Skip to main content

“Çfarë mund të mësojë bota nga pandemia e koronavirusit?” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Çfarë mund të mësojë bota nga pandemia e koronavirusit?” plus 1 more Telegrafi Opinione


Çfarë mund të mësojë bota nga pandemia e koronavirusit?

Posted: 30 Nov 2020 04:45 AM PST

Gjëja e vetme më e rëndësishme që kemi mësuar deri tani nga Covidi-19, është se sa dëm mund të shkaktohet nga një pandemi relativisht e butë krahasuar me standardet historike afatgjata. Ta quash pandeminë të "butë" nuk do të thotë të nënvlerësosh vuajtjet që ajo ka shkaktuar dhe do të vazhdojë të shkaktojë, përpara se të nisë një program i efektshëm vaksinimi në nivel global.

Por, nga ana tjetër, Covidi-19 ka treguar një cenueshmëri sociale dhe ekonomike shumë më të madhe sesa e imagjinonin ekspertët. Është e rëndësishme ta kuptojmë se përse ndodh kjo dhe të mësojmë se si të menaxhojmë më mirë ndikimin e sëmundjeve të tilla në të ardhmen.

Në një studim të fundit, David Cutler dhe Lawrence Summers nga Universiteti i Harvardit, e vlerësojnë koston totale të Covidit-19, vetëm në ShBA, në 16 trilionë dollarë ose 75 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të një viti në ShBA.

Gati gjysma e saj është vlera kumulative e PBB-së së humbur, e vlerësuar nga Zyra e Buxhetit në Kongresin amerikan. Pjesa tjetër është kostoja e vdekjeve të parakohshme dhe dëmet ne shëndetin fizik dhe mendor, sipas vlerave të përdorura zakonisht për ekonominë më të pasur dhe më të madhe në botë.

Ata gjykojnë se kostoja totale është katër herë më e madhe e ajo e recesionit që pasoi krizën financiare të vitit 2008. Nëse kostoja për botën do të ishte gjithashtu në nivelin 75 për qind e PBB-së vjetore, kjo shumë do të ishte rreth 96 trilionë dollarë, me kurset e këmbimit të barazisë së fuqisë blerëse.

Mendoj se kjo shumë është me siguri një mbivlerësim. Gjithsesi, kostoja është e madhe.

Deri më tani, numri global i të vdekurve nga Covidi-19 vlerësohet në 1.4 milion. Tani ka thuajse 10 mijë vdekje në ditë ose rreth 3.5 milionë në një vit.

Nëse do të ruhet ky ritëm, vdekjet kumulative gjatë dy viteve të para mund të arrijnë afro pesë milionë, ose pak më shumë se 0.06 për qind e popullsisë globale. Për ta vënë këtë në kontekst, Gripi Spanjoll që u shfaq në vitin 1918, zgjati 26 muaj dhe mori diku midis 17-100 milionë jetë njerëzore, ose midis 1-6 për qind të popullsisë së atëhershme globale.

Një numër i krahasueshëm i vdekjeve për Covidin-19 sot do të ishte midis 80 dhe më shumë se 400 milionë. Disa pandemi, veçanërisht Vdekja e Zezë në shekullin XIV, kanë qenë shumë më vdekjeprurëse edhe se gripi spanjoll.

Një raport i vitit 2006 nga CBO argumentonte se "një pandemi që përfshin një lloj gripi shumë virulent (si ai që shkaktoi pandeminë e vitit 1918), mund të sillte një ndikim afatshkurtër në ekonominë botërore, i ngjashëm në thellësi dhe kohëzgjatje me atë të recesioni mesatar të pasluftës që ndodhi në ShBA".

Por, gripi spanjoll vrau rreth 675 mijë amerikanë nga popullsia e atëhershme prej vetëm 103 milionë. Kjo shifër është sot ekuivalente me mbi dy milion viktima. Nëse CBO do të kishte të drejtë, ndikimi ekonomik i kësaj pandemie do të kishte qenë shumë më i vogël se sa ka qenë realisht.

