Skip to main content

“PD, kërkesë KQZ: Shkarkoni pa vonesë Agim Kajmakun” plus 9 more - Gazeta Dita

“PD, kërkesë KQZ: Shkarkoni pa vonesë Agim Kajmakun” plus 9 more - Gazeta Dita


PD, kërkesë KQZ: Shkarkoni pa vonesë Agim Kajmakun

Posted: 30 Oct 2019 02:23 AM PDT

Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vendosë pa vonesë për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku.

Pas denoncimit të PD-së, ai u verifikua nga prokuroria se ka falsifikuar Formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave fallco, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Në kërkesën e firmosur prej Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Partia Demokratike kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

"Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe indentitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo pasjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban" – shprehet në kërkesën e tij Gazment Bardhi.

 

o.j/dita

Lista e mësuesve të Historisë që testohen për licencën

Posted: 30 Oct 2019 02:07 AM PDT

Pas arsimit fillor dhe lëndës së gjuhë letërsisë, provimet e shtetit për licencat e reja në mësuesi do të vijojnë me historinë. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka konfirmuar tashmë listën zyrtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të dhënë provimin e lejes së ushtrimit të profesionit si mësues i historisë në shkollat e arsimit të detyruar 9-vjeçar, apo gjimnaze, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Testimet në këtë profil do të zhvillohen për dy ditë me radhë, përkatësisht në datat 31 tetor dhe 1 nëntor, me tre turne.

Për secilin kandidat që është pjesë e listës së detajuar në vijim, QSHA ka përcaktuar edhe datën dhe orarin se kur duhet të paraqitet në ambientet e këtij institucioni për të zhvilluar testimin e informatizuar. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar orarin se kur duhet të paraqiteni për të zhvilluar provimin e shtetit në këtë lëndë. Sipas rregullores së zbardhur më herët  nga dikasteri i Arsimit, për të mos rrezikuar hyrjen në provim, kandidatët që janë pjesë e kësaj liste duhet të paraqiten në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit kandidati duhet të jeni të pajisur detyrimisht me: letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal, si dhe kopje të tyre.

Me vete duhet të mbani edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ku të jetë e specifikuar hera pjesëmarrjes. Fatura duhet të ketë vulën e bankës përkatëse. Me vete duhet të keni edhe kopjet e diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Mungesa e ndonjërit prej këtyre dokumenteve penalizon kandidatët me përjashtim nga provimi e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit. Provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën. Për t'u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të kësaj qendre.

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Autoritetet drejtuese të kësaj qendre bëjnë me dije se një pjesë e mirë e këtyre të rinjve, kthehen në garë për licencën për të disatën herë, pasi kanë dështuar në sezonet e provimeve të zhvilluara përgjatë sezoneve të shkuara.

Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pajisja më lejen e ushtrimit të profesionit, e lejon çdo mësues të ri që të nisë procedurat e mëtejshme të konkurrimit për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar, si dhe gjimnazeve publike dhe private të vendit.

Në ditën e provimit duhet të keni me vete:

  • Duhet të paraqiteni në QSHA 30 minuta para fillimit të orarit të provimit.
  • Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal);
  • Kopje të Kartës ID ose Pasaportës;
  • Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për
  • llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes.
  • Kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara.

Tarifat sipas herës së pjesëmarrjes në provim:

  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit është 10,000 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të dytë provimin e shtetit është 12,500 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të tretë provimin e shtetit është 15,000 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit është 17,500 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit është 20,000 lekë.
  • Tarifa për ata që e japin për herë të gjashtë, e më shumë, provimin e shtetit është 25,000 lekë.

Për listën e plotë klikoni këtu:  histori

Studimi: Këto janë institucionet që kërkojnë më shumë ryshfet

Posted: 30 Oct 2019 01:50 AM PDT

Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike sapo ka përfunduar një studim mbi perceptimin publik të korrupsionit, ku zbulohen disa gjetje shqetësuese mbi përhapjen dhe sofistikimin e tij.

Sipas studimit, publiku sheh si grupet më pak të korruptuar mësuesit, gazetarët, mjekët, ndërsa treguesit dhe renditja e korrupsionit për zyrtarët ka mbetur thuajse i pandryshuar nga viti 2016, dhe ka vetëm një përmirësim të lehtë në këtë pikë.

"Grupet e perceptuara si më të korruptuara nga publiku vazhdojnë të mbeten gjyqtarët, prokurorët, nëpunësit e doganave dhe tatimeve, nëpunësit e administratës së drejtësisë, partitë politike dhe drejtuesit e tyre. Mbeten edhe këtë radhë e njëjta renditje; pra nuk ka një rikthim të besimit të publikut ndaj këtyre institucioneve, edhe pse reforma e shpallur me bujë pritet të japë frytet, po ndoshta është në fillimet e veta" – tha Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe një nga autorët e studimit.

Studimi zbuloi se afro gjysma e qytetarëve të anketuar u shprehën që administrata i ka bërë presion për rryshfet në këmbim të shërbimeve publike.

Po ashtu gjysma e të anketuarve pohuan se kanë dhënë rryshfet për të marrë shërbime publike, pra rezistenca ndaj presionit për korruptim është minimale.

Afro gjysma e qytetarëve të anketuar pohuan që ishin gati të bënin të njëjtat presione korruptive, nëse do të këmbenin vendet me zyrtarin publik.

Vetëm 4 % deklarojnë se nuk do të përfshiheshin kurrë në një aferë korruptive, por mbi 20% e të anketuarve kanë ende shpresë në çrrënjosjen e korrupsionit.

"Janë më shumë se sa 1/5, ose 22% e të intervistuarve që deklarojnë me besim se korrupsioni do të mund të çrrënjoset. Ky është një tregues në krahasim me matjet e mëparshme dhe që jep shpresë se zbatimi i reformës në drejtësi, siç u mbështet fuqishëm nga SHBA dhe BE, është një mundësi e mirë që kjo dukuri të ndëshkohet" – tha zoti Preçi.

Studimi vëren gjithashtu se korrupsioni i vogël me dhurata nën dorë ia ka lënë vendin korrupsionit të lartë e të sofistikuar nëpër labirintin e kontratave të pakuptueshme dhe marrëveshjeve të fshehta.

Zoti Preçi i Qendrës për Kërkime Ekonomike thotë se shumica e njerëzve po i mbajnë të gjitha shpresat se korrupsionin më në fund do ta godasin SPAK dhe BKH.

"Mbetet për t'u parë vënia në funksionim e prokurorisë speciale si dhe të gjykatës së posaçme, që të kalohet nga fushatave e fjalëve në fushatën e veprave. Kjo është diçka që nuk mund t'i kërkohet llogari vetëm qeverisë. Qeveria demonstron vullnetin politik, por mbetet për t'u parë se në ç'masë ato institucione do të përmbushin funksionet e veta. Fillimi i funksionimit të këtyre institucioneve shënon fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë, por shënon në të njëjtën kohë edhe fillimin e ndarjes së pushteteve, për të cilën vendi ynë vuan shumë, sidomos gjatë dekadës së fundit" – tha zoti Preçi.

Studimi mbi perceptimin e korrupsionit nga opinioni publik është matja e pestë që nga viti 2001 në 3 elemente kryesore: presionit të administratës ndaj qytetarëve për korrupsion, realizimi i korrupsionit gjatë marrjes së shërbimeve publike dhe mbi shkallën e besimit, që ka publiku nëse korrupsioni mund të çrrënjoset.

Shiste sende të vjedhura, arrestohet polici në Laç

Posted: 30 Oct 2019 01:47 AM PDT

SHÇBA ka bërë të mundur arrestimin e një punonjësi policie në Laç, pasi akuzohet për shitje sendesh të vjedhura.

E.L. i merrte sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani (i arrestuar po ashtu) dhe i shiste.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Ministrinë e Brendshme njofton se në bashkëpunim me Policinë e Hamburgut, Gjermani dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Laç ka arrestuar një punonjës policie, banues në Laç.

Ai dyshohet për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë".

Njoftimi i Policisë:

Në kuadër të bashkëpunimit me partnerët gjermanë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, mbi procedimin penal nisur në vitin 2018, u finalizua me sukses operacioni ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së dhe Policisë së Hamburg-ut, për arrestimin e Inspektorit E.I., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë DVP Lezhë.

Ky procedim lidhet me një hetim të nisur nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal.

Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë.

Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg.

Ekspertë të Policisë së Hamburgut ishin në Tiranë si pjesë e kryerjes së veprimeve operacionale në terren, së bashku me SHÇBA dhe drejtuesit e Prokurorisë në Laç.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje guzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje. Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.

Në Landin e Hamburgut u arrestua një grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve, 3 prej autorëve janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.

 j.l./ dita

SHBA, shuplakë e dyfishtë për Turqinë: Kongresi njeh gjenocidit turk ndaj armenëve dhe kërkon sanksione për Ankaranë

Posted: 30 Oct 2019 01:25 AM PDT

Shuplakë e dyfishtë nga Kongresi amerikan për Turqinë, dy javë pas vizitës së Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë.

Kongresmenët amerikanë kanë miratuar njëzëri një rezolutë që njeh genocidin turk ndaj armenëve dhe një tjetër rezolutë që i kërkon Presidentin Donald Trump të vendosë sanksione dhe kufizime të tjera për Turqinë për ofensivën në veri të Sirisë.

Reagimi i Ankarasë ka qënë i menjëhershëm. Ankaraja ka hedhur porshtë rezolutën për gjenocidin armen, duke deklaruar se ai nuk ka asnjë bazë historike dhe ligjore.

“Është një hap i parëndësishëm politik – tha kreu i diplomacisë së Ankarasë Mevlut Cavusoglu. Ministria e Jashtme turke gjithashtu dënoi me forcë rezolutën për sanksionet, duke theksuar se vendimi nuk është në përputhje me aleancën e NATO-s, me marrëdhëniet midis dy vendeve dhe me marrëveshjen midis SH.B.A. dhe Ankarasë për armëpushimin në Siri, duke paralajmëruar Uashingtonin që të marrë masa për të shmangur hapa që dëmtojnë më tej marrëdhëniet bilaterale.

Dhoma e Kongresit të SHBA ka njohur zyrtarisht “genocidin armen” me një shumicë dërrmuese 405 vota pro dhe vetëm 11 kundër.

Teksti jo detyrues bën thirrje për “përkujtimin e genocidit armen”.

Gjenocidi armen është njohur nga rreth tridhjetë vende. Sipas vlerësimeve, rreth 1.2 deri 1.5 milion armenë u vranë gjatë Luftës së Parë Botërore nga trupat e Perandorisë Osmane.

Por Ankaraja e ka kundërshtuar termin genocid duke pretenduar se kishte masakra të ndërsjella në sfondin e një lufte civile dhe një zie të urisë që shkaktoi mijëra të vdekur nga të dy palët.

Në prill të vitit 2017, disa muaj pas marrjes së detyrës në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e quajti masakrën armene “një nga mizoritë masive ndër më të këqijat e shekullit të 20-të”, por nuk përdori termin genocid.

Shuplaka e dyfishtë vjen pasi Trump ka tërhequr trupat amerikane nga Siria duke braktisur aleatët kurdë në ofensivën turke.

o.j/dita

Bashkimi Euroazian fton Shqipërinë dhe MV: Më shumë benefite se në BE

Posted: 30 Oct 2019 01:18 AM PDT

Bashkimi Ekonomik Euroazian (EEU) ka ftuar Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore që t'i bashkohen këtij grupimi.

Thirrja është bërë nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, gjatë Forumit Ekonomik Eurasian në Verona, Itali të Premten.

"Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa në BE", theksoi diplomati rus.

Chizhov tha: Unë jam i sigurt se vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE dhe së fundmi janë “vënë në akull” nga Brukseli "mund të kenë më shumë benefite në EEU.

Ftesa e Rusisë për vendet e Ballkanit për t'u anëtarësuar në EUU vjen vetëm disa ditë pas një vendimi negativ nga Presidenti Francez Emmanuel Macron.

Ndërkohë Bjellorusia është i vetmi vend evropian që po merr pjesë në EEU.

j.l./ dita

Mogherini puth Thaçin, Vuçiç: Federica ka dëshirë të puthet me ty, mos bëj sikur s’merr vesh

Posted: 30 Oct 2019 01:10 AM PDT

Mbrëmjen e djeshme në Bruksel, Federica Mogherini, përfaqësuesja e BE është takuar me liderët e Ballkanit Përëndimor dhe i ka përshëndetur të gjithë, teksa thuhet se nuk ka takuar vetëm kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Ajo u shfaq tejet e afërt me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin të cilin e puthi dhe e përqafoi teksa të tjerët i takoi formalisht duke u shtrënguar dorën.

Në këtë moment ka ndërhyrë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili e “ngacmoi” Thaçin në serbisht.

“Hashim, Federica më së shumti ka dëshirë të puthet me ty. Shikoni se si bën sikur nuk merr vesh serbisht, por di shumë mirë”, ka thënë Vuçiç.

Pas ngacmimit të Vuçiç, Thaçi dëgjohet teksa qesh.

j.l./ dita

VIDEO: Trajneri i Laçit rreh futbollistët se humbën ndeshjen: Palaço! Doni me lujt futboll ju, zagarë

Posted: 30 Oct 2019 01:04 AM PDT

Një video skandaloze vjen nga futbolli i moshave, kur trajneri i Laçit U-17, Ndue Tarazhi ka goditur me shpulla të gjithë një e nga një pasi kanë humbur ndeshjen.

Të gjithë futbollistët e rinj qëndrojnë me kokat ulur teksa trajneri i ofendon dhe i qëllon ata.
Në vend t’i kritikojë dhe t’i mësojë që një gjë e tillë të mos ndodhë më në fushën e blertë, Tarazhi i dhunon fizikisht, por edhe psikologjikisht.

Duket se një gjë e tillë nuk është hera e parë, pasi siç mund të shihet edhe nga videoja, askush nga djemtë nuk reagon, por fatkeqësisht janë mësuar me këtë dhunë nga ana e trajnerit të tyre, që mesa duket ka ngatërruar se nuk po trajnon sportist në arte marciale, por futbollist.

“Ti, mirë je? Po ti, mirë je dhe ti? Po ti, ku je? Ata bënë dy gola, dhe i bënë për fajin tënd. Po ti, do me lujt futboll, do me lujt në Greqi? Pisa. S'ju vje turp, maskarenj. Palaço. Doni me lujt futboll me Laçin. Zagarë. A ju thashë të hyni me mentalitet fituesi? Si jua bëjnë golin ju të dyve? Asnjë nuk i turret topit. A ju kam thënë të bëni regjim 1-ditor? Nuk keni fjetur gjithë natën, rrini nëpër televizor e kafe, nuk ju vjen turp. Ai ekip lask***sh atje, me ju mund ata, mër pisa. Nuk kam çfarë ju them, në dash fitoni, në dash humbni. Pisa. Ju jeni pisa. Dy gola ty t'i kanë bërë. Të dy. Ti i ke ngrënë. Nuk ju vjen turp. Në duel shpejtësie. Çfarë ke që sheh? Ulu aty, se ta marr shpirtin. Ulu këtu, ulu këtu, këtu”, dëgjohet teksa u thotë trajneri.

o.j/dita

Më 6 nëntor shpërndahet parlamenti britanik, nis fushata 5-javore

Posted: 30 Oct 2019 12:55 AM PDT

Më 12 dhjetor Mbretëria e Bashkuar shkon në zgjedhje të parakohshme pas përpjekjeve pa rezultat për të kapërcyer ngërçin rreth marrëveshjes “Brexit”.

Propozimi i kryeqeveritarit Boris Johnson mori të martën 438 vota pro dhe 20 kundër dhe pritet të konfirmohet brenda javës edhe në dhomën e lordëve.

Mbështetje dhanë më shumë se gjysma e opozitarëve laburistë, duke e çuar vendin drejt një procesi elektoral dimëror për herë të parë që nga viti 1923.

“Nuk na mbetet zgjidhje tjetër përpos nënshtrimit me përulje ndaj gjykimit të elektoratit. Një parlament i rivitalizuar me një mandat të ri, do përmbushë vullnetin trevjeçar të popullit dhe do realizojë daljen tonë nga BE-ja,” deklaroi Johnson në seancë.

Parlamenti aktual parashikohet të shpërndahet të mërkurën e ardhshme për të bërë të mundur çeljen e fushatës elektorale pesëjavore.

Anketat tregojnë se tema më shqetësuese për publikun britanik mbetet Brexit-i, ndjekur nga shërbimi shëndetësor, krimi, ekonomia dhe emigracioni.

Konservatorët e kryeministrit Johnson do ta fokusojnë betejën elektorale te dalja e vendit nga BE-ja brenda 31 janarit 2020, ndërsa opozita laburiste do të shtyjë idenë e një referendumi të dytë dhe anulimin e Brexit.

Ekspërtët e sondazheve parashikojnë që mazhoranca aktuale të ruajë avantazhin me mandate ndaj opozitës, por rezultati do të jetë i vështirë për t’u paracaktuar.

o.j/dita

Kandidatja për ambasadore: Prioritet, zgjidhja e krizës politike

Posted: 30 Oct 2019 12:42 AM PDT

Zgjidhja e krizës politike në Shqipëri është caktuar si një nga tre përparësitë e kandidates për ambasadore të Shteteve të Bashkuara Yuri Kim.

Gjatë seancës dëgjimore para Komitetit të Politikës së Jashtme të Senatit Amerikan, zonja Kim, iu referua gjithashtu edhe nxitjes së reformës në gjyqësor që po ndërmerret nga autoritetet shqiptare.

"Unë do t’i nxit udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin e tanishëm politik në një mënyrë që të përforcohet aspirata e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit me Bashkimin Europian si dhe forcimin e rolit të vendit si kryesues i radhës i OSBE-së. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të nxisin Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore, verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të krijojë një strukturë speciale të pavarur kundër korrupsionit dhe një Byro Kombëtare të Hetimit. Unë gjithashtu do të dyfishoj angazhimin dhe ndihmën teknike amerikane në hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar."

E pyetur në lidhje me rolin që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë dhe çështjes së ndryshimit të kufijve, Kim theksoi para senatorëve se Uashingtoni ka dërguar dy të dërguar të posaçëm në rajon, ndërsa shtoi se ndryshimi i kufijve nuk është i dobishëm.

Në lidhje me ndikimin e huaj në Shqipëri nga fuqi të tjera jo perëndimore, Kim tha se Rusia nuk përbën një shqetësim, por problem për të është Kina, për shkak të investimeve dhe komplikimeve politike që ato mund të sjellin.

j.l./ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more