Skip to main content

“Jeta është kaq e shkurtër, gjynah ta harxhosh shpirtplasur!” plus 9 more - Gazeta Dita

“Jeta është kaq e shkurtër, gjynah ta harxhosh shpirtplasur!” plus 9 more - Gazeta Dita


Jeta është kaq e shkurtër, gjynah ta harxhosh shpirtplasur!

Posted: 28 Feb 2019 02:27 AM PST

Entela Resuli

Aneta Xhiku është nga Saranda. Si shumë shqiptarë edhe ajo ka jetuar emigrimin.

Aneta, pas 20 vitesh në Amerikë vendosi të kthehej në Shqipëri. Disa nga arsyet i shpjegoi në një status të disa ditëve më parë në profilin e saj në Facebook. Një status që shkaktoi shumë reagime dhe që lexuesit i ndau në dy pjesë.

Disa janë pro e disa kundër emigrimit. Në fakt jo se e duan këtë gjë, por e shohin të pashpresë gjendjen dhe të ardhmen e vendit.

Ne vendosëm të bisedonim me pak më shumë me Anetën, duke dashur të mësojmë me tepër rreth saj, jetës 20-vjeçare si emigrante në Amerikë dhe arsyet e kthimit në Sarandën ku u lind dhe u rrit.

Sot, ajo është shumë e lumtur që zgjohet çdo mëngjes në qytetin e Sarandës. Ka disa arsye që ndoshta për shumëkënd nuk janë një arsye e fort për të qëndruar këtu, por Aneta është e lumtur. Ajo thotë se ku do që të shkosh, toka jote ka tjetër peshë tek ty dhe gjithmonë do ia ndjesh mungesën…

Në kohën kur të shumtë janë ata që duan të largohen nga ku vend dhe shifrat e thonë këtë, po ju sjellim një bisedë me një zonjë që e ka provuar emigrimin dhe është rikthyer, atje ku u nis, sigurisht me shumëçka të fituar gjatë këtij udhëtimi…

-Aneta, një shkrim i juaji, një histori personale në lidhje me emigrimin është shpërndarë shumë në rrjet. Çfarë ndjesie u ka lënë?

Nuk e prisja të merrte këto përmasa, por duket që ka kapur në nerv. Shqipëria po tkurret me shpejtësi të llahtarshme, lotaria amerikane është biseda e ditës. S'dua të kthehem prapë në kurbet, kur këtu të mos bjerë më era Shqipëri.

-Na trego diçka më tepër, si, dhe pse emigruat ju 20 vite më parë?

Nuk kishim ndërmend të iknim, profesionalisht kishim arritur aty ku donim. Rrugën për në Amerikë e kisha të hapur nga gjyshi, trungu familjar kish emigruar krejt aty, por ne kishim vendosur të qëndronim në Tiranë. Në 1996-ën fitova një konkurs për trajnim në Amerikë dhe, me gjithë mundësitë e pafundme në atë vend të bekuar, u ktheva e padyzuar në vendimin që kishim marrë më parë. Erdhi 1997-a dhe na detyroi të shkuleshim nga vendi.

 -Ishte e vështirë?

Duhet të them se kam përjetuar tre mërgime: i pari Sarandë – Tiranë, i dyti Shqipëri – Amerikë dhe i treti Amerikë – Shqipëri. Për mua, padyshim, më i vështiri mbetet i pari. Mbarova për biologji 5-vjeçare më 1987-ën dhe fillova punë në Institutin e Higjienës në Tiranë. U bëmë me fëmijë tamam në kohën kur po ndërroheshin sistemet, shtëpi s'kishim e familjet i kishim larg. Falë një arsimimi solid nga mësuesit e mi (që s'ua harroj kurrë), ia dola mbanë të ndryshoja disa punë, derisa arrita tek UNICEF-i, puna më e bukur që  kam bërë ndonjëherë. 1997-a përmbysi gjithçka.

Për mua personalisht emigrimi në Amerikë ishte më i lehtë – dija gjuhën, kompjuterin, kulturën e punës perëndimore dhe më priste familja mëmë. Pa mbushur dy javë, fillova intervistat e provimet në agjencitë e punësimit. Kapa punën e parë si ndihmëse e shefes së kuadrit në një kompani llambash, që shpejt u pasua me punëra më të mira. Vështirësia qëndronte tek përshtatja e familjes. Nuk e mendoja kurrë që do të kthehesha para pensionit, por im shoq, si krijues, e pati shumë të vështirë. Kur fëmijët nisën jetën e tyre, vendosi të kthehej përfundimisht dhe m'u desh ta ndiqja pas.

Tani vijmë tek emigrimi i tretë, që shpresoj të jetë i fundit. Për fat, i kisha ruajtur lidhjet me Shqipërinë, ku vinim për pushime çdo vit. Isha aktive në komunitetin shqiptar në Amerikë, dhe, nëpërmjet medias sociale ndiqja zhvillimet në Shqipëri e Kosovë. Fejsbuk-u më nxori nga anonimiteti ku emigrimi ta zhyt kokën keqas. Ka 10 vjet që "në hambar mbledh bereqet" nga qindra miq të vjetër e të rinj, që ma latojnë shpirtin përditë. Aty gjeta blogun "Humans of New York," (HONY) ku Brandon Stanton, në New York, intervistonte kalimtarët. Nga Kosova e Shqipëria autobusët niseshin dingaz për në Gjermani, dhe ja, në tokën e premtuar, emigrantët dhe vendasit përballeshin me halle të tjera, por gjithsesi, halle. Kuptova që emigracioni është zgjidhje e përkohshme dhe këtë doja ta ndaja më të gjithë. Nga maji deri në nëntor të 2016-ës përktheva qindra histori të HONY-t, dhe kështu u krijua një ritual: çdo mëngjes, lexuesi priste historinë e radhës, si të pinim kafenë bashkë. Kjo audiencë virtuale më solli shumë oferta pune kur u ktheva në Tiranë, dhe aty nisi kthesa. Ndjeva që kisha përpara shansin e jetës: të mos punoja më për të tjerë por të bëja atë që më donte shpirti. Dhe ku më mirë se në Sarandën time? Rrugët kombëtare janë rregulluar dhe për 4 orë je në Tiranë.

-Çfarë mësuat nga emigrimi, nga Amerika?

Është shumë për ta ndarë në këtë hapësirë, por do përpiqem të përmend disa. Se pari, nëse je i pakënaqur me situatën, lufto ta ndryshosh. Jeta është kaq e shkurtër, gjynah ta harxhosh shpirtplasur! Në Amerikë është mëkat të mos luftosh për atë që do, por duhet të kesh themel të fortë që të konkurrosh në treg. Themelin e ndërton dija, zakonet e mira të punës dhe sjellja. Së dyti, këshilla që dëgjojmë  "rri larg shqiptarëve se të marrin në qafë" është e dëmshme. Njeriu ka nevojë për komunitetin siç ka nevoje për ajrin. Është e pamundur të të kuptojë i huaji siç të kupton ai që flet gjuhën tënde, siç të ndjen ai që përditë e ka kokën në darë. Mos e ndrydh hallin brenda, rrethoje veten me njerëz të mirë, fol me dikë që i beson – shprehja "mos të na marrë vesh bota" mund të të kushtojë shtrenjtë. Mendoj që fati më i madh në emigrim është të gjesh shqiptarë që ndajnë vlerat e tua, pale kur ke një mik që e ke njohur qysh në vendin tënd! Të gjithë kemi zhgënjime nga bashkëkombësit, por unë kam gjetur në komunitet shqiptarë të zotë dhe me shpirt të bukur, që më kanë ndihmuar të dal në breg dhe më kanë bërë njeri më të mirë. Së treti, mbajtja gjallë e një pasioni të vërtetë. Shumica e njerëzve (përfshi dhe mua), punojnë në profesione që i nuk i kanë zgjedhur vetë, por u kanë rënë në hise. Një ditë përgjegjësia për fëmijët mbaron (meraku s'mbaron kurrë), dhe vjen koha që të jetojmë për vete. Kur të na ketë xhepi, s'do na mbajnë këmbët. Një pasion i kultivuar në vite mund të sigurojë një karrierë të dytë, që jo vetëm të jep liri të kthehesh në vendin tënd, por edhe ta fitosh lekun me diçka që ta do zemra. Kjo vlen për të paktët që guxojnë – e thënë troç, do pak "çmenduri."

-Me çfarë u morët në Amerikë?

Puna e parë tek kompania e llambave zgjati 3 muaj. Gjeta pak orë në një firmë emigracioni, ku punova rreth 4 muaj. Ekuivalentova diplomat në sistemin amerikan dhe fillova punë si mësuese zëvendësuese në 17 shkollat publike të Clifton (New Jersey). Njëkohësisht, gjeta punë tek një firmë ligjore që merrej me të drejtat e pronësisë intelektuale. Aplikova për mësuese në një gjimnaz vajzash dhe fitova punën e parë të plotë: jepja biologji në vit të dytë dhe anatomi në vit të katërt, puna më e vështirë e jetës sime. Sa mbaroi shkolla, futa në xhep kontratën për në shtator, dhe zura të kërkoj punë tjetër. Rastësisht udhëtova në Washington D.C. qe më pëlqeu shume, sepse më kujtoi Evropën. Nga një agjenci në tjetrën, brenda tre javësh fitova punën e parë në D.C., në një firmë ligjore. Në 18 vitet që pasuan, punova në disa firma të tilla, duke bërë 3 orë rrugë çdo ditë. U përfshiva në komunitetin shqiptar ku, bashkë me aktivistë të tjerë, hapëm shkollën e parë shqipe "Mësonjëtorja" në D.C., të cilën e drejtova për 3 vjet. Ndërkaq, organizoja festat e komunitetit, përktheja, redaktoja libra, u mësoja shqip studentëve dhe profesionistëve të rinj, shoqëroja delegacionet e ndryshme nga Kosova e Shqipëria etj. Puna e fundit tek Kilpatrick & Townsend, ku menaxhova departamentin e Pronësisë Intelektuale dhe atë të Energjisë, zgjati 9 vjet. Më në fund ia dola që nëpërmjet përfshirjes në klubin e bamirësisë "Impact," të kombinoja punën me pasionin.

-Ju merrte malli për Shqipërinë, për çfarë?

Shumë, sidomos në fillim. Më mungonte shoqëria, gjuha, jeta e rrugës, peizazhi, aromat e vendit tim, por mbi të gjitha, deti.

– Ata që emigrojnë, shpesh, emigrimi iu ka ndryshuar jetën. Me ju si ka ndodhur?

S'ka si të ndodhë ndryshe. Amerika për familjen time ka qenë një shpëtim, na hapi dyert kur nuk mundi të na mbante vendi ynë. Mendoj se është i vetmi vend në botë ku emigranti trajtohet si i barabartë me vendasit. Personalisht më dha shumë mundësi pune dhe eksperiencash; hodhëm themelin ekonomik që na lejon të marrim kthesa të forta në jetë, por mbi të gjitha, u ndryshoi jetën vajzave. Amerika u respektoi rrënjët dhe u dha mundësi të bëheshin të zonjat në profesione që janë pasioni i tyre.

-Si ndryshon njeriu në emigracion, na tregoni diçka më tepër për këtë metamorfozë?

Mendoj që emigranti në përgjithësi është i kontraktuar, ndihet sikur një pjesë të peshës së vet e ka lënë diku gjetkë. Shumë i ndjeshëm ndaj aprovimit të të tjerëve, gërric veten "mos e thashë gabim?" dhe nuk i pëlqen vetja hiç. Ankthi se si do paguhen faturat nëse humbet punën dhe tjetrën nuk e gjen në kohë, kur një problem me shëndetin mund të ta nxjerrë familjen në rrugë në një vend me klimë të ashpër ku secili sheh hallin e vet, ia nguros tiparet. Unë emigrimin më të rëndë e përjetova në rini, në vendin tim, e barra e jetës ma theu kurrizin, por mbaj mend që qeshja, qeshja aq shumë…

Emigrantët që arrijnë të bëjnë shkollë, që transferohen me punë nga Shqipëria, që kanë fatin e madh të punojnë në ambient shqiptarësh apo në organizata me kolegë emigrantë, janë shumë më të çlirët. Shqiptari jashtë vendit të tij është sederli: punon fort, fiton para, lëviz me zhdërvjelltësi në tregun e punës dhe pronës. Shumë shqiptarë kanë arritur ëndrrën amerikane me shpejtësi spektakolare duke fituar respekt të thellë dhe ngjallur kuriozitetin e simpatinë e vendasve.

Emigrimi e bën njeriun më tolerant, më të hapur ndaj kulturave të tjera dhe atyre që janë ndryshe. Fëmijët, pa dyshim, janë faktori kryesor në këtë ndryshim. Toleranca të del për mbarë kur kthehesh në vendin tënd sepse je i prirur t'ia kuptosh hallin tjetrit. Por toleranca nuk pi ujë kur shkon në një zyrë dhe arroganca e atij që të ka në dorë të përplaset në fytyrë – andej nga ke ardhur je mësuar të të japin atë që të takon, bile me buzëqeshje dhe "thank you."

-A kanë të bëjnë këto ndryshime edhe me temperamentin tonë si popull?

Mendoj se po – ne shqiptarët jemi impulsivë, dhe ndryshimet janë të dukshme. Në kultura të tjera, ku mbizotëron vetëpërmbajtja, presioni përballohet fort, si arra nen lëvozhgë. Sikleti shqiptarit i lexohet në fytyre, shtirja bie erë një orë larg, po, në të njëjtën kohë, gëzimi i sinqertë, bujaria dhe shpirti i sakrificës i tërheqin vendasit si me magnet dhe emigranti shqiptar bën miq përjetë.

-Të shumtë ishin ata që thoshin për ju se jeni kthyer pasi keni bërë disa para… ndërsa ata që jetojnë këtu mezi ia dalin… si do u përgjigjeshit?

Shkrimi im s'u drejtohet njerëzve që hyjnë në xhepin e tjetrit, këta njerëz s'kanë për të më kuptuar kurrë. Për lexuesin po e përsëris: s'kisha ndërmend të kthehesha, erdha se më zuri halli. Kjo s'do të thotë që s'kemi bërë prokopi në Amerikë, vazhdojmë të punojmë në Shqipëri dhe ia dalim të përballojmë një jetë modeste, pa makina, por me shumë, shumë njerëz. Shqiptarët e Amerikës e dinë mirë, që nëse do të vazhdoja punën aty, do të fitoja shumë para në pozicionin profesional që kisha, e pensioni do më dilte rreth 30% më i lartë se ç'do më dalë kur të arrij moshën, pas 12 vjetësh.

Nuk e kuptoj ç'lidhje ka kthimi im me njerëzit që jetojnë këtu e mezi ia dalin, por mund të them se këtu ka mundësira pune pafund. Problemi është se njerëzit nuk i shohin, apo zgjedhin të mos i shohin. Klasa politike e të gjitha ngjyrave (pa përjashtim) dhe media që i shërben, bëjnë çmos që njerëzit të shohin vetëm të keqen këtu – misioni i tyre është t'i shkulin shqiptarët nga trojet amë, që të sundojnë pa u hyrë gjemb në këmbë.

Lind pyetja se si emigranti i kthyer mund t'ia dalë që, jo vetëm të mbijetojë në Shqipërinë e sotme, por edhe të jetë i lumtur. Mendoj që çelësi është të mos konkurrosh në tregun lokal të punës: ose të bësh një gjë që nuk e bëjnë të tjerët, ose të hysh në tregun global. Emigrantët që kanë i mbyllur detyrimet familjare mund ta realizojnë kapitullin e fundit të karrierës së tyre në Shqipëri, duke nxjerrë të ardhura që u mundëson vizitat e shpeshta tek fëmijët që i kanë lënë pas. Të rinjtë shqiptarë që zotërojnë kompjuterin dhe gjuhët e huaja, mund të punojnë në internet, ashtu siç punojnë të huajt që jetojnë në Shqipëri. Në Sarandë ka mijëra apartamente që rrinë mbyllur se të zotët i kanë në mërgim – me mirëbesim, apartamentet mund të vihen në punë gjatë gjithë vitit, se të huajt po e kuptojnë që Saranda është më e mirë në dimër se sa në behar. Pale pastaj shërbimet për të huajt: kush më mirë se nikoqiret tona gatuan, pastron, bën punëdore, mbjell bahçet, përgatit zahiretë, kujdeset për të sëmurin, pret e përcjell? S'do shumë që, megjithë masakrën e betonit, Saranda të dalë nga ngërçi: me gjelbërim, pastërti, lyerje – sa e vështirë është kjo? E vështirë është të gjejmë kurajën të bëhemi bashkë e t'u kërkojmë llogari atyre që kemi zgjedhur në krye, por ju siguroj që emigrimi është shumë, shumë më i vështirë…

-Me çfarë po merreni aktualisht?

Me ustallarët. Po riparoj shtëpinë prindërore që kish zënë të kalbej në themel. Një pjesë të ditës e kaloj me sarandjotët e mi që i ndihmoj dhe më ndihmojnë. Ndërkaq qyteti po popullohet me të huaj që lënë pas vendet e tyre dhe zgjedhin Sarandën për pension apo biznes. I ndihmoj për t'ua bërë me të lehtë tranzicionin dhe për t'i lidhur me njerëzit e duhur për bizneset që hapin. Udhëtoj shumë- ditët nuk më mjaftojnë për të shijuar vendin tim, ndërkaq që vazhdoj të shkruaj dhe të përkthej.

-Në ditët e para të kthimit, kishit dyshime nëse bëtë mirë apo keq që erdhët në Shqipëri?

Patjetër që kisha, por të gjitha avulluan kur mbërrita në Sarandë – qyteti im i  dashur më priti krahëhapur, më mban në pëllëmbë të dorës, e më bën të ndjehem kaq mirë!

-Cila ka qenë dilema më e madhe që ke patur në emigracion?

Dilema e vetme ishte nëse duhej të filloja biznesin tim apo të punoja për të tjerët. Kjo më shoqëroi që kur vura këmbën për herë të parë në Amerikë e deri sa u largova. Doli që dilemën ma zgjidhi vendi im. Siç shkruan profesori i dashur i sarandjotëve, Niko Muco: në ADN-në e çdo emigranti është e "programuar" "thirrja e Itakës", por jo kushdo është Odise që arrin të mposhtë Circet…apo ku dihet, ndoshta.

Eurodeputetët, të lodhur nga politika shqiptare: Zgjidhini vetë problemet

Posted: 28 Feb 2019 02:03 AM PST

A do të negociojnë ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri?! Knut Fleckenstein thotë se është koha që politika t’i zgjidhë vetë problemet.

Mendoj që ka ardhur koha që ky vend t’i zgjidhë vet ë problemet e veta.

Sot jemi 30 vite nga rënia e regjimit. Nëse palët do kërkonin ndihmë ne do i mbështesim por problemi mund të zgjidhet vetëm brenda vendit.

Sa i takon ndërmjetësimit ju keni shumë ndërmjetësim ndërsa tani është problem i brendshëm i juaj. Ne e dimë se 90% të shqiptarëve duan të futen në BE dhe ky është një mesazh për liderët politikë që të diskutojnë me njëri tjetrin”, tha raportuesi për Shqipërinë në PE, gjatë konferencës përmbyllëse të delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë.

o.j/dita

Fleckenstein: U zhgënjeva nga kryetarja e LSI-së, Parlamenti do vijojë punën

Posted: 28 Feb 2019 01:48 AM PST

Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein reagoi mjaft ashpër ndaj vendimit të opozitës për djegien e mandateve.

Ai theksoi se parlamenti do të vijojë rrugëtimin e tij, edhe me anëtarë të ri. Fleckenstein u bëri thirrje deputetëve të shkojnë në punë dhe të bëjë detyrën e tyre.

“Ne të gjithë mbajmë në mendje 19 qershorin, pra vendimin që do merret për negociatat. Procesi i reformave është duke vazhduar dhe KE këtë ka kërkuar që të ketë vendim pozitiv. Ne i bëjmë thirrje KE që të përqendrohet në këto fakte dhe që të hapet drita jeshile për negociatat.

Ky parlament mund të vazhdojë rrugëtimin dhe me anëtarë të rinj të parlamentit. Së dyti, ndoshta disa e mbajnë mend kur unë kam thënë në fillim me Kukan, ka qenë një bojkot nga opozita dhe asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë.

Më vjen keq sepse djegia e mandateve nuk është mënyrë për të zgjidhur problemet.

Dje patëm disa shkëmbime të mira me disa ndoshta ish deputetë. Së pari me Bashën. Ne e bëmë të qartë se i kuptojmë nga njëra anë argumentet e tij, por edhe nëse opozita të ketë të drejtë me akuzat, bojkotimi nuk zgjedh problemet.

U çudita dhe u zhgënjeva nga kryetarja e LSI sepse ajo tha vetëm një fjali në fund të takimit se ata e kanë marrë vendimin e tyre, që në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti dhe nëse europianët nuk e kuptojnë këtë gjë ky është problemi i tyre.

Besoj se ata në Bruksel që marrin vendime dhe ata që janë në Shqipëri duhet të kuptojnë se në cilën anë gjendet secili prej nesh", tha Knut Fleckenstein.

o.j/dita

Kreu i delegacionit të PE: Po pengohet integrimi për interesa partiake

Posted: 28 Feb 2019 01:37 AM PST

Shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë, Tunne Kelam thotë se është i interesuar që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat, dhe shpreson në këtë. Por ai bën një apel për bashkëpunim të brendshëm mes palëve politike, duke e konsideruar jetike.

“Zgjedhjet janë të njohura, janë pranuar, dhe duhet aderuar në institucione. Bojkotimi i Kuvendit, në vetvete përbën një sinjal shumë të keqe, cënon besueshmërinë e kombit dhe të shtetit. Ne nuk jemi dakord që bojkotimi i Kuvendit do të ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Nuk mund të gjesh dot një arsye, një pretendim për të penguar anëtarësimin, nga interesa partiake”.

Për protestat Kelam tha se është absolutisht kundër dhunës, si një mënyrë jo demokratike për zgjidhjen e problemeve, e po ashtu kundër nxitësve politikë të dhunës.

“Shoqëria duhet të ushtrojë presion në mënyrë që ata të bashkohen me njëri-tjetrin”, theksoi ai.

o.j/dita

Konviktet e transformuara të Inxhinierisë, Rama e Veliaj publikojnë pamjet

Posted: 28 Feb 2019 01:31 AM PST

Mëngjesi i së enjtes i ka gjetur në një mendje kreun e qeverisë, Edi Rama, si dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Që të dy ata e kanë nisur ditën me publikimin e së njëjtës videoje, atë që paraqet pamjet e godinave të reja të konvikteve të Fakultetit të Inxhinierisë, që kanë pësuar një ndryshim rrënjësor.

"Mirëmëngjes, e me këto pamje nga godinat e reja dhe tërësisht të transformuara të konviktit të Fakultetit të Inxhinierisë ju uroj një ditë të mbarë", shkruan Rama.

Kryebashkiaku Veliaj, ndërkohë, ka premtuar se transformimi do të prekë edhe godinat e tjera, sikurse u përfundua me sukses edhe ky projekt i rëndësishëm.

"Punë 24/7 që shumë shpejt të mbyllet rikonstruksioni i plotë aty. Vijojmë me të njëjtin ritëm pune & për rehabilitimin e konvikteve në 'Qytetin Studenti' dhe ato të Mjekësisë. Bashkë Qeveria-Bashkia Tiranë në Paktin Për Universitetin", shkruan Veliaj.

Rregullimi i ambienteve të konvikteve ishte një prej kërkesave të studentëve, ndërsa Qeveria dhe Bashkia e Tiranës u angazhuan maksimalisht për ta realizuar atë në një kohë rekord.

o.j/dita

Dialog me Dritëroin në përcjelljen e Sadijes

Posted: 28 Feb 2019 01:16 AM PST

Namik Dokle

Dje u përcoll për në banesën e fundit Sadije Agolli, e rrethuar me nderim nga të afërmit e saj më të shtrenjtë, por edhe nga shumë miq të familjes, intelektualë dhe politikanë. Ajo do të prehet pranë bashkëshortit të saj, Dritëroit të shquar në varrezat e Tufinës. Në ceremoninë mortore fjalën e rastit e mbajti ish-kryetari i Kuvendit, një nga miqtë e hershëm të Dritëroit, shkrimtari Namik Dokle, fjalën e të cilit po e botojmë të plotë në vijim.

Dritëro i dashur!

Erdhëm përsëri pranë teje. Por kësaj radhe me një dhimbje dhe trishtim të dyfishtë: të kemi sjellë Sadijen tënde të dashur, Sadijen tonë të shtrenjtë.

"Të dua si jetën time, – i pate shkruar pesë vjet më parë, – madje edhe më shumë; unë dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë dhe anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia".

Por ah!… Flutura jote, i dashur Dritëro,nuk e duroi dot dimrin e ftohtë, nuk mundi të fluturojë larg pa ty, e humbi udhën në terrin e acartë të vdekjes dhe ti, bashkime të ndjeve cegmë dhe trishtim, ndaj e thirre Sadijen dhe ajo erdhi pranë teje…

E thirre shpejt, Dritëro! Por ne nuk zemërohemi me ty. Ne kurrë nuk mund të zemërohemi me ty, sepse ti e deshe Sadijen si rrallëkush tjetër, në botën e këtejme dhe të përtejme…

"Prej teje asgjë s'më ka ndarë.

Kam bredhur dete dhe vende

Dhe çfarë s'kam parë!

Në dhoma hotelesh në botë

Jastëkët më sillnin veç erën tënde…

Në rrugë qytetesh me miliona shkëndija

Shikojadhe thosha me vete:

Sadija…"

Ajo ishte dhe simbol. Ajo ngaherë ka qenë bukuria drejt së cilës vrapoje ti; burri, bashkëshorti, poeti… Vrapoje drejtë së bukurës, lozonjares, tokësores Grua!

Poezia vjen nga gurgullimat e ujërave të tokës dhe të qeshurat e njerëzve,nga përskuqja e qiejve dhe hambarët e vjeshtës, nga cikma dimrit dhe nga ngricat e ndarjeve, nga isua e këngëve dhe nga hareja e dasmave. Dhe në çdo fjalë e në çdo shkronjë, fshihet dhe shfaqet mes vargjeve ajo, e dashura, gruaja, nëna e fëmijëve. Kjo grua ishte me ty si një pjergull e përqafuar me një lis; ishit të fortë e të brishtë, për pesëdhjetë vjet, për një përjetësi galaktikash!

Ashtu siç shkrove ti, i dashur Dritëro, Sadija ishte një grua e bekuar…

E bekuar në vatrën familjare ku lindi dhe u rrit, e bekuar nga dashuria jote, e bekuar me fëmijët tuaj të mirë, e bekuar me përkëdhelitë gjyshnore për fëmijët e fëmijve, e bekuar nga poezia jote e mrekullueshme.

Ju i dhatë njëri-tjetrit jetë, shqetësime dhe gëzime, vuajtje dhe dashuri, përpjekje, rëndime dhe lehtësime, psherëtima dhe lotë, por edhe të qeshura me shpirt, me zë të lartë e të çlirët, ndarje dhe afrime njësh, i dhatë njëri-tjetrit çdo gjë. "Unë pata privilegjin, – thoshte Sadija, – që u rrita qysh në moshën 22-vjeçare me Dritëroin, që u maturova, u poqa, u mplaka së bashku me Atë. Pata fatin e madhqë atij ia pasurova muzën përtë shkruar aq shumë për dashurinë…"

Pa Sadijen, Dritëroi do të ndjehej i paplotësuar, i vetmuar, i dëshpëruar. ..

"Kam qenë shumë i dëshpëruar dhe kam patur shumë nevojë për ty. Krejt i vetmuar kam qenë", i shkroi ai në një letër. I dridhej shpirti për të, i gërricte mushkëritë çdo teshtimë a kollitje e saj… "Merak të madh kam patur: u shërua kjo e bekuara apo jo?"

Që në ditët e para të dashurisë, ai shkroi: "E dashur, ky udhëtim do të jetë shumë i gjatë… Po ty gjithnjë do të kem me vete…" Profecia dhe dashuria u bënë një. Sadija ishte bashkudhëtare e palodhur dhe bashkëbiseduesja e përkushtuar e Dritëroit. Dhe nuk ishte bashkëbiseduese vetëm si e dashura dhe gruaja e shkrimtarit, por edhe një njohëse e mirë e letërsisë së madhe, si lexuese me shije, që hera-herës na shfaqej edhe me libra të ndaluar në duar dhe ca më shumë si nxitëse për krijimtari, si lexuesja dhe kritikja e parë. Njëherësh ajo ishte e dashuruara e përjetshme, pasiononte në një ndjenjë që u ka dhënë përjetimeve të saj të gjitha ngjyrat e shpërthimeve emocionale.

Ne adhurojmë Dritëroin, por do të mbetemi përjetësisht mirënjohës për Sadijen, sepse pa të nuk do të ishte e plotë  gjithçka që Dritëroi na la…

"Në çast më pushton një ndjenjë

Fajësie dhe malli,

Para saj i vetëm, para saj i pagjumë,

Dhe mbulohet me rrudha të dendura balli

Dhe them me vete: grua e dashur,

Të kam lodhur shumë…"

Por Sadija kurrë nuk u lodh! Ajo i kushtoi jetën Dritëroit dhe ai kushtoi poezinë. Ishin një simbiozë e mrekullueshme, e papërsëritshme, frymëzuese. Në sajen tënde, e dashur Sadije, Dritëtroi merrte frymë, hante bukë në sofër, nuk i thahej nga bryma lulja e krijimit poetik; në sajen tënde ngjiste rrëpirat e jetës, i shëroheshin të gërvishturat dhe plagët, ti kurrë nuk lejove që dëshpërimi i thellë t'i hynte ndër deje e t'i helmonte gjakun.

Eka thënë aq bukur edhe vetë"

Pa ty do të vdisja në zall nga etja…

Dhe të deshi gjithnjë, ashtu si ditën e parë dhe të fundit!

"Akoma truri s'më ka zënë,

Në rrudhat myshk e ndryshk,

Shoh nga dritarja kur ka hënë,

I them Sadijes: mos u vyshk!

Sadija s'vyshket asnjëherë,

As sot, as nesër dhe pastaj,

Unë i heshtur pres në derë,

Përgjunjur para saj…"

Na lejo edhe ne, i dashur Dritëro, përgjunjemi përpara kësaj gruaje të madhe, përpara simbolit bashkëshortor, përpara kësaj nëne të mrekullueshme, gjysheje të dhembshur, bashkudhëtareje të paepur në rrugët e trazuara të poetit. Me siguri, ti tani i pëshpërit Sadijes së dashur:

"Kam ikur shpesh në rrugë të gjata,

në fusha e shpate,

Të kam lënë fëmijë e shqetësime

Mbi shpinë,

Të kam lënë pazarin, radhën e netët fillikate,

Të kam lënë mbi shpatulla gjithë shtëpinë.

Fli e vuajtura ime!"

Të qoftë dheu i lehtë, Sadije!

Kriteret për fituesit në 6 fakultetet e Universitetit të Tiranës

Posted: 28 Feb 2019 12:55 AM PST

E ndërsa maturantët kanë nisur me përgatitjet dhe konsultimet për provimet e detyruara dhe atë me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019, edhe universitetet publike po detajojnë kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen fituesit e vitit të ri akademik.

Universiteti i Tiranës, programet e të cilit janë ndër më të kërkuarat nga maturantët ka aprovuar tashmë kriteret e reja të përzgjedhjes së fituesve që do të vijojnë për herë të parë studimet në një nga degët e 6 fakulteteve që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Ndryshe nga një vit më parë, disa prej fakulteteve kanë rishikuar kriteret e pranimit, duke rikthyer testimet, si dhe vlerësimin e shkollave të mesme me koeficientet përkatës. Konkretisht, krahas rezultateve të provimeve të maturës, apo mesatares së shkollës së mesme, maturantët që duan të vijojnë studimet në degën e gjuhës angleze do t'i nënshtrohen edhe testimit mbi nivelin e njohjes së gjuhës. Sipas manualit informues të zbardhur nga Universiteti i Tiranës, për programin e gjuhës angleze bëhet e ditur se: "Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore për qind vlerësohen me 60 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj që do pranohen në Bachelor". Ndërsa në konkursi i pranimit për testimin e njohurive gjuhësore 40 për qind. Për degët e tjera të Fakultetit të Gjuhëve të huaja përzgjedhja bazohet tek mesatarja e shkollës së mesme.

Sa i takon pranimeve të reja në Fakultetin e Drejtësisë është vendosur që përzgjedhja të bazohet në tre kritere, që janë nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme, e cila vlerësohet me 40 për qind të ndikimit, nota mesatare e të gjithë provimeve të maturës shtetërore me 20 për qind të ndikimit, si dhe mesatarja e lëndëve formuese me 40 për qind të ndikimit. Ndryshimet prekin edhe programet e studimit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale, etj.

Kriteret e detajuara për secilin program studimi i gjeni të plota në vijim të shkrimit. Gjatë javëve në vijim drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë do të zbardhin edhe kuotat e mundshme të pranimit për programet e studimit që ofrojnë. Në këto kushte, maturantët do ta kenë më të lehtë që të orientohen në zgjedhjen e degëve ku kanë më shumë shanse për të qenë fitues.

Provimet e Maturës Shtetërore 2019

Provimet e maturës së këtij viti nisin në datën 7 qershor me testimin e parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës. Provimet e detyruara do të vijojnë më tej me lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë përkatësisht në datën 12 qershor, për të përfunduar në datën 17 qershor me testin e lëndës së matematikës. Ndërsa prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët është provimi me zgjedhje I cili do të zhvillohet në datën 24 qershor.

Skema e vlerësimit

Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën e ardhshme është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim.

Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Institucionet arsimore vendore që janë përgjegjëse për arsimin parauniversitar do të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor dhe brenda datës 5 qershor duhet që t'i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik "matura online", sipas udhëzimit përkatës. Më pas drejtoritë e shkollave duhet të informojnë mbetësit që të mos paraqiten në ditët e përcaktuara për zhvillimin e provimeve.

Gjithashtu, është vendosur edhe për grafikun e konsultimeve që mësuesit e secilës lëndë duhet të zhvillojuni me nxënësit e tyre.Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi kur: "Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.

Pikët që duhen për të kaluar

Edhe për provimet e 2019-s, mbetet në fuqi rregulli për pragun kalues. Në këto kushte, për të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi.

Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të maturës sërish do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. "Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marre rezultate jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundi", detajohet në rregulloren e provimeve.

KRITERET E PRANIMIT NË FAKULTETIN E SHKENCAVE TË NATYRËS

Programi i studimit Biologji

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 70 për qind të vlerësimit

Nota e Biologjisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) përbën 20 për qind të vlerësimit.

Nota e Kimisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) përbën 10 për qind të vlerësimit.

Programi i studimit Bioteknologji

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 70 për qind të vlerësimit

Nota e Biologjisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) përbën 20 për qind të vlerësimit.

Nota e Kimisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) përbën 10 për qind të vlerësimit.

Programet e studimit Kimi, Kimi Industriale dhe Mjedisore, Kimi dhe Teknologji Ushqimore

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Kimisë (kurrikul bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Biologjisë (kurrikul bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota e Kimisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 10 për qind të vlerësimit.

Nota e Fizikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 10 për qind të vlerësimit.

Programi i studimit Matematikë

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 30 për qind të vlerësimit.

Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 20 për qind të vlerësimit.

Programi i studimit Fizikë

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50 për qind të vlerësimit

Nota mesatare e Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Kimisë (kurrikul bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota e Fizikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 10 për qind të vlerësimit.

Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 10 për qind të vlerësimit.

Programi i studimit Informatikë

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 15 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 5 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e TIK (kurrikul bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 20 për qind të vlerësimit.

Programi i studimit Inxhinieri Matematike dhe Informatike

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50për qind  të vlerësimit.

Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 30 për qind të vlerësimit.

Nota e provimit të Matematikës në Maturë Shtetërore 10 për qind të vlerësimit.

Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje viti III) 10 për qind të vlerësimit.

Programi i studimit Teknologji Informacioni dhe Komunikimi

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50% të vlerësimit

Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 15 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 5 për qind të vlerësimit.

Nota mesatare e TIK (kurrikula bërthamë viti I+II) 10 për qind të vlerësimit.

Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje viti III) 20 për qind të vlerësimit.

KRITERET E PRANIMIT NË FAKULTETIN E EKONOMISË

Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë) përbën 50 për qind të vlerësimit

Nota mesatare e gruplëndëve (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) përbën 50 për qind të vlerësimit: Matematikë 15 për qind, Ekonomi 15 për qind, Fizikë 10 për qind, si dhe Gjuhë e huaj 10 për qind

KRITERET E PRANIMIT NË FAKULTETIN HISTORI-FILOLOGJI

Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës mesme vlerësohet 80 për qind.

Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e provimeve të Maturës Shtetërore vlerësohet 20 për qind.

KRITERET E PRANIMIT NË FAKULTETIN E DREJTËSISË

Nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme 40 për qind.

Nota mesatare e të gjithë provimeve të maturës shtetërore 20 për qind.

Lëndët formuese:

-Gjuhë Shqipe (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit MSH) 10 për qind.

-Gjuhë e huaj, e parë (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit MSH) 10 për qind.

-Letërsi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit MSH) 5 për qind.

-Qytetari (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e MSH nëse e ka dhënë) 5 për qind.

-Histori (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e MSH nëse e ka dhënë) 5 për qind.

-Ekonomi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e MSH nëse e ka dhënë) 5 për qind.

Koeficienti i shkollës së mesme:

• Të gjitha shkollat e mesme gjimnaze (përjashtuar gjimnazin me kohë të shkurtuar) e kanë koeficientin 1.2.

• Të gjitha shkollat e mesme me karakter profesional e kanë koeficientin 1.0.

KRITERET E PRANIMIT NË FAKULTETIN E GJUHËVE TË HUAJA

Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore përbën 100 për qind, për programet e studimit:

-Gjuhë frënge

-Gjuhë italiane

-Gjuhë gjermane

-Gjuhë spanjolle

-Gjuhë turke

-Gjuhë greke

-Gjuhë ruse

Për programin e studimit Gjuhë angleze:

Zotërimi i gjuhës angleze në nivelin B2, në përputhje me kurrikulën bërthamë, gjuhë e huaj e parë, Shkalla VI, Klasa XII, bazuar në vlerësimet përkatëse me notë në vitin XII.

Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore për qind vlerësohen me 60 për qind.

Konkursi i pranimit për testimin e njohurive gjuhësore 40 për qind.

KRITERET E PRANIMIT NË FAKULTETIN E SHKENCAVE SOCIALE

Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme vlerësohet me 40 për qind.

Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës vlerësohet me 30 për qind. Për maturantët që japin provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi dhe Sociologji aplikohet koeficienti 1.2. Ndërsa për maturantët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje aplikohet koeficienti 1.

Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale përbën 30 për qind të vlerësimit. Konkretisht në këtë grup lëndë përfshihen Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11), si dhe Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12).

– Për maturantët që kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2

-Maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale (kurrikul bërthamë, Qytetari dhe Filozofi, klasa 10 e 11).

Koeficienti i shkollës së mesme

Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4

Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2

Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1

KRITERET E PRANIMIT PËR FILIALIN SARANDË

Kriteret e pranimit për të dy programet e studimit të Filialit Sarandë do të jenë të njëjtat me kriteret që do të kenë Fakultetet bazë:

•             Fakulteti i Ekonomisë programi Administrim Biznesi

•             Fakulteti i Gjuhëve të Huaja programi Gjuhë Angleze

 

Fleckenstein: Po humbas durimin me opozitën, negocioni për integrimin

Posted: 28 Feb 2019 12:34 AM PST

Delegacioni i Parlamentit Evropian ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit Granoz Ruçi, ku në qendër të takimit ka qenë kriza politike dhe reformat për ecurinë e Shqipërisë drejt BE.

Në përfundim të takimit, zyra e shtypit të Kuvendit ka shpërndarë njoftimin, me disa prej deklaratave.

PE mbetet mbështetës i madh i anëtarësimit të Shqipërisë. Përpjekjet për të vonuar çeljen e negociatave nuk kanë mbështetjen tonë. Reforma në drejtësi është thelbësore për qeverisjen dhe besimin e qytetarëve. Po ikim me përshtypje pozitive për arritjet tuaja. Negative, ndarja politike dhe mungesa e bashkëpunimit. Është përgjegjësia e të gjithëve ju të bashkëpunoni për interesin kombëtar. Arrini konsensus dhe na dërgoni një sinjal pozitiv për negociatat”,  u shpreh kryesuesi i delegacionit të PE-së, Tunne Kelam.

Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein, tha se “po e humbet durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat të ruajnë qetësinë. Pamjet e protestave vonojnë integrimin. Thirrje Këshillit Europian të vlerësojë arritjet e Shqipërisë.  Zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat”.

“Kam vëzhguar zgjedhjet e 2017 dhe ishin korrekte. Në 5 mars informojmë PE për arritjet tuaja. Ka ende mundësi që opozita të kthehet në Kuvend, pas 10 ditësh do jetë vonë”, tha nga ana tjetër përfaqësuesi i delegacionit të PE-së, Cristian Preda.

Mësohet se kreu i Kuvendit ka deklaruar se Parlamenti është legjitim sepse ka ardhur nga zgjedhje të ndershme.

Parlamenti është legjitim sepse vjen nga zgjedhje të ndershme. Zgjedhjet e 2017 janë çertifikuar 100% nga numëruesit e opozitës“, mësohet të ketë thënë Ruçi.

Sa i takon reformës në drejtësi, kryeparlamentari ka thënë: “Reforma në drejtësi po ecën me sukses, vetingu është jetik për drejtësinë dhe Shqipërinë”.

o.j/dita

Trump dhe Kim ndahen pa marrëveshje

Posted: 28 Feb 2019 12:20 AM PST

Përmbyllet pa marrëveshje konkrete takimi i dytë mes Donald Trumpit dhe Kim Jong-unit në Vietnam.

Në një konferencë për shtyp, presidenti amerikan tha se lideri komunist nuk kishte pranuar atë që ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni kërkon që Peniani të çarmatoset krejtësisht nga arsenali bërthamor.

Por shteti komunist kërkon fillimisht heqjen e sanksioneve të rënda ekonomike, përpara se të hapë dyert për monitoruesit ndërkombëtarë për programin bërthamor.

Megjithatë Trump tha se kishte marrë garanci se nuk do të ketë prova të reja bërthamore.

o.j/dita

Vlorë, nipi vret gjyshin për t’i marrë 1 mln lekë, krimin e raporton si grabitje

Posted: 28 Feb 2019 12:15 AM PST

Një krim i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, ku nipi ka vrarë gjyshin e tij. Ngjarja fillimisht u raportua nga vetë nipi si një grabitje me dhunë, por nga verifikimet rezultoi se i moshuari Vangjel Kapllani 69 vjeç u vra nga nipi.

Mësohet se ka qenë vetë nipi i cili i ka vjedhur 1 mln lekë gjyshit të tij.

Pasi e ka qëlluar me qytën e armës dhe me pas me një plumb në kokë, nipi e ka çuar në spital gjyshin, duke deklaruar se e kanë grabitur.

Pas ngjarjes, adoleshenti u mor në polici, ku gjatë marrjes në pyetje ai ka ndryshuar disa herë dëshmi dhe pas disa orësh ka pranuar krimin.

69-vjeçari jetonte i vetëm në lagjen “Rilindja” në Vlorë.

Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more