Skip to main content

“U mbyt në rezervuar gjendet pas 24 orë kërkimesh trupi i peshkatarit” plus 9 more Gazeta SHQIP

“U mbyt në rezervuar gjendet pas 24 orë kërkimesh trupi i peshkatarit” plus 9 more Gazeta SHQIP


U mbyt në rezervuar gjendet pas 24 orë kërkimesh trupi i peshkatarit

Posted: 31 Dec 2018 12:20 AM PST

Pas nje nderprerjeje per shkak të kushteve ekstreme ë motit, eshtë gjetur edhe trupi i dytë i pajetë i peshkatarit që u mbyt në rezervuarin e fshatit Bradomirë të Pogradecit. Shtetasit Ramazan Kojtari, u mbyt mbrëmjen e shkuar bashkë me një person tjetër, teksa kishin dalë për peshkim.

Më herët, ëshë gjetur edhe trupi i peshkatarit Arben Pupa, i cili u nxor nga uji i rezervuarit ku gjeti vdekjen, dje pasdite.  Dy viktimat dolën për të peshkuar së bashku në rezervuarin e fshatit. Kojtari dhe Pupa ishin banorë të zonës dhe administronin këtë rezervuar. Sipas dëshmive ata herë pas here dilnin për peshkim pasi hidhnin rasatin e peshkut për shumim.

Dyshohet se pikërisht mbingarkesa në varkë mund të ketë çuar në përmbytjen e saj pasi kishin zënë një sasi të madhe peshku. Gjithsesi këto janë vetëm dyshime, pasi askush nuk e ka parë ngjarjen.

31 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

LETËR PUBLIKE LINDITA NIKOLLËS!

Posted: 30 Dec 2018 11:30 PM PST

ARTAN FUGA

E nderuar zonja Lindita Nikolla,

e ndjeva për detyrë morale që me rastin e largimit tuaj nga posti i ministrit të arsimit, rinisë dhe sporteve t'ju drejtohem me një letër publike. Mund t'ju a kisha dërguar edhe në mënyrë personale, por gjykova se ndofta edhe publiku mund të kishte sadopak kuriozitet, sidomos studentët, për të ditur mendimin tim për këto ngjarjet e fundit dhe pastaj për atë që përbën edhe subjektin e kësaj letre.

Ndjehem i detyruar t'Ju shkruaj sepse sikurse e dini dhe e keni shprehur unë, midis kolegëve të tjerë që ndajmë të njejtat mendime për universitetet dhe arsimimin e rinisë shqiptare, për kulturën në përgjithësi, prej vitesh kam një qendrim kundërshtues parimisht ndaj situatës të arsimimit të rinisë studentore në vendin tonë. Situatë që nuk është as e sotmja, as e viteve që ju keni drejtuar atë dikaster, por që ka akumuluar në vite, në dekada, dhe poqese dikush e dëshiron t'ja them, edhe në të gjithë shekullin e XX për të mos shkuar më përpara.

Unë jam kategorikisht kundër mënyrës si drejtohet me agjenci pa kurrëfarë vlere sistemi arsimor universitar te ne, kam ndjerë absurditetin e menaxhimit të universiteteve me borde krejt të papërgjegjshme për shkak të statusit të tyre, kundër mënyrës si organizohet kërkimi shkencor në universitete dhe si jepen titujt shkencorë me një trafik të paparë moral dhe shkencor për të ardhur keq, jam krejtësisht kritik ndaj gjendjes ku janë katandisur profesorët shqiptarë, i hidhëruar për gjendjen e studentëve që i kemi lënë lakuriq në dije dhe në statusin social përpara dekadave që vijnë, i papajtueshëm me mënyrën sesi funksionojnë departamentet, fakultetet dhe universitetet shqiptare, i trishtuar për modelin e universiteteve publike shqiptare.

Kjo gjendje që më në fund dha një tronditje të fortë, falë studentëve tanë për të cilët them se kanë gjithnjë të drejtë dhe se në kërkesat e tyre kanë qenë modestë deri në madhështi, ajo kërkon një qilizëm të thellë, përndryshe gjithçka mbetet hipokrizi, dhe unë nuk jam gati ta ndaj këtë hipokrizi me askënd.

Por, le ta le këtë çështje.

Problemi është, dhe nuk mund të mos e them, si një kritik që shpesh, ndoshta për muaj e vite me radhë, nuk ju kam kursyer edhe juve, drejtpërdrejt apo tërthorazi, që nuk jeni ju shkaktari i kësaj gjendje.

Sigurisht ju keni përgjegjësinë tuaj, sepse keni qenë në krye të dikasterit të arsimit, mirëpo unë vazhdoj, si edhe miqtë e mi, të kem bindjen e papërkulur deri në fund, i gatshëm ta provoj kurdoherë, që është kuadri ligjor i arsimit të lartë, ligji famëkeq i arsimit të lartë, që ka bllokuar gjithçka dhe po e çon arsimin e lartë, kulturën dhe shkencën shqiptare, arsimimin e rinisë drejt kalbëzimit pasojat e të cilit tashmë shoqëria shqiptare do t'i paguajë për njëqind vjetët e ardhshëm.

Unë e di shumë mirë që ju personalisht nuk keni fajin aq më pak meritën për atë ligj.

Nëse heqja juaj lidhet me meritat për atë ligj, ose fajin për të, atëhere bashkë me heqjen tuaj do të duhej të abrogohej edhe ligji në fjalë, famëkeq dhe zullum-madh.Fakti që ju hiqeni dhe ligji mbetet, tregon se edhe kur ju atribuohet ai ligj,askush nuk e beson!

Dhe më e bukura është se edhe cikloni, pra revolta studentore, oh sa e ligjshme!, nuk u ngrit aspak rreth jush, tregon se mendja e studentëve është më e hapur sesa gjykimet politike. Askush nuk kërkoi dorëheqjen tuaj, aq më shumë që poqese i qendrojmë strikt llogarive, ju nuk keni në atë post as pesë vjetë.

Nuk jam duke thënë se koha për të ndryshuar ministrat nuk kishte ardhur. E di që edhe as ju nuk mendonit se do të ishit e përjetshme aty. Aq më shumë, ja u thotë këtë dikush si unë që prej kohësh besoj e militoj, që jo një ministër, por as një kryeministër, as vetë presidenti i republikës, të mos qendrojë më shumë se një mandat në postin e tij, edhe sikur më i suksesshmi të ishte.

Pushteti i gjatë budallalleps, verbon, shurdhon, dhe për më tepër lë edhe pa miq dhe shokë. Unë i përmbahem parimit që qytetari vjen në një post, kontribuon, ikën në punë të vet. Kur kushtetuta shqiptare e republikës të re, kurdo që të vijë, ta sanksionojë këtë, atëhere elitat shqiptare do të rifreskohen sepse kanë zënë ndryshk.

Unë kam qenë dhe jam pjesë e personelit universitar shqiptar dhe duke qenë qysh pas 15 minutave të para pas daljes të ligjit të arsimit të lartë i deklaruar në mediat televizive si i llahtarisur dhe i tronditur prej tij, di të them se ju kam parë në atë kohë që ju ishit nën presion të disafishtë.

E para, ishin "teoricienët" që hiqeshin se dinin gjithçka si organizohej arsimi i lartë dhe ju imponoheshin edhe si maçistë, por edhe si koka të mëdha duke qenë të papërballueshëm jo vetëm në cinizmin me ju, por edhe në agresivitetin me ne që hapur ju thoshim: ne nuk duam as poste as privilegje por ligji është një goditje e rëndë e arsimit të lartë që edhe kështu ka probleme të thella mbetur pa u zgjidhur.
E dyta ishin superiorët tuaj politikë në qeveri, Kuvend, a parti, që sigurisht as bëhej fjalë t'ju linin ndonjë inciativë që të thoshit fjalën tuaj për atë që po gatitej.
E treta ishin lobi financiare të arsimit të lartë përpara të cilave ju ishit fare e pamundur për t'u ndeshur, sepse ata kishin gjithçka dhe ju nuk kishit asgjë veç vetes tuaj.
E më në fund ju ishit nën presionin e deputetëve të kuvendit të Shqipërisë që në atë mot një pjesë donin me ngulm atë ligj, kurse pjesa tjetër nuk donte ose nuk dinte si ta kundërshtonte sinqerisht politikisht.

Më besoni se këto që them nuk i kam të mbështetura thjesht në supozime.

Duke mos ju njohur e prita me skepticizëm emërimin tuaj në krye të dikasterit të arsimit. Pastaj, në periudhën e hartimit, hyrjes në fuqi dhe pastaj hapave të para të zbatimit të tij furia e kritikës dhe e pasionit kundërshtues ndaj jush personalisht ka qenë e fortë dhe e pandërprerë nga ana ime. Por gradualisht, në kontaktet dhe dialogun që u vendos, pa rreshtur kritikat, kuptova se përballë nuk kisha sigurisht një shkencëtare a doktore, larg prej jush ky pretendim, por një politikane të pjekur, një grua të matur, që dëgjonte me kujdes, që përpiqej të krijonte mesa mundej një hapësirë ku të gjithë aktorët e hapësirës të arsimit të lartë të luanin dhe përplaseshin lirisht. Duam apo nuk duam ne, duam apo sa duam që të fitojnë idetë tona, ose të mundim ato të kundërshtarëve tanë, kjo është demokracia. Dhe këtë hapësirë të lirë ju deshët ta krijoni dhe sa kishit mundësi nuk e penguat.

Në debatet tona nuk ka ndodhur asnjëherë që ju të keni imponuar mendimin tuaj për çështje përmbajtësore të shkencës dhe arsimit. Disa hipokritë, nga ata që tani heshtin, nuk kanë guxim të thonë më : këtë ligj të arsimit të lartë e kam bërë edhe unë!, nga ata që tani besoj që as nuk do t'ju urojnë edhe vitin e ri 2019, këta individë pra modestinë tuaj e kanë marrë për dobësi. Kurse unë e kam quajtur meritën tuaj kryesore. Detyra e administratorit dhe e politikanit nuk është ajo që të japi vetë zgjidhjet për teknikën, shkencën, arsimin. Kthimi i politikanit në ekspert, ose i administratorit, ministër, zëvendësiministër, drejtor drejtorie në burrin ose gruan më të mençur të fushës që mbulon e bën atë politikan ose administrator jo vetëm qesharak, por edhe shumë të rrezikshëm.

