Skip to main content

“Dy gra në botën e pasigurt të koronavirusit” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Dy gra në botën e pasigurt të koronavirusit” plus 2 more Telegrafi Opinione


Dy gra në botën e pasigurt të koronavirusit

Posted: 30 Apr 2020 04:12 AM PDT

Atë natë të 30 dhjetorit 2019, ndërsa ndihej e mikluar dhe e përkëdhelur nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës më të madhe vjetore që zhvillohej në Shangai, një telefonatë nga "shefi" i saj (drejtori i përgjithshëm, Wang Yanyi) e urdhëronte të kthehej urgjent në Vuhan për të ekzaminuar mostrat e para të disa pacientëve të dyshuar me Covid-19. Gjatë gjithë rrugës, një ankth dhe brengë do ta brente shkencëtaren: "Nëse shkaktarët janë koronavirusët, a mund të kenë dalë ato nga laboratori ynë"?

Si një shkencëtare race, ajo e dinte që kjo gjë vështirë të kishte ndodhur, por, gjithsesi, nuk është e pamundur; dhe, kështu ajo zhytet në 'javën më të zezë' të jetës së saj. Natë e ditë pa vënë gjumë në sy, do të rianalizonte çdo gjë nga e para, për të identifikuar ndonjë gabim apo pakujdesi që të mund t'i kishte dhënë virusit lirinë për të ikur nga laboratori, në udhëtimin e tij të lumtur në stërkalat e teshtitjeve, me qëllimin e vetëm për të pushtuar botën.

Shi Zhengli, virologia 55-vjeçare, me ringjalljen e teorisë së komplotit si një Zhan d'Ark e kohëve moderne, do të kryqëzohej si asnjë shkencëtar më parë që nga koha e inkuizicionit mesjetar; viktimë e përdorur nga partia dhe diktatura, arkitektja luciferiane e "aksidentit pandemik", manipuluese e virusit për ta përdorur si armë biologjike; shitëse e "kavjeve të infektuara" në tregjet e kafshëve të egra të Vuhanit për të kompensuar pagat e tyre të mjera, dhe, në rastin më të mirë, e paaftë për të realizuar sigurinë maksimale të detyrueshme për një institut të tillë.

Më 7 janar 2020, sentenca çliruese që sikur i doli nga shpirti: asnjë nga sekuencat gjeonomike të analizuara nuk korrespondojnë me ato të ekzaminuara nga ekipi i saj. Askush nuk deshi ta besojë. Imazhi i saj vazhdoi të demonizohet, ndërsa ajo vazhdoi të luftojë me armët e vetme që njihte prej 30 vitesh: botimet shkencore në revistat me prestigjioze në botë, "Nature" dhe "Lancet", dy fushëbetejat e saj. Shumë rrallë, prej lodhjes e ezaurimit, reagimet e saj shkencore do të mbartnin emocion kur, mes zemërimit dhe mosbesimit, do të shpërthente: "Ju betohem me jetën time se virusi nuk ka asnjë lidhje me laboratorin tonë", duke lënë të spikasë ndjeshmëria femërore. Kohët e fundit, teorive konspirative do t'i shtohen edhe deklaratat e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, Macronit deri diku, dhe së fundmi një çmim "Nobel" në Mjekësi (Luc Montagnier) të cilët duket se thua po luftojnë një herezi.

Fatmirësisht, ajo nuk është vetëm. Një sërë studimesh në revistat me prestigjioze, në "Nature", në "Cell" dhe "Lancet", si dhe një studim i botuar në PNAS (Revista e Akademisë Kombëtare të Shkencave) në Uashington, evidentojnë bindshëm se ajo "përsosje" e konfigurimit molekular të virusit mund të realizohet vetëm nëpërmjet seleksionimit natyror, duke përjashtuar në mënyrë kategorike manipulimin laboratorik. Virologu i famshëm evolucionist, Edward Holmes, na fton madje "ta harrojmë teorinë e komplotit në Kinë", duke na dhënë shpresë të shohim buzëqeshjen e pritur në portretin e Zonjës nga Kina.

