Skip to main content

“Pyetja e Kryeministrit dhe një kujtim nga Gjimnazi” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Pyetja e Kryeministrit dhe një kujtim nga Gjimnazi” plus 2 more Telegrafi Opinione


Pyetja e Kryeministrit dhe një kujtim nga Gjimnazi

Posted: 31 Jul 2019 02:07 AM PDT

U bënë plot vite qëkur u pata ulur për të parën herë në bankat e Gjimnazit. Siç e do zakoni, java fillestare pati kaluar me njohjen e shoqeve e shokëve të klasës dhe të mësimdhënësve. Ishte një lloj deja vu e ciklit të mesëm të ulët, kur pas ndarjes nga mësuesja, numri i arsimtarëve na dukej si aradhe e pafund ushtarake, sigurisht, jo gjithaq miqësore.

Njërën prej ditëve të kësaj jave në gjimnaz, ndër tjerash, në klasën tonë erdhi një profesor. Kishte një stil të veçantë; tek ai, sikur i pamë shkëndijat se nuk do të lëshonte pe në disiplinë gjatë orëve të mësimit, por njëherësh nuk i mungonte as buzëqeshja në fytyrë. Sapo përfundoi procedurat me ditarin (jo me mua), filloi t'i rrekej temave të ndryshme shoqërore, meqë edhe ligjëronte lëndë të kësaj natyre. Dita e mirë shihet n'sabah – thotë populli, dhe pyetjet që na i parashtronte për të provokuar një debat kolektiv në atë grup që ende nuk kishte krijuar një raport të shoqishoqëm, na kishte ngjallur përshtypjen se orët me këtë mësimdhënës nuk do të jenë të bezdisshme. Ashtu edhe doli të jetë; diskutimet me të ishin goxha atraktive.

Sidoqoftë, pak para se të cingëronte zilja, profesori na pyeti nëse kishim ndonjë pyetje a paqartësi rreth temave që u rrahën për rreth dyzet minuta. Një shok ngriti dorën dhe iu drejtua atij: "Profesor, e vërejta se nuk u prezantuat fare. Besoj se harruat, prandaj thashë t'ua kujtoj". Për një çast – vetë me vete – thashë hallall i qoftë këtij shoku, të cilit ia kisha mësuar emrin vetëm një ditë më parë. Kishte zbuluar një lëshim të pazakontë për një punonjës arsimi.

Profesori buzëqeshi prapë. "Jo, tha ai, nuk më ka dalë mendsh. Po kjo s'ka të bëjë me pyetjet që bëhen në orë të mësimit. Sapo të dal nga dera, këdo që e pyet në korridor se si quhem unë, do të të tregojë. Për këtë arsye, në klasë duhen bërë pyetje për çështje që nuk i ke kuptuar gjatë shtjellimit të leksioneve. Dhe, mbaje mend: mos bëj shprehi të pyesësh për gjëra që mund t'i mësosh vetë."

Si shumica e klasës, edhe unë, mbeta i shtangur. Ai profesor buzagaz sakaq m'u duk arrogant dhe përçmues ndaj nxënësve. Ndërkohë, ra zilja. Por që javën vijuese e kuptuam që nuk ishte i tillë. Thjesht, kishte një qëndrim më ndryshe.

Me fluturimin e viteve, kur po merrja udhë në rrugëtimin e gjatë të studimeve të larta, i kam rënë në fije asaj fjale të profesorit. Ajo paskësh qenë urtësi më vete, por atëbotë mosha na pamundësonte ta perceptonim siç duhet. Tani, kur shpeshherë më bien në sy pyetje e përgjigje të panumërta dhe po aq të panevojshme në diskursin publik, më sillen vërdallë mendjes ato fjalë të profesorit që u gdhendën në botëkuptimin tim tash e pesëmbëdhjetë vjet më parë.

