Skip to main content

“Bloomberg: Negociatat për Shqipërinë hapen më 15 tetor” plus 9 more - Gazeta Dita

“Bloomberg: Negociatat për Shqipërinë hapen më 15 tetor” plus 9 more - Gazeta Dita


Bloomberg: Negociatat për Shqipërinë hapen më 15 tetor

Posted: 30 Sep 2019 03:40 AM PDT

15 tetori pritet të jetë një datë pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Agjencia amerikane e lajmeve, Bloomberg raporton se dy vendet do të çelin negociatat për anëtarësim me BE-në në bazë të një projekt-deklarate të ministrave europianë.

Shqipërisë dhe Maqedoninë së Veriut muajin e ardhshëm pritet t’u jepet drita jeshile për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian.

Lajmin e konfirmojnë burime të medias amerikane, Bloomberg, të cilat kanë parë projekt-komunikatën që ministrat europianë do të konsultojnë më 15 tetor.

“Duke marrë parasysh progresin e arritur me reformat, BE vendos të hapë negociatat për anëtarësim me qeveritë e Tiranës dhe Shkupit,” njofton Bloomberg.

Sipas prestigjozes amerikane, një dokument i pak kohëve më parë nuk i rekomandonte negociatat, dhe sikundër në muajin qershor, shtetet më hezituese ndaj zgjerimit me Ballkanin mbeten Franca, Holanda, Gjermania dhe Danimarka.

Qeveritë perëndimore vijojnë të kenë dyshime për aftësitë shtetformuese të vendeve ballkanike, përkatësisht për kapacitetin e tyre për të garantuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin.

Kjo frikë është trashëguar prej vitit 2004 kur vende tanimë anëtare si Polonia, Hungaria dhe Rumania tregojnë të njëjtat brishtësi si më parë në respektimin e standardeve demokratike.

Bloomberg kujton se kundërshtitë e Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Danimarkës bënë që dy vendet të mos e merrnin dritën jeshile në qershor. Edhe pse negociatat zgjasin për disa vite, e madje dhe dekada si në rastin e Turqisë, nisja e procesit do të ishte një fitore për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, vijon më tej media amerikane.

j.l./ dita

I shpërthen telefoni nën jastëk, vdes 14-vjeçarja

Posted: 30 Sep 2019 03:33 AM PDT

 

Një adoleshente ka humbur jetën pasi telefoni i saj, të cilin e kishte vendosur nën jastëk duke u karikuar, shpërtheu.

Alua Asetkyzy Abzalbek e zuri gjumi ndërsa po dëgjonte muzikë në shtëpinë e saj në fshatin Bastobe, Kazakistan.

Dhe të nesërmen në mëngjes, 14-vjeçarja u gjet e vdekur ndërsa bateria e telefonit i kishte shpërthyer afër kokës.

Policia tha se vajza e kishte vendosur telefonin në karikim. Besohet se ajo pësoi lëndime të mëdha në kokë nga shpërthimi i baterisë dhe vdiq menjëherë.

Mjekët konfirmuan se celulari shpërtheu në orët e para të mëngjesit pas mbinxehjes së baterisë gjatë karikimit.

Vdekja e saj u konsiderua një 'aksident tragjik'.

o.j/dita

Autoportreti i poetit Moikom Zeqo

Posted: 30 Sep 2019 03:26 AM PDT

Nga Vangjush Ziko

Kam në dorë ciklin me poezi të poetit tonë të jashtëzakonshëm Moikom Zeqo të shkruar pesëmbëdhjetë vite më parë, të cilin ia përkushton filozofit ebre-gjerman Baruch Spinoza.

E çuditshme për një Poet vizionar, që shkruan për amëshimin dhe u vë data poezive të veta!

Ç’vlerë kanë këto data që për amëshimin janë të papërfillshme?!

Sidoqoftë, ka një justifikim suigeneris.

Frymëzimi lind në një çast, në një sekondë fluturuese për të jetuar gjatë, mbase, pambarimisht.