***

Fytyra e frustruar me sytë si të zënë në faj e Dr. Deborah Birx, do të bëhej më virale se vetë koronavirusi, duke pushtuar të gjitha mjetet e informacionit botëror. Në atë fytyrë, gati transparente, lexohej një amalgamë habie dhe dhimbje e një shkencëtareje, që pjesën më të madhe të jetës së saj e ka kaluar në bodrumet e errëta laboratorike, duke u marrë me viruset, ndërsa imunologu i mirënjohur politik, Dr. Trump, informonte me pasion se kishte zbuluar eliksirin apo graalin e shumëkërkuar nga të gjithë njerëzit e shkencës për mjekimin e pacientëve me Covid-19.

Nëse dezinfektanti amukin, i përdorur për larjen e pjatave dhe dyshemeve, vepron shkëlqyeshëm kundër viruseve, përse të mos e provojmë edhe në mushkëri, duke e injektuar atë në vena – insistonte ai gjatë konferencës së shtypit, ndërsa koordinatorja përgjegjëse për luftën ndaj Covid-19-shit dukej se belbëzonte nën zë vargjet e grupit amerikan të rrokut, R.E.M., të cilët në vitin 1987 këndonin: "It's the end of the world as we know it" (Është fundi i botës, ashtu siç e dimë).

P.S. Natyrisht, përdorimin e dezinfektantit në vena ai mund ta ketë propozuar, pasi i ka studiuar dhe përjashtuar mundësitë e përdorimit, duke e pire direkt nga shishja apo me lugë gjelle të tretur në gjysmë gote ujë, për shkak të shijes së hidhur, ose ndoshta me shiringë, si më praktike dhe, pse jo, edhe me higjienike

The post Dy gra në botën e pasigurt të koronavirusit appeared first on Telegrafi.

Ndihmoni konsumin!

Posted: 30 Apr 2020 04:12 AM PDT

Me koronavirusin, shoqëria njerëzore, bota si e njihnim deri më 12 mars, nuk do të jetë kurrë si më parë. Dhe, bashkë me shoqërinë, edhe ekonomia botërore do të jetë ndryshe.

Do të ketë një ekuilibër (normale) të ri, ku konsumi do të dojë shumë kohë të ngrihet në nivelet e paraluftës, pra para shpërthimit të pandemisë. Madje, në shumë sektorë edhe mund të mos ia arrijë për një kohë të gjatë ato nivele, sidomos në transportin civil ajror dhe në turizëm.

Fondi Monetar Ndërkombëtar për këtë vit ka parashikuar që ekonomia botërore do të bjerë me tre për qind. Kur nuk ka rritje ekonomike, është një situatë shumë e keqe, pse nuk ke shtim të konsumit. Konsumi është gjeneratori që vë në lëvizje ekonominë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ekonominë e Shqipërisë. Do të jemi shumë keq me konsumin këtë vit.

Po sa keq?

Më keq nga të gjithë ne do të jenë sipërmarrjet në turizëm. Rreth 90 mijë vetë punësoheshin gjatë muajve të verës në këtë sektor, për t'ju shërbyer 4.8 milionë vizitorëve, me punonjës hotelesh, motelesh e bujtinash, kamerierë, punonjës plazhi, shoferë, ciceronë turistikë, kuzhinierë, punonjës artizanati e me radhë. Ky sezon veror, me plazhet tona ku nuk mund të qëndrosh më pa distancën një metër nga njeri-tjetri, do të jetë hija e atij të vjetshmit, ku qëndronim aq ngjeshur.

Rreth 17 mijë sipërmarrje në vend janë (ishin) bare dhe restorante. Mund të qëndrojnë mbyllur edhe gjatë gjithë majit. Praktikisht, tre muaj të tërë. Kur të hapen, shumica e tyre nuk do të kenë klientët e paraluftës (koronavirusit). Shumica do të përpiqen të mbijetojnë me një xhiro 20-30 për qind të ditëve përpara 12 marsit. Nuk do të falimentojnë. Ne si shqiptarë e kemi të vështirë të pranojmë falimentimin. Në gati 30 vjet ekonomi tregu, falimentime ndërmarrjesh e kompanish numërohen me gishta tek ne. Dimë të shndërrohemi, të bashkohemi me dikë tjetër, të ndërrojmë profesion, aktivitet, por kurrë të ngremë duart lart.