***

Gjatë javës që lamë pas, në Kosovë ndodhi një rast i çuditshëm: kryeministri dha dorëheqje dhe më pas vazhdoi të ushtronte funksionin e kryeministrit. Për më tepër, ai vendosi që t'ia dërgojë një shkresë Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar përgjigje në pyetjen se deri në ç'masë mund t'i shtrihej autoriteti vendimmarrës pasi kishte publikuar aktin e dorëheqjes.

Ja, ky veprim i tij ma përkujtoi rastin me profesorin e gjimnazit dhe porosinë e tij se nuk duhej bërë pyetje, të cilave vetiu mund t'u gjendet përgjigjja. Kështu edhe me ish-kryeministrin: do të mjaftonte që ta lexonte vetë Kushtetutën ose të paktën ta pyeste ndonjë jurist të pavarur nga paga qeveritare dhe përgjigjen do ta kishte në xhep.

Fundja, për çdo gjë nuk pyetet Gjykata Kushtetuese. Zaten, seç e kam një bindje se ndaj pyetjes në fjalë, edhe Gjykata do të përgjigjet si profesori im i gjimnazit. Natyrisht, në stilin e saj.

The post Pyetja e Kryeministrit dhe një kujtim nga Gjimnazi appeared first on Telegrafi.

Letër e hapur kryeministrit Edi Rama

Posted: 31 Jul 2019 12:17 AM PDT

Bujar Kapexhiu

I nderuar KryeM…

Për herë të parë në jetën time po të shkruaj një letër të hapur, ndërkohë që ti në jetën tënde më ke shkruar një letër të mbyllur, me disa bashkëshkrues. E ruaj ende atë letër si diçka artistike, shoqërore dhe historike për Akademinë e Arteve në fillimet e demokracisë.

Po e filloj kështu me "ti"… Ah, më fal, e teprova… një letër për Ju, miku im! Vazhdoj t'ju quaj kështu, se unë i dua dhe i ruaj me fanatizëm miqtë ashtu siç janë, me të mirat, të metat apo të këqijat e tyre, sepse vetëm kështu ata mbeten të vërtetë, më interesantë e më me vlerë me mua që i vizatoj dhe bëj humor me ta.

Kemi shkëmbyer pak mesazhe me njëri-tjetrin dhe batuta e zakonshme dhe e përhershme, në përgjigje të kërkesës sime, ka qenë: "Kjo bëhet kur të vijnë ata tuajt." Cilët janë të mitë?! E cilët janë tuajt?! Të mitë janë të gjithë. Edhe ju i imi jeni. Dhe nëse në ndonjë çast zemërak ju deklaroni që nuk jam i yti, unë përsëris: Ju jeni i imi. Unë nuk përjashtoj asnjë, se kështu do varfëroja veten dhe artin tim. Arti im figurativ e gazmor nuk lejon të braktisë asnjë dhe unë i përkushtohem secilit, mbi letrën e bardhë, me shumë pasion e dashuri, pavarësisht nëse atij i pëlqen apo nuk i pëlqen. Është dakord apo kundërshton. Mund të ketë dhe hatërmbetje, por unë vazhdoj ta pranoj e respektoj.

Për artin tim humoristik, goditës e deformues, por pa fyer e denigruar, nuk ka tabu. Nuk ka të paprekshëm. Sigurisht këtu mbi tokë. Kam bërë shumë karikatura për probleme e dukuri politike, përfaqësuar nga persona të veçantë. Ndoshta diku në ndonjërën prej tyre edhe mund të kem gabuar dhe tepruar, por e them me bindje e sinqeritet që kjo jo me dashje, por më ka shpëtuar, kalimthi, pa u menduar gjatë. Diçka spontane. Dhe çuditërisht ato janë pëlqyer më shumë. Ju e dini miku im se spontaniteti në art është i magjishëm. Ju e keni provuar dhe vetë me lëvizjet dinamike të flamasterit mbi shkresat zyrtare. Përveç artit figurativ ju keni provuar vetë batutat me humor apo ironinë pa buzëqeshje e kalimthi, që lënë një shije të keqe kur godet pa sensin e masës.

Për të mos u zgjatur me probleme anësore e të parëndësishme për këtë kohë të nxehtë të politikës xanxare, po ndalem te problemi zhurmëmadh i Teatrit. Më e papranueshmja: grindja e mosmarrëveshja midis artistëve. Edhe kur ata janë kryeqeveritarë. Absurde!

Ju thoni që Teatri është karakatinë. Edhe unë kështu them, karakatinë. I kujt është faji? Përse ka ndodhur kjo? Sepse ju dhe paraardhësit tuaj e braktisët këtë godinë të shenjtë, me mendimin e fshehtë për ta shembur. Nuk u kujdesët kurrë për ta mirëmbajtur, ashtu siç bëni çdo vit me mirëmbajtjen e zyrave tuaja ose, më saktë, jo me mirëmbajtjen po mirëzhvatjen. E latë të degradojë deri në këtë gjendje, me fiksimin pervers për ta shembur. Ju thoni që është turp. Turp, them dhe unë. Por jo për Teatrin, por turp për ju që e braktisët për t'ia arritur një qëllimi të mbrapshtë. Shembje.

Ju bëni një listë me emra të shquar të artit skenik dhe citoni copëza apo rreshta që ju interesojnë e ashtu të shkëputura nga e tëra nuk thonë të vërtetën. Ju qëmtoni emra personash që nuk jetojnë më dhe që, sigurisht, në këtë situatë të tensionuar, nuk kanë sesi t'ju kthejnë përgjigje. Përmendni Mihal Luarasin, pedagog i nderuar, regjisor i shkëlqyer, familjar i mrekullueshëm e qytetar dinjitoz. Ai jetoi midis nesh. Përherë ankohej për Teatrin që po shkatërrohej. Edhe ai donte një Teatër të ri, por kurrë nuk tha që të shembet ky i vjetri dhe në tokën e tij të ndërtohen kulla. Përmendni aktorin gjenial, pedagogun tim të veçantë Naim Frashëri. Edhe me të ndjerin profesor, në oborr të teatrit, në skenë, në dhomat e grimit, ankoheshim për konditat e vështira për artin teatror. Duhet një Teatër i ri, por kurrë nuk tha që duhet prishur ky i vjetri.

Mos u merrni me artistët që janë larguar nga kjo jetë. Me ta jeni i humbur! Protesta është amaneti i tyre. Ata janë midis nesh në rreshtin e parë. Edhe sot aktorët, regjisorët, Budina, Çipi, Liçaj, Zenelaj e të gjithë të tjerët duan një Teatër të ri, por jo të prishet i vjetri dhe ju të bëni sevap me pronën publike. Edhe qytetarët që u goditën dhunshëm nga policia duan një Teatër të ri, por të mos rrënohet i vjetri. Ai të rikonstruktohet. Ju, jo! Të shembet! Ju thoni se ky Teatër nuk është dinjitoz për Teatër Kombëtar. E vërtetë. Kështu siç është katandisur, nuk është. E pra, nëse juve ju ka lindur në zemër e ju është ngulitur në mendje për të ndërtuar një Teatër dinjitoz, që meriton emrin Kombëtar (gjë që më bën të qesh, se jeni shumëkomik), atëherë, nëse kjo është e vërtetë, ndërtojeni atë, por diku tjetër. Vende ka plot.

Restauroni këtë ekzistuesin e mos e quani Teatër Kombëtar, por i vini emrin e një aktori të famshëm shqiptar. Ka plot. Nuk është vështirë të zgjedhësh. Ju thoni se kjo godinë e vjetër tashmë e rrënuar nuk rikonstruktohet. Gënjeshtër. Mos merrni në zyrat tuaja, për gjoja konsultë, arkitektë e konstruktorë që vënë firmat në bordero shtetërore, se edhe ju e dini që ata janë të pabesueshëm e të paaftë. Se po të ishin të zotë nuk punonin në shtet, por dilnin në privat, me firmë ndërtimi. Shoqata e arkitektëve njëzëri deklaroi hapur, me argumente profesionale, se godina e Teatrit mund të rikonstruktohet. Ju, jo! Të shembet! Instituti i Monumenteve të Kulturës e kundërshtoi me ngulm prishjen e kësaj godine, duke e vlerësuar atë si një monument historik e arkitektonik, si monument kulture që duhet rikonstruktuar. Ju, jo! Të shembet!

Mos merrni shembuj aktorë që kanë vite të larguar, që nuk interpretojnë më në këtë skenë dhe presin me padurim e ankth pensionin e veçantë, duke iu përkulur në gjunjë lapsit tuaj, nga frika se u vë vizën emrave të tyre. Presion. Shpirtligësi. Disa miqtë mi shumë të afërt, shumë të nderuar, që ju me të drejtë u keni dhënë atë që meritojnë, sot heshtin sepse ruajnë një mirënjohje për ju dhe nuk duan të dalin si bukëshkalë. Zgjedhja e tyre. Unë i kuptoj. Ju keni premtuar se asnjë centimetër toke që i takon këtij Teatri nuk do të jepet për të ndërtuar kulla.

Teatri i ri, sipas premtimit tuaj (jo sipas projektit që keni paraqitur), do të ndërtohet në të gjithë territorin që i takon sot Teatrit. Pa kulla. Ne nuk ju besojmë. Hapni një konkurs kombëtar apo ndërkombëtar për një projekt Teatri apo kompleksi teatror, që të zërë të gjithë territorin ekzistues të Teatrit. Ta shikojnë të gjithë. Artistë e qytetarë, të binden e të zgjedhin. Ky është edhe slogani juaj "Bashkëqeverisim", e jo me projekte në formë papioni, fjongoje apo ushkuri që zë një copëzë nga gjithë ai territor. Artistët e qytetarët do t'i bindni vetëm me projektet e jo me fjalë. Si Hamleti… fjalë… fjalë… fjalë, ndërsa ju, fyerje… sharje… ofendime. Duam projekte… projekte… projekte, e më pas vepra… vepra… vepra. Edhe nëse padashje del ndonjë kryevepër, e pranojmë me kënaqësi.

A e dini ju se cila është vërtet e padiskutueshme dhe e gjithëpranueshmesi një kryevepër? Cila? Heqja dorë nga shembja e Teatrit Kombëtar. Kryevepër! Kjo mund të jetë kryevepra juaj! Gjer më sot nuk keni bërë asgjë më të madhe e më të rëndësishme se kjo që sapo thashë. Bëjeni! Mos ngurroni. Ky çast një herë vjen në jetë. Dy gjëra keni në dorë, që të lini gjurmë, siç ka qenë edhe dëshira juaj qysh në hapat e parë në politikë. Sot është koha më e përshtatshme për këtë. Keni në dorë dy kryevepra. Dy gjurmë. E para, hiqni dorë nga Teatri! E dyta, hiqni dorë nga froni! Të dyja janë në dorën tuaj. Koha gjykatësi më i mirë e më i drejtë.

Lexoj shumë artikuj në shtypin e përditshëm, shoh programe televizive, ndjek portale të ndryshme, zhytem edhe në Facebook. Kam vënë re me kuriozitet se shumë persona që ju drejtohen përdorin emërtime të ndryshme. Variacione fjalësh. Dikush ju drejtohet: I nderuar zoti Kryeministër; një tjetër: I dashur Kryeministër; një tjetër: Kryeshërbëtor; dikush, më inatçor: Edvin; dikush tjetër më konfidencial: I dashur Edi etj. etj. Unë nuk po e shkruaj si asnjëri.