Një studim i ngjashëm për Komisionin e BE-së, botuar gjithashtu në vitin 2006, mbërriti në përfundimin se "ndonëse një pandemi do të shkaktonte shumë vuajtje njerëzore, ka shumë të ngjarë të mos përbënte një kërcënim të rëndë për makroekonominë evropiane".

Edhe ky përfundim ishte krejtësisht i gabuar.

Pra, pse ka qenë kaq i madh dëmi ekonomik i një pandemie të tillë relativisht të "butë"? Përgjigja është: sepse kjo është e mundur. Njerëzit që jetojnë në begati mund të heqin lehtësisht dorë nga një pjesë e madhe e shpenzimeve të tyre normale ditore, ndërsa qeveritë e tyre mund t'i mbështesin në një shkallë të gjerë njerëzit dhe bizneset e prekura.

Kjo është gjithashtu ajo që presin njerëzit nga qeveritë. Reagimi ndaj pandemisë është sot një reflektim i mundësive ekonomike dhe vlerave shoqërore, të paktën në vendet e pasura. Ne jemi të përgatitur të paguajmë një çmim të madh për ta frenuar një pandemi. Dhe, mund t`a bëjmë shumë më mirë se më parë.

Disa argumentojnë se metodat e zgjedhura, sidomos bllokimet pa dallim, kanë qenë kryesisht përgjegjëse për këto kosto të mëdha ekonomike. Ata sugjerojnë se, sëmundja (dhe po kështu i sëmuri) duhet të ishte lejuar të endej lirshëm, ndërsa kërkojnë mbrojtjen e vetëm më të rrezikuarve.

Kjo tezë është shumë e diskutueshme. Një nga arsyet, është se sa më e lartë të jetë shpeshtësia e sëmundjes, aq më shumë njerëz do të jenë të vendosur të mbrojnë veten e tyre, dhe kjo është theksuar në Parashikimin Ekonomik Botëror të FMN-së.

Përvoja aktuale, në krahasim me analizat kosto-përfitim të alternativave teorike, e forcon më tej drejtësinë e kauzës për ta shtypur plotësisht sëmundjen, sigurisht aty ku është e mundur. Një studim i fundit nga Instituti për Mendimin e Ri Ekonomik, tregon se vendet kanë ndjekur dy strategji: shtypjen, ose shkëmbimin e vdekjeve me ekonomisë. Në përgjithësi, shumë vende kanë bërë më mirë në të dyja aspektet. Ndërkohë, vendet që kanë sakrifikuar jetë njerëzore, kanë pasur prirjen të kenë një vdekshmëri të lartë, por edhe kosto ekonomike të larta.

Tani, në mesin e një vale të dytë të infeksioneve dhe bllokimeve në Evropë, dështimi për të vazhduar me masat shtrënguese derisa të arrihet në një kontroll të plotë mbi virusin, siç ndodhi në valën e parë, duket të jetë një gabim i madh. Sigurisht, testimi, gjurmimi dhe karantina efektive, do të ishin akoma më të preferueshme.

Por, kjo është e pamundur nëse rastet e reja janë afër niveleve të fundit. Ne kemi ende shumë për të mësuar nga Covidi-19, dhe duhet ta bëjmë këtë, pasi pandemia tjetër mund të jetë shumë më vdekjeprurëse se kjo aktualja. Ndërkohë, ne duhet të synojmë të shpëtojmë sa më shpejt të jetë e mundur nga katastrofa aktuale.

Për këtë do të kërkohet një nivel i lartë i bashkëpunimit global. Ndërsa kostot e pandemisë kanë qenë të jashtëzakonshme, për fat të mirë reagimi ka qenë shumë shkencor. Tani vaksinate suksesshme duhet të prodhohen në masë dhe të shpërndahen në të gjithë botën. Një hap i rëndësishëm është që të gjitha vendet, përfshirë ShBA-në, t'i bashkohen Covax-it, nismë për të siguruar vaksina për të gjithë botën. Sfidat globale, kanë nevojë për zgjidhje globale.

Covidi-19 ka qenë një shok ekonomik shumë më shkatërrues, sesa prisnin ekonomistët. Ky është një leksion i madh. Një sëmundje edhe më virulente, është krejtësisht e mundshme në të ardhmen. Herën tjetër, ne duhet t`a mundim shumë më shpejt sëmundjen e re. Tani shumë njerëz mendojnë për lirinë. Por siguria e njerëzve, duhet të mbetet ligji suprem i politikës, sot dhe përgjithmonë. /Burimi: The Financial Times/Në shqip nga: bota.al/

The post Çfarë mund të mësojë bota nga pandemia e koronavirusit? appeared first on Telegrafi.

Alfabeti shqip, në rrezik!

Posted: 30 Nov 2020 04:37 AM PST

Para një jave u kremtua dita e alfabetit të gjuhës shqipe, i cili u përcaktua (flas për ata që kanë njëfarë kujtese për sa u takon ngjarjeve më të rëndësishme kombëtare) në Kongresin e Manastirit, i cili i zhvilloi punimet e tij  nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 me pjesëmarrjen e 50 delegatëve nga 26 qytete, klube dhe shoqata të ndryshme. Këta miratuan vendimin që të pranohej alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato me frymën e gjuhës shqipe. Siç e shpjegon edhe zoti Internet, Kongresi në fjalë njësoi alfabetin me 36 shkronja, të cilin ende e përdorim sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët, sepse, siç shkruante Faik Konica, "Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare", para se të shtonte që "Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s'kanë një gjuhë të tillë dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte".

Sot, 112 vjet pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme për forcimin e ndërgjegjes sonë kombëtare, jemi dëshmitarë të hallakatjes dhe njëherazi të shkalafitjes së gjuhës sonë amtare, përdorimi i së cilës – me shkrim e me gojë – sidomos në gazeta e në mediet elektronike, po komprometon rëndë të ardhmen e kulturës sonë gjuhësore, çka ka nisur të dëmtojë seriozisht edhe identitetin tonë kombëtar. Po t'i shtojmë kësaj dukurie edhe globalizimin e pashmangshëm gjuhësor e kulturor nën ndikimin e anglishtes amerikane, vëmë re se, me shumë gjasë, leksiku i shqipes si edhe morfosintaksa e saj po pësojnë ndryshime fatale për to.

Sidoqoftë, meqë është fjala për alfabetin e gjuhës sonë, po i ftoj lexueset e lexuesit e mi të ndjeshëm e të shqetësuar për katrahurën gjuhësore në fjalë të këqyrim së bashku mënyrën se si ai, pra alfabeti shqip, po e përjeton këtë situatë të frikshme.

Kur ju dëshironi të gjeni punë, shpesh ju kërkojnë të paraqisni një CV duke ju thënë: "Më sillni një sivi!" Ah, por në klasë të parë u mësojmë fëmijëve tanë që alfabeti ynë 112-vjeçar përmban shkronjën "c", e cila shqiptohet "cë" dhe jo "si", dhe shkronjën "v" e cila shqiptohet "vë" dhe jo "vi"! Rrjedhimisht e detyrimisht, duhet të themi, për shembull, "Kam blerë dy cëdë" dhe jo "…dy sidi"; "…dy dëvëdë" dhe jo "dy dividi". Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për kanale televizive si "ABC News" e "News 24", duhet të themi për të parin "abëcë njuz" dhe jo "ejbisi njuz", ndërsa për të dytin duhet të themi "njuz njëzet e katër" dhe jo "njuz tuenti for" (duke e konsideruar fjalën "njuz" si një ndërkombëtarizëm që ka fituar – me dhunë, sigurisht, në dëm të fjalës shqipe "lajm" – të drejtën e qytetarisë në gjirin e gjuhës shqipe). Sa për humor, para disa vitesh, kam dëgjuar një gazetarkë apo një gazetaruc, që po fliste për një botim timin te shtëpia botuese OMBRA GVG, ta shqiptonte emrin e kësaj shtëpie bouese shqiptare me zyrat në Tiranë "Ombra xhividi", ndërkohë që G, V dhe G  janë germat me secilën prej të cilave u fillon emri tre pjesëtarëve shqiptarë të familjes shqiptare të botuesit shqiptar! Oh, ç'po pëson i mjeri, i gjori dhe i shkreti alfabet i gjuhës shqipe! Prandaj, duke ju kërkuar ndjesë, po ju kujtoj se shkronjat e alfabetit tonë shqiptohen si vijon: "a, bë, cë, çë, dë, dhë, e, ë, fë, gë, gjë, hë, i, j, kë, lë, llë, më, në, një, o, pë, që, rë, rrë, së, shë, të, thë, u, vë, xë, xhë, y, zë, zhë.

