Skip to main content

“Nga Hëna e kuqe tek bashkimi i saj me Afërditën/ 2019-ta, i pasur me ngjarje astronomike” plus 9 more - Gazeta Dita

“Nga Hëna e kuqe tek bashkimi i saj me Afërditën/ 2019-ta, i pasur me ngjarje astronomike” plus 9 more - Gazeta Dita


Nga Hëna e kuqe tek bashkimi i saj me Afërditën/ 2019-ta, i pasur me ngjarje astronomike

Posted: 31 Dec 2018 02:03 AM PST

Viti 2019 do të jetë i pasur me ngjarje të jashtëzakonshme astronomike. Sipas parashikimeve, në muajin e parë mbretëreshë do të jetë Hëna, e cila në 21 Janar do të vishet me të kuqe. Do të jetë Super Hënë për nga dimensioni dhe do të dhurojë eklipsin total të dukshëm të fundit për disa vite. Hëna do të jetë në distancën minimale më planetin tonë dhe për këtë do duket më e madhe dhe e ndritshme se zakonisht.

Ndërkohë që në mbrëmjet e para të vitit të ri priten edhe Kuadrantidet, yjet që bien, që do të zbukurojnë qiejt kryesisht në datat 3 dhe 4 Janar.

Por shkencëtarët thonë se padyshim eventi më i rëndësishëm do të jetë ai i Super Hënës në 21 Janar, i cili do të pasohet në datën 22 me një bashkim në qiell të Hënës me Afërditën.

o.j/dita

Venecia,  biletë hyrjeje 2.5-10 euro për çdo vizitor!

Posted: 31 Dec 2018 01:58 AM PST

Tashmë për të hyrë në Venecia vizitorët duhet të paguajnë një biletë hyrje, që varion nga 2.5-5 euro, në varësi të stinës. Po tarifa mund të arrijë edhe në 10 euro në periudhat e pikut të sezonit turistik.

Vendosja e kësaj tarife mund të krijojë probleme për anijet e mëdha turistike duke ndikuar negativisht në turizmin e masave. Ashtu sikurse ndodh tashmë në vende të tjera turistike ku taksa e hyrjes është parashikuar prej vitesh, turistët do të duhet të paguajnë bashkë me biletat e avionit apo anijes këtë shtesë që më pas vetë kompanitë do t'ia kalojnë bashkisë, shkruan "LaReppublica".

Administrata beson se mund të përfitojë të ardhura shumë më të mëdha sesa nga taksa e turizmit që ekziston aktualisht.

o.j/dita

8 vendimet që hyjnë në fuqi me 1 janar! Nga lojërat e fatit te taksa e pronës…

Posted: 31 Dec 2018 01:37 AM PST

Duke nisur nga dita e parë e vitit 2019, janë një serë ndryshimet ligjore që nisin zbatimin. Veç ndryshimeve të paketës fiskale, nis zbatimi i nivelit të ri të pagës minimale, bonusi i bebeve, taksa e pronës etj. Mëposhtë portali ekonomik SCAN sjell disa prej ndryshimeve që nisin zbatimin prej 1 janarit:

Paketa e re fiskale

Nga 1 janari hyjnë në fuqi ndryshimet e paketës fiskale. Por, cilat janë të gjitha taksat që pritet të ulen prej 1 Janarit? Së pari, është ajo mbi dividentin, që do të ulet nga 15% që ishte më parë, në 8%.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kjo ulje do të prekë drejtpërdrejtë rreth 50 mijë investitorë që grumbullojnë fitime nga aksionet në vendin tonë. Një tjetër risi është ajo për tatimin mbi të ardhurat personale. Kufiri i  taksimit me 23% do të rritet, nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë, çka përkthehet në 15 mijë individë që do të përfitojnë nga një tatim mbi të ardhurat më i ulët.

Këto të dyja janë ndryshimet më thelbësore në paketën fiskale të 2019, që do të ndihen drejtpërdrejtë në xhepat e disave. Ndryshime të tjera ndërkohë, përfshijnë uljen  e taksimit për ambalazhet plastike, me 2/3, si dhe me 50% të taksës për ambalazhet e qelqit.

Paga minimale bëhet 26 mijë lekë

Nga data 1 janar 2019, paga minimale në shkallë vendi do të jetë 26 mijë lekë të rinj.  Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Në vendim përcaktohet se "paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë".

Taksa e pronës

Më 1 Janar 2019 hyn në fuqi metodologjia e re e përllogaritjes së taksës së pronës, që do të thotë se qytetarët do të paguajnë më shumë se sa kanë paguar aktualisht. Megjithëse ishte parashikuar që kjo metodologji të niste aplikimin nga 1 Prilli 2018, vendorëve u është lënë afat fillimi i vitit 2019, në mënyrë që të bënin të gjithë infrastrukturën gati. Por sërish mbledhja e saj do të hasë vështirësi pasi nuk është ngritur kadastra fiskale, ndërsa do ta përcaktojnë bashkitë agjentin e mbledhjes.

Formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15% .

Lojërat e fatit

Nga data 1 janar nuk do të lejohen më lojërat e fatit e kjo veprimtari bëhet e paligjshme. Çdo lokal që ushtron këto veprimtari do të mbyllet. " Nga data 1 janar 2019, në çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur apo të fshehur veprimtaria e lojërave të fatit duhet të trajtohet si një parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë qasja e Policisë së Shtetit", deklaroi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë takimit me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.

Kontrolli tatimor nga zyra

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka miratuar manualin e kontrollit nga zyra, i cili do të nisë zbatimin në datën 1 janar 2019.  Dokumenti i miratuar gjatë mbledhjes së 13-të të Komitetit Operacional përcakton instrumentet e punës për udhëzimin e inspektorëve mbi hapat dhe teknikat që ata duhet të ndjekin në mënyrë që të realizojnë me sukses kontrollet nga zyra. Po ashtu, në manual përfshihen edhe procedurat që do të ndiqen nga inspektorët e kontrollit nga zyra për monitorimin e deklarimeve tatimore, si dhe saktësinë e pagesave të detyrimeve tatimore të tatimpaguesve sipas veprimtarive tatimore.  Ndërkohë, Administrata Tatimore do të zhvillojë trajnime të dedikuara për inspektorët për çdo Drejtori Tatimore Rajonale.

Kosova merr zyrat e doganës në Durrës!

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar pak kohë më parë se në kuadër të bashkëpunimit mes dy qeverive, me datë 7 dhe 8 dhjetor në Tiranë dhe Durrës janë takuar Drejtori i Përgjithshëm të Doganës së Kosovës Bahri Berisha, me Drejtoren e Përgjithshme të Doganës së Shqipërisë Belinda Ikonomi.

"Gjatë këtij takimi së bashku me grupet e punës nga të dyja Administratave është diskutuar mbi procedurat teknike për hapjen e zyrës Doganore të Republikës së Kosovës në portin e Durrësit" njofton zyra e shtypit e Drejtorisë së Doganave. Krahas takimeve u bë vizita në portin e Durrësit me të cilën u ndanë edhe zyrat dhe ambientet e punës, për punonjësit e Doganës së Kosovës, që do të kryejnë procedurat doganore të tranzitit. Procedurat në portin e Durrësit nga Dogana e Kosovës do të fillojnë që nga muaji Janar 2019.

Pagat e gjyqtarëve

Me hyrjen në fuqi të sistemit të ri të pagave, gjyqtarët shqiptarë do të jenë ata më të paguarit në Europë, në raport me pagën mesatare. Kështu, prej 1 janarit, paga mesatare e një gjyqtari shqiptar do të jetë 247 mijë lekë, ose 2000 euro në muaj, që përkthehet në 24 mijë euro në vit.

Bonusi i bebeve

Prej datës 1 janar 2019 të gjitha nënat e fëmijëve të porsalindur do të përfitojnë bonusin e bebes, i cili është 40 mijë lekë për lindjen e fëmijës së parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e në vijim.  Ndërkaq, referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave, shumat përkatëse do të mund të tërhiqen në 2 këste. Më konkretisht, vlera më e madhe do të mund të tërhiqet nga nëna menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit "certifikatë asistence në lindje". Ndërkohë që, diferenca e mbetur prej 5 mijë lekësh do të përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Festat e fundvitit, Bashkia e Tiranës: Ja koncerti që do organizohet me rastin e Vitit të Ri

Posted: 31 Dec 2018 01:29 AM PST

Tirana do ta presë sot ardhjen e Vitit të Ri 2019 në sheshin "Skënderbej". Me rastin e ndërrimit të viteve, Bashkia e Tiranës ka përgatitur disa surpriza, duke nisur nga koncerti me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare, e deri te shfaqja e mrekullueshme e fishekzjarreve që do të nisë me numërimin mbrapsht në orën 24.00.

Festa do të nisë në 22:30 të mbrëmjes me Koncertin e Vitit të Ri, ku do të performojnë këngëtarët e njohur  si Evi Reçi, Ardit Çuni. Alban Nimani , West Side Family, Eneida Tarifa, Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Flor Mumajesi, Klajdi Haruni & Bruno DJ si dhe performance e shkëlqyer e DJ Vinit. Spektaklit nuk do t'i mungojnë as kërcimet fantastike të Tan Bramës dhe grupit të tij.

Kësaj atmosfere do t'i shtojë magjinë e saj spektakli i fishekzjarrëve, i cili do të kulmojë në çastin e ndërrimit të viteve.

o.j/dita

Arrestohet në Greqi porositësi i vrasjes së Artan Cukut

Posted: 31 Dec 2018 01:16 AM PST

Rreth 20 muaj pas vrasjes së komisar Artan Cukut, kapet porositësi i krimit të rëndë që tronditi kryeqytetin.

Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se falë bashkëpunimit ndërkombëtar, ka rënë në pranga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish-oficerit të lartë të Policisë Artan Cuku.

Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë/Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier.

Bledar Jambelli

Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e komisar Cukut, ngjarje e ndodhur më 8 prill 2017.

Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.

Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Jambelli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana e Policisë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale "Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit" e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal. Arrestimi i tij në Greqi është kryer me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

 

o.j/dita

Kush do ta luajë tani rolin e “policit të botës”?

Posted: 31 Dec 2018 01:06 AM PST

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se SHBA nuk do të jenë më në rolin e “policit të botës”. Por askush nuk mund ta zëvendësojë Uashingtonin, as Bashkimi Europian, mendon Christoph Hasselbach.

Fjala “polic botëror” shkakton reagime negative, edhe pse askush nuk e vë në dyshim, se policët janë të nevojshëm. Kjo lidhet me atë, se asnjë vend tjetër nuk ka aplikuar për postin e policit të botës, e as nuk është zgjedhur ndonjëherë me shumicë. Si shtete të tjera, para saj, edhe SHBA e morën vetë në dorë rolin e një superfuqie globale dhe e luajtën atë rol sigurisht edhe në interesin e vet. Nëse pas kaq dekadash, amerikanët vërtet heqin dorë nga kjo detyrë që ia vunë vetë vetes, shtrohet pyetja, se kush do të jetë pasuesi?

Një përgjigje që mund të vijë në mendje menjëherë, është: Nëse duhet një polic në botë, atëherë shumë mirë këtë detyrë mund ta kryejnë Kombet e Bashkuara që duhet të kujdesen për rendin. Por aq pak sa ka funksionuar kjo në të shkuarën, po aq pak do të funksionojë edhe në ardhmen. Zgjidhjet kolektive janë penguar nga mungesa e ujdisë dhe përplasja e interesave të gati 200 anëtarëve të saj. Si rregull kanë qenë shtetet e fuqishme që i kanë vënë vulën e tyre botës si në të mirë edhe në të keq.

Prandaj edhe vendi i policit të botës nuk do të mbesë bosh, megjithëse ky do të ishte një përfytyrim i dashur. Çdo lloj vakuumi mbushet, sapo krijohet. Nëse SHBA tërhiqet futen të tjerë në boshllëkun që ata lenë pas. Kjo shihet tani edhe në Siri: Rusia, Turqia, Irani do të përcaktojnë aty edhe rendin e pasluftës. Në Azi, Kina do të zgjerojë gjithnjë e më shumë influencën e saj.

