Skip to main content

“Nga Vlora në Shkodër, e shtuna e Superiores për të mos u humbur” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Nga Vlora në Shkodër, e shtuna e Superiores për të mos u humbur” plus 9 more Gazeta SHQIP


Nga Vlora në Shkodër, e shtuna e Superiores për të mos u humbur

Posted: 31 Mar 2018 12:42 AM PDT

Kryendeshja e javës së 27-të në Kategorinë Superiore luhet në Vlorë, me Flamurtarin që kërkon kthesën pikërisht në një sfidë të nxehtë, atë ndaj rivalit për vendin e dytë, Kukësit. Në dy përballjet e këtij kampionati për ironi është vendosur i njëjti rezultat, barazimi 1-1, por të dy takimet janë mbyllur me polemika mbi gjykimin. Flamurtari ka mundësinë të shkurtojë diferencën me Kukësin, ndërkohë kampionët dëshirojnë t'i japin goditjen një rivali direkt.

Kuqezinjtë vijnë në një moment krize dhe ndalesa e kampionatit i ka shërbyer në maksimum trajnerit Shpëtim Duro, por edhe lojtarëve. Në një ndeshje kaq të rëndësishme rikthehen nga skualifikimi mbrojtësit Ditmar Bicaj dhe Goran Siljanovski, që kompletojnë repartin e prapavijës, i cili ka shfaqur jo pak probleme në ndeshjet e fundit. Shtyrja e kampionatit u ka bërë mirë lojtarëve të sulmit, Muarem Muarem, Mamadou Tounkara dhe Igor Nedeljkovic. 3 rikthime që shtojnë konkurrencën dhe rritin cilësinë në skuadër.

Në krahun tjetër, Peter Pacult bën llogaritë pa mesfushorin Besar Musolli, duke shpresuar te gjendja e mirë fizike dhe psikologjike e grupit. Kampionët duhet të gjejnë njeriun gol, pasi ndaj Flamurtarit këtë edicion dy realizimet kanë të njëjtin emër, Elis Bakaj, sulmuesi i larguar gjatë merkatos së dimrit nga Kukësi. Nëse Sidrit Guri po vijon të shënojë duke bërë të harrohet Bakaj, në krahun tjetër nuk po mban ritmin Tomislav Busic, që nga ndeshja e fazës së dytë ka shënuar vetëm një herë në portën e
Partizanit. Për këtë arsye, dueli ndërmjet dy numrave 9 shihet si një përballje direkte ashtu si dhe ai ndërmjet dy skuadrave. Në Vlorë luhet për vendin e dytë, por edhe për Këpucën e Artë.

Vllaznia shkon në sfidën ndaj Skënderbeut me objektivin e qartë për të ndryshuar ecurinë në arritjen e objektivave. Ndalesat e javëve të fundit kanë bërë që diferenca me Teutën të ngushtohet në vetëm një pikë dhe tashmë çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Java 27 i vendos përballë Skënderbeun, skuadrën e cila po kalon momentin më të keq pas pezullimit të marrë nga UEFA me penalizimin për 10 edicione në kompeticionet europiane.

Ky vendim sjell edhe shumë pikëpyetje mbi garën, nëse korçarët do të dënohen edhe në kampionat, një vendim që do të favorizonte shkodranët, të cilët mund të sigurojnë mbijetesën pa qenë nevojë të duelojnë me Teutën. Megjithatë edicioni i kaluar është një shembull i mirë në këtë aspekt, ku ja pak herë u përfol për një skenar të tillë, pra dënimin e Skënderbeut dhe shpëtimin e Tiranës.

Për momentin në Shkodër po shikojnë brenda shtëpisë, pasi pavarësisht investimeve të bëra skuadra, klubi dhe qyteti vijojnë të kenë të njëjtin hall, mbijetesën në elitë. Për sfidën ndaj Skënderbeut trajneri Ernest Gjoka do të ketë mungesa të rëndësishme, por shpreson tek kushtrimi i bërë ndaj tifozëve të cilët pritet të jenë të shumtë në numër.Vllaznia shikon shtëpinë e vetë dhe nuk i beson problemeve të Skënderbeut, ndaj të cilëve duhet patjetër një rezultat pozitiv për të vijuar rrugën drejt mbijetesës.

Teuta-Laçi do të jetë një ndër takimet më interesante të kësaj fundjave në Kategorinë Superiore. Djemtë e detit vijnë pas fitores në Lushnjë e cila i lejoi ta ngushtonin në vetëm një pikë diferencën me Vllazninë.

Durrsakët nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç 3 pikëve, pavarësisht se përballë kanë një prej skuadrave më të mira të këtij edicioni. Historia e përballjeve flet për Teutën, megjithatë statistikat kanë një rëndësi të kufizuar dhe ajo që ka më shumë vlera për bregdetarët është kjo sfidë. Trajneri Gentjan Begeja nuk ka probleme me organikën e lojtarëve dhe të gjithë futbollistët do të jenë të disponueshëm.

Ndërkohë që Gentian Mezani ka vetëm një shqetësim, që është mungesa e portierit Gentian Selmani. Kapiteni i kësaj skuadre do të qëndroj për rreth 3 javë larg fushave, në kuadrat tekniku vlonjat do ti besojë Vatës, ndërsa në majën e sulmit do të jetë si gjithnjë bomberi i kësaj skuadre, Reginaldo. Kurbinasit vijnë nga 3 suksese radhazi dhe do të synojnë të realizojnë "pokerin" e fitoreve.

Tashmë objektivi i laçianëve nuk është thjesht pjesëmarrja në Europa League, por duke parë situatën e Skënderbeut, vendi i dytë mund të përkthehet edhe në pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Bardhezinjtë nuk do ta kenë të thjeshtë përballë durrsakëve, kjo vërtetohet edhe nga fakti që në këtë edicion Laçi nuk ka arritur asnjëherë ta mposhtë Teutën në kampionat.

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

Serbët të vendosur: Heqim dorë nga BE-ja për Kosovën

Posted: 31 Mar 2018 12:33 AM PDT

Mbi 80 për qind e qytetarëve të Serbisë nuk do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës edhe sikur një gjë e tillë të ishte kusht për anëtarësimin e shtetit serb në Bashkimin Evropian, tregon një sondazh i Institutit për Çështje Evropiane dhe i agjencisë Ninamedia në Beograd.

Sondazhi, i realizuar nga data 16 deri më 20 mars, me 1,203 të anketuar, nxjerr në pah se një e treta e tyre do të mbështesnin ndarjen e Kosovës, ndërsa 56 për qind jo.

Pranimin e Kosovës nga Qeveria aktuale e Serbisë ose ndonjë e ardhshme e pret 26 për qind e qytetarëve serbë të anketuar, ndërsa 55 për qind e tyre konsideron se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Vetëm 11 për qind e të anketuarve do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësim në BE, ndërsa 81 për qind jo.

Tibor Moldvai, nga Instituti për Çështje Evropiane, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se qytetarët e arsimuar janë më të prirur për të mbështetur idetë që, sipas tij, do të zgjidhnin përfundimisht statusin e Kosovës, qoftë ai pozitiv apo negativ për Serbinë.

"Edhe pse 81 për qind e qytetarëve nuk do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, kur flasim për gjeneratat e reja, ky numër është për 10 deri në 15 përqind më i ulët", tha Moldvai.

Edhe disa qytetarë në Beograd, të anketuar nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, ndajnë qëndrimin e shumicës që tregon sondazhi i lartpërmendur.

Të pyetur se a do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për të hyrë në BE, ata thonë 'jo'.

"Kurrë. Serbia pa Kosovën nuk është askush dhe asgjë", tha Ilija Zhivkoviç.

"Jo, Kosova ka qenë gjithmonë hapësirë e jona", tha një qytetare tjetër me emrin Lilana.

Gjetjet e sondazhit nuk janë befasuese për Dragan Popoviçin, nga Qendra për Politika Praktike në Serbi.

