Skip to main content

“Zyrtare/ Coronavirusi shtyn derbin e Italisë, ja kur luhet Juventus-Inter” plus 9 more - Gazeta Dita

“Zyrtare/ Coronavirusi shtyn derbin e Italisë, ja kur luhet Juventus-Inter” plus 9 more - Gazeta Dita


Zyrtare/ Coronavirusi shtyn derbin e Italisë, ja kur luhet Juventus-Inter

Posted: 29 Feb 2020 04:00 AM PST

Pritej ajo që ndodhi dhe që u lajmërua vetëm pak çaste më parë! Me një dekret të qeverisë së Italisë, janë spostuar të pesta ndeshjet e Serisë A që do të luheshin në veri të Italisë në këtë javë, përfshirë dhe kryendeshjen Juve-Inter, që fillimisht u hamendësua se do të zhvillohej pa publik.

Liga Kombëtare Profesioniste e Serisë A, pasi është njohur me dekretin qeveritar lidhur me shtimin e situatës së emergjencave në veri të Italisë, ka vendosur që pesë nga ndeshjet e kësaj jave të vlefshme për Serinë A, që fillimisht do të luheshin me dyer të mbyllura, janë shtyrë për më 13 maj, ndërsa finalja e Kupës së Italisë më 20 maj. Ndeshjet e shtyra janë: Juventus – Inter, Milan – Xhenoa, Parma – Spal, Sasuolo – Breshia, Udineze – Fiorentina.

o.j/dita

Ligji për Gjykatën Kushtetuese/ Meta: Komisioni mashtroi në raport

Posted: 29 Feb 2020 03:51 AM PST

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë sot para mediave për të sjellë prova të reja, siç tha, ai të mashtrimeve të komisionit të ligjeve dhe Kuvendit për ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Ai deklaroi se një sekt kriminal ka kontrollin e Kuvendit duke treguar se institucionet që citohen nga Kuvendi nuk kanë dhënë opinion ose kanë kundërshtuar ndryshimet në ligjin për GJK.

"Jam sot përsëri para jush për të paraqitur prova të reja të mashtrimeve skandaloze të komisionit të ligjeve dhe kuvendit të Shqipërisë lidhur me konsultimet dhe mbështetjen që ka marrë për ligjin antikushtetues të pushtimit për Gjykatës Kushtetuese nga sekti kriminal që ka kontrollin e institucionit të Kuvendit.

Më 12 shkurt 2020 ka miratuar ligjin për të ndryshuar formatin e betimit. Jemi sot për të demaskuar falsifikime të tjera të këtij kuvendit.

Në raportin e komisionit të datës 6 shkurt 2020 kur është shqyrtuar ky projektligji, relatohet se projektligjet për Gjykatën Kushtetuese dhe për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i është përcjellë për dijeni disa institucioneve, dhe natyrisht dhe ministrisë së padrejtësisë. Komisioni i ligjeve citon se paralelisht me dhënien e mendimeve është ngritur dhe një grup pune me asistencën e EUralius.

Presidenti i Republikës më 11 shkurt 2020 i kërkoi informacion zyrtar të gjitha institucioneve të sipërcituara për të ditur mendimin e tyre të vërtetë për këtë projektligj. Deri më tani janë administruar këto përgjigje. Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kthyer një përgjigje të mrekullueshme Kuvendit dhe posaçërisht komisionit për çështjet ligjore.

KSHH ka parashtruar qartë kundërshtimet për këtë ligj bazuar në argumente kushtetuese e ligjore. KSHH ka vlerësuar se ceremonia e betimit nuk mund të realizohet në formë të shkruar. Akti i betimit duhet të bëhet vetëm para Presidentit thekson KSHH. Shumë mirënjohje për KSHH dhe shumë keqardhje për relatuesit që thonë se kanë marrë mbështetje.
Shkolla e magjistraturës nuk ka shfaqur opinion ligjor, pra një mashtrim tjetër i Kuvendit. Kryetari i KED dhe ai thotë se nuk ka pasur dijeni për të dhënë mendim për nismën. Instituti i Studimeve Politike i ka kthyer pres këtë përgjigje ku informon se është ftuar për të dhënë opinionin e tij në mënyrë elektronike ku është shprehur kundër. Thellon krizën dhe ilegjitimitetin e këtyre institucioneve.

KLGJ ka kthyer këtë përgjigje ku informon se KLGJ-së nuk i është kërkuar dhënie opinioni për ligjin për GJK dhe nuk ka dhënë opinion as me shkrim e as verbal. Një gënjeshtër tjetër. KLP ka kthyer këtë përgjigje: për pr.ligjin nuk rezulton të jetë kërkuar mendim nga Kuvendi në adresë të KLP.
Qendra Respublica, nuk i ka kthyer asnjë përgjigje Kuvendit për shkak të ngarkesës së madhe të punëve. prapë një gënjeshtër tjetër e Kom të ligjeve dhe Kuvendit.

Soros për shkak të pamundësisë kohore për t'iu përgjigjur, nuk i ka kthyer mendim", deklaroi Presidenti.

 

o.j/dita

Përleshje në kufi/ Grekët përdorin gaz lotsjellës kundër emigrantëve

Posted: 29 Feb 2020 03:31 AM PST

Trupat kufitare greke kanë përdorur gazin lotsjellës mbi emigrantët e mbërritur nga Turqia, të vendosura të mos e lejojnë hyrjen e tyre në vend.

"Gjatë gjithë natës forcat e sigurisë kanë parandaluar kalimet e paligjshme të kufijve," i tha Ministri i Mbrojtjes Nikos Panagiotopoulos televizionit informativ Skai, ndërsa shtoi se disa emigrantë janë arrestuar.

Një ditë më parë Turqia e bëri të qartë se nuk do t`i ndalojë më refugjatët që të shkojnë në Europë, dhe vetëm disa orë më vonë, qindra prej tyre morën rrugën drejt kufirit me Greqinë e Bullgarinë. Vendi fqinj ka rritur gjithashtu kontrollet në ngushticat mes ishujve Grekë në Egjeun lindor dhe bregdetit turk, nga sa pohon Ministri i Politikave të Transportit dhe Ishujve Ioannis Plakiotakis, i cili është gjithashtu përgjegjës për rojet bregdetare."Kufijtë Grekë janë dhe kufijtë e Europës," u shpreh ai.

Në ndihmë të policisë kufitare mbërritën dhe forca special të policisë greke të cilat janë përpjekur të mos i lejojnë refugjatët që të hyjnë në pikat e mbyllura të kalimit kufitar në Kastanies dhe Pazarkule.

Situata në zonë mbetet e tensionuar. Disa emigrantë, nga sa raporton televizioni shtetëror, kanë arritur të kapërcejnë lumin në kufi më gomone.

Qeveria greke është mbledhur sot për një takim urgjent krize në fokusin e të cilit është situata e emigrantëve. Në Turqi policia, rojet bregdetare dhe zyrtarët e sigurisë kufitare u urdhëruan të lejojnë largimin e emigrantëve pas lajmit se 33 ushtarë turq ishin vrarë në Idlib.

o.j/dita

Mbledhje urgjente për emigrantët, Mitsotakis: S’jemi përgjegjës për Sirinë dhe s’do vuajmë pasojat

Posted: 29 Feb 2020 03:27 AM PST

Greqia ka shtuar forcat policore në Evros, në përpjekje për të ndaluar futjen e emigrantëve të mbledhur në kufi me Turqinë.

Policia kufitare ka zhvilluar një betejë gjatë natës sipas mediave lokale, për arrestimin e qindra migrantëve.

Për shkak të zhvillimeve të fundit të shkaktuara nga hapja e portave të emigrantëve nga Turqia, kryeministri grek ka thirrur paraditen e sotme një takim të jashtëzakonshëm.

Pala Greke deri më tani po lëviz në tre akse, dërgimin e një sinjali të qartë në Ankara me forcimin e kufijve, ndërkombëtarizimin e problemit si dhe vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave.

Ndërsa një numër i papërcaktuar i refugjatëve dhe migrantëve u mblodhën në territorin turk pranë kufirit me Greqinë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis lëshoi një paralajmërim të fortë dhe informoi liderët evropianë dhe NATO-n për situatën.

“Një numër i konsiderueshëm i emigrantëve dhe refugjatëve janë përqendruar në grupe të mëdha në kufirin tokësor Greko-Turk dhe kanë tentuar të hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme. Dua të jem i qartë: ne nuk do të tolerojmë hyrjen e paligjshme në Greqi. Ne jemi duke rritur sigurinë në kufi, “tha kryeministri në një postim në Twitter.

Mitsotakis shtoi se: “Greqia nuk është përgjegjëse për ngjarjet tragjike në Siri dhe nuk do të vuajë pasojat e vendimeve të të tjerëve” dhe se “ajo ka informuar Bashkimin Evropian për situatën”.

O.J/DITA

Veliaj: Dy kampuse të reja universitare në Tiranë, PS e vetmja parti e studentëve

Posted: 29 Feb 2020 03:16 AM PST

Bashkia e Tiranës do të ndërtojë dy kampuse të reja universitare të cilat do të ofrojnë të gjitha standardet për të gjithë ata të rinj që studiojnë në Universitetin e Tiranës apo në Universitetin Bujqësor.

Në kuadër dhe të Paktit për Universitetin, kryebashkiaku Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të fillojnë punimet për Kampusin e Ri ku do të zhvendosen studentët e Juridikut dhe të Gjuhëve të Huaja, kurse në Institut, Kampusi I ri do i shërbejë të rinjve që studiojnë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

"Dhe lajmi më i mirë është për Fakultetin Juridik, për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, që do të transferohen aty, për 12 godina, për një bibliotekë të re , për një mensë dhe për disa terrene sportive. Të njëjtën gjë ne do të bëjmë dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Një universitet I cili ka mbajtur një peshë të madhe në gjithë kuadrot e bujqësisë dhe tani që i është kthyer vëmendja falë kësaj qeverie tek agrobiznesi, tek agroturizmi, do të kemi një kampus ku dhe tetë godinat që ishin zaptuar do të sistemohen qytetarët që për një arsye apo një tjetër kaluan vitet e tranzicionit aty falë projektit të qeverisë sonë për rindërtimin , por edhe studentët do të kenë një kampus ekzemplar", tha Veliaj.

Lidhur me banorët që kishin zaptuar këto godina, Bashkia e Tiranës u ka dhënë bonus qiraje gjer sa të sistemohen përfundimisht në një banesë të re.

"Studentët mir që vinin nga rrethet por ju jepej mistria në dorë që ta ndërtonin vet ashtu siç u bënë në fakt me shumë prej pallateve që u dëmtuan në Tiranë prej punësh vullnetare. Kjo është arsyeja pse disa nga godinat patën dëme. Patjetër kemi bërë një rikonstruksion total shumicën prej tyre, por themelet , kolonat janë po ato. Kjo është arsyeja pse tre godina që në fakt ishin zaptuar nga ata që ishin munduar që ta kalëronin grevën e studentëve, ishin zaptuar nga po këta aktivistë. Ne si socialistë nuk themi ose këta, ose ata. Ne si socialistë themi edhe këta, edhe ata. Edhe ata që kishin zaptuar për 30 vite nën atë rrumpallhane të atij regjimi do të strehohen dhe janë sot me bonus qiraje dhe do të marrin apartamentet duke lëshuar hapësirat e zaptuara në qytetin student, edhe studentët do të kenë një kampus të ri universitar.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se PS është e vetmja parti e studentëve që ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa e ka sot Biblën dhe Kuranin e vet. "Mezi pres të përveshin mëngët dhe për gjithë studentët , qoftë protestues, qoftë që e kanë marrë kartën, apo janë rrugës, duam t'ju themi që kjo parti është e jona por është edhe partia juaj. E vetmja parti e studentëve që ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa e ka sot Biblën dhe Kuranin e vet", theksoi ai.

