Skip to main content

“Hajgaret pa krip të Ramës në Kosovë!” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Hajgaret pa krip të Ramës në Kosovë!” plus 2 more Telegrafi Opinione


Hajgaret pa krip të Ramës në Kosovë!

Posted: 30 Nov 2018 01:42 AM PST

Të dielën, vende-vende shiu ra me gjyma! Qielli i përzhitur mërzie të ndillte për mos me e qitë kryet në dritare. Pisk do e kenë pasur edhe barinjtë anembanë atyre rrëpirave, ku tushti e era të prekin palcën. Një ditë e denjë për paqe e prehje ku edhe hasmi lihet në punën e tij. Në të drejtë të Zotit, fare mirë mund të pushonte e qetohej ndanë zjarrit edhe ekipi qeveritar!

Mund ta kalonin atë të lume kohë duke pjekur e nxjerrë gështenja me duart e veta, duke fjetur si maçokër mbi postiqe plot shend e gërhimë, duke numëruar të mirat që i kanë bërë vatanit e sidomos ato që do t'i bëjnë mot, e mbi të gjitha, duke medituar mbi madhështinë e liderit pa të cilin do të ishin pakogjë! Qerratenjtë! Por jo, ashtu nuk ndodhi! Të murrëtyer, pa qejf, çehreprishur e hipur mbi një mikrobus, ministrat bënë një ekskursion patriotik në Kosovë. Partia, e cila dikur quante vëllezër kinezet dhe miq kosovarët, tani ndien nevojën e zulmës kombëtariste!

Edi Rama, i cili shquhej për kozmopolitizmin hokatar e demitizues të asaj rinie plot jehe e qesëndi, tanimë i kthehet diskursit nacionalist sa herë i duhet zhurmë në Tiranë dhe vëmendje në Bruksel. Në Tiranë, për dy kilometra rrugë është dhënë një tender për 40,5 milionë euro. Një turp që s'ka retorikë që mund ta justifikojë. Me qindra shtëpi rrezikojnë të prishen e shumë banorë janë në prag të dëshpërimit. Një police në krye të detyrës humbet një gisht në një skenë rrëqethëse, teksa përballej me fatkeqët, ndërsa një djalosh i pandehur si fajtor ndëshkohet si në Afganistanin e Talebanëve, i thyhet gishti a dora në komisariat nga kolegët e vajzës. Ministri Sandër lleshi ka detyrim ligjor dhe etik të hetojë dhe ndëshkojë "ndëshkuesit" barbarë. Një faj i një individi nuk shpaguhet me fajin më të rëndë e tejet më shqetësues të shtetit. Ai, në një fjalim inaugurues foli për drejtësinë, padrejtësinë dhe nderin. Gjenerali ka rastin ta konkretizojë pleudarinë e tij duke mbrojtur lirinë, nderin, dinjitetin edhe të të fajshmit nëse është i tillë. Kjo është hakmarrje banditësh dhe dënim me vdekje i ligjit. Opozita është në llogoren e protestës dhe jashtë Parlamentit. Nga Brukseli vijnë sinjale qortimesh e hetimesh për shumë afera të kësaj qeverie.

Ndaj duhet potere, rrëmujë, nacionalizëm banal si strehë "fisnikësh". Ballkani si fuçi baruti mbetet ende një realitet në përfytyrimin e politikanëve evropianë. Me deklaratat e veta Edi Rama do t'i pickojë e kërcënojë pikërisht me këtë fuçi, të cilën mendon se ka forcë ta torolakë, me fjalët e veta rreke. Pasi e sheh vetën dominues në skenën e teatrit të brendshëm, Edi Rama vuan të krahasuarit me Sali Berishën te shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Nuk i kanë hije, i ka pa sharmë dhe luk, tingëllon si sforcim i rreshkur nga halli ky vokacion i ri i tij. Me paraardhësin kjo mbetet një betejë e humbur, sado t'ia zatesë Haradinajt duart mbi shkabën kuqezi.

I dhënë me mish e me shpirt pas formës dhe dekorit, shpiku mbledhjet e përbashkëta, produkti i të cilave është pesë me hiç. Veç nëse konsiderohet sukses; taksa e majme mbi "rrugën që nuk të çon asgjëkundi", siç e thërriste Edi Rama "rrugën e kombit" kur ajo ndërtohej. Tavolina me flamuj të lidhur në një, simbolika të përndezura, duart në formë shqiponje si manekinë, me gjeste stadiumi, firma e poza pranë etërve të Lidhjes së Prizrenit janë shenjat e një epoke folklorike si një bjerrje kohe e tallje cinike me shqiptaret, që po ikin si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, prej korrupsionit, varfërisë, krimit dhe sundimit tribal. Asgjë të madhe përveç ndonjë gabimi nuk mund të bëjnë liderët e Shqipërisë dhe Kosovës për çështjen kombëtare! Edhe atë e bëjnë për llogari personale e jo në mirëbesim apo në kontekst atdhetar. Fatmirësisht, janë të vegjël për t'i konkretizuar gabimet e tyre se turiten me një telefon nga larg dhe bishti iu ngjitet për shalë.

