Skip to main content

“Oligarkët në politikën e Evropës Lindore e Juglindore” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Oligarkët në politikën e Evropës Lindore e Juglindore” plus 1 more Telegrafi Opinione


Oligarkët në politikën e Evropës Lindore e Juglindore

Posted: 30 Jun 2019 01:11 AM PDT

Boris Kalnoky

Prej javësh protestojnë qindra mijëra çekë kundër kryeministrit të tyre, Andrej Babis. Ai është edhe një nga njerëzit më të pasur të vendit. Por, si u bë i pasur Babis?

Që në kohën e komunizmit, si anëtar partie, ai ka qenë menaxher i firmës shtetërore çekosllovake për tregtinë e jashtme – Petrimex. Me këshillën e tij, Petrimex krijoi një sipërmarrje të re, Agrofert, që u ble pastaj nga investitorë zviceranë jo me nam të mirë, miq të vjetër si i ka quajtur Babis. Shumë shpejt Babis u bë pronari i vetëm i firmës. Ai bleu mediat dhe u fut në politikë. Tani Babisin e shoqërojnë akuzat për mashtrim fiskal, dyshim për mashtrim me subvencionet dhe për mospërdorimin e drejtë të fondeve të BE-së në kohën që ishte ministër Financash dhe kryeministër. Prokuroria çeke është duke hetuar nga fillimi i qershorit.

Andrej Babis mishëron mënyrën se si bëhet politikë në Evropën Lindore dhe Juglindore. Paraja është pushtet; kush ka para dëshiron pushtet dhe kush ka pushtet e di që për ta siguruar atë i duhet paratë. Për shembull duke blerë media. Pas rënies së sistemit komunist, më shpejt e më mirë e kuptuan këtë komunistët që ndryshuan pllakën. Pasuria shtetërore dhe partiake, përmes rrugëve të dyshimta u bë pronë private; të pasurit e rinj ishin komunistët e vjetër dhe ata përdorën këto para për të qëndruar në pushtet me vite – si në Rumani apo Bullgari.

Partitë e reja që u ngjitën në pushtet pas tyre, dhe që e përcaktonin veten si konservatore qytetare, (si partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban) e mësuan shpejt se si bëhen punët. Edhe ato pastaj krijuan oligarkët e tyre, duke u dhënë tenderë shtetërorë besnikëve të tyre – duke u dhënë edhe shije me erëzat e subvencioneve të BE-së.

Ne në Hungari kemi oligarkët tanë. Në gjuhën e popullit njëri prej tyre quhej “instalatori kombëtar i gazit”, Lorinz Meszaros. Më parë ai kishte një firmë që riparonte vetëm tubacionet e gazit. Meszaros ishte mik i vjetër i Orbanit. Sot ai është si Babisi, njeriu i dytë më i pasur në Hungari. Por, ka një dallim me Babisin. Çeku e ushtron pushtetin e tij; Meszaros nuk ka pushtet dhe e di vendin që duhet të mbajë falë Viktor Orbanit. Miku i tij i fëmijërisë, Lajos Simiscska u përpoq njëherë: ka qenë njeriu që i ofronte para partisë, derisa u përplas me Orbanin. Tani askush nuk dëgjon më për Simiscskan. Gjithsesi: tek ne në Hungari nuk e përcaktojnë oligarkët politikën, por politika përcakton oligarkët.

Një nga rrënjët e së keqes oligarkike janë edhe fondet e ashtuquajtura “fonde të kohezionit të BE-së" (fond i krijuar nga BE për zgjerimin e infrastrukturës rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit në vendet më të dobëta ekonomikisht të BE, shën. red.) Ideja bazë e Brukselit ishte që përmes këtyre fondeve të afrohej niveli ekonomik i vendeve më të varfra të BE-së me ato më të pasura, prandaj është edhe fjala “kohezion”. Me këtë konvergjencë do të duhej të kishte edhe afrim vlerash: Demokraci, treg i lirë, ekonomi e shtet ligjor.

