Skip to main content

“Vjosa Osmani si shtetare” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Vjosa Osmani si shtetare” plus 1 more Telegrafi Opinione


Vjosa Osmani si shtetare

Posted: 31 Oct 2019 12:15 AM PDT

Para pak ditësh, kryesues ja e listës së LDK-së në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani, kishte dhënë një intervistë të gjatë për radion "Evropa e Lirë", ku kishte folur si një shtetare e vërtetë. Pa tabu, e sigurt në vetvete, por me kujdes dhe vetëpërmbajtje të madhe, si një zonjë krejt e vetëdijshme për përgjegjësinë historike që do të marrë pas pak javësh para kombit dhe vendit, ajo kishte prekur sfidat më kryesore që ka përpara koalicioni fitues LVV-LDK, me të cilat ky koalicion ka filluar tashmë të përballet.

Përshtypja ime e përgjithshme, pas leximit të kësaj interviste është se Vjosa Osmani i njeh në thellësi këto sfida, është realiste në vlerësimin e tyre dhe ka vizion për zgjidhjen e tyre. Ajo shprehet me një talent të dukshëm politik dhe jam plot shpresë tashmë se, bashkë me Albin Kurtin, do të përbëjnë një tandem udhëheqës të aftë për të shënuar një faqe të re e të suksesshme në historinë e shtetit të Kosovës, apo, thënë me fjalët e saj, për të shënuar "ndryshimin e pritur në të ardhmen e Kosovës".

Vjosa Osmani duket shumë e organizuar në mendjen e saj. Ajo i vendos punët në radhë dhe flet me qetësi për bisedimet që po zhvillohen midis dy partive, në përgatitje të formimit të qeverisë së re, duke përcaktuar si qëllim parësor të këtyre bisedimeve "ndërtimin e raportit të mirëbesimit" midis tyre. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se dy vitet e fundit janë e vetmja periudhë kur kemi parë njëfarë koordinimi të aksionit opozitar midis LVV-së dhe LDK-së, gjë që Vjosa Osmani e sjell në vëmendje të publikut si një vlerë gjatë intervistës së saj. Por, ajo, me të drejtë, edhe pa bërë historinë, lë qartë të kuptohet se kaq është pamjaftueshëm për të fshirë një histori të gjatë antagonizmi midis këtyre dy forcave politike, një antagonizëm ku LVV i ka tejkaluar disa herë mjetet e natyrshme të luftës politike në demokraci. Vjosa Osmani e di mirë se pamjet e këtyre përplasjeve, jo edhe aq të bukura, ruhen jo vetëm në arkivat e televizioneve, por edhe në kujtesën e rugovianëve, një nga të cilët jam edhe unë, edhe pse jo votues në Kosovë. Vjosa Osmani, si shtetare e pjekur kësaj here, është e kthjellët lidhur me nevojën e një mirëbesimi të sinqertë e të qëndrueshëm midis LVV-së dhe LDK-së, për të qeverisur së bashku në emër të interesit madhor të Kosovës, siç është edhe e kthjellët se ky mirëbesim nuk arrihet përmes deklaratave politike të udhëheqësve të dy partive. Një mirëbesim i tillë nuk mund të jetë çështje fjalësh.

Vepra, përmes së cilës mund të arrihet ky mirëbesim, është hartimi i "një programi qeverisës 100 për qind të harmonizuar". Nga intervista e Osmanit mësojmë se pikërisht aty janë përqendruar bisedimet. Arritja e këtij "harmonizimi" nuk është punë e lehtë dhe jo thjesht për shkak të së shkuarës. Vjosa Osmani përmend si vështirësi kryesore faktin se të dyja partitë u përkasin spektrave ideologjikë të ndryshëm. LDK është prej vitesh pjesë e Partisë Popullore Evropiane. LVV njihet si e majtë, madje jo edhe aq afër qendrës së majtë. Të dyja partitë kanë zhvilluar një fushatë elektorale me programe mbështetur në platformat e veta ideologjike për të bërë "ndryshimin", për të cilin ka nevojë jetike Kosova. Vullneti i popullit të Kosovës e solli që tani ato të ulen urtësisht për të hartuar një program të përbashkët qeverisës, tek i cili sigurisht që duhet të pasqyrohen premtimet më thelbësore elektorale të njërës dhe tjetrës palë.

A është e mundur një simbiozë e tillë, po të mbajmë parasysh dallimet?

Vjosa Osmani duket e sigurt se po, që do të thotë se ajo njeh edhe rrugën për arritjen e kësaj simbioze, e cila është vetëm një: rruga e lëshimeve dhe riformulimeve nga të dyja palët. Sepse, në fjalë të fundit, të dyja partitë kanë fituar një numër të barabartë votash, gjë që përbën një arsye të fortë për t'u kuptuar drejt lëshimit nga të dyja palët. Asnjëra nuk ka epërsi të vërtetë elektorale mbi tjetrën. Shpresoj se të njëjtën vetëdije dhe kulturë politike demokratike të Vjosa Osmanit dhe LDK-së do të tregojnë gjatë këtyre bisedimeve edhe Albin Kurti e LVV. Përndryshe, ky koalicion qeverisës do të merrte ujë qysh në themele duke shkaktuar një zhgënjim të madh.