Përveç këtyre, ju, o lexuese dhe lexues të shqetësuar të këtij shkrimi, tek kaloni rrugëve e shesheve të betonuar të Tiranës së përçudnuar, të shtruar me pllaka guri ose të asfaltuar kobshëm, pra tmerrësisht të tjetërsuar, keni vënë re plot taksi, oh, më falni, duhej të kisha shkruar taxi! Personalisht, kam hasur vetëm tri a katër vetura në tabelën e vogël të të cilave kam lexuar fjalën "taksi", pra me "ks" dhe jo me "x"! Po si është e mundur që shkronja "x", pjesë përbërëse e alfabetit tonë, të cilën në shkollë na e kanë mësuar ta lexojmë "xë" dhe që vazhdojnë t'ua mësojnë kështu edhe fëmijëve, mbesave e nipave tanë, si është e mundur, pra, që germa "x" në shqipe të zëvendësojë në shqiptim toggermëshin "ks"! Me shumë gjasë, një ditë të bukur do të hasim, për shembull, ndër libra erotikë, fjali të tipit "Maxi, expert me experiencë në këso punësh, do të shpjerë me taxi në Xamil Xenofonin dhe Xanthipin që të bëjnë sex pa taxë". O perëndi, ç'taxirat i madh e ka gjetur alfabetin tonë! Nesër apo pasnesër do të shohim lloj-lloj shtrembërimesh të tij, rrezik, për shembull, edhe germën "f" të na e shkruajnë "ph", kështu që sytë do të na zënë me gjasë fjali të tipit "Phatmiri ka phrikë të phutet në pharmacinë e Aphrim Phejzos!"

Nga ana tjetër, lejomëni të them diçka për përdorimin e shkronjave të mëdha (dhe jo "kapitale", siç po thuhet e po shkruhet sa vjen e më dendur), sepse shqipja ka disa rregulla ndryshe nga anglishtja U.S. Po, si në çdo gjuhë të botës, shkronjat e mëdha përdoren për emrat e përveçëm, për shembull Gjergj Kastriot Skënderbeu, Kruja, Shqipëria, si edhe për çdo fjalë tjetër fill pas pikës në fund të fjalisë pararendëse. Mirëpo, syri më has përherë e më shumë fjali të tipit "Hasan Hyseni, Ekspert ekonomie" ku fjala "pastaj Ekspert" duhet shkruar detyrimisht me "e" të vogël, pra, "ekspert", pa harruar formulat publicitare të tipit "Fati juaj në Dorën Tonë" ku dy fjalët e fundit duhet detyrimisht të fillojnë me germë të vogël, ndryshe nga ç'ndodh ndoshta në anglishten U.S.

Së fundi, po marr guximin t'i sugjeroj kryebashkiakut Veliaj që të mos përqendrohet vetëm te zhdukja ose rrallimi i monumenteve historike të Tiranës, vetëm te betonimi i saj dhe te ndërtimi i kullave të përbindshme, por gjithashtu t'i kushtojë pak kohë edhe mbrojtjes së alfabetit të gjuhës shqipe, gjuhës së nënës së tij dhe, besoj, po ashtu edhe të të atit: Le t'u hedhë ai një sy të vëmendshëm tabelave të dyqaneve të Tiranës për të kuptuar që gjuha shqipe përdoret shumë më pak sesa anglishtja U.S.,  madje, edhe kur përdoret, përmban gabime gati të pafalshme! /Panorama/

 

 

The post Alfabeti shqip, në rrezik! appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more