Skip to main content

“Ushqimi mund të jetë arma më e fundit në betejat e shekullit XXI” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Ushqimi mund të jetë arma më e fundit në betejat e shekullit XXI” plus 1 more Telegrafi Opinione


Ushqimi mund të jetë arma më e fundit në betejat e shekullit XXI

Posted: 24 Jul 2022 06:08 AM PDT

Hal Brands

Thuhet se administrata e presidentit amerikan po e rishkruan Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të cilën Shtëpia e Bardhë duhet t'ia dërgojë si çdo vit Kongresit, për të reflektuar leksionet e mësuara nga lufta në Ukrainë. Një çështje me të cilën do të duhet të përballet ky dokument, dhe që ka qenë jashtë fokusit të tij tradicional mbi shtetin dhe diplomacinë, ështëajo e sigurisë ushqimore.

Konflikti në Ukrainë e ka vendosur në krye të lajmeve gjeopolitikën e ushqimit, pasi presidenti rus Vladimir Putin e ka përdorur urinë si një armë kundër Kievit dhe pjesës më të madhe të botës. Putini po na jep një leksion, se si pasiguria gjeopolitike mund të shkaktojë pasiguri ushqimore, e cila nga ana e saj mund të përkeqësojë një sërë problemesh në mbarë globin.

Një raport i fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), ofron një panoramë të zymtë. Numri i njerëzve të kequshqyer në botë u rrit ndoshta me 150 milionë midis viteve 2019-2021, kryesisht për shkak të pandemisë Covid-19.

Në vitin 2020, pasiguria ushqimore e moderuar apo e rëndë, u rrit afërsisht sa në pesë vitet e mëparshme të mara së bashku. Gati 3.1 miliardë njerëz nuk ishin në gjendje të përballonin një dietë të shëndetshme ushqimore. Sipas disa vlerësimeve, numri i njerëzve që janë në prag të urisë është 10-fishuar që nga viti 2019.

"Raporti i këtij viti, duhet të largojë çdo lloj dyshimi të vazhdueshëm mbi atë nëse bota po bën hapa pas në luftën kundër urisë"- përfundoi raportin e saj FAO. Tani lufta në Ukrainë e ka ndërlikuar më tej këtë problem. Një bllokadë ruse e ka bllokuar eksportin e grurit ukrainas, që zakonisht ushqen miliona njerëz në mbarë botën.

Kjo situatë prek veçanërisht rajonet në zhvillim si Lindja e Mesme dhe Afrika. Sanksionet perëndimore, e kanë bërë më të vështirë blerjen e plehrave kimike ruse. Kostot më të larta për energjinë dhe transportin detar, po rrisin edhe çmimet e ushqimeve.

Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se 47 milionë njerëz të tjerë mund të bien në pasiguri akute ushqimore këtë vit, dhe kjo do të thotë se ata nuk mund të kenë ushqim të mjaftueshëm për të pasur një jetë të shëndetshme dhe produktive.

Në Somali, Jemen, Sudan dhe vende të tjera, vdekjet për shkak të urisë po shtohen, ndërsa dollarët e paktë të ndihmës ndërkombëtare po ridrejtohen drejt Ukrainës. Dhe mos shpresoni që kjo krizë të kalojë shpejt: ajo mund të bëhet më e rëndë, nëse një konflikt i gjatë prish të korrat e mëdha të Ukrainës.

Uria, thotë ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Amartya Sen, është produkt i patologjive politike. Putini po e përdor urinë për t'i shërbyer qëllimeve të tij politike. Rusia synon të izolojë Ukrainën nga mbështetësit e saj ndërkombëtarë, duke gjeneruar valë trazirash globale, të cilat në fund do t'i bëjnë mbështetësit e Kievit që të lodhen nga lufta.

Diplomatët rusë mund të bëjnë sikur marrin pjesë në mënyrë konstruktive në negociatat për rihapjen e tregtisë përmes Detit të Zi. Megjithatë, Putin s'ka interes që ato bisedime të jenë të suksesshme, pasi kjo gjë do ta privonte atë nga një nga format e tij më të fuqishme të ndikimit dhe shantazhit.

Dhe, mos i nënvlerësoni pasojat globale të kësaj situate. Një uri e madh në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, mund të gjenerojë flukse refugjatësh, që do ta trazonin më tej politikën evropiane, dhe do të thellonin ndarjet e saj të brendshme.

Mungesa e ushqimit, mund të shkaktojë një zhvendosje masive drejt qyteteve të tej-populluara tashmë, dhe të krijojë një mjerim të tillë, që mund ta shfrytëzohet nga grupet ekstremiste, si dhe të përshpejtojë dhunën dhe paqëndrueshmërinë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, e ka fajësuar politikën ruse për përkeqësimin e mungesës së ushqimit, që shkaktoi rënien e qeverisë në Shri Lankë.

Strategjia e Putinit mund të ketë sukses, duke i detyruar mbështetësit më pak të përkushtuar të Kievit, t'i bëjnë thirrje Ukrainës për lëshime territoriale ndaj Rusisë. Por mund të dështojë edhe në mënyrë katastrofike, duke e provokuar Uashingtonin dhe vendet e tjera perëndimore që ta thyejnë me forcë bllokadën e Putinit në Detin e Zi.

Apo thjesht mund të prodhojë më shumë turbulenca politike dhe strategjike në një botë që vështirë se ishte e qëndrueshme më herët. Sigurisht, nuk do të ishte hera e parë që ushqimi dhe gjeopolitika ndërveprojnë në mënyra shpërthyese. Revolucioni rus i vitit 1917, ndodhi kur Lufta e Parë Botërore mbingarkoi një sistem hekurudhor jo të përshtatshëm, duke e bërë të pamundur ushqimin e një popullsie të zemëruar.

Nga ana tjetër, ai revolucion e përjashtoi Rusinë nga lufta; dhe shpalosi një ideologji, komunizmin, që u bë historia më e përgjakshme e shekullit XX-të. Një dekadë më parë, Pranvera Arabe ndodhi pjesërisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, të cilat shkaktuan trazira të mëdha.

Turbullirat ushtarake dhe politike në Lindjen e Mesme nuk janë zbutur ende plotësisht, dhe kjo po shihet tek luftërat civile në Siri dhe Libi. Pasiguria ushqimore dhe ajo ndërkombëtare shoqërojnë njëra-tjetrën. Ose, siç ka shkruar kolegia ime e Universitetit "Xhon Hopkins", Jessica Fanzo, "Pa siguri ushqimore, nuk ka rend botëror".

Qeveritë dhe organet ndërkombëtare mund të ndërmarrin disa hapa për të lehtësuar këtë problem: rritja e rendimenteve të kulturave bujqësore, dhënia prioritet e prodhimit të ushqimeve që janë thelbësore për një dietë të shëndetshme, forcimi i mbështetjes emergjente për të varfrit, dhe dhënie e më shumë ndihme ndërkombëtare për popullsinë e prekur.

ShBA-ja po përpiqet të rrisë eksportet e grurit ukrainas, duke përdorur rrugët tokësore dhe lumore, për ta transportuar atë nëpër vendet fqinje dhe më pas jashtë vendit. Megjithatë, kjo skemë do të çlirojë ndoshta vetëm një pjesë të grurit të Ukrainës që po mbahet peng.

Rrënja e problemit në Ukrainë nuk është teknokratike, por gjeopolitike: Një tiran i pamëshirshëm, po vendos nën presion furnizimet ushqimore të botës, me shpresën e izolimitdhe më pas pushtimit të fqinjit të tij. SHBA-ja dhe demokracitë e tjera kryesore, nuk e kanë kuptuar ende se si ta zgjidhin këtë problem. Kjo situatë mund të jetë vetëm një shembull paraprak, i mënyrës sesi ushqimi dhe konflikti, do të ndërveprojnë gjithnjë e më shumë midis tyre në një botë të fragmentuar. /Burimi: Bloomberg/Në shqip nga: Bota.al/

 

 

 

The post Ushqimi mund të jetë arma më e fundit në betejat e shekullit XXI appeared first on Telegrafi.