Kam stil origjinal, ashtu siç ju jam drejtuar në krye të letrës: I nderuar KryeM… Në kuadrin e globalizmit, po e vendos germën "M" si pronë të gjithkujt, e secili të zgjedhë me germën "M" në fillim të fjalës atë që ai dëshiron apo mendon se ju përshtatet më mirë. Demokraci. Liri e fjalës. Sigurisht pa shpifje. Me germën "M" fillojnë shumë emra, kështu që çdonjëri mund të zgjedhë me lehtësi fjalët: Ministër, Mjeshtër, Maskara, Mashtrues, Mafioz, Militant, Mediokër, Madhëri, Magjar, Majmun, Marifetçi, Mbeturinë, Mburravec, Megalloman, Merakli, Monstër, Mujshar etj. që mund të gjeni, plot përshtatshmëri në Fjalorin e Gjuhës Shqipe.

Ja dhe unë tani po ju drejtohem i pari me këtë metodë të rekomanduar: I dashur KryeMik! Mos u çudit. Besoj që nuk është surprizë. Të them të drejtën, kur dëgjoj sloganin opozitar "Rama ik!", stepem një çast, më mpihet dora e sikur nuk vizatoj dot. Edhe unë e shkruaj shpesh në karikaturat e mia, po ç'të bëj? E kuptoj, e besoj dhe bindem që jam në konflikt interesi. Se vërtet në një çast mund t'ju mbushet mendja e ashtu, për të bërë surprizë e për të luajtur blofin, ju jepni dorëheqjen. Të ikni?! Meazallah! Po karikaturat e mia? Arti im do të varfërohet. Arti i humorit e i satirës ka vlerë me persona të veçantë, me reputacion, me prestigj. E pas ikjes suaj ku të gjej tjetër kryeministër me xhaketë me shkronja, me kostum të zi e me atlete të bardha, me çitjane e pantallona treçerekëshe? Askund! Variacione të papara më parë. Fantazi e shfrenuar. Asnjë karikaturist në botë nuk ka vizatuar me fantazinë e tij Kryeministra të tillë. Unë jam i pari. Dhe i vetmi. Kjo, në sajën tuaj. Është merita juaj. Faleminderit! Dijeni mirë, se pasuri më të madhe sesa shtëpia në Surrel keni koleksionin e karikaturave të mia që i takojnë vetëm një qeveritari perëndimor. Është jeta juaj. Veprat tuaja. Është dhe arti im. Këto ditë del nga shtypi albumi me ngjyra, me dyqind karikatura, me titull "Tre kamberë në një derë". Krijimtari njëzetvjeçare me tre kryetarë bashkie, Rama, Basha, Veliaj.

Së fundi, për ta mbyllur, një porosi që ua them shpesh miqve të mi të moshuar: Mos u grindni, mos i mbani mëri njëri-tjetrit, se nuk kemi kohë të pajtohemi!

Mirëmbetsh, KryeMinistër!

Kur do të flasim?

The post Letër e hapur kryeministrit Edi Rama appeared first on Telegrafi.

Një verë, një politikum

Posted: 30 Jul 2019 11:15 PM PDT

Urszula Ptak

A jemi budallallepsur të gjithë apo ka filluar dielli të nxehë shumë dhe unë nuk jam më në gjendje të mendoj kthjellët për të kuptuar, pse e shoh të zezë të ardhmen e Evropës?

Kundërshtarët polakë të Evropës kanë zënë sot vend në Parlamentin e BE; gjysma e Polonisë qesh, gjysma tjetër mërzitet. Këtu kemi mbërritur 15 vjet pas pranimit në BE?