Një fotografi poshtë monumentit të Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sulejman Vokshit e shpjegonte më së miri metamorfozën e botes shqiptare ç'ka qenë, ç'është dhe çfarë rrezikon të bëhet. Sulejman Vokshi u vra, Abdyli dhe Ymeri u syrgjynosën e burgosën, ndërsa ata që pozuan poshtë tyre mund të kenë fatin e dy të fundit jo për merita ndaj atdheut, por për abuzimet e mëdha ndaj tij. Cilësia e hajgareve të Edi Rames po bie përditë e më shumë. Atyre u mungon kripa. Ballafaqimi me një person dinjitoz si Tomorr Alizoti në TV ia vuri në pah këtë tkurrje dhe zvetënim të të menduarit. Sa shëmtueshëm u duk i pari i vendit tek mbllaçiste fyerje banale me referencë filmat e kinostudios komuniste.

Hajgaret dhe pikëniqet patriotike me ndezullinë e tyre të kujtojnë Hilë Mosin, i cili pasi u lodh së takuari në zyrë një sërë "patriotësh të ndezur", i thotë sekretarit të tij Gaqo: "Aman, bëji shurrën ministrisë se mos na digjet nga flakët e patriotizmit!"

The post Hajgaret pa krip të Ramës në Kosovë! appeared first on Telegrafi.

Lajmet e rrejshme ndër shqiptarë, burojnë nga institucionet e shtetit

Posted: 30 Nov 2018 01:18 AM PST

Carlo Bollino

A është me të vërtetë faji vetëm i gazetarëve nëse niveli i informacionit shqiptar ka rënë kaq poshtë? Ndonëse, si kategori, duhet të bëjnë një autokritikë të thellë për mungesën e saktësisë, militantizmi, puna sipërfaqësore, mungesa e njohurive dhe kulturës dhe pasioni i pakët me të cilin shpesh punojnë gazetarët, duhet pohuar me të njëjtën forcë se institucionet publike nuk janë më pak fajtore në degradimin e informacionit.

Gazetarë seriozë ka, por shpesh nuk janë të tillë përfaqësuesit e shtetit. Është shumë e rëndë të zbulosh që prokurorë, policë dhe politikanë gënjejnë me ndërgjegje kur flasin me gazetarët. Dhe këtë herë nuk e kemi fjalën për gënjeshtrat që thonë në konferenca shtypi, në Parlament apo në mediat sociale, por për ato gënjeshtra të paverifikueshme që thonë kur të thërrasin privatisht dhe të japin "lajme" në mënyrë konfidenciale. "Po ta them, por ti mos më përmend mua", të thonë. Kështu, gazetari publikon lajmin e rremë duke i zënë besë burimit dhe duke e mbrojtur si të ardhur nga "burime".

Shumë nga fake news-et në Shqipëri lindin pikërisht në këtë mënyrë: nga përfaqësues të institucioneve që mashtrojnë gazetarët.

Në botën perëndimore gazetarët mbrohen nga fake news-et duke i verifikuar ato tek institucionet. Po si t'ia bëjnë gazetarët shqiptarë, kur janë vetë përfaqësuesit e institucioneve ata, që përhapin fake news?

Metoda e vetme është të prishet pakti i anonimatit: kur një burim institucional apo politik që ka kërkuar anonimatin gënjen, gazetari ka të drejtën ta denoncojë publikisht, duke i nxjerrë emrin dhe mbiemrin. Një prokuror që i jep lajm të rremë një gazetari është një mashtrues, që nuk meriton asnjë mbrojtje. Dhe, kush e di, pasi është denoncuar publikisht, ndoshta zbulohet edhe se në interes të kujt (apo për të përfituar çfarë) ai ka vendosur të gënjejë. /Shqiptarja/

The post Lajmet e rrejshme ndër shqiptarë, burojnë nga institucionet e shtetit appeared first on Telegrafi.

Dy duar për një shqiponjë

Posted: 30 Nov 2018 01:09 AM PST

Një plak shekullor nga Mirdita, pak vite më parë shfrytëzoi një ceremoni familjare dhe mori flamurin kombëtar, e vuri te porta e gurtë e kullës së tij dhe e puthi në sy të pasardhësve, bij e bija, nipa e mbesa, stërnipa e stërmbesa, pa thënë asnjë fjalë. Ai iku pas një viti, por mbeti ajo fotografi e tij si një amanet.

Sa e sa gjeste të tilla të veçanta ka patur e ka përgjatë gjithë historisë sonë. Secili dëshiron të bëjë diçka të veten për shqiponjën. Marrëdhënia e njeriut më flamurin e kombit të vet është sa intime, aq dhe komunitare e publike. Performimi me flamurin kombëtar është kthyer në një ritual mbarëpopullor vitet e fundit, në krejt hapësirën shqiptare dhe në diasporë. I vetmi që nuk urdhërohet nga politika, e cila sheh interesat e saj partiakë, edhe pse përbetohet gjithë ditën për të mirën e popullit.

Ka vite që vendosja e flamurëve nëpër ballkone është kthyer në një traditë të bukur, pavarësisht nëse e kërkon apo jo këtë gjë kryebashkiaku i Tiranës apