Skip to main content

“Rama: Alma Hicka nuk u shkarkua, u largua vet” plus 9 more - Gazeta Dita

“Rama: Alma Hicka nuk u shkarkua, u largua vet” plus 9 more - Gazeta Dita


Rama: Alma Hicka nuk u shkarkua, u largua vet

Posted: 31 Oct 2018 02:56 AM PDT

Pas publikimit të lajmit për largimin e Alma Hickës nga detyra e Avokates se Shtetit, vjen reagimi nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ka shuar zërat se bëhet fjalë për shkarkim, por sipas tij Hicka u largua nga kjo detyrë me dëshirë.

"Kazanët po ziejnë një broçkull për "shkarkimin" e Alma Hickës🤧Në fakt Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale e për gjithë keqardhjen time që e konsideroj një Avokate të shkëlqyer të Shtetit⭐Me neveri për kazanët i them Almës mos u mërzit e paç vetëm sukses👏", shkruan Rama.

o.j/dita

Spartak Ngjela: Kush i zhduku provat për Berishën

Posted: 31 Oct 2018 02:47 AM PDT

Avokati Spartak Ngjela ka qenë kryetar i komisionit hetimor për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri. Hetimi nga ky komision vazhdoi për disa muaj dhe me sa u mor vesh qysh në atë kohë, komisioni ishte i përçarë në qëndrimin se mbi kë binte përgjegjësia për tragjedinë. Ishin zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme të 29 qershorit 1997, populli kishte ndëshkuar me votë Sali Berishën dhe partinë e tij demokratike. Por kjo dukej e pamjaftueshme, pasi kërkohej më shumë: kërkohej se cilët ishin shkaktarët e tragjedisë dhe ndëshkimi i tyre. Dhe vetvetiu fajtori kryesor që tregohej me gisht ishte Sali Berisha, ish-presidenti. Prandaj dhe parlamenti i dalë nga zgjedhjet e atij viti ngriti një komision hetimor me deputetë nga të dy krahët e politikës. Mirëpo, në fund komisioni doli me dy raporte. Ai që u paraqit nga Ngjela nuk u firmos nga anëtarët e tjerë të komisionit, ndërsa në parlament u paraqit raporti tjetër i miratuar nga shumica e anëtarëve të Komisionit, që nuk u firmos nga Ngjela, i cili u lexua nga deputeti Spartak Braho. Ky raport iu paraqit Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Gjithsesi, për të qenë transparent me lexuesit tanë që kanë ndjekur ciklin e intervistave me deputetin Spartak Braho ditët e fundit për ngjarjet e vitit 1997, para pak ditësh në 'DITA' botuam edhe raportin e Ngjelës, një raport i panjohur deri më tani për publikun e gjerë. Në atë raport, Ngjela arrinte në konkluzionin se "E gjithë klasa politike shqiptare në të dy krahët e saj, pozitë, opozitë duhet të marrin me vete përgjegjësi për atë çka ndodhi tragjikisht me shtetin dhe popullin shqiptar. Por veçanërisht përgjegjësi të rëndë në planin moral dhe historik duhet të mbajnë ato forca politike dhe ata drejtues që përbënin pozitën e që drejtuan shtetin dhe kombin shqiptar gjatë periudhës '96-'97. Për shkaqet dhe faktorët që analizuam më sipër mbështetur në dokumente, dëshmi e fakte të shumta pozita, forcat politike, dhe shtetarët që drejtuan shtetin gjatë periudhës '92-'97 mbajnë përgjegjësi kryesore për shkatërrimin e shtetit shqiptar, të inkompetencës së strukturave të tij si ushtria, policia, SHIK-u për humbjet e pallogaritshme ekonomike e për mijëra viktima të vrarë të plagosur e të humbur në formën e gjenocidit si rezultat i përdorimit të dhunës kundër një pjese të popullsisë së vendit. Në këtë kontekst veçohet edhe përgjegjësia direkte individuale, morale e ligjore e drejtuesve kryesorë të shtetit e institucioneve të tij ku më evidente Komisioni çmon se përpara kësaj përgjegjësia duhet të dalin ish Presidenti Sali Berisha, ish Kryetari i SHIK-ut Bashkim Gazidede, ish Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Adem Çobani, ish Ministri i Brendshëm Halit Shamata, Agim Shehu, Leonard Demi, Xhait Xhaferi, Shaban Memia e të tjerë, të cilët në bazë të nenit të ligjit nr 8251 të kalohen për hetim në organet e Prokurorisë."