Ukraina, si funeral poshtërues i Perandorisë Putiniste

Posted: 24 Jul 2022 06:01 AM PDT

Kam ndjekur me interes dhe përgjegjësi shtesë dinamikën pesëmujore të luftës në Ukrainë: Dhjetëra konferenca të Këshillit të Atlantikut, panele të ekspertëve dhe personaliteteve elitare të sigurisë në Uashington, në Bruksel, Konferencën e Sigurisë në Munih, në Qendrën Marshall, në Gjermani, Londër, Kolegjin e NATO-s Romë, Samitin e Madridit etj.

Megjithë respektin për disa gazetarë me integritet dhe kurajë euroatlantike, kam refuzuar me vetëdije të bëhem pjesë e "tallavasë mediatike", pasi përtej modestisë së tepruar nuk kam kohë të shpërdoroj me të dalldisur nga fuqia e mbipushtetit; me shterpësinë e mendimit të kuvendarëve të emëruar nga kryetarët, analistëve të gjithëditur apo rambo-strategëve të vetëdegraduar mbi harta me aeroplan, raketa, tanke, bunkerë atomikë dhe rezerva strategjike për ditët e kiametit, duke e shpjeguar kështu luftën, jo vetëm për Ukrainën, nga studio kapterësh trudhjamosur me konceptet e Luftës së Dytë botërore, në mos atyre më herët! Gjithsesi, duke vijuar në linjë me dhjetëra analiza të publikuara përgjatë pesë muajve të luftës, si dhe besuar se kolegët e fushës dhe opinioni mbarëkombëtar ka nevojë për këndvështrime realiste, pse jo edhe optimiste, po paraqes një përmbledhje të përditësuar rreth humbjes së pashmangshme të luftës, ose me fjalë të tjera Ukraina, si funeral poshtërues i Perandorisë Putiniste.

Së pari, mbas pesë muajsh lufte rraskapitëse, Rusia ka fituar disa beteja (objektiva rajonale në Donetsk, Luhansk, Kherson etj.), por me kosto shumë të lartë dhe humbje të mëdha: Më shumë se 40 mijë ushtarakë kanë mbetur të vrarë, rreth 6500 tanke dhe transportues të blinduar, 1200 helikopterë, aeroplanë ushtarakë, përfshi UAV (pa pilot), 1500 artileri dhe sisteme raketore, 15 anije luftimi etj. Kjo luftë, sipas raporteve të agjencive të njohura, në vetëm pesë muaj i ka kushtuar Moskës mbi 10 miliardë dollarë në ditë, ndërsa në total 1.5 bilionë dollarë.

Për ta bërë edhe më të qartë përmasat e një humbje në Ukrainë, po sjell vetëm shifra të (pa)krahasueshme të humbjeve të BRSS-së në luftën gati dhjetë vjeçare (1979-1989) në Afganistan: 13.621 ushtarë, 451 helikopterë dhe avionë, 147 tanke, 443 artileri e armë të tjera si dhe vetëm disa qindra miliardë dollarë.

Pra, përveç turpëruese, humbja ishte edhe një goditje e rëndë për madhështinë e Ushtrisë së Kuqe, pasi nga Afganistani humbi dhe iku me bisht nën shalë dhe sipas strategjistëve: U ngul gozhda e fundit në arkivolin e Bashkimit Sovjetik si dhe e ambicieve të saj gjeopolitike për të: thyer rrethimin e ShBA-së dhe për të dalë në ujërat e nxehta të Azisë Jugore.

Kështu, referuar shifrave të dy luftërave Rusia: Në vetëm pesë muaj luftë në Ukrainë, ka pësuar jo me pak se 10 herë më shumë humbje sesa 10 vjetë së bashku në Afganistan.

