Skip to main content

“Lamtumirë President Chirac!” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Lamtumirë President Chirac!” plus 2 more Telegrafi Opinione


Lamtumirë President Chirac!

Posted: 29 Sep 2019 01:21 AM PDT

Siç është njoftuar gjerësisht edhe në mediat shqiptare, ish-Presidenti i Francës, Jacques Chirac, ndërroi jetë ditën e enjte, më 25 shtator, në shtëpinë e tij, nën kujdesin e pjesëtarëve të familjes. Me këtë rast janë dhënë për publikun shqiptar edhe informacione të shumta rreth jetës së tij politike, ku është theksuar, me të drejtë, se ai mbetet politikani me karrierën më të gjatë jo vetëm në Francë, por ndoshta edhe në Evropë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Disa herë ministër, disa herë kryeministër, kryetar i Bashkisë së Parisit (1977-1995), për ta mbyllur si President i Republikës me dy mandate radhazi (1995-2005).

Në herët që kam pasur nderin të gjendem në tryezë me të gjatë periudhës kur e kishte mbyllur tashmë jetën politike, e kam dëgjuar të kujtojë me kënaqësi të veçantë kohën kur kishte qenë ministër i Bujqësisë dhe atë si kryebashkiak i Parisit. Ai kishte arsyet e veta për një parapëlqim të tillë. Siç thoshte vetë, Ministria e Bujqësisë i kishte dhënë mundësinë të njihte dhe të adhuronte Francën e vërtetë, atë të fshatit, ku ruhet shpirti francez. Ndërsa, Bashkia e Parisit shënonte një përvojë tjetër për të. Për shkak të rebelimit të përgjakshëm të asaj që në histori njihet si "Komuna e Parisit" (1871), gjatë më shumë se një shekulli Parisi ishte qeverisur me një ligj të veçantë, pa kryetar të zgjedhur nga populli. Jacques Chirac në njëfarë mënyre e themeloi funksionin e kryetarit të Bashkisë së Parisit dhe e mbajti pa ndërprerje për 18 vjet, derisa u bë President i Francës.

Por, përtej rolit të madh që ai ka luajtur në historinë e vendit të vet dhe të mbarë Evropës, për ne është rasti të përmendim me nderimin më të thellë figurën e Presidentit Jacques Chirac, si një mik i madh e i qëndrueshëm i shqiptarëve. Në shenjë homazhi po i jap të drejtë vetes të kujtoj përmbledhtazi disa fakte, që nuk do të harrohen.

Pa mbushur një vit si kryetar bashkie, Jacques Chirac mori një kërkesë nga shqiptarët e Francës për t'i vendosur emrin "Skanderbeg" një rruge apo një sheshi në Paris. Fjala është për emigracionin politik antikomunist. Në Francë, kryesisht në Paris, jetonte një pjesë e ajkës zogiste e vendosur atje në mesin e viteve 1950 bashkë me mbretin Zog, si dhe një pjesë e ajkës balliste me në krye profesor Abaz Ermenjin, kryetar i Ballit Kombëtar. Pavarësisht përçarjeve që kishin midis tyre, shqiptarët e kishin votuar gjerësisht golistin Jacques Chirac. Ai e mirëpriti pa ngurrim këtë kërkesë. Siç me të drejtë ka shkruar Ismail Kadare, diplomacia shqiptare e asaj kohe ka bërë një nga turpet më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar. Qeveria komuniste e Tiranës, për shkak se nismëtarë ishin armiqtë e saj të betuar, bëri gjithçka për ta penguar, duke kërcënuar madje edhe me prishje të marrëdhënieve. Siç më ka treguar një diplomat i lartë francez, dëshmitar i kësaj ngjarjeje, për hir të së vërtetës Ministria e Jashtme e Francës, e cila, si të gjitha diplomacitë, nuk e donte sherrin me një shtet tjetër, bëri shumë presion mbi udhëheqjen e Bashkisë së Parisit, me qëllim për ta rrëzuar një nismë të tillë. Por, kryetari i saj, Jacques Chirac, nuk u thye. Me vendimin e firmosur prej tij më 30 gusht 1978, sheshit afër Pont-de-Flandre iu dha emri i Heroit tonë Kombëtar.

Historia vazhdon. Jacques Chirac është një nga të parët personalitete të larta politike evropiane, që ftoi dhe priti në zyrën e tij një delegacion të Partisë Demokratike, të kryesuar nga Sali Berisha. Kjo ka ndodhur në fillim të pranverës 1991. Tre vjet më vonë, më 1994, po Jacques Chirac do të ishte nga të parat personalitetet e larta politike evropiane, që do të priste po në zyrën e tij të kryetarit të Bashkisë së Parisit, Presidentin Rugova dhe në dalje do të bënte një deklaratë të fortë në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, të tillë që nuk e kishte bërë ende asnjë politikan evropian. Edhe kjo pritje e Presidentit Rugova nga Chirac do të ngjallte kundërshti të forta nga diplomacia serbe. Për më tepër, kjo ndodhte në një kohë kur Presidenti i Francës, François Mitterand, priste me nderime protokollare Presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

Jacques Chirac do ta mbante premtimin që i kishte dhënë Ibrahim Rugovës. Pak muaj më vonë, kur do të hynte në fushatën presidenciale të cilën do ta fitonte edhe për fatin e mirë të Kosovës, ai do të theksonte në programin e tij se "Kosova do të jetë vija e kuqe të cilën Serbia nuk duhet ta shkelë". Jo rastësisht u zgjodh Parisi (Rambouillet) për konferencën ndërkombëtare për Kosovën më 1999. Edhe aty, me cilësinë e mikpritësit, në çelje të konferencës mbajti një fjalim të paharrueshëm e ku paralajmëronte qëndrimin e Francës në rast se Serbia nuk do të pranonte zgjidhjen paqësore. Gjërat rrodhën siç dihet. Kur NATO do të ndërmerrte bombardimet mbi Serbi, Franca do të ishte vendi i dytë, pas SHBA-ve, me numrin e aeroplanëve që do të merrnin pjesë në operacione. E pra, prej afro 25 vjetësh Franca nuk ishte anëtare e strukturave ushtarake të NATO-s. Presidenti Chirac theu me këtë rast një vendim të marrë nga ati i tij shpirtëror e politik, gjenerali De Gaulle, për të mos u përfshirë në operacionet ushtarake të NATO-s. Nuk ishte një hap i lehtë për t'u hedhur nga ana e Presidentit Chirac. Serbët e përjetuan si varrosje të miqësisë tradicionale serbo-franceze. Televizionet e mbarë botës e treguan monumentin simbol të kësaj miqësie në Beograd të mbështjellë me beze të zezë si me qefin.

Më duket rasti për të treguar edhe një episod të panjohur për publikun, por që unë e vlerësoj me domethënie të veçantë në sjelljen miqësore të Presidentit Chirac ndaj shqiptarëve. Rizgjedhja e Berishës për President në mars 1997, për vetë rrethanat në të cilat ndodhi e që nuk është rasti këtu t'i përmendim, nuk po gjente miratim në asnjë nga Kancelaritë me peshë në Evropë e as në Uashington. Unë isha ende ambasador në Paris. Ministria e Jashtme franceze ishte pjesë e këtij kori refuzues. Bisedova me një nga njerëzit e afërt të Presidentit Chirac për nevojën e njohjes së rizgjedhjes së Berishës, në mënyrë që dikush me legjitimitet ta drejtonte vendin deri në zgjedhjet e reja të parakohshme, që do të zhvilloheshin në qershor. Po atë ditë, me porosi të kabinetit të Presidentit Chirac, m'u dha një audiencë me ministrin e Jashtëm Herve de Charrette, të cilit do të duhej t'i shpjegoja të njëjtat argumente si dhe njeriut të Presidentit. Vetë Presidenti Chirac ishte në udhëtim zyrtar në një nga vendet e Amerikës Latine. Brenda ditës, në daljen e parë publike që pati në kuadër të veprimtarisë shtetërore që po zhvillonte në atë vend të largët, pra nga fundi i botës do të thoshim ne shqiptarët, gjeti mënyrën të thoshte një fjali për njohjen e Berishës si President legjitim i Republikës së Shqipërisë. Ishte fjali pa asnjë lidhje me çfarë po e pyesnin gazetarët. Por, ai e bëri. Vetëm një mik do ta bënte. Do t'i jem mirënjohës gjithë jetën. Ishte një fjali që vuri menjëherë në lëvizje Gjermaninë dhe të gjithë aleatët e tjerë të Francës për të shkuar në të njëjtin drejtim.

Në këto ditë lamtumire e gjej me vend të kujtoj me mirënjohje edhe një nder personal që më ka bërë Presidenti Chirak. Afro një vit pasi mbaroi mandatin e dytë si President i Francës dhe u tërhoq përfundimisht nga jeta politike, ai vendosi themelimin e Fondacionit "Chirac". Unë isha një nga tre personalitetet politike ndërkombëtare që ftoi t'i bashkoheshin kësaj nisme qysh në zanafillë. Ishte viti 2008. Kam vazhduar të shkoj në mbledhjet e bordit të këtij fondacioni deri në vitin 2014. Bënim dy mbledhje në vit. Të them të drejtën, unë shkoja kryesisht sepse aty vinte vetë Presidenti Chirac. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme dhe po aq nder i madh ta dëgjoje si fliste, si dëgjonte, si arrinte te vendimi. Kur Presidenti Chirac filloi të mos vinte më në këto mbledhje për arsye shëndetësore, edhe unë dhashë dorëheqjen nga ky bord. Nuk e kam parë më nga afër. Dhe, nuk do ta shoh më kurrë. Lamtumirë President!

The post Lamtumirë President Chirac! appeared first on Telegrafi.

Selenskyj, shërbëtor i Donald Trumpit

Posted: 29 Sep 2019 01:15 AM PDT

“Shërbëtor i popullit” – ky është emri i partisë së presidentit ukrainas. Emri është program; Volodymyr Selenskyj e partia e tij duan t’i shërbejnë popullit. Por, kur bëhet fjalë për Donald Trumpin, atëherë Selenskyj do të tregojë e ndoshta duhet të tregojë se është gati për shërbim edhe ndaj presidentit amerikan. Servilizëm është nocioni më i butë që mund të thuhet për fjalët e Selenskyjt për bashkëpunimin pa kushte e me lavde.

Protokolli i bisedës së bërë në mirëbesim mes të dy politikanëve, më 25 korrik 2019, të thotë shumë. Shënimet janë bërë publike, sepse Trumpi për shkak të kësaj telefonate ndodhet nën presion aq të madh në vendin e tij, saqë lejoi publikimin e saj. Kështu, aty lexohet se presidenti amerikan vërtet i bën fort presion homologut ukrainas. Dhe, nuk janë interesat amerikane që janë në plan të parë, por bëhet fjalë për mbledhjen e materialit kompromentues për një rival të mundshëm të Trumpit në fushatën e ardhshme zgjedhore, politikanit demokrat dhe ish-zëvendëspresidentit Joe Biden.

Po si reagoi Selenskyj?

Ai përsëriste fjalët e Trumpit, renditi një kompliment pas tjetrit, dhe e quajti madje partnerin e tij në bisedë një “mësues të madh”. Selenskyj pranoi me vullnet dëshirat e Trumpit. Shërbëtori i popullit ukrainas u bë shërbëtor i presidentit amerikan dhe me këtë e bëri vendin e tij top loje të politikës së brendshme amerikane. Po, e vërtetë, në politikë gjithmonë bëhet fjalë për interesa. Problemi i Selenskyjt në këtë pikë është : Ai nuk i përfaqësoi kushedi sa interesat e vendit përballë Trumpit. Ai u hoq si fëmijë i mirë. As ndonjë dëshirë politike të rëndësishme nuk shprehu, sikur vendi i tij të mos kishte asnjë të tillë. Ai as nuk e përdori këtë takim për të tërhequr investime amerikane në Ukrainën e tronditur nga kriza, as nuk punoi për agjendën e tij të reformave, që ua ka premtuar ukrainasve.

