Skip to main content

Trump vs. Biden – kush e dominoi debatin e parë presidencial

Trump vs. Biden – kush e dominoi debatin e parë presidencial


Trump vs. Biden – kush e dominoi debatin e parë presidencial

Posted: 30 Sep 2020 12:10 AM PDT

Debati presidencial i cili zgjati më shumë se 90 minuta, u dominua nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili foli më shumë se 39 minuta, raporton CNN, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa kundërkandidati i tij, ish-nënpresidenti, Joe Biden, foli rreth më shumë se 37 minuta.

Trump që nga fillimi i përballjes, sulmoi Biden dhe e ndërpreu atë gjatë përgjigjeve të tij për çdo temë; teknikë kjo e cila e bëri Biden të humbasë mendimin e tij në pikat kyçe në fillim të debatit.

Kur Biden u pyet pse votuesit duhet ta zgjedhin atë dhe jo Trumpin, ish nënkryetari tha se Trump e ka bërë vendin "më të sëmurë, më të varfër, më të përçarë dhe më të dhunshëm".

Çështja e pandemisëPër luftën ndaj COVID-19, Trump beson që hapat që ai ndërmori parandaluan që të ndodhnin më shumë vdekje, ndërsa theksoi se sipas tij, Biden do t'i kishte bërë gjërat të shkonin më keq.

Ndërkohë Biden është kthyer me fytyrë nga kamerat, duke e pyetur popullin amerikan se 'nëse i besojnë Presidentit Trump për koronavirusin?'.

Biden theksoi se sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve nuk pajtohen me mënyrën se si e ka trajtuar Trump pandeminë.

Trump mburret me rekordin që sipas tij, ka arritur në 'zgjidhjen e problemeve'.

Donald Trump beson që sipas 'ekspertëve', ai gëzon turma të mëdha gjatë fushatës, gjë të cilën Joe Biden 'nuk mund ta arrijë asnjëherë'.

"Në 47 muaj, unë kam bërë më shumë sesa ke bërë në 47 vjet," i tha Trump nënkryetarit Biden.

Presidenti Donald Trump dhe ish-nënpresidenti Joe Biden zhvilluan debatin e parë presidencial mes tyre, ndërkohë që mbeten pesë javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Debati u zhvillua në sallën "Sheila and Eric Samson" në mjediset e universitetit "Case Western" në qytetin Klivland të Ohajos.

Grenell tregon nëse i është rikthyer kanceri, publikon rezultatin e analizave

Posted: 30 Sep 2020 12:07 AM PDT

Emisari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kryer kontrollën rutinore 3 mujore për kancer.

Ai ka publikuar një fotografi në profilin e tij në Instagram ku ka treguar se pas kontrollave mjeku i ka kumtuar lajmin se funksionimi i gjakut të tij është në rregull.

Grenell ka qenë i prekur nga kanceri në gjak dhe tash e shtatë vjet ai është shëruar.

"Sot ishte muaji i tretë i verifikimit të Kancerit. Pas shtatë vjetëve është akoma stresuese të testohesh, frika se Kanceri i gjakut do të rikthehet është e vërtetë. Sot dëgjova fjalët magjike që erdhën nga superheroi doktor "funksionimi i gjakut tuaj është i qetë". "Unë e dua gjakun e qetë. E urrej kancerin. Jam falënderues që akoma jam pa kancer", ka shkruar Grenell në rrjetin social Instagram.

Debati i parë Trump-Biden: Retorikë e zjarrtë dhe sulme personale

Posted: 29 Sep 2020 11:41 PM PDT

Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden u përballën në një debat të ndezur të martën, që u karakterizua nga sulme të ndërsjella.

Dy pretendentët në zgjedhjet presidenciale amerikane u angazhuan në shkëmbime me tone luftarake në debatin e tyre të parë presidencial.

Debati u zhvillua në sallën "Sheila and Eric Samson" në mjediset e universitetit "Case Western" në qytetin Klivland të Ohajos, ndërkohë që mbeten pesë javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Debati u drejtua nga gazetari i kanalit Fox News, Chris Wallace. Këtë radhë, siç ka ndodhur që nga viti 1988, debati po sponsorizohet nga Komisionki i Debateve Presidenciale.

Pak sekonda pas fillimit të debatit, Presidenti Trump ndërpreu rivalin Joe Biden, gjë që u përsërit shpesh gjatë natës, ndërsa nënpresidenti Biden reagonte shpesh me irritim nga ndërprerjet.

COVID-19

"Presidenti nuk ka plan," tha Biden, duke folur për reagimin e administratës ndaj pandemisë. "Ai e dinte se ishte sëmundje vdekjeprurëse dhe nuk ju informoi ju (popullin amerikan)".

Presidenti Donald Trump tha se tubimet e tij për fushatë nuk kanë pasur ndikim negativ tek pjesëmarrësit që nuk ndjekin rekomandimet për distancim fizik.

Ai u shpreh se nuk është kundër maskës, duke nxjerrë një maskë nga xhepi dhe duke thënë "Unë vë maskë kur është e nevojshme".

Por ai shtoi se në aktivitetet e tij vijnë "35 mijë deri në 40 mijë pjesëmarrës," duke shtuar se rivali i tij Joe Biden zhvillon aktivitete të papërfillshme "ku i vijnë vetëm tre vetë".

Biden ka zhvilluar aktivitete më të vogla fushate, ku njerëzit qëndrojnë në distancë fizike nga njeri-tjetri. Duke e cilësuar presidentin "plotësisht të papërgjegjshëm" në ragimin ndaj COVID-19,  Biden tha se presidenti "është budalla në këtë temë" dhe shtoi se Trump mendonte për maskë vetëm kur ishte për interes të tij dhe jo të tjerëve.

Gjatë diskutimit lidhur me temën e vendit bosh në Gjykatën e Lartë, debati devijoi tek COVID-19 dhe presidenti tha, pa ofruar prova, se 2 milionë njerëz do të kishin vdekur nëse Joe Biden do të kishte qenë president gjatë pandemisë.

Drejtuesi i debatit, gazetari Chris Wallace iu lut disa herë Presidentit Trump të ndalte komentet për COVID, meqë ajo temë do të diskutohej më pas. Ai e pyeti presidentin nëse do të zëvendësonte planin për kujdes shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama.

Presidenti tha "Së pari, më duket se debatin po e zhvillojmë ne të dy, dhe jo unë e Joe Biden. S'ka problem. Nuk më vjen çudi".

Biden shpesh qeshte nën buzë gjatë komenteve të presidentit, por në disa raste dukej qartë i irrituar.

"Fakti është se çdo gjë që thotë ai (presidenti) është thjeshtë gënjeshtër. Nuk kam ardhur këtu për t'u marrë me gënjeshtrat e tij. Të gjithë e dinë se është gënjeshtar".

Gjatë një tjetër momenti kur presidenti po ndërhynte, Biden pyeti "Ia ka njeri idenë se çfarë po bën ky palaço?"

Trazirat Sociale/ Grupet Ekstremiste

Gjatë diskutimit të trazirave të fundit sociale, i pyetur nga drejtuesi i debatit, Chris Wallace nëse do të dënonte supremacistët e bardhë dhe grupet e tjera ekstremiste, presidenti nuk dha një përgjigje të qartë:

"Do të thoja se thuajse të gjitha problemet që shoh janë shkaktuar nga e majta, jo nga e djathta", u përgjigj presidenti. "Jam gati të bëj çdo gjë. Dua të shoh paqe".

Pas ngulmimit të gazetarit Wallace, Trump tha "Si doni ju që t'i quaj. Ma thuaj, më jep një term".

Më në fund, presidenti tha "Përmbahuni, qëndroni gati "Proud Boys". Në fakt, duhet të bëjmë diçka në përgjigje të Antifa-s sepse ky nuk është problem i së djathtës, por i së majtës".

"Proud Boys" është një organizatë e ekstremit të djathtë, ndërsa Antifa është grupim që përfaqëson grupe e individë të kahut të majtë.

Pasuesit e Antifa-s kanë marrë pjesë në protesta me thirrjet kundër racizmit, por nuk ka prova të konsiderueshme që mbështesin pretendimet e republikanëve se anëtarët e Antifa-s kanë qenë pas akteve të dhunshme në protesta.

Vota Afrikano-Amerikane

Dy konkurrentët u përpoqën gjatë debatit të tërheqin votën e komunitetit afrikano-amerikan. Biden ngriti pyetjen me një ton ironik: "Ky burrë është shpëtimtari i afrikano-amerikanëve? Ai nuk ka bërë praktikisht asgjë". Ish-nënpresidenti demokrat tha se 1 ndër 1000 afrikano-amerikanë kanë vdekur nga coronavirusi dhe nëse presidenti nuk vepron menjëherë, shifra do të rritet në 1 ndër 1500.