Duket sikur ka një kontradiktë në këtë pohim të Ngjelës? Sepse, në të vërtetë, ky konkluzion i raportit Ngjela nuk ndryshon shumë nga ai që ka arritur edhe raporti tjetër që mbajti Spartak Braho dhe që njihet si raporti zyrtar i Parlamentit.

Nuk e kam mbrojtur unë Sali Berishën! Nuk gjetëm prova për ndjekjen penale të Sali Berishës, thotë Ngjela në këtë intervistë për DITA-n, duke lënë të nënkuptohet se dikush i ka fshehur provat. Kush i zhduku provat? Kjo mendoj se është një çështje tjetër që meriton një hetim të veçantë, nëse do të rihapet ndonjëherë historia e 97-s. Ngjela është një jurist i njohur, mbi të gjitha ka qenë Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (i demokratëve natyrisht) që drejtohej nga Bashkim Fino në vitin 1997. Kush i përjashtoi nga ndëshkimi autorët e 97-s? Vendimi u mor nga ajo qeveri. Nuk e kam pyetur Ngjelën për këtë çështje.

Dokumentet janë histori. Por jo gjithçka. Sidomos kur historitë janë të freskëta dhe dëshmitarët janë gjallë. De jure autorët e tragjedisë së 97-s mund t'i shpëtojnë ndëshkimit gjyqësor. Por ndëshkimi de fakto, është i pamëshirshëm, është më i vërtetë se ai që na thonë raportet gjyqësore. Sepse është raport i popullit që nuk harron dhe e ka vuajtur tragjedinë si rrallëkush.

Por, duke folur për atë periudhë dhe për shkaktarët e tragjedisë, Ngjela flet si njeri i Drejtësisë. Ai e di mirë se nuk ka faj pa fajtorë, nuk ka tragjedi pa shkaktarë, nuk ka krim pa kriminelë. Por Ngjela thotë se nuk gjetëm prova. Edhe Braho e pohon këtë, por mendoj se si Ngjela, ashtu dhe Braho e kanë të qartë se as Gazidedja, as Agim Shehu apo të gjithë ata që u bënë protagonistë të tragjedisë së 97-s nuk bënin dot me kokën e tyre, pra pa pasur një urdhër nga lart. Kush i ka dhënë ato urdhra dhe pse janë fshehur? Këtë e përforcon fakti se hetimet nga drejtësia u ndërprenë dhe sot pas më shumë se 20 vjetësh nuk ka asnjë të ndëshkuar për atë tragjedi kombëtare që kemi përjetuar.

Deputeti dhe avokati Braho tha pardje në DITA për këtë çështje: "Më përpara duhet të pyesim se pse u mbyll ajo dosje krimesh nga më të mëdhatë që kemi njohur dhe kush ishte i interesuar që ta mbyllte atë histori? Fatkeqësisht, mazhoranca e majtë që erdhi në pushtet në fund të qershorit 1997, bëri sikur e dëgjoi raportin që përgatitëm ne, por në të vërtetë, pavarësisht se ky raport u dorëzua në Prokurori, nuk u ndërmor asnjë hap. Edhe sot e kësaj dite. A ka mundësi të hapet ajo dosje? Pa diskutim. Ne flasim për reformë në drejtësi, por më përpara është klasa politike. A është e interesuar ajo të gjykohet 97-a dhe të ndëshkohen fajtorët? Unë them me përgjegjësi të plotë se po të ketë vullnet klasa politike, dosja hapet. Dhe do të kemi befasia të mëdha. Por, le të presim…"

Kjo duket se e ka shqetësuar Berishën, njeriun më të përfolur si përgjegjës për tragjedinë e 97-s, i cili e ka sulmuar Baba Takun në postimet e tij në Fejsbuk ditët e fundit. Domethënë se i ka lexuar me vëmendje intervistat dhe faktet që jep Braho në serinë prej 17 pjesësh që ka dhënë deri tani për ngjarjet e 97-s. Berisha nuk merret me 97-n, por me zhvillimet e fundit, me Vangjush Dakon, Fatmir Xhafën dhe si "padashje" përmend Baba Takun. Që ta implikojë Baba Takon me aferat e tanishme, por pa dhënë asnjë shpjegim për 97-n dhe 98-n ku ai akuzohet drejtpërdrejt si përgjegjës.

Por historia nuk ka mbaruar këtu. Baba Taku ka fakte të tjera, sidomos për grushtin e shtetit në shtator 1998. Dhe ai do të vazhdojë të flasë…

Mirëpo, çfarë mendon avokat Ngjela tani, pas njëzet vjetësh për atë raport dhe mbi të gjitha për përgjegjësit e tragjedisë së 97-s? Pse ai vazhdon të mendojë se për Berishën nuk u gjetën prova për ta dënuar dhe pse e konsideron tragjedinë një përgjegjësi kolektive të klasës politike shqiptare. Si një avokat i njohur dhe që i njeh mirë ligjet e shtetit, Ngjela argumenton dhe është konsekuent në qëndrimet që ka mbajtur në atë kohë dhe që vazhdon t'i ketë të pandryshueshme.

Intervistoi dhe përgatiti botim Xhevdet Shehu

 

Ngjela: Ka prova për përgjegjësi kolektive, jo personale

– Zoti Ngjela, sapo lexova raportin tuaj në emër të komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e vitit 1997, një raport që tashmë e kemi botuar edhe në DITA për herë të parë. Mendoni se jeni shprehur maksimalisht saktë mbi të vërtetën e asaj tragjedie?

– Po. Mendoj që jam përgjigjur saktë sepse kam dhënë arsyen juridike të autoritarizmit shqiptar dhe e kam përcaktuar qartë si autoritarizëm të Sali Berishës. Ky autoritarizëm vinte nga defekti i madh i Kushtetutës  së atëhershme. Sipas asaj nëse krijohej një maxhorancë parlamentare e gjithë struktura shtetërore: edhe prokuroria, edhe gjykata dilnin tërësisht prej saj. Por nëse pastaj kjo maxhorancë vihej në dorë nga autoriteti i një personi atëherë ky person drejtonte gjithçka.

Plus kësaj raporti im e ka shprehur të gjithë hullinë sesi duhej të ecte hetimi për të krijuar goditjen penale ndaj abuzimit shtetëror.

Spartak Ngjela

– A ju duket normale që për atë tragjedi nuk u dënua askush?

– Hetimi parlamentar nuk ka të drejtën e dënimit. Ka vetëm hetimin në funksion të gjetjes së shkaqeve të përgjithshme. Hetimi parlamentar nuk është hetim individual kur është fjala për ngjarje ose fenomene, sepse analizon fenomenin të bazuar në fakte.

Unë nuk kam qenë dakord që të kërkonim fillimin e një procesi penal për Presidentin e atëhershëm të Republikës, sepse hetova vetë të gjithë korpusin dokumentar dhe nuk i gjeta asnjë shkelje. Të gjithë pretendonin se kishin marrë urdhra me gojë, por unë isha profesionist, nuk mund të vija me shkrim arbitrarizmin. Çdo të thotë kam marrë urdhër me gojë për të shkel ligjin, e kuptoni që është non sens?

Përsa i përket personave të tjerë që kishin marrë pjesë në ngjarje, natyrisht që kishin prova, ata shkuan në hetim, por prokuroria e degradoi çështjen, edhe pse përdori arreste. Por kjo nuk ka qenë detyrë e Komisionit të Hetimit Parlamentar.

Për t'iu provuar ato që ju thashë më lart, po ju jap një shembull: pretendohej se një pilot kishte marrë urdhër për të përdorur armë kimike kundër demonstruesve, në një apo dy qytete. Unë pyeta: a u hodhën bombat kimike? Jo, qe përgjigjja. Unë vazhdova të pyesja: a i morën në avion bombat kimike? Jo. A e keni urdhërin me shkrim nga Presidenti i atëhershëm, përgjigjja ishte jo. Atëherë unë duhej ta merrja si provë këtë fakt? Dhe ju mendoni se unë kam dashur të mbroj Sali Berishën? Jo zotërinj, kam mbrojtur veten time përpara historisë, sepse nuk ishte njeri i zakonshëm, por ishte Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë.