Selenskyj vërtet lëvdoi sanksionet amerikane kundër Rusisë dhe ndihmat për ushtrinë ukrainase. Por, ai nuk foli për një mbështetje të mundshme të SHBA-së në një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Rusinë, megjithëse shumë ukrainas do të dëshironin pikërisht këtë. Ai nuk përmendi planet për dhënien fund të luftës në Donbas, megjithëse kjo do të jetë temë kryesore e presidencës së tij dhe në këtë pikë do të kishte nevojë për ndihmën amerikane.

Të gjitha këto nuk ishin kushedi sa të rëndësishme, kur Selenskyj në korrik të këtij viti më në fund kishte shansin të fliste me “Mr. President”, të cilin ai deri më sot nuk e ka vizituar në Shtëpinë e Bardhë dhe mundi ta takonte shkurt në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo, kur të dy janë të një mendimi se sa e rëndësishme është SHBA-ja për Ukrainën dhe sa pak evropianët me në krye Angela Merkelin bëjnë për Ukrainën. Të dy politikanët kishin kohë madje në telefonatë edhe për të folur keq për kancelaren gjermane dhe presidentin francez, Emmanuel Macron. Vetëm pas kësaj Donald Trump u fut në temë – temën që i interesonte. Disa herë dhe me theks të veçantë ai i bënte presion Selenskyjt për mbledhjen e informacioneve mbi djalin e Joe Bidenit, Hunter Biden, që është i përfshirë në Ukrainë në pazare energjetike të kontestuara.

Donal Trump nuk foli në tërësi për korrupsionin e përhapur në Ukrainë dhe ekonominë klienteliste. Ai kërkoi qartë hetime kundër djalit të Bidenit, që në kohën e Poroshenkos ishte në krye të një koncerni energjetik ukrainas mbi të cilin rëndonin dyshime. Tjetra: Jo drejtësia amerikane, por pikërisht një nga avokatët e Trumpit do ta ndihmonte Ukrainën në këtë pikë. Pikante është se, pikërisht në kohën e telefonatës, Trump vërtet ndali përkohësisht ndihmat ushtarake amerikane për Ukrainën. Por të dy presidentët nuk folën për këtë.

Dyshimi ngrihet megjithatë – Trump vë nën presion një kryetar shteti të një vendi të huaj. Dhe, ai u bë pjesë e lojës, sepse nuk mundte ose nuk donte të bënte ndryshe. Varësia e Ukrainës nga SHBA-ja është e madhe. Nuk ka çudi që demokratët tani kapin rastin për mundësinë e një procedure shkarkimi të presidentit amerikan.

Pikërisht Selenskyj – partia e të cilit vetëm para pak kohësh futi sipas modelit të SHBA procedurën e shkarkimit për presidentët edhe në Ukrainë, – mundet tani që me politikën e tij servilosëse të ketë ofruar rastin që në Uashington të hapet një procedurë shkarkimi. /DW/

The post Selenskyj, shërbëtor i Donald Trumpit appeared first on Telegrafi.

Për politikanët ‘desperado’

Posted: 29 Sep 2019 01:06 AM PDT

Eksponentët e disa partive politike vazhdojnë të shpalosin programet e tyre politike dhe ekonomike, përmes të cilave premtojnë 'Epokën e Artë'. Këta eksponentë kujdesen shumë që këtë epokë ta ndërlidhin më kualitetet e liderëve të tyre. I përshkruajnë ata si politikanë të pajisur me njohuri hyjnore, që janë personifikim i ‘virtytit’, i ‘përsosmërisë’, i drejtësisë dhe barazisë mes njerëzve. Atributet e udhëheqësve politikë duken të jenë të ngjashme me ato që grekët e lashtë ia atribuonin hyjnisë Kroni (Kronos) që solli 'Epokën e Artë' ku njerëzit nuk bënin gjë pos sefasë.

