi pushteti, ne na mbron partia, kryeministri…

Kjo është ajo që u edukohet të rinjve në këtë video.

Nuk ka aspak rëndësi nëse bëhet fjalë për PS, PD, LSI apo ndonjë parti tjetër. E kanë të gjitha këtë sjellje.

Problemi është i mprehtë, jo thjesht partiak; ai mbart pasoja të rënda sociale, sepse kjo sjellje ndikon drejtpërdrejt në formimin e këtyre të rinjve që sot militojnë në struktura partiake.

Lidhet ngushtësisht me të ardhmen, që themi se e dëshirojmë ndryshe nga e sotmja. Sepse në këtë turmë janë politikanët dhe zyrtarët e nesërm.

Atyre u mësohet gënjeshtra.

U mësohet dyfytyrësia, mungesa e përgjegjësisë ligjore, mungesa e transparencës; u mësohet që ka dy standarte të sjelljes, një para medias apo publikut dhe një “brenda partisë”, u mësohet madje edhe të sulmojnë shokët që mund t’i thyejnë këto udhëzime antiligj dhe antimoral.

Nuk ka rëndësi cili portal e transmeton dhe pse e transmeton; i njohim dhe i dimë arsyet, por për fat të keq kjo nuk e ndryshon të vërtetën që shfaqet e qartë dhe brutale në këto filmime.

A e pyesin veten këta edukatorë me mikrofonë në duar: bashkëmoshatarët e këtyre të rinjve jashtë kësaj salle, çfarë mendojnë kur shohin këtë video nëpër portale? Po prindërit e tyre?

Ndiqni videon dhe jepni gjykimin tuaj, por jo me patetikën militante dhe mediokre të njërës apo tjetrës parti apo partiçkë, por me frymën e përgjegjësisë për të ardhmen politike të vendit:

Botuar në DITA në rubrikën e Kryeredaktorit. Mbi të njëjtën temë mund të lexoni duke klikuar KËTU

 

Dalin fotot, Brad Pitt shfaqet në karrige me rrota, por nuk do ta besoni arsyen

Posted: 16 Apr 2021 12:55 AM PDT

Aktori i njohur Brad Pitt është shfaqur sëfundmi në një karrige me rrota.

Nuk do ta besoni, por ka qenë një dhëmballë e hequr që aktorin e ka bërë që të mos ecë vetë, por të shtyhet nga truproja e tij në një karrige me rrota.

Mësohet se ai vetëm e ka hequr dhëmballën dhe nuk kishte asnjë problem tjetër përveç "punës stomatologjike".

Në përpjekje për të mos u dukur si ai, Brad mbante kapuçin në kokë, një palë syze dhe një maskë mbi gojën dhe hundën e tij.

Mesa duket aktori që e kemi ndjekur të gjithë nuk qenka dhe aq “trim” sa duket në filma.

j.l./ dita

Dokumenti joformal i ndarjes së re territoriale rizgjon debatet për kufijtë në Ballkan, qëndrimi i BE-së dhe i SHBA-së

Posted: 16 Apr 2021 12:47 AM PDT

Departamenti amerikan i Shtetit i tha programit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe se Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës, respektimi i së cilës është përcaktuar me marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, që i dha fund luftës në atë vend.

Po të enjten, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë, shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së dhe komandanti i EUFOR-it lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën theksohet se "BE-ja është padyshim e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës".

Komentet pasuan shkrimet e ditëve të fundit në Bosnjë dhe Kroaci për një dokument joformal (non-paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan.

Dokumentet e tilla janë joformale dhe shtrohen në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së.

Mediet kroate e boshnjake thanë se një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i është dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

Të enjten portali slloven "Necenzurirano.si" publikoi një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit.

Sipas atij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.

Kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë "të dëmtojnë Slloveninë në BE".

"Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe ardhmërinë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë këtë qëllim", shkroi ai në rrjetet sociale.

Udhëheqësja e Socialdemokratëve të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila ka shërbyer si deputete në Parlamentin Evropian, u paraqit të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë duke i bërë thirrje kryeministrit dhe ministrisë së Jashtme që të deklarohen rreth pozicionit të Sllovenisë ndaj vendeve të rajonit.

"Politika e jashtme e përgjegjshme sllovene duhet të deklarohet dhe të mbështesë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën unë i bëj thirrje Janshës që sa më parë, Ballkanit Perëndimor t'ia bëjë të qartë qëndrimin, veçanërisht Bosnje e Hercegovinës. Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE-së, Sllovenisë dhe rajonit gjatë presidencës sonë", tha zonja Fajon.

Në Bosnjë pati shumë reagime nga myslinanët dhe kroatët ndaj çdo pretendimi për prekjen e kufijve, një çështje shumë e ndjeshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende po bën përpjekje të ripërtërihet nga pasojat e luftërave të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar.

Nuk pati ndonjë reagim në Kosovë, ku në verën e vitit 2018 qenë ngritur diskutime rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një debat në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që mund të arrihej në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti serb në atë kohë kishte shpallur si politikë të tij "vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve", që nënkuptonte ndarjen e Kosovës, me veriun që do t'i bashkohej Serbisë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi angazhohej për "korrigjim kufijsh" që do të nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Idetë nxitën reagime të ashpra në Kosovë, por edhe në Serbi si dhe kundërshtimin e një pjese të vendeve të Bashkimit Evropian mes të cilave Gjermania ishte më e zëshmja.

Vëzhgues të pavarur në Kosovë thanë se publikimi i dokumentit të pretenduar slloven, mund të jetë një test i ri për opinionin publik në Ballkanin Perëndimor, aspiratat e të cilit për integrime evropiane ende rëndohen nga problemet e trashëguara. / VOA

j.l./ dita

Fushata dyfishon shpenzimet për investime, shifra më e lartë që nga 2013. Ngecin fondet e Rindërtimit

Posted: 16 Apr 2021 12:34 AM PDT

Qarkullimi i fondeve publike është rritur ndjeshëm në kulmin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë periudhës janar-mars 2021 u shpenzuan për investime 11,3 miliardë lekë. Kjo shumë ishte 118% më e lartë se fondi i shpenzuar në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i shpenzimeve kapitale në tre muajt e parë të vitit, që nga viti 2013, edhe atëherë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti.

Por teksa shihet se realizimi i fondeve të investimeve po ecën me ritme të shpejta, nuk ka ndodhur e njëjta gjë për fondin e rindërtimit.

Në fund të tremujorit të parë rezultuan të shpenzuara për rindërtimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 vetëm 2,9 miliardë lekë nga 4.6 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë. Siç shihet nga të dhënat zyrtare është realizuar vetëm 63% e fondit të planifikuar për këtë periudhë. Për të gjithë vitin 2021 kanë planifikuar për procesin e rindërtimit 28 miliardë lekë. Alokimi i fondeve pati ecuri shumë të dobët edhe gjatë vitit të kaluar, ku realizimi vjetor nuk ishte më shumë se 57%. Teksa qeveria nuk po mundet të alokojë shumat e programuara për të prekurit nga tërmeti, shumë banorë jetojnë ende në kushte të vështira dhe në çadra.

Disa shpenzime buxhetore të tilla si shpenzimet kapitale dhe rimbursimi i TVSH-së u rritën me shpejtësi në dy muajt e parë të vitit, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Sipas të dhënave të detajuara të investimeve publike të dymujorit 2021, financimet më të mëdha i morën projektet e infrastrukturës, koncesionet PPP dhe procesi i rindërtimit. Të dhënat më të detajuara tregojnë se projekti më i financuar për dymujorin ishte "Subvencionim Projekti koncesionar/PPP për subvencionimin e rrugës Milot – Morinë", me 369 milionë lekë, nga 740 milionë lekë të programuara për të gjithë vitin.

Projekti i dytë më i financuar në dy muajt e parë të vitit ishte "projekti i burimeve ujore me 366 milionë lekë, edhe pse për këtë projekt nuk kishte fonde të programuara sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Projekti i tretë më i financuar ishte segmenti rrugor Qukës-Qafë Plloçë, me 359 milionë lekë, edhe ky një projekt i paprogramuar në buxhetin e këtij viti, sipas tabelës së pagesave nga thesari.

Gjithashtu, edhe pse pa financime të përllogaritura, projekti i rehabilitimit të lumit të Vlorës mori gjatë dy muajve të parë 295 milionë lekë. Projekte të tjera të infrastrukturës rrugore, për të cilat nuk ishin planifikuar financime morën fonde nga buxheti, si ndërtimi i By Pass të Vlorës me 129 milionë lekë dhe programi i infrastrukturës bashkiake, me 137 milionë lekë.

Nga 20 projektet më të financuara të dy muajve të parë të vitit 2020, më shumë se gjysma, 11 prej tyre nuk ishin të programuara për financim këtë vit.

Gjatë vitit 2021 janë programuar 97 miliardë lekë, të cilat do të shpërndahen për financimin e 1942 projekteve. Gjatë tremujorit janë shpenzuar mbi 11 miliardë lekë rreth 100 mln euro.

Monitor

j.l./ dita

Zyrtari i lartë amerikan: Mund të nevojitet një tjetër vaksinë anti-COVID pas një viti

Posted: 16 Apr 2021 12:17 AM PDT

Shtetet e Bashkuara po përgatiten për mundësinë që një vaksinë përforcuese do të nevojitet 9-12 muaj pasi njerëzit fillimisht të jenë vaksinuar kundër COVID-19, tha të enjten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa kohëzgjatja e imunitetit pas vaksinimit është duke u studiuar, vaksinat përforcuese mund të jenë të nevojshme, tha gjatë një takimi të një komisioni të Kongresit David Kessler, zyrtari kryesor shkencor në grupin e punës të krijuar nga Presidenti Joe Biden për reagimin ndaj COVID-19.

"Mendimi i tanishëm është se ata që janë më të prekshëm do të duhet të vaksinohen të parët", tha Kessler.

Të dhënat fillestare kanë treguar se vaksinat e kompanive Moderna Inc dhe kompanitë partnere Pfizer Inc dhe BioNTech SE ruajnë pjesën më të madhe të efektivitetit të tyre për të paktën gjashtë muaj.

Edhe nëse mbrojtja zgjat shumë më tepër, ekspertët kanë thënë se përhapja e shpejtë e varianteve të koronavirusit dhe viruseve të tjera që mund të shfaqen mund të çojë në nevojën për vaksinime të rregullta përforcuese – ashtu siç veprohet me vaksinat vjetore për gripin.

Shtetet e Bashkuara po ndjekin rastet e infektimit të njerëzve që janë vaksinuar plotësisht, tha Rochelle Walensky, drejtore e Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, në seancën dëgjimore të një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve.

Nga 77 milionë njerëz të vaksinuar në Shtetet e Bashkuara, ka patur 5800 infektime të tilla, tha zonja Walensky, përfshirë 396 njerëz që u desh të shtrohen në spital dhe 74 të cilët vdiqën.

Zonja Walensky tha se disa nga këto infeksione kanë ndodhur sepse personi i vaksinuar nuk ka dhënë një përgjigje të fortë imunitare. Por shqetësimi është se në disa raste, ato po ndodhin tek njerëzit e infektuar nga variantet më ngjitëse të virusit. / VOA

j.l./ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more