Skip to main content

“Iluminizmi i Voskopojës, pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare në fillimet e shekullit të XIX-të” plus 9 more - Gazeta Dita

“Iluminizmi i Voskopojës, pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare në fillimet e shekullit të XIX-të” plus 9 more - Gazeta Dita


Iluminizmi i Voskopojës, pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare në fillimet e shekullit të XIX-të

Posted: 30 Sep 2020 03:41 AM PDT

Kur në shekullin e XIX-të në Ballkan nisi të përjetohet "Rilindja Kombëtare", arrmënët (vllehët) nuk mundën të krijonin dot lëvizjen e tyre për "Rilindjen Kombëtare", për faktin se u mungonte bashkësia e territorit, pra Atdheu dhe sidomos u mungonte ekzistenca e qyteteve ku mund të krijohej elita intelektuale, e cila do të përpunonte ideologjinë dhe strategjinë e kësaj Rilindjeje.

Voskopoja ishte njera nga këto qytete me shumicë vllahe që mund të plotësonte këto kushte, por ajo e vetme nuk mund t'a zgjidhte dot këtë nevojë imediate sasiore e cilësore të kësaj elite të nevojshme. Aq më tepër që kjo Voskopojë e vetme, në prag të kësaj Rilindjeje, u dogj e u shkatërrua bashkë me kulturën dhe elitën e saj intelektuale, që u shpërnda në arrati brenda e jashtë vendit në drejtime të ndryshme.

Në vitet e Rilindjes, Abdyl Frashëri propozoi krijimin e një shteti arumun (vllah) në territoret e Pindit, ku shtriheshin një numër i madh fshatrash e qytetesh me banorë kryesisht vlleh e shqiptarë, ku të mblidheshin arumunë të shpërndarë në Maqedoni dhe në Ballkanin Jugor.

Me këtë propozim, ai mendonte krijimin e një shteti të pavarur arumun midis Greqisë dhe Shqipërisë, për të ndaluar synimet grabitqare të Greqisë ndaj territoreve shqiptare, por grekët luajtën të gjitha gurët për t'a sabotuar këtë ide.

Kjo mungesë e bashkësisë së territorit, pra e atdheut të tyre dhe e mos ekzistencës së qyteteve ku do të zhvillohej elita intelektuale, bëri që veprimtaria iluministe si pararendëse e kësaj Rilindjeje, dha kontributin e saj në vendet përkatëse ku vllehët bashkëjetonin me popujt vendas.

Dhe konkretisht, disa nga intelektualët e shquar të Voskopojës si, Teodor Kavalioti, Sevast Leontiadhi, Grigor Voskopojari e tjerë, me idetë iluministe të tyre, kanë lozur një rol të rëndësishëm për Rilindjen tonë Kombëtare Shqiptare. Natyrisht, ajo Rilindje erdhi nga frymëzimi dhe ndriçimi i mendjes dhe i shpirtit të elitës intelektuale edhe në qytetet e rëndësishme të Shqipërisë për një liri e pavarësi mbarë kombëtare. Iluminizmi voskopojarë u bë i dëgjuar brenda e jashtë vendit, duke i dhënë famë jo vetën atij qyteti, por dhe Ballkanit e më gjerë në shekujt XVIII-të e fillimet e shekullit të XIX-të. Ky iluminizëm nxiti dhe revoltat popullore ballkanike kundër pushtimit turk në Ballkan.

Historiani ynë i mirënjohur, Profesor Aleks Buda në studimin, "Voskopoja, djep i Rilindjes Kombëtare, Shkrime Historike", botim i vitit 1986, faqe 368 shkruan: "Unë nuk nguroj t'a quaj këtë epokë dhe këtë lëvizje që na jep Voskopoja në fund të shekullit të XVIII-të, Iluminizëm i hershëm dhe një stad që nuk do të thotë ende rilindje kombëtare, qoftë dhe vetëm në fillimet e saj, por që e përgatitë atë me siguri".

Akademia e Re e Voskopojës, Biblioteka dhe Shtypshkronja e vetme e Perandorisë së asaj kohe që kishte ky qytet, ka qenë një trekëndësh kulturorë unikal në Ballkanin e mesit të shekullit të XVIII-të. Për aq kohë sa Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjësh shqiptarë e vlleh, u shkolluan dhe formuan një idenditet europian të mbrujtur me idetë iluministe. Kjo siguronte me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane, kryesisht në studimet për mësuesi, doktorë, ekonomistë, filizofë e juristë. (Edvin Jacques në librin, "Historia e popullit shqiptar nga lashtësia në ditët e sotme", faqe 315).

Arti dhe kultura gjithashtu patën një zhvillim të jashtëzakonshëm, duke e kthyer Shqipërinë në një shëmbull që hidhte dritë mbi gjithë Ballkanin Otoman. Piktori me famë David Selenicasi, ka qenë artisti më influent i Rilindjes në gjithë artin ballkanik dhe ndikimi i tij u ndje në gjithë artin ortodoks të Ballkanit, sepse ai dha shënjat e para të kapërcimit të klisheve të pikturave murale dhe ikonave, që trashigonte Mali i Shenjt i Greqisë nga konservatorizmi i periudhës Bizantine. Dhe këtë art të rilindur kishtarë, e pasuan dhe artistët e shquar të shekullit të XIX-të, vëllezërit Zografi, Kostandin Shpataraku, nxënësit e tyre vëllezërit grabovarë Çetiri e të tjerë.

Po t'i referohemi dhe studiuesit të mirënjohur Bernard Lewis në librin, "Islami dhe Perëndimi", faqe 49, ai shkruan: "Shtypshkronja e Voskopojës ishte e vetmja në të gjithë Perandorinë Otomane, sepse shtypshkronja tjetër e Stambollit që u ngritë nga Said Mehmet Efendiu në vitin 1727, pra shtatë vjet pas asaj të Voskopojës, u mbyll që në vitin 1740, në një kohë që ajo e Voskopojës mbijetoi deri në shkatërrimin përfundimtar të atij qytetrimi nga fundi i shekullit të XVIII-të".

Por ai shkëlqim mbi një shekullor i qytetrimit të Voskopojës, u venit deri në shuarje nga sulmet vandale të grupeve rebele të zonave rurale shqiptare gjatë kohës kur Pashai i Janinës, Ali Pashë Tepelena, shpalli pavarësinë nga Perandoria Turke. Tre ekspedita rebelimi njera pas tjetrës në intervale të largëta kohe, e dogjën, e grabitën dhe e shkatërruan përfundimisht jo vetëm qytetin, por dhe qytetrimin dhe kulturën iluministe të saj. E para ishte në shtator 1769, kur bandat e Dangëllisë e Kolonjës që sulmonin karvanet me mallra në rrugtimet e gjata malore, një ditë u sulën dhe mbi qytetin e Voskopojës, duke e djegur e grabitur atë. Ekspedita e dytë ndodhi në qershorin e vitit 1789, kur ushtria e Ali Pashë Tepelenës, në luftimet kundër rivalit të tij, Ibrahim Pashës së Beratit, kërkonte të zgjeronte sundimin edhe në Toskëri, duke përfshirë dhe Voskopojën. Ky konflikt i armatosur i dha një goditje edhe më të rëndë asaj ç'ka kish mbetur në gërmadhat e Voskopojës.

Por lakmia edhe pas shumë e shumë vitesh të tjera nuk u shter ndaj atij qytetrimi që tashmë ishte shuar. Ishin sërish bandat e Sali Butkës në tetor 1916, që kërkonin ende atë ç'kish mbetur nën hirin e gërmadhave, duke menduar se pasuria e Voskopojës nuk kish të sosur. Këto katastrofa njera pas tjetrës, e kthyen atë qytetrim në injorancë e prapambetje dhe Voskopoja u kthye sërish në një fshat, që mundi të mbijetonte mbi gërmadhat e atij qytetrimi të hershëm të mesjetës së vonë.

Në këto situata tragjike, kur vet kombi ha vetveten, Voskopojës nuk i ngelën më as gurët e sokakeve dhe mureve të godinave, të shkollave e të kishave kaq të stolisura ndër vite. Kaq mjaftonte, që qyteti të braktisej nga banorët, të cilët u larguan masivishtë brenda e jashtë vendit, për të mos u kthyer më kurr! Nga Voskopoja i ka rrënjët dhe i ati i shenjtores, Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, "Nënë Terezës Hyjnore". Vllahu Nikolla Bojaxhiu, pas largimit nga Voskopoja në atë periudhë, u vendos me shumë vlleh të tjerë në Shkup, në lagjen tashmë me emrin, "Lagja e vllehve të Shkupit". Edhe vithkuqari Naum Veqilharxhi, hartuesi i parë i abetares në gjuhën shqipe në vitin 1844, u bë ideologu i parë i ideve iluministe politike e kulturore kombëtare. Ai si një iluminist revolucionar, luftoi për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipen dhe ngritjes së kulturës për t'a vënë Shqipërinë në radhën e vendeve të qytetruara.

Pas katastrofës së Voskopojës dhe qytezave vllahe rreth saj, shumë vlleh kanë emigruar në Maqedonin e Veriut, në Bullgari, në Greqi, Rumani, Serbi e tjera, pa u kthyer në trojet amëtare, por që kanë ruajtur deridiku gjuhën dhe traditat e tyre zakonore. Vllehët kanë kontribuar dhe në kuadër të Rilindjes Ballkanike, veçanërisht në Revolucionin për krijimin e shtetit grek në 1820, ku u shqua udhëheqësi i famshëm i atij revolucioni, komandanti legjendar Theodhor Kollokotroni nga Morea e Pelloponezit, me origjinë të largët, vllah nga Vithkuqi i Shqipërisë. Edhe heroi i parë i këtij revolucioni, ishte po vllah, Jorgo Olimpi.

Vllehët kanë qenë kontribues aktiv fizik e shpirtëror në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Ata gjendeshin kudo ku kërkohej guxim dhe kurajo qytetare në rrugën e iluminizmit e të luftës për liri e pavarësi të popullit shqiptar e vllah. Ata kanë qenë aktivistë dhe në aktin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në 28 nëntor 1912 së bashku me shumë patriotë shqiptarë nën drejtimin e Ismail Qemalit në Vlorë. Po ashtu dhe gjatë luftës Nac.Çl., kontributi i tyre ka qenë masivë me armë në dorë në radhët e ushtrisë partizane, por dhe si baza të luftës, duke vënë dhe pasurinë e tyre në shërbim të saj dhe të çlirimit të vendit.

Voskopoja, djep i kapitalizmit të munguar.

 

Zhvillimi i profesioneve të zejeve të kohës në Voskopojë, u bë një nxitës real konkurence në gjithë Ballkanin, duke dhënë shënjat e para të një kulture paraindustriale, që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin edhe të rajonit. Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë, kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t'u dalluar, mbanin të gdhëndur dhe shqiponjën dykrenare, simbol i flamurit kombëtar shqiptar. Referimi vjen nga historiani Dumont, në veprën e tij për Ballkanin, cituar nga studiuesi Ligor Mile. Kurse sipas Prof. Aurel Plasarit në librin "Fenomeni Voskopojë", faqe 41, theksohet se: "Voskopoja kishte 14 korparata dhe mund të themi se historia e atij qyteti, është historia e korparatave të saj. Këto përfaqësonin kategoritë e mëdha industriale dhe tregtare. Në to bënin pjesë shoqëritë e arpunuesve, argjendarëve, bakërtarëve, armëtarëve, këpucarëve, shajak-punuesve, ndërtuesve, bojaxhinjve e tjerë".

Këto shoqata industriale të zejtarëve të mbiquajtura, "Rufete", që sipas studiuesit Ilo Mitko Qafzezi, kanë qenë bërthamat e para të industrisë kapitaliste që ishin korparata të vogla tregtarësh, apo zanatçinjësh që lindën në Voskopojë. Ato jo vetëm i dhanë zhvillim prodhimeve industriale artizane me fabrika e punishte të thjeshta të tekstileve, punimit të metaleve, furrave të thjeshta të shkrirjes së metaleve me ngjyra, siç ishte bakrri, bronzi e kryesisht argjendi e floriri, ku në këtë industri mbizotëronte kryesisht puna me dorë e mjeshtrave të kohës. Veshjet e kostumeve popullore, industria e shajakut që nga përpunimi i leshit në derstile, në punimin e fijeve dhe sidomos tezgjahët e famshëm, përbënin një zhvillim e përparim të kohës.

Po ashtu dhe ikonat e objektet e tjera metalike me ngjyra për kishat e manastiret, apo punimet e drurit të lyera me ar e argjend për ikonastaset dhe ikonat e kishave, ishin një industri e veçant, që mund t'i bënte vetëm dora e mjeshtrave të asaj kohe dhe që sot shfaqin vështirësi për restaurimin e tyre. Kështu, ajo lloj industrie shtrihej dhe në punimin e metaleve për prodhim armësh, punimi i gurit dhe i mermerit, ku janë ndërtuar objekte skulpture e statuja të personaliteteve të shquara, që përbënin një art e kulturë të veçant. Jo më pak dhe ndërtimet e objekteve të kultit, urat me harqe pa llaç e beton që i kanë rezistuar kohës deri sot, çezmat e rrugët e kalldrëmta, janë një dëshmi e pa kundërshtueshme, që tregon se në ato kohë u shfaqën hapat e para të zhvillimit të industrisë në kushtet e një kapitalizmi fillestar.

Këto shoqëri (Rufete) tregtare e industriale, që me ekzistencën e tyre morën format e para të korparatave industriale, kishin dhe statutin e tyre të organizimit e të drejtimit, nëpërmjet të cilit organizohej jo vetëm shoqëria e korparatës, por edhe prodhimi, asortimentet, cilësia e tyre, si dhe tregjet e shitjes. Kjo korparatë drejtohej nga një këshill, që përbëhej nga mjeshtrat më të moshuar, që drejtonin nëpërmjet një rregulloreje të brendëshme, që kishte rolin e statutit. Po ashtu, këshilli grumbullonte dhe fondet e caktuara për infraskturën e brendëshme, por dhe për ndihma e bamirësi, veçanërisht ndaj kishave e manastireve, si dhe për investime publike urbane të nevojshme si, ura, çezma, ujsjellsa e tjera.

Elementi më i çuditshëm i Voskopojës, ishte standarti demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare, të pavarur nga Porta e Lartë. Këtë e trajtojnë shumë studiues të huaj, midis tyre dhe Robert Mantrani në librin, "Historia e Perandorisë Osmane".

Voskopoja ishte qytet autonom brenda Perandorisë Otomane, e përbërë nga shqiptarët, vllehët dhe në pakicë grekë. Ndërsa studiuesi Prof. Aurel Plasari në librin "Fenomeni Voskopojë", faqe 31, e përcakton Voskopojën si: "Një qytet jashtë pushtetit të Portës, i cili në fakt ishte një qytet "tentakular", në kuptimin e plotë të fjalës". Ai i referohet dhe studiuesit, V. Papacostea, i cili theksonte se: "Ajo ka tërhequr rreth vetes gjithë sa i vlente, tregtarë, afaristë, intelektualë të kohës, rini të fshatrave e tjerë". Ky është fakti më kuptimplotë, që, "Voskopoja ishte shqiptare, sepse duke qenë qytet "tentakular", që thithte mes trojeve shqiptare një popullsi me dhjetra mijë banorësh, kuptohet që elementi shqiptar nuk mund të ishte kurr minorancë".

Sigurisht, Voskopoja u shqua midis trevave dhe qyteteve shqiptare më të lashta, për faktin se ajo lindi si një fenomen nga hiçi, nga një vendbanim barinjësh me kasolle bagëtish e shtëpi të thjeshta fshati malor, në një qytetrim të zhvilluar të një qyteti me planimetri lagjesh e rrugësh të kalldrëmta, me ndërtesa të gurta një e dy kate, me dyqane e ambjente sociale, me objekte kulti si kisha e manastire të një stili të ri post-bizantin, me skoli për edukimin e brezave të rinj me dije e kulturë shqiptare e europiane, si dhe me "Akademi të Re" të Voskopojës, si një fenomen i veçant për kohën, ku studiuan breza të tërë dhe dhanë mësim dijetarë e profesorë të kohës si: Sevast Leontiadhi, Teodor Kavalioti, Grigor Voskopojari e të tjerë.

Por duhet theksuar, se kultura dhe qytetrimi që lindi në Voskopojë, nuk duhet parë i shkëputur nga tërësia e kulturës dhe e qytetrimit shqiptar, veçanërisht në disa nga qytetet e lashta siç ishin, Durrësi, Berati, Ohri e Manastiri, Shkodra e Prizreni, Janina, Gjirokastra, Elbasani e tjera, të cilat ishin vatra ku lindën përpjekjet e para për shkrimin shqip të alfabetit të gjuhës sonë dhe ku nisën të lindnin shkëndijat e para të një klase të re shoqërore, në dukje borgjeze e zanateve dhe e tregtisë. Pra, siç e thekson historiani Stilian Adhami në librin, "Voskopoja dhe Monumentet e saj", ku e përkufizon: "Voskopoja nuk ka qenë "Oaz në shkretëtirë".

Po ashtu, qytetrimi i Voskopojës është pasuar dhe nga simotrat rreth e qark, siç ishin Vithkuqi, apo Grabova, që gjithashtu ka një histori të lashtë që në shekujt X-të e të XI-të dhe që mori zhvillim krahas me qytetrimin e Voskopojës në shekujt XVII-të e XVIII-të. Këto shekuj sollën një erë të re në zhvillimin e qytetrimin e shumë qyteteve të Shqipërisë, ku lindën e u zhvilluan jo vetëm shoqëritë tregtare e zejtare, por nisi të rilind dhe një klasë e re intelektualësh të arsimuar në shkollat e Europës së qytetruar, që sollën koncepte të reja për zhvillimin ekonomik, si dhe për dijet e kulturën në trojet shqiptare.

Në këto kushte e rrethana të këtij qytetrimi të porsa rilindur, sigurisht  Voskopoja u lind në këtë shtrat e bazament, ku ndikuan dhe faktorët ekonomik e social, siç ishin tregtia dhe zejtaria, që lozën një rrol kryesor në zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien social-shoqërore të këtij qyteti. Ky zhvillim ekonomik e kulturor, e bënë Voskopojën dhe vendbanimet vllahe rreth saj, si një ishull, ku puna, vullneti dhe mençuria e këtij komuniteti, lulëzuan në mënyrë të dukshme, krahasuar me prapambetjen e obskurantizmin feudal të disa zonave të thella rurale, që kish mbjell kudo sundimi shekullor i Perandorisë Otomane.

Shkëlqimi i qytetrimit të Voskopojës, bëri që Perandoria e Stambollit t'i jepte asaj një farë autonomie nën ndikimin grek të Patriarkanës së Kostandinopojës, si dhe të ndikimit të kishës dhe të shkollave greke pranë kishave dhe manastireve, pasi shkolla shqipe nuk ekzistonin për mungesë të alfabetit të gjuhës shqipe. Studiuesi Aurel Plasari në librin e tij "Fenomeni Voskopojë", faqa 9, për këtë çështje ndër të tjera shkruan:

"Në rrethanat politike të gadishullit nën Perandorinë Osmane, Voskopoja ia doli nën këtë Perandori të gëzojë privilegje të rëndësishme dhe një autonomi pothuajse të plotë. Arriti të ketë gjykatën e vet dhe trupin e vet gjyqësor, një polici të brendëshme, xhandermari të karvaneve dhe të rrugëve, organizime korporative, liri fetare, deri dhe sigurime shoqërore. Mbas vitit 1700, ajo u shfaq si qendër e madhe tregtare por dhe industriale, me një industri metalurgjike, kryesisht armësh e argjendarie. Eshtë fjala pra, për një qytet që arriti të bëhet mes viteve 1720-1770, metropol i vërtetë i gadishullit të Ballkanit".

Këtë zhvillim, Voskopoja ia dedikon në radhë të parë mendimit iluminist intelektual të njerëzve të shquar me dije dhe shkencë të përparuar, të mbështetur dhe nga tregtarët e zejtarët e saj të talentuar, që punonin jo vetëm brenda vendit, por dhe në tregun ndërkontinental të Europës, Azisë dhe Afrikës. Para botës perëndimore, me të cilët tregtarët voskopojarë kishin mardhënie tregtie, shfaqeshin si tregtarë grekë, pasi greqishtja ishte gjuhë kishtare, gjuhë e shkollës, por dhe gjuhë e marrdhënive tregtare.

Pas bastisjes së Voskopojës ndërmjet viteve 1769-1789, shumë familje voskopojare, krahas territoreve të tjera të Shqipërisë, zbritën dhe në Korçë, të cilat i dhanë qytetit diçka dhe nga lavdia e Voskopojës. Në vitin 1783, Korça dhe gjithë sanxhaku i saj, u bënë pjesë e Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, që e shtriu sundimin e tij edhe në Shqipërinë e Jugut dhe në atë Jug-Lindore. Në shekullin e XIX-të dhe fillimet e shekullit të XX-të, Korça u bë qendër e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare, ku në vitin 1887 u hap shkolla e parë fillore në gjuhën shqipe nga organizata patriotike, "Drita" dhe në vitin 1891, po në Korçë, u hap shkolla e parë për vajza nga familja, Qirjazi.

 

Veliaj: Nuk do lejoj askënd që të ndalë orën e Tiranës për interesa politike

Posted: 30 Sep 2020 03:33 AM PDT

Politika duhet të qëndrojë larg çështjeve që prekin drejtpërdrejtë interesat e qytetarëve, të cilët e përkrahin zhvillimin e transformimin e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke folur në emisionin e mëngjesit "Wake Up", në Top Channel, tha se dy nga çështjet një u zvarritën për faj të politikës ishin projekti i Unazës së Madhe dhe Teatrit të ri Kombëtar.

"Ne, shqiptarët, e kemi të mundur të mos i politizojmë gjërat. Për sa kohë që, tek fusha e futbollit në Laprakë po lozin të majtë e të djathtë, për sa kohë që në Pazarin e Ri bëjnë pazar edhe nënat e majta edhe të djathta dhe për sa kohë tek Liqeni dalin për vrap edhe të majtë edhe të djathtë, do të thotë se është e mundur. Ne shqiptarët, thjesht duhet ta ndajmë mendjen të bashkëpunojmë dhe mos të pengojmë njëri-tjetrin. Ne humbëm tre vite tek Teatri. Ne humbëm tre vite tek "Astiri". Kjo është arsyeja pse organizova 12 dëgjesa me artistët dhe sot 99% e tyre ranë dakord", u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se shumë nga ata që dje protestonin, sot kanë pranuar që janë përdorur nga politika. "Qyteti nuk mund të humbasë më kohë! Kemi organizuar 12 dëgjesa; kam qenë edhe tek dëgjesa kur jam qëlluar me vezë, kam qenë edhe në dëgjesa ku një aktor merrte porosi direkt nga selia e partisë me mesazhe, por s'ka asnjë problem. Njerëzit kanë të drejtë të bëjnë karrierë në politikë, – madje u provua ajo që thashë, që dy organizatorët ishin edhe kandidatë për deputetë, – por, të ngatërrosh politikën me nevojën që ka qyteti për një shtëpi të madhe arti… Shumë prej atyre që protestonin për këndin e lodrave, jo vetëm që janë kthyer sot në miq, por kanë kërkuar ndjesë duke thënë 'na marrosi politika'", tha kryebashkiaku.

o.j/dita

“Nuk po na dëgjon asnjë”/ Naftëtarët e Ballshit në ditën e tretë të grevës, një prej tyre largohet në gjendje të rëndë

Posted: 30 Sep 2020 03:23 AM PDT

Në ditën e tretë të grevës së urisë që po zhvillohet nga naftëtarët e Ballshit, njëri prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore është detyruar ta lërë në mes atë për t'u zëvendësuar nga një koleg.

Gjithashtu disa të tjerë  kanë shfaqur probleme shëndetësore si dhimbje koke, tension etj.

Naftëtarët ankohen se edhe Spitali i Ballshit nuk është interesuar për shëndetin e tyre.

Njëri prej grevistëve në një prononcim për mediat u bëri apel politikanëve të lënë mënjanë bindjet e tyre për t'ju ardhur në ndihmë naftëtarëve.

Ata janë shprehur se askush nga kompania apo nga shteti nuk është interesuar për ta.

"Në momentin që ne po flasim, gjendja jonë shëndetësore është e qëndrueshme. Vendi ku jemi akomoduar ka pak lagështirë dhe nuk i kemi kushtet e nevojshme. Nuk kemi pasur asnjë komunikatë nga institucionet shtetërore. Jemi 10 veta. Në grevë ky është një numër simbolik. Në grevë është i gjithë qyteti i Ballshit. Ne kërkojmë plotësimin 100 përqind të kërkesave tona" – tha një prej naftëtarëve.

Grupi i grevistëve po mbështetet edhe nga punëtorët e stacionit te pompimit të Poçemit, pasi edhe ata kanë paga te prapambetura. Punëtorët e Stacionit të pompimit të Poçemit kanë ardhur për t’i mbështetur, por ende nuk është vendosur nëse edhe ata do të futën në greve urie.

o.j/dita

Jepet alarm për bombë në Rinas! Të gjithë nxirren jashtë për siguri, panik te qytetarët

Posted: 30 Sep 2020 03:05 AM PDT

Aviacioni Civil ka kryer një test në aeroportin e Rinasit këtë mëngjes (30 shtator). Ata raportuan një alarm për bombë në mënyrë që të testohet reagimi i punonjësve dhe qytetarëve.

Por kjo ka sjellë panik tek pasagjerët të cilët dolën me vrap.

Të gjithë dolën jashtë madje në pistë mbërritën forcat zjarrëfikëse.

Për Report Tv, Aviacioni Civil u shpreh se në këto raste nuk bëhen njoftime paraprake pasi punonjësit e sigurisë parapërgatiten.

o.j/dita

VIDEO/ Lojtari del nga fusha dhe shkon me urgjencë në tualet, ja veprimi i çmendur i Mourinho

Posted: 30 Sep 2020 02:59 AM PDT

Pseudonimi i José Mourinho-s është 'Special One' dhe të martën në mbrëmje e vërtetoi pse ai mbetet special. Në fakt në ndeshjen Chelsea – Tottenham e vlefshme për çerekfinalen e EFL Cup, pikërisht në minutën e 75, "Spursat" po humbisnin 1-0 dhe ekipi Mourinho-s po kërkonte me patjetër golin e barazimit.

Në një moment portugezi e pa veten me 10 lojtarë, pasi lojtari i tij Eric Dier kishte një krizë intestinale dhe u desh të largohej nga fusha duke lënë për disa momente ekipin me 10 lojtarë, situatë nga e cila përfitoi Chelsea që rrezikoi portën e Totenhem.

Kjo situatë acaroi Mourinhon i cili hyri me shpejtësi në dhomat e zhveshjeve e shkoi të nxirrte Dier nga tualeti, me lojtarin i cili u kthye me vrap në fushë!

Një situatë komike, por që nuk qetësoi Mourinho-n, i cili turfulloi në pankinë derisa Totenhem barazoi me anë të Lamela, pak minuta para fundit.

Tottenham eliminon Chelsea nga kompeticioni i parë

Është dashur ruleta e penalltive që Tottenham të eliminojë ekipin e Chelsea nga raundi i katërt i Kupës së Ligës.

Koha e rregullt e takimit u mbyll në barazim 1-1, me "Blutë" e Londrës që kaluan të parët në avantazh me anë të gjermanit Timo Werner në minutën e 19.

Vendasit arritën ta gjenin golin e barazimit vetëm në minutën e 83 me anë të argjentinasit Lamela për ta çuar ndeshjen në goditjen e 11 metërshave.

"Gjelat" u treguan të saktë në të gjitha penalltitë ndërsa Mount humbi goditjen e fundit për miqtë duke shkaktuar dhe eliminimin e ekipit të tij nga kompeticioni i parë.

o.j/dita

Akuzohet për dekonspirim të operacioneve dhe korrupsion, shtyhet seanca për kreun e OFL. Nën hetim të SPAK edhe dy oficerë të tjerë

Posted: 30 Sep 2020 02:47 AM PDT

Është shtyrë seanca në Gjykatën e Posaçme për kreun e OFL, Artan Shkëmbi, të cilit do t'i komunikohej masa e pezullimit. Shkëmbi u pezullua nga detyra dy ditë më parë nga Ardi Veliu, pasi ishte nën hetim nga SPAK, ndërsa akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor.

Ndërkohë, burime për abcnews.al bëjnë të ditur se përveç Artan Shkëmbit, SPAK ka kërkuar të dhëna edhe për dy oficerë të tjerë në Policinë e Shtetit si të dyshuar të përfshirë në nxjerrjen e sekretit hetimor.

Sipas burimeve të policisë mësohet se në pyetje janë marrë dy agjentë të cilët kanë kërkuar në TIMS të dhënat e dy personave që gjermanët kishin kërkuar informacione për pasurinë e tyre.

Edhe pse Prokuroria e Posaçme ka bindjen që këta oficerë së bashku me kreun e OFL, Artan Shkëmbin kanë nxjerrë sekretin hetimor. Ndërkohë, Shkëmbi dhe dy punonjësit e policisë kanë pohuar se kërkimin në TIMS e kanë bërë për shkak të detyrës që ata kishin.

Burimet thonë se përveç sistemit TIMS të dhënat janë kërkuar edhe me programin "Deep see", i cili është program që mund të kërkojnë informacione sekrete vetëm zyrtarët e lartë të policisë.

Hetimi nga SPAK ka nisur para 5 muajsh pas kërkesës se gjermanëve, pasi me ane të një pajisjeje të tyre ata kanë zbuluar se kush kishte kërkuar tek te dhënat e dy personave qe ata kishin nën hetim. Mësohet se ata janë dy shqiptarë që jetojnë në Gjermani.

Gjermanët pretendojnë se ishte Shkëmbi ai që dekonspiroi informacionin duke vënë në dijeni grupin e trafikantëve shqiptarë përmes një platforme chati të kriptuar.

o.j/dita

Veliaj jep lajmin e mirë: Së shpejti hapim Blv Zogu I, zgjidhëm problemet me kanalizimet në Rr. e Durrësit

Posted: 30 Sep 2020 02:32 AM PDT

Shumë shpejt Bulevardi "Zogu I" dhe Rruga e Durrësit, dy nga arteriet kryesore të hyrjes në qytetin e Tiranës, do të hapen tërësisht të transformuara, me trotuare më të gjera për këmbësorët dhe rrugë më të mira për automjetet.

Në një intervistë për Top Channel, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se punimet në këto dy rrugë po bëhen brenda 6 muajve, kur zakonisht për ndërhyrje të tilla kërkohet deri në 2 vjet kohë.

"Ishin dy investime që duheshin bërë. Më kujtohet kur njerëzit thoshin kur do ndërrohen pllakat te "Zogu I", kurse tani thonë pse po bëhen tani, duhet të bëhen më vonë. Nuk duhet të bëhemi të gjithë gjithologë. Një punë që tipikisht kërkon 2 vjet kohë, po e bëjmë në 6 muaj. Përpara fundit të tetorit ose fillimit të nëntorit, Bulevardi "Zogu I" do të hapet. Kemi bërë edhe një investim të rëndësishëm në Rrugën e Durrësit, ku ndodhet kolektori i madh i ujërave të Tiranës. Tirana duket sikur është e sheshtë, por në fakt, duke filluar nga Dajti, te Fresku, Rruga e Dibrës, qyteti ka një pendencë disa herë 2, disa herë 3 %. Kjo do të thotë se ujërat përfundojnë në hinkën e Rrugës "Dritan Hoxha", ku kemi investuar që në vitin tonë të pare. Aty tubacionet e ujërave kanë diametër 120, po ashtu edhe deri te sheshi "Skëndërbej". Kurse, Rruga e Durrësit, ku për herë të fundit është investuar me kanalizime që në kohë të fazhizmit, tubacionet ishin me diametër 80. Çfarë ndodh? Të gjithë banorëve të Rrugës së Durrësit u mbusheshin bodrumet dhe katet e para. Me të drejtë, kush jeton në Tufinë apo në Rrugën e "Dibrës" thotë, ç'më duhet mua, por ndërkohë kryetari i bashkisë përgjigjet për të gjithë", tha Veliaj.

Ai sqaroi se Rruga e Durrësit do të shërbejë si hyrje në Tiranë, ndërsa rruga "Mine Peza" është sërish një rrugë me dy korsi si dalje.

o.j/dita

Ish-oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit, Hasan Luçi: Ai që qante me “Oiii” mbi varrin e Ahmet Zogut dhe ishte veshur me frak në dasmën e Lekës ishte agjent i yni…

Posted: 30 Sep 2020 02:21 AM PDT

Ish oficeri i lartë i Zbulimit (ish-Sigurimit të Shtetit) Hasan Luçi, në vijim të intervistave të ditëve të fundit në DITA, të cilat kanë ngjallur një interes të veçantë, këtë herë ndalet tek një nga personazhet më të rëndësishëm, Andon Konomit nga Zheji i Gjirokastrës, i cili veproi si agjent i Sigurimit të Shtetit në stafin më të ngushtë të Ahmet Zogut. Është ai personazhi i famshëm që vajti me frak në dasmën e Leka Zogut në Madrid në vitin 1975. Lexoni më poshtë rrëfimin e Hasan Luçit, njeriut që bashkëpunoi ngushtësisht me agjentin që mbante pseudonimin Viroi dhe më pas u mbiquajt Arbërori…

Nga Hasan Luçi

Rrjedhat e punës zbuluese gjatë jetës më bënë të njihem me Andon Konomin nga Zheji i Zagories, në fillim me dosjen e tij, si i arratisur, pastaj në rrethana të veçanta në Bruksel e Paris për shumë vite.

Për të kisha lexuar edhe në shtypin e mërgatës politike, ku ai ishte bërë shumë i njohur, së pari, për nderin e të qënit shqiptar dhe së dyti, si ortodoksi i parë dhe i vetëm në KQ të Legalitetit, pra si një ministër zogist në mërgim. U interesova për të përmes disa miqsh të mi të mërgatës ekonomike e kosovarë si dhe me bashkëpuntorë të zbulimit shqiptar në radhët e asaj mërgate politike. Të gjithë këta që e njihnin direkt a tërthorazi flisnin mirë për të si njeri i kulturuar dhe veçanërisht si nacionalist (kupto shqiptar atdhetarë dhe kundër shovenëve fqinjë), duke dhënë hollësi të qëndrimeve të tij publike në Greqi, Belgjikë, Paris e gjetkë.

Ata shtonin se ai i njihte shumë nga krerët e të arratisurve, një pjesë të njohur qysh në Tiranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, me të cilët takohej në mërgim, kishte  letërkëmbime të shpeshta me ta,  qanin hallet e kohës në mërgim apo flisnin e vepronin kundër pushtetit popullor nën vartësinë e shërbimeve sekrete të vendeve perëndimore antikomuniste gjatë "Luftës së Ftohtë". Ai ishte bërë një nga shqiptarët e arratisur shumë i njohur me banim në Belgjikë, ku ishin grumbulluar rreth 2500 të arratisur, të vajtur nga Greqia, Jugosllavia, Italia etj. Këto njohuri ishin të mjaftueshme dhe ia vlente për t'u takuar me të dhe parandjehej qartë se ai do të bashkëpunonte me zbulimin tonë për mbrojtjen e Atdheut e të popullit nga armiqtë e shumtë të kombit tonë, mbi interesat ideologjike e partiake të kohës, çka ishte një gur prove për atdhetarët e vërrtetë edhe në mërgim.

Pasi bëra propozimin për ta tërhequr në bashkëpunim dhe m'u miratua, gjatë një shërbimi në panairin e Brukselit në 1959, zbuluesi Dilaver Pinderi me shërbim në ambasadën tonë në Paris dhe Myslim Sinojmeri, me të cilin shkuam atje nga Tirana, e takuan dhe e tërhoqën në bashkëpunim, pasi mua nuk m'a dhanë mundësinë, edhe drejtori në Tiranë, pasi isha ende i ri për një veprim me atë person më të madh e përvojë, megjithëse kisha kryer fakultetin e zbulimit dhe kisha fituar përvojë qysh nga viti 1955. Në këtë veprim i çova edhe një letër nga djali i tij Stefani, që kryente studimet në Tiranë për inxhinjeri, çka e preku shumë e lotoi. Ai e priti me shumë gëzim veprimin tonë dhe ra dakort të jipte ndihmesën e tij, sipas mundësive reale që kishte në radhët e mërgatës së qyqeve.

***

Hasan Luçi

U takuam për herë të parë së bashku në fund viti të 1961 në Paris, në kushte ilegaliteti, pak kohë mbasi nisa punën në përfaqësinë tonë atje. Me gjithë moshën time të re dhe moshën e pjekur të atij, u bëmë shpejt miq, pasi në këtë mes luajti rol të mirë edhe njohja e tij me barinj të fshatit tim në Çajup dhe njohja ime me shumë zagoritë në gjimnazin e Gjirokastrës, veç traditave, zakoneve e historisë së përbashkët në Labëri.

U interesova për jetën e tij në Greqi, ku u arratis për arsye të disa grindjeve në punë, me disa persona që nuk e donin, sidomos një me pozitë, dhe e akuzonin për disa qëndrime gjatë LANÇ-it në Tiranë, ku në fakt ndihmoi luftëtarët e lirisë, dhe e transferuan nga Tirana në Lezhë, ku qëndroi pak kohë dhe nga frika ia mbathi në arrati në Greqi kur shkoi në shtëpi në Zhej. Qysh në hapat e parë, hetuesit grekë të kufirit e të spiunazhit e kishin pritur me këmbë të para, pasi e dyshonin si të dërguar nga Sigurimi, pasi arsyet e arratisjes së tij duke lënë familjen në vend (nënën e gruan me tre fëmijë) nuk ua mbushnin syrin.

"E kuptova shpejt, thoshte Andoni, se djalli nuk e beson të varfërin, që ia kishte mbathur nga frika e arrestimit për disa grindje banale e personale me dikë të pushtetshëm. Më në fund më kërkuan të nënshkruaja deklaratën se qënkesha Vorio Epirot (kupto grek, si e kërkon ideja e madhe shovene greke). Mua m'u errën sytë se nuk e prisja kaq hapur që të më kërkonin të shisja Shqipërinë, pa kujt pa le, atyre që kanë shkretuar jugun e Shqipërisë sa e sa herë dhe mbajnë të pushtuar Çamërinë e troje të tjera shqiptare. Ua përsërita disa herë se unë jam arratisur për arsye private, personale, pata frikë mos më futnin në burg, dua të shpëtoj kokën dhe nuk kam ikur të bëhem Vorio Epirot se unë jam ortodoks, por jam shqiptar, e kam nder të jem shqiptar dhe kështu do të vdes qoftë nga ju qoftë nga perëndia. Mos nënshkrimi i kësaj deklarate më kushtoi shtrenjtë se vuajta disa vite në kampet më famëkeqe greke dhe sidomos në ishullin Siros, më i keqi, ku ishin izoluar komunistët grekë më të rrezikshëm, pasi më zhdëpën mirë e mirë  dhe ja ku i kam shënjat e torturave. Si shpëtova nuk e di se na mbanin në sy të diellit, bashkë me gjarpërinjtë, duke bërë punë, pa ujë, me ushqim të keq, ku vetëm kufomat e njerëzve shtohehin shpejt. Kështu shovenët grekë kërkonin jetën time, por unë më mirë të vdisja shqiptar se grek zuzar.

Zoti më shpëtoi, se pata ca dhjamë, megjithse u bëra turbekuloz"!

Ai pati guxim për t'u përballur me çdo shoven e tradhtar apo injorant në këto çështje thelbësore. Ai qe një orator i lindur dhe për të drejtën vinte përpara këdo. Ai përdorte me zgjuarësi të rrallë faktet dhe shpesh i zinte ngushtë edhe "baballarët e kombit" në arrati, të  cilët thoshnin se "po të mos e njihje Andonin, ky është komunist puro"! Në fakt i sillte vërdallë me fjalët e tyre se ua dinte edhe bëmat me pushtuesit e në jetën e tyre private.

Ja si i këndonte një "miku" të tij: "Na thuaj Haki Rushiti: / Amerika si të priti / Ç'u dhuroi, ç'u gostiti ?! / Me dollarë ju velesiti / Prandaj s'duhet të mërziti !/ Fitoni me ata dollarë / Ndaj miqtë i harruat fare / Se u mbushët plot me pare / Në Amerikën bujare / Kokë e botës nacionale".

Ndërsa për veten e vet këndoi : "Mëma që më bëri mua / Si gjithë nënat në dynja / Seç më rriti e u mundua / Më duket së bëri gjuna"!

Kur shkruante kështu për veten e tij, mendoni ç'qyfyre bënte me Ali Këlcyrën, Hasan Dostin, Nuçi Kotën, Vasil Germenjin, Ismail Vërlacin, Dervish Dumën, Faik Bykmirin, Geraldinën, zonjën Zavalani, Leka Zogun etj. kurse me legalistët në Belgjikë e Francë ishte edhe më i thekur sa shkuleshin në gaz.

Ne i vumë pseudonimin "Viroi", atij lumit të vogël në Gjirokastrën që ai e deshio pa masë. Më pas, duke parë atdhetarizmin e tij të zjarrtë, i vumë pseudonimin "Arbërori". Janë dy emra simbolikë që flasin shumë për personalitetin e këtij atdhetari të zjarrtë.

***

Në tetor 1975 princi Leka Zogu, i vetëshpallur në prill 1961, u martua, me miratim të kryesisë së Legalitetit e të Abaz Kupit. Dasma u bë me bujë të madhe në Madrid të Spanjës, me pjesëmarrje të përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë, mbretër në fuqi e në mërgim, veç të arratisurve legalistë, kosovarë e nga diaspora ekonomike.

Po në këtë dasmë bëri bujë "mbretërori hamall", Andon Konomi, të cilin e kishim veshur me frak, papijon, borsalinë e dorashka, dy-tre unaza floriri në duar, ora që vezullonte dhe këpucë të zeza me llustër.

Trup mesatar i shëndoshë, ai sillej andej këndej në sallon, duke përshëndetur me buza gaz e shkelje syri të njohurit e të panjohur. Shumë kureshtarë  pyesnin: po kush qenka ky, zotëri, më shiku këtu?

Leka i buzëqeshte Andon Konomit se ishte mik i parapëlqyer i të atit për humorin e mënçurinë. Edhe mbretëresha Geraldinë e simpatizonte goxha zotin Konomi.

Pastaj Leka – për të cilin Andoni më thoshte shpesh që ky "nga trupi është si mal, po nga mëndja është në hall" – iku në Rodezi e Afrikën e Jugut, ku e gjetën demokratët tanë në vitet '90…

***

Me shkathtësinë e tij në biseda e qëndrime a në fjalime, Andon Konomi (alias Viroi) hiqej si pasues i mbretit, por në fakt ai lidhi miqësi edhe të reja me të gjitha rrymat politike në mërgim, sidomos me krerët e tyre, pa dallim dhe notonte për bukuri duke i ngopur me lugë të zbrazët se zotëronte taktikë afrimi, sqarimi e bindjeje, që i bënte për vete duke i hutuar me humor, me shpoti, duke i bërë gaz i botës, duke mos përjashtuar vetveten! Kështu qenë bërë të arratisurit e mërgimtarët në punë të vështira e të rënda, punë të zeza, të kohës në kampet e punës a të internimit faktik, si ata ish bashkëpuntorë të fashizmit si dhe të tjerët që ishin gënjyer nga propaganda mashtruese e "botës së lirë".

Vetë Andoni e quante veten "ministri hamall i oborrit të Zogut" se vërtet punonte si punëtor transporti në një fabrikë birre, një punë e rëndë, ku shëndeti i tij u rëndua më keq, se ai nuk i servilosej askujt për t'i dhënë lëmoshë, përkundrazi qeraste si fisnik e bujar. Ai bënte një jetë të rregullt larg veseve të këqia dhe për këtë nderohej e respektohej nga shqiptarët, kosovarët e shumtë në Belgjikë dhe të huajtë, përfshi vendës, që bënin qyfyre në një kafene afër banesës në Bruksel. Ai nuk u bë problem as për organet policore, ku kaloi shumë vite. Ishte bërë shumë i njohur në kafenenë e lagjes si shqiptari gazmor, i pashëm e serioz, duke rrëkëllyer krikot e birrës me ta. Ai ishte punëtor, i ndershëm dhe i shoqërueshëm me cilindo, por kur e shkelnin në kallo ua rregullonte qejfin publikisht sidomos agjentëve të spiunazheve të huaja kur e ngacmonin dhe ua nxinte jetën se ua përplaste në fytyrë, pra i ruheshin nuhatjes së tij.

***

Andon Konomi kishte dashuri të madhe për familjen, ai përlotej sa herë flisnim për ta, sidomos për vajzat e gruan, mbi të cilat arratisja e tij rëndoi më shumë. Për ta ngushëlluar sado pak ne mbështetëm djalin e tij të mbaronte studimet e të punonte pa u shqetsuar si edhe vajzat e gruan në koperativë.

Punova shumë vite me të se ishte një bashkëpunëtor shëmbullor në punën e zbulimit dhe në jëtë, e dërgoja me shërbime tek lidhjet e tij në Londër, Romë, Madrid, etj.veç letërshkëmbimit dhe ishte prodhues të dhënash të sakta e të rëndësishme, shfrytëzonte edhe ish diversantët që njohu sidomos ata që patën vepruar a vepronin ende nga Greqia e Jugosllavia etj.

Por shëndeti i tij sa vinte përkeqësohej, prandaj kërkova kthimin e tij në familje, pasi ai ishte zëvendësuar me bashkëpuntorë të rinj, për të jetuar e çmallur me familjen, duke jetuar faqebardhë në vendlindje. Zbulimi e rehabilitoi dhe u njoftuan organet përkatëse në Gjirokastër e Zagori se iu njoh veprimtaria e tij atdhetare shumëvjeçare në mbrojtje të Atdheut. Ai u legalizua pranë familjes e popullit. Ai u prit si bir i denjë i Zagories e vendlindjes së tij Zhej.

Nuk do ta harroj kurrë darkën në Zhej me familjen e tij e miqtë në një kohë kur na zuri një furtunë bore. Vajtja ime, biseda e shkurtër që bëra, dhe bisedat e ngrohta përmalluese me Andonin me humor të rrallë, e besuan më qartë se ai i kishte shërbyer mirë Atdheut, pasi kishte edhe mosbesues ndaj tij. Po ai nuk po çmallej ende me familjen dhe e brente ndërgjegjja se i braktisi shumë vite në fatin e tyre. Ai besonte  se koha i shëron plagët, dhe  megjithëse i sëmurë përpiqej të jetonte jetën në familje, që e donte aq shumë.

***

Shuarja e jetës së tij para kohe, ishte e rëndë jo vetëm për familjen e miqtë e tij, por në mënyrë të veçantë edhe për mikun e luftës së përbashkët në mërgim Isuf Mullain, si shkruan ky në kujtimet e tij, dhe për mua që e kishim mik për koke dhe një atdhetar të rrallë në çdo veprimtari zbuluese e jete. Ai ishte i brumit rilindas të kombit tonë. Edhe me djalin e tij Stefanin ruajta miqësinë deri sa ndërroi jetë.

Këtë shkrim dua ta mbyll me këto vargje që Andon Konomi i shkroi vetes se kishte talent dhe la mjaft poezi:

"Një shqiponjë si ai / Lind pa tjetër n'Zagori/ Trimëri e mënçuri / Zot në atdhetari / I urtë në gojtari / Vendit i mungon tani / Provuam një mërgim / Me mundim e hidhërim / Po patëm dhe përfitim / Qemë të fortë në durim / Për nder të Atdheut tim / Shqiponjën Andon Konomi / Ta kujtoni sa të rroni / Dhe brezave u thoni!".

Ky artikull në tërësi u botua disa vite më parë në gazetën e shoqatës Zagoria, përmes mikut tim të mënçur Trifon Carka.

 

Po punonte me vinç mbi urën në “Rrugën e Arbrit”, 53-vjeçari aksidentohet dhe humb jetën (Emri)

Posted: 30 Sep 2020 02:07 AM PDT

Një punëtor i në fshatin Klos ka humbur jetën mëngjesin e sotëm (30 shtator).

53-vjeçari me iniciale A.A. punonte mbi urën e Vashës me një vinç dhe është aksidentuar. Si pasojë ka humbur jetën.

“Rreth orës 09.40, në rrugën e Arbrit, shtetasi A. A., rreth 53 vjeç, duke punuar me një automjet të rëndë (vinç) në urën e fshatit Fshat, Klos, është aksidentuar dhe për pasojë ka humbur jetën” – njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon hetimi për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.

o.j/dita

BKH mbyll aplikimet për hetues, Hajnaj: Kandiduan mbi 650 persona, procesi i përzgjedhjes do jetë transparent dhe i drejtë

Posted: 30 Sep 2020 01:40 AM PDT

Pas mbylljes së aplikimeve për hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, drejtuesja e këtij institucioni të krijuar së fundmi, Aida Hajnaj, bën me dije se numri i kandidatëve që kanë aplikuar ka shkuar mbi 650 persona.

Ajo thotë se procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë dhe objektiv, duke identifikuar kandidatët më të mirë. Hetuesit e rinj do të punojnë nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas saj, struktura e re do të jetë e pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm, mesazh i theksuar edhe më herë nga ambasada amerikane në Tiranë.

Mesazhi i plotë i drejtueses së BKH-së:

Falënderoj të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për pozicionet "Hetues" në Byronë Kombëtare të Hetimit. Afati i fundit për aplikim ka qenë data 29.09.2020, i cili ka përfunduar në orën 24.00 të kësaj date.

Numri i kandidatëve të interesuar, që iu përgjigjën thirrjes për të aplikuar për këtë pozicion pune,në zbatim të Ligjit nr. 95/2016 "Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar" është mbi 650, sa më shpejt që të jetë e mundur do bëjmë saktësimet dhe do të njoftojmë numrin e saktë të kandidatëve që kanë aplikuar.

Falenderoj edhe njëherë të gjithë kandidatët që kanë aplikuar dhe ju garantoj që procesi i përzgjedhjes do të jetë një proces i drejtë, objektiv, transparent, dhe i barabartë, duke identifikuar kandidatët/et më të mirë, të cilët do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm.

Procesi i përzgjedhjes do të asistohet dhe monitorohet nga afër nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve që garanton transparencë dhe objektivitet maksimal në këtë proces.

Aida Veizaj (Hajnaj)

Drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit

 

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more