Këtë pyetje i bëra vetes një mëngjes kur isha duke qëndruar në një verandë diku në Poloninë jugore, dhe lexoja këto tituj gazetash. Një varg i tërë politikanësh narcistë, të cilëve u pëlqen vetja dhe janë mendjelehtë. Në Poloni, Gjermani, Austri, Britani të Madhe dhe në Amerikë, kudo nga të hedhësh sytë e njëjta gjë. A kujtojnë njerëzit se i kanë punët mirë, apo mendojnë se nuk marrin asnjë thërrime nga torta, apo zemërohen vetëm sepse fqinji i tyre e ka makinën më të mirë?

Unë vendosa këtë mëngjes që një javë rresht të lexoj vetëm titujt e gazetave, vetëm sa për të parë nëse vazhdon të ekzistojë bota që njoh unë. Nga veranda ime asgjë nuk duket në rregull, sidoqoftë. Bari është zverdhur, në maj nuk ka rënë shi sa duhet, pema e mollës nuk ka bërë asnjë fryt, dhe nuk dëgjohet asnjë zhuzhurimë e bletëve dhe grenzave të fqinjit. Megjithatë, është shumë bukur në qetësi, dhe kafja shijon. Në Berlin i nxehti ishte bërë i padurueshëm. Librat mezi lexoheshin dhe lajmet ishin të lodhshme. Një dëshirë e madhe për të mos u marrë me asnjë gjë, për të shijuar kohën e lirë, dëshira për ajër dhe liri u shfaq tek unë që me fillimin e verës.

Njëkohësisht fillova të flisja për politikë me miqtë, familjarët, fqinjët dhe pasagjerët që takoja në tren. Kush është përgjegjës për gjendjen e krijuar, apo janë ambiciet tona më të mëdha se duhet, kush është në gjendje të më thotë çfarë rruge ka marrë Evropa? Pse nuk janë gjërat më si duhet? Çfarë mendojnë njerëzit? Përgjigjet që japin politikanët i dimë përmendësh. Çfarë mendojnë polakët Jan dhe Maria Müller-Kowalskis?

Për çudi përgjigjen ma dhanë menjëherë. Dukej sikur ata kishin pritur që të pyeteshin. Ata donin të më tregonin aq shumë gjëra, saqë mua mu desh të bëja hile për të dalë nga biseda.

Në Poloni politika është tema e parë e bisedave kur njerëzit takohen për kafe, kur takohen në piknik, tek pika e karburantit, kur presin autobusin, trenin, tek dyqani i luleve dhe tek tregu i qytetit, kur shkova për të blerë domate polake.

Kastravecat “kombëtarë”, domatet dhe kumbullat kombëtare zgjuan tek tregu një diskutim që morri përmasa gjigande tek.

Si është më mirë që luleshtrydhet të shiten si “produkte rajonale” apo si fruta kombëtare? A janë nacionalistë të këqij njerëzit që preferojnë produktet lokale kurse ata që vlejnë domate të standardizuara nga Holanda dhe Spanja, janë evropianë të fortë?

Këtë pyetje unë e bëra me ironi, por ajo është një pyetje me të cilën me siguri do merremi gjatë këto kohë. Gjyshja ime ishte mishërimi i një ideali të cilin e synojmë edhe ne sot. Ajo vinte nga një botë rrezja e të cilës ishte 30 kilometra. Ajo ushqehej dhe jetonte gjithë jetës së saj me produkte rajonale dhe biologjike, pa i quajtur ato si të tilla, për të mos folur pastaj sa “bio” ishte ajo vetë. 40 vjet më vonë unë jetoj 600 kilometra larg vendit ku ka jetuar gjysha ime, dhe pi një limonadë bio; një limonatë që shijon si shëllira e specave turshi. Limonada është prodhuar në Hamburg, por në shishe nuk shkruhet nga vijnë përbërësit e saj. Një dilemë e përditshme për të cilën unë nuk isha e vetëdijshme kur bleva limonadën për të shuar etjen.

Mua më pëlqen të udhëtoj me tren. Në mes të qershorit tek stacioni i trenit në Stettin pashë një burrë të moshuar me të bijën. Vajza, në mes të njëzetave, dukej e bukur, e veshur mirë, por pak në stres. Mua mu krijua përshtypja që ajo donte vetëm që të vinte treni dhe të merrte të atin e ta largonte nga andej. Jo se vajza ishte e pasjellshme. Ajo e përqafoi të atin dhe e falënderoi, por lehtësimi iu duk në fytyrë kur erdhi treni. I ati dukej sikur vinte nga kohë të tjera, direkt nga vitet 80-të, me pantallona të vjetra dhe me një qese plastike në dorë. Ai dukej si një nga fshatarët e fëmijërisë time. Unë mendoj se ai ka ardhur të ndihmojë të bijën për t’ u zhvendosur në shtëpi të re, mbase e ka ndihmuar edhe ta lyej shtëpinë.

Ata të dy jo vetëm që vijnë nga breza të ndryshëm, por vijnë edhe nga botë të ndryshme. Unë mendova me vete që me siguri ia jep votën partisë polake në pushtet, partisë “Ligji dhe drejtësia” (PiS), pra konservator i djathtë, si të thuash një stereotip klasik polak, i moshuar, burrë, ithtar i PiS-it. Për çudinë time, fati e donte që ky burrë të ulej përballë meje në tren. Unë kisha në dorë një libër për skandalet e pedofilisë në kishën katolike polake. Lexova pak prej tij, morra frymë thellë, e lashë librin dhe fillova të shikoj rivierën. Libri zgjoi interes dhe u bë shkak për të filluar një bisede me dy gra të ulura afër meje. Asnjëra nga ato nuk kishte mirëkuptim për kishën, ato thanë se janë katolike e megjithatë nuk kishin ndër mend të besonin retorikën e peshkopëve polakë, që e deklaronin çdo skandal si rast të ndodhur vetëm një herë.

Burri me qese plastike në dorë nuk fliste. Gratë zbritën nga treni unë morra në dorë librin dhe fillova të lexoj. Mbas një ore ai më pyeti nga vij unë. Iu përgjigja, nga Polonia jugore, por që jetoj prej 20 vjetësh në Berlin. Përgjigjen për këtë pyetje unë e kam vështirë ta jap. Burri më hapi zemrën. Ai filloi të lëvdonte rrugët e reja në Poloni dhe shprehu habinë për subvencionet e mëdha për bujqësinë. “Për herë të parë kemi marrë ndihmë të tillë”, tha ai duke shprehur gëzimin që e bija mëson tani gjuhë të huaja, që turistët gjermanë vizitojnë Poloninë dhe, që më në fund ne e shohim njëri tjetrin si fqinjë dhe jo si armiq. Por ai shau qeverinë polake. Unë nuk i besoja veshëve, kur dëgjova në këtë udhëtim me trenin rajonal nga Stetini në Svinemynde këtë fjalim të flaktë për Evropën. Dhe më zuri turpi kur mendova sa gabim e kisha kur e paragjykova burrin fillimisht. Ai u largua duke me uruar fundjavë të këndshme dhe zbriti nga treni në një stacion, ku nuk dukej të kishte asnjë shtëpi.

Kur u ktheva me tren nga Stetini, përballë meje ishin ulur të rinj polakë që kishin veshur bluza me shqiponjën polake dhe me mbishkrimin “Vdekje armiqve të atdheut”. Ata pinin birra dhe shkonin për të punuar në Berlin. Krah tyre, gra polake që punojnë duke mbajtur të moshuarit, flisnin duke thënë se në vend që të kujdesen për nipërit dhe mbesat duhet të shkojnë të kujdesen për të moshuarit në Gjermani. Ne nuk hapëm ndonjë bisedë. Dy orë rrugë me tren tregojnë se jeta është më komplekse se shumë libra analitikë.

The post Një verë, një politikum appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more