Në një vit-çast Poetit mund t’i lindin shumë ide frymëzuese.

Ky kalendar i duhet jo Poetit. I duhet Frymëzimit.

Dhe, pikërisht, në këtë vit-çast, Moikom Zeqo ka shkruar më qartë se çdo herë tjetër portretin e tij emblematik, sipas vizionit të tij fantastik.

Në këtë cikël ka edhe motive të tjera bashkëshoqëruese dhe plotësuese të këtij poertreti, sepse nuk mund të shkruhet portreti i poetit shkëputur nga bota që e rrethon, nga bota e mundimeve të përditshme, nga figurat emblematike shpirtërore të tij.

Moikomi ia kushton këtë cikël poetik Spinozës, por përmend edhe Budën, edhe Krishtin, edhe Antikrishtin.Për një çast është e pranishme edhe Perëndia dhe, patjetër, vetë Koha, e cila "kalëron me jele ankthi/dhe patkonj tipografikë".

Asgjë nuk ka për t’u çuditur.

Filozofi dhe Poeti janë vëllezër siamezë.

I pari me vështrimin nga bota e ideve. I dyti nga universi i figuracionit artistik.

Edhe metaforat e Moikomit janë, mbi të gjitha, metafora të mendimit.

Vargjet e Poetit janë "gjurmë mbi pllajën e mendimit".

Kurse Poeti është "shtyllë kurrizore e ideve".

Poeti është "ndërgjgegje e lirë endacake".

Moikomi e quan veten një "rishtar",një murg që ka veshur zhgunin e ashpër të Poezisë.

Për atë "Poezia është dashuri pa martesë".

Skicova kështu, me fjalët e vetë Moikomit, portretin e tij, më të veçantin në historinë e Poesisë sonë Kombëtare.

Historia Botërore e Poezisë njeh disa lloje "autoportretesh" të poetëve.

Pikat e referencave të tyre janë të ndryshme.

Një gjë është e përbashkët midis tyre: konfliktualiteti me botën reale dhe me botën e mendimeve, me vetveten dhe me Kohën.

Historikisht, Poeti është skicuar fillimisht si poet Profet, zëdhënës i Demiurgut.

Kemi më vonë Poetin në konflikt me fenë.

Poetin në konflikt me realitetin.

I përjetshëm mbetet konflikti i Poetit me Kohën, me Jetën dhe me Vdekjen.

Profilin e poetit Moikom Zeqo e mundon konflikti me jetën dhe me Amëshimin.

Atë e mundojnë dilema sfilitëse që lidhen me botën reale.

Ai jeton në një botë të ashpër dhe të pamëshirshme.

Shembulli i Baruh Spinozës është shumë domethënës për të: s’ka shtëpi për të qenë, as familje, as katandi, është i vetëm me "latinishten e tij gjeometrike", me "sintaksën e qartë" dhe me "simetrinë e konkluzioneve".

Ai vetëm hesht përpara Zotit, nuk kërkon falje për "herezitë filozofike" të tij.

"Realiteti, thotë Poeti ynë, më grish për të më vrarë pabesisht".

Për atë, zgjidhja e këtij konflikti, është idea kozmike e pafundësisë së universit, e cila metaforikisht na flet për përjetësinë.

Kemi, pra, një autoportret me ngjyrim të theksuar filozofik, që poetikisht, shtron argumentin, idenë e fuqisë së artit mbi pamundësinë e shpirtit poetik, që "kalëron me jele makthi/dhe patkonj tipografikë".

Poetin Moikom Zeqo e frymëzon mitologema e Pegasit, kalit mitologjik me krahë, që rreh me patkonjtë e tij malin Helikon dhe bën të shpërthejë burimi i frymëzimit ku pi ujë Muza e çuditshme Moikomjane.