As unë edhe asnjë nga miqtë e mi të Forumit për Liritë Universitare nuk ndjenë as më të voglin presion ose hakmarrje nga ju në profesion tonë, aq më pak Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë i Universitetit të Tiranës ku punon një pjesë jo e vogël jona. Do të thotë dikush: Detyrën ka bërë që nuk është treguar hakmarrëse! E nuk është fare kështu. Shoqëria jonë është e mbushur me hakmarrës dhe hakmarrëse që veç të tjerave sapo hypin në ndonjë post, sado edhe modest, godasin pa mëshirë fillimisht miqtë dhe mikeshat e tyre, pastaj nuk lënë kurrë kusur pa goditur ata që kanë mendime të ndryshme prej tyre. Me kundërshtarë kaq kritikë si ne, si unë, flas personalisht, do të imagjinoja dikë tjetër, burrë a grua, që do të na kishte hedhur llava ari të shkrirë në zjarr mbi kokë.

Ju, ligjin dhe pasojat shkatërruese të tij, unë mendoj se dora dorës i testuat dhe brenda jush kam dyshimin e ligjshëm që kishit nisur që mjaft gjëra t'i shihnit me dyshim ose skepticizëm. Kam thënë me vete: Pse nuk jep dorëheqjen kjo grua? Këtë pyetje kur lexon këto rradhë e bën edhe ndonjë tip që hiqet më katolik se Papa. Një ditë i bëra vetes pyetjen: Po a është përvojë në Shqipëri që një ministër, burrë, lëre pastaj grua, të japi dorëheqjen? A është mësuar shoqëria jonë me këtë kulturë? A nuk do ta linçojë partia e vet, a nuk do të quhet jo e besës?

Dhe për më tepër me atë dikaster që kanë strukturuar, që duhet të mendojë që nga çerdhet e kopshtet, ngritja e peshës, boksi, gjimnazet, kërkimi shkencor, arsimi i lartë, etj, nuk mjafton jo vetëm të jesh e Besës për t'a drejtuar, por nuk mjafton të jesh as Anjshtajni. Duhet të jesh Anjshtajni, Nënë Tereza, Mari Kyri e nuk e di kush tjetër, Ymer Pampur, Loro Boriç, Asllan Rusi, a nuk e di kush tjetër!!! Qeverisja e vogël që kanë rënë pre socialistët ndaj një liberalizmi të keqkuptuar ka sjellë që dikasteret tona të jenë kështjella padijeje dhe administrimi me borde e agjenci gjoja të pavarura e ka çuar ekzekutivin që të detyrohet të kërkojë të administrohet me platforma të centralizuara ku qytetari të shkruajë vërejtjet e tij. Dhe pastaj na del që studentët pa shkruar asgjë në platformë, plasën revoltat në rrugë.

Të thuash se nuk mjafton heqja e njerëzve për të ndryshuar një situatë dhe modernizuar arsmimin dhe shkencën, – kjo është e drejtë. E drejtë, por jo e mjaftueshme. Të thuash se duhet ndryshuar, duke e abroguar ligjin e arsimit të lartë, – edhe kjo është e drejtë por jo e mjaftueshme. Të thuash që duhet ndryshuar politika për arsimin dhe kërkimin shkencor, – shumë e drejtë por edhe kjo nuk mjafton. Politika deri këtu shkon. Edhe kritikët më të fortë politikë tuajët, nuk shkojnë më larg.

Kurse unë si universitar, brenda një kuadri miqsh, kolegësh, që besomëni nuk jemi edhe aq pak, as dembelë, as që përtojmë të marrim përgjegjësi, mendoj që prandaj politika ka nevojë të hapet, të bëhet më modeste, të kuptojë që politika nuk e drejton dot e vetme as arsimin as kërkimin shkencor në strategjitë që këto fusha duhet të kenë.

Unë jam i mendimit që edhe më budallai ndër shqiptarët sot e kupton që shkaku i gjithë katrahurës në arsimin e lartë dhe në kërkimin shkencor është kuadri rregullues arkaik dhe i poshtër, hipokrit, i ligjit për arsimin e lartë. Edhe studenti më i dobët e di këtë. Por, që ta dijë politika nuk është e lehtë. Sepse unë e di që abrogimi i ligjit dhe hyrja në procedurat për një ligj të ri për arsimin e lartë do të shënonte fundin e këtij parlamenti dhe strukturës të sotme të raportit të forcave politike në Shqipëri.

Por, nuk mjafton ndryshimi i ligjit. Ose më mirë një ligj i mirë, nuk mund të bëhet pa një model të ri të universiteteve shqiptare, publike, por jo vetëm, edhe pa një model i ri i universiteteve private.Por, këtë nuk e mendon dot politika. Politika edhe po e mendoi do ta mendojë gabim. Mirëpo një model i ri i universiteteve publike dhe private bie në kundërshtim me interesat e ngushta dhe të vogla të lobive të caktuara brenda-universitare që janë mësuar të jenë dembelë, parazitë, vjedhës idesh, plagjiatë, si edhe të mësuar me parà dhe me pushtet. Do të ishte një gabim i rëndë që t'ju mendoja ju një Zhan D'Ark që të luftonte e vetme për t'i përballur këto lobi që e kanë burimin e forcës pikërisht në politikë. Me ta, dikush që nuk ka veçse veten, cfarëdo posti që të mbajë përkohësisht, më mirë është të bëjë aleancë sesa luftë, më mirë paqe sesa sherr, më mirë "po" sesa "jo". Nëse miq e armiq tuajët në politikë kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë kështu duke qenë në politikë, a nuk është pak si e tepërt që frytet e aleancave t'i marrin vetë, kurse pasojat dhe harxhet e luftës t'ua ngarkojnë juve? Unë ju kam gjetur grua të zgjuar në rastet kur kemi qenë në debate publike, kot e kanë pasur ose e kanë t'ju marrin si të pamënçur duke ju futur në shtigje që ju si politikane me përvojë dini mirë, besoj t'i nuhasni!

Por, edhe të ndryshosh modelin e universiteteve shqiptare, është mirë, por nuk mjafton përsëri. Sepse duhet të dish se në çfarë gjendje është shkenca dhe kërkimi shkencor sot në shoqëritë bashkëkohore dhe si iu përgjigjen këtyre strategjitë politikat e përparuara. Mbi të gjitha duhet të njohësh në majë të gishtave sociologjinë e shkencës dhe të arsimit, epistemologjinë e shkencës, logjikën e saj post-aristoteliane, të njohësh metodologjitë e reja të kërkimit shkencor. Këtë askush nga politikanët, të gjithë politikanët e mbledhur bashkë, nuk mund ta mendojnë.

Ose politikan dhe injorant i ligjshëm në këtë fushë, ose shkencëtar i përkushtuar, dhe injorant në politikën e madhe elektorale.

Prandaj politikat e shkencës dhe arsimit të lartë nuk mund të bëhen nga politikanët masivë dhe servilët e tyre. Apo nga delirantët që njëkohësisht kujtojnë se mund të jenë po aq shkencëtarë të mëdhenj sa edhe politikanë dhe administratorë të mëdhenj. Koha e këtyre qënieve ka kaluar që me Konfucin, Sokratin, Platonin a ndonjë tjetër.

Mirëpo edhe kaq nuk mjafton. Sepse duhet ditur edhe për çfarë arsimi dhe shkence ka nevojë Shqipëria ku ekonomia e kohëve primitive nuk e thërret dijen, kurse nevojat e demokracisë duan qytetar të dijshëm. Kjo çarje midis mosdijes dhe dijes po e bën arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare të llapaçitet në kaos dhe banalitet shkencor dhe kulturor. Cfarë vendi do të zerë kultura, dija, shkenca në Shqipëri në një botë të hapur planetare shumë të zhvilluar?

Ka ndonjë nga kritikët tuaj "të mënçur" në politikë a në media, në grupin tuaj parlamentar, në opozitë, a në gjysëm pushtet-gjysëm opozitë, që është në gjendje të na tregojë rezultatet e ndonjë studimi që ka bërë në këtë fushë?

Prandaj, duke qenë kundërshtar i politikave që ju keni zbatuar, dhe i keni zbatuar përpikmërisht, mua më ngjethet mishi kur dëgjoj politikanë a gazetarë, që ju kërkojnë juve të bëni atë që mund t'a bëjë vetëm një sistem që në kibernetikën e tij di të mendojë në këto fusha që përmenda.

E vërteta duhet thënë edhe tani që "beteja" mes nesh ka përfunduar. Ju keni ikur duke e lënë ligjin për arsimin e lartë të bëjë rrugën e vet, ne kemi mbetur duke e mbajtur po atë ligj mbi kurriz si baulle e mbushur me baltë dhe me gurë.

Madje keni për të parë që edhe ata që krenoheshin se ligjin po e bëjnë ata, dhe ajo L.N., tani do t'ju a japin juve krejt meritën e bërjes të të gjitha neneve të ligjit dhe vetë do të shfaqen si kundërshtarë të tij. Të paepur. Kështu do të bëjë edhe vetë Qenan K. si personifikimi i të gjithë kësaj rrace intelektualucësh pa tru dhe pa zemër. Por, me ambicje dhe neps të paparë.

Unë ju kam parë sidomos vitin e fundit që keni qenë më përpara sesa politikat që zbatonte dikasteri juaj. Na pritët njerëzishëm në zyrën tuaj kur erdhëm si përfaqësues të Forumit të Lirive Universitare. Jo vetëm pranuat diagnozën tonë dhe konstatimet tona për gjendjen në universitete, por edhe na deklaruatr, jemi dëshmitarë, se në ligj mund të bëhen amendime, se ishit gati t'i tërhiqnit përfaqësuesit tuaj në bordet administrative të universiteteve dhe deklarime të tjera që as më shkonte mendja se do t'i dëgjoja nga ju.

Sigurisht nuk i bëtë, por as mendohej se mund t'i bënit vetëm ju me kokën tuaj. Do t'ju kishin përjashtuar nga partia, shkarkuar si ministre, dhe revokuar si deputete. Sigurisht nuk do të kishit pësuar vetëm fatin e të ndjerit dhe të nderuaritr z. Thoma Deliana për t'ju internuar në Tepelenë a çuar si bari delesh diku nga ajo zonë!!!

Unë ju falenderoj sepse patët guximin që përpara dy a tre muajsh të kthenit mbrapsht projekt-statutin që ju dërgoi për aprovim senati i Universitetit të Tiranës. Gjetët atje mbi 20 nene që i konsideruat shkelje ligjore. Sipas meje, ju kishit të drejtë dhe morët kurajon dhe çmimin që ta paguanit mbrojtjen që i bëtë ligjit, me mllefe dhe presione që ju i dini mirë, por nuk i thatë kurrë!

Unë në dallim nga miq të mitë nuk ju vë faj që përpara disa ditësh, në kulmin e revoltave studentore, të njejtin statut, të dërguar nga senati i Universitetit të Tiranës, tani e firmosët dhe e pranuat pa një pa dy. Ai edhe tani është plot shkelje ligjore, por mbi të gjitha nuk evokon të drejta për pedagogët dhe studentët dhe e zhyt universitetin e Tiranës në një kaos tërësor. Unë i bëj thirrje politikës dhe qeverisë të vejë dorë sepse poqese ky kuadër statutor do të mbetet në fuqi, siç ka ardhur i aprovuar nga ju, atëhere ne do të shohim jo thjesht revolta studentore, por lemerira burokratike.

Por, aty ju nuk ishit më Lindita Nikolla – ministre. Dukej qartë se ju ishit hequr. Ndofta një lëvizje që duhej. Nuk jam unë që e di këtë.

Unë ju falenderoj sepse me të parë sinjalin nga shefi juaj në qeveri që platforma ime për rithemelimin si reformim të Akademisë të Shkencave të mos hidhej në kosh si e kishte hedhur drejtuesi i saj dhe i grupit të punës i ministrisë tuaj, ju menjëherë ditët të merrnit kthesën dhe të përballonit presione që vinin nga burra të veshur me autoritete shkencëtarësh. Ditët të pranonit që ajo Akademi Shkencash nuk mund të rinovohet me projekte që nuk të cojnë askund. Dhe në këtë kuadër ju ditët të ngriheni mbi sedrën tuaj dhe mbi çdo lloj insistimi për të mbrojtur një dokument që nuk mund veçse të hidhet në kosh si i pavlefshëm, si senil, dhe i mbështetur në trafiqe interesash të vogla meskine, ndonëse ai mbante logon e dikasterit tuaj.

Unë besoj se debatet tona janë në ide, dhe jo beteja personash!

Kjo është demokracia!

Unë uroj që asnjë post i rregulluar nga kushtetuta ose i një agjencie që rregullohet prej kushtetutës të mos mbahet nga askush më shumë se një mandat!

Unë kërkoj ndjesë kur ndonjëherë e kam tepëruar me ironi!

Unë ju uroj suksese në vitin 2019 në familje, në veprimtaritë tuaja politike e kudo!

30 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Vrau dhëndërrin, vjehrri: Mu errën sytë, kërcënoi me jetë familjen

Posted: 30 Dec 2018 11:00 PM PST

Adriatik Jella

Vjehrri që vrau dhëndrrin ka rrëfyer përpara hetuesve të gjthë kronologjinë e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur  disa ditë më parë në Maqellarë të Dibrës. Ai shprehet se gjithçka është bërë për vetëmbrojtjes.  "Na erdhi në shtëpi me një thikë të madhe në dorë dhe pasi plagosi njërin prej nesh, kërcënonte se do të na vriste të gjithëve. Pata frikë se do të na sulmonte edhe gratë e fëmijët, ndaj shkula një dru nga gardhi dhe e godita në kokë", ka dëshmuar 68- vjeçari Veli Çidhnoku, i akuzuar për vrasjen e ish-dhëndërrit  Adriatik Jella.

Ndaj 68-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare,  në bashkëpunim. Pavarësisht se 68-vjeçari thotë se është autori i krimit, polici ende dyshon në dëshminë e tij, pasi dyshon se ai po mbron anëtarët e tjerë të familje. Dyshohet se viktima ka pasur konflikte më kunetërit dhe mysafirët e familjes Cidhnaku. Të dyshuar për ngjarjen janë edhe miku i familjes, Flamur Delishi (i cili mbeti i plagosur) dhe Gani Cidhnoku.

Frikë nga hakmarrja, policia ruan familjen e Cidhnakut

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, banesa e autorëve të krimit është marrë në mbrojtje nga efektivët e Policisë Bulqizë, pasi ka dyshime se të afërmit e Jellës mund të hakmerren ndaj familjes Cidhnaku. "Pas arrestimit, Veli Cidhnaku ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ai ka pohuar se konfliktet me dhëndrin kanë nisur katër muaj më parë, kur ai është arrestuar nën akuzën e dhunës në familje. Vajza e tij e ka denoncuar në Polici se Adriatiku e rrihte dhe e kërcënonte me jetë.

Pas arrestimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër e dënoi me një vit burg, por pas dy a tre muajsh, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi lirimin e Jellës nga Burgu i Burrelit. Viktima ka qenë një person problematik dhe i dhunshëm. Ai është denoncuar jo vetëm nga gruaja, por edhe nga qytetarë të tjerë si person që krijonte incidente", thanë zyrtarë të Policisë Dibër. Ato shtuan se çështjen po e hetojnë Krimet e Rënda, por pak orë pas arrestimit, Veli Cidhnaku është shprehur se duke goditur Adriatik Jellën me një dru në kokë, ka mbrojtur nderin e familjes dhe të miqve të familjes.

Dëshmia e vjehrrit

Baftjar Cidhnaku

"Familja ime ishte e tronditur. Djalit tim, Adriatikut, i preu veshët në mes të Maqellarës. Jo vetëm na turpëroi publikisht, por rrezikoi jetën e tij. Pak orë pas ngjarjes, në shtëpi erdhi dhëndri tjetër dhe një miku ynë. Erdhën të na qetësojnë për atë që ndodhi në Maqellarë. Nuk e mendonim kurrë se Adriatiku do të guxonte të na vinte në shtëpi pas asaj që bëri", është shprehur në polici 68-vjeçari Cidhnaku. Ai ka treguar me hollësi momentin, kur rreth orës 21:00 të së enjtes, ka dëgjuar zëra në oborrin e banesës dhe së bashku me djemtë dhe miqtë e familjes ka dalë nga shtëpia. Në afërsi kanë parë 39-vjeçarin Jella. "Më nxirrni gruan se do ta marr me vete. Po nuk u bindët, do t'ju vras të gjithëve, që nga fëmijët e djepit. Mos guxoni të afroheni. Nuk shpëton asnjë i gjallë", na thoshte dhëndri, që mbante në dorë një thikë të madhe", është shprehur më tej 68-vjeçari i arrestuar.

Sipas të moshuarit, Jella i është sulur fillimisht mikut të shtëpisë, Flamur Delishit, duke e plagosur rëndë në bark. Kur ai ka parë mikun e rrëzuar përdhe që ishte plagosur, ka reaguar duke e qëlluar dhëndrin me dru në kokë.

"M'u errën sytë. Adriatiku fillimisht nuk la fjalë pa thënë për gratë e shtëpisë. Pastaj plagosi rëndë mikun tonë. Unë nuk mund të bëja sehir. Nderi ynë ra përtokë. Kisha frikë që dhëndri do të vazhdonte sulmin me thikë ndaj djemve dhe grave. Shkula nga gardhi një dru dhe e godita në kokë. Nuk na ka lënë gjë pa bërë ky person. Lus Zotin që kam gjallë djalin dhe mikun. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.

 

Policia dhe Gjykata nuk bënë si duhet detyrën, ndryshe nuk të kishte ndodhur gjithë kjo hata", ka shtuar Veli Cidhnaku. Pas ngjarjes, ai nuk është larguar nga banesa, por ka pritur mbërritjen e Policisë Lokale. Në vijim të rrëfimit të ngjarjes, vjehrri i viktimës ka treguar se Policia e ka transportuar fillimisht dhëndrin në gjendje të plagosur deri tek ura e Topojanit me një barelë të improvizuar, ndërkohë aty ka mbërritur një ambulancë e Spitalit Rajonal të Peshkopisë.

Vjehrra e viktimës,: Adriatiku në kërcënonte me përdhunim

Referuar intervistës së vjehrrës së viktimës, Fidane Cidhnaku, ai ka ushtruar terror në banesën e tyre, ndërsa i ka kërcënuar edhe me përdhunim. Ajo tha se pak pasi Adriatiku kishte plagosur kunatin, ishte nisur drejt shtëpisë së tyre dhe më pas kishte plagosur vëllain e nuses së saj. E moshuara tha se me dru 40-vjeçarin e kishin qëlluar dy vëllezërit e nuses së djalit të saj. Po ashtu ajo shtoi se Jella i kishte kërcënuar me jetë të gjithë si familje, madje edhe me akte më ekstreme. "Oh, ma vrau djalin. Ma goditi me dy thika, i preu edhe veshët. Djalin ma ka plagosur në Maqellarë dhe ma ka lënë pa ndjenja. Djalin e kanë çuar në spital pa ndenja, dhe të mbuluar në gjak. Pasi më plagosi djalin, ai tha; Nuk mbaron me kaq, kam më. Do vijë t'u bëjë Kosovë. Po gjithmonë na bënte presione. Një ditë erdhi këtu dhe kërcënoi plakun tim; 'o dua gocën, ose do t'ju shfaros krejt'. Ça nuk na ka bërë. Nuk ka lënë pa sharë fëmijë dhe nuse në këtë derë, çfarë nuk u ka thënë. Lerë gocës time çfarë s'i ka bërë, lloj-lloj shpifje. Se u merrte me telefona dhe "Facebook". Edhe ma bëri vajzën zi, ma izoloi, na e bëri katran", tha ajo.

31 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 31 dhjetor 2018

Posted: 30 Dec 2018 10:00 PM PST

Dashi

Mbajeni komunikimin tuaj sot të shkurtër dhe të ëmbël. Nuk ka nevojë që ju te bëheni poetik, ose të mburreni me stilin tuaj. Në aspektin financiar do të bëni më shumë shpenzime.

Demi

Përpiquni që sot të mos mendoni për një periudhë afatgjate. Ju duhet të përqendroheni tek gjërat e çastit. Ka një shans të mirë që deri në fund të ditës do të mbyllni disa çështje.

Binjakët

Në një mënyrë ose një tjetër ju sot jeni në lëvizje. Ju keni nevojë që të vazhdoni në këtë mënyrë për sa më shumë kohë që të jetë e mundur. Ndoshta, doni të filloni një punë të re.

Gaforrja

Çdo projekt i dhënë ka shumë komponent të ndryshëm për ti mbajtur nën vëzhgim. Kështu që është mirë që ti ndani ato në detaje. Përqëndrohuni në secilën nga detajet që të keni sukses.

Luani

Sigurohuni që njerëzit tuaj t'ju ndihmojnë me vendimet e mëdha sot. Ju në të vërtetë doni më shumë ide nga miqtë tuaj. Në këtë mënyrë do të realizoni me sukses gjërat që dëshironi.

Virgjëresha

Ju sot duhet të bëni atë çka është e drejtë. Edhe nëse kjo nuk ndihet e rehatshme për ju dhe njerëzit tuaj, ju duhet të veproni me zgjuarsi. Sot do të keni disa të ardhura financiare.

Peshorja

Risia është kyçi i sotëm, prandaj dddilni nga rutina juaj e zakonshme. Gjeni aktivitete të reja dhe njerëz të rinj për ti bërë ato së bashku. Ndryshoni sjellje, që të jeni të lumtur.

Akrepi

Gjërat janë mjaft të çuditshme për momentin. Ju duhet të siguroheni që të gjeni një mënyrë të mirë për të përfituar nga çdo mundësi që shfaqet. Ju do të shikoni detaje të reja.

Shigjetari

Ju jeni në prag të një diçkaje të madhe. Ky mund të jetë një zbulim intelektual, por që ju ende nuk mund të arrini atje. Kjo nuk do të thotë se ju duhet të hiqni dorë nga idetë.

Bricjapi

Stili juaj i komunikimit është duke funksionuar mirë sot. Mbani në lëvizje informacionet, pasi kjo është në favorin tuaj. Në profesion menaxhoni më mirë projektet që po punoni.

Ujori

Fuqitë tuaja krijuese janë duke arritur kulmin tani. Ju duhet të jeni në gjendje t'i shikoni gjërat nën një dritë të re pa pasur shumë probleme. Nëse doni, merrni ide nga miqtë.

Peshqit

Fuqitë tuaja krijuese janë më krijuese se kurrë për momentin. Ju duhet të jeni në gjendje të ëndërroni një plan të ri për ta bërë jetën më të thjesht. Në financë do të bëni investime.

31 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Dita e Veteranit, liderët përkujtojnë sakrificën e UÇK-së

Posted: 30 Dec 2018 02:00 PM PST

Në Kosovë sot është shënuar Dita e Veteranit, në përkujtim të dëshmorëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka përkujtuar dëshmorët dhe veteranët e luftës, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e tyre.

"Një ditë para përmbylljes së vitit, më 30 dhjetor, që shumë vjet shënohet Dita e Veteranit. Për çdo veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo ditë është rikujtim i betejës së parë, më 30 dhjetor 1991, të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari me forcat serbe në Prekaz. Heronjtë, dëshmorët dhe veteranët e luftës sonë për liri dhe pavarësi krijuan epokë të re për popullin tonë, prandaj sot me krenari kujtojmë çdo të rënë në altarin e lirisë dhe nderojmë gjithë sakrificën dhe kontributin e çdo veterani në luftën tonë çlirimtare", thuhet në postimin e presidentit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është falenderues ndaj atyre që iu përgjigjen thirrjes së atdheut.

"Sot, në "Ditën e Veteranit" të luftës sonë çlirimtare, mirënjohës përjetë atyre që ndër breza i janë përgjigjur thirrjes së atdheut, në përpjekjet deri në liri. Dalzotës të atdheut, të gatshëm për sakrificë dje, të bashkuar sot rreth vlerave të lirisë, për t'i dhënë krahun dhe frymën tonë fuqizimit të shtetit", tha Haradinaj në Facebook.

30 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Mbi 10 të vrarë në Bangladesh gjatë zgjedhjeve parlamentare

Posted: 30 Dec 2018 01:45 PM PST

Të paktën 12 vetë janë vrarë në Bangladesh të dielën, ndërsa vendi voton në zgjedhjet e përgjithshme.

Rezultatet fillestare tregojnë se partia e kryeministres Sheikh Hasina Lidhja Awami, ka një epërsi të qartë. Por kundërshtarët kanë bërë kritika për frikësime të votuesve dhe parregullsi në zgjedhje.

Udhëheqësi i aleancës së opozitës, Kamal Hossain i quajti zgjedhjet e së dielës, "një farsë" dhe tha se rezultatet nuk do të pranohen.

Dhuna mes partive në pushtet dhe të opozitës, që shoqëroi fushatat zgjedhore vazhdoi deri ditën e votimit, megjithë masat e rrepta të sigurisë në gjithë vendin, përfshirë 600 mijë trupa dhe forca të tjera sigurie që i dislokuan në gjithë vendin.

