Skip to main content

“Rama homazh për të atin: Çdo 31 korrik e kujtoj me sytë e lagur, vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin…” plus 9 more - Gazeta Dita

“Rama homazh për të atin: Çdo 31 korrik e kujtoj me sytë e lagur, vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin…” plus 9 more - Gazeta Dita


Rama homazh për të atin: Çdo 31 korrik e kujtoj me sytë e lagur, vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin…

Posted: 31 Jul 2020 02:07 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto me të atin Kristaq Rama ku ka ndarë me ndjekësit e tij dhe një homazh, në të cilin shkruan se vdekja e tij e solli në Tiranë dhe i ndryshoi edhe rrugëtimin.

Homazhi i kryeministrit Rama për të atin vjen në ditën e ditëlindjes së tij.

"Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t'ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër", shkruan ndër të tjera kryeministri.

Statusi i plotë:

"HOMAZH

IM ATË, KRISTAQ RAMA, mori emrin e gjyshit të tij, Kristaq Ramës së parë, që ishte një ndër patriotët firmëtarë të pavarësisë në Durrës, e ia kushtoi jetën e pasurinë hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, në ato kohë kur gjuhës sonë amtare i kanosej fuqia e një armiqësie të madhe.

Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t'ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër.

Sot, si në çdo 31 korrik, kur unë e kujtoj me sytë e lagur tim atë, më rri para syve buzëqeshja e tij paqësore e pas çdo debati luftarak mes nesh gjatë viteve të rinisë sime të parë – kur unë flisja gjithnjë e më shumë dhe ai rezistonte gjithnjë e më pak.

Prej meje, jetës sime në politikë, e cila nisi në ditën e funeralit të tij, arsyeja e mosarsyes politike ka sjellë shumë baltë mbi emrin e tim eti pas vdekjes.

Por ajo buzëqeshje e shkrin dhe tret krejt baltën, mu si në çdo paradite feste kombëtare, kur qyshse për shkak të detyrës shkoj tanimë prej 20 vjetësh, tek Nëna Shqipëri a tek Heronjtë e Pavarësisë në Vlorë.

Pasi vendos kurorën, përulem dhe pastaj ngre kokën drejt lartësisë së veprave që ai la dhe nga qielli më vjen buzëqeshja e tij.

Veprat do të jenë aty bashkë me emrin e Kristaq Ramës, kur ata që e kanë baltosur tërë këto vite do të jenë mbuluar me kohë e me vakt, nga pluhuri i një harrese përfundimtare pa kthim.

Kishte të drejtë im atë, mos e harro asnjëherë, në këtë jetë ke ardhur për të lënë kujtimin tënd, tek fëmijët e tu, tek ata që të njohën vërtetë dhe në qofsh shumë i zoti, tek populli yt. Të tjerat i merr era dhe në fund edhe trupi i vetë njeriut erë bëhet".

o.j/dita

Hajnaj në krye të “FBI”-së shqiptare, reagon ONM: Hap i rëndësishëm për Reformën në Drejtësi

Posted: 31 Jul 2020 01:59 AM PDT

Drejtoresha e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Bisedimet për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera, ka reaguar pas emërimit të Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në një postim në Twitter, Calavera, e cila është edhe Shefja e Operacionit Nderkombetar të Monitorimit që asiston procesin e Vettingut, këtë emërim e quan një hap të rëndësishëm lidhur me reformën në drejtësi në vend.

"Një tjetër hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri!", shkruan Calavera.

o.j/dita

Kuotat e miratuara për programet “Master” në Mjekësi

Posted: 31 Jul 2020 01:35 AM PDT

Mjekësia konfirmon 782 kuota të reja pranimi për të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet e nivelit të dytë në programet "Master profesional", si dhe "Master shkencor" në të gjitha fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend. Sipas vendimit të kaluar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, këto kuota ndahen ndërmjet kandidatëve që konkurojnë brenda vendit, si dhe kuota të veçanta të dedikuara për shqiptarët jashtë kufijve, për studentët jetimë, për romët dhe ballkano-egjiptianët.

Konkretisht, 782 kuotat e miratuara ndahen në 711 kuota për kandidatët brenda vendit, 59 kuota për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit, 6 kuota për kandidatët me statusin e jetimit, si dhe 6 kuota të tjera për kandidatët që konfirmojnë se u përkasin shtresave rome dhe ballkano-egjiptinae. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë kuotat e konfirmuara për secilin program studimi të këtij universiteti. Po sipas vendimit, kuotat e pranimit që do të mbeten të parealizuara do të rishpërndahen nga Rektorati bazuar në propozimet e dekanateve të njësive kryesore të Universitetit të Mjekësisë.

Aplikimi për programet e ciklit të dytë do të zhvillohet përgjatë muajit tetor, ku çdo kandidat që plotëson kushtet e përcaktuara mund të konkurojë duke depozituar në afatet e përcaktuara dosjen e dokumenteve të kërkuara. Sa i takon kushteve të përcaktuara, mund të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kandidatët që kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të ciklit të parë "Bachelor", ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Në garë do të përfshihen edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë "Bachelor", ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë dikasterit të arsimit sipas kushteve të përcaktuara", bëjnë me dije ekspertët e këtij institucioni.

Të drejtën për të vijuar studimet në programet e "Masterit profesional", si dhe "Masterit shkencor" do ta gëzojnë kandidatët me mesataren më të lartë të studimeve të nivelit të parë, sipas numrit të kuotave të miratuara për secilin program studimesh.Të parët në përzgjedhje do të jenë kandidatët e diplomuar në ciklin e parë të studimeve në universitetet publike. Ndërkohë që të drejtë për të përfituar nga këto kuota e kanë edhe të diplomuarit në strukturat private të arsimit të lartë në vend.

Programet e studimit "Master i shkencave" e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë në shkenca përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë "Master i shkencave" në fushën e arsimimit të kryer.

Ndërsa programet e studimeve "Master profesional" e pajisin të diplomuarin me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar.  Në përgjithësi këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë "Master profesional" do të përmbyllen me provim përfundimtar formimi, ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë "Master profesional" në fushën e arsimimit të kryer

Dialog mes profesorëve/ Rendi i ri botëror: Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe pozita dominuese e Amerikës

Posted: 31 Jul 2020 01:15 AM PDT

Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi

Bashkëbisedimi mes profesorëve dhe diplomatëve të njohur Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi, që gazeta Dita ka nisur të botojë duke filluar nga java e kaluar, fokusohet sot në rrethanat politike, ekonomike e ushtarake të krijuara pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që mundësuan krijimin e një rendi të ri botëror, të dominuar nga dy superfuqi dhe një marrëdhënie të re mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës Perëndimore.

 

 

 

Tarifa: Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore shënoi një kthesë rrënjësore dhe një strategji të re në politikën e jashtme amerikane. Ndryshe nga roli që luajti ajo në Luftën e Parë Botërore, pas së cilës Amerika u tërhoq përsëri në "punët e saj", hyrja në Luftën e Dytë Botërore—në aleancë me fuqitë e tjera—dhe triumfi në këtë luftë mbi Gjermaninë dhe Japoninë, shënuan krijimin e një bote të re, arkitektura e sigurisë të së cilës nuk mund të mendohej atëherë—dhe nuk mund të përfytyrohet dot as sot—pa Shtetet e Bashkuara. Në fakt, edhe pse Amerika i kishte pasur edhe më parë mundësitë për të luajtur një rol kryesor në skenën botërore, ajo vendosi që të marrë lidershipin e saj vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur u pa qartë se, as Britania e Madhe dhe as ndonjë fuqi tjetër, ose ndonjë organizatë ndërkombëtare, nuk mund t'i menaxhonte dot çështjet e globit.

 

Krisafi: E shoh të dobishme të hap këtu një parantezë të shkurtër, për të vënë në dukje se,  me fillimin e Luftës së Ftohtë, ideja e një Amerike "eksepsionale", për të cilën ju keni shkruar gjerësisht më parë, si një vend i krijuar nga vullneti hyjnor dhe me një mision të veçantë për të transformuar mbarë njerëzimin, iu përshtat fare mirë retorikës politike të elitës drejtuese në Shtetet e Bashkuara për të gjeneruar e mobilizuar mbështetje popullore në përpjekjet për të udhëhequr "Botën e Lirë" në atë çka mund të quhej një "luftë e shenjtë" kundër "komunizmit të pafe". Ju, nuk kam dyshim, me siguri e keni lexuar një libër të një autori të njohur amerikan, William Inboden, Feja dhe politika e jashtme amerikane (Religion and American Foreign Policy, 1945-1960, 2008), në të cilin ai vë në dukje se, në gjysmën e dytë të viteve 1940 dhe në vitet 1950, presidentët Harry Truman (demokrat, 1945-1954) dhe Dwight Eisenhower (republikan, 1953-1961), siguruan një mbështetje të konsiderueshme nga qarqet fetare, brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, në Luftën e Ftohtë.