Në vendet e Evropës Qendrore e Lindore kjo është parë më me vëmendje dhe është arritur në përfundimin se një pjesë e madhe e këtyre mjeteve, që shpesh jepen për projekte infrastrukturore, në fund rrjedhin prapë tek koncernet e mëdha evropianoperëndimore që kanë kapacitetet teknike e konkurruese për të fituar këto konkurrime publike. Pra, pjesërisht është një para që vetëm në fillim shkon drejt Lindjes, por dikur rikthehet në Perëndim.

Në këtë kuptim, epidemia e oligarkëve evropianoqendrorë është në një kuptim edhe një përpjekje për t’i mbajtur këto fonde në vend. Për shembull në Hungari u mbështetën hapur, me qëllim, biznesmenë politikisht besnikë që të forcoheshin si afaristë duke marrë në mënyrë joproporcionale porosi shtetërore. Orbani flet për “neomerkantilizëm” – kjo ka qenë një fazë ekonomike në historinë evropiane, në të cilën u ngritën industritë vendase me masa proteksioniste. Nëse do doje ta quaje kështu, ky është një lloj “korrupsioni patriotik”.

Personalisht nuk e vlerësoj, dhe nuk besoj, se në plan afatgjatë kjo i shërben një ekonomie konkurruese; nëse energjitë përqendrohen në marrjen e subvencioneve. BE vetë duket se ndërkohë ka kuptuar se e gjithë ideja e konvergjencës së vlerave nuk funksionon (në buxhetin e ri të BE-së, vendet më të varfra nuk do të subvencionohen në këtë formë, por vetëm ato “korrekte politikisht”, pra kush pranon refugjatë).

Le ta mbyllim rubinetin e fondeve të BE-së. Ky është një mjet që e bën Brukselin më të rëndësishëm sesa duhet të jetë dhe i dobëson strukturat ekonomike dhe politike në shumë vende anëtare. Ne në Evropën Lindore gati jemi bashkangjitur me Perëndimin edhe falë këtyre fondeve. Por, ka ardhur koha që ta presim këtë kordon lidhës. Koha për të zhvilluar një kulturë sipërmarrjesh që shpërblen idetë inovative dhe guximin, e jo etjen për pushtet dhe besnikërinë politike.

The post Oligarkët në politikën e Evropës Lindore e Juglindore appeared first on Telegrafi.

Të mësojmë nga mali

Posted: 30 Jun 2019 01:00 AM PDT

Një fjalë e urtë thotë " Mali ka vesh, fusha ka sy". Edhe në pyll ka rend në çdo stinë të vitit, natën e ditën. Për të bërë atdhe të dashur, duhet të vendosim rend. Për të vendosur rend duhet punë natë e ditë. Lule e bimë, bisha të egra, të mëdha e të vogla, shpezë të llojllojshme, të vogla e më të vogla, bimë të ulëta, të mesme, të larta e më të larta, që jetojnë e zhvillohen në periudha të caktuara dhe asnjëra nuk rrezikon zhdukjen nga tjetra, përveç nga dora e njeriut. Nga bimët mikroskopike deri të ato gjigante ruhet rendi. Aty ku prekët rendi jetësor, thahet edhe lisi më i madh. Kështu ndodhë edhe me njerëz, nëse nuk vendoset rend. Njerëzit do të mund të mësonin shumë nga mali. Së pari mund të mbajnë fjalën si mali. Mjafton që njerëzit të mbajnë rend aq sa bimët e malit. Nga mali jetojmë dhe prej atje na vjen ngrohja, ushqimi e shpëtimi edhe në kohët më të rënda. Mund ta ngrohim shpirtin edhe me pak dru, pa e dëmtuar zemrën e malit. Mali dinë edhe të hakmerret, kur njeriu e tepron zullumin. Jo pak herë keni dëgjuar si mali vrau druvarin, që po e dëmtonte tepër. Mali do rregull edhe kur e presim për ngrohje dhe ndërtim. Nuk ka gjallesë mali, që nuk e ndihmon tjetrën edhe atëherë kur i shërben si ushqim. Edhe ne duhet ta ndihmojmë njeri tjetrin. Edhe ne duhet të sillemi kështu, së pari me njëri tjetrin, por edhe me malin.

Mendohuni mirë, sa herë vendosni për të prerë një dru! Duhet të mendoni mirë edhe kur vendosni të ikni. Zinxhiri i jetës mbi tokë është tepër i ndjeshëm, sa që për një lidhje molekulare mund të prishet baraspesha e jetës.

Edhe kur ikën të gjithë nga fshati, plaku nuk derdhi lot. Eh, sa dhimbjet i ka kapërdi pa lot plaku!? Me lot nuk ndreqet asgjë, i thoshte vetës në heshtje. Kësaj radhe, shpirti i plakut u ligë më tepër. Iu kujtuan pushtimet e njëpasnjëshme nga armiqtë, që nuk iu hoqën qafe kurrë. Nuk ishin ato lufta mes ushtrive, por ishin të gjitha krime mbi njerëz të pa mbrojtur. Iu kujtuan malet ku jetoi shumë herë gjatë jetës. Malet tona ishin kështjella që nuk i pushtonte dot asnjë armik. Aq shumë palë bjeshkë ka atdheu ynë sa nuk numërohen dot. Asnjë armik nuk ka dal i gjallë përtej maleve tona. Askush nuk i ka numëruar e as do t'i numërojë ndonjëherë, sa palë kodrina, kodra, male e bjeshkë kemi. Brenda çdo kodre ka pa numër kodrina, të vogla e më të vogla. Brenda çdo bjeshke të lartë, ka të tjera maje bjeshke, më të ulëta e shumë më të ulëta, fare të vogla e më të vogla, që nuk i numëron dot njeriu. Të gjitha këto i njeh në çdo hap, vetëm kur jeton e punon këtu, more dai! Shikoni sa e ngjashme është natyra me njerëzit! Thellohuni pak duke lexuar, e do të mësoni shumë.

Askush nuk i njeh malet e bjeshkët, kodrat e kodrinat e pakufishme si atdhetari. Atëherë kur shterej çdo mundësi për jetë, iu drejtoheshim maleve. Malet tona, më shekuj qenë dhe mbeten mburojë për ne. Në mal gjenim strehë edhe ushqim. Kthesat e mëdha historike i kemi pritur në male. Mali ruan zjarrin në çdo stinë. Gjuhën e malit e kuptoni lehtë vetëm nëse e doni atë sa jetën. Vetëm duke njohur malin, gjeni çelësin e mbijetesës. Vetëm duke e njohur e duke e dashur njëri tjetrin edhe njerëzit gjejnë mirëkuptimin. Malet nuk janë nëpër qytete, por atje përbri si mure kështjellash të pathyeshme. Kështu janë edhe njerëzit kur jetojnë në çdo pjesë të atdheut. Vetëm në truallin e vet, njerëzit iu përngjajnë bedenave të kështjellave. Shuarja e jetës nëpër fshatra është e rrezikshme për atdheun. Është rrezik të këputet kjo lidhje.

Pa zjarr nuk ka jetë. Ku ka mal, ka zjarr. Ku ka mal, ka ujë. Ku është burimi i ujit, aty është jeta. Po, more dai, edhe ku ka njeri ka zjarr e konak. Nga këto burime, rridhte shpresa e pathyeshme për të vazhduar gjallërimin këtu në malet e tona, të cilat, të parët tanë, përherë i krahasonin me vet jetën.

Erdhi edhe dita kur plaku, nisi t'i shikonte malet me mallëngjim. E dinte se ato nuk flasin, por ruajnë me besnikëri kujtimin tonë.

Malet përtërihen me degë të reja, edhe pasi t'i kemi prerë deri në rrënjë, ndërsa na, mor dai, kemi pritur të përtërihemi me nipër, ndërsa ata po ikin çdo ditë. kritikonte vetën.

Ikën, ikën, po ikin, po ikin! Plaku përsëriste këtë refren derisa lodhej. E na? Na nuk ikëm! Çdo armiku ia mësonim taktikën, dhe ashtu silleshim ndaj tij. Armikun e kemi lodhë edhe me gjumë. Kemi bërë luftë të pashpallur me armikun se, cili nga ne do të dorëzohet pa fjetur kurrë. Nuk mund të mos rrëzoheshim, ai apo ne një ditë. Për fitore luftonim çdo ditë e natë. Iu duket sikur një prralle fantastike kjo, por edhe kur flinim ëndërronim lëvizjen tjetër që duhet të bëjmë. Ndërrimi i vendqëndrimit, për ne ishte taktikë shpëtimi, një lloj lufte pa armë. Ishte kjo taktikë që nuk thyhej lehtë. U lidhem fort me malin sepse ai nuk e shkel fjalën kurrë. Sa herë na ka mbrojtur edhe në kushtet më të vështira, vetëm mali e dinë. Na jemi njerëz harrestar e besa edhe mëkatar. Edhe kur harronim armikun, mali ishte aty dhe mbulonte gjurmët tona të freskëta, që i kishim harruar pa mbuluar.

Kështu thoshin të parët tanë dhe kështu vazhduam. Thyerjen e vullnetit për jetë nuk e pranuam edhe kur kaluam nëpër periudha të gjata të skamjes, të cilës nuk i shihej fundi. Vaji i fëmijëve, për ushqim, na vriste shpirtin më rëndë se çdo armik. Sa vjet kaluan kështu, askush nuk e tha asnjëherë, sepse të gjallët ia shtronin vetës detyrën e mbijetesës me çdo kusht. Mund ta kenë shëtitur bjeshkën për fruta të egra, me ditë, por rrugën e kthimit nuk e harronim kurrë.

Rrugën e kthimit në kasolle, ku kishin lënë familjen, nëse e harronin, e paguanin me jetë. Jo pak herë humbën gjithçka, por jo shpresën për një ditë më të mirë. E rëndë ishte lufta për ruajtjen e zjarrit, aq sa ishte për ujë. I harronin të gjitha kur vaji i fëmijës dëgjohej për nënën e vdekur duke ngarendur për ushqim, ose duke u kthyer nga kroi me ujë në lëkurë.

Sa herë kemi harruar ta ruajmë zjarrin në oxhak, kemi lodruar nëpër fqinjë për të huazuar një gacë. Po të mos kishim zjarr, mbeteshim pa ngrënë. Uji, zjarri, dhe ushqimi, gjenden në mal. Dikur, një fije shkrepëse e krahasonim me një jetë njeriu. Mbase edhe me shumë se një jetë. Në një natë dimri, në mal shpëton me zjarr.

Po tash? Edhe sot, kur keni marrë ikën, mali qëndron aty, besnik i pathyeshëm i kësaj toke. Duke u përshëndetur me ty, atë ditë e pashë se po mbetem vetëm me malin. Mbeta në dorë të malit, në përqafim të shokut tim të vjetër, i cili mban fjalën. Miqësinë me malin e kam ruajtur akoma. U ndamë me ty atë ditë, pa asnjë fjalë. Ti o djalosh, mos u habit kur më dëgjon duke folur apo edhe duke kënduar vetmeveti. Tash, mali më shikon me mallëngjim e dhembje. Sa keq që mali nuk flet. Me duket ai kishte lexuar vendimin tuaj më herët se unë. Mali nuk ka gojë, nuk flet me zë, por çdo herë mbetet dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë. Po kush mund ta lexoj malin, si na që jemi rritur me te? Sekretin e malit tonë, nuk e lexon dot asnjë njeri i huaj. Nëse ktheheni ndonjëherë, aty në mal do gjeni dëshmi të forta për jetën tonë, Mali besnik, i ruan ato. Ai nuk luan prej andej. Mali mban fjalën dhe ruan sekretin. Ashtu qëndruam edhe ne këtu deri sot, mu sikur mali.