Presidenti e zhvendosi diskutimin nga COVID-19, tek ligji kundër krimit i miratuar në 1994, në të cilin Biden ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë, i cili forconte ndëshkimet për persona që kapeshin me drogë.

Presidenti tha "Unë po i nxjerr njerëzit nga burgu," duke shtuar se Biden i kishte trajtuar afrikano-amerikanët "më keq se kushdo tjetër në këtë vend".

Në Shënjestër Anëtarët e Familjes

Presidenti Donald Trump dhe ish-nënpresidenti Joe Biden nuk kursyen as sulmet që shënjestronin persona të familjes.

Kur Biden po thoshte se marrëveshjet tregtare të administratës Trump me Kinën nuk kishin dhënë rezultatet e dëshiruara, presidenti i preu fjalën duke përmendur pretendimet e ngritura më parë ndaj djalit të rivalit të tij, Hunter Biden dhe kontratave të tij me kompani të huaja.

Presidenti tha se Hunter Biden ka fituar miliona në mënyra të pandershme nga Kina dhe kompani të huaja, duke rigjallëruar akuza që janë diskredituar. "Nuk është e vërtetë," tha zoti Biden, duke shtuar "Mund të vazhdojmë gjithë natës me gjërat që ka bërë familja e tij".

Presidenti e ndërpreu duke u përgjigjur se fëmijët e tij kishin lënë punë me fitime të mëdha për të shërbyer në qeveri "që të ndihmojnë popullin" gjë që u pasua nga ndërhyrja e gazetarit që u përpoq të kontrollonte shkëmbimet pa kriter gjatë debatit.

Biden iu drejtua kamerave me një koment direkt për votuesit, gjë që e bëri disa herë gjatë debatit, duke u shprehur "Këtu nuk bëhet fjalë për familjen time apo të tij (të presidentit). Por për familjet tuaja".

Taksat e Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump nuk pranoi të thoshte nëse do të bënte publike dokumentet fiskale, siç pat premtuar.

Gjatë debatit, presidenti u pyet lidhur me një artikull kohët e fundit nga The New York Times se ai ka paguar vetëm 750 dollarë taksa për të ardhurat vitet e fundit. Megjithë premtimet, presidenti nuk dha një datë specifike për datën e publikimit.

Rivali demokrat e sulmoi presidentin, duke thënë se ka shfrytëzuar kodin fiskal për të paguar taksa më pak se një mësues shkolle. Presidenti tha se të gjithë binzesmenët e bëjnë një gjë të tillë, "veçse nëse janë budallenj".

Kontrasti në Stilin e Debatit

Debati bëri të qartë edhe stilet shumë të ndryshme mes dy rivalëve: Presidenti Trump me një stil agresiv, duke e ndërprerë zotin Biden, gjë që u pasua shpesh me komente dhe kritika nga gazetari Chris Wallace për thyerjen e protokollit të debatit.

Biden ndoqi një stil më komunikues me shikuesin, duke iu drejtuar kamerës disa herë me fjalët "ju që na ndiqni nga shtëpia" me komente për votuesit amerikanë.

Toni i debatit, me ndërprerje, me komente të bëra njëkohësisht nga të dy kandidatët, shpesh duke e bërë të pamundur të kuptohej argumenti i njërit apo tjetrit, bënë që të ngrihej supozimi që ishte e pamundur të bëhet një debat pasues. Por duket se të dyja kampet rivale janë të gatshme për një debat të dytë presidencial. /Voa/

Reshjet në Prishtinë: Gjatë ditës së sotme u akumuluan 14 mm shi

Posted: 29 Sep 2020 01:40 PM PDT

Pasditen e sotme dhe në mbrëmje në Prishtinë pati rrebeshe shiu.

Pasdite të reshurat herë-herë ishin me intensitet më të lartë dhe u shoqëruan edhe me rrufe.

Lexo Edhe:
Fuqitë e mëdha dhe konflikti mes Azerbajxhanit dhe Armenisë
Gjatë ditës së sotme u akumuluan gjithsej 14 milimetra shi, bën të ditur Prishtina Weather.

Sipas PW, kjo solli totalin për këtë muaj në rreth 40 milimetra, shumë afër vlerave mesatare për muajin shtator.

Sa kushton një udhëtim me aeroplan privat në kohë pandemie?

Posted: 29 Sep 2020 11:14 AM PDT

Këto ditë të epokës COVID-19, më pak njerëz duan të ulen në një aeroplan duke fërkuar bërrylat me të huajt, kështu që ata po kërkojnë mënyra të ndryshme për të udhëtuar.

