Skip to main content

Perëndija -poezi islame nga Naim Frasheri

Ç'sheh, është Zot'i vërtetë,
Ç'dëgjon, është zër'i tija,
Gjithë ç'ka e s'ka në jetë,
Eshtë vetë perëndia.

Mos shiko valëtë p'anë,
Mos të gënjenjë rremeti,
Të tëra një burim kanë,
Gjithë ngrihen pej një deti.

Në det të math e të gjërë
Çdo valë që të sheh syri,
Atje është deti tërë,
Po valëtë mirë qyri.

Kur ta zësh gjënë të bërë,
Esht' ashtu me të vërtetë,
Po ta vësh re gjat' e gjërë,
Esht' ajy bërësi vetë.
Dhe kush flet edhe ç'gjë flitet,
Ç'duket e s'duket në jetë,
Dhe kush sheh dh'ajo që shihet,
Zot' i vërtet' është vetë.

Se e tërë gjithësia,
Që nuk' i gjëndetë fundi,
Eshtë vetë perëndia,
Për atë s'ka vënt gjëkundi.

Eshtë në shesht perëndia,
I verbëri s'munt ta shohë,
Ajo është gjithësia,
I dituri munt ta njohë.

Pe një lulezë kur shohim
Dhe të vëmë re një fletë,
Me dituri munt ta njohim
Q'atje 'shtë zot' i vërtetë.

Eshtë në shesht perëndia,
Sicilido munt ta njohë
Po s'e mbuloi e padija,
Njeriu tekdo munt ta shohë.

Kush do ta shohë të tërë,
Të shohë mirë njerinë,
Vethen' e tij re të vërë,
Atje e gjen perëndinë.

Dhe parajsi dhe skëterra,
Dhe engjëlli edhe djalli,
Edhe gjithë ç'ka të tjera,
Janë brënda tek i gjalli.

Ajy që ka mirësinë,
Ka perëndin' e të mirat,
Edhe kush ka djallëzinë,
Ka djallë e ligësirat.

Më çdo anë e kërkova,
Thashë: ku 'shtë perëndia,
Po më pasdaj e mësova,
Qënke ndaj mej' e s'e dija.

Kërkonja gjetkë ta gjeje
Zotn' e math e të vërtetë,
Ajy qënëkej ndaj meje,
E paskësha unë vetë!

Me fjal' e me agjërime
Nuk e gjen dot perëndinë,
As me kreshm' e me kungime,
Si punojn' ata që s'dinë

Trajstën' e ke plot me bukë,
Edhe hiqesh si i mjerë,
Dhe ke zën' e thua nukë,
E lipën derë më derë.

Eshtë ndaj teje i gjallë,
Ti e kërkon nëpër gurë,
Në të rrem' e në përrallë,
Andaj nuk' e gjen dot kurrë.

Pa s'vdes kurrë perëndia,
Po kush vdes në jetë vallë?
Gjë s'vdes, sepse gjithësia
Eshtë gjithënjë e gjallë.

Qeshë diell, ishnja hënë,
U bësh' uj' e balt' e erë,
Yll e zok e dash kam qënë,
Pa dhe njeri shumë herë.

Sa det i math e i gjerë
Edhe sa mijëra valë!
Sicil atje do të bjerë,
Prapë soje do të dalë.

Mijëra shpirtëra ngrihen,
Bijen mijëra të tjera,
Vjen dimëri, lulet pshihen,
I nxjer prapë në shesht vera.

Nj'është, po ka shumë ngjyrë,
Duket sikur s'ka të ngjarë,
E sheh fytyrë-fytyrë,
Po 'shtë i njëjt' e i pandarë.

Ajy është trëndafili
Edhe gjëmb' i trëndafilit,
Ajy është dhe bilbili,
Ajy dhe zër' i bilbilit.

Mos shiko ç'rrobë ka veshur,
Eshtë brenda vet' i qetë,
Syr' i t'urtit e sheh xhveshur,
Veç ati s'ka gjë ndë jetë.

Zoti është gjithësia,
Ajy është gjithë ç'janë,
Po kush njeh vethen e tija,
S'e kërkon më tjatër anë.

Dhe qelqeja u hollua
Dhe vena, pa u përzjenë
S'ka ven', është qelqe thua,
A s'ka qelqe, është venë.

Unë ndaj teje një pikë,
O det i gjer' e pa anë!
Të hynj brënda më vjen frikë,
Po s'hiqem dot dhe mënjanë.

Të kisha zën' e bilbilit,
Gjithënjë do të këndonja
Bukurin' e trëndafilit,
Dhe kurrë të mos pushonja.

Po ti vetë je, o bilbil,
Ti je edhe dashuria,
Ti je edhe trëndafili
Edhe bukuri e tija.

Ti je ç'është jet' e tërë,
Ti je vetë gjithësia,
Ti vetë njeri je bërë,
More fytyrën e tija.

Oh! detpaanë,
Në një stamnë qysh ka hyrë?
Ajy q'është gjithë ç'janë,
U mbloth tok më një fytyrë.

Më çdo anë që shikova,
Pashë mirë që je vetë,
Të gjeta tek të kërkova,
Zot'i math e i vërtetë.

Pe trupi shpirt është bërë,
Edhe shpirti trup në jetë
Eshtë bërë, një i tërë
Gjithë ç'është, është vetë.

Paskëtaj, o shokë, kurrë
Mos kërkoni perëndinë
Nëpër mur' e nëpër gurë,
Po shihni mirë njerinë.

Zëmr' e njeriut në jetë
Eshtë vënd' i perëndisë,
Esht' atje zot' i vërtetë,
Det' i math i gjithësisë.

Ajy është gjithësia,
Edhe udh' e perëndisë,
Eshtë vetëm njerëzia,
Q'i duhetë njerëzisë.

Mer dorën e diturisë,
Pa ajo do të të nxjerë
Gjer te fron' i perëndisë,
Ndaj soje do të të shpjerë.

Esht' e vërtetë kjo punë,
Mos qëndroni n'errësirët,
Se këtë s'e gjeta unë,
E kanë thënë të mirët.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more