"Kurrë në këtë shoqëri nuk ka pasur debat të vërtetë se përse Serbia e ka humbur Kosovën, çfarë ka ndodhur atje, përse janë thyer lidhjet midis dy shoqërive e të tjera. Në këtë kontekst dhe duke shtuar këtu rritjen e tensioneve dhe forcimin e retorikës patriotike në muajt e fundit, nuk mund të ketë rezultate të tjera të sondazhit", tha Popoviç.

Në javët e ardhshme pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të shpallë para opinionit propozimin e tij për, siç thuhet, zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Para Prishtinës dhe Beogradit është edhe obligimi për të nënshkruar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

Roma udhëton në Bologna, Di Francesco mendon për Barçën

Posted: 31 Mar 2018 12:19 AM PDT

Roma do të udhëtojë nesër në Bologna, ku do të përballet me vendasit në mesditë, në takimin e vlefshëm për javën e 30 të Serisë A. Trajneri i verdhekuqve, Eusebio Di Francesco pranon se ka filluar që tani të mendojë për sfidën me Barcelonën.

"Normalisht që nesër është një transfertë shumë e vështirë, sidomos në lidhje me garën për një vend në zonën Champions. Duam të marrim maksimumin në këtë transfertë, për të përgatitur më mirë sfidën ndaj Barçës. Normalisht që për atë sfidë kam menduar sapo u hodh shorti, pasi kundërshtarë të tillë të lënë pa gjumë. Gjithsesi kam besim se do të bëjmë një paraqitje të mirë", tha Di Francesco.

Trajneri i verdhekuqve pranoi gjithashtu se disa prej titullarëve do të qëndrojnë pushim nesër, për t'i pasur të freskët në sfidën me katalanët.

"Dzeko besoj se do ta nisë nga stoli, pasi dua t'i jap mundësinë sulmuesit tjetër, Schick që të shprehë aftësitë e tij në fushë. Natyrisht që do të mendojmë edhe për Barcelonën, kur të bëjmë formacionin, gjithsesi kam ende disa dyshime", u shpreh trajneri i Romës.

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

“The Voice”/ Televotimi shpëton Patris dhe Sindin

Posted: 31 Mar 2018 12:15 AM PDT

Gara ka qenë tepër e vështirë, por në fund është publiku ai që ka vendosur se kush do të vijojë më tej aventurën në "The Voice Kids".

E verdikti i publikut, i shprehur përmes televotimit, ka vendosur që të shpëtojë Sindin dhe Patris, duke iu bashkuar Sarës dhe Frensi, të cilat u shpëtuan më herët nga trajnerët Aleksandër dhe Renis Gjoka.

Sindi erdhi me këngën 'Grace Potter and The Nocturnals', një interpretim fantastik, i cili u duartrokit fort në sallë.

Ndërkohë që Patris erdhi me 'I put a spell on you', e interpretimi i saj krijoi një atmosferë magjepsëse në teatrin e 'The Voice Kids'.

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

Policia konfirmon: Shtetasit turq janë larguar nga Kosova (Video)

Posted: 31 Mar 2018 12:10 AM PDT

Familjarë të gjashtë shtetasve turq, të arrestuar të enjten nga Kosovë kanë pritur me orë të tëra të premten në mbrëmje para aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, pas njoftimeve të pakonfirmuara se disa nga të arrestuarit nuk janë deportuar fare në Turqi dhe se gjenden në ndërtesën e vjetër të aeroportit.

Ndërtesa e vjetër e aeroportit gjendet fare pranë objektit të ri, menaxhimin e të cilit e bën konsorciumi turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon që nga viti 2010.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate thotë: “qytetarët turq, të cilëve u është revokuar leja e qëndrimit në Kosovë, janë larguar me aeroplan nga Aeroporti i Prishtinës në ora 11:05 minuta të datës 29.03.2018”.

Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten gjashtë shtetas turq, të cilët presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi dy vjet më parë.

 

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

Kapet grabitësi i shumëkërkuar i karburanteve në Sarandë

Posted: 30 Mar 2018 11:55 PM PDT

Policia e Sarandës ka arrestuar të shumëkërkuarin Shahin Abazi, 21 vjeç. Abazi ishte shpallur në kërkim për grabitjen me armë të dy karburanteve në Sarandë më 28 dhjetor 2017, si dhe një sërë vjedhjesh të tjera nëpër markete e dyqane dhe vjedhje motorësh.

I kërkuari po tentonte të ikte më autobus drejt Tiranës, por policia ka marrë informacion dhe është vënë në ndjekje të autobusit dhe në aksin Sarandë-Gjirokastër ka ndërhyrë duke kapur 21-vjeçarin.

Abazi është shoqëruar në komisariat ku ka pranuar grabitjen me armë në bashkëpunim, të dy karburanteve dhjetorin e shkuar.

Ai ka pranuar që është pjesë e grupit të bandave me maska të marketeve dhe të dyqaneve në Sarandë.

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

Roterdam, kapen 230 kg kokainë, do transportohej në Britani

Posted: 30 Mar 2018 11:42 PM PDT

Një sasi prej 230 kg kokainë është kapur dje në portin e Roterdamit. Mësohet se droga vinte nga Brazili dhe ishte e fshehur në kontejner. Destinacioni i saj ishte Britania e Madhe.

Mediat e huaja raportojnë se droga është asgjësuar e gjitha.

Vetëm gjatë muajit mars, në portin më të madh të Europës është kapur një sasi prej 385 kilogramësh kokainë.

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

“RRUGA E KOMBIT” DHE SHQIPTARËT QË REAGOJNË ME VONESË

Posted: 30 Mar 2018 11:30 PM PDT

(referuar reagimeve dje dhe sot në media kundër taksës në Rugën e Kombit)

Këto ditët e fundit më shtohet bindja së ne shqiptarët jemi fis interesant. Ceni më i dëmshëm në krejt mundimet tona është fakti se reagojmë me vonesë. Por nuk është vetëm ky fakt që duhet të na shqetësojë, është edhe fakti tjetër që ne asnjëherë në histori nuk u bëmë dot institucionalë. Na pëlqen më shumë me qenë antiligjorë se sa koherent dhe argumentues në kërkimin e një të drejte, në kuntribuimin për një kauzë.  Gjithçka dhe vazhdimisht e kërkojmë në mënyrë informale dhe të manipuluar.

Faqet e para të gazetave janë mbushë me tituj fort të ashpër kundër taksës, që ka nis të aplikohet në rrugën e kombit. Çdo mjet motorik që kalon Tunelin e Kalimashit duhet të paguajë një tarifë të caktuar.  Është me të vërtetë një taksë e tepërt, është një taksim i dyfishtë, i trefishtë apo ku di unë, por ajo taksë nuk u bë sot. Ka plot dy vite që është inicuar dhe është bërë publike. Ajo tashmë është rregulluar me ligj nga qeveria dhe për të është hartuar një kontratë në qindra faqe. Dhe ajo kontratë koncesionare është miratuar në të gjitha institucionet kompetente të këtij vendi.

Në kohën e hartimit të kontratës, në kohën kur ishte ende herët dhe mund të rregullohej diçka, opozita heshti si dhe të gjithë faktorët e tjerë në Tiranë, heshtën. Reagoi vetëm shoqata Biznesi për Biznesin në Kukës, reagoi edhe rinia e Kukësit.  Shoqata e Biznesit alarmoi opinionin për gabimin që po instalohej në Shqipëri me taksën e Rrugës së Kombit, sepse po krijohej një precedent jo i mirë për vendin, pse, më pas do të vihet nën taksim edhe rruga Tiranë-Durrës, edhe ajo e Elbasanit, edhe ajo e Vlorës e me radhë.  Shoqata BpB paraqiti argumente ekonomikë që të bindin. Argumente të nxjerra nga vëzhgime në terren, nga hulumtimi për autostradat në vendet ballkanike dhe evropiane, nga ballafaqimi i ligjeve të vendit, edhe me ato konstitucionale që i japin qeverisë përgjegjësinë për të mbrojtur interesat e shtetasve apo pushtetit vendor që duhet të mbrojë interesat e komunitetit, e deri te kontrata tip që është përshtatur për taksën e rrugës së kombit.  Dhe e ka thënë qartë, ja ku është taksimi në çdo litër karburant (ligji nr.157/2014) që i dedikohet qarkullimit rrugor dhe mirëmbajtjes së rrugëve, ja deklarimet e ministrisë së rrugëve për fondet etj.  Ka paraqitur në mënyrë të përsëritur edhe të dhëna konkluzive se sa humbin qytetarët e Kukësit në një vit (që ishte rreth 1.4 milionë euro duke i paguar në Tunel), sa humb biznesi i vendit, kryesisht turizmi nga dekurajimi që mund t'i shkaktojë taksa në fjalë klientit nga Kosova etj.

Sepse në total turizmi ditor në Shqipëri, gjithnjë sipas publikimeve të institucioneve kompetente, përbën 15% të turizmit total, dhe dihet se turizmin ditor e përbëjnë kosovarët kryesisht… këto analiza gjenden të publikuara.  Dhe për këtë i ka shkruar Presidentit të Republikës (të asaj kohe), Kryeministrit dhe ministrive të fushës, Avokatit të Popullit dhe Ambasadave të rëndësishme, Parlamentit…  ka zhvilluar tryeza debati me deputetë, të zgjedhur vendorë dhe shoqërinë civile, ka protestuar në shesh e kështu me radhë.

Të gjitha këto në kohën kur mund të tërhiqej vëmendja e qeverisë për një negocim, ende pa u firmosur kontrata, pra ende pa u vendosur në siguresë.  Por në atë kohë të gjithë heshtën, ndoshta menduan se taksa nuk do të ndodhë, apo të mësuar me vendime që nuk janë zbatuar e menduan edhe këtë si të tillë, apo ndoshta menduan se janë ëndërr, nuk e di. Fillimisht pushteti vendor në Kukës, Has etj, ishte rreshtuar kundër aplikimit të taksës për qarkun e Kukësit, qenë angazhuar edhe deputetet Zeneli dhe Hadarmataj, qe angazhuar edhe kryetari i bashkisë së Kukësit, zoti Shehu.  Po më pas qeveria i bindi vendorët me ndonjë investim që të braktisin frontin anti-taksë, shkurt, atëherë kur mund të ndryshonte diçka, kauza u braktis.

Sepse edhe partitë politike e injoruan lëvizjen kundër taksës në rrugën e kombit. Edhe shoqatat e njohura si mbrojtëse të interesave të komunitetit në Tiranë heshtën.  Ka prej tyre madje, si rasti i një ambientalisti të njohur, i cili pat udhëtuar edhe në Kukës ku, medemek po mbron kuksianët, shprehu keqardhje, gjithnjë në atë kohë, që rruga e vjetër e Qafës së Malit për ta përdorur si alternativë, është e pa mirëmbajtuar. Nëntekstin kuptojeni vetë… Pra ka qenë një angazhim total dhe institucional që, nëse kundërshtimi nga komuniteti nuk është bindës, taksa në Rrugën e Kombit do të vendoset patjetër.  Protesta e fundit në Kukës, ajo e Tetorit 2016 u bë me vetëm 250 njerëz, kryesisht drejtues biznesesh dhe disa aktivistë të shoqërisë civile.  Ndonjë parti që sot bërtet kundër taksës, se po mbron interesat e shqiptarëve, atë ditë i la anëtarët e saj në trotuaret e Kukësit duke mos i lejuar të rreshtohen në protestë.

A nuk ju duken bajate reagimet e sotme të vonuara? A nuk ju duken jashtë mode argumentet patriotike, se kjo taksë shkon kundër bashkimit të shqiptarëve, apo më keq akoma, argumentet sociale që trumbetohen?  Me të vërtetë që Kukësi futet nën trysninë e trarëve, në një anë dogana e në anën tjetër trau i rrugës. Nga ana tjetër akoma aeroporti mbahet peng, e nga ana tjetër akoma të gjitha burimet natyrore nuk shfrytëzohen nga kuksianët, por nga të tjerë, lumenjtë i shfrytëzojnë firma që siç thonë, kanë lidhje me të fortët në Tiranë, minierat po ashtu, e, në këto kushte komuniteti ndodhet në depresion.

Unë nuk ndodhem në pozicionin që t'i cilësoj reagimet e këtyre dy ditëve si burracake, pasi ashtu mu dukën, por po i quaj të vonuara. Tashmë që gjithçka është vënë në siguresë, përse bërtasim për çfarë bërtasim? Ku ishe ti, atëherë kur duhej reaguar?

Le të tregohemi një herë të vetme popull institucional. Të drejtën e komunitetit të izoluar të Kukësit mund ta kërkojmë tashmë vetëm përmes negocimit me qeverinë ose në rrugë juridike, por assesi në mënyrë banditeske.  Ndoshta komunitetet e tjera janë në kohë të reagojnë për rrugët e ngjashme. Nëse edhe Tiranë-Durrës do të duhet të paguhet 5 euro, nëse edhe për Elbasan, Lushnjë apo Vlorë do të duhet paguar nga 5 euro, atëherë shumë turistë do të llogaritin që, për të prekur detin e Shqipërisë duhet të paguajnë jo më pak se 50 euro vetëm si taksë rruge.  Atëherë ata, me shumë gjasa, do të zgjedhin destinacione të tjerë ku paguajnë më pak dhe kështu vendi do të hynte në udhën e një izolimi total ekonomik.

Sulejman Dida

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

“The Voice”, Eugent Bushpepa tund skenën me “Mall”

Posted: 30 Mar 2018 11:17 PM PDT

Pak ditë pas lançimit të videoklipit zyrtar të "Mall", me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në Eurovision, Eugent Bushpepa rikthehet në "The Voice", por këtë herë jo si Vocal Coach, por për të "tundur" skenën me zërin e tij.

Eugent Bushpepa është cilësuar si një ndër artistët Shqiptar më të mirë të muzikës 'live' dhe zëri i tij potent nuk mund t'i mungonte një skene si "The Voice Kids".

Vitin e kaluar ai ishte asistent trajner i skuadrës së Besës në sezonin e 6-të të "The Voice of Albania" ndërsa këtë vit është ngjitur vetë në skenë për të performuar këngën "Mall" që do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin Europia. Ku vlen për t'u përmendur se në sondazhet e kryera ai mban vendin e 4-t si pretendent për fitore.

31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 31 mars 2018

Posted: 30 Mar 2018 10:00 PM PDT

Dashi

Po kërkoni për një ekuilibër emocional që t'ju japë stabilitet në jetën private. Megjithatë, do të përpiqeni për të arritur momente të tilla në çift. Beqarët mund të gëzojnë një fundjavë të qetë përpara festave të Pashkëve. Lodhja dhe mungesa e qartësisë ju bën të mërziteni me çdo gjë, madje edhe nga problemet më të vogla.

Demi

Marsi i favorshëm do t'ju japë shtysë për të përballuar edhe ditën me të zakonshme me optimizëm. Ju keni kaq shumë gjëra të bukura në mendje për të bërë partnerët të lumtur dhe pjesëtarët e tjerë të familjes! Beqarët do të kenë shumë durim, shumë prej jush do realizojnë edhe takime interesante. Ndalni pasiguritë dhe merrni forcë.

Binjakët

Yjet janë në anën tuaj dhe dashuria është më mirë se asnjëherë dhe kjo ju mundëson të jetoni një ditë plot emocione. Mos u dekurajoni nëse në anën tjetër nuk ka shumë entuziazëm! Zemrat e vetmuara do të zhgënjehen nga sjellja e një personi, ndoshta ju prisni më shumë.

Gaforrja

Nëse do të kishit shpresuar dëshirën për një ditë të bukur, ndoshta do të ndjeheni të zhgënjyer, por në teori nuk do të duhet të ankoheni për këtë. Shqetësimi juaj mund t'i bëjë keq edhe të dashurit/ës suaj. Beqarët mund të pranojnë një ftesë që mund të sjellë ndryshime të mira. Në ballafaqimin me biznesin tuaj mund të hasni njerëz pa elasticitet mendor.

Luani

Marsi duket i gatshëm t'ju dhurojë dashamirësitë e tij dhe premton eros të yjeve dhe synon të kryesojë me partnerin/en. Mbrëmje intensive! Beqarët do të jenë në gjendje për të bërë miq të mirë për të filluar një histori të re! Një kontakt do të jetë i dobishëm për të rritur fitimet. Hapni mundësi të reja që lindin me yjet në favorin tuaj.

Virgjëresha

Yjet këshillojnë të braktisni gjithë frikën dhe të keni më shumë besim te të dashurit. Nëse bëni diçka dhe më pas hiqni dorë nga gjithçka do të ishte një turp. Së shpejti zemrat e vetmuara do të mund të gjejnë shpirtin binjak, nuk ka nevojë të humbisni shpresën. Duket si një kohë e mirë për të hedhur themelet për një projekt afatgjatë, mos hezitoni të përfitoni nga kjo.

Peshorja

Ju ndjeheni si një peshk pa ujë, dhe e gjitha kjo vjen si pasojë e pasigurisë dhe mendimeve tuaja të dyshimta për të dashurin/ën tuaj! Çfarë është e gabuar është mendimi juaj, edhe pse nuk doni ta pranoni. Beqarët mund të ndryshojnë mendje në lidhje me një person i cili tani duket shumë ndryshe nga ajo që ai dukej.

Akrepi

Jini të kënaqur me pushimin e fundjavës, pasi lodhja ju ka bërë të ndiheni të mërzitur dhe të hutuar. Sot ju do të keni një ditë të qetë dhe nuk do keni asnjë arsye për të diskuar apo debatuar me të dashurit tuaj. Beqarët do të duhet të përpiqen të mos ekspozojnë veten e tyre shumë për të mos shkaktuar thashetheme të pajustifikuara. Ngurtësia juaj do t'ju ndalojë të modifikoni projektet.

Shigjetari

Në dashuri, vazhdo pa nxitim, edhe nëse perspektivat duken të mira. Ndërhyrja e një personi mund t'ju shqetësojë, largojeni atë nga planet tuaj. Për beqarët është një ditë e zënë me miqtë dhe parashikohen shumë njohje të reja. Mundohu të mos e shpërqendrosh veten në punë dhe të kesh më shumë besim në aftësitë e tua.

Bricjapi

Ka ardhur koha për të marrë një vendim përfundimtar lidhur me një situatë sentimentale. Nëse nuk mund të jetoni dashurinë ashtu siç dëshironi, kërkoni diku tjetër. Beqarët do të jenë në gjendje të rindërtojnë diçka që është ndërprerë papritmas. Një fazë relaksuese në punë po fillon sot. Përpiquni të forconi një partneritet që mund të jetë i dobishëm për ju.

Ujori

Do të jeni aktiv dhe dinamik dhe do të dëshironi të sqaroni disa keqkuptime. Megjithatë, për problemet e zemrës, përpiquni të mos nxitoni, koha do të rregullojë gjithçka. Yjet parashikojnë ndryshime pozitive për beqarët. Qëndroni larg situatave jo bindëse dhe përqendrohuni në punë. Ju do të keni kënaqësi të mëdha dhe shumë lëvdata.

Peshqit

Jeni në gjendje shpirtërore jo shumë të mirë dhe keni nevojë për fjalë të ëmbla e të buta. Mos lejoni që të shkoni shumë larg dhe ta mbani nën kontroll situatën. Beqarët do të ndryshojnë mendjen e tyre për një person dhe të kenë ide më të qarta për të ardhmen. Me Jupiterin në shenjë, një marrëveshje e mirë do të shkojë aty ku duhet. Kini besim për të ardhmen.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more