Skip to main content

“Vodhi 230 mln euro në “Rrugën e Kombit”, thotë që do e ribënte edhe 1000 herë (!)” plus 9 more - Gazeta Dita

“Vodhi 230 mln euro në “Rrugën e Kombit”, thotë që do e ribënte edhe 1000 herë (!)” plus 9 more - Gazeta Dita


Vodhi 230 mln euro në “Rrugën e Kombit”, thotë që do e ribënte edhe 1000 herë (!)

Posted: 31 Mar 2018 02:11 AM PDT

Kryeopozitari Lulzim Basha akuzoi qeverinë në seancën e fundit parlamentare se po i detyron qytetarët të paguajnë taksa të larta, një prej të cilave është për kalimin në Rrugën e Kombit.

Kryedemokrati, përveçse nuk është në performancë të mirë matematikore, (sepse "dihet" tanimë që 7×7= 42) por me të njëjtën formulë  përpiqet paturpësisht t’i mashtrojë për së dyti shqiptarët.

Njëherë i mashtroi me shifrat marramendëse me të cilat u realizua kjo rrugë, duke mosdeklaruar vlerën reale të investimeve dhe së dyti përpiqet t’i mashtrojë duke luajtur me kartën nacionaliste të atdhedashurisë.

"Vjedhja e Shekullit"

Shpërdorimet e abuzimet janë bërë edhe duke operuar me tarifat aspak të barabarta, me të cilat janë ndërtuar kilometrat e kësaj rrugë, ku një kilometër kushtonte afërsisht 22 milionë euro, ndërsa një kilometër tjetër i ngjashëm me të kushtoi 4-6 milionë euro.

Dosja e plotë për përllogaritjen ka qenë në KLSH, i cili e kishte bërë publik auditin e tij, duke deklaruar se nga këto diferenca, pa hyrë në detajet e gjetjes së volumit të punës, gjerësisë së rrugës, vendosjen e mbrojtëseve anash rrugës, mbi 230 milionë euro ishin marrë në mënyrë abuzive nga taksat e qytetarëve shqiptarë, destinacioni i të cilave nuk dihej.

Manovrat për t'i shpëtuar gjykimit

Kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, çonte raportet mjekësore në prokurori, duke u shtirur si i sëmurë, për të shtyrë dëshminë dhe rikthimin e dosjes në gjykatë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, ja se si Basha nuk pranonte të njihej me dosjen e skandalit

"Lidhur me zbatimin e detyrimit, që rrjedh nga përmbajtja e pikës 2 të nenit 327 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit, prokurori para se të vendosë dërgimin e çështjes në gjykatë, duhet të sigurohet që i pandehuri ose mbrojtësi i tij janë njohur me aktet e fashikullit të procedimit penal, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme parashtruan se:

Për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësit të personit nën hetim Lulzim BASHA, më 05.12.2008 nëpërmjet korierit të Prokurorisë së Përgjithshme, tetë volumet e akteve të procedimit penal në ngarkim të tij u dërguan në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, prej nga, brenda ditës, u kthyen mbrapsht, duke u lënë tek dezhurni i Prokurorisë së Përgjithshme…"

Pasi ka marrë dy herë rradhazi shuplaka të rënda nga Shqiptarët, në zgjedhjet lokale 2015 dhe së fundmi ato Parlamentare të qershorit 2017, Basha përpiqet t’i imponohet popullit me forcë e mashtrime, duke u hequr si lider i pastër, e që frymëzohet nga e drejta dhe demokracia.

Mirëpo në rrjetet sociale është postuar së fundmi një video në të cilën qytetarët e akuzojnë Bashën si hajdut duke i renditur atij në mënyrë telegrafike të gjitha abuzimet që ka bërë me rrugët.

Pyetja që i parashtrojnë qytetarët "atdhetarit" Basha është kjo:

"Çfarë do bëje edhe 1000 herë të tjera Lulzim"?/Marrë nga Lexo.al

Protesta në Rrugën e Kombit, protestuesit qëllojnë me gurë policinë

Posted: 31 Mar 2018 02:01 AM PDT

Pranë tunelit të Kalimashit ka nisur protesta kundër vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit.

Mësohet se situata është tensionuar menjëherë dhe protestuesit janë përplasur me forcat e policisë.

Protestuesit kanë qëlluar me gurë në drejtim të sporteleve duke thyer xhamat, ndërsa policia i ka penguar duke u përplasur.

Situata për disa momente ka dalë jashtë kontrollit.

Organizatorët kanë marrë leje dy orë për të zhvilluar protestën, por ata deklarojnë se nuk do të largohen nga rruga derisa të anulohet vendimi për të paguar taksën.

o.j/dita

 

Aksident në minierë, plagoset rëndë një minator

Posted: 31 Mar 2018 01:56 AM PDT

Një minator ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti në nivelin e 16 të minierës në Bulqizë.

Aksidenti ka ardhur si pasojë e shembjes së mineralit të kromit, duke e zënë poshtë minatorin.

Burime nga spitali bëjnë me dije se minatori ka marrë plagë të rënda në trup, kryesisht te këmbët.

o.j/dita

Raport i CIA-s për kampin e internimit të Tepelenës

Posted: 31 Mar 2018 01:51 AM PDT

Historiani i njohur Pëllumb Xhufi ka sjellë dy netë më parë në emisionin "Arena" në Ora News një dokument të CIA-s në lidhje me kampin e Tepelenës.

Dokumenti i cili është hartuar në tetorin e vitit 1951 flet për kampin e Tepelenës dhe përditshmërinë e asaj kohe aty.

Xhufi në emisionin "Arena" ka kundërshtuar idenë që ai kamp të etiketohet si kampi i vrasjeve në masë, pasi sipas tij në Shqipëri ka pasur kampe edhe më të këqija, dhe dokumentet e CIA-s thonë se kampi i Tepelenës është një kamp jo i keq.

"Këta që e kanë promovuar çështjen e këtij kampi ku është angazhuar edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tepelenës, e kanë quajtur Aushvici shqiptar, kampi i shfarosjes në masë. Po ta dëgjojnë lobet çifute do të tmerrohen sepse është një banalizim. Unë kam pasur rastin të shoh dokumentet e CIA-s për këtë kamp që ishin informuar nga njerëz nga brenda. Ata thonë që këta janë familjet e njerëzve të arratisur të sponsorizuar nga Jugosllavia.",- tha Xhufi.

Shqipëria ka pasur kampe edhe me te këqija dhe represive si ai i Spaçit apo Burrelit, shtoi Xhufi, dhe Tepelena nuk ka qene përfaqësuese. Por kjo është një fushate qe ka për qellim te demonizojë krahinën e Labërisë sikur është ajo fajtore për vendosjen e komunizmit dhe pasojat e tij, ndërkohë qe është nga krahinat me patriotike por edhe te lënë pas dore nga regjimi i shkuar dhe i tanishëm.

Ja raporti i plotë i CIA-s, i sjell nga Dritare.net

Raport i mbajtur nga CIA në Tetor të 1951 mbi: aktivitetet e rezistencës në Shqipëri

Aktivitetin e refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi

Shqiptarët në Jugosllavi kanë marrë kohët e fundit po marrin informacion mbi atë që po ndodh më të afërmit e tyre në Shqipëri. Nga personat që dihet se kanë vdekur janë Shpend Sadiku dhe Nik Dedija, të vrarë afër Grizhës në zonën e Krasniqit dhe Prend Koqiani i vrarë vonë në vitin 1951 në Raje, në zonën e Nik- Mërturaj.

Si rrjedhojë e persekutimit të qeverisë, shumë persona nga zona e Bajrak në Lesh dhe në zonën e Mirditës kanë duan të largohen nëpër male.

Dedë Gjonmarkaj, djali i Gjon Markagjoni, është strehuar në malet e Mirditës pasi u lirua nga burgu. Kur u la i lirë pasi plotësoi kohën e dënimit, mësoi se donin ta burgosnin sërish për këtë arsye la Tiranën për tu strehuar në zonat veriore. Ekzistojnë zëra se ai ka tentuar të largohet drejt Jugosllavisë. Preng Marka Hila, një i larguar nga vendi, vizitoi Shqipërinë në një mision të sponsorizuar nga Jugosllavia nga katër gjer më 12 Husht të 1951, më vonë gjatë atij muaji u raportua se ai ishte gati të kthehej me një mision tjetër, me synim kontaktimin e Gjonmarkaj.

Të dhëna të vazhdueshme për përhapjen e një rezistence në very të Shqipërisë përfshijnë dhe vdekjen më 10 Gusht të 1951 në një mision të armatosur të Qeverisë të Kol Nikoll Mjeku, lideri i një bande rezistente.

Grupe të vogla në Shqipërinë e Veriut vazhdojnë të kalojnë kufirin për në Jugosllavi. Ndër të ardhurit është një grup prej tetë personash nga Shkodra, të udhëhequr nga Ndue Vata.

Ardhja më sinjifikative gjer më tani është a i Pal Bib Miraka. Pritja e përzemër e tij nga ana e Jugosllavisë rezultoi në një mbështetje të sigurt dhe të menjëhershme nga Imer Imeri ndaj Kol Bib Mirakaj në Romë. Imeri me origjinë nga Puka ka qenë rival për një kohë të gjatë me familjen Mirakaj. Ai është vëllai më i madh i Rustem Thaçit, sekretar i komitetit të të larguarve nga Shqipëria.

Raport i CIA mbi kampin e Tepelenës i datës 29 Maj 1953

Në kampin e përqendrimit të Tepelenës, qëndrojnë të dënuar rreth 1,000- 1,300 persona, shumica prej tyre familjarë të personave që janë arratisur në Jugosllavi. Ndryshe nga të burgosurit shqiptarë, disa të burgosur jugosllavë nuk janë aq mirët të trajtuar. Afërsisht 70% e të burgosurve janë gra dhe fëmijë, pjesa tjetër përbëhet nga burra të fuqishëm, shumica prej të cilëve janë të dënuar për arsye politike, ku përfshihet dhe akuza e të pasurit mik personat që janë arratisur nga vendi. Personat në kamp vijnë nga të gjithë rrethet e Shqipërisë por shumicën e përbëjnë individët nga zonat veriore.

Kampi është i vendosur rreth dy kilometra në veri të Tepelenës, afër pikës së bashkimit të lumit Bencia me atë të Vjosës. Zona e kampit përbëhet nga shtëpi/barake për të burgosurit, të cilat konsistojnë në një ndërtesë të vetme me katër dhoma me përmasa 5X20 metra. Brenda dhomat janë të organizuara në katër rreshta të vendosur dy nga dy përballë njëri tjetrit përgjatë mureve dhe dy të tjerëve të vendosur në mes të dhomës. Vet godina është e ndërtuar nga material rezistente nga forcës me një çati të lartë, gati të pakapshme. Të burgosurit jetojnë në këto godina të grupuar sipas familjeve. Rreth 300 deri në 350 persona janë të sistemuar në secilën dhomë dhe të burgosurit janë të lirë të shëtisin në hapësirën e dhomës. Duke qenë se godina ka shumë pak izolim dhe mungojnë mjetet për ngrohje, kushtet e jetesës bëhen ekstremisht të vështira përgjatë dimrit. Në vazhdim të barakës për të burgosurit ndodhet ndërtesa e menaxherëve me përmasa 8 apo 10 x4 metra. Është e ndarë në katër dhoma me përmasa të barabarta dhe është e ndërtuar me material të fortë me një tarracë prej tjegulle. Në këtë ndërtesë ndodhet zyra e drejtorit dhe asistentit të si dhe një hapësirë për policët e kampit. Gjithashtu aty gjendet dhe një hapësirë depoje ku mbahet ushqimi për kampin dhe ushqimi për kafshët e kampit. Ndërtesa e vogël e spitalit është e përbërë nga katër dhoma dhe përgjithësisht përdoret për ekzaminime mjekësore , gjithashtu pjesë e dhomave janë dhe disa shtretër për të sëmurët. Ndërtesa e gatimit ka përmasat 20×20 metër. Është e ndërtuar me të njëjtat materiale si dhe ndërtesat e tjera dhe përdoret gjithashtu dhe si dhomë për roje dhe për magazinim si dhe kryen funksionin e një dhome marangozi. Strukturat e tjera në kamp përfshijnë një kuzhinë e cila është e ndarë në dy dhoma, një për gatim dhe një për magazinimin e ushqimeve, me përmasa 1×4,5 metër, dhe dhjetë apo dymbëdhjetë tualete.

Sistemi i sigurisë së kampit konsiston në pesë policë të cilët qëndrojnë në krye të detyrës kryesisht gjatë orëve të natës, ndërkohë përgjatë ditës vetëm një polic qëndron në detyrë. Në ndryshim me rojet, një nga të burgosurit qëndron gjithmonë në detyrë në barakën e të burgosurve. Përgjithësisht trajtimi i të burgosurve nuk është i keq, krahasuar me trajtimin që ju bëhet të burgosurve në kampet e tjerë të përqendrimit dhe nuk ka keqtrajtime të rënda si për shembull rrahjet. Ndëshkimet përgjithësisht konsistojnë në paralajmërime, veçanërisht në rastet e shqiptarëve dhe femrave; të huajt përgjithësisht marrin trajtim më të ashpër si për shembull lënia pa ushqim.

Secili prej të burgosurve duhet të sigurojë vet batanijet dhe çarçafët, pasi në kamp mungojnë. Nuk është e pazakontë në rastin e të burgosurve që nuk kanë sjellë batanijet dhe çarçafët nga shtëpia apo ata që nuk kanë shtëpi apo miq të detyrohen të flenë në shtretërit e zhveshur. Secili prej tyre duhet gjithashtu të sigurojë dhe këpucët dhe rrobat duke qenë se shteti nuk ofron asnjë nga këto element. Si rezultat shumë nga të burgosurit janë të veshur me rroba të grisura për shkak të punëve të rënda që ju duhet  të kryejnë. E vetmja gjë që shteti siguron për këto të burgosur, përveç ushqimit, është një copë sapuni një herë në muaj. Të burgosurit mund, nëse kanë miq jashtë kampit për ti ndihmuar, të marrin një shumë të palimituar parash, të cilat mund të përdoren për të siguruar ushqim dhe të mira të tjera në qytet.

Ushqimi që shërbehet është i gatuar nga vetë të burgosurit. Secili prej tyre merr 600 gram bukë të bardhë për gjithë ditën, menyja ditore është e përbërë nga tre vakte; çaj në mëngjes, një sup me fasule, makarona apo patate për drekë dhe shpesh herë të njëjtën meny për darkë; orizi është gjithashtu rrallë herë i përdorur në meny. Ushqimi përgjithësisht nuk është i gatuar me kujdesin e nevojshëm dhe kushtet sanitare mungojnë si rrjedhojë ai është jo i shijshëm dhe i pasigurt për shëndetin. Sasia e ushqimit nuk ishte asnjëherë e mjaftueshme, prandaj shumica kur merrnin porcionin e bukës në mëngjes e konsumonin atë direkt duke mbetur pa racion buke për dy vaktet e tjera. Të burgosurve ju lejohej të merrnin racione ushqimore nga shtëpitë gjithmonë pasi ky i fundit ishte inspektuar dhe vëzhguar nga punonjësit e policisë, ato që kishin familje apo miq afër mund të kujdeseshin deri diku për shëndetin e tyre, gjithsesi të tjerët që nuk kishin të afërm apo para janë përgjithësisht të ushqyer keq. Ushqimi shërbehet në kupa alumini për individët dhe në tasa të mëdhenj për familjarët. Kupat dhe asortimentet e tjera për ngrënie duhet gjithashtu të merren nga shtëpitë nga vet të burgosurit. Disa nga frutat dhe perimet kultivohen nga vet të burgosurit në ambientet e jashtë të kampit, por gjithsesi ato nuk janë për konsum për të burgosurit por konsumohen nga policët dhe administrate e kampit. Sasi të mëdha të të mirave si mielli, groshët etj. nuk mbahen në kamp, zakonisht ato sillen çdo ditë nga jashtë kampit.

Në kamp të burgosurit nuk janë subjekt të indoktrinimit politik

Gjithsesi shtypi i ditës lexohet çdo mëngjes dhe pjesëmarrja është e detyrueshme.  Nuk ka shfaqje filmash apo aktivitete të tjera kulturore.

Vizitorët lejohen të takojnë të burgosurit aq shpesh sa ato duan, edhe pse ato nuk lejohen të futen në pjesën e brendshme të kampit. Një polic zakonisht dëgjon bisedën e të burgosurit me vizitorin, gjithsesi nuk ka limit kohor mbi vizitën ato mund të zgjasin edhe dy orë.

Higjiena në kamp është shumë rëndë dhe një numër i gjerë i të burgosurve është i prekur nga sëmundjet, shumë nga to vuajnë nga turberkulozi, gjendja nga kjo sëmundje agravon akoma më shumë edhe për shkak të mungesës së ushqimit, mungesës së ngrohjes si dhe nga puna e rëndë. Pjesën më të madhe të personave të sëmurë e përbëjnë fëmijët dhe burrat në moshë. Fëmijët preken pasi nuk janë të fuqishëm mjaftueshëm dhe burrat pasi janë të stërmunduar nga puna e rëndë. Kujdesi shëndetësor në kamp është i papërshtatshëm dhe kampi vizitohet njëherë apo disa herë dy herë në muaj nga mjek që vijnë nga Tepelena. Ai zakonisht i dërgon të sëmurët rëndë në spitalin e qytetit të Gjirokastrës dhe të tjerët trajtohen dhe qëndrojnë në kamp. Sëmundjet të tjera që prekin të burgosurit janë malarja, që është një sëmundje kronike në të shumtën e të burgosurve dhe dizanteria që kalon në disa raste në shkallën e epidemisë. Por gjatë epidemisë së dizenterisë gjatë viteve 1950, të paktën rreth 100 persona vdiqën në një periudhë kohore prej tre muajsh. Këto sëmundje agravojnë për shkak se nuk ndërmerret asnjë kusht higjenik nga ana e administratës dhe nga mungesa e ditëve tët përcaktuara për dushe apo larjen e rrobave si dhe për shkak të sasisë së vogël të sapunit. Asgjë nuk bëhet për largimin e numrit të madh të insekteve, mizave, buburrecëve të cilët gjenden në dhomat dhe krevatet e të burgosurve. Nuk merret furnizim për shtupat e dyshemesë dhe kjo e fundit lahet një herë në javë.

Puna kryesore e të burgosurve konsiston në prerje e drurëve lart në malet e Tepelenës. Çdo i burgosur duhet të kapi një kuotë ditore (normë) të punës e cila duhet të kapet; kuota për prerjen e drurëve është zakonisht një kubik metër katror dru për person për ditë. Të burgosurit punojnë dhe Brenda kampit gjithashtu, duke kryer ndërtime të reja ose dërgohen në punë të tjera jashtë kampit si në ndërtimin e rrugëve të reja apo instilacionet nëpër qytete të tjera. Si në rastin  e periudhës Maj- Nëntor 1950, kur një pjesë e të burgosurve u dërguan të punonin në ndërtimin e rrugës që lidhte Elbasanin me Peqinin, të tjerë u dërguan në ngritjen e një fabrike në Vlorë. Të gjithë të burgosurit, femra dhe meshkuj, ishin të aftë për punë, përjashtim bënin vetëm plakat, fëmijët dhe gratë me fëmijë të vegjël apo shtatëzana. Zakonisht më të shëndetshmit nga të burgosurit meshkuj përzgjidhen për të prerë pemët dhe të burgosurat femra përdoren për mirëmbajtjen e shtëpive apo për transportimin e trungjeve. Nuk ka një orar të saktë apo të mirëcaktuar, puna kryhet nga mëngjesi gjer në perëndim gjatë gjashtë ditëve të javës pa marrë parasysh kushtet atmosferike, zakonisht punohej dhe të Dielave. Për ushqimin e drekës të burgosurit kishin një orë kohë për konsumim dhe zakonisht e merrnin ushqimin në punë. Numri i të burgosurve që punonin varion nga 20 në 150 persona; një nga të burgosurit përzgjidhet si shefi i grupit dhe ai është përgjegjës për punën e të gjithë pjesëtarëve të grupit. Përveç shefit të grupit edhe një polic shoqëron të burgosurit, puna nuk supervizohet pasi secili nga të burgosurit duhet të përmbushë kuotën e tij ditore. Grupet të cilat nuk kanë një punë të caktuar specifikisht, njoftohen për punën që do të kryejnë gjatë ditës në mëngjes; puna e këtyre grupeve mund të ndryshohet nga ora në orë pa marrë në konsideratë atë që i është dhënë më parë të burgosurit. Një nga të burgosurit sëmuret, mund të përjashtohet nga puna; gjithsesi ata që shtiren sit ë sëmurë për t'i shpëtuar punës ndëshkohen.

Amnistia nuk është diçka e zakonshme, ajo jepet shumë rrallë, si në 29 Nëntor të 1950 kur një anëtar i Ministrisë së Brendshme dhe deklaroi se në kuadër të festimeve për çlirimin e Shqipërisë nga ana e partizanëve të Hoxhës, 150 familje si dhe të gjithë fëmijët në kamp do të liroheshim, për to do të kujdeseshin të afërmit dhe miqtë. Të burgosurit ishin paralajmëruar se "kur të ktheheni në shtëpi mbani në mendje se duhet të respektoni dhe të ekzekutoni urdhrat e autoriteteve. Përndryshe do të ktheheni në kamp".

Kremtohet e Premtja e Madhe në prag të Pashkëve

Posted: 31 Mar 2018 01:26 AM PDT

Në vigjilje të festës së Pashkëve, besimtarët katolikë në Shkodër kanë kremtuar mbrëmjen e së premtes ritualin që njihet si e Premtja e Madhe e Udhës së Kryqit, ku është përkujtuar vuajtja dhe sakrifica e Jezu Krishtit në kryq.

Famulltari i Katedrales Shën Shtjefni në Shkodër, Dom Vlash Palaj shprehet se ky ritual është një nga momentet më të rëndësishme në prag të festës së Pashkëve.

"Jemi përballë një mesazhi, një ngjarje, e cila përbën thelbin dhe forcën e jetës së krishterë, ku Krishti me jetën e tij e mundi pushtetin e vdekjes. Me ringjalljen e tij, Krishti na dhuroi shpresën se duke qëndruar në të mund të qëndrojmë në të, por kemi edhe shpresën për një jetë pasuese", shprehet Dom Vlash Palaj.