Ata që e kanë lexuar librin e Platonit, 'Politika', u kujtohet tregimi për Kronin që përmbysi të atin për të qeverisur një botë ku nuk kishte dhunë midis njerëzve – as luftë, as hajdutëri, as vjedhje, as gllabërim të njëri-tjetrit. Jeta e njerëzve ishte spontane, sepse Kroni sundonte mbi njeriun. Nën sundimin e tij, toka prodhonte gjëra të mjaftueshme. Madje edhe njerëzit lindnin nga toka. Moti gjatë stinëve ishte i butë dhe njerëzit nuk kishim përse të mendonin për veshje e madje e as për shtretër. Ata jetuan të lumtur në ajër të hapur.

Natyrisht, ky është një tregim dhe interpretim idealist i Platonit mbi atë se si duhet të rregullohet shoqëria dhe shteti. Mirëpo, në të njëjtin libër Platoni përshkruan edhe gjendjen e vërtetë në Athinë, që karakterizohej nga një degjenerim pothuajse total. Degjenerimi moral dhe politik nuk kishte ardhur nga qielli, ex-nihilo, por kishte adresë. Ishin pasardhësit e Zeusit ata që e kishin krijuar këtë gjendje. Për pushtet, Zeusi përmbysë të atin e tij, Kronin.

Ky përshkrim i realitetit politik në Athinën antike ka ngjashmëri me realitetin tonë kosovar dhe më gjerë. Duhet të jesh i verbër nga sytë dhe nga mendja të mos e kuptosh dhe të ndjesh se po jetojmë në kohën e shthurjes së thellë morale dhe politike. Këtë shthurje nuk na kanë sjell armiqtë tanë të jashtëm. Adresa është brenda.

Është e pakuptimtë, për të mos thënë e turpshme, se si përkundër kësaj gjendjeje, shumë politikanë, prapë e kërkojnë votën për të sunduar. Madje shkojnë aq larg sa të premtojnë edhe përkushtim dhe luftë kundër korrupsionit, ndërtim të shtetit ligjor. Propagandë e ndyrë që lëndon inteligjencën normale njerëzore. Një mendje e shëndosh e di mirë se fjala është për premtime që vijnë nga politikanët hipokritë dhe gënjeshtarë që kanë kapur shtetin dhe nuk duan ta lëshojnë. Kemi të bëjmë me një grup desperadosh politikë që natën bëjnë të zezën e ditën kinse të bardhën.

Platoni, për ndryshim nga filozofët para tij (si Herakliti) që besonin se korrupsioni, degjenerimi dhe shthurja janë ligje të pandryshuara, besonte se këto 'ligje' mund të ndalen. Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit me vullnet të fortë dhe fuqi të madhe të mendjes/arsyes.

Por, në tregun politik të Kosovës, vazhdojnë të kalërojnë politikanë dhe intelektualë të paaftë, me shumë pak ekspertizë profesionale; njerëz të padijshëm dhe pa principe njerëzore. Për fat të keq, politika shqiptare është përplot me njerëz të mbushur me urrejtje që për virtyt kanë fyerjen e kundërshtarit, sharjet, demagogjinë, fjalamaninë, vjedhjen, zhvatjen, shantazhin, e madje edhe vrasjen.

Tregut politik shqiptar, po i mungojnë ende plane dhe programe politiko-ekonomike të bazuara në fakte e në evidencë empirike. Shumëçka nga shumica duket improvizim. Kur njeriu i lexon disa nfga programet e prezantuara, ato u ngjasojnë më shumë tezave të doktoratave në Kosovë e në Shqipëri, të cilat në mungesë të një sistemi rigoroz verifikimi veç në tregun e dijes lokale konsiderohen si vlerë shkencore.

Si përfundim, do isha i lumtur sikur kjo pamje e ime kaq e zymtë për realitetin në Kosovë e Shqipëri të ishte e pabazuar!

The post Për politikanët 'desperado' appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more