Si shembull të suksesshëm, Veliaj solli dhe mbajtjen e fjalës për kartën e studentëve, të cilët përfitojnë shërbime shumë herë më të lira jo vetëm tek institucionet publike, por edhe ato private. "Në fillim fare ishte shqetësuese, sepse pjesa e lidershipit të Universiteteve kërkonte shumë pavarësi dhe më kujtonte studimet e mia, si ato vendet Afrikane që donin shumë pavarësi nga Franca dhe Anglia dhe sapo iku Franca dhe Anglia, filluan të plaçkitnin territorin e tyre për të cilin kërkonin pavarësi. Ishte habi se si shumë prej rektorëve apo dekanëve, sapo morën pavarësinë nga qeveria dhe kaluan nga Universitete shtetërore në të pavarura, autonome, gjëja e parë që bënë është tender për zyrat, për makinat, nëpër fakultete ku nuk punonte galixhani, printeri, ku harxhohej letra higjienike. Ndaj edhe besoj që ishte e rëndësishme që ne si socialist të mos gjejmë justifikime pse të tjerët nuk i bëjnë punët, por për një punë të pabërë nga dikush tjetër ne të marrim përgjegjësinë dhe ta çojmë deri në fund. Kjo është arsyeja pse në punë ditësh ne arritëm të prodhonim Kartën e Studentit, një kompetencë që i ishte dhënë universiteteve", u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se sot çdo student që është i shkëlqyer, ka të hapur mundësinë për tu bërë pjesë e administratës. "Jam krenar sot që gjithë ata studentë me 9-a dhe 10-a janë bërë pjesë e strukturave tona të punës. Sot një pjesë të tyre që protestonin në Dhjetor, pasi morën bursën nga kryeministri dhe qeveria jonë, sot i quaj kolegë në Bashkinë e Tiranës. Kemi pasur mbi 1700 të tillë. Mesi pres që teksa vazhdojnë rekrutimet, kush janë më të mirët, më të aftët, të përqafohen jo vetëm nga Bashkia e Tiranës por nga të 61 bashkitë e vendit dhe nga çdo dikaster të institucioneve, ku me vendimet e Këshillit të Ministrave she kryeministrit Rama është hapur dera për çdo djalë dhe vajzë që pavarësisht se si e ka mbiemrin, se si quhet mami dhe babi, pavarësisht si quhet tesera e partisë që ka është i mirëpritur t'i shërbejë shtetit shqiptar, logos së Bashkisë dhe qeverisë tonë", theksoi Veliaj.

o.j/dita

Ndryshimet/ Si do vlerësohen pagesat e aftësisë së kufizuar

Posted: 29 Feb 2020 03:12 AM PST

Pranvera Kola

Mosparaqitja në afatet e caktuara e dosjes së dokumenteve, refuzimi i kryerjes së ekzaminimeve të rekomanduara përcaktuara nga komisioni i nivelit të parë, si dhe largimi nga Shqipëria për më shumë se tre muaj do të çojnë në ndërprerjen e pagesës së aftësisë së kufizuar.

Me zbardhjen gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare të vendimit të ndryshuar, tashmë ka hyrë në fuqi skema se si do të bëhet vlerësimi i aftësisë së kufizuar dhe ndarja e pagesave përkatëse për të gjithë përfituesit dhe ndihmësit e tyre personalë në rastet kur kjo gjë do të jetë e nevojshme. Për vlerësimin e përfitimeve pranë Shërbimit Social Shtetëror do të ngrihen dhe do të funksionojnë 5 komisione të vlerësimit të aftësisë së kufizuar të nivelit të parë, teksa do të funksionojnë edhe katër komisione të tjera eprore në rast se do të ketë ankimim të vendimeve të marra nga ekspertët e komisioneve të nivelit të parë.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë të gjithë procedurën që do të ndiqet për vlerësimin dhe rivlerësimin e pagesave të aftësisë së kufizuar, që nga dorëzimi i dokumenteve të duhura, vlerësimi i tyre, si dhe marrja e vendimit për lidhjen e pagesës sipas masës së përcaktuar për secilën kategori përfituese.

Dokumentacioni i kërkuar

Sipas vendimit, personat, që vlerësohen me aftësi të kufizuar pajisen nga institucioni i kujdesit shëndetësor i specializuar me shtretër, me fletën e drejtimit për në KMCAP (Komisionin mjekësor të vlerësimit të aftësisë së kufizuar). Ndërsa personat që do të rivlerësohen për aftësinë e kufizuar, do të pajisen nga mjeku specialist me epikrizë, në bazë të rekomandimit të mjekut të familjes.

