Ky libër është kombinim i meditimit, i
mjekimit shpirtëror dhe i pjesëve të zgjedhura nga ligjëratat e mia.
Merret me përvojën e përditshme dhe është menduar si udhërrëfyes për ato
fusha ku shfaqen shumë probleme.
Kur ndihemi si viktimë, ne fillojmë të
veçohemi. Ndiejmë dhembje dhe frikë dhe gjithnjë e kërkojmë dikë që të
na shpëtojë, dikë që do të punonte për ne. Ne tash kemi mundësi ta
zbulojmë aftësinë tonë vetjake që t’i përgjigjemi jetës, kurrsesi si
viktima, por në mënyrën që na fuqizon. Sa më shumë që të lidhemi me
QENIEN TONË TË BRENDSHME, aq më të lehtë dhe shumë më cilësore do ta
kemi jetën.
Është një ndjenjë e mrekullueshme, kur
të jemi të bindur se nuk do të varemi nga askush, sepse brenda në ne
gjendet fuqia e jashtëzakonshme që na e mundëson t’i jetësojmë
ndryshimet pozitive në jetën tonë. Kjo ndjenjë na dhuron lehtësi dhe
çlirim të plotë.
Dikush, ndoshta, do të frikësohet nga
liria, sepse ajo do t’i duket si përgjegjësi. Por, përgjegjësia do të
thotë se, thjesht, jemi në gjendje t’i përgjigjemi jetës. Ne po hyjmë në
epokën e re dhe në rendin e ri shoqëror. Është koha të lirohemi nga
bindjet dhe shprehitë e vjetra. Në qoftë se i përvetësojmë modelet dhe
sjelljet harmonike, do ta ndihmojmë edhe rendin e ri botëror.
Bëhuni të durueshëm me vetveten. Ndoshta
do të luhateni midis së vjetrës dhe së resë, sidomos nga çasti kur të
merrni vendim për ndryshim deri në çastin kur të realizoni ndryshimin.
Ndoshta do të keni nevojë të shoqëroheni me këtë libër në periudhën kur
jeni “në mes” së vjetrës dhe së resë. Ndoshta do të dëshironi t’i
shfrytëzoni për çdo ditë këto meditime dhe teknika derisa ta ndërtoni
bindjen në fuqinë tuaj, atë bindjen e fuqishme për ndryshime.
Kjo është kohë e ZGJIMIT. Ta dini se
gjithnjë jeni të SIGURT. Ndoshta në fillim nuk do të besoni, por më kohë
do ta ndërtoni bindjen e fortë se jeta gjithnjë është në pronësinë
tuaj. Ta dini se është plotësisht e mundshme të kaloni nga gjendja e
vjetër në gjendjen e re, madje me sukses mahnitës.
loading...
Lexo edhe: