Skip to main content

“Dhimbja e madhe që e pret ekonominë e Rusisë” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Dhimbja e madhe që e pret ekonominë e Rusisë” plus 1 more Telegrafi Opinione


Dhimbja e madhe që e pret ekonominë e Rusisë

Posted: 12 May 2022 03:54 AM PDT

Nga: Lora Jones / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në shikim të parë, prej pushtimit të Ukrainës e deri sot Rusia ka qenë në gjendje ta shmang kolapsin ekonomik.

Që nga shkurti është prekur nga sanksionet e vëna prej vendeve perëndimore.

Goditja fillestare e detyroi mbylljen e përkohshme të tregut të aksioneve në Rusi, me njerëzit që rrinin në rreshta pranë makinave të parave të gatshme, sepse ishin të brengosur për kursimet e veta.

Megjithatë, rubla është kthyer në nivelet e paraluftës, kjo për shkak të menaxhimit të kujdesshëm nga Banka Qendrore e Rusisë.

Ndërhyrjet përfshinin kufizimin e sasisë së parave që njerëzit mund t'i transferojnë jashtë vendit, si dhe detyrimin e firmave – që eksportojnë – që t'i konvertojnë në valutën ruse 80 për qind të të ardhurave që vijnë jashtë shtetit.

Vendi gjithashtu ia doli të shmang dështimin e larjes së borxheve të jashtme.

Presidenti Putin ka këmbëngulur se ka dështuar “Blickrigu” ekonomik i Perëndimit.

Por, Elina Ribakova, zëvendësshefe në Institutin e Financave Ndërkombëtare, thotë se këta tregues “sipërfaqësorë nuk kanë shumë rëndësi për jetën reale”.

Prodhuesit rusë të çelikut, prodhuesit e kimikateve dhe kompanitë e makinave po e ndiejnë tashmë barrën e sanksioneve që synon t'i gjymtojë përpjekjet e luftës së presidentit Putin.

Një sondazh i fundit me më shumë se 13 mijë bizneseve, i kryer nga Banka Qendrore e Rusisë, zbuloi se – si rezultat i sanksioneve – shumë prej tyre kanë probleme me sjelljen e mallrave, si mikroçipe, pjesë makinash, ambalazhe apo edhe butona.

Mungesa e lëndëve të para ose e pjesëve po i detyron disa firma t'i mbyllin përkohësisht fabrikat ose të kërkojnë furnizime diku tjetër.

Për shembull, prodhuesi japonez i makinave, Toyota, i ndaloi importet e makinave në Rusi dhe i pezulloi operacionet e fabrikës në Shën Petersburg, që në mars, duke përmendur “ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit” që ndërlidhet me konfliktin.

Ekonomisti nga BlueBay Asset Management, Timothy Ash, thotë se sanksionet në përgjithësi kanë qenë shumë më agresive – nga sa shumica prisnin.

“Mendoj se ndikimi afatgjatë do të jetë shkatërrimtar", ka thënë ai për BBC, duke shtuar se “shkëputja e Rusisë nga zinxhirët e furnizimit perëndimor, sepse është partner jo i besueshëm”, do ta shtyjë vendin në recesion.

Edhe Banka e Rusisë ka pranuar se teksa kompanitë kërkojnë furnizues të ndryshëm, ato po përballen me bojkot nga kompanitë e transportit ose nuk arrijnë ta marrin teknologjinë që u nevojitet, ndaj vendi do të përballet me një periudhë të “industrializimit revers".

"Realiteti është se Rusia do të ketë qasje të kufizuar në tregjet financiare, rritje më të ulët, standarde më të ulëta jetese dhe një kosto më të lartë të huamarrjes", shton Ash.

Shumë rusë të zakonshëm, thotë Ribakova, “jetojnë në zonën gri”, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë e punës.

“Shumë njerëz nuk e kanë idenë se çfarë do të ndodhë … Ata ende mund të shkojnë në restorante, të shkojnë në punë dhe të mos vërejnë ende shumë ndryshime, sepse kompanitë për të cilat punojnë janë të paqarta në planet që kanë".