Dokumentacioni për vlerësimin apo rivlerësimin e aftësisë së kufizuar, së bashku me kopje të dokumentit të identifikimit, dërgohen brenda 5 ditëve nga institucioni shëndetësor pranë njësisë administrative ku individi ka vendbanimin. Për personat me aftësi të kufizuar, për të cilët me vendim të komisionit mjekësor është përcaktuar se kanë nevojë për përkujdesje, plotësohet brenda 30 ditëve dokumentacioni për ndihmësin personal, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për mënyrën e ofrimit të ndihmesës personale dhe kriteret e përzgjedhjes së ndihmësit personal.

Sa i takon dokumentacioneve shtesë, saktësohet se personat me aftësi të kufizuar, të cilët ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, duhet të paraqesin çdo fillim të vitit ri shkollor/akademik edhe këto dokumentet: "Vërtetimin, të nënshkruar nga titullari dhe sekretari i institucionit arsimor të mesëm të lartë dhe të lartë, ku të shënohen emri dhe mbiemri i personit, niveli i arsimit që ndjek, viti shkollor/akademik dhe kohëzgjatja. Për të vërtetuar frekuentimin e procesit mësimor, vërtetimi lëshohet çdo tre muaj.

Vërtetimi për shlyerjen e detyrimeve të çdo sezoni lëshohet vetëm për personat që ndjekin arsimin e lartë". Po ashtu duhet të dorëzoni edhe kopjen e noterizuar të dëftesës së çdo viti dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së mesme të lartë apo të lartë, si dhe kopje të dëshmisë së kursit të kualifikimit. Personat me aftësi të kufizuar, të cilët kanë fituar gradë shkencore/titull akademik, paraqesin kopjen e noterizuar të dokumentit që vërteton fitimin e gradës shkencore/titullit akademik.

Kontrolli i dokumenteve të përfitimit

Kontrolli i këtyre dokumenteve do të bëhet nga Shërbimi Social Shtetëror në nivel qendror, ose rajonal ka të drejtë të verifikojë, me strukturat përgjegjëse për çështjet e arsimit. Administratori shoqëror, me marrjen e dokumentacionit nga institucioni shëndetësor, e dërgon atë brenda 24 orëve, me procesverbal pranë mjekut të drejtorisë rajonale të shërbimit social shtetëror, dhe listën emërore të personave që do të vlerësohen apo do të rivlerësohen, pranë KMCAP-së. Mjeku verifikon nëse dosjet e paraqitura janë të plotësuara me dokumentacionin përkatës dhe, më pas, i përcjell ato në komisionin e vlerësimit të nivelit të parë.

Në rastet e rivlerësimit, administrator shoqëror njofton personin 2 muaj para përfundimit të afatit të vlerësimit për pajisjen me epikrizën përcjellëse. Ndërsa personave, të cilëve u ndryshon gjendja shëndetësore brenda afatit të përfitimit, i nënshtrohen procedurës së rivlerësimit me fletëdrejtimi të re.

Drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror, në përfundim të vlerësimit të aftësisë së kufizuar për personat aplikues hedhin në arkivin elektronik brenda 10 ditëve nga data e vlerësimit/rivlerësimit, dokumentacionin që përmban dosja e përfituesit dhe e dërgojnë atë pranë njësisë administrative, të shoqëruar me njoftimin për vendimin për çdo person. Në bazë të vendimeve të komisionit, administratori shoqëror përgatit listën e përfituesve të pagesës së aftësisë së kufizuar, të shoqëruar me masën e përfitimit për çdo përfitues, përfshirë edhe përfitimet shtesë, të bazuara në dokumentacionin përkatës, sipas legjislacionit në fuqi. Kjo listë i dërgohet çdo muaj strukturës përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki për të kryer pagesat.

Ankimimi për pagesat

Sipas procedurave të përcaktuara në vendim çdo përfitues ka të drejtë të ankohet në lidhje me masën e caktuar të pagesës së aftësisë së kufizuar, apo edhe vendimit të marrë nga komisioni epror nëse aplikuesi duhet të përfitojë këtë pagesë ose jo. Kundër vendimit të komisionit të  nivelit të parë personi mund të bëjë ankim brenda 30 ditëve në komisionin epror.

Ankimi në komisionin epror bëhet me shkrim dhe dorëzohet pranë drejtorive rajonale të shërbimit social shtetëror. Brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, drejtoria rajonale e shërbimit social shtetëror dërgon në Shërbimin Social Shtetëror dosjen e ankimuesit, së bashku me një relacion të hollësishëm, ku argumentohet vendimi i marrë nga komisioni i nivelit të parë.

Shërbimi Social Shtetëror njofton anëtarët e KMCAP-së eprore dhe ankimuesit 7 ditë përpara zhvillimit të seancës së komisionit epror. Seancat e mbledhjes së komisionit janë të përmuajshme dhe zhvillohen brenda një muaji, nga data e paraqitjes së dokumenteve në Shërbimin Social Shtetëror. Seanca zhvillohet në ditët e caktuara nga komisioni epror, i cili tërhiqet për të marrë vendimin pa praninë e personit. Komisioni epror mblidhet jo më pak se dy herë në muaj dhe kur janë mbledhur jo më pak se 20 dosje. Vendimet e komisionit epror merren me shumicë të thjeshtë votash.

Rishqyrtimet e dosjeve  

Nëse ankimuesit nuk paraqiten para komisionit 2 herë radhazi dhe refuzojnë të kryejnë ekzaminimet e kërkuara apo mjekimin e rekomanduar, komisioni epror merr vendim "pa aftësi të kufizuar", dhe dosja i kthehet drejtorisë rajonale të shërbimit social shtetëror. Në këtë rast, dosja konsiderohet e mbyllur dhe për rihapjen e saj do të ndiqet procedura si për rastet që paraqiten para komisionit për herë të parë. Komisioni epror nuk mund të marrë në rishqyrtim rastet për të cilat ai është shprehur një herë, në rastet kur ankimuesi ka të njëjtën gjendje shëndetësore, për të cilën pretendohet aftësi e kufizuar.

Ndarja e pagesave

Pagesa për personat që përfitojnë nga ky vendim dhe e ndihmësit personal bëhet një herë në muaj, nëpërmjet shërbimit bankar ose Postës Shqiptare, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi. Personave me aftësi të kufizuara, të cilët vlerësohen për herë të parë në komisionin e vlerësimit të aftësisë për punë, u lind e drejta e përfitimit të pagesës në muajin pasardhës, nga data e marrjes së vendimit nga ky komision.

 

Pagesa e aftësisë së kufizuar ndërpritet kur:

  1. Kur personi refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara.
  2. Kur dokumentacioni për rivlerësim nuk paraqitet sipas afateve të përcaktuara në rregulloret e organizimit, të të drejtave, detyrave dhe funksionimit të komisioneve të vlerësimit.
  3. Kur personi nuk paraqitet në komisionin epror dy herë radhazi dhe refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara/mjekimin e rekomanduar/ marrjen e shërbimit të rekomanduar.
  4. Kur vërtetohet që personi nuk është rezident në Shqipëri.
  5. Kur personi ka qëndruar për më shumë se tre muaj jashtë Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për arsye shëndetësore.
  6. Për personat e përcaktuar në nenin 11, të ligjit nr. 57/2019, "Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë".

Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar

  • Masa e përfitimit për personat me aftësi të kufizuar,  është 10 653 lekë në muaj. Të njëjtën masë pagese përfiton edhe ndihmësi personal i personit me aftësi të kufizuar, i përcaktuar në shkronjën "b", të nenit 8, të ligjit nr. 57/2019, "Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë". Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar dhe pagesa ndihmësit personal indeksohet çdo vit nga Shërbimi Social Shtetëror, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit.
  • Personat me aftësi të kufizuar, që ndjekin një kurs kualifikimi të licencuar ose të akredituar, dhe nxënësit, të cilët ndjekin arsimin e mesëm të lartë, përfitojnë pagesë në masën 200 për qind të pagesës si person me aftësi të kufizuar gjatë kohës që ndjekin kursin e kualifikimit/vitin shkollor vetëm për një dhe gjatë një kursi kualifikimi/viti shkollor, brenda afatit të përcaktuar për kryerjen e kursit të kualifikimit/vitit shkollor.
  • Personat me aftësi të kufizuar, të cilët ndjekin arsimin e lartë në programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë, përfitojnë pagesë në masën 300 për qind të pagesës si person me aftësi të kufizuar gjatë kohës që ndjekin studimet vetëm për një dhe gjatë një programi studimi, brenda afatit të përcaktuar për kryerjen e programit të studimit. E njëjta masë pagese zbatohet për personat që ndjekin programin e studimit të ciklit të tretë. Për personat që ndjekin studimet e doktoratës dhe për personat që ndjekin procedurat për fitimin e një titulli akademik, kjo pagesë përfitohet në mënyrë të përhershme, mbi bazën e dëshmisë së lëshuar nga organet kompetente për fitimin e gradës shkencore/titullit akademik.
  • Personat me aftësi të kufizuar, të cilët ndjekin, njëkohësisht, arsimin e mesëm të lartë apo arsimin e lartë dhe një kurs kualifikimi, përfitojnë vetëm njërën nga pagesat.
  • Personat   me plotësimin e moshës dhe të kushteve për përfitim pensioni, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për sigurimet shoqërore, ndërpresin pagesat që përfitojnë sipas këtij vendimi.
  • Pagesa e ndihmësit personal të personit me aftësi të kufizuar  është në masën 11 190 lekë në muaj. Kjo pagesë indeksohet çdo vit nga Shërbimi Social Shtetëror, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit.
  • Përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, në kuptim të skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor.
  • Periudha e shërbimit si ndihmës personal  të cilët nuk janë ekonomikisht aktivë dhe nuk përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, vlerësohet periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni, barrëlindjeje, aksidenti në punë, sëmundjeje profesionale dhe sigurimi shëndetësor. Kontributet paguhen në bazë të pagës minimale, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të detyrueshëm shoqëror, dhe përballohen nga buxheti i shtetit.
  • Ndihmësit personalë, që ofrojnë shërbim për më shumë se një përfitues, marrin një shtesë prej 50 për qind të shumave përkatëse për çdo përfitues të shtuar.
  • Përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar nuk llogaritet në të ardhurat e familjes, për efekt të llogaritjes së ndihmës ekonomike.
  • Pagesa për personat që përfitojnë nga ky vendim dhe e ndihmësit personal bëhet një herë në muaj, nëpërmjet shërbimit bankar ose Postës Shqiptare, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi.

 

 

 

Virusi në Itali nuk ka hyrë tani? Pneumoni anormale që nga mesi i janarit!

Posted: 29 Feb 2020 02:52 AM PST

Në provincën e Lodit në Itali, mjekët kanë vënë re pneumoni anormale që nga mesi i muajit janar. Por për këta pacientë nuk është menduar se mund të kenë qenë të infektuar me koronavirus; ata janë trajtuar me antibiotikët e zakonshëm.

Task forca e epidemiologëve dhe kërkuesve, e cila po punon për të kuptuar përse virusi pati në Itali një përhapje të tillë të rrufeshme, po del në përfundimet e para, dhe një prej tyre është se Covid 19 nuk ka mbërritur tani, por ka qenë aty prej javësh.

" Ishim të bindur se ato pneumoni të çuditshme ishin favorizuar nga i ftohti dhe mungesa e shirave, dhe i kuruam me antibiotikë siç veprohet zakonisht në raste të tilla", tha për Repubblica.it mjeku Alberto Gandolfi.

E ndërsa po tentohet të shihet sa bazë ka vërtet një teori e tillë, një hulumtim i kryer nga departamenti i shkencave Biomjekësore në Spitalin Sacco të Milanos, tregon se virusi në Kinë mund të ketë qarkulluar që nga mesi i tetorit dhe muaji nëntor. Bilanci i vdekjeve në vendin fqinj është 21, ndërsa të prekurit mbi 800. Katër viktimat e fundit të virusit ishin dy burra dhe dy gra, të moshave ndërmjet 70 dhe 80 vjeç.

Në Lombardi po kërkohet që shkollat të qëndrojnë të mbyllura edhe për 7 ditë të tjera, ndërsa ekspertët vërejnë se gati gjysma e të infektuarve, nuk kanë shenja klinike. Organizata Botërore e Shëndetësisë e rriti një ditë më parë kërcënimin nga koronavirusi i ri në nivelin më të lartë, e tha se shumica e vendeve, në mos të gjitha duhet të përgatiten për shpërthim të epidemisë.

o.j/dita

“Fakte të reja të grushtit të shtetit”, Meta njofton tjetër konferencë për mediat

Posted: 29 Feb 2020 02:43 AM PST

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pritet të dalë sot në një tjetër konferencë për mediat. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i kreu të Shtetit, Tedi Blushi i cili njofton se Meta do të jetë në konferencë në 12:00.

"Në ora 12.00, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të japë një konferencë shtypi për t'ju njohur me fakte të reja të grushtit të shtetit! I hapur për çdo pyetje!"- shkruan Blushi.

o.j/dita

Arrestimi/ Çfarë dëshmoi dje Henri Çili para oficerëve gjyqësorë

Posted: 29 Feb 2020 02:12 AM PST

Një ditë pas arrestimit, botuesi dhe pedagogu i njohur Henri Çili ka folur për herë të parë, ndërsa ka mohuar kategorikisht akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Mësohet se si fillim oficeret e Policisë Gjyqësore kanë ndeshur në refuzimin e dhënies se shpjegimeve nga ana e Çilit.

Ky i fundit i është nënshtruar seancave pyetësorë ne oret e vona te mbasditës se djeshme tek oficeret e Policise Gjyqesore.

Ne te gjitha deshmite qe ka dhene ne nje ore e gjysëm seance pyetësore në ambientet e Drejtorise Vendore te Policise se Gjirokastres, Henri Çili mesohet te jete shprehur se "s'ka kryer asnjë shkelje për akuzat që i bëhen dhe se gjithçka sipas tij eshte tërësisht e manipuluar dhe do t'i kundërshtojë ne momentin e duhur me prova dhe fakte".

Burime nga Prokuroria e Përmetit bejne te ditur se Henri Çilit do t'i komunikohet masa e arrestit ne oret e mesdites së neserme ne Gjykaten e Faktit ne Permet.

Mbi Çilin rëndojnë disa vepra penale, konkretisht; "Fshehja e të ardhurave", " Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", "Falsifikimi i dokumenteve", "Mashtrimit", "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike" dhe "Falsifikimi dokumenteve" në bashkëpunim.

o.j/dita

Në përgjimet e “Mezhgoranit” edhe vajza e këngëtares Eli Fara

Posted: 29 Feb 2020 02:01 AM PST

Detaje dhe emra të rinj janë zbuluar nga operacioni "Mezhgorani", nga i cili u arrestua edhe botuesi Henri Çili bashkë me 27 persona të tjerë.

Siç shkruan Dosja.al ne listën e të përfshirëve në dosje është edhe emri i Marina Farës, vajza e këngëtares Eli Fara.

Nga përgjimet që Prokuroria ka bërë gjatë hetimeve, rezulton se Marina ka pasur kontakte të shpeshta telefonike me njërin nga të ndaluarit.

Policia ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e saj në Tiranë.

Prokuroria e Përmetit ka kërkuar për Farën masën "detyrim paraqitje", ndërkohë ende pritet vendimi që Gjykata do të japë për të.

Mësohet se në përgjime, vajza e këngëtares ka emrin Roxhensa Vangjush Kapurani, emër të cilin ajo e ka ndryshuar duke hequr dorë nga mbiemri i të atit.

E reja njihet tashmë si Marina Fara.

Mezhgorani vuri në pranga 28 persona, mes të cilëve pronari i UET, Henri Çili, shoferi i tij, avokati Ilir Korbi, biznesmeni Sait Fishta dhe 23 persona të tjerë.

Botuesi Çili dhe disa të tjerë akuzohen se kanë ndikuar tek gjyqtarët për të liruar bandën e Lazaratit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

Kurse personat e tjerë, përfshirë personin që kontaktonte Fara-Kapurani janë arrestuar për trafik droge.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more