E Premtja e Madhe shoqërohet me lutje, heshtje e agjërim nga besimtarët katolik. Udha e Kryqit ka nisur me liturgjinë përpara Katedrales në prani të shumë besimtarëve. Më pas, rituali vijoi me rrugëtimin e Udhës së Kryqit.

o.j/dita

EKSKLUZIVE/ Pëllumb Xhufi: Përgjigje neofashistëve

Posted: 31 Mar 2018 01:22 AM PDT

Nuk është kampi i Tepelenës që përfaqëson egërsinë e represionit komunist. U mundova t'i këshilloj të heqin dorë nga marrëzia për ta propaganduar këtë kamp të shfarosjes në masë, sepse Auschwitz, Mathausen, Dachau apo Birkinau ku janë asgjësuar e djegur në furrat naziste miliona hebrenj e antifashistë nga e gjithë bota, nuk e kanë shokun në asnjë vend të botës, e nuk e kanë as në Shqipëri

Historiani i njohur, Prof. Pëllumb Xhufi, iu përgjigjet akuzave që i janë bërë ditët e fundit se gjoja po mbron diktaturën komuniste dhe burgjet e saj. Pse ai ka kundërshtuar idenë e kthimit të burgut të Tepelenës si model të burgjeve të shfarosjes në masë në Shqipëri. Ku gabojnë kritikuesit e tij dhe a kemi nevojë për një ligj të dekomunistizimit…

– Zoti Xhufi ditët e fundit kemi parë disa reagime ndaj një deklarate tuaj ku thoni se keni lexuar raporte të CIA-s që i vlerësonin kushtet në kampin e Tepelenës si "jo të këqija". Si qëndron e vërteta dhe çfarë është ky raport që ju përmendni?

-Shikoni, unë bëra një sqarim gjatë një emisioni televiziv, ku tema kryesore ishte e vërteta dhe mistifikimi i historisë dhe ku moderatori e preku problemin e kampit të Tepelenës, si një nga çështjet më të rrahura në shtypin e këtyre kohëve të fundit. Jo thjesht mbi bazën e dokumenteve të CIA-s, por edhe të shumë dokumenteve të tjera, përfshirë atyre të UDB-së jugosllave si dhe të një literature jo të vogël që më ka rënë rasti të lexoj, unë u përpoqa të tregoj disa të vërteta për kapin e izolimit të Tepelenës.

Nuk më shtynë rrëfimet e ndonjë prej personave që kanë vuajtur në atë kamp, sa entuziazmi pranveror me të cilin ndonjë institucion, si Ministria e Kulturës apo Bashkia e Tepelenës, kanë përqafuar projektin për kthimin në një qendër muzeale të këtij kampi, të cilin ideatorët e projektit janë duke e propaganduar si "Aushvici shqiptar" dhe si "një kamp i shfarosjes në masë".

U përpoqa t'u them pikërisht ideatorëve të interesuar të projektit dhe pushtetarëve të paditur që kanë marrë përsipër ta financojnë atë, se nuk është kampi i Tepelenës që përfaqëson egërsinë e represionit komunist. U mundova t'i këshilloj të heqin dorë nga marrëzia për ta propaganduar këtë kamp të shfarosjes në masë, sepse Auschwitz, Mathausen, Dachau apo Birkinau ku janë asgjësuar e djegur në furrat naziste miliona hebrej e antifashistë nga e gjithë bota, nuk e kanë shokun në asnjë vend të botës, e nuk e kanë as në Shqipëri.

Unë e kuptoj që ideatorët e projektit nuk i ha shumë meraku për vërtetësinë historike dhe se një krahasim i tillë bëhet me qëllimin e kuptueshëm për të siguruar financimin e projektit nga donatorë të huaj. Por, për një çast edhe ata duhet ta mbledhin veten e duhet ta kuptojnë, se duke vepruar kështu i bëjnë dhunë të vërtetës historike duke hedhur baltë mbi popullin e tyre, duke fyer gjithashtu popuj të tjerë, që e kanë pësuar më së shumti mbi lëkurë "leksionin nazist të Auschëitz-it".

-Çfarë përfaqëson, sipas jush, kampi i Tepelenës?

– Atëherë, në vitin 1949, regjimi i Tiranës përshtati si kamp izolimi kazermat e dikurshme të ushtrisë italiane buzë lumit Bënça, në Tepelenë. Kazermat, siç e thonë dokumentet amerikane, por siç i kam njohur edhe unë në fund të viteve 1970, ishin dy apo më shumë ndërtesa të gjata simetrike, ndërtuar me material të fortë (tulla) e të suvatuara. Në këto kazerma u sollën një numër i madh familjesh të të arratisurve politikë në vitet gjatë e pas Luftës II Botërore.

Ishte koha, kur regjimi i Titos, në bashkëpunim me shërbimet e disa vendeve të perëndimit, i organizoi dhe i armatosi të arratisurit shqiptarë, duke i dërguar nga territori jugosllav për të kryer aksione të armatosura në Shqipëri. Në vitet 1948-1953 janë vrarë nga këto banda më shumë se dy mijë ushtarë e oficerë, funksionarë partie, nëpunës, mësues e deri edhe gra e vajza që ishin përfshirë në jetën aktive për rindërtimin e vendit. Gjatë luftës, një pjesë e mirë e anëtarëve të këtyre bandave kishin qenë anëtarë të formacioneve fashiste e naziste.

Për vite me radhë, në Itali e gjetkë ata ishin mbajtur në kampe përqendrimi nga aleatët. Me shpërthimin e luftës së ftohtë u ricikluan e u përdorën për të përmbysur regjimin komunist të Tiranës, që konsiderohej hallka më e dobët e sistemit komunist, sidomos pas prishjes me Jugosllavinë e Titos. Pikërisht, territori jugosllav u bë baza operacionale nga niseshin shumë nga këto banda. Greqia gjithashtu përbënte një bazë tjetër.

Në kushtet kur kryesisht në veri të vendit pati një përqendrim të madh bandash, regjimi i Tiranës vendosi të izolojë në kampin e Tepelenës familjet që i përkisnin, apo që dyshoheshin se i përkisnin anëtarëve të këtyre bandave dhe që mund të ktheheshin në baza mbështetëse për bandat në fjalë. Me dështimin e operacionit të fshehtë të koduar "Roll back", Perëndimi hoqi dorë nga përpjekja për destabilizimin e regjimit të Tiranës me  aksione të armatosura, kampi i Tepelenës pushoi së funksionuari dhe familjet e izoluara aty u shpërndanë ose u dërguan në kampe e vende të tjera internimi.

-Ka shumë njerëz që kanë vuajtur në atë kohë në këto kampe dhe përmendja e tyre ngjallë ndjeshmëri negative ndërsa juve iu akuzojnë se kërkoni të zbusni egërsinë e diktaturës.  A ka një tentativë për të relativizuar krimet e asaj kohe?

– Përkundrazi, unë jam një person fort mirë i ndërgjegjshëm për krimet e kryera në vitet 1944-1990 nga regjimi komunist. Dhe për to kam folur, madje edhe në prononcimin tim të shkurtër të para pak ditëve. Ndaj, ndërsa i kuptoj një numër të madh qytetarësh me ndjeshmëri të kuptueshme, më neverisin një sërë reagimesh të egra e të paarsyeshme të disa personave publikë, të cilët riciklojnë, seleksionojnë e amplifikojnë mes tyre fraza të shkëputura nga prononcimi im.

Madje, më japin mua "të drejtën e autorit" për vlerësimet e bëra për çështjen në fjalë nga dokumentet e hollësishme të CIA apo shërbimet e tjera të huaja. Mbi bazë të këtyre të fundit, por edhe të njohjes personale, unë them se nuk është as Tepelena (siç mendon ndonjë ithtar post-fashist i ndarjes Veri-Jug) dhe as kampi i Tepelenës vendi i duhur ku duhej ngritur një memorial për viktimat e persekutimit komunist.

Unë mendoj se do t'i bënte shumë mirë ndërgjegjes e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e sidomos brezave të rinj, që të restauroheshin e të bëheshin të vizitueshëm burgjet e errët të Burrelit e të Spaçit, simbolet e vërteta dhe ekstreme të persekutimit komunist, ku janë mbyllur për dekada, janë torturuar e kanë vdekur me qindra vetë, të burgosur  nga diktatura jo thjesht e vetëm për shkak të origjinës, por për shkak të bindjeve të tyre.

Shumë prej tyre kanë qenë edhe luftëtarë antifashistë të orëve të para. Kritikuesit e mi të pamëshirshëm duhet ta dinë, se për të qenë antikomunist nuk është e thënë të jesh fashist. Përkundrazi. Po ashtu, për të qenë nacionalist nuk është e thënë të bashkohesh me qenin e me të birin: me fashistët italianë, me nazistët gjermanë, me korofillakët grekë apo me titistët jugosllavë.

Po, po, me titistët jugosllavë. Sepse ata që në vitin 1939 iu bashkuan Duçes e në 1943 Hitlerit, siç thonin, "në emër të antikomunizmit" e ndërkohë stigmatizonin luftëtarët antifashistë si "klyshë të Titos", në 1948, vitin e ndarjes shqiptaro-jugosllave vrapuan t'i bëjnë hosanara regjimit të Beogradit.

Madje shkuan deri aty, sa me letra të pështira, t'i luteshin Titos të rrëzonte armikun e tyre tashmë të përbashkët, regjimin e Hoxhës, e pastaj të vendoste ata në pushtet, pasi me një qeveri "nacionalistësh" të tillë, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave do shkonin si në vaj. Kush dyshon për çka po them, le të lexojë "Dosja e UDB mbi emigracionin politik shqiptar, 1948-1953", botuar në Prishtinë në vitin 2004. Do mësojë gjera shumë më të rënda nga këto që po them.

-A mund të krahasohet kampi i Tepelenës me kampet e përqendrimit të Nazistëve?

– Kampi i Tepelenës nuk ishte aspak një kamp pushimi, siç duan të thonë se qenkam shprehur unë. Nuk ka qenë as kamp pune, siç kanë qenë plot të tillë. Ka qenë një kamp izolimi apo internimi, ku u mbajtën për një periudhë të caktuar, 1949-1953, familje të personave të angazhuar në veprimtaritë e armatosura anti-regjim të sponsorizuara nga Jugosllavia e të mbështetura nga shërbimet e perëndimit.

Përtej tregimeve të  personave që kanë vuajtur në atë qendër internimi, apo përtej ekzagjerimeve banale, ku janë përfshirë edhe ideatorët e projektit të memorialit të Tepelenës, kampi i Tepelenës ishte një pasqyrë e dhunës dhe e mjerimit të një Shqipërie të përfshirë në një konflikt politik me aleatin e deridjeshëm, Jugosllavinë e Titos, dhe në konflikte të armatosura me bandat e desantuara nga jashtë dhe me Greqinë, që pikërisht në atë kohë bëri një test serioz për aneksimin me luftë të viseve tona jugore.

Në një kontest të përgjithshëm varfërie, sigurisht kushtet në kampin e Tepelenës ishin të rënda. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm, kushtet e higjienës ishin mizerabël, kishte vdekshmëri, sidomos midis fëmijëve. Këtë e thotë edhe dokumenti i CIA-s që unë citoj. Por ky thotë gjithashtu, që ndaj të burgosurve nuk ushtrohej dhunë fizike dhe dënimi më i rëndë, që u jepej vetëm të internuarve me kombësi të huaj, ishte heqja e vaftit ushqimor. Ata që kishin të holla mund të shkonin në qytet për të blerë ushqime.

Veshja e të ndaluarve ishte e mjerë, dhe pohimin e dokumentit të CIA-s e konfirmoi edhe një raport i Drejtorisë së Kampeve i vitit 1951, i botuar dje nga z. Kastriot Dervishi, ku kritikohej komanda e kampit të Tepelenës që i kishte lënë të internuarit me veshje copë-copë. Kampi ruhej gjatë natës me 5 policë e gjatë ditës vetëm nga një polic. Ata që ishin në gjendje, dërgoheshin të punonin në shpatet e kodrave përreth, kryesisht në bërjen e lëndës drusore.