Ndërsa europianët…vërtet që ata mund të kenë psherëtirë për fodullëkun e shpeshtë, nganjëherë edhe naivitetin e rolit amerikan në politikën botërore. Por perspektiva se në një të ardhme mund të kenë të bëjnë më shumë me një Kinë, Rusi, apo Turqi si polic botëror nuk do të thotë patjetër ndonjë përmirësim.

Por si qëndron puna me vetë europianët, me unitetin e tyre, me vullnetin e tyre për të qenë fuqi në rendin botëror? Policë të botës ata nuk duan të jenë. Por “më shumë përgjegjësi” flitet – e kjo është kthyer në një slogan popullor, sidomos në Gjermani, vend të cilin amerikanët prej kohësh e quajnë qelepirxhi. E rrezja e veprimit e sloganit “më shumë përgjegjësi” nuk është për këdo e qartë.

Kush do që të luajë, sikur edhe me përafërsi rolin e SHBA-së, duhet që të pranojë shpenzime të mëdha ushtarake, para që do të mungonin diku tjetër. Duhet që të jetë i gatshëm të dërgojë kudo në botë me misione ushtarët e vet dhe të pranojë viktimat e mundshme. Duhet të durojë, që në shumë pjesë të botës të ketë imazhin e armikut. Duhet të jetë po ashtu mjaft i bindur për karakterin shembullor të rendit të vet me rrezatim global dhe të përpiqet ta fusë atë në vende të tjera. Në Gjermani në fakt asnjë nga këto kushte shoqërore e politike nuk plotësohet.

BE si polic botëror? Thjesht ëndërrime

Mbetet ideja tjetër – BE-ja si e tërë ta marrë rolin që do ta lëshojnë amerikanët. Si një aleancë shtetesh demokratike me peshë ekonomike dhe ushtarake, me një masë të madhe të „pushtetit të butë”, teorikisht, BE duket si e bërë për këtë rol. Por vetëm teorikisht. Nëse kërkohet që BE të jetë një fuqi e rendit botëror, atëherë janë vetëm vende të veçanta që hidhen për ndihmë, më shpesh Britania e Madhe dhe Franca. Britania e Madhe për pak kohë nuk është më në BE. Por Franca e Gjermania janë shumë të ndryshme, për të dhënë së bashku një çift policësh, ashtu si duhet, siç u tregua edhe në misionet ushtarake në Libi apo Siri. Pra një BE 27-anëtarëshe që vendos rregull në botë është thjesht ëndërrim.

Çfarë po kristalizohet është krijimi i disa fuqive rajonale, në varësi të krizave dhe bashkëpunimit. Amerikanët nuk do të luajnë në këtë kontekst rolin kryesor, por mbeten me një rol të rëndësishëm. Europianët nga ana e tyre për një kohë të caktuar nuk kanë për të kapërcyer kontekstin e një fuqie rajonale pa vullnet të vërtetë për ndërhyrje ushtarake. E pikërisht për këtë e sepse ndajnë të njëjtat vlera – kjo harrohet për momentin shpesh – duhet që amerikanët dhe europianët të kërkojnë edhe më tej një lidhje të ngushtë për çështjet e politikës botërore. SHBA është më shumë se Donald Trump./Dw

o.j/dita

Rama uron shqiptarët për ndërrimin e viteve: Ta kaloni sa më të gëzuar (VIDEO)

Posted: 31 Dec 2018 01:02 AM PST

Kryeministri Edi Rama ka uruar gjithë shqiptaret në këtë ditë të fundit të vitit, teksa të gjithë presin mbërritjen e një viti të ri.

Me një shënim në faqen e tij në Facebook dhe një video nga festa me fëmijë që vijnë nga familje në nevojë, Rama ka uruar gjithë shqiptaret "ta kaloni sa më gëzuar sonte në familjet tuaja, ndërrimin e viteve🤗".

Mes fëmijëve dallohet dhe djali i tij, Zaho, i cili është filmuar teksa vizaton.