 

Tarifa: Sigurisht që po. Në atë periudhë, "tradita hebreje-kristiane" (Judaeo-Christian) u bë, në fakt, një "moto qytetëruese". Madje, Shtëpia e Bardhë inkurajoi në atë kohë një autor të tillë, si Will Herberg, i cili më parë kishte aderuar në Partinë Komuniste të Shteteve të Bashkuara, që të shkruante një prej librave më të shitur mbi sociologjinë e fesë në Amerikë—Protestant, Catholic, Jew: An Essay in American Religious Sociology (1955). Këto ishin vitet kur, me vendim të Kongresit Amerikan, betimit përpara flamurit iu shtua formula "Under God" dhe kur Presidenti Eisenhower, në një mënyrë shumë kundërthënëse, shprehu pikëpamjen e tij se: "Forma jonë e qeverisjes nuk do të bënte asnjë kuptim nëse ajo nuk do të mbështetej në një besim të thellë fetar, dhe unë nuk dua t'ia di se cili [besim] është ai". Këto ishin, gjithashtu, vitet kur retorika presidenciale në Shtetet e Bashkuara filloi t'i ngjante gjithnjë e më shumë asaj që sociologu i njohur Robert Bellah e ka qujtur "God-Talk", dhe kur John F. Kennedy, i cili u bë i pari president katolik i Shteteve të Bashkuara, e luajti kartën e një feje civike të amerikanëve më mirë se cilido president tjetër amerikan deri në kohën e Reagan-it. Duke përgjithësuar rolin që ka luajtur ideja e "eksepsionalizmit" amerikan në historinë politike të Shteteve të Bashkuara pas Luftë së Dytë Botërore, Walter McDougall ka argumentuar se "miti i eksepsionalizmit amerikan, ironikisht i frymëzuar nga katolikët dhe marksistët, hyri në leksikonin tonë si një shpjegim historik në përpjekjet për të motivuar dhe inkurajuar një popull skeptik e të lodhur nga luftrat, se angazhimet globale të Amerikës, si Kombet e Bashkuara, Doktrina Truman dhe NATO, nuk ishin vërtet një shkëputje nga tradita, por një përmbushje e misionit më të hershëm e më të shenjtë të kombit amerikan".

 

Krisafi: Në këtë që sapo thatë ka një të vërtetë të rëndësishme. Megjithatë, siç besoj edhe ju bini dakord, madje këtë pikëpamje e keni shprehur edhe më parë në studimet tuaja mbi këtë çështje, nuk ishte kjo retorikë politike ajo që e dominoi mendimin politik dhe strategjinë e Shteteve të Bashkuara pas fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Përkundrazi, ishin interesa më të mëdha për vetë sigurinë dhe prosperitetin e Shteteve të Bashkuara si dhe për krijimin e një arkitekture të re globale, në të cilën, përmes bashkëpunimit mes fuqive kryesore të globit, do të behej e mundur ruajtja e paqes dhe e sigurisë në shkallë ndërkombëtare.

 

Tarifa: Keni plotësisht të drejtë. Në librin tim Saga e dy kontinenteve (2007), kam argumentuar se, në kuptimin më real të fjalës, të suksesshme kanë qenë dhe janë vetëm ato shoqëri, të cilat konsideratat dhe preferencat e tyre politike dhe ekonomike të sotme i kanë vënë dhe i vënë në shërbim të interesave të së ardhmes. Nëse Amerika është sot shoqëria më e zhvilluar, më kreative, më dinamike dhe më e suksesshme që ka njohur historia e njerëzimit, kjo ka ndodhur për shkak se, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, ajo e ka aplikuar këtë parim qytetërues më mirë sesa çdo shoqëri tjetër moderne.

 

Krisafi: Unë do të shtoja se, madje, pikërisht për këtë shkak, Amerika ka qenë dhe është në gjendje të luajë rolin e lidershipit botëror, duke përcaktuar drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor në kohën e sotme. Këtë rol global të saj, Alexis de Tocqueville, në veprën e tij klasike Demokracia në Amerikë (Democracy in America), e kishte paralajmërouar më shumë se një shekull e gjysmë më parë, me diktumin e tij të famshëm: "Unë pashë në Amerikë më shumë se Amerikën" (In America I saw more than America).

 

Tarifa: Deri në fillimin e viteve 1940, Amerika nuk ndryshonte shumë në këtë drejtim nga fuqitë e tjera të mëdha. Por sfidat e Luftës së Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, që nisi menjëherë pas saj, bënë që, pothuajse çdo qeveri amerikane, si në rastet kur ajo kishte në krye një president demokrat, ashtu edhe kur në krye të saj ishin republikanët, të aplikonte këtë parim të rëndësishëm jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe në shkallë globale, në emër të një të ardhmeje më të mirë për mbarë njerëzimin. Është e vërtetë se Perandoria Britanike kishte krijuar të parin precedent në këtë drejtim. Ajo ishte e para që iu kundërvu piraterisë në dete, që ndaloi me ligj tregtinë e skllevërve, që vendosi parimin e lirisë tregtare në dete dhe ndërtoi fanarë dhe porte anë e mbanë globit, të cilët mund të përdoreshin nga kushdo. Sidoqoftë, strategjia me të cilën Shtetet e Bashkuara hynë në skenën politike globale pas Luftës së Dytë Botërore dhe me të cilën zhvilluan—dhe fituan—Luftën e Ftohtë, ka qenë shumë më grandioze, qoftë si një filozofi politike, ashtu dhe nga pikëpamja e transformimeve që solli aplikimi i saj.

 

Krisafi: Lufta e Dytë Botërore duket se i bindi amerikanët se izolimi ose mënjanimi nga çështjet globale nuk mund të ishte më një doktrinë politike, në të cilën Shtetet e Bashkuara do të mund të mbështeteshin në të ardhmen, dhe se Amerikës i duhej të përgatitej për të krijuar një rend të ri botëror, për të garantuar jo vetëm sigurinë e saj kombëtare, por edhe paqen dhe sigurinë në shkallë globale, të cilat, pas luftës, dukej se i kërcënonte vetëm një fuqi e madhe, Bashkimi Sovjetik i Stalinit.

 

Tarifa: Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara fituan një pozitë ndërkombëtare të panjohur nga asnjë fuqi tjetër e madhe deri atëherë dhe morën përsipër përgjegjësi globale dhe një rol, të cilin jo vetëm nuk mund ta luante asnjë prej fuqive të tjera të mëdha, por nga i cili ajo nuk ka hequr dorë as sot. Amerika u bë jo thjesht pjesë e arkitekturës politike dhe ekonomike të globit, por fuqia kryesore që ka garantuar dhe garanton stabilitetin, sigurinë dhe paqen në të. Thuajse që nga fillimi, kjo detyrë u bë më e lehtë—dhe më e domosdoshme—për shkak të aleancës transatlantike që ajo krijoi me aleatët e saj europianë, aleancë e cila, në periudhën e Luftës së Ftohtë, e vuri efektivisht Europën Perëndimore nën mbrojtjen e ombrellës amerikane nga kërcënimi i superfuqisë sovjetike. Në fakt, edhe sot e kësaj dite, Europa, siç ka vënë në dukje Zbigniew Brzezisnki, vazhdon të mbetet "de facto një protektorat ushtarak i Shteteve të Bashkuara". Kjo shpjegon edhe shqetësimin e madh që ka ngjallur në Berlin dhe te shtetet e tjerë anëtarë të NATO-s vendimi i kohëve të fundit i Presidentit Donald Trump për të tërhequr 25,000 trupa amerikane nga Gjermania. Edhe pse shumica e europianëve të sotëm mund të mos duan ta pranojnë këtë varësi thuajse të plotë nga Amerika lidhur me sigurinë e tyre, është fakt, siç thekson me të drejtë Robert Kagan, se "stabiliteti i Europës edhe sot e kësaj dite mbështetet në garancinë se Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë në këtë kontinent për t'u siguruar se në të nuk ka ndonjë zhvillim të rrezikshëm. Në një botë të vërtetë multipolare, kjo do të ishte e pamundur pa rrezikuar një luftë botërore".

 

Krisafi: Presidenti Franklin Roosevelt dhe gjeneralët e tij të famshëm, George Marshall, Dwight Eisnhower, Douglas MacArthur, Omar Bradley etj., i udhëhoqën Shtetet e Bashkuara me sukses në luftën kundër fuqive të Boshtit, në një mënyrë të tillë që, pas luftës, Amerika u bë fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake e globit. Qoftë edhe vetëm ky fakt do të mjaftonte për t'i siguruar presidentit Roosevelt një vend nderi në panteonin e njerëzve më të shquar të kombit amerikan. Presidenti Roosevelt vdiq vetëm një muaj para kapitullimit të Gjermanisë, dhe pesë muaj para kapitullimit të Japonisë. Ai vdiq, siç shprehet një historian amerikan, "pikërisht në kohën e duhur", për të ruajtur reputacionin e tij si njëri prej presidentëve më të shquar të Shteteve të Bashkuara, por duke i lënë pasardhësit tij, Harry Truman—i cili kishte qenë zëvendëspresident vetëm për tre muaj kur mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, në prill të vitit 1945—një barrë të rëndë historike mbi supe.

 

Tarifa: Franklin Roosevelt kishte menduar—dhe ishte përgatitur—për një botë pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilën bashkëpunimi mes katër Fuqive të Mëdha të kohës së luftës ("Big Four")—Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës—do të mund të siguronte një epokë paqeje dhe prosperiteti për njerëzimin përmes zhvillimit të tregtisë së lirë. Sipas vizionit të tij, roli i Europës, por veçanërisht i Gjermanisë dhe i Francës, do të ishin shumë më të kufizuar pas Luftës së Dytë Botërore sesa para Luftës së Parë Botërore dhe sesa në periudhën midis dy luftrave. Sidoqoftë, edhe pse Presidenti Roosevelt parashikonte—dhe dëshironte—që Shtetet e Bashkuara të mbeteshin të angazhuara në çështjet e mëdha të globit pas luftës, ai nuk mundi ta parashikonte dot angazhimin e vërtetë politik, ekonomik, ushtarak e ideologjik të Amerikës në Europë dhe në botë pas luftës.

 

Krisafi: Dhe, në fakt, nuk kishte se si ta parashikonte se ç'do të vinte më pas. Duke besuar se Bashkimi Sovjetik, si fuqia që mbajti peshën më të madhe të luftës kundër Gjermanisë naziste, do të luante një rol esencial në periudhën e pas-luftës, Presidenti Roosevelt u përpoq të zhvillonte një marrëdhënie bashkëpunimi me Moskën. Në një mënyrë që sot mund të duket naive, ai shpresonte, siç ka shkruar sociologu amerikan Robert Nisbet, se mund të ndikonte për ta civilizuar dhe zbutur "bishën" sovjetike duke krijuar një marrëdhënie personale me Stalinin, në mënyrë që të siguronte bashkëpunimin e tij. Kjo edhe ishte arsyeja që, për të siguruar pjesëmarrjen e Moskës në Jaltë, në atë konferencë, Presidenti Rossevelt i bëri lëshime Stalinit. Duke mos dashur kthimin e Shteteve të Bashkuara në politikën izolacioniste të periudhës midis dy luftrave, ai besonte sinqerisht se një organizatë ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, tek e cila ushqente shpresa të mëdha, do të shërbente që Amerika të vazhdonte të mbetej edhe në të ardhmen e angazhuar në problemet e mëdha të globit.

 

Tarifa: Kjo është e vërtetë. Madje, një shpresë dhe një besim i tillë idealist bënë që Presidenti Roosevelt të mos i vlerësonte realisht kushtet e reja të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe të mos vepronte edhe kur Moska dhe Ushtria e Kuqe po e shtrinin kontrollin e tyre në pjesën më të madhe të Europës Lindore dhe Qendrore. Ndoshta në atë kohë ende nuk dihej se, qysh në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, midis pranverës së vitit 1944 dhe pranverës së vitit 1945, forcat sovjetike që hynë në Europën Qendrore dhe Lindore, deri në Beograd, në Vjenë dhe në Berlin, sollën me vete komunistë europiano lindorë në mërgim, të trajnuar në Moskë për të formuar bërthamat e regjimeve komunistë në vendet e tyre. Dhe pastaj dihet mirë se si komunistët morën fuqinë në të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

 

Krisafi: Këtë subjekt ju e keni trajtuar gjerësisht dhe mjaft qartë në studimin tuaj Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë. Unë do të shtoja se, pas vdekjes së Presidentit Roosevelt, Presidenti Truman "trashëgoi" një Europë dhe një botë tërësisht të shkatërruar nga lufta, që kishin nevojë të ngutshme për t'u rimëkëmbur dhe për t'u bërë pjesë e një rendi të ri ndërkombëtar. Mbi të gjitha, arkitektura e sistemit global që u krijua fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe me fillimin e Luftës së Ftohtë përfaqësonte, për herë të parë në historinë moderne, një sistem dypolar (bipolar). Struktura e sistemit të ri politik ndërkombëtar u konturua rreth dy "poleve", ose dy superfuqive të vetme të kohës: Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik.

 

Tarifa: Ai sistem u strukturua dhe funksionoi si një sistem dypolar nga pikëpamja e potencialit ushtarak, e tipit të regjimit politik, e formës së sistemit ekonomik dhe e ideologjisë sunduese. Pas krijimit të NATO-s (në vitin 1949) dhe të Traktatit të Varshavës (në vitin 1955), ky sistem u identifikua me dy blloqe të mëdha politiko-ushtarake, çdonjëri prej të cilëve dominohej nga interesat, ideologjia dhe perceptimet e secilës superfuqi. Ky ishte një realitet i ri global, me të cilin duhej të përshtateshin dhe të akomodonin interesat e tyre jo vetëm të dyja superfuqitë, por edhe fuqitë e tjera të rangut të dytë e të tretë. Sot, kur ky sistem dypolar nuk ekziston më, është relativisht e lehtë të flasësh për të dhe ta analizosh atë por, në kohën kur ai krijua dhe kur fatet e globit vareshin në një balancë shumë delikate, bashkekzistenca paqësore midis dy poleve armiqësorë të globit dhe ruajtja e paqes dhe e sigurisë globale duhet të kenë qenë një punë shumë e vështirë. Dean Acheson, në kujtimet e tij nga periudha (1949-1953), kur ai shërbeu si Sekretar i Shtetit në administratën e Presidentit Truman, shkruan se "vetëm gradualisht ne filluam të kuptojmë se e gjithë struktura e botës dhe i gjithë rendi botëror që kishim trashëguar nga shekulli i 19-të nuk ekzistonin më, dhe se përpjekja për t'i zëvendësuar ato do të drejtohej nga dy qendra pushteti tërësisht kundërshtare me njëra-tjetrës dhe ideologjikisht të papajtueshme".

 

Krisafi: Ndoshta nuk është e nevojshme të trajtojmë këtu rivalitetin sovjeto-amerikan në fushën ekonomike e ushtarake, por dëshiroj të theksoj se, edhe pse askush nuk e vë në dyshim natyrën dypolare të sistemit global gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, dy polet e tij—Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik—nuk ishin asnjëherë të barazvlefshëm mes tyre. Madje, duke vështruar në retrospektivë, sot mund të habitemi se si Bashkimi Sovjetik mundi të mbetej një superfuqi, krahas Shteteve të Bashkuara, për një kohë kaq të gjatë. Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë në asnjë mënyrë se kërcënimi sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë nuk ishte real dhe serioz.

 

Tarifa: Ajo që ka rëndësi të vihet në dukje—dhe unë besoj se ju jeni tërësisht i një mendjeje me mua—është se presidentët amerikanë Franklin Roosevelt dhe Harry Truman mblodhën rreth vetes një gjeneratë të jashtëzakonshme politikanësh, si Cordel Hull, George Marshall, Dean Acheson, George Kennan, Paul Nitze, Paul Hoffman e të tjerë, të cilët, me mbështetjen e të dy krahëve të politikës amerikane, iniciuan krijimin e një vargu institucionesh globale shumë të rëndësishëm, pa të cilët, askush nuk mund ta dijë se ç'drejtim do të kishte marë bota pas Luftës së Dytë Botërore. Në librin tim Fati i një shekulli (2010) kam argumentuar se, me krijimin e këtyre institucioneve dhe të klimës së re politike e të marrëdhënieve ekonomike që mundësuan ato, në fakt, mund të thuhet se u krijua vetë Perëndimi, apo koncepti që kemi ne sot për të, si një makinë ekonomike globale që bashkoi pasuritë, tregjet dhe kreativitetet e Amerikës së Veriut, të Europës Perëndimore, të Australisë e të Japonisë.

 

Krisafi: Jam tërësisht dakord me ju. Kjo klasë e shkëlqyer politikanësh amerikanë, (në bashkëpunim edhe me disa personalitete nga vende të tjerë), krijoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara (United Nations) në vitin 1945, për të zëvendësuar Lidhjen e Kombeve (League of Nations) dhe për të vendosur një rend të ri ndërkombëtar; Fondin Monetar Ndërkombëtar (International Monetary Fund—IMF) në vitin 1945, për të krijuar stabilitet ekonomik në shkallë globale; Bankën Botërore (World Bank) po në vitin 1945, për të mundësuar zhvillimin global ekonomik dhe shoqëror; Marrëveshjen e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë (General Agreement on Tariffs and Trade—GATT) në vitin 1947—sot Organizata Botërore e Tregtisë (World Trade Organization)—për të ndihmuar zgjerimin e tregtisë botërore; si dhe Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (North Atlantic Treaty Organization—NATO) në vitin 1949, si një organizatë politiko-ushtarake, me një strukturë ushtarake të integruar, nën komandën supreme të Shteteve të Bashkuara, për të ruajtur e forcuar sigurinë kolektive në të dy anët e Atlantikut.

 

Tarifa: Arkitektura globale e krijuar nga ky sistem institucionesh ndërkombëtare vazhdon të jetë e qëndrueshme edhe sot, në dekadat e para të shekullit të 21-të dhe nuk gabojmë nëse themi se sot, ne jetojmë në një botë, të cilën amerikanët e përfytyruan dhe e krijuan si "të ardhmen" e tyre dhe që ne e quajmë globalizëm.

Mbyten dy persona në lumin e Bunës, trupat e pa jetë nxirren polumbarët e forcave Renea

Posted: 31 Jul 2020 01:01 AM PDT

Gjenden 2 persona të mbytur në lumin Buna në Shkodër në afërsi të fshatit Derragjat.

Mësohet se 2 personat janë denoncuar disa ditë më parë nga familjarët si të humbur.

Sipas informacioneve ata janë gjetur pajetë mëngjesin e kësaj të premteje ndërsa nuk dihen ende rrethanat në të cilat dy të rinjtë kanë humbur jetën.

Një prej tyre mësohet se është banor i zonës ndërsa tjetri nga Puka.

o.j/dita

Rëndohet gjendja e deputetit Enver Roshi, dërgohet në Turqi për mjekim

Posted: 31 Jul 2020 12:34 AM PDT

Në parlamentin e Shqipërisë janë konfirmuar deri më tani tre deputetë të infektuar me koronavirus.

Bëhet fjalë për socialistin Elio Hysko dhe dy deputetët opozitarë Ralf Gjoni dhe Enver Roshi.