Për udhëtimet ku autobusi ose marrja e një treni janë jopraktike, ekziston një alternativë tjetër që mund të jetë në të vërtetë më e arritshme nga sa mendojnë shumica e njerëzve: fluturimi me një aeroplan privat.

Ndërsa udhëtimi me aeroplan privat mund të jetë akoma i shtrenjtë, nuk është më një privilegj ekskluziv i rezervuar vetëm për drejtuesit e biznesit ultra të pasur dhe C-Suite, raporton CNN.

Ndërsa aeroplani privat mund të kushtojë më shumë sesa fluturimi i klasës së parë ose klasë biznesi, shërbimi i personalizuar mund të jetë i vlefshëm, transmeton Telegrafi.

Disa variabla përcaktojnë sa kushton fluturimi privat, kryesisht madhësia e aeroplanit dhe numri i orëve që shfrytëzohet.

Si pikë referimi, Shërbimi i Kartës Ajrore me bazë në SHBA, ofron këto vlerësime për shfrytëzimin e një aeroplani privat.

Aeroplani i lehtë (4 deri në 6 pasagjerë): 4,000 deri në 5,500 dollarë
Aeroplani mesatar (6 deri në 9 pasagjerë): 5,500 deri 9,500 dollarë
Aeroplani i rëndë (16 deri në 19 pasagjerë): 11,000 deri në 20,000 dollarë

Një shërbim i përbashkët do të thotë që kostoja ndahet me personat e tjerë të udhëtimit, duke i bërë udhëtimet private relativisht më të volitshme.

Ndryshe, këto fluturime mund të kenë tarifa shtesë të shërbimit për lehtësitë e rezervimit sipas kërkesës ose nëse aeroplani duhet të heq borën dhe akullin përpara një ngritjeje dimërore. /Telegrafi/

Shokët bëjnë veprimin e rëndë ndaj tij, 14-vjeçari var veten në oborrin e shkollës

Posted: 29 Sep 2020 10:54 AM PDT

Një nxënës 14-vjeç, i cili ngacmohej nga shokët e klasës në një shkollë me konvikt, i mori jetën vetes vetëm disa ditë pasi shokët e klasës i lyejnë jastëkun me jashtëqitje.

Me origjinë franceze, Pierre DaCosta Noble, u gjet i varur në oborrin e shkollës prestigjioze në Windermere në Angli.

Shokët e tij thanë se ai ishte mërzitur shumë nga ky veprim dhe se ishte shprehur se nuk po mundej dot më në atë shkollë.

Ai kishte dalë nga dhoma konviktit rreth orës 20:00, pasi shokët kishin rënë për të fjetur dhe nuk u kthye më.

I mituri u gjet i varur nga dy shokët e tij, të cilët dolën ta kërkonin të nesërmen në mëngjes.

Kush është gjykatësi francez që po gjykon ish-pjesëtarët e UÇK’së

Posted: 29 Sep 2020 10:33 AM PDT

Juristi francez, Nicolas Guillou ka qenë gjykatës i procedurës paraprake në dy seancat e para të Gjykatës Speciale në Hagë. Dje, Guillou e menaxhoi më lehtë seancën gjyqësore ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, ndërsa sot pati më shumë punë.

Nasim Haradinaj, e sfidoi gjykatësin francez duke mos u përgjigjur shkurt, ashtu siç i kërkonte, por duke dhënë kritika të ashpra për mënyrën e trajtimit, shkruan Gazeta Express.

Për Salih Mustafën dje më shumë foli avokati i tij, Julius Von Boné, ndërsa ish-eprori i UÇK-së nuk pranoi të deklarohej as rreth pa/fajësisë pa u konsultuar me avokatin nga Rotterdami. Ai u paraqit kryesisht i heshtur në seancën e parë gjyqësore, ndërsa u pa duke buzëqeshur teksa i lexohej teksti me akuzat që e përfshijnë atë në vepra të rënda si vrasje e tortura, që pretendohet se i ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkohë, Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, sot u ndërpre disa herë nga gjykatësi Nicolas Guillou, masi nuk hezitoi të drejtojë akuza të rënda ndaj kësaj gjykate, të cilën tha se nuk e njeh dhe se do ta kundërshtojë edhe nëse do të dënohet. Madje ai e kishte bërë gati edhe një tekst, të cilin gjykatësi francez nuk e lejoi ta lexonte me arsyetimin se në seancën e parë gjyqësore nuk duhet të diskutohet thelbi i çështjes.