Mesazhi i Rames

MIRËMËNGJES 😃

dhe me këto momente të gëzuara mes fëmijësh e prindërish familjesh në nevojë së bashku me fëmijët e prindërit e skuadrës së kryeministrisë, ju uroj të gjithëve ta kaloni sa më gëzuar sonte në familjet tuaja, ndërrimin e viteve🤗

Nisin reshjet e borës, vështirësi në qarkullim në Llogara

Posted: 31 Dec 2018 12:35 AM PST

Llogaraja u përfshi nga bora gjatë natës.

Reshjet dhe temperaturat e ulta kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Rruga nacionale është e hapur dhe mjetet po qarkullojnë, por ka prezencë akulli në disa segmente.

o.j/dita 

Faturat e energjisë, Shqipëria më shtrenjtë se gjithë rajoni

Posted: 31 Dec 2018 12:27 AM PST

E keni menduar ndonjëherë se sa për qind e faturës që paguani çdo muaj për energjinë është në të vërtetë kosto reale për ta siguruar atë.

Një monitorim i sekretariatit të Komunitetin e Energjisë publikuar në 6 dhjetor tregon se sigurimi i energjisë në tregje të paktën për Shqipërinë nuk është edhe aq i thjeshtë.

Në analizë është marrë një profil konsumatori me 3500 kwh energji konsum vjetor dhe çmimet e energjisë për muajt nëntor dhjetor për të parë se cilat ishin kostot që e përbënin atë.

"Figura 9 tregon mënyrën sesi ndahet çmimi final i energjisë për familjet në kryeqytet në nëntor – dhjetor 2017 bazuar në një profil konsumi 3500 kwh në vit. Përbërja e çmimit final të energjisë elektrike tek familjarët ndryshon shumë në varësi të palëve kontraktuese. Pjesa e komponentit të energjisë në faturën finale ishte pak më shumë se 50 për qind në Kosovë dhe në Maqedoni ndërkohë që ishte më e ulëta në Serbi dhe më e larta në Shqipëri me 62 për qind. Pjesa më e madhe e komponentit të energjisë lidhet me koston e blerjes së energjisë në tregun e shumicës", thuhet në raport.

Duhet të kemi parasysh që në vitin 2017 Shqipëria pati një nga vitet më problematike për sigurimin e energjisë duke qenë se pjesa më e madhe u sigurua në import dhe kostoja e këtyre blerjeve ishte dukshëm e kripur.

Por në faturë nuk gjejmë vetëm koston e blerjes së energjisë por edhe atë të transmetimit si dhe taksa e tarifa.

"Përqindja e kostos së rrjetit në totalin e çmimit të energjisë për familjarët varionte nga 21 për qind në faturën finale në Shqipëri në 43 për qind në Serbi. Taksat dhe tarifat në faturën e energjisë variojnë mes 7 dhe 17 për qind në çmimin final të konsumatorëve duke reflektuar politika të ndryshme fiskale kombëtare.

Përqindja e pagesave për energjinë e prodhuar nga burimet e rinovueshme në çmimin final jep një indikacion për mbështetjen e prodhimit të energjisë nga të rinovueshmit deri në masën që financohet nga tarifa e energjisë elektrike. Në Shqipëri dhe në Kosovë nuk u raportua mekanizëm mbështetës për energjinë nga burimet e rinovueshme në vitin 2017. Në Bosnjë Hercegovinë dhe në Serbi mbështetja për burimet e rinovueshme zinte 1 për qind të çmimit final në faturën e konsumatorit familjar ndërsa në Mal të Zi dhe Maqedoni këto përqindje ishin 5 dhe 7 për qind respektivisht" thuhet në raport.

o.j/dita

Gjendet trupi i pajetë i peshkatarit tjetër në Pogradec

Posted: 31 Dec 2018 12:15 AM PST

Në Pogradec u gjend trupi i pajetë i peshkatarit tjetër.

Më herët operacioni për kërkimin dhe nxjerrjen e trupit të peshkatarit të mbytur dje në rezervuarin e Bradomirësu u ndërpre përkohësisht.

Kjo pasi ekipi i polumbarëve e kishte të pamundur kërkimin, për shkak të temperaturave ekstremisht të ulta të ujit të rezervuarit.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more