Pikërisht ky i fundit, Enver Roshi ndodhet në gjendje më të rënduar shëndetësore, sa që është dërguar për mjekim në Turqi.

Mësohet se dërgimi i tij në Turqi, është bërë mbrëmjen e së enjtes, për shkak të problemeve në mushkëri.

o.j/dita

E infektuara në Berat theu vetëizolimin, gjobitet me 700 mijë lekë

Posted: 31 Jul 2020 12:25 AM PDT

Policia e Beratit ka njoftuar se ka gjobitur një 37-vjeçare e cila ishte e infektuar me Covid-19 dhe kishte thyer karantinën duke dalë nga banesa.

Sipas policisë nga kontrolli i ushtruar në banesën e 37-vjeçares, autoritetet nuk e kanë gjetur të infektuarën në banesë, e cila është burim infeksioni për persona të tjerë.

Si pasojë e shkeljes së rregullave të karantinës, e infektuara është gjobitur me 700 mijë lek.

Sakaq policia ka bërë apel për të gjithë personat që kanë rezultuar pozitiv për koronavirus, të respektojnë rregullat e karantinës pasi disponon listat emërore të të gjithë personave të infektuar.

Njoftimi i Policisë:

Policia ka ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë një shtetase pozitive me COVID-19, pasi shkeli rregullat e vetëkarantinimit.

Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe të Komisariateve në varësi të saj kanë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme në banesat e personave të prekur nga COVID-19, me qëllim respektimin me rigorozitet të vetëkarantinimit, si dhe në subjekte të ndryshme, për respektimin e protokolleve të sigurisë.

Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur nga COVID-19. Në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.

Nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se shtetasja E. Z., 37 vjeçe, e cila është infektuar nga COVID-19, kishte shkelur rregullat e vetëkarantinimit dhe kishte dalë jashtë banesës, duke u bërë burim infektimi për personat e tjerë.

Në zbatim të Aktit Normativ, për këtë shtetase, Policia e Beratit ka vendosur masë administrative 700.000 lekë.

Policia u bën thirrje të gjithë personave të prekur nga COVID-19, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e vetëkarantinimit, të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë në mbrojtjen nga COVID-19.

o.j/dita

Banka Botërore i përgjigjet kërkesës së qeverisë: Financim, 15 milionë euro për luftën ndaj COVID-19

Posted: 31 Jul 2020 12:15 AM PDT

Banka Botërore ka miratuar ditën e djeshme një financim prej 15 milionë eurosh për Shqipërinë.

Financimi do të jetë një projekt ndihmës për të forcuar kapacitetet shëndetësore për të luftuar COVID-19.

Për më tepër thuhet se këto 15 milionë euro do të shkojë për testimet e popullsisë, gjurmimin e rasteve, rritjen e shtretërve spitalorë në terapi intensive si dhe trajnime për personelin shëndetësor.

Kjo është një përgjigjie financiare nga Banka Botërore ndaj kërkesës së qeverisë dhe tashmë ai do të jetë i formuluar në një projekt konkret në këto drejtime që luftojnë COVID-19.

"Banka Botërore qëndron me popullin e Shqipërisë gjatë kësaj krize të paprcedentë. Unë do të doja të njihja përkushtimin e jashtëzakonshëm të profesionistëve të shëndetit në Shqipëri për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe inkurajuar fuqimisht qytetarët që të ndjekin rreptësisht distancimin shoqëror dhe masat e tjera kufizuese që synojnë minimizimin e ndikimit të pandemisë ", tha Maryam Salim, Menaxheri i Bankës Botërore të vendit për Albania.

"Duke pasur parasysh pasigurinë në lidhje me evolucionin e pandemisë, hartimi i projektit është fleksibël për të akomoduar nevoja që ka të ngjarë të ndryshojnë pasi njohuritë rreth epidemiologjisë COVID-19 evoluojnë."- shtoi ai.

o.j/dita

Trump pa mbështetje, Republikanët: Ti nuk mund t’i shtysh zgjedhjet

Posted: 31 Jul 2020 12:08 AM PDT

Disa republikanë amerikanë kanë kundërshtuar sugjerimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor duhet të shtyhen, pas shqetësimeve për mashtrime. Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell si dhe lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, kanë hedhur poshtë këtë ide.

"Kurrë në historinë e këtij shteti, nëpër luftëra, depresione dhe luftë civile, nuk jemi përballur me mosmbajtje të zgjedhjeve me kohë. Ne do ta gjejmë një mënyrë për ta bërë këtë gjë më 3 nëntor të këtij viti", ka thënë McConnell. McCarthy e ka përkrahur atë. "Në historinë e zgjedhjeve federale, kurrë nuk ka ndodhur të mos mbajmë zgjedhjet dhe ne duhet të vazhdojmë tutje me zgjedhjet", ka deklaruar ai.

