Skip to main content

“Akademia e Shkencave, azili më luksoz në Shqipëri” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Akademia e Shkencave, azili më luksoz në Shqipëri” plus 1 more Telegrafi Opinione


Akademia e Shkencave, azili më luksoz në Shqipëri

Posted: 31 May 2021 07:13 AM PDT

Nuk e di përse kryeministrit tonë të nderuar i majlindin (i lindin në muajin maj) idetë e ndritura për Akademinë e Shkencave. Në këtë fundmaji, kryeministri i Shqipërisë shkoi për të dytën pas tre vjetëve në selinë e Akademisë së Shkencave, nga ku na dha lajmin e madh se kryetari i ri i saj, Skënder Gjinushi, na qenka depolitizuar. Shoku Skënder pasi ka qenë ministër në qeverinë e Adil Çarçanit, ministër në qeverinë e PS-së në 2001, kryetar i Parlamentit, pesë a gjashtë herë deputet që nga lista e Frontit Demokratik me në krye Nexhmije Hoxhën, deputet i "Dushkut" etj., anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së, themelues i një partie, shitës i partisë së tij, tani më në fund na qenka depolitizuar. Kur Gjinushi hyri në politikë ai u deshkencëzua dhe për 35 vjet nuk u mor më me shkencë. Dhe, politikës i hyri që nga mesi i viteve tetëdhjetë, më parë se politikanët e tjerë të pas vitit 1990. Tani kryeministri ynë ka detyrim të na thotë se si u rishkencëzua Gjinushi pasi la politikën?

Kur Gjinushi u bë deputet nga skema e "Dushkut" në zgjedhjet e vitit 2001, si aleat i PS-së, atij i ndodhi të takohet në një mjedis miqsh me një ish-profesorin e tij kur kishte qenë student. Profesori plak, i cili njihej si njeri me humor i tha duke: "Eh more Keno, mirë që mbete Gjino në shkencë, sepse e le shkencën shpejt për t' i hyrë politikës, por tani pas 15 vjetësh në politikë, po shoh se edhe atje Gjino u bëre!"

Në majin e tre vjetëve më parë, kryeministrit tonë i majlindi një ide që ishte për t' u përshëndetur. Dhe, këtë e them pa ironi. Ideja e tij në atë kohë m' u duk shumë pozitive. Kritikëve që do të shpejtojnë të më thonë se përse nuk mbajta qëndrim në media për idenë që m' u duk e drejt, po iu them se prita pasi isha mësuar të shikoja se idetë e mira të ardhura nga zyrat qeveritare në këto 30 vjet tranzicion janë si dardha që e kanë bishtin prapa. Në maj 2018, pas zgjedhjes së një matematikani si kryetar i Akademisë së Shkencave, Rama u prononcua shumë ashpër ku mes të tjerash tha: "Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën. Prandaj stop farsës."

Unë isha një nga ata që mendonin dhe besonin se në Akademinë tonë të Shkencave duhet të bëhej një reformë radikale. Këtë mendim e kam akoma edhe sot. Pa hedhur poshtë vlerat e profesorit matematikan Gudar Beqiraj, zgjedhjen e të cilit e kundërshtoi kryeministri ynë, unë kisha mendimin se për vetë kushtet që ka Shqipëria si një vend i vogël, ku ne nuk mund të bëjmë ndonjë gjë të madhe në fushën teorike dhe kërkimore në shkencat natyrore, siç është matematika, duhet që Akademia tonë e Shkencave të përqendrohet te albanologjia, te gjuhësia, mendimi shqiptar, historiografia shqiptare. Sigurisht që Akademia jonë e Shkencave duhet të merret edhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me shkencat natyrore, si me studimet për mjedisin, sizmologjinë, gjeologjinë, ndërtimin, pylltarinë, mjekësinë, ekonomiksin etj. Por, sa iu përket shkencave natyrore ne për vetë kushtet e vendit tonë nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveçse zbatime praktike dhe nuk mund të kemi arritje teorike. Nuk bëhet teoria e shkencave natyrore në Shqipëri. Ne kemi detyrë që ta marrim nga bota dhe ta mësojmë sa më mirë. Por, ne mund të zhvillojmë mendim teorik në gjuhësinë shqipe, në mendimin shqiptar, në kritikën letrare. Dikush mund të thotë se kam harruar arkeologjinë apo artin. Nuk i kam harruar dhe këto janë çështje të rëndësishme me të cilat duhet të merret Akademia e Shkencave, por as në arkeologji, as në art ne nuk bëjmë dot modele teorike, por vetëm mund të zbatojmë ato që ka bërë bota.

Akademia e Shkencave duhet të përqendrohet mbi të gjitha në ato fusha ku mund të bëjë studime teorike që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me çështjet shqiptare. Mbi këtë parim duhet të bëhet dhe përzgjedhje e anëtarëve të akademisë si dhe e drejtuesve të saj. Shkurt, Akademia e Shkencave duhet të dominohet nga gjuhëtarë, lëvrues dhe studiues të mendimit shqiptar, arkeologë dhe historianë të cilët së bashku mund t' i quajmë komuniteti albanologjik elitar.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se mbi bazën e kësaj hierarkie shkencore u ndërtua Akademia e Shkencave edhe kur u themelua në kohën e regjimit komunist, ndonëse gjithçka shihej në prizmin ideologjik. Për këtë arsye, në krye të Akademisë me themelimin e saj u vu një albanolog, profesori Aleks Buda. Me ndryshimin e sistemit politik dhe ardhjen e PD-së në pushtet, pas vdekjes së profesor Budës erdhi një tjetër albanolog profesor, Shaban Demiraj. Këtë traditë e prishi PS-ja kur erdhi në pushtet dhe vuri në krye të Akademisë një mjek, megjithëse të njohur në profesionin e tij. Por, Akademia jonë nuk mund të sillte risi shkencore në mjekësi. Gabimi u thellua kur shumica majtiste e asamblesë së Akademisë zgjodhi si kryetar një fizikan, Rexhep Meidanin, i cili kishte shumë kohë që merrej me politikë, jo me shkencë.

Kur kryeministri Rama kërkoi reformim të thellë të Akademisë, unë në këndvështrimin e mësipërm e mirëprita qëndrimin kritik të tij ndaj zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave tre vjet më parë. Por, disa muaj pasi kryeministri ynë tha këto fjalë, u zhgënjeva keq. Plani i kryeministrit tonë për Akademinë ishte që ky institucion të nxirrej në pazarin politik duke u shkëmbyer me një parti që i duhej një aleati të kryeministrit tonë, të cilin ai nuk e mbante dot më në radhët e partisë së tij.

Kur Edi Rama bëri sikur e përjashtoi nga PS-ja një deputet problematik për shkak të kritikave të Ambasadës amerikane ndaj këtij deputeti-biznesmen, kryeministri ynë iu justifikua:

"S' kam ç' bëj, më mirëkupto, por ti prapë i yni do të jesh!"

Deputeti duket i tha kryeministrit tonë të nderuar: "Mirë o burrë, të kuptoj po kam një kërkesë, tani më gjej një parti!"

Kryeministri iu përgjigj: "Dëgjo, parti nuk të gjej dot, por po të jap Akademinë e Shkencave."

"Pse bën shaka mor burrë, çfarë ta bëj unë Akademinë!", i tha deputeti.

"Shkëmbeje me një parti, por kur të bësh pazarin ki parasysh që kryetari i partisë të jetë profesor se kështu duhet të jetë kryetari i Akademisë!", i tha Rama.

Pyeti deputeti se cili kryetar partie ishte profesor dhe i thanë për Skënder Gjinushin. I shkoi këtij dhe i tha: "Profesor, Edi Rama më ka dhënë Akademinë e Shkencave, por s' di ç' ta bëj. A e shkëmbejmë me partinë tënde?"

Gojët e liga thonë se profesori u mundua të fitonte edhe një dorë lekësh, por tjetri e njihte biznesin më mirë dhe i tha se partia e tij nuk kishte më asnjë deputet prej kohësh. Gjinushi u bind kur deputeti i tha: "Po s' pranove ti, po shkoj te Paskal Miloja se edhe ai ka parti si ty dhe është profesor!"

Partia e Paskalit kishte dalë si fraksion i partisë së Gjinushit, prandaj ky i fundit nuk donte që të përfitonte rivali i tij.

"Jo mos shko te ai, pranoj!", i tha Gjinushi.

Dhe, kështu u shkëmbye një parti e vogël pa deputetë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Profesor Gjinushi u bë kryetar i Akademisë së Shkencave, ndërsa deputeti u bë kryetar i partisë së Gjinushit. Ky ishte gabim, madje ishte krim ndaj institucionit më të lartë shkencor shqiptar, siç duhet të jetë Akademia e Shkencave, jo vetëm nga mënyra si u bë, por edhe për faktin se kujt i ra në pjesë Akademia në këtë pazar. Skënder Gjinushi, një ish-pedagog matematike, kishte më shumë se tridhjetë vjet që kishte hequr dorë nga mësimdhënia për t' u bërë politikan. Skënder Gjinushi e mori drejtimin e Akademisë së Shkencave në një pazar të kryeministrit me një deputet problematik.

Komuniteti akademik i vendit heshti kur ndodhi kjo gjë. Kur Rama shkoi personalisht në selinë e Akademisë për t' i dhënë bekimin këtij pazarllëku politik me institucionin më të lartë shkencor të vendit, komuniteti akademik duhet ta kishte pritur me protesta para Akademisë. Në fjalimin që mbajti kryeministri me këtë rast tha:

"Shfrytëzoj këtë moment komunikimi për të shprehur një lloj kënaqësie të moderuar lidhur me faktin që sot jemi në një fazë ku mund të shikojmë dritë në fund të tunelit për sa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave. Më në fund gjërat dhe forcat u vunë në një lëvizje të vonuar për shumë e shumë vite dhe më vjen shumë mirë që sot që flasim jemi përballë një pune të kryer me zell e me përgjegjësi nga grupi i ngritur për të realizuar këtë reformë në drejtimin e profesor Gjinushit."

Të dy, si profesor Gjinushi ashtu edhe paraardhësi i tij profesor Beqiri ishin matematikanë. Ndryshimi mes profesor Gudar Beqirit të cilin e shau kryeministri, dhe profesor Gjinushit të cilin kryeministri e lavdëroi, ishte se profesor Beqiri ishte një matematikan i cili nuk e kishte ndërprerë punën shkencore si Gjinushi për t'u marrë me politikë. Pra, Gjinushi ishte shumë më i papërshtatshëm se Beqiri si kryetar i Akademisë.

Siç më ka thënë një ish-këshilltar i Fatos Nanos, kur i thanë këtij se përse e zbatoi skemën e "Dushkut" duke nxjerrë dhjetë deputetë për PS-në nga një zonë elektorale njëemërore, Nanoja tha: "E bëra sepse Gjinushi donte që të bëhej kryetar i Akademisë së Shkencave, nëse nuk bëhej deputet. Bëra një faj ndaj Parlamentit që të mos bëja një faj ndaj Akademisë së Shkencave."

Edi Rama duke bërë të mundur pazarllëkun për shkëmbimin e Akademisë së Shkencave me partinë e Gjinushit, bëri një faj të dyfishtë ndaj Parlamentit dhe ndaj Akademisë. Të tingëllojnë tallëse fjalët e kryeministrit Rama kur tha në fjalimin e tij në Akademinë e Shkencave: "Dhe, nëse do të qëndronim strikt procedurialisht në raport me tekstin e reformës, atëherë do të duhej që të falënderonim profesor Artan Fugën për kontributin e tij, por të ecnim përpara pa u ndalur asnjë sekondë me tekstin e sjellë nga Grupi i Punës."

Në fakt, projekti i profesor Fugës u hodh në koshin e plehrave, në dobi të projektit të Gjinushit që mund të quhet si projekti i shndërrimit të Akademisë së Shkencave në azilin më luksoz në Shqipëri. Në të gjithë botën akademikët janë pleq por, sot te ne, në Akademinë e Gjinushit janë pleq me grada e tituj të rreme shkencorë që përfitojnë nga paratë e taksapaguesve dhe grantet e ndërkombëtarëve pa prodhuar asgjë me vlerë për vendin tonë.

Një nga drejtuesit e tanishëm të Akademisë sonë, me shkollim bazë gjuhëtar, por pa vepra në gjuhësi dhe i shndërruar në historian, duke parë oborrin e gjerë e të gjelbëruar para ndërtesës së Akademisë ka thënë: "Sikur të kishim këtu një skarë që të piqnim qofte e bërxolla, do të kishte qenë ideale!"

Kjo kokë e madhe akademike njihet si frekuentues i skarave të Tiranës ku i kanë ardhur pjesa më e madhe e ideve të tij të ndritura.

Akademia jonë e Shkencave funksionon si një sekt ku ndalohet të hyjë së pari çdo kokë e mbushur me vlerat e mendimit shqiptar. Për shkak të kësaj mendësie, në Akademinë tonë të Shkencave nuk do të mund të anëtarësoheshin si akademikë as Sami Frashëri, Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Branko Merxhani, Zef Valentini, Vangjel Koça, Krist Maloki etj., kolosë të mendimit shqiptar nëse këta do të ishin gjallë sot. Madje, asnjëri prej këtyre nuk do të kishte mundur që të merrte grada dhe tituj shkencorë në universitetet tona që të mund të bëhej kandidat për akademik.

Cili studiues apo lëvrues i mendimit shqiptar, me vepra në këtë fushë, është anëtar i Akademisë sonë?

Askush?

Pse ka ndodhur kështu?

Sepse ata të paktë studiues dhe lëvrues të mirëfilltë të mendimit shqiptar nuk kanë ndjekur karrierë akademike të punojnë si pedagogë dhe të përfshihen në intrigat e botës universitare për të marrë grada e tituj shkencorë, për t' u bërë drejtues katedrash apo departamentesh si quhen sot. Por, ata të paktë studiues dhe lëvrues të mirëfilltë të mendimit shqiptar nuk mund ta gjenin kohën edhe për të nxjerrë nga pluhuri i arkivave veprën e kolosëve të trashëgimisë sonë intelektuale, edhe për ta studiuar atë, edhe për të shkruar libra për të, edhe për të bërë jetën e intrigantit të botës universitare. Me siguri, brezat që do vijnë do çuditen dhe do tallen me këto bëma paradoksale të kohës tonë.

Nëse ka nevojë për një ndërhyrje të politikës në jetën akademike e cila është urgjente, kjo ka të bëjë me një ligj për të rregulluar embargon që i është bërë mendimit shqiptar në Akademinë e Shkencave, gjë të cilën Gjinushi për hir të së vërtetës nuk e inicioi po e gjeti si traditë nga paraardhësit e tij. Kjo ndërhyrje duhet të bëhet në formën e një ligji me anë të të cilit të hyjnë zyrtarisht në komunitetin akademik në bazë të vlerave dhe veprës së tyre ata të paktë studiues dhe lëvrues të mendimit shqiptar që kemi sot. Nëse kryeministri ynë do ta bëjë këtë gjë, do ta përshëndesja me entuziazëm dhe do të thosha se e shleu disi fajin ndaj Akademisë.

Nuk besoj se do të ndodhë siç më tha një miku im që e njeh mirë kryeministrin tonë. Ky miku kur ia shpreha këtë ide, më tha shumë i alarmuar: "Mos, ç'na bëre! Do të na bëjë profesorë dhe akademik me ligj një estradaxhi të Fierit të cilit i dha pension të posaçëm, jo një po dy, atij dhe gruas, duke e quajtur vlerë madhore intelektuale e kombëtare. Ti e di që kryeministri ynë i nderuar ka thënë se nuk kemi parë gjë akoma!"

Kur u ndava me mikun tim, po mendoja se ndoshta në Akademinë e Gjinushit do të ishte në vendin e duhur ky estradaxhiu me dy pensione të posaçme. Sepse, kështu mund të vendosej në oborr skara që kishte propozuar profesori historian dhe të thuhej se e ka bërë estradaxhiu për ta bërë skarën cak të kritikave ndaj Akademisë së Shkencave. Njëlloj si historia e famshme me atë rrotën e qerres që u vu në skenë në një shfaqje teatrale të kohës së komunizmit dhe të cilën regjisori e hoqi pasi u bë rrufepritëse për kritikat. Kështu edhe skara mund të hiqet pasi të ketë pritur për një kohë të gjatë kritikat ndaj performancës Akademisë së Shkencave. Deri atëherë, profesori historian dhe të tjerët do të kenë shijuar produktet e skarës. E, ndoshta skara na e pastron dhe Asamblenë e Akademisë se produktet e saj janë të pafavorshme për shëndetin e dinozaurëve akademikë.

Përfundimisht, kryeministri ynë nuk na sqaroi se a po rishkencëzohet profesor Gjinushi pas deshkencëzimit që i ndodhi kur i hyri politikës. Nëse do të kishte qenë gjallë sot ai, profesori i vjetër që e ironizoi Gjinushin në 2001, me siguri që do t' i kishte thënë:

"Mirë o Keno që na qenke depolitizuar, siç po marrim vesh, por si do të rishkencëzohesh. Se ne të dy e dimë që edhe në shkence hyri me skemën e 'Dushkut' si bir gjenerali, për të shkuar me studime në Francë ku ishin mësuar të jepnin diploma 'bon pour l' orient'. Se në shkencë nuk na ndrite gjë sa kohë ishe i ri dhe si zor të na ndritësh gjë tani që u riktheve në moshën 70 e kusur vjeç."

Profesori i vjetër do ta quante veten me fat që nuk ia arriti kësaj dite ta shihte Akademinë në duart e Gjinushit të depolitizuar.

 

 

 

 

The post Akademia e Shkencave, azili më luksoz në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Ta mbyllim hendekun e vaksinimit

Posted: 31 May 2021 02:56 AM PDT

Deri në fund të majit 2021, vetëm 2.1 për qind e afrikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Duhet ta mbyllim hendekun e vaksinimit mes ekonomive të përparuara dhe vendeve në zhvillim për të shmangur atë që Tedros Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e ka quajtur "aparteidi i vaksinimit".

Të bësh një gjë të tillë është moralisht e drejtë dhe në interes të të gjithëve. Prandaj, kemi nevojë për një veprim global shumëpalësh për të rritur prodhimin e vaksinave dhe për të përshpejtuar shpërndarjen në të gjithë botën.

Që nga fillimi i pandemisë, kjo është rruga e zgjedhur nga BE-ja. Tashmë kjo është edhe rruga e përcaktuar nga udhëheqësit e G20-ës në Samitin Botëror të Shëndetit në Romë, më 21 maj. Pandemia vazhdon të vrasë mijëra njerëz çdo ditë dhe me ritmin aktual e gjithë bota nuk do të vaksinohet para vitit 2023.

Megjithatë, një popullsi botërore e vaksinuar gjerësisht është mënyra e vetme për t'i dhënë fund pandemisë; përndryshe, shumëzimi i varianteve ka të ngjarë të dëmtojë efektivitetin e vaksinave ekzistuese. Vaksinimi është gjithashtu një parakusht për heqjen e kufizimeve që po pengojnë ekonomitë dhe liritë tona.

Këto kufizime ndëshkojnë gjithë botën, por peshojnë edhe më shumë mbi vendet në zhvillim. Vendet e përparuara mund të mbështeten më shumë te mekanizmat socialë dhe levat e politikës ekonomike për kufizimin e ndikimit të pandemisë te qytetarët e tyre. Nëse hendeku i vaksinimit vazhdon, ai rrezikon të përmbysë trendin e rënies së varfërisë dhe pabarazive globale të dekadave të fundit.

Një dinamikë e tillë negative do të frenonte aktivitetin ekonomik dhe do të rriste tensionet gjeopolitike. Kostoja e mosveprimit me siguri që do të ishte shumë më e lartë për ekonomitë e përparuara sesa ajo çka do të duhej të shpenzonim bashkërisht për të ndihmuar për vaksinimin e gjithë botës Prandaj, BE-ja mirëpret planin prej 50 miliardë dollarësh të propozuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që të mund të vaksinojë 40 për qind të popullsisë botërore në vitin 2021 dhe 60 për qind deri në mes të vitit 2022.

Për të arritur këtë qëllim, ne kemi nevojë për veprim shumëpalësh ngushtësisht të koordinuar. Ne duhet t'u rezistojmë kërcënimeve të paraqitura nga "diplomacia e vaksinave", që e lidh sigurimin e vaksinave me qëllimet politike, dhe "nacionalizmi i vaksinave", që i rezervon vaksinat për vete. Në ndryshim nga të tjerët, BE-ja i ka refuzuar të dyja këto që nga fillimi i pandemisë. Deri tani ne kemi qenë aktori i vetëm global që po vaksinon popullatën e vet, ndërsa, në të njëjtën kohë, po eksporton vëllime të mëdha vaksinash dhe po kontribuon në mënyrë të konsiderueshme për shpërndarjen e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta.

Evropianët mund të jenë krenarë për këtë arritje. Në vitin 2020 BE-ja mbështeti kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave në një shkallë të gjerë dhe kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme për gjeneratën e re të vaksinave mRNA. Më pas BE-ja u bë një prodhues i madh i vaksinave COVID-19 me rreth 40 për qind të dozave të përdorura globalisht deri tani, sipas OBSH-së. BE-ja ka eksportuar gjithashtu 240 milionë doza në 90 vende, çka është afërsisht aq sa kemi përdorur brenda BE-së.

BE-ja me shtetet e saj anëtare dhe institucionet financiare – ato që ne i quajmë "Ekipi Evropa" – po dhuron gjithashtu vaksina për fqinjët në nevojë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Ajo synon të dhurojë të paktën 100 milionë doza më shumë për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme para fundit të vitit 2021, siç është rënë dakord në Këshillin e fundit Evropian. Me 2.8 miliardë euro, Ekipi Evropa ka qenë gjithashtu kontribuuesi kryesor në strukturën COVAX, e cila u mundëson vendeve të varfra të kenë qasje në vaksina; rreth një e treta e të gjitha dozave COVAX të shpërndara deri tani janë financuar nga BE-ja. Sidoqoftë, kjo përpjekje është ende larg të qenit e mjaftueshme për të parandaluar zgjerimin e hendekut të vaksinimit. Për të mbushur këtë boshllëk, vendet me njohuritë dhe mjetet e kërkuara duhet të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese, në mënyrë që të vaksinojnë popullatat e tyre dhe të eksportojnë më shumë vaksina, siç po bën BE-ja.

Në bashkëpunim me prodhuesit e vaksinave, ne po punojmë për të rritur kapacitetet e prodhimit të vaksinave të BE-së në më shumë se tre miliardë doza në vit deri në fund të vitit 2021. Partnerët tanë industrialë evropianë janë zotuar të shpërndajnë 1.3 miliardë doza vaksinash para fundit të vitit 2021, pa fitim për vendet me të ardhura të ulëta dhe me çmime më të ulëta për vendet me të ardhura të mesme.

Ata janë zotuar gjithashtu të shpërndajnë edhe mbi 1.3 miliardë doza të tjera për vitin 2022 – shumë prej të cilave do të shpërndahen përmes COVAX-it. Të gjitha vendet duhet të shmangin masat kufizuese që ndikojnë mbi zinxhirët e furnizimit me vaksina.

Ne duhet të lehtësojmë gjithashtu transferimin e njohurive dhe teknologjisë, në mënyrë që më shumë vende të mund të prodhojnë vaksina. Nga ana jonë, ne po i nxisim fuqimisht prodhuesit evropianë që ta bëjnë këtë, veçanërisht në Afrikë. Unë mora pjesë në Samitin e Parisit për mbështetjen financiare për Afrikën më 18 maj, ku udhëheqësit e kontinentit theksuan se Afrika importon 99 për qind të vaksinave të saj. Kjo duhet të ndryshojë.

Për këtë qëllim Ekipi Evropa po ndërmerr një nismë me partnerët afrikanë – mbështetur nga një miliard euro financim prej buxhetit të BE-së dhe institucioneve financiare evropiane të zhvillimit – për të rritur kapacitetin prodhues të vaksinave, barnave dhe teknologjive shëndetësore në Afrikë. Licencimi vullnetar është mënyra e parapëlqyer për të siguruar këtë transferim të teknologjisë dhe njohurive. Nëse rezulton të jetë i pamjaftueshëm, marrëveshja ekzistuese TRIPS dhe Deklarata e Doha-s 2001 parashikojnë ndërkaq mundësinë e licencimit të detyrueshëm.

Sipas disa vendeve, këto fleksibilitete janë megjithatë shumë të vështira dhe shumë të ngadalta për t'u përdorur. Për të shpejtuar këto transferime të teknologjisë, BE-ja do të dalë me një propozim të ri në kuadrin e OBT-së deri në fillim të qershorit. Pandemia COVID-19 na ka kujtuar se shëndeti është një e mirë publike globale.

Veprimi ynë i përbashkët global për të mbyllur hendekun e vaksinimit duhet të jetë hapi i parë drejt një bashkëpunimi të mirëfilltë shëndetësor global, siç parashikohet nga Deklarata e Romës e miratuar së fundmi në Samitin Global të Shëndetit.

 

The post Ta mbyllim hendekun e vaksinimit appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more