Në intervistë më ra në sy edhe një hollësi, e cila më duket se duhet vënë në dukje si vlerë e Vjosa Osmanit. Ajo kishte shmangur me delikatesë përmendjen e aspekteve konkrete, ku ka divergjenca programore midis dy partive e që do të sheshohen me siguri gjatë bisedimeve. Nxjerrja në pazar e këtyre divergjencave, pikërisht në këtë fazë, me siguri që do ta dëmtonte procesin e bisedimeve për të arritur tek e mesmja e përbashkët e që është masa e përshtatshme për të ndërtuar një program qeverisës ambicioz e realist. Duke njohur prirjen e politikanëve shqiptarë në përgjithësi për të bërë vend e pa vend protagonizëm, një vetëpërmbajtje e tillë e Vjosa Osmanit tregon se ajo nuk e ka këtë ves dhe meriton përgëzime të përzemërta. Madje, edhe kur gazetari përpiqet ta shtyjë drejt protagonizmit, duke e pyetur se çfarë posti do të marrë për veten e saj, ajo shmanget me inteligjencë politike, për të nxjerrë përpara një parim të shëndetshëm: "Ne po bisedojmë për programin qeverisës dhe jo për pozitat qeverisëse".

Të lodhur siç jemi nga politikanët protagonistë, njësoj në gjithë hapësirën shqiptare, shfaqja e një profili si ky i Vjosa Osmanit mua më ngjall respekt dhe sidomos besim. Dhe, gëzohem më shumë duke menduar moshën e saj të re. Në përfytyrimin tim, me energjitë e saj të bollshme, me autoritetin dhe shembullin e saj, Vjosa Osmani do të mund të ndikojë në krijimin e një kulture të re në ushtrimin e pushtetit në mbarë skenën politike shqiptare.

Në intervistën në fjalë, Vjosa Osmani shpalos shumë mendime dhe koncepte, që ndihmojnë të kuptohet si do të jetë ajo nesër si shtetare. Njeri prej tyre e që meriton gjithashtu vëmendje të veçantë, është edhe vizioni i saj për përfshirjen e opozitës në zgjidhjen e problematikave më të mprehta, që ka vendi. Ajo, pra, opozitën nuk e sheh si armike. Nuk e sheh, madje, as jashtë përgjegjësisë për fatet e vendit. Të mësuar me praktikën e konfliktualitetit të ashpër midis shumicës dhe opozitës, ne shpresojmë se Vjosa Osmani dhe ekipi, ku ajo do të jetë pjesë e rëndësishme, do të munden ndoshta të na sjellin një përvojë të re. Kjo, sigurisht, do të varet edhe nga vullneti i opozitës. Ne lutemi që kjo opozitë, e mësuar gjatë në pushtet, do t'i përgjigjet pozitivisht këtij vullneti për bashkëpunim.

The post Vjosa Osmani si shtetare appeared first on Telegrafi.

(De)legjitimimi i (o)pozitës së re

Posted: 30 Oct 2019 11:08 PM PDT

Ishte ndoshta vetëm barsoletë kjo puna e luftimit të korrupsionit, por nëse nisemi nga qëllimet e deklaruara, duket se pakti i PDK-së me qytetarët për të luftuar korrupsionin, rezultoi i suksesshëm. E rrëzoi nga pushteti korrupsionin.

Ky ishte hapi i parë dhe më i vështirë që u arrit me votën qytetare, sado e komplikuar të ketë mbetur matematika paszgjedhore. Shumëkush që dëgjoi për paktin kundër korrupsionit, me shumë gjasë do ta ketë hetuar se i ka munguar edhe një pjesë e frontit të hapur, ku bashkë me korrupsionin, politikanët, madje edhe perëndimorë, zotohen se do ta luftojnë edhe krimin e organizuar.

Për kaçikun e një partie mbase është e mjaftueshme të rreket, në të njëjtën kohë, veç me njërin armik, pra t'i marrë çështjet një nga një për të mos u shkapërderdhur forca dhe resurset. Gojëkëqijtë thanë se ishte kjo luftë e vështirë, me vetveten, se fushata ishte një autokritikë.

Tash, të kuptohemi, ka një hendek procedural dhe ligjor në mes të rrëzimit të koalicionit dhe krijimit të koalicionit të ri. Nuk është vetëm paragjykim, por si e dimë, qoftë për shkak të ligjit zgjedhor ose për shkak të pafuqisë së një subjekti të mbledhë shumicën e elektoratit, asnjë parti nuk po arrin të mbledh shumicën e votës qytetare dhe prapë do të kemi një koalicion dhe një lindje të vështirë qeveritare. Qysh tani po duket ngushtica në të cilën rezultati zgjedhor i ka futur dy partitë e para të cilat kanë edhe mjaftë dallime jo vetëm programore po edhe interesash.

Koalicioni i kaluar, cili do të mbahet mend për mega-përmasat e strukturës dhe shpenzimeve buxhetore, ra për shkak të divergjencave, kryesisht gjeopolitike të krerëve të partive, por mbetet ende enigmë nëse koalicioni i paralajmëruar do të arrijë të marr votat, e se a do të binden të gjithë deputetët e koalicionit që ta votojnë atë.

Pas konstituimit të Parlamentit të ri, do të kemi edhe mandatarin i cili do të fillojë negociatat zyrtare për themelimin e kabinetit të tij. Përderisa në zgjedhje kishin dalë bashkë të gjithë kandidatët e një partie, votimi bëhet individualisht dhe me certifikimin e deputetëve faktikisht ata janë të pavarur dhe nuk obligohen të ndjekin politikën as të partisë e as premtimet elektorale. Pra, mbetet të shihet pas konstituimit të Parlamentit.

Përndryshe, me zgjedhjet e reja fituam pozitën dhe opozitën e re. Qytetarët votuan për ndryshime. I pari dhe i dyti në tabelë kanë rreth çerekun e votave, secili. A do të krijojnë bashkë shumicën qeveritare, apo do të bëjnë përpjekje për një qeveri të vjetër me petk të ri, duke e çuar vendin sërish në zgjedhje, kjo mbetet të shihet.

Sido që të jetë, pavarësisht retorikës së qeveritarëve të rinj, apo opozitës, ata që do të mbeten jashtë qeverisjes do të duhej të artikulohen rishtazi para qytetarëve dhe me këtë të (de)legjitimohen. Duke qenë se do të kemi koalicion, përafrimi i pikëpamjeve dhe interesave do të sjell edhe retorikën e re dhe sjelljen e re nga e cila shpresohet ndryshimi. Pra, të dyja palët, pozita dhe opozita e re do të kalojnë nëpër një proces (de)legjitimi dhe varësisht nga kjo edhe do të formësojnë të ardhmen e tyre politike.

Pozita e re, pavarësisht votave, nëse tregohet e ngurtë dhe jobashkëpunuese me qytetarët dhe me opozitën, sidomos rreth dialogut me Serbinë dhe temat e tjera nacionale, do të deligjitimohen dhe në zgjedhjet e radhës do ta hetojnë këtë me numrat e rinj. Meritë historike e Vetëvendosjes ishte dhe mbetet rizgjimi qytetar dhe rikthimi i besimit në vetvete. Ajo, po ashtu mbetet të dëshmojë se nuk është parti e konflikteve, e krizave, si përpiqen me e paraqitë kundërshtarët, por parti e së ardhmes, e kompromiseve shoqërore që hapin rrugët e integrimeve euroatlantike.

Ndërkohë, meritë e Vjosa Osmanit dhe deputetëve "të saj" ishte dhe mbetet rikthimi te fryma demokratike dhe qytetare e partisë, të përshtatur për rrethanat e pasluftës – pra një garniturë që hap vizion për LDK-në dhe e cila nuk pret më vota nga viktimizimi, po nga potenciali i kësaj gjenerate. Pra, koalicioni do të varet shumë nga mbizotërimi i kësaj gjenerate të rinjsh, ndaj grupeve të interesit dhe burokracisë së vjetër në LDK.

Ndërkaq, opozita, në radhë të parë PDK, por edhe të tjerët, ndodhen para sfidës së legjitimimit opozitar, si pretendues për zgjedhjet e ardhshme, duke pranuar pa destruktivitet ndryshimet dhe duke kryer ndërkohë reforma rrënjësore dhe duke u shkëputur nga grupet e interesit informal në parti. Partia Demokratike, po ashtu, ka potencial intelektual e profesional, dhe pse jo edhe patriotik, për të qenë pretenduese jo vetëm për pushtet, por edhe për të qenë pjesë e ndryshimeve në të ardhmen.

Për të mos i dukur tragjikomike çdo kritikë opozitare kundër korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit etj. kjo parti dhe të tjerat nga koalicioni PAN, duhet të zhveshën nga e kaluara dhe fshehja pas vlerave të luftës dhe të formësojnë ofertën qytetare dhe demokratike për të ardhmen.

Sido që të jetë, pritjet janë të mëdha për një pozitë të përgjegjshme dhe për një opozitë konstruktive, por është në dorën e dy palëve (de)legjitimimin i tyre.

The post (De)legjitimimi i (o)pozitës së re appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more