Kush është Nicolas Guillou?

Nicolas Guillou prej vitit 2015 është shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin. Nga viti 2012 ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.

Gjatë periudhës midis viteve 2006-2012, gjykatësi Guillou shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike.

Nga viti 2003 deri më 2006, Guillou punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Meaux, afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.

Guillou ka përfunduar masterin në të drejtën penale ndërkombëtare dhe evropiane në Universitetin e Sorbonës (Francë).

Nicolas Guillou do të jetë gjykatës i procedurës paraprake edhe në seancën e parë gjyqësore ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit, e cila është paraparë të mbahet më 1 tetor

Trupi i 16-vjeçares do të dërgohet për obduksion jashtë shtetit, dyshohet se e vrau xhaxhai në Drenicë gjatë luftës

Posted: 29 Sep 2020 10:03 AM PDT

Organet e hetuesisë janë duke vazhduar hetimet për 16-vjeçaren e vrarë në kohë të luftës në malet e Llaushës. Ngjarja tragjike dyshohet se ka ndodhur nga axha i të ndjerës e për arsye banale.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se nuk kanë informacione të reja për rastin, pasi që nuk e kanë pranuar ende raportin e Autopsisë. Në Mjekësinë Ligjore burimet e Gazetës kanë deklaruar se i kanë sugjeruar prokurorit që kjo gjë të kryhet jashtë shtetit.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e Policia e Kosovës janë duke hetuar një rast që kishte tronditur Llaushën gjatë luftës së fundit.

20 vjet më parë, pak javë para së në vend të hynin forcat e NATO-s e të jepej lajmi për çlirimin e Kosovës, me disa plumba dyshohet se është vrarë në malin e Llaushës një 16-vjeçare, derisa deri më sot ende ka dyshime mbi rrethanat që quan te ngjarja tragjike.

Dy dekada më vonë, nga varrezat ku po prehej, trupi i të ndjerës është zhvarrosur, për t'u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Megjithatë, edhe pas disa muajsh hetime ende nuk është hedhur dritë mbi këtë vrasje. Kështu kanë deklaruar për Gazetën Express nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Në prokurori thonë se nuk kanë marrë raportin e autopsisë, e se rasti po vazhdon të mbetet në fazë të hetimeve.

"Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka autorizuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda për kryerjen e hetimeve dhe mbledhjen e provave. Deri më tani nuk është kthyer raporti i autopsisë, pasi që rasti është ende në fazën e hetimeve", kanë deklaruar nga Prokuroria për Gazetën.

Se nuk ka përfunduar raporti i Autopsisë i kanë thënë Express'it burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Të njëjtit kanë sqaruar se identiteti i viktimës nuk është zbuluar ende, e se Prokurorit të rastit i kanë sugjeruar që për këtë të dërgohet jashtë shtetit.

"Identiteti nuk i është vërtetuar në Laboratorin e Forenzikës. Antropologu i ka sugjeruar prokurorit për dërgim jashtë shtetit", ka thënë ky burim për Gazetën.

Rasti i 16-vjeçares është kthyer në vëmendje kur me datë 13 nëntor të vitit të kaluar, Policia për Hetimin e krimeve të Rënda në malet e Llaushës kishte bërë hapjet e varrit ku janë gjetur mbetje mortore,

Prokuroria kishte bërë të ditur se bëhet fjalë për një 16-vjeçare që dyshohet se është vrarë gjatë kohës së luftës.

"Ju informojmë që kemi të bëjmë me gjetjen e mbetjeve mortore që dyshohen që i përkasin një femre të moshës rreth 16 vjeçare, e cila dyshohet që është vrarë gjatë luftës në periudhën prill maj 1999. Me kërkesë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, dhe me urdhër të prokurorit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, është urdhëruar ekshumimi, ku mbetjet mortore të gjetura janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Në këtë fazë jemi në proces të grumbullimit të informatave, dhe njëherit priten rezultatet e autopsisë, në mënyrë që të dihen shkaqet e vdekjes", kishin deklaruar prokuroria.

Prapavija e kësaj ngjarjeje tronditëse

Vrasja me disa plumba e 16-vjeçares (emri i të cilët nuk do të zbulohet për shkak të ndjeshmërisë së rastit), nuk u hetua asnjëherë. Gjithçka që kishte ndodhur 20 vjet më parë dihej mirë nga familja, e gjithë rrethina, mirëpo kurrë për këtë nuk pati hetime, e askush nuk u vu nën pranga.

Siç rrëfejnë disa burime të Gazetës që janë në dijeni për këtë rast, në kohën kur Kosova kishte qenë në periudhë të luftës, të dyshuar nuk janë pushtuesit serbë, mirëpo, siç bëhet e ditur, një familjar i vajzës.

Rasti kishte ndodhur në vitin 1999, në fshatin Llaushë të Skenderajt, kur kishin mbetur edhe pak ditë nga çlirimi i Kosovës. Atëherë, serbët kishin filluar të tërhiqeshin dhe qytetarët kishin filluar të lëviznin lirshëm.

Bëhet e ditur se vajza së bashku me një shoqe, në ditën kur kishte ndodhur krimi ishte duke shkuar për në qytetin Skenderajt.

Në atë ditë, policia serbe që ishte duke operuar në atë anë, do t'i merrnin vajzën dhe shoqen e saj për t'i ndalur në postbllok dhe nuk do t'i lironin për një kohë. Krejt ky rast u përcoll nga axha i të ndjerës T.SH. (emër i njohur për redaksinë), që në atë kohë kishte qenë ushtar i UÇK-së.

Ai e kishte parë mbesën duke folur me serbët dhe kishte pretenduar se ajo kishte pasur diçka me ta. Kur vajza u kthye në shtëpi pak orë më vonë, axha i saj do ta merrte për ta dërguar në mal, ku edhe dyshohet se xhaxhai e ka vrarë me disa plumba.

Sipas dëshmitarëve, trupi i pajetë i saj ka qëndruar për një natë në mal, derisa të nesërmen trupi është marrë nga familja e ngushtë dhe është varrosur. Ky rast u hesht për 20 vjet, pasi babai i 16-vjeçares asokohe e kishte arsyetuar veprimin e të vëllait. Mirëpo, ngjarja la pasoja në familjen e të ndjerës.

Serbia shkel marrëveshjen e Washingtonit, falenderon Angolën që nuk po e njeh Kosovën

Posted: 29 Sep 2020 09:55 AM PDT

Kryediplomati i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka shkelur me dy këmbët marrëveshjen e nënshkruar në Washington, derisa ka falënderuar ambasadorin e Angolës për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Daçiq sot ka takuar ambasadorin e ri të Angolës në Beograd, Alcino dos Prazeres Isata Francisco da Conceicao, të cilin e ka falënderuar që Angola respekton 'integritetin territorial të Serbisë', shkruan KosovoOnline.

Këto fjalë të Daçiq janë thënë pasi që ambasadori i Angolës ka konfirmuar se shteti i tij nuk do të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kosova dhe Serbia në Washington ishin pajtuar për një moratorium një vjeçar, sipas të cilit, Kosova do të pushojë së kërkuari anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia do të pushojë kampanjën e saj kundër Kosovës përmes 'çnjohjeve'.

"Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë", thuhet në pikën e parafundit të marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

Bekim Jashari viziton familjen e Hysni Gucatit, flasin për arrestimet e Speciales

Posted: 29 Sep 2020 08:38 AM PDT

Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, bashkë me Nuredin Lushtakun kanë vizituar familjen e kryetarit të OVL'së së UÇK'së, Hysni Gucatit, i cili tashmë gjendet në Hagë.

Jashari ka treguar se kanë biseduar për arrestimin e Gucatit nga Gjykata Speciale, derisa shton se besojnë thellë në pafajësinë e ushtarëve të UÇK'së.

"Bashkë me Nënkryetarin, Nuredin Lushtaku dhe me drejtorë e asambleistë, vizituam familjen e Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, babain e tij bacën Avdullah, i cili pavarësisht sfidave që ka kaluar ende mbetet i fortë dhe krenar me luftën dhe sakrificën e djalit të tij Hysniut dhe shokëve të tij", ka shkruar Jashari.

"Biseduam rreth situatës në vend, arrestimit të Kryetarit Gucati dhe bashkëluftëtarëve të tij si dhe shprehëm bindjen tonë të thellë se edhe kësaj radhe luftëtarët e Lirisë do të dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë liridashës", ka shtuar kreu i Skënderajt.

"Krenar me kryetarin, Hysni Gucati dhe luftëtarët e Lirisë!

Besojmë në pafajësinë tende dhe luftën e drejtë të UÇK-së i nderuar Kryetar Gucati!", ka përfunduar Bekim Jashari.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more