– Avokat, kanë kaluar më shumë se 20 vjet. A është e mundur të rihapet dosja e atij viti?

– Duhet të jemi të qartë që nuk duhet të ngatërrojmë përgjegjësinë politike nga përgjegjësia penale. Përgjegjësi politike për ato ngjarje kanë shumë persona duke nisur që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri e deri te Ministri i Brendshëm apo Shefi i Shërbimit Sekret.

Ka momente të caktuara kur presioni i madh që vjen nga populli krijon humbjen e ekuilibrit të një qeverie. Në momentet e humbjes së ekuilibrit thellohet kriza dhe përgjegjësia mbetet gjithmonë politike. Një Komision Hetimi Parlamentar i jep drejtimet e shkaqeve të krizës; dhe, nëse në këto përplasje shoqërore midis shtetit dhe shoqërisë vijnë dhe përcaktohen ose provohen krime individuale ato duhen goditur. Hetimi që iu bë më vonë kësaj çështje nga prokuroria e atëhershme ishte i çalë, joprofesional sepse praktika gjyqësore nuk kishte eksperiencë në një çështje të tillë.

Pyetja juaj është a mund të hapen, çelen apo riçelen tani hetimet. Hetimet mund të riçelen, por prova për përgjegjësitë personale nuk mendoj se mund të gjendet. Në ato ngjarje ka pasur defekte në drejtim edhe nga Presidenti edhe nga Parlamenti. Kjo prandaj quhet përgjegjësi politike, sepse është kolektive. Ishte i pari Napolon Bonaparti që me ndihmën e juristëve të mëdhenj francezë deklaroi që për shkelje kolektive nuk mund të ketë përgjegjësi personale. Ngjarjet e 97-s  janë përgjegjësi kolektive, sepse gjen shkelje kolektive të përqendruara, madje në parlament.

Cila mund të ishte përgjegjësia e madhe politike e qeverisjes së asaj kohe? Lejimi me naivitet mbi funksionimin e firmave rentiere që u quajtën piramida. Unë e hetova personalisht nëse qeveria Meksi kishte apo nuk kishte gisht në krijimin e firmave piramidale, dhe nuk u gjet asnjë dokument. Ekzistenca e firmave dhe lejimi i tyre që të pushtonin tregun është gabim i rëndë politik i qeverisë Meksi dhe i Presidentit Berisha.

Duhet të kemi parasysh një gjë, që krimet shtetërore janë gjithmonë me dashje dhe me qëllim të përcaktuar. E kuptoni sa e vështirë është për t'u provuar?

– Ju në raport drejtoni gishtin te disa persona si përgjegjës të asaj që ndodhi. Një ndër ta, është Sali Berisha. A duhet të përgjigjet ai penalisht për 97-n?

– E shpjegova më lart, në raport midis përgjegjësisë politike dhe përgjegjësisë penale. Zotërinj, përgjegjësia penale kërkon prova dhe kur është fjala për Presidentin duhen prova me shkresë. Në momentet që kemi hetuar ne si komision nuk kishte prova me shkresë, në qoftë se i kanë gjetur le t'i paraqesin.

– Ju jeni ndër njerëzit më optimistë që kam parë për reformën në drejtësi që po bëhet. A vazhdon optimizmi juaj?

– Po vazhdon, dhe reforma në drejtësi është në progres. Ajo do të jetë shpërthimi i shqiptarëve, sepse të gjithë krizat tona edhe kriza e vitit 1997, edhe kriza aktuale e korrupsionit janë pasoja direkte të mungesës së pushtetit gjyqësor. Fakti që e gjithë kjo reformë e re shqiptare synon të rikonstruktojë në mënyrë moderne perëndimore drejtësinë shqiptare na jep të drejtën të shpresojnë se edhe në Shqipëri do të funksionojë shteti modern.

 

Largohet nga detyra Avokatja e Shtetit, kush e zëvendëson

Posted: 31 Oct 2018 02:31 AM PDT

Është larguar nga detyra e Avokates së Shtetit, Alma Hiçka. Në vend të Hiçkës, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni ka propozuar Artur Metani, i cili është emëruar nga Rama tashmë si zëvendësues i Hiçkës.

Hiçka u emërua në këtë post nga Kryeministri Edi Rama, në 5 nëntor të vitit 2013.

Hiçka ka përfaqësuar interesat e qeverisë shqiptare në disa gjyqe ndërkombëtare, ndërkohë që opozita e ka atakuar disa herë figurën e saj, si në konflikt interesi, pasi sipas PD, bashkëshorti i saj ishte avokat i CEZ, ndërkohë që Hiçka përfaqësonte qeverinë shqiptare në këtë gjyq.

Pasardhësi i saj në këtë detyrë, Artur Metani, është me profesion jurist. Metani ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit Edi Rama për sigurinë. Metani u përfol në media edhe si drejtor i Byrosë së Hetimit.

Në vitet 2004-2012, Metani ka qenë këshilltar i presidentit Alfred Moisiu dhe Bamir Topi për çështjet e drejtësisë.

o.j/dita

Udhëzuesi/ Si duhet të vishen deputetët, ndalohen atletet e minifundi

Posted: 31 Oct 2018 02:15 AM PDT

Byroja e Kuvendit ka miratuar më në fund udhëzuesin e detajuar për zbatimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve, i cili është kërkuar me këmbëngulje nga organizmat e Bashkimit Evropian prej më shumë se katër vitesh.

Udhëzuesi parashikon një tërësi më të detajuar rregullash dhe parimesh për sjelljen e deputetëve, ndërsa synon plotësojë me interpretim, shpjegim ose me rregulla procedurale, Kodin Sjelljes së Deputetëve. Udhëzuesi i kushton një rëndësi të veçantë stilit të veshjes së deputetëve dhe sjelljes së ligjvënësve në jetën private.

Udhëzuesi parashikon disa vija të kuqe sa i takon veshjes së deputetëve. Në udhëzues janë marrë dy modele, që duhet të respektohen nga meshkujt. Modeli i parë për meshkujt parashikon këmishë me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata serioze/jo të rastit / të shkujdesura (casual).

Gjithashtu rekomandohet të vendosin një kravatë, e cila duhet të jetë e lidhur mirë. Modeli nuk parashikon atlete, por vetëm këpucë serioze. Meshkujt duhet të shmangin aksesorët dhe stampat e dukshme, duhet të jenë gjithmonë të rruar ose në çdo rast me mjekër dhe flokë të kuruar e të rregullt.

Modeli i dytë i përket Kombeve të Bashkuara, i cili parashikon kollare dhe një këmishë serioze, zyrtare. Xhaketat janë të rekomandueshme, por nuk kërkohen. Pantallonat duhet të jenë zyrtare dhe të vishen me këmishë. Xhinset ose pantallonat e shkurtra nuk janë të duhurat dhe janë të papranueshme. Këpucët duhet të jenë zyrtare dhe të përshtatshme për eventin.

Femrat nuk duhet të veshin fundet e shkurtra, dekoltetë, veshjet pa mëngë, materialet sportive ose ekstravagante (xhinse, lëkura) ose ngjyrat e forta; këpucë zyrtare të mbyllura para dhe të shmangin takat e larta (mbi 7 cm), platformat, si dhe ngjyrat e forta; nëse duhet të përdorin bizhuteri, ato duhet të jenë fine dhe elegante; të shmangin tualetin e tepruar (të përdorin ngjyra të lehta) dhe parfumin e tepruar; të shmangin aksesorët e mëdhenj dhe me ngjyrë të fortë; të shmangin lyerjen e thonjve, prerjen e flokëve dhe përdorimin e ngjyrave, në mënyrë ekstravagante.

Modeli i OKB që duhet të respektojnë deputetet e shqiptare parashikon një bluzë e këndshme, por dekolteja nuk duhet të jetë e dukshme. Për ta bërë veshjen të duket akoma më mirë, xhaketa do të ishte perfekt. Të gjitha femrat duhet të veshin pantallona, gjatësia e të cilave të jetë poshtë gjurit.

Nëse vishet fustan, ai duhet të jetë serioz, zyrtar, i përshtatshëm për eventin dhe jo fustan mbrëmje. Fustani nuk duhet të jetë i hapur sa të arrijë skajet e shpatullave. Gjatësia e fustanit duhet të jetë deri poshtë gjurit. Duhet mbajtur parasysh tё mos jetë i ngushtë, me përjashtim të pjesës së belit. I njëjti rregull aplikohet dhe për fundet. Nëse femrat dëshirojnë të veshin funde, gjatësia e tyre duhet të jetë deri poshtë gjurit. Po ashtu kërkohen dhe këpucë serioze. Fundet sportive dhe shapkat e plazhit nuk lejohen. Rregulli i prerë është jo dekolte të tepruar, jo shpatulla jashtë dhe jo gjunjë të zbuluar!

Udhëzuesi parashikon që drejtuesi i mbledhjes, seancës etj., nëse konstaton se deputeti ka veshje të papërshtatshme, e nxjerrë jashtë deputetin për të përshtatur veshjen./Marrë me shkurtime nga shqiptarja.com

 

o.j/dita

65 vjeçarja vdes në llixhat e Elbasanit, burri pëson gjendje shoku

Posted: 31 Oct 2018 02:05 AM PDT

I hidhur ka rezultuar fati i një qytetareje nga Kosova, e cila ka ndërruar jetë në llixhat e Elbasanit.

Mësohet se e moshuara është gjetur e pajetë nga bashkëshorti i saj, i cili ka pësuar gjendje shoku pas skenës së rëndë.

Pasi kishte bërë një shëtitje jashtë, burri ishte rikthyer në hotel, ndërsa pasi gruaja e tij nuk i përgjigjej u detyrua që të shkelmonte derën.

Çifti i të moshuarve nga Kosova kishin ardhur para disa ditësh për kurim 10 ditor në Banjat Termale të Llixhave të Treganit në Elbasan. Deri më tani nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar vdekjen e 65-vjeçares.

Pas ngjarjes, shtetasi kosovar u dërgua me urgjencë në Qendrën Spitalore Tiranë, ndërsa trupi i të ndjerës në Morgun e Qendrës Spitalore Elbasan.

Ndërkaq kanë filluar hetimet për zbardhjen e rrethanave te vdekjes se kosovares se moshuar.

o.j/dita

Vettingu/ Sot seanca dëgjimore për ndihmësin ligjor në Gjykatën Administrative, Artor Ylli

Posted: 31 Oct 2018 01:59 AM PDT

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë ditën e sotme në orën 10:00 seancën dëgjimore të Artor Yllit, ndihmës ligjor në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë Tiranë.

Trupa gjykuese që do të verifikojë ligjshmërinë e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësisë profesionale përbëhet nga: Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Brunilda Bekteshi.

o.j/dita

Ikona e filmit italian, Remo Girone: Tani Tirana ngjason me cilindo qytet të Italisë

Posted: 31 Oct 2018 01:42 AM PDT

Si Tano Cariddi e njohim ne, Italia dhe çdo vend që ka ndjekur serialin "Oktapodi", aktorin Remo Girone, i cili ditët e fundit ndodhet në Shqipëri.

Aktori po xhiron për filmin e ri të regjisorit Namik Ajazi dhe është në rolin e ambasadorit italian.

Duke vlerësuar ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti këto kohë, Girone e krahason Tiranën me cilindo qytet Italian, ndërsa kujton takimin e veçantë me kryebashkiakun Veliaj, të cilin e cilëson si një njeri të jashtëzakonshëm e me ide tepër të qarta.

"Tani Tirana ngjason me cilindo qytet italian. Kam pasur mundësinë të dal. Kam shkuar në disa restorante të mira. Kam parë pallatet e reja që po ndërtohen, stadiumin. Takova kryetarin e bashkisë, një njeri i jashtëzakonshëm. Biseduam dhe mendoj që është njeri me ide tepër të qarta. Këtu punojnë shumë arkitektë italianë që po ndryshojnë Tiranën, po bëjnë gjëra të reja, pa ndryshuar totalisht të vjetrën e për ta vënë në shërbim të ndërtimit të së ardhmes", tha Remo Girone.

 

o.j/dita

Në Dropull me Viktor Majerin, 36 vjet më parë

Posted: 31 Oct 2018 01:39 AM PDT

Nga Ymer Minxhozi

Në vitin 1982 erdhi për një vizitë në Shqipëri gazetari i njohur gjerman Viktor Majer. Korrespondent i gazetës së madhe Frankfurter Algemeine Zeitung, Majeri shihet si një nga njohësit më të mirë të vendeve të Ballkanit në kohën kur shërbeu si i dërguar i shtypit gjerman në disa vende të rajonit tonë.

Pas vizitës së tij në Shqipëri, ku Majer pati mundësinë të udhëtojë në të gjithë vendin, dhe ku unë isha shoqëruesi i tij për palën shqiptare, vendosa të hedh disa kujtime rreth përshtypjeve të tij gjatë atyre javëve. Këto kujtime të hollësishme janë botuar në librin tim "Ditar në tre kontinente".

Incidenti i ditëve të fundit në Dropull, ku mbeti i vrarë një person i kombësisë greke, më solli në mendje vizitën e gazetarit gjerman në fshatrat e minoritetit. Është me interes të lexohet se cilat kanë qenë përshtypjet e këtij gazetari të njohur nga ajo vizitë, i cili pati shërbyer për disa vite si i dërguar i shtypit gjerman në Athinë.

***

Viktor Majer

Gazetari gjerman kishte dëshirë të veçantë të shkonte në zonën e minoritetit grek. Ai kish qëndruar dy vjet në Greqi, si korrespondent i gazetës së tij dhe fliste greqisht. Prandaj në Dropull ai pati mundësinë të bisedonte me njerëzit, pa praninë tonë. Gjithë paraditen bëri takime të shumta me njerëz në rrugë, në dyqane, në shkolla dhe në administratën lokale, me drejtues kooperativash, hyri në shtëpitë e dropullitëve.

(Për Dropullin edhe unë ruaja kujtimet e mia të tridhjetë vjetëve më parë, kur kisha qenë në vitin 1952 me një ekip të rinjsh nga Tirana, për të ndihmuar në radiofikimin e shtëpive dropullite. Në atë kohë në fshatrat tona në Veri akoma s'kishte hyrë radioja. Madje unë s'kisha radio as në shtëpinë time në Tiranë. Kur ia tregova këtë Pano Çukos, shkrimtar në minoritetin grek, atij ju duk një detaj interesant dhe tha se do ta përdorte diku në shkrimet e tij. Panoja më tregoi pastaj se vetëm në fshatin Derviçan, në vitet tetëdhjetë, kishte shtatëdhjetë kuadro me arsim të lartë).

Në fshatin Vrisera qëndruam për drekë me Majerin. Aty takuam drejtuesit e fshatit: Kryetarin e kooperativës Bujqësore, përgjegjësin e Shtëpisë së Kulturës, sekretarin e Organizatës së Rinisë e shumë kooperativistë. Midis të tjerëve, na u prezantua edhe djali i ish-priftit të fshatit, i cili merrej me veprimtaritë e Shtëpisë së Kulturës. Në shtëpinë e një fshatari kishin shtruar drekën për mysafirin: mish të pjekur, raki, verë, mjaltë me hoje… Biseda qe shumë e përzemërt, meqë komunikimi bëhej drejtpërdrejt, pa ndërmjetësinë e përkthyesit. Ne mësonim se çfarë thuhej, vetëm nga ato çka na përkthente Pano Çuka.

Gjatë shoqërimit të gazetarëve të huaj, apo bisedat me ta, kurrë nuk i kam pyetur mysafirët për përshtypjet e tyre pas takimeve me persona, apo pas vizitave në objekte të ndryshme. Të pyesësh të ftuarin se çfarë mendon ti për mua, është mënyra me e pasjellshme për ta vënë atë në pozitë të vështirë. Aq më tepër një gazetar, i cili përshtypjet e veta do t'i botojë më vonë në gazetë dhe prandaj nuk dëshiron t'ia lidhë duart vetes.

Kështu veprova edhe me Viktor Majerin, pas vizitës në Dropull. As gjatë rrugës, as gjatë drekës nuk e pyeta se cilat ishin përshtypjet e tij. Në qoftë se ai e shihte të arsyeshme të na i thoshte mbresat e tij, le të na i thoshte vetë. Dhe ashtu ndodhi. Gjatë drejës në hotel, në Gjirokastër, ndërsa po na sillnin kafenë, Majeri, me atë qetësinë dhe avashllëkun e tij karakteristik, m'u drejtua e më tha:

– Vizita e sotme në minoritet qe e rëndësishme për mua. Sot pata mundësinë të verifikoj disa mendime të miat, që nga koha kur kam punuar në Greqi si gazetar. Unë jam simpatizant i Greqisë: si vend ka histori interesante dhe ka bërë përparime të mëdha në vitet e pasluftës… Por kur isha atje, gazetat greke e paraqisnin minoritetin grek në Shqipëri me shumë peshë, por edhe me shqetësime, ndërsa sot pashë se ky minoritet qenka fare i vogël, në krahasim me atë çka shkruhet atje dhe mua më duket se ai nuk luan ndonjë rol në kulturën dhe historinë greke. Nga vetë minoritarët nuk m'u shpreh asnjë mendim dhe asnjë shenjë pakënaqësie, qoftë dhe indirekt, ata më thanë se janë të kënaqur. Mesa duket në Athinë ka shumë dizinformues në këtë drejtim. Gjatë dy vjetëve si gazetar në Greqi, më ka qëlluar të vizitoj disa fshatra me shqiptarë, madje edhe në afërsi të Athinës dhe shpesh kam ngrënë drekë atje. Atje shkonim për të ngrënë më shumë pula fushe. Pse nuk kërkoni që qeveria greke të njohë edhe minoritetin shqiptar në Greqi?

Ymer Minxhozi

Në vazhdim të bisedës unë i thashë Majerit se grekët vuajnë nga një sëmundje e vjetër: ata ngatërrojnë fenë me kombësinë. Shpeshherë ata i quajnë grekë të gjithë ortodoksët. Në qoftë se do t'i ndanim shqiptarët sipas përkatësisë fetare, atëhere pjesën më të madhe të Shqipërisë do ta merrnin turqit, një pjesë grekët dhe atë që mbetet italianët!

– Në qoftë se do të veprohet sipas kësaj logjike, kjo nuk do të ndodhte vetëm me shqiptarët, tha Majeri.

– Sidoqoftë italianët nuk vuajnë nga kjo sëmundje, të paktën nuk e thonë një gjë të tillë, vazhdova unë, ndërsa grekët nuk janë shëruar ende nga kjo sëmundje.

– Ju doni të thoni se ata janë më shumë ballkanas? – vërejti Majeri.

– Mua më duket se kjo është diçka më shumë se ballkanase. Atyre ju duket se kudo ka ortodoksë, ka Greqi. Mirëpo ortodoksë nuk ka vetëm në Shqipëri. Me këtë logjikë Greqia do të bëhej Perandori Lindore!

– Kjo është absurde ta mendosh, – tha ai. Ju me siguri keni vënë re se gjatë rrugës unë shpesh kam pyetur se cilës fe i kanë takuar banorët e këtij apo atij fshati, por këtë e kam bërë vetëm për të parë se sa ka influencuar besimi fetar në mënyrën e jetesës tek njerëzit, në urbanistikë, në arkitekturë, por jo se unë jam vetë fetar. Ju keni arsye të shqetësoheni për sigurimin e Shqipërisë, aq më tepër sepse bëhet shumë propagandë tensionuese.

Pritej të vinte më 1 nëntor në Shqipëri, Kryeministri izraelit shtyn vizitën

Posted: 31 Oct 2018 01:25 AM PDT

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka shtyrë vizitën që do të bënte më datë 1 nëntor në Shqipëri, pasi këtë të martë vdiq në Izrael Ministri i Shërbimeve Fetare, David Azoulay.

Sipas mediave të huaja, 64-vjeçari vdiq pas një sëmundjeje që ai e kishte luftuar për shumë muaj me radhë. Ministri i Shërbimeve Fetare pritet të varroset në orën 23:00.

Mediat izraelite shkruanin pak kohë më parë se kryeministri Netanjahu do të vizitojë në nëntor “një vend me shumicë myslimane dhe me lidhje historike miqësore me Izraelin.”

o.j/dita

Lezhë, makina përplas biçikletën, vdes 78-vjeçari

Posted: 31 Oct 2018 01:22 AM PDT

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e sotëm në superstradën Lezhë-Laç, ku një kamion ka përplasur një biçikletë.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur kryqëzimi i Rriles, ku drejtuesi biçikletës ka mbetur i vdekur në vend. Viktima është Zef Mullishi, 78-vjeç, nga Rrila.

Ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila ka ndaluar shoferin e kamionit, Xh.D., 50 vjeç, banues në Lushnjë ndërsa grupi hetimor ka filluar punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more