Sipas vlerësimit të CIA-s, nuk kishte tentativa për indoktrinim politik të banorëve të kampit, edhe pse çdo mëngjes atyre u lexohej gazeta. E pra, në këto kushte, ta paraqesësh kampin e Tepelenës si një shëmbëlltyrë të Auschëitz-it, është më së paku një tepri. Një tepri me kosto financiare, morale e politike.

-Zoti Xhufi ju jeni historian dhe keni një gjykim tuajin edhe për periudhën 1945-1991. Mendoni se mos dënimi i krimeve të asaj periudhe është një nga plagët e shoqërisë shqiptare?

– Si në çdo fushë tjetër, përfshirë edhe atë të ndërtimit të demokracisë, edhe për problemin e ballafaqimit tonë me të kaluarën komuniste u ndoqën rrugë të tërthorta, e nuk u morr shembulli i vendeve me problematikë të ngjashme.

U përdor një gjuhë e rëndë e bombastike, u organizuan gjyqe "demonstrative", që përfunduan në farsë, por nuk u vendosën baza të shëndosha ligjore për të nxjerrë përgjegjësitë personale. U veprua sikurse sot, kur raste të rënda korrupsioni e krimi shtetëror kalojnë "pa lagur" me formulën magjike: "ishte vendim kolektiv".

-A ka nevojë vendi për një ligj për de-komunistizimin si dhe hetimin dhe përndjekjen e krimeve, një proces që Shqipëria nuk e ka kryer?

-Shqipëria ka vërtet nevojë për një ligj dekomunistizimi. Por sigurisht, një ligj të tillë nuk mund e nuk duhet ta promovojnë mendjet e nxehta e irracionale të atyre që në kokë kanë ende ide fashiste. Dhe për fat të keq, persona të tillë janë përfshirë edhe në projektin kuturru të kampit të Tepelenës.

Intervistoi: Erion Habilaj dhe Xhevdet Shehu

Dosja e “CEZ” dhe Shkëlzen Berishës, largohet prokurori i çështjes

Posted: 31 Mar 2018 01:20 AM PDT

Ardian Braho, një nga prokurorët e dosjes që po heton abuzimet me privatizimin e kompanisë energjetike shqiptare, tek kompania çeke CEZ, është larguar nga hetimi i kësaj dosje. Mësohet se pak ditë më parë, prokurori Braho ka paraqitur tek drejtuesi i prokurorisë Dritan Rreshka, dorëheqjen nga ky hetim, kërkesë kjo që është miratuar.

Pas largimit të Brahos, në këtë dosje voluminoze dhe tepër të debatueshme është futur si ndihmës, prokurori Erjon Imeraj. Ky i fundit së bashku me Ndini Tavanin, po udhëheqin hetimin për këtë çështje shumë të përfolur në korridoret e politikës.

Kjo pasi në procedurat e privatizimit dyshohet se është i implikuar dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Gjatë kësaj periudhë Berisha është marrë në pyetje në prokurori, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me akuzat politike që i bëhen për privatizimin e kompanisë energjetike.

Ndërkohë që lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje dhe ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe një sërë ish-zyrtarë të tjerë. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar të pyesë dhe biznesmenin Nue Kalaj, por për shkak se ky i fundit qëndron në Kosovë, prokurorët kanë dërguar një letërporosi në këtë shtet për të kryer marrjen në pyetje të tij.

Emri i Shkëlzen Berishës në lidhje me historinë e privatizimit të OSSH nga qeveria "'Berisha" dhe kompania çeke "CEZ" u lakua për herë të parë nga juristi i OSHEE, Romeo Kara, i cili u shndërrua në dëshmitarin kyç që zbardhi prapaskenat e privatizimit abuziv, me një kosto 400 milionë euro për buxhetin e përbashkët të shqiptarëve.

Konkretisht, gjatë seancës së komisionit hetimor për çështjen CEZ, në nëntor të vitit 2016, Romeo Kara tha se mund të kishte lidhje mes Shkëlzen Berishës dhe sekserit Nuel Kalaj, por dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte dokumente për këtë pretendim.

"Ka pasur lidhje të forta me kryeministrin e atëhershëm. Ka takuar ministrin Genc Ruli. Ka edhe fotografi të tij me Genc Rulin. Thuhet se ka telefonuar mbi 100 herë ish-kryeministrin Berisha. Nuk është vetëm një e-mail, por janë disa e-maile që unë kam gjetur, të cilat konfirmojmë që ky person merrte përsipër për të negociuar mes shtetit shqiptar dhe CEZ. Tarifa e suksesit për këtë marrëveshje ishte 3.6 milionë euro, e vendosur në mënyrë të çuditshme për t'u paguar nga ana e fituesit, që ishte CEZ. Thuhet në këtë letër që ky person, në vitin 2011, ka pasur në llogari të tij, 3.6 milionë euro. Thuhet se ka pasur lidhje edhe me të birin e kryeministrit, por nuk ka materiale të plota për këtë", ka deklaruar Kara para komisionit hetimor, shkruan shqiptarja.com.

Ka një dokument i cili ishte vendimtar që komisioni hetimor për çështjen CEZ të investohej për të hetuar rolin e Shkëlzen Berishën në procesin e privatizimit si dhe të vendoste për ta thirrur ata si dëshmitar. Bëhet fjalë për një e-mail të ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili i shkruante nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth takimit të planifikuar me Shkëlzenin dhe ish-kryeministrin Berisha.

Sipas e-mailit, Josef Hejsek ishte me Nuel Kalajn në sallën VIP të aeroportit të Rinasit, dhe kishte ardhur në Tiranë për të negociuar me Shkëlzen Berishën dhe Sali Berishën. Nga përmbajtja e e-mailit del qartë se, Nuel Kalaj është negociatori kryesor i marrëveshjes mes CEZ dhe qeverisë shqiptare. "Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë.

Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit). Çfarë duhet të presim nga kryeministri? Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90 % konkrete. Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror, i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t'ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje)", shkruan Hejsek.

o.j/dita

 

Dalin pamjet: “Gylenistët” janë larguar nga Kosova

Posted: 31 Mar 2018 01:13 AM PDT

Familjarë të gjashtë shtetasve turq, të arrestuar të enjten nga Kosovë kanë pritur me orë të tëra të premten në mbrëmje para aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës 'Adem Jashari', pas njoftimeve të pakonfirmuara se disa nga të arrestuarit nuk janë deportuar fare në Turqi dhe se gjenden në ndërtesën e vjetër të aeroportit.

Ndërtesa e vjetër e aeroportit gjendet fare pranë objektit të ri, menaxhimin e të cilit e bën konsorciumi turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon që nga viti 2010.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate thotë: "qytetarët turq, të cilëve u është revokuar leja e qëndrimit në Kosovë, janë larguar me aeroplan nga Aeroporti i Prishtinës në ora 11:05 minuta të datës 29.03.2018".

Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten gjashtë shtetas turq, të cilët presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi dy vjet më parë.

Ndërkohë, mediat kanë postuar edhe video nga momenti i largimit të shtetasve turq.

o.j/dita

FOTO-LAJM/ Si po transformohet konvikti te Inxhinieria e Ndërtimit

Posted: 31 Mar 2018 01:07 AM PDT

Nuk është një hotel, por godina e re e studentëve të Inxhinierisë së Ndërtimit që në shtator do të kenë kushte optimale studimi dhe qëndrimi.

Më pak se një vit nga nisja e punimeve, projekti ecën me shpejtësi në drejtimin e duhur për t'u bërë gati për të mirëpritur të rinjtë e talentuar që vijnë të studiojnë në kryeqytet nga rrethet.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me partnerët e saj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe KFW,  filloi projektin për rehabilitimin e këtyre godinave sipas parimit të efiçencës energjetike.

Kështu, 600 studentët që do të jetojnë në këto godina duke filluar nga shtatori, jo vetëm do të kenë rinovim të ndërtesës dhe të ambienteve të brendshme, por edhe një sistem më të mirë ngrohjeje dhe insulimi, duke rritur cilësinë e jetesës.

Ndërhyrja ka ruajtur strukturën  ekzistuese, por është bërë riorganizimi i ndarjes në dhoma. Gjithashtu, në çdo kat janë shtuar  një kuzhinë, një hapësirë ngrënie dhe llozhë e përbashkët.

o.j/dita

 

Aleati më i mirë i Londrës dhe 4 mësime që Perëndimi nxori këto ditë

Posted: 31 Mar 2018 12:58 AM PDT

Nga Bernard Guetta

Është data zyrtare, një takim historik. Në 29 mars 2019, pas një viti, Mbretëria e Bashkuar do të ketë lënë Bashkimin Evropian. Por kjo ndarje nuk është dukur kurrë kaq absurde, sa këtë javë.

Bëjmë një krahasim mes reagimeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ndaj mënyrës me të cilën Vladimir Putini lejoi shërbimet e tij të fshehta, që të përdornin një armë kimike në përpjekjen për të vrarë një ish agjent të fshehtë, në një qytezë të vogël të Mbretërisë së Bashkuar.

Edhe pse krimi ishte kryer prej disa ditësh, Donald Trumpi i telefonoi Putinit të nesërmen e rizgjedhjes së tij, pa e përmendur fare këtë ngjarje, a thua nuk kish të bënte me presidentin rus, sikur të mos mjaftonte që i uroi sukses në mandatin e tij të ardhshëm.

Aleancë në plan të dytë

Pavarësisht rekomandimeve të bashkëpunëtorëve dhe diplomatëve amerikanë, Trumpi përgëzoi Putinin për fitoren, sikur të donte të rizgjonte ëndrrën e një mirëkuptimi ruso-amerikan, në dëm të Kinës dhe Evropës.

Theresa May u injorua dukshëm, nga presidenti i një vendi, aleat parësor i të cilit është pikërisht Mbretëria e Bashkuar. Çfarë bëri Bashkimi Evropian?

Gjatë samitit të fundit që iu dedikua kryesisht Brexit-it, presidenti francez dhe kancelarja gjermane vendosën të dëbojnë disa diplomatë rusë, për të shprehur solidaritetin e tyre me Londrën, duke u kërkuar vendeve të tjerë të BE të bënin të njëjtën gjë, duke nisur në këtë mënyrë një reagim ndërkombëtar në një shkallë që nuk ishte parë kurrë, ndaj një çështjeje të tillë, si dhe duke i imponuar Donald Trumpit një ndryshim drejtimi, sepse në këtë pikë Uashingtoni nuk kishte zgjedhje tjetër, përveçse të bëhej pjesë e kësaj lëvizjeje.

Pas një viti, Mbretëria e Bashkuar do të lërë Bashkimin Evropian, por tani kemi pasur konfirmimin se Londra nuk ka aleatë të tjerë, tek të cilët të besojë në rast vështirësie. Ky nuk është mësimi i vetëm për t'u nxjerrë nga këto ditë.

Mësimi i dytë, në fakt, është se përkundër të gjithë parashikimeve, ai që deri dje e quanim "perëndim", është rikompaktësuar, për t'i kujtuar Putinit që nuk mund të kalojë çdo limit, pa u ndëshkuar. Mësimi i tretë është se fronti perëndimor është zgjeruar dukshëm që nga fundi i luftës së ftohtë, dhe tani përfshin ish vendet komuniste, që janë bërë pjesë e BE, si Hungaria dhe vende të tjerë, si Ukraina, Moldavia dhe Mali i Zi.

Mësimi i katërt është se në këtë krizë, Unioni ka marrë kontrollin e Aleancës Atlantike, duke u imponuar për herë të parë si aktor me peshë, në skenën ndërkombëtare. / France Inter – Bota.al

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more