Skip to main content

“Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, makina del nga rruga dhe kthehet përmbys” plus 9 more - Gazeta Dita

“Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, makina del nga rruga dhe kthehet përmbys” plus 9 more - Gazeta Dita


Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, makina del nga rruga dhe kthehet përmbys

Posted: 24 Jul 2022 11:55 PM PDT

Një aksident është regjistruar ditën e sotme në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Balldre.

Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se një automjet, me të cilin udhëtonin babai me dy djemtë e tij ka dalë nga rruga dhe për pasojë është kthyer përmbys.

Mësohet se nga aksidenti ka marrë dëmtime të lehta drejtuesi i automjetit që po lëvizte në drejtim të Lezhës. Sakaq policia po heton shkaqet e aksidentit.

a.m/dita

The post Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, makina del nga rruga dhe kthehet përmbys appeared first on Gazeta Dita.

Sulmi në portin e Odesës në Ukrainë një ditë pas marrëveshjes së grurit, Rusia: Goditëm vetëm objektiva ushtarakë

Posted: 24 Jul 2022 11:45 PM PDT

Moska pranoi që qëndronte pas një sulmi me raketa të portit të Odesës, një ditë pasi Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për rifillimin e dërgesave të drithit. Zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes tha se raketat goditën vetëm objektiva ushtarakë. Perëndimi e dënoi sulmin, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ky zhvillim shkatërroi mundësinë e dialogut me Rusinë.

Rusia ka pranuar se ka sulmuar me raketa portin e Odesës në Ukrainë, sulm që ndodhi një ditë pas arritjes së një marrëveshjeje për të zhbllokuar eksportet e grurit nga portet e Detit të Zi dhe për të lehtësuar mungesën globale ushqimore të shkaktuar nga lufta.

Por zyrtarët e ministrisë ruse të mbrojtjes thanë se kishin goditur vetëm objektiva ushtarakë.

"Raketa me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi shkatërruan në portin e qytetit të Odesës një anije luftarake ukrainase të ankoruar dhe një magazinë ku mbaheshin raketa kundër aniijeve, që i janë dhënë Kievit nga SHBA-të", tha zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov.

Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një postim në rrjetin social "Telegram", pranoi se pas sulmin qëndronte Rusia, ndërsa më herët Moska kishte mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm se sulmi në Odesa "shkatërroi mundësinë" e dialogut me Rusinë.

Në një reagim mbi ngjarjen sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sulmi me raketa "hedh dyshime serioze mbi besueshmërinë e Rusisë në marrëveshjen e arritur".

"Rusia mban përgjegjësi për thellimin e krizës globale të ushqimit dhe duhet të ndalojë agresionin e saj dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjen për të cilën ka rënë dakord", theksoi zoti Blinken.

Ushtria ukrainase njoftoi të shtunën se Moska kishte sulmuar portin detar të Odesës me katër raketa lundrimi, dy prej të cilave ishin rrëzuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina nënshkruan të premten në Stamboll marrëveshjen për të eksportuar drithin, produktet ushqimore dhe plehun kimik drejt tregjeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e OKB-së. Kombet e Bashkuara, Komuniteti Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania dhe Italia dënuan sulmet.

Ndërkohë luftime të ashpra vazhdojnë në disa rajone të Ukrainës. Kievi raportoi për bombardime nga forcat ruse në veri, jug dhe lindje. Komanda e forcave ajrore të Ukrainës tha se kishte rrëzuar tre raketa lundrimi Kalibr të lëshuara nga forcat ruse nga Deti i Zi.

Në raportin e përditshëm të zbulimit britanik theksohet se Rusia po shënon "përparim minimal" në ofensivën e saj të vazhdueshme në Donbas.

Ndërkohë sipas institutit për Studime mbi Luftën me bazë në Uashington forcat ukrainase po përgatiten për të nisur ose kanë nisur një kundërofensivë në rajonin Kherson. /VOA

a.m/dita

The post Sulmi në portin e Odesës në Ukrainë një ditë pas marrëveshjes së grurit, Rusia: Goditëm vetëm objektiva ushtarakë appeared first on Gazeta Dita.

OBSH shpall linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale

Posted: 24 Jul 2022 11:30 PM PDT

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli emergjencë shëndetësore globale linë e majmunëve, për shkak të rritjes së madhe të numrit të rasteve në të gjithë botën. Vendimi u mor pas një takimi urgjent të komitetit të OBSH-së, sipas Reuters.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se deri tani janë raportuar 16 mijë raste në 75 shtete të ndryshme, me 5 viktima. Lija e majmunëve i shtohet kështu dy emergjencave të tjera shëndetësore në fuqi, pandemisë së koronavirusit dhe përpjekjes për zhdukjen e poliomielitit.

Ai tha se rreziku i lisë së majmunëve – i cili përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe shkakton simptoma të ngjashme me gripin ishte i moderuar globalisht, me përjashtim të Europës, ku OBSH e ka vlerësuar virus me rrezik të lartë.

a.m/dita

The post OBSH shpall linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale appeared first on Gazeta Dita.

Rama ndryshon kabinetin qeveritar/ Ikën Arben Ahmetaj dhe Zef Mazi, ja dy emrat që do t’i zëvendësojnë

Posted: 24 Jul 2022 11:24 PM PDT

Kriza energjetike si dhe integrimi i vendit drejt Bashkimin Europian, janë tashmë dy prioritetet e qeverisë duke sjellë edhe ndryshime në kabinet. Në kuadër të integrimit dhe negociatave me BE-në, kryeministri Edi Rama bën të ditur se si kryenegociatore është emëruar Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik, në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Zef Mazi. Dhuka po ashtu është emëruar Ministre Shteti për marrëdhëniet me BE-në pranë kryeministrit.

Ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën Belinda Balluku është emëruar zv.kryeministre e vendit.

‘Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit.

Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.

Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.’- njofton Rama.

a.m/dita

The post Rama ndryshon kabinetin qeveritar/ Ikën Arben Ahmetaj dhe Zef Mazi, ja dy emrat që do t’i zëvendësojnë appeared first on Gazeta Dita.

Java nis me temperatura mbi 40 gradë Celsius, parashikimi i motit për ditën e sotme

Posted: 24 Jul 2022 11:05 PM PDT

Masat ajrore me origjinë nga Veriu i Afrikës do të mbeten prezente në territorin shqiptar, duke bërë që të vijojnë temperaturat ekstremisht të larta në ultësirën perëndimore dhe në verilindje të vendit.

Sipas MeteoAlb, më i freskët moti do të jetë në qarkun e Korçës. Kushtet e motit do të jenë në dominimin e kthjellimeve gjatë paradites, por pasditja sjell kalime të pakta vranësirash të cilat më të dukshme do të jenë në zonat Verilindore.

Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 17°C deri në 41°C.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi verior – veriperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 2 ballë.

a.m/dita

The post Java nis me temperatura mbi 40 gradë Celsius, parashikimi i motit për ditën e sotme appeared first on Gazeta Dita.

Nëse jeni vetëm pse nuk hidhni sytë përreth?… Horoskopi për ditën e sotme

Posted: 24 Jul 2022 11:03 PM PDT

Dashi

Këtë ditë të parë të javës, e hënë 25 yjet sugjerojnë një maturi të qartë në dashuri, kini kujdes të mos i merrni gjërat majë më majë, ndryshe dilni të dëmtuar. Në punë, nëse duhet të flisni me shefat dhe të tjerë përreth, mos e shtyni më.

Demi

Në dashuri, e hëna 25 është dita e duhur për të ekspozuar veten dhe për të kultivuar njohjen me një person që së fundmi është zhytur në mendjen tuaj. Në punë lodhja ndihet, por rezultatet nuk do të vonojnë.

Binjakët

I bukur ky qiell për beqarët e shenjës Binjakët, nëse keni takuar së fundmi një person të këndshëm, mos e humbisni. Në punë, krijimtaria është me ju, përdorni atë si një karrem!

Gaforrja

Në dashuri, mendimet tuaja janë pak të ngatërruara, konfuze. Mos harroni se nuk është kurrë mirë të kesh këmbën në dy këpucë, ndaj, mos mbani dy kunguj në një sqetull. Në punë, megjithatë, ka një frymë të re, janë duke u favorizuar bashkëpunime të reja.

Luani

I bukur ky qiell për beqarët, aspekti i mirë i Hënës jep emocione të paharrueshme për të mos thënë super argëtim. Në punë nuk ju mungon grinta dhe kjo ju vë në pozicion të shkëlqyer me drejtuesit dhe persona të tjerë.

Virgjëresha

Në dashuri qëndroni larg polemikave këtë të hënë 25, ujërat me partnerin/en së fundmi janë paksa të trazuara. Në punë mos u bëni pre e llafeve, por veproni në mënyrë analitike dhe racionale.

Peshorja

Në dashuri, nëse jeni të interesuar për një person, dilni haptazi, mund të befasoheni këndshëm. Në punë, nëse një negociatë është në proces, përfundojeni deri të mërkurën.

Akrepi

Në dashuri, nëse jeni prej kohësh në çift, ndjeni nevojën për të përfshirë partnerin/en në një projekt të ri që mund t'i japë shtysë raportit tuaj. Nga ana tjetër në punë duhet të mundoheni të mos ushqeni polemika të panevojshme me kolegët.

Shigjetari

Në dashuri nëse jeni vetëm pse nuk hidhni sytë përreth? Një miqësi mund të rezultojë të jetë diçka më shumë! Në punë – duke mos përjashtuar mundësinë e ndryshimeve nga tani deri në muajt e ardhshëm – duket se diçka po lëviz.

Bricjapi

Në dashuri, nëse jeni në çift prej një kohe të gjatë, nuk mund të pranoni më sjellje të caktuara të partnerit tuaj dhe preferoni të jeni më proaktivë. Në punë, mos e humbisni qëllimin përfundimtar.

Ujori

Në dashuri, ju e keni fjalën e fundit, nëse kohët e fundit ka pasur diskutime me partnerin tuaj, jeni gati të vendosni pikat mbi i. Në frontin e punës dëshironi të përfshiheni dhe angazhimi juaj do të shpërblehet.

Peshqit

Në dashuri, periudha është vërtet e shndritshme, pothuajse askush nuk do t'i rezistojë sharmit tuaj! Në punë, nga ana tjetër, jeni në kërkim të stabilitetit. Gëzohuni, së shpejti do të vijnë përgjigjet dhe ndryshimet që dëshironi aq shumë.

a.m/dita

The post Nëse jeni vetëm pse nuk hidhni sytë përreth?… Horoskopi për ditën e sotme appeared first on Gazeta Dita.

25 korrik 2022

Posted: 24 Jul 2022 04:02 PM PDT

The post 25 korrik 2022 appeared first on Gazeta Dita.

“Për hajër”, ky është reagimi i parë i Ramës për Presidentin e ri

Posted: 24 Jul 2022 01:00 PM PDT

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar në Facebook, pas marrjes së detyrës së Bajram Begajt si president i ri i republikës së Shqipërisë.

"Për hajër", shkruan kryeministri Rama, ndërsa postimin e tij e shoqëron me disa foto nga momenti i betimit dhe ceremonia e marrjes së detyrës nga ana e Presidentit Begaj.

Postimi i KM

Pritet që marrëdhëniet mes Ramës dhe presidentit të ri të jenë më institucionale dhe më komunikuese, krahasuar me ato mes tij dhe ish-presidentit Ilir Meta.

i.b. / dita

 

The post “Për hajër”, ky është reagimi i parë i Ramës për Presidentin e ri appeared first on Gazeta Dita.

Fjalimi i parë i presidentit Begaj: Duhet të rishikojmë Strategjinë tonë të Sigurisë Kombëtare

Posted: 24 Jul 2022 12:21 PM PDT

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij të parë pas marrjes së detyrës në presidencë, u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për të.

Begaj tha se do të jetë në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe interesit të Shqipërisë.

I nderuar Zoti Meta,

E nderuar Zonja. Kryetare e Kuvendit,

I nderuar Zoti Kryeministër,

E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese,

E nderuar Presidente Osmani,

Shkëlqesi Ambasadorë dhe Autoritete të Larta Shtetërore Të nderuar Miq e të Ftuar,

Të dashur qytetarë dhe bashkëkombës!

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen.

Dëshiroj të falënderoj Presidentin Meta, për përmbushjen e detyrës, komunikimin institucional e personal që patëm gjatë kohës që unë, ushtrova detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe gjatë periudhës së transferimit të detyrës.

Për mua sot është një ditë e veçantë, padyshim dita më e rëndësishme e  jetës sime.

Jam përpara jush dhe ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të madh të një individi, të zgjedhur në postin më të lartë të shtetit, atë të Presidentit të Republikës.

Ky besim, më ngarkon me përgjegjësinë  më të madhe ndaj qytetarëve të kombit tim, ndaj historisë së shtetit tonë, ndaj partnerëve të Shqipërisë, por edhe ndaj miqve dhe familjes time.

Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetutës e ligjeve të vendit, për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, për të mbrojtur Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe për t'i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar.

Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, e kudo që ata jetojnë e punojnë.

Do të jem kontribues dhe përkrahës i komunikimit e bashkëpunimit, i nismave dhe ideve që zhvillojnë e çojnë përpara shoqërinë tonë.

Dialogu dhe bashkëpunimi, midis forcave politike, shoqërisë civile, komuniteteve fetare, të pakicave kombëtare, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, transparente dhe të vërtetë, respektimi dhe pranimi i debatit mundëson që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për qytetarët dhe vendin.

E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve.

Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë, për të garantuar sigurinë e vendit; për të forcuar liritë e të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, për të mbrojtur dhe promovuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, për të ruajtur identitetin kombëtar, për të sotmen dhe brezat e ardhshëm.

Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike.

Vetëm një bashkërendim i tillë do të na mundësojë të arrijmë objektivat tona kombëtare.

Unë do të inkurajoj dhe mbështes çdo veprim, për të arritur marrëdhënie të shëndosha ndërmjet institucioneve kushtetuese.

Të garantosh zbatimin e Kushtetutës nënkupton zbatimin e ligjit edhe për të ndëshkuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi, jo thjesht sepse ky është një kusht thelbësor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në

në Bashkimin Europian, por edhe sepse ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, dhe me integritet, garanton luftë pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar, të cilat gërryejnë shoqërinë, thellojnë pabarazinë e padrejtësinë sociale, si dhe cenojnë rëndë sigurinë kombëtare.

Reforma në Drejtësi me ndihmën e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian, po jep frytet e saj.

Përfitoj këtu nga rasti të shpreh mirënjohjen për ndihmën e pakursyer të partnerëve tanë euroatlantike.

E po ashtu e gjej të udhës të ritheksoj se tek Shqipëria dhe shqiptarët, miqtë tanë do të gjejnë kurdoherë partnerin e tyre të besuar.

Unë kam privilegjin, që të marrë detyrën në një nga momentet më të rëndësishme të shtetit shqiptar në raport me aspiratën, vlerat dhe ëndrrën tonë europiane.

Mbajtja e Konferencës së pare Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, është një arritje e madhe, mëse e merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët,  falë reformave të ndërmarra.

Pas një rrugëtimi të gjatë, me shumë përpjekje, sfida dhe detyrime, kjo ngjarje shënon vetëm fillimin e një kapitulli të ri, në të cilin do duhet të jemi të gjithë bashkë, krah për krah.

Shqipëria megjithëse e vogël, dëshmon me krenari se edhe popujt e vegjël prodhojnë siguri dhe kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale.

Ky fakt provohet nga angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare – angazhimi diplomatik në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe angazhimi i Shtetit Shqiptar, për të dënuar agresionin rus ndaj integritetit territorial të një vendi sovran si Ukraina.

Njëzëshmëria e klasës politike shqiptare për të mbështetur kauzën e popullit ukrainas, por edhe gjestet individuale të qytetarëve tanë, në mbështetje dhe ndihmë të popullit ukrainas, tregojnë gjithashtu se ne dimë të jemi së bashku për kauza të mëdha.

Qenia jonë në NATO, rreshtimi ynë në këtë aleancë moderne, angazhimi me përkushtim i Forcave tona të Armatosura, e bën Shqipërinë më të fortë, më të qetë dhe më të sigurte.

Por lufta në Ukrainë tregon se siguria dhe paqja e qëndrueshme nuk dhurohen, ato fitohen.

Ndaj një nga detyrat më të rëndësishme të një vendi është të garantojë sigurinë e tij.

Ne jemi të vetëdijshëm që faktorët e rrezikut kanë ndryshuar.

Në ushtrimin e mandatit tim, vëmendja ndaj çështjes së sigurisë kombëtare do të jetë gjithmonë e madhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë të ngarkuar nga ligji.

Të rishikojmë Strategjinë tonë të Sigurisë Kombëtare, për të pasur një reagim të menjëhershëm.

Të sigurojmë jo thjesht mbrojtjen nga kërcënimi, por të punojnë për parandalimin e elementëve që kërcënojnë sigurinë e vendit tonë.

Është përgjegjësi për të gjithëve ne, të mendojmë për adresimin e situatave me të cilat përballemi.

E gjithë shoqëria duhet të angazhohet, të diskutojë hapur dhe me kurajo, të përfshihet në mënyrë aktive për të forcuar dhe zgjeruar themelet e demokracisë.

Themele ku Edukimi dhe Arsimimi, përbëjnë pa dyshim dy nga shtyllat kryesore me një ndikim vendimtar në emancipimin dhe progresin e shoqërisë.

Edukimi është ushqimi i shpirtit, arsimimi është pasqyra ku ne shohim përparimin tonë dhe çelësi i suksesit.

Shqiptarët kanë ditur ti përdorin këto dy elementë për të mirën e tyre, për një familje dhe shoqëri të shëndetshme.

Vendi ka nevojë për politika e nisma të guximshme dhe efektive. Politika që rrisin besimin në drejtësi, ekonomi, shëndetësi, edukim dhe arsim, për një të ardhme siç e meritojnë qytetarët, siç e dëshiron rinia me energjinë, meritat dhe talentin e saj, dhe si e ëndërrojnë fëmijët me çiltërsinë e tyre.

Ndaj ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë: me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit, të punojmë të gjithë së bashku për atdheun tonë, Shqipërinë.

Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

 

 

The post Fjalimi i parë i presidentit Begaj: Duhet të rishikojmë Strategjinë tonë të Sigurisë Kombëtare appeared first on Gazeta Dita.

Doktoraturat, “makina e së vërtetës” për titujt shkencorë nxjerr zbuluar drejtorin e Arkivës: “78 përqind vjedhje”

Posted: 24 Jul 2022 09:18 AM PDT

 

Doktoratura e drejtorit të Arkivave të Shtetit Ardit Bido, rezulton punë intelektuale e vjedhur. Punimi është futur në programin e plagjarizmit dhe del që ka 78% plagjature. Norma është 20% maksimumi.

Me këtë punim zyrtari në fjalë mori gradën doktor i shkencave në Departamentin e Historisë në Universitetin e Tiranës me një disertacion mbi themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri.

Bido e ka botuar doktoraturën e tij si monografi tek UET Press me titullin Kisha Ortodokse Shqiptare, 1878-1937.

Por kohët e fundit, Universiteti Europian i Tiranës bleu programin për zbulimin e plagjiaturave, ose ndryshe e vjedhjes së pronës intelektuale. Me këtë rast, libri i Ardit Bidos iu nënshtrua testit dhe doli se në 78% të përmbajtjes së tij ishte plagjiaturë.

Majtas rezultati i kontrollit, djathtas drejtori i Arkivës, Bido

Drejtuesi i arkivave i shtohet kështu listës së “doktorëve” shkencorë falsë. Disa nga emrat e tyre u zbuluan kohë më parë për publikun, kur një grup studiuesish nisën verifikimin e titujve akademikë që qarkullojnë me shumicë në Tiranë.

i.b. / dita

 

 

 

 

 

The post Doktoraturat, “makina e së vërtetës” për titujt shkencorë nxjerr zbuluar drejtorin e Arkivës: “78 përqind vjedhje” appeared first on Gazeta Dita.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Ese për Verën

Ese për Verën Vera fillon me 21 qershor dhe mbaron me 21 shtator Vera është periudha më e nxehtë e vitit që bashkë me ngrohtësinë e saj sjell edhe dashurinë për natyrën dhe bukuritë e saj. Në verë , ditët bëhen më të gjata ndërsa netët më të shkurta. Njerëzit mund të punojnë më shumë dhe mund të jenë jashtë për një kohë më të gjatë nëse kanë për të punuar me orë të tëra. Njerëzit në këtë stinë pëlqejnë të dalin dhe të kënaqen me bukuritë e natyrës dhe kjo sigurisht se mund të ndodhë më së miri në stinën everës . Vera është stina më e pëlqyer nga të gjithë. Çdokush e pret verën me muaj për t’i shijuar të mirat që i sjell me ardhjen e saj. Shumë njerëz gjatë verës preferojnë t’i vizitojnë vendet turistike për të kaluar pushimet e tyre verore dhe për t’i shijuar bukuritë natyrore të krijuara nga Zoti . Gjatë verës ekziston mjaft kohë e lirë për të bërë vizita edhe në farefisin tonë,për të lexuar ndonjë përrallë , tregim , nov
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more