Aleati i Trumpit, senatori Lindsay Graham ka thënë se shtyrja e këtij procesi, "nuk është ide e mirë". Presidenti Trump nuk ka autoritet për të shtyrë zgjedhjet dhe secili veprim i tillë do të duhet të miratohet fillimisht në Kongres. Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan ka sugjeruar se numri në rritje i votave me postë mund të ndikojë në mashtrime dhe rezultate të pasakta.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor duhet të shtyhet derisa njerëzit të votojnë në "mënyrë të duhur dhe të sigurt". Megjithatë, ekzistojnë pak të dhëna që mbështesin pretendimet e Trumpit. Disa shtete amerikane kanë thënë se synojnë në organizojnë votimet me postë për shkak të shqetësimeve të sigurisë pas përhapjes së koronavirusit të ri. Sfiduesi i Trumpit në zgjedhjet e nëntorit është kandidati i Partisë Demokratike, Joe Biden./REL

Hiqet TVSH nga zero për profesionet e lira, nga 1 janari do e paguajnë mbi 10 milionë lekë

Posted: 30 Jul 2020 11:46 PM PDT

Kontabilistët, audituesit, noterët, avokatët, vlerësuesit e pasurive dhe të gjithë profesionet e tjera të lira, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, nuk do të paguajnë më TVSH-në nga zero, por mbi qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekësh, ashtu si gjithë bizneset e tjera.

Ndryshimi është publikuar në Fletoren e fundit zyrtare, në të cilin u miratua dhe rritja e kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar nga 2 në 10 milionë lekë, nga 1 janari I vitit të ardhshëm.

I njëjti  shfuqizoi dhe pikat 2 dhe 3 të nenit 11 të vendimit Nr. 953, datë 29.12.2014 për dispozitat zbatuese të ligjit të TVSH-së. Pika 2 e këtij neni përcaktonte se "Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit".

Ky nen nga 1 janari 2021 shfuqizohet.

Është rritur pragu i TVSH-së nga 5 në 10 milionë lekë edhe për prodhuesit bujqësore që janë në skemën e kompensimit. Neni 3, që shfuqizohet nga 1 janar përcaktonte se "Për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.

TVSH nga zero për profesionet e lira u shoqërua me shumë debate

Profesionet e lira kanë paguar TVSH nga zero, që nga janari i vitit 2015, bazuar në vendimin VENDIM Nr. 953, datë 29.12.2014, PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014, "PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË" I NDRYSHUAR, përveç dentistëve, që ndonëse përfshihen në listën e profesioneve të lira hynin te furnizimet e përjashtuara dhe nuk paguanin TVSH.

Ky vendim u kundërshtua fort në atë kohë nga profesionistët e lirë, që argumentuan jo vetëm diferencimin nga subjektet e tjera (në atë kohë kufiri minimal I regjistrimit të TVSH-së ishte 5 milionë lekë), por edhe faktin që ata ofronin shërbim mendor dhe nuk kishin shpenzime ku ta shkarkonin TVSH-së.

Në vitin 2017 Dhoma Kombëtare e Avokatisë çoi në Gjykatë Këshillin e Ministrave, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit. Gjykata e Lartë e rrëzoi pjesërisht vendimin e qeverisë që sanksiononte se profesionet e lira do të paguanin Tatim mbi Vlerën e Shtuar, duke shfrytëzuar handikapin ligjor se Këshilli i Ministrave nuk ka kompetencën për të përcaktuar kategoritë që përjashtohen apo futen në TVSH, por vetëm përcaktimin e kufirit minimal.

Por, në fund po të atij viti, qeveria nxitoi të plotësonte hapësirat ligjore që u shfrytëzuan nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për të rrëzuar pjesërisht vendimin, duke përfshirë në kompetencat e saj dy pika specifike: kufirit minimal për t'u përfshirë në TVSH si dhe atributi për ata që përjashtohen dhe hyjnë në skemë.

Këto vendime "korrigjuan" atë që përcaktoi Gjykata e Lartë për avokatët ku pati një shfuqizim të pjesshëm ligjor që i hapi rrugë gjithë çështjes së profesioneve të lira të bënin të njëjtin veprim. Avokatët ishin të përjashtuar nga skema falë këtij vendimi ndërkohe që asnjë nga grupet e tjera nuk e çoi çështjen në Gjykatë për të përfituar të njëjtin trajtim kjo edhe për faktin se koha nuk premtonte ndërkohe që qeveria rregulloi "ngërçin" ligjor.

Si rrjedhojë, të gjitha profesionet e lira, përveç dentistëve e mjekëve u detyruan të paguanin TVSH-në nga zero.

Por, tashmë nga 1 janari 2021, ata do të trajtohen si gjithë subjektet e tjera dhe do të paguajnë TVSH vetëm kur të kalojnë qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekë./marrë nga monitor/

 

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more