Ta dini se, sa herë e ndërroni folenë, duhet të niseni nga fillimi. Nuk forcohemi kurrë duke u larguar. Më të fortë bëhemi vetëm duke punuar e jetuar këtu. Ka fatkeqësi edhe më të rënda se lufta, por edhe ato i përballuam. Mendohuni mirë kir ikni, sepse nuk ka kthim prapa.

Më duket sikur po dëgjoni pak më tepër lajme nga çdo skaj i botës. Po lakmoni më tepër së që mund të zëni me hapin tuaj. Mund të flasim me muaj e me vite për mundësi jete në këto troje, por bindja e juaj është vendimtare. Ndoshta në kemi jetuar në iluzione, por e kemi dashur këtë tokë me gjithë shpirt. Sot, më duket sikur po ikni lehtë. Toka e vendlindjes është diçka më shumë se që shihet me sy. Më bëhet sikur pjesën më të dashur të vendlindjes nuk po e shihni e as nuk po e lexoni e mësoni sa e si duhet. Kur ta kuptoni, do jetë tepër vonë. Kemi lindur nga kjo tokë, e cila na ka ushqyer edhe në kohë të liga për ne. Ne nuk iu harrojmë për së gjalli, por kjo nuk mjafton.

Po lakmoni makina, po lakmoni jetë plot shkëlqim, ashtu siç po shihni në televizor, por ta dini se realiteti nuk është i tillë, as atje ku po shkoni. Kudo që shkoni, së pari iu duhet strehim dhe bukë. Sado që ëndërroni parajsë diku tjetër, një jetë bëni edhe ju atje, edhe ne këtu. Jeni të ri e të shkolluar dhe gjeni punë. Është mirë që punoni, dhe jetoni mirë, por edhe atje së pari bukë do shtroni në tavolinë. Edhe ne shtrojmë bukë këtu në sofrën tonë. Edhe çdo mbret a mbretëreshë, ha bukë. Me punë mund të bënim gjera tepër të mëdha e të bukura. Toka jonë, me teknologjinë e sotme, mund të na ofrojë ushqim të shëndetshëm me bollëk, si atje ku shkoni. Atje ku shkoni për jetë më të mirë, përditë shihni rrugë të gjera e të gjata, liqej e kanale pa fund. Ato nuk ishin gjithmonë ashtu të gatshme, por i ndërtuan njerëzit, që i shihni aty, prej nga nuk ikën deri në vdekje. Për ndërtimin e atyre kryeveprave që shihni, kanë dhënë jetën shumë punëtorë. Nëpër ato rrugë, ura, kanale, hekurudha e vepra impozante ndërtimore, kanë lënë jetën njerëz nga të katër anët e botës.

Atdheu ynë ka bukuri e pasuri si pak ndonjë vend mbi tokë. Njeriu ishte, është e do të mbetet faktori i parë i ekzistencës së një populli. Dhe vetëm duke punuar këtu jemi vetvetja. Jemi vendas, autokton. Jashtë humbët identiteti, sado që e gënjeni vetën me kopalla ditore.

Kam parë me sy se, duke punuar në vendlindje, mund ta ndërtojmë një atdhe, në të cilin mund të jetohet gjatë dhe me nder. Do iu bjer ndërmend dikur, por drojë se do të jetë vonë për hapa që do mund të bënit sot.

Në vendlindje mund të ecni edhe symbyllas, pa frikë, edhe natën nëpër terr. Atdheu bëhet duke punuar këtu natë e ditë. Vlera e tokës matet me punën që bëjmë vetë. Nuk ka tokë të ligë. Punëtor i mirë është atdhetar i mirë, të cilin e do edhe toka. Aq sa doni këtë tokë, aq iu do ajo. Toka e juaj nuk flet, por mban mend mirë.

The post Të mësojmë nga mali appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more