 

Variçet dhe venat merimangë, këshillat si duhen trajtuar

Posted: 30 Sep 2019 03:22 AM PDT

Pranvera Kola

Variçet janë një ndër problematikat që hasen më shpesh, kryesisht tek moshat e rritura. Formimi i tyre mund të ndodhë si në sipërfaqe të lëkurës (venat merimangë), ashtu edhe në brendësi (venat varikoze). Mjekja Ilda Xhelili tregon si për "Dita" se të dyja këto nozologji janë kushte të zakonshme që prekin mbi 50 për qind të popullsisë së rritur. Venat merimangë (teleangioektasitë) janë grupe të enëve të vogla të gjakut që zhvillohen afër sipërfaqes së lëkurës. Ato shpesh janë të kuqe, blu ose në ngjyrë vjollcë dhe kanë pamjen e rrjetës së merimangës. Ato zakonisht janë prezente në fytyrë dhe në këmbë. Ndërsa venat varikoze (varicet) janë vena më të thella, më të mëdha, anomalisht të zgjeruara që shfaqen më shpesh në këmbë. Ato janë tipike blu, vjollcë dhe shfaqen gjarpëruese dhe të fryra duke u ngritur edhe mbi sipërfaqen e lëkurës. Në vijim të shkrimit mjekja tregon gjithçka rreth kujdesit që duhet të tregojmë ndaj parandalimit dhe trajtimit të variceve.

Pse formohen venat merimangë dhe venat varikoze?

Venat merimangë dhe venat varikoze shkaktohen nga anomalitë strukturore të enëve të gjakut dhe përkatësisht të venave. Venat bëjnë pjesë tek enët e gjakut të cilat e mbledhin gjakun nga i gjithë trupi për ta kthyer përsëri në zemër (në anën e djathtë të saj). Për të bërë të mundur rrugëtimin e gjakut në drejtim të zemrës, venat kanë një sërë valvulash që pengojnë kthimin mbrapsht të gjakut. Për një sërë arsyesh këto valvula mund të dobësohen, ose të dëmtohen duke lejuar lëvizjen e kundërt të gjakut dhe grumbullimin e tij në vena. Kjo bën që të rritet presioni brenda venave dhe të dobësohet muri i enëve të gjakut. Pikërisht nga bashkimi dhe zgjerimi i enëve të prekura të gjakut do të zhvillohen venat merimangë dhe venat varikoze.

Cilët janë faktorët e riskut  që rrisin shanset e zhvillimit të këtyre çrregullimeve venoze?

Të dyja format janë shumë të zakonshme tek të rriturit, megjithëse gratë kanë tendencë t'i zhvillojnë ato më shpesh sesa burrat. Ekzistojnë një larmi faktorësh që rrisin shanset e këtyre çrregullimeve, të cilat kryesisht përfshijnë moshën e avancuar, qëndrimet e gjata në këmbë ose ulur, mbipesha, shtatzanitë, terapitë hormonale zëvendësuese, pilulat e kontrollit të lindjeve, dëmtimet e venave, operacionet e venave, çrregullime të mpiksjes së gjakut, si edhe histori familjare me çrregullime të venave.

Cilat janë simptomat kryesore klinike?

Venat merimangë dhe venat varikoze, shpesh nuk shkaktojnë simptoma klinike përveç pamjes së tyre estetike të padëshirueshme. Sidoqoftë, individë të caktuar mund të paraqesin simptoma klinike problematike dhe kryesisht për venat varikoze në krahasim me venat merimangë. Simptomat mund të përfshijnë ënjtje, dridhje, dhimbje, djegie,kruajtje, rëndim, ndjesi shpimi si gjilpëra ose ngërçe të këmbëve. Këto simptoma shpesh përkeqësohen gjatë qëndrimeve të gjata në këmbë, ose ulur.

Çfarë ndërlikimesh shkaktojnë?

Megjithëse venat merimangë dhe venat varikoze rrallë shkaktojnë komplikacione serioze, tek disa individë mund të shkaktojnë ulceracione (plagë) të lëkurës. Këto plagë të hapura shfaqen zakonisht në pjesën e poshtme të këmbëve dhe mund të çojnë në infeksione të indeve të buta. Disa individë me vena varikoze mund të zhvillojnë gjithashtu mpiksje gjaku brenda venave, apo edhe gjakderdhje të lokalizuara.

Si duhen trajtuar këto raste?

Megjithëse shumica e këtyre rasteve me vena varikoze dhe vena merimangë nuk kërkojnë trajtim, ata individë që zhvillojnë komplikacione duhet të kërkojnë kujdes mjekësor dhe trajtim. Trajtimi i tyre në më të shumtën e rasteve kërkohet për arsye kozmetike. Ekzistojnë gjithashtu masa të ndryshme konservatore që mund të përdoren në kushtet e shtëpisë për të ndihmuar në zbutjen e shenjave klinike apo edhe në parandalimin e ndërlikimeve të mundshme.

Konkretisht, çfarë rekomandohet në kushtet e shtëpisë, si masë parandaluese për shfaqjen e këtyre çrregullime venoze?

Janë një sërë masash që mund të merren në kushtet e shtëpisë, ose gjatë përditshmërisë me qëllim parandalimin e tyre, apo edhe lehtësimin e simptomave që shkaktojnë. Ndër to do të përmendim përdorimin e çorapeve të kompresionit, ndjekjen e një programi të rregullt ushtrimesh, mbajtjen e një peshe të shëndetshme, shmangien e qëndrimeve ulur, apo në këmbë për një kohë të gjatë, përdorimin e veshjeve të duhura. E në rast kur këto masa nuk japin efektet e duhura duhet të vijohet me procedurat e caktuara mjekësore.

Çorapet e kompresionit

Çorapet e kompresionit janë një ndërhyrje e thjeshtë për t'u përdorur në shtëpi për të ndihmuar në zbutjen e simptomave në këmbë. Ato përmirësojnë qarkullimin e gjakut duke rritur presionin në këmbë. Këto çorape vijnë në larmi stilesh dhe pikash të forta kompresioni. Personeli i shërbimit shëndetësor duhet të rekomandojë palën e duhur në varësi të masës individuale. Këto lloj çorapesh mund të blihen në farmaci, ose në dyqane që ofrojnë pajisje mjekësore.

Ndikimi i ushtrimeve fizike dhe peshës

Një program i rregullt i ushtrimeve fizike dhe humbja e peshës mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave klinike të këtyre çrregullimeve venoze. Sikundër e theksuam edhe më lart mbipesha mund të rëndojë simptomat e venave varikoze.

Kujdesi gjatë ditës

Personat e prekur duhet të shmangin qëndrimin në këmbë, ose ulur për periudha të gjata kohore. Është mirë që këmbët të ngrihen mbi një karrige ose të vendosin një jastëk poshtë këmbëve kur janë shtrirë për të ndihmuar kthimin e gjakut në drejtim të zemrës, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për të ulur ënjtjen e këmbëve. Shmangni mbajtjen e këmbës mbi këmbë ndërsa qëndroni ulur. Shmangni veshjet e ngushta në zonën përreth belit, ijeve dhe këmbëve.

Procedurat mjekësore

Ndonjëherë, trajtimi konservativ mund të mos japë rezultatet e dëshiruara. Prandaj në këto raste janë të disponueshme procedura mjekësore të specializuara në varësi të vendndodhjes dhe madhësisë së venave të dëmtuara. Këto procedura mjekësore shpesh ndërmerren për arsye kozmetike.

Skleroterapia

Kjo është një procedurë e zakonshme mjaft efektive në eliminimin e shumicës së venave merimangë dhe të disa venave varikoze. Kjo procedurë nuk kërkon anestezi dhe realizohet përmes një injeksioni direkt në venën e prekur. Ky trajtim mund të kërkojë seanca të shumta trajtimi dhe koha e shërimit mund të ndryshojë nga një individ në tjetrin. Në përgjithësi venat merimangë do të fillojnë të zbehen brenda 3 deri në 6 javë pas trajtimit, ndërsa venat varikoze mund të kërkojnë disa muaj për t'u përgjigjur. Efektet anësore të mundshme përfshijnë enjtjen, gjakderdhjen, infeksionin dhe zbardhjen e lëkurës.

Terapia me rreze lazër

Një trajtim i zhvilluar kohët e fundit është terapia me rreze lazer. Ashtu si edhe gjatë skleroterapisë, edhe në këtë rast janë të nevojshme disa seanca për të marrë rezultate optimale. Efektet mund t'i marrim nga disa javë deri në disa muaj pas trajtimit. Efektet anësore të mundshme përfshijnë skuqje të vogla ose ënjtje rreth zonës së trajtuar, vezikula (fshikëza të lëkurës) dhe rrallë dhëmbëzime.

Rastet kur duhet ndërhyrja me kirurgji

Në rastin e rasteve të rënda të venave varikoze, kirurgjia është një mundësi e mirë. Padyshim që mjeku do të bëjë vlerësimin e situatës individuale shëndetësore për të përcaktuar edhe trajtimin përkatës. Si efekte anësore të mundshme të kirurgjisë do të përmendja infeksionin, dëmtimin e nervit, mpiksje të gjakut të venave të thella ose një reagim alergjik ndaj anestezisë.

Telebingo-Shqiptare/ Çmimi i madh në Elbasan, fituesi merr 985,900 lekë

Posted: 30 Sep 2019 03:11 AM PDT

Çmimi i madh  i Telebingo shqiptare shkon në Elbasan, fituesi merr 985,900 lekë

Krahas çmimit të madh, në shorteun e ditës së djeshme janë shpallur si fitues të serisë me një linjë edhe 10734 lojtarë të tjerë, të cilët fitojnë nga Telebingo Shqiptare 50 lekë. Fitues të serisë me dy linja janë shpallur 181 lojtarë, ku secili prej tyre siguron nga Telebingo shumën prej 2,055 lekësh. Fitues të një bilete janë shpallur edhe të gjithë lojtarët që kanë numrin 6, të përcaktuar si numër fati në biletën e tyre.

Me mijëra fitues të përzgjedhur nga të gjitha qytetet në vend, kanë mundur të sigurojnë edhe përgjatë shorteut të djeshëm, çmimet dhe dhuratat e preferuara të Telebingo Shqiptare. Sikundër është bërë traditë tashmë, të parët janë shpallur 10 fituesit çmimit tradicional prej 20,000 lekësh, të cilët do të luajnë sërish në shorteun e radhës për dy çmimet e mëdha 100,000 lekë, si dhe shumat e tjera të lojës me ruletën e fatit. Ndërkohë që nga loja e ruletës së fatit ditën e djeshme, Tonini ka siguruar shumën prej 25,000 lekësh, Naimi 23,000 lekësh, Marjana 27,000 lekë, Engjëllushja 24,000 lekë, Aliu 24,000 lekë, Ermira 103,000 lekë, Shuaipi 30,000 lekë, Asqeriu 25,000 lekë, Juliani 27,000 lekë, Dashnori 25,000 lekë, si dhe Teuta 102,000 lekë. Të tjerë fitues i janë bashkuar lojës me dhuratat dhe çmimet e fshehura në zarfe. Me rregullin e ri, edhe nëse përgjigjeni me "alo", sërish do të luani në lojën telefonike. Ndërsa telefonuesit që do të përgjigjen "Telebingo" në telefonatën surprizë të bërë gjatë lojës, krahas çmimeve të zarfeve, do të fitojnë edhe një shpërblim prej 5,000 lekës. Përzgjedhja rastësore e kontrabiletave ka bërë që loja telefonike të ndalet fillimisht në qytetin e Shkodrës, duke shpallur Rozinën si fituesen e parë, i cila ka tentuar të godasë në shenjë një ndër çmimet më të preferuara, makinën "Hyundai". Ndonëse nuk ka qëlluar në shenjë zarfin ku fshihej ky çmim, me mbajtjen e dy zarfeve më të preferuara, ajo ka siguruar shumën prej 70,000 lekësh. Fredi ishte një tjetër fitues që i është bashkuar lojës me dhuratat dhe çmimet e fshehura në zarfe, duke siguruar shumën prej 65,000 lekë. Një tjetër fituese, ka vijuar të luajë me lojën telefonike. Me mbajtjen e tre zarfeve më të preferuara, Bedria ka fituar nga Telebingo Shqiptare shumën prej 95,000 lekësh. Fati i ka buzëqeshur më së miri edhe të përzgjedhurës së radhës. Kësaj here bëhet fjalë për Mimozën në qytetin e Korçës, e cila është shpallur fituese e 100,000 lekësh. Më pas loja ka vijuar me shpalljen e një tjetër fituesi. Prenga ka siguruar nga Telebingo shumën prej 90,000 lekësh. Ola në Korçë ishte fituesja e radhës që ka tentuar të  gjejë zarfin ku mund të fshihej makina, por me zarfet e mbajtura, është shpallur fituese e plot 110,000 lekëve. Ndërsa Violanda ka siguruar shumën prej 80,000 lekësh. Fitues të tjerë i janë bashkuar lojës së Telebingos edhe në shortin e goglave për çmimin e madh të javës që lamë pas, vlera e të cilit ka mbërritur në 985,900 lekë. Seria e numrave të përzgjedhur e ka ndalur çmimin e madh në qytetin e Elbasanit, ku dhe rezulton të jetë blerë bileta fituese. Krahas çmimit të madh, janë shpallur si fitues të serisë me një linjë edhe 10734 lojtarë të tjerë, të cilët fitojnë nga Telebingo Shqiptare 50 lekë. Fitues të serisë me dy linja janë shpallur 181 lojtarë të tjerë, ku secili prej tyre siguron nga Telebingo shumën prej 2055 lekësh. Fitues të një bilete janë shpallur edhe të gjithë lojtarët që kanë numrin 6, të përcaktuar si numër fati në biletën e tyre. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara informacionet e plota mbi fituesit e shpallur në shorteun e djeshëm të Telebingo Shqiptare. Ditën e mërkurë, në orën 12:00, fituesit mund të paraqiten për të tërhequr dhuratat dhe çmimet pranë zyrave të reja të Telebingo Shqiptare në adresën: Nacional sh.a. Rr. "Donika Kastrioti", mbrapa "Kullave Binjake", Vila 9/1.

 

Luiza Gega në finale, zhvillohet sot gara 3000 metra me pengesa

Posted: 30 Sep 2019 03:10 AM PDT

Luiza Gega do të zbresë sërish në pistë në Botërorin e Atletikës që po zhvillohet në Doha.

Atletja shqiptare do të garojë në finalen e e garës së 3000 m me pengesa, një garë kjo që do të zhvillohet në 20:50 me orën evropiane.

Luiza Gega arriti të kualifikohej mes 15 atleteve më të shpejta të kësaj gare pasi u rendit në vendin e pestë në baterinë e dytë kualifikuese në garat e zhvilluara të premten duke regjistruar, një kohë kjo që ishte shumë më e shpejte edhe se ajo e 3 vendeve të para të baterisë pasardhëse dhe që i dha mundësinë asaj që të kualifikohej për më tej.

Luiza Gega do të kërkojë të japë maksimumin e saj për të marrë një rezultat sa më të mirë në këtë finale të madhe të garës së 3000 m me pengesa ku do të masë forcat me atletet më të mira të botës të kësaj disipline.

o.j/dita

Nis te ‘Krimet e Rënda’ procesi gjyqësor ndaj Çekajt dhe dy të akuzuarve të tjerë

Posted: 30 Sep 2019 02:47 AM PDT

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është çelur procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për trafikimin e 613 kilogram kokainë nga Kolumbia në drejtim të Shqipërisë. Seanca ka nisur për Arbër Çekaj, administrator i kompanisë Arbi Garden, në kontenierët e së cilës u gjet droga, dhe si dhe për Armando Pezakun dhe Donaldo Lushajn.

Aktualisht trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendim mbi kërkesën e avokatëve për gjykim të shkurtuar për të tre të akuzuarit.

613 kg e kokainës, të fshehura në banane, u kapën në mars të vitit të kaluar në portin e Durrësit, ngarkesë e cila po shoqërohej nga shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri i "Arbri Garden", Donaldo Lushaj, të cilët u paraqitën për të kryer zhdoganimin.

Arbër Çekaj u ekstradua nëntë ditë më parë nga Gjermania, ku u arrestua dhe më pas kërkoi azil me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohej jeta. Gjithsesi, autoritetet gjermane vendosën ta rikthejnë në Shqipëri.

o.j/dita

“Kosovë – Shqipëri pa kufij, platforma është përgatitur”

Posted: 30 Sep 2019 02:28 AM PDT

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Ekrem Mustafa në një intervistë per RTV Ora deklaron se është e mundshme heqja totale e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Pjesë nga intervista

A është projekt i mundshëm heqja totale e kufijve Shqipëri- Kosovë?

 Është projekt i mundshëm, grupet e punës kanë punuar platformën e propozimit. Grupet punuese janë mbledhur 7 ditë në Durrës dhe kanë punuar rreth kësaj platforme. Ne do të angazhohemi të mbrojmë kufijtë e jashtëm,  që të kemi stabilitet ekonomik, makrofinanciar dhe të mos kemi evazion fiskal dhe të ruajmë rendin dhe sigurinë e shteteve që përqafojmë.  Këtë nismë e kemi kërkuar në të gjithë rajonin, dhe në të ardhmen e kemi planifikuar që të jetë një lloj liberalizimi i lëvizjes sëkirë në të gjithë rajonin” 

Shengeni ballkanik, a është konsultuar Tirana me Prishtinën?

Këto konsultime kanë nisur që në mbledhjen e fundit mes dy shteteve, dhe si projekt ka dalë nga ajo mbledhje, por ne gjithsesi duhet të përgatitemi për BE dhe integrimin në BE. Në BE kufijtë nuk ekzistojnë. Duhet të përgatisim dhe të trajnojmë dhe ekipet tona që të në tardhmen të jenë të përgatitur për integrimin në BE. 

o.j/dita

Hyjnë sot në qarkullim kartëmonedhat e reja 200 dhe 5000 lekëshe

Posted: 30 Sep 2019 01:59 AM PDT

Sot del në qarkullim seria e re e kartëmonedhave 200 dhe 5000 Lekë, ndërkohë që edhe monedhat e vjetra do të vijojnë të mbeten në qarkullim për tu tërhequr nga Banka e Shqipërisë gradualisht kur janë të dëmtuara dhe të papërdorshme.

Banka e Shqipërisë njofton prerjet e reja të kartëmonedhave janë pjesë e serisë, 500, 1000, 2000 lekë. Kartëmonedhat kanë një prerje të ndryshme, ndërkohë që figurat historike të vendosura në to janë të njejtat.

o.j/dita

Ndihmat për tërmetin, Meta falenderon ministrin kosovar

Posted: 30 Sep 2019 01:50 AM PDT

Presidenti Ilir Meta është takuar sot me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Ekrem Mustafa. Meta i ka shprehur Mustafës mirënjohjen për ndihmën që Qeveria kosovare i ka dhënë Shqipërisë për të tejkaluar pasojat e tërmetit.

"I lumtur t'i shprehja sot ministrit të Brendshëm të Kosovës, z.Ekrem Mustafa, mirënjohjen për bashkëpunimin dhe ndihmën e qeverisë së Kosovës, për tejkalimin e pasojave të tërmetit. Shqipëria dhe Kosova çdo herë të parat në krah të njëra-tjetrës", shkruan Meta në faqen e tij zyrtare në Facebook.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more