Skip to main content

“Fishta racist?!” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Fishta racist?!” plus 1 more Telegrafi Opinione


Fishta racist?!

Posted: 29 Oct 2019 09:47 AM PDT

Replikë ndaj shkrimit të z. Pirro Prifti

Agron Shala, miku im, gazetar e shumçka tjetër në kulturën e Prishtinës, më nisi pardje linkun e një shkrimi i cili më bëri me dije për një tjetër akuzë të re që qenka shtuar në pretencën ende të pa mbyllur që i bëhet Gjergj Fishtës që prej vitit 1945 e këndej (po edhe më nguci të shkruaj me padashje këto radhë). Akuzë ende e hapur, veçse e modeluar sipas rastit edhe në pasvitet 1990 e këndej, kur së jashtëmi është bërë rehabilimi i tij; kur tashmë Fishta është ringjallë prej hirit 50-vjeçar të harresës. Herë mbas here "sharmantët" e mosdashjes së tij, i nxjerrin prej së mbrendëshmes së tyre të pandreqëshme të urrejtjes së trashëguar prej kohës socrealiste, për të shënuar në fund të fundit, se Fishta është ai që ishte: armik, kolaboracionist, katolik, tradhëtar, folklorizant… pra i dëmshëm, i pavlerë. Duhet të jetë me patjetër i tillë, me çdo mënyrë e me çdo çmim. Duke i spërdredhë gjithfarësojshëm të vërtetat e patundëshme se ai është poeti kombëtar i shqiptarëve, por dhe i vlerësuar si i tillë prej të tjerëve në botë, se ai ishte anëtar i Akademisë së Italisë, por që nuk flirtoi kurrë me fashizmin, se ai qe kandidat për çmimin Nobel, njëherë të vetme, në një vit, por i vlerësuar aq sa ta kishte marrë atë. . . . I mirëpritur si diplomat në Europë e në Amerikë.

I mirëpritur e i mirëkuptuar nëpër botë, po i keqpritur e i keqkuptuar prej rregjimit në vendin e vet.

Dhe tani rishmësi na del …nacionalist dhe racist ndaj fqinjëve…:

Po të krahasojmë veprat e Gjergj Fishtës me veprat e Ismail Kadaresë, ka një karakteristikë të përbashkët: nacionalizimin dhe racizmin ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuar). Panagjerizmi ndaj Gjergj Fishtës është i njohur në Shqipëri dhe në gjithë Europën, përveç diktaturës komuniste. E njihnin natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: Nga Austria "Ritterkreuz" më 1912, ose nga Turqia "Mearif" po më 1912, nga Vatikani "Medaglia al Merito" më 1925, nga Greqia "Phoenix" më 1931, etj. etj. , e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel! E si pasojë, kur patër Gjergji e refuzoi dekoratën e lartë të qeverisë fashiste italiane, akademikët e Italisë u trandën.

Kështu shkruan z. Pirro Prifti në shkrimin e tij të datës 12. 10. 2019 me titull:"Përse Ismail Kadare nuk vlen të fitojë asnjëherë çmimin Nobel për Letërsinë". . . . sepse Kadare ka rënë pikërisht në kurthin e ideve raciste dhe nacionaliste në veprën e tij, njëlloj si Gjergj Fishta, kandidati i parë për çmimin Nobel të propozuar nga gjermanët në vitin 1937-vijon më poshtë artikullshkruesi.

Kjo është gjetja e re e z. Piro Prifti… pra Fishta nacionalist dhe racist ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuar). Që paska marrë në qafë edhe Kadarenë. . .

Edhe panagjerist edhe i dekoruar e nderuar nga fuqi e forca të rëndësishme në Europë, edhe kandidat për çmimin Nobel edhe akademik i Italisë. . . Po ka edhe një dhuratë simbolike prej Krajl Nikollës së Malit të Zi, Fishta. Dhurata është një teste(12 copë) lugësh e pirunjësh prej argjendi, të cilat i kishte vendosë në një vend të dukshëm në Kuvendin e Gjuhadolit ku banonte dhe kur vizitorët e tij të shumtë dhe shumësyresh e pyesnin për to, ai thoshte jo pa ironi:"punë krajlash". Ndoshta kjo ironi e ka dogonis (trazuar) kaq shumë autorin e shkrimit në fjalë sa ta çmojë si racist Fishten ?! Se nuk paska qenë fort dashamirës me sllavët lakmitarë për copa të Shqipërisë ??!!

Në të vërtetë epiteti zbutës racizëm i justifikuar besoj se është vetëpërjashtues për akuzen e kërkuar nga autori i shkrimit: racist. Se racizmi, pra diferencimi, mospranimi, urrejtja ndaj racës tjetër, ndaj popullit tjetër ose është ose nuk është. Është si ajo batuta anekdodike për një grua që është pak me barrë. . . Edhe sikur Fishta shkrimtar ta kishte ndjesi të brendëshme të tijën racizmin, për një klerik dhe vetë veçorinë e përzgjedhjes që një klerik ka qyshse merr përmbi vehte kushtimin e përjetshëm ndaj besimit e Zotit kjo është e përjashtuar. E papërputhëshme me vetë zgjedhjen e një kleriku. Kurse akuza: nacionalist, ngjet vetëm e parafabrikuar. Përderisa termi njësohet me atdhedashurinë, një ndjesi e njerëzishme e legjitime që shënohet në radhën e virtyteve. E asesi në të kundërten e vet. ". . . Dashunia për Atdhenë këtu në Shqipni, po ishte nji faj, nji mëkat, nji delikt[krim]. . . dhe kjo kufomë e shkretë na dëshmon ne si ndëshkohet faji i atdhedashunisë"- janë dy rreshta të shkëputur nga fjalimi që vetë Fishta mban në varrimin e Avni Rrustemit. E më pas përballon me "dekalogun " e fortë me "Kongregacionin e Shejtë të Propagandës Fide", për qortimet që i vinë që andej.

Kurse atdhedashuria, e interpretuar sot mbas gati një shekulli nga pozita kozmopolite, kërkon sforcimisht të ndërtojë një akuzë tjetër për ta mbajtur prapë në "gjendje arresti" Fishten, nën qortime të dënueshme e për rredhojë në pluhurin e harresës. Dhe ky është qëndrimi i "moderuar" krejt i lexueshëm që nxjerr krye sapo krijohen rrethanat për idhtarët antiFishtë. Kësaj here vënia (në mënyrë absurde ) në të njëjtën bankakuzë me Kadarenë është gjetje dhe vjen si "risi" në metodologjinë e baltosjes e mospranimit të Fishtës. . . Kështu që as Ismail Kadare dhe as at Gjergj Fishta –thotë me plot siguri z. Prifti-nuk mund të marrin dot këtë çmim, sepse nuk kanë asnjë mesazh optimist për popullin e tyre dhe as për botën përveç mesazhit nacionalist dhe racist që ata kanë shprehur në veprat e tyre të botuara. Sot shqiptarët e kanë të vështirë të kuptojnë këtë që po shkruaj dhe e kanë të vështirë të kuptojnë mungesën e interesit të Komisionit të Çmimeve Nobel për Letërsinë, për Kadarenë dhe për Fishtën.

Po të thuash për Fishtën që nuk ka asnjë mesazh optimist për popullin e vet , më duket fort, po shumë fort e dyshimtë se është pohim që bëhet në rrethana normale. Për Fishtën dhe për aradhën e atyre mendimtarëve e personazheve atdhetarëve që janë fashoja më e ndritëshme e qytetrimit shqiptar në shekullin e shkuar, pa të cilët nuk do të kishim Shqipëri, kurajoja më duket se i kapërcen kufijtë e arsyes. Unë e refuzoj me neveri këtë akuzë të qepur "me gjilpanë [gjilpërë]dyshekësh". Se më kanë mësuar ta refuzoj heret, vlerësimet e ardhura për të prej gjithkahit; prej vendit e prej bote. Disa prej tyre i përmend edhe autori i shkrimit, edhe pse disa sosh të deformuara, por në "rroben" e shpifur që ai qep i rrijnë si një arën i qepur keq fort. Askund, ndër mijëra faqet e shkruara e të publikuara të tij nuk gjen edhe një shenjë e jo më vetë urrejtjen për raca a popuj të tjerë.

"Zoti n'qiell e na mbi tokë/ me gjithkënd vëllazën e shokë/ por secili n'cak të vet"– pohon Fishta diku ndër mijëra faqet e shkruara. Dhe nëse dikush lexon racizëm për fqinjët në pohime të tilla, atëherë, me siguri është faji i leximit e i lexuesit e aspak i shkruesit…

 

The post Fishta racist?! appeared first on Telegrafi.

Kryeministri që do ta lë shtetin pa brekë

Posted: 28 Oct 2019 02:55 PM PDT

Klodian Tomorri

Tre muaj më parë u njoha me një histori në dukje të rëndomtë. Disa familje i kishin dhënë me qera një ambient të përbashkët Doganës, në një rreth jo shumë larg Tiranës. Në këmbim, Drejtoria e Doganave u paguante një tarifë qiraje rreth dy milionë lekë në vit. Pagesa, sipas rregullave të shtetit, bëhej dy herë në vit, në fund të çdo gjashtëmujori. Por, si asnjëherë tjetër me parë, këtë vit Dogana ende nuk u kishte paguar qeranë e gjashtëmujorit të parë, e cila duhet të ishte shlyer në qershor.

Në fillim, kur u njoha me këtë histori mendova se do të jetë ndonjë nga ato problemet e zakonshme burokratike që ndodhin rëndom në zyrat e shtetit. Por, tani nuk jam më i sigurt. Shtetit tonë po i bien poturet dhe nuk ka më para të paguajë as kacidhet. Prej më shumë se katër muajsh, familjet që kërkojnë pagesën e qirasë nga shteti i sorrollatin sa në zyrat e Doganës në ato të Ministrisë së Financave. Para nuk ka.

Pak ditë më parë, përmes një urdhri informal, Qeveria i ka kërkuar institucioneve publike të pezullojnë tenderët e mëdhenj për shkak se buxheti nuk ka para të paguajë. Në fakt, ndalimi i tenderëve të rinj pas datës 15 tetor të çdo viti është një praktikë e konsoliduar dhe e disiplinuar me ligj. Por, këtë vit, institucionet publike janë urdhëruar të pezullojnë edhe tenderët e zhvilluara para datës 15 tetor.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Operatori i Transmetimit dhe shumë institucione të tjera, ditët e fundit kanë pezulluar thuajse të gjitha tenderët e mëdhenj që kanë hapur në muajt shtator-tetor. Kjo nuk është një situatë e zakonshme.

I ftuar në studion e Opinionit, të enjten që shkoi, kryeministri Edi Rama sfidoi gazetarët në panel të gjejnë qoftë edhe një sektor të vetëm ku punët e shtetit janë me keq sot sesa ishin në momentin kur ai erdhi në pushtet. Sfida që mori mbrapsht ishte ajo e potureve që ai vesh shpesh në daljet publike. Por, poturet e Ramës janë çështje e tij. Halli i qytetarëve janë poturet e buxhetit. Dhe, buxheti po del cullak.

Në nëntë muajt e parë të vitit, buxhetit të shtetit i mungojnë 65 milionë euro të ardhura. Por, kjo shifër paraqet vetëm një të tretën e gropës reale të financave publike. Në fillim të vitit të kaluar, Parlamenti përgjysmoi tatimin mbi dividentin duke i dhënë fuqi prapavepruese nëse taksa paguhet deri në 30 shtator. Si rezultat, këtë vit Qeveria mblodhi 100 milionë euro të ardhura nga taksa e dividentit. Nëse nuk do të ishin këto para, sot buxheti i shtetit do të ishte në vështirësi për të paguar rrogat.

Por, të ardhurat nga tatimi i dividentit janë masa one-off të cilat sjellin para vetëm një herë dhe nuk kanë karakter të qëndrueshëm. Ato thjesht sa shtyjnë krizën për vitin tjetër, kur situata buxhetore pritet edhe më kritike.

Ngadalësimi i ekonomisë dhe privilegjet fiskale për interesa të ngushta kanë shteruar burimet e të ardhurave për qeverinë, ndërkohë që shpenzimet e detyrueshme të buxhetit rëndohen nga viti në vit. Përveç pagave dhe pensioneve, tani buxheti ka dhe një faturë tjetër që rritet në progresion, atë të koncesioneve. Vitin e ardhshëm pagesa për koncesionet pritet të arrijë në mbi 150 milionë euro, sipas tabelave të vetë qeverisë, duke e shtrënguar edhe më shumë lakun e financave të shtetit.

Por, financat publike janë vetëm njëri dimension i krizës. Situata është kritike edhe në kompanitë publike, veçanërisht ato të sektorit energjetik. KESH, OST dhe OSHEE janë zhytur në një zinxhir borxhesh brenda njëra tjetrës, por edhe ndaj privatëve, i cili sa vjen dhe shtrëngohet duke u përplasur në buxhetin e shtetit.

Në vitin 2013, kur sapo kishte ardhur në pushtet, Rama akuzonte me të madhe Berishën se kishte lënë pas tokën e djegur dhe një mal me borxhe të fshehura. Por, që nga ajo kohë gjërat kanë shkuar edhe me keq.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në dy zëra – rimbursim taksash dhe punë publike – borxhet e prapambetura të shtetit kanë arritur në mbi 330 milionë euro. Nëse llogariten edhe borxhet nga vendimet gjyqësore apo zërat e tjerë, të cilat Qeveria nuk i raporton, atëherë borxhet e fshehura sot janë më të larta se sa ato që qeveria aktuale gjeti në vitin 2013. Në dy vitet e fundit, borxhet e fshehura të buxhetit janë rritur mesatarisht me 150 milionë euro në vit.

Për fat të keq, kjo qeveri ka ende dhe dy vite të tjera mandat, në fund të të cilave Shqipëria mund të ketë një kryeministër me poture, por një shtet pa brekë.

The post Kryeministri që do ta lë shtetin pa brekë appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more