Por, këto 17 mijë bare dhe restorante nuk do të arrijnë më të punësojnë ata 80 mijë vetë që punësonin përpara pandemisë. Konsumi i ulur do të pjellë orë e çast vetëm të papunë të rinj. Deri tani papunësia është rritur me 68 mijë vetë më shumë në këto 50 ditë nga 12 marsi, ose 40 për qind. Për fat të keq, pritet të dyfishohet deri në fund të vitit. Nga 160 mijë të papunë të regjistruar, mund të shkojmë mbi 300 mijë të papunë.

Po ç'mund të bëjë Qeveria? A ka gjëra në dorë ajo?

Po, ka. Përveç pagesës së luftës gjatë pandemisë dhe pagesës së papunësisë pasi të mbarojë ajo, të cilat thjesht sigurojnë mbijetesën, qeveria duhet të mendojë programet dhe përcaktojë mënyrat se si do t'i ndihmojë sipërmarrjet e vendit. Të mos i lejojë ato të rrënohen në masë nga rënia e fortë e konsumit. Për shembull, për të 13 mijë sipërmarrjet në turizëm (hotele, motele, bujtina, agjenci turistike, restorante buzë detit, udhërrëfyes, dyqane artizanati, etj.), sipas orientimit edhe të Këshillit Botëror të Turizmit, është mirë që taksat dhe tatimet të mos paguhen për një periudhë të paktën 12 mujore (mars 2020 – shkurt 2021). Dhe, jo thjesht vetëm të shtyhen. Sipërmarrjet në turizëm duhet të kenë mundësinë të marrin kredi me përqindje interesi zero, pranë të 12 bankave tregtare të vendit. Interesi të përballohet nga fonde buxhetore.

I njëjti trajtim duhet të ndodhë edhe për gjysmën e bareve dhe restoranteve, pavarësisht se ku janë të vendosura ato në territorin e vendit, pasi edhe ato do të kërkojnë të paktën gjashtë muaj që të marrin veten. Dhe, kjo gjysmë duhet të përcaktohet saktë e me transparencë, pse jo të gjithë pronarët janë në ditë të hallit. Duhet të ndihmojmë si biznesin e vogël edhe të madh. Duke kontrolluar fort dhe parë me imtësi nëse realisht këto sipërmarrje ndodhen në vështirësi. Të parin, pse punëson 250 mijë vetë. Të dytin, pse jep 80 për qind të taksave dhe tatimeve për shtetin. Nëse na gjunjëzohet si një pjesë e mirë e biznesit të vogël (sipërmarrjet turistike, baret dhe restorantet), edhe e të madhit (kompanitë e prodhimit me material porositësi-fason), kompanitë e qendrave të thirrjeve (call centers), do të humbasim shumë më tepër, sesa nëse shtojmë edhe me dy për qind (360 milionë euro) borxhin publik, apo blejmë me lehtësim sasior 400 milionë euro brenda këtij viti për t'i dhënë para qeverisë.

Janë lëvizje shumë delikate, pse inflacioni mund të kërcejë përpjetë, por duhen bërë me kujdes të madh dhe kurajo. Gjithnjë duke matur ne terren gjendjen e atyre sipërmarrjeve që do të kenë nevojë të ngutshme për oksigjen(mbijetesë). Këto matje nuk bëhen me aplikime dhe ankesa online, por me grupe të përgjegjshme inspektorësh tatimorë apo ekspertë të tjerë të angazhuar nga Ministria jonë e Financave, e Turizmit, etj., duke përdorur edhe ekspertë nga shoqëria civile. Këto grupe, të përbëra nga vetëm dy ekspertë, duhet të nisin inspektimet dhe intervistat njohëse me mijëra bizneset e rrezikuara, që në ditët e para të majit. Nëse duam të ndihmojmë konsumin e këtij vendi, duke mos rrënuar biznesin. Nuk shoh ndonjë rrugë tjetër për të pakësuar dhimbjet e rënies ekonomike për këtë vit.

Vitin tjetër do të rritemi ekonomikisht?

Po! Patjetër. Por, se sa do të rritemi, këtë do ta përcaktojë se si do ta ndihmojmë biznesin e rrezikuar që t'i mbijetojë konsumit të ulur gjatë këtij viti.

The post Ndihmoni konsumin! appeared first on Telegrafi.

A janë vjetruar krimet e (pas)luftës?

Posted: 30 Apr 2020 04:10 AM PDT

Kush e ka shpatën, për të prerë nyjën gordiane të quajtur "çështja e Kosovës"? Kush (nuk) do dhe kush (nuk) mundet të përmbyll një konflikt të gjatë mbi një shekull, i cili mori dhjetëra mijëra jetë njerëzish, kryesisht shqiptarësh, dhe shpërnguli qindra mijëra të tjerë në Azi të Vogël, apo nëpër mërgatën e pafund shqiptare anekënd globit, nga Alaska në Zelandë të Re? Kush do dhe kush nuk do të mbyllet konflikti? Kush (nuk) janë çunat problematikë?

"We are not problematic guys", deklaroi presidenti Thaçi në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, më 25 gusht 2018, duke dashur të sqaronte se ai dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, po tentonin të arrinin një marrëveshje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, në storjen e dialogut, ai dhe Vuçiqi janë djemtë e mirë, tërë kohën shihen duke biseduar kokë më kokë dhe me dorën para gojës për të mos lexuar askush as nga buzët e tyre paragrafët e marrëveshjes sekrete, e cila po përflitet nëpër debate dhe foltore publike.

Edhe njëzet vjet pas lufte, paqja nuk duket afër as pas një dekade dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ende nuk janë gjetur dhe kthyer të vrarët, as nuk janë varrosur viktimat civile të luftës. Gati askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mbi 13 mijë civilë të vrarë dhe të zhdukur në këtë vend, ku përpos një ushtrie pushtuese, për t'i dhënë fund luftës u përfshi edhe koalicioni më i fuqishëm ushtarak i globit, duke bombarduar caqet ushtarake serbe, në Kosovë dhe në Serbi. Kështu, kjo çështje mori përmasat e një (mos)marrëveshjeje ndërkombëtare në mes dy entiteteve politike të ish-Jugosllavisë, dhe në mes dy popujve fqinjë të Ballkanit Perëndimorë, duke implikuar kështu shumë faktorë të jashtëm.

Pra, djemtë joproblemtatikë ishin deklaruar, në Alpbach të Austrisë, më 25 gusht 2018, se po punonin për një marrëveshje e cila përflitej në publik si marrëveshje sekrete për shkëmbime territoriale, apo për korrigjim kufijsh. Përfundimisht, kaosi i krijuar politik në Kosovë, përpos pandemisë së Covid-19-shit, duket të jetë shkaktuar pikërisht nga lobimi i suksesshëm në Uashington i "djemve joproblematikë" Thaçi-Vuçiq dhe me shumë gjasë përkrahur fuqishëm edhe nga Moska, Ankaraja dhe ndonjë kryeqendër tjetër politike ndërkombëtare.

Pasojat e pandemisë dhe të tendencës për të futur gjendjen e jashtëzakonshme, me pasoja të paparashikueshme politike, tashmë i kemi parë ndërkohë që lufta për të mposhtur koronavirusin dhe marrëveshjen për kufijtë po vazhdon, jo vetëm nëpër Kosovën po edhe nëpër mediat tona problematike, duke ngujuar kështu dyfish publikun i cili sado që dëshiron nuk arrin të ikë dhe fshihet nëpër kanalet e shumta televizive apo nëpër rrjet. Ku të ikësh nga politika dhe gazetarët tanë grindavecë të cilët shpojnë veshtë me zërin e lartë dhe arsyen e ultë.

Të kthehemi te titulli. Dy debate të ndara, së fundmi trazuan qetësinë epike të qytetarëve përballë sfidave shëndetësore dhe politike, vendore dhe globale. Kemi mbetur të izoluar në karantinë, pa qeveri të zgjedhur, të rrëzuar përmes një konspiracioni i cili mblodhi 82 vota, në një votim parlamentar ku të gjithë kundërshtarët e "ndryshimeve" në këtë vend u bënë bashkë nën flamurin e pro-amerikanizmit të sforcuar.

Derisa Shkëlzen Gashi, tashmë ish-këshilltar politik i kryeministrit në detyrë të Kosovës, e turbulloi ujin me deklaratën e tij për problemin faktik të 1000 civilëve serbë të zhdukur, dhe interpretimin e tij subjektiv për fajësinë "tonë", këshilltari i kryeministrit Rama bëri skandal tjetër, duke u shprehur se pas 20 vjetësh duhen amnistuar kryesit e krimeve të luftës në Serbi dhe në Kosovë, se duhet shuar Gjykata Speciale për krimet e luftës dhe, së fundi, se duhet kthyer Serbisë tokat të cilat ajo na i paska falë dikur. Natyrisht, ky është pak a shumë kuptimi i përmbledhur i urtisë politike të njeriut të cilit tashmë nuk i dihet më profesioni primar.

Sido që të jetë, përpos dallimeve ka edhe ngjashmëri në deklaratat e tyre. Që të dy flasin për probleme ekzistuese të cilat nuk mund të anashkalohen, që janë viktimat civile të luftës, në pjesën më të madhe shqiptare, ndoshta proporcionalisht me numrin e popullsisë në Kosovë, edhe ato serbe. Si duket, këshilltarët vetëm e nxorën në publikë thelbin e problemit, atë se klasa politike e Kosovës dhe Serbisë janë të shqetësuar dhe të pasigurt lidhur zbardhjen dhe gjykimin për vrasjet e civilëve gjatë dhe pas luftës. Deklarimi i njërit se duhet të përgjigjen fajtorët, qofshin ata edhe zyrtarë të ish-UÇK-së apo deklarimi i tjetrit se fajtorët do të duhej të amnistohen, e ka sjellë në konfuzion në mendjen kolektive të kosovarëve dhe jo vetëm të atyre.

Nëse ndjekim logjikën e Shkëlzen Gashit, krimet duhen zbardhur dhe të gjithë kryesit e krimeve duhen arrestuar dhe gjykuar, pa marrë parasysh për kë është fjala, duke e liruar kështu edhe skenën politike nga kriminelët. Nëse ndjekim logjikën e Baton Haxhiut, mësojmë se pas 20 vjetëve krimet e luftës janë vjetruar, se kriminelët duhet amnistuar. Ai na mëson se është fat se liderët në Kosovë dhe Serbi janë historikë dhe mund të bëjnë zgjidhje historike, pra edhe të mbyllin konfliktin shekullor, prandaj duhen liruar nga çdo përgjegjësi.

Sidoqoftë, qytetarët janë të mbyllur në karantinë dhe nuk mund të vlerësojnë dhe të vendosin lidhur me këtë dilemë, të falen apo jo krimet e luftës, të ndërrohet apo jo klasa politike që po mbahet peng nga ky proces. Lidhur me këtë, me shumë gjasë, në mënyrë indirekte, në vend të qytetarëve do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Sidoqoftë, edhe qytetarët kanë mundësi të deklarohen, ashtu sikur deklaroheshin viteve të '90-ta në ish-jugosllavi, pra duke bërë protestë me kusi e me tepsi, me tenxhere e me fërtere!

Tenxheret dhe fërteret e sollën NATO-n! Të shohim çfarë do të sjellin tani…

The post A janë vjetruar krimet e (pas)luftës? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more