Ndërsa, mesazhet mes shifrave flasin edhe më fortë se oshtimat e raketave vrasëse apo megafonat e Moskës zyrtare: Makineria ushtarake e Rusisë po zvarritet e rraskapitur drejt humbjes turpëruese të luftës për pushtimin e tërësisë territoriale të një vendi sovran dhe të një kombi martirësh (Ukrainës).

Ndërsa, përtej një luftë të destinuar për të humbur me turp, ky do të jetë edhe fillimi i fundit me gjak të Putinit, pinjollit të ambicieve staliniste dhe pjellës së makinerisë së krimit shtetëror (KGB)!

Së dyti, pesë muaj më parë, krahas luftës për pushtimin e Ukrainës: Rusia e marrosur po sfidonte njëkohësisht rendin dhe faktorët e sigurisë globale (OKB, NATO, ShBA) duke kërcënuar se me fuqinë e armëve do të zgjeronte ambiciet gjeopolitike të perandorisë putiniste. Por, është duke u rrokullisur e dështuar me turp edhe në këtë aventurë staliniste.

Kjo falë jo vetëm rezistencës heroike të ukrainasve, por edhe solidaritetit dhe vendosmërisë së ShBA-së, OKB-së, NATO-s dhe BE-s[ që e rrethuan Rusinë me embargo ekonomike dhe diplomatike dhe që vijojnë ta mbështjellin Ukrainën me mbështetje të gjithanshme, përfshirë ushtarake nga të gjitha vendet e NATO-s si dhe dyvendet skandinave (Suedia dhe Filanda) që në Samitin e Madridit nënshkruan aspiratën e anëtarësimit.

Prandaj krahas humbjes së luftës në Ukrainë, Rusia do të gjunjëzohet e diskretituar edhe në përballjen me fuqinë ushtarake të ShBA/NATO por edhe me kredibilitetin dhe interesat gjeopolitike për zgjerimin e kufijve të demokracisë të Aleancës Euroatlantike!

Thënë këto, jam i bindur se bashkë me luftën për pushtimin e Ukrainës, Rusia do të humbasë edhe peshën gjeopolitike në botë, fatmirësisht edhe në Evropën Juglindore etj.

Së treti, ndërsa Shqipëria do t'i duhet jo vetëm të dënojë nga frëngjitë e FB-së luftën dhe të rreshtohet krah të ShBA-s dhe NATO-s, por edhe: të kontribuojë me kohezion të pa kushtëzuar, vendimmarrje dhe kapacitete modeste në mbështetje te Ukrainës, si dhe në mbrojtje të stabilitetit, anëtarësimin në BE si dhe zhvillimin interesave Kombëtare në Rajon, Mesdhe dhe më gjerë.

Ndërsa e sjellë kjo në kuadrin e përpjekjeve për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, shpresoj se kjo luftë do shërbejë si kambanë e fortë arsyesh strategjike edhe për katër vendet (Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia) për të njohur zyrtarisht dhe për t'i hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në shtesë, me statusin e ekspertit në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë kombëtare, rajonale dhe NATO-s, do t'i këshilloja aktorët politikë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që humbja e luftës dhe e peshës së Rusisë, rrjedhimisht edhe e fuqisë ushtarake të Serbisë në rajon është një rrethanë e artë gjeopolitike për të aplikuar platformën dy shtete të pavarura, një komb i vetëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe integruar masat shtetërore në dobi të stabilitetit demokratik, mirëqenien dhe besimin e qytetarëve në agjendën e integrimit në BE.

Së fundmi, sfidat e faktorizimit të Shqipërisë në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (OKB, NATO, BE) si dhe forcimi i bashkëpunimit strategjik me ShBA-në, i gjej si një mundësi historike për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në rajon, Mesdhe etj.! Zoti e bekoftë paqen jo vetëm në Ukrainë, demokracinë, interesat gjeopolitike të Shqipërisë, fuqinë ushtarake të NATO-s si dhe Aleancën e vlerave Transatlantike.

 

 

The post Ukraina, si funeral poshtërues i Perandorisë Putiniste appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more