Olga, 30 vjeçe, është punonjëse e një banke në Moskë. Po përpiqet t’i përmbahet standardeve të saj të jetesës së para luftës, por kjo është gjithnjë e më e vështirë.

Ashtu si shumë rusë, duhet t’i kërkojë ndonjë shoku që jeton në Evropë që t'ia paguajë Netflix-in dhe Spotify-in, pasi Visa dhe Mastercard u larguan nga Rusia.

Në fillim të këtij muaji, ajo e rezervoi një fluturim për të shkuar për pushime në Turqi – një nga destinacionet e pakta të huaja, ende të hapura për rusët.

Para luftës, një biletë aeroplani do t’i kushtonte 15 mijë rubla (220 euro). Tani i është dashur të paguajë 55 mijë rubla (806 euro).

Olga po lutet që kur të jetë jashtë vendit, të mund të përditësojë celularin e saj iPhone dhe laptopin MacBook, sepse Apple gjithashtu ka pushuar së funksionuari në vend.

Për 79-vjeçaren Lyudmila nga Voronezhi, qytet 500 kilometra në jug të Moskës, nevojat bazike janë bërë shumë më të shtrenjta. “Shkoj në treg një herë në javë. Secilën herë artikujt po bëhen më të shtrenjtë. Herën e fundit qumështi u rrit me pesë rubla, domatet me 10".

Dmitry, 33 vjeç, është masazhator nga qyteti i vogël siberian i Rubtsovskit. Para luftës kishte jetë të mirë, duke shpenzuar rreth 300 rubla (4.4 euro) në ditë. “Shuxhuk, bukë, në banjë [saunë ruse] një herë në javë me miqtë".

Që nga 24 shkurti, kur filloi lufta, shpenzimet e tij janë rritur me 50 për qind.

Megjithë vështirësive ekonomike, Dmitry e mbështet luftën. Thotë se disa nga miqtë e tij ankohen për çmimet dhe se gjithashtu nuk është më e mundur ta shikosh në kinema ndonjë film të famshëm perëndimor.

Pavarësisht gjithçkaje, shumica e rusëve ende e mbështesin, madje me vendosmëri, këtë luftë. Televizori i mbushur me propagandën zyrtare, akoma është më i fuqishëm se një frigorifer bosh.

Markat simbol të Perëndimit, si McDonald’s dhe Levi’s, vazhdojnë të paguajnë mijëra punonjës rusë, pavarësisht se i kanë ndërprerë operacionet në vend.

Por, ka frikë se humbja e vendeve të punës do të fillojë të rritet, meqë po zbehen shpresat se lufta do të marrë shpejt fund.

Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, paralajmëroi në prill se rreth 200 mijë vende pune ishin në rrezik vetëm në qytet, ndërsa Trading Economics parashikon se shkalla e papunësisë në gjithë Rusinë mund të rritet me shtatë për qind deri në vitin 2024.

Tashmë ka pasur një eksod të madh të punonjësve të IT-së dhe të profesionistëve të tjerë, në atë që z. Ash e përshkruan si “ikje truri”.

Disa kompani konsulence i kanë tërhequr punëtorët jashtë vendit, derisa raportet – nga Meduza, uebfaqja e pavarur ruse e lajmeve me bazë në Letoni – tregojnë se deri në pesë mijë punonjës të Yandex-it u larguan nga Rusia, disa duke i përmendur brengat për censurimin e përmbajtjeve nga gjigandi i teknologjisë, përkitazi me luftën.

Për ata që kanë mbetur, është bërë problem ta kalojnë muajin pa u futur në borxhe.

“Ekziston ideja se rusët janë mësuar me kushte të vështira, mirëpo kanë jetuar 20 vjet në një prosperitet relativ", thotë z. Ash. “E kanë njohur jetën e mirë.”

Teksa në prag të luftës kishte raportime për mungesë të produkteve, si vajrat e gatimit, raftet e supermarketeve thuhet se tani janë mirë të furnizuara – por artikujt janë më të shtrenjtë.

Në vazhdën e pandemisë, shumë vende po përballen me rritjen e çmimeve.

Por, përballë ekonomisë në tkurrje dhe zinxhirëve të furnizimit që po ndërpriten përherë e më shumë, ekonomistët presin që inflacioni – se si ndryshon kostoja e jetesës me kalimin e kohës – mund të arrijë të paktën në 20 për qind në Rusi, në vitin 2022.

Z. Ash dhe znj. Ribakova kujtojnë miqtë se sa me vështirësi i marrin ilaçet për zemër ose gjëndrën tiroide, por shtojnë se janë rusët më të varfër ata që do ta vënë re më shumë rritjen e kostos së jetesës.

Presidenti Putin është zotuar se pensionet dhe ndihmat për të papunët do të rriten në përputhje me inflacionin.

Ndërsa, qeveria ruse ka linjat e shpëtimit financiar, edhe në këtë nivel të paprecedentë të sanksioneve. Është ende në gjendje të shesë shumë naftë dhe gaz – shtyllë kjo kryesore e ekonomisë së saj.

Sipas shifrave nga Banka Qendrore e Rusisë, ajo eksportoi mallra dhe shërbime me vlerë 58.2 miliardë dollarë, më shumë se vlera e importeve në tre muajt e parë të vitit 2022 – me shifra të rritura nga çmimet më të larta të energjisë.

Edhe pse ShBA-ja ka shpallur ndalimin e importeve të energjisë ruse, Evropa është ende e ndarë për mënyrën se si të pakësohet varësia nga furnizimet prej Rusisë.

Evropa merr rreth 40 për qind të gazit të saj natyror nga Rusia, që është gjithashtu furnizuesi kryesor i naftës, por disa vende janë më të varura nga karburantet fosile ruse se të tjerat, kështu që shkurtimet e papritura të furnizimit mund të kenë ndikim të madh ekonomik.

“Nuk ka dyshim se Evropa do t'i ketë disa vite të vështira për t’u larguar nga nafta dhe gazi rus, por kjo është shumë më keq për ekonominë ruse, sepse do të vuajë në planin afatgjatë", thotë Ole Hvalbye, analist energjetik në bankën SEB.

Derisa Rusia në afat të shkurtër mund të ketë bazë të mjaftueshme financiare për të ofruar subvencione për më të varfrit, si dhe për të mbrojtur rublën, z. Ash thotë se aspekti afatgjatë është më i pasigurt.

Por, shton: “Çfarëdo që të ndodhë, nëse embargoja e naftës vendoset në gjashtë muaj apo një vit … kjo do të jetë goditje e rëndë për një ekonomi të izoluar nga Perëndimi". /Telegrafi/

 

 

 

The post Dhimbja e madhe që e pret ekonominë e Rusisë appeared first on Telegrafi.

Kur modeli janë të fortët dhe tallavaja

Posted: 12 May 2022 02:16 AM PDT

Ti je rritur me fjalë të tipit: "Hallall ia boftë Zoti atij!", "Ai osht njish or ti"; "Osht i zoti nuk matesh dot me te se t'heq qafe". Madje, kur i ke parë këta tipa që zbrisnin nga makinat e tyre luksoze, në lokalet e zonës, të blera në pak kohë, që sapo dilnin nga makina i fusnin një të shfryrë hundëve dhe një të pështyrë në tokë e përshëndesnin: "He or zjarm ça ke bo?", ti "eksitoheshe" krejt dhe ëndërroje të ishe si ai.

Ndërkohë ty qysh të vogël nuk të ka thënë kush që numrat e matematikës janë hyjnorë dhe se shkenca është e bukur; sa e bukur është gjeometria dhe algjebra; se germat e shqipes janë të bukura e që Eposi i Kreshnikëve, poezitë e Fishtës e të Naimit, sonetat e Mjedës dhe përkthimet e Nolit janë një ushqim për shpirtin.

Nuk të ka thënë kush me ngulm se të lexosh Hygoin, Dostojevskin, Servantesin e Floberin, Shekspirin e Dikensin, njeh shpirtin krijues të kontinent krijues të kontinentit të vjetër. Po ashtu, nuk të kanë vënë në dorë kurrë një dialog të Platonit, një copëz nga etika e Nikomakut të Aristotelit, apo thjesht një faqe të Kantit, Hegelit, Nices a ku ta di unë. Madje, edhe emrat e tyre mund të duken të çuditshëm.

Ti je rritur me tallavanë dhe me reperat dylekësh dhe as të ka shkuar ndërmend se ka një Bach, një Mozart, një Bethoven e kështu me radhë. Sa shumë do të kishte ndryshuar jeta jote po të kishe njohur në vend të të fortëve të Laçit, Tropojës, Tepelenës, Vlorës, Fierit, Durrësit, së paku një nga këto emra që të thashë më sipër.

Më beso se jeta jote do të kishte qenë krejt ndryshe. Ti këto nuk i pate e as prindërit tuaj nuk i patën, duke qenë se në këto vite ata më shumë mundoheshin se si të siguronin bukën për ty dhe vëllezërit e motrat e tu.

Ata të lanë punën, por ti nuk e doje as punën, sepse e pe që yt atë dhe nëna jote me punë, çdo ditë në arat e tyre, nuk arrinin të siguronin as bukën e gojës.

Ti e vure re se prindërit tuaj në këto vite, megjithëse punuan çdo ditë tokën, ruajtën lopët, apo punuan roje në ndonjë biznes privat, në fund nuk patën lekët e mjaftueshme kur gjyshja u sëmur rëndë, apo ku mami pati një tumor në gjoks. Ti e pe se ata që mbaruan shkollën nga fshati apo lagjja jote filluan punë në një "call center" dhe i rrofshin klasikët e letërsisë, shkencat ekzakte etj.

***

Ndërkohë që ti shihje para teje parakalime "tangarllëku" nga moshatarët e tu, apo edhe pak më të mëdhenj me Kabriolet, Cayenne e pastaj edhe më banale si X6 apo Ferrari. E tani më vjen ndërmend kur ti fëmijë vije te Kisha bashkë me fëmijët e tjerë e luaje me ta, luteshe me ta, gëzoheshe bashkë me të gjithë moshatarët e tu. Por, çfarë ndodhi? Pse tani je aty pas hekurave, apo në vetminë e një are të mbjellë me lëndë narkotike të jashtëligjshme, apo brenda një magazine ku pastron kanabis? Pse? Ja ku po ta them se sot je thjesht një ushtar, një ushtar i vogël i papërfillshëm, i cili ka humbur lirinë e vet dhe rininë e vet.

Të kanë premtuar "të fortët" se po të bëje këtë punë fiton shumë, në pak kohë dhe je i sigurt, sepse "policia na mbron". Jo i dashur, nuk ka një polici që mbron të keqen. Policia nuk mbron krimin, ajo herët a vonë do ta luftojë atë. Edhe policët janë prindër të disa të rinjve të moshës tënde dhe thjesht duan të marrin rrogën e tyre. Ka kriminelë në radhët e saj, mund të ketë drejtues të korruptuar, por jo policia.

Do të vijë momenti që një ditë do të hyjnë në magazinën ku je ti, me kapuça, të armatosur deri në dhëmbë, e do të bërtasin: "Ndal, duart lart!," do të kapin e do të shtrijnë përtokë duke të vënë një tytë të ftohtë pistolete në kokë e do të vënë prangat.

Dhe ti si ushtar që je do të dënohesh, por "shefat" e tu jo. Ata do të vazhdojnë duke rekrutuar të tjerë të rinj si ti, duke filluar nga e para me premtimet e tyre e do t'i shohësh atje te ti në burg. E megjithatë të shkoi mirë që je në burg se mund të ishe edhe një kufomë më shumë dhe anonime në parcelat e kanabisit.

Por, unë do të vij edhe atje të takoj në burg, jo për të thënë se je djalë i keq, por për të thënë se me gjithë të gjitha, nëse ti do, në fund të tunelit ka gjithmonë dritë dhe se mund t'ia dalësh, por për këtë duhet të dalësh nga terri ku je futur, duhet të dalësh mbi vetveten. Për këtë duhet të kesh guxim e unë jam këtu për të t'inkurajuar që të ikësh nga parcelat apo magazinat e kanabisit e të nisësh një jetë të re.

The post Kur modeli janë të fortët dhe tallavaja appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more