30 dhjetor 2018 (gazeta-shqip.com)

Seksi, 5 nudot më të mira televizive të vitit (Foto)

Posted: 30 Dec 2018 01:30 PM PST

Fundi i vitit dhe është koha të shikojmë prapa për të zbuluar se cilat ishin skenat më seksi të serialeve  televizive të 2018-ës, ku shpesh guxohet më shumë sesa ekranin e madh. Si çdo vit ka qenë faqja e specializuar "Mr.Skin", ajo që ka përpiluar renditjen. Nga seriali meksikan “Diablo Guardian” për të shkuar te “The Deuce”, serinë e drejtuar nga Jess Franco në historinë e pornografisë në Nju Jork në vitet 70, duke kaluar nëpër fanta-shkencën e “Altered Carbon”.

30 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ja si duket “Arena Kombëtare” nga lart!

Posted: 30 Dec 2018 01:15 PM PST

"Arena Kombëtare" një investim gjigant i Federatës Shqipatare të Futbollit në bashkëpunim me qeverinë, FIFA-n dhe UEFA-n, mund të mos përfundojë brenda muajit mars, kur nisin dhe eliminatoret e Europianit, megjithatë punimet janë në një fazë të avancuar, aq sa ky impiant modern ka marrë formë të plotë. Një foto e realizuar në fluturim nga Alket Islami, tregon se është drejt përfundimit instalimi i pjesës së mbulesës, për t'i dhënë më pas dorën e fundit. Gjithsesi duhet të kryhen punime në ambientet e brendshme si dhe kanë mbetur ende pa u vendosur ndenjëset dhe tapeti i gjelbër.

30 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

“Dëmtohet” për të pushuar në Maldive, gruaja e demaskon!

Posted: 30 Dec 2018 01:00 PM PST

Që futbollistët nuk kanë dëshirë të luajnë gjatë kohës së festave, e dinë të gjithë. Ka nga ata që i paraprijnë situatës me ndonjë karton të qëllimshëm për të mos luajtur në ndeshjen e radhës, por ka edhe nga ata që sajojnë ndonjë problem shëndetësor për të marrë leje nga klubi.

Kështu ka bërë mbrojtësi i Gallatasarajit, Serdar Aziz, i cili, për të mashtruar drejtuesit e klubit të njohur turk, u shtir se kishte dhimbje stomaku dhe kështu mori leje për të mos u stërvitur ditët e festave.

Por duket se nuk e kishte studiuar mirë planin e tij. Sipas "Sun", pasi mori miratimin e klubit për të mos qenë pjesë e ekipit për ndeshjen me Sivasporin, Aziz shkoi për pushime bashkë me gruan e tij në Maldive.

Klubi turk e ka mësuar mashtrimin e futbollistit me anë të profilit në Instagram të gruas së tij, pasi ajo kishte publikuar foto nga një resort në Maldive, ku ishte me burrin. Më pas, drejtuesit e Gallatasarajit vendosën ta fusnin edhe Azizin në listën e lojtarëve në shitje në merkaton e janarit. Aziz luan me Gallatasarajin që prej vitit 2016. Këtë sezon ai është aktivizuar në 15 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola.

30 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Nga zjarrfikësit tek mjekët, ata që nuk festojnë Vitin e Ri

Posted: 30 Dec 2018 12:31 PM PST

Data 31 dhjetor është nata që bashkon njerëzit, mirëpo ka nga ata që për shkak të profesionit nuk shkëputen nga puna.

Një mënyrë tjetër e kalimit të festës është të kënaqësh njerëzit që kanë dalë për të festuar apo të japësh ndihmën e parë në raste incidentesh. Lorenc Hatia ka 19 vjet si zjarrfikës dhe kjo nuk është hera e parë që festën do e kalojë në patrullimin e situatës për fundvit me kolegët: "Gjithkush do ta festojë pranë familjes, por kjo është detyra jonë, misioni dhe qëllimi i zjarrfikësve: t'i shërbejnë komunitetit".

E detyruar të punojë natën e ndërrimit të viteve është edhe Anila, operatorja e shërbimit zjarrfikës, ku veç punës duhet të përgatisë më parë darkën e fundvitit: "Unë jam në punë në darkë, kështu që paradite do të merrem me gatimet për familjarët. Por gratë gjithmonë janë të zonja në menaxhimin e kohës. I përkushtohem familjes dhe pastaj detyrës që kam marrë përsipër për të kryer".

Ndërkohë, këta janë vetëm një pjesë e grupit mjekësor nga 40, të cilët do të jenë në gatishmëri të qytetarëve mbrëmjen e Vitit të Ri.

Infermierja Zamira Lekaj thotë: "Jemi të gatshëm ti qëndrojmë në gatishmëri popullit në 31. Është e vështirë, por kur je në frontin e punës je e detyruar, por mirëkuptohem edhe nga bashkëshorti edhe nga fëmija im".

Ndërsa mjeku Arben Duka shprehet: "Dhe ambjenti i punës, përveç lodhjes e stresit është ajo kënaqësia e kalimit të festave me kolegët".

Detyrën për të kënaqur njerëzit për festa e ka edhe Nermiko, me shijen që do të çojë në tavolinat e klientëve: "Është shumë ndryshe atmosfera nga ç'mund të kalohet në shtëpi. Nuk është ajo që do doja se do ishte më mirë pranë familjes e të afërmve".

Të tjerë që nata e ndërrimit të viteve i gjen në punë janë edhe gazetarët e kameramanët, të cilët raportojnë për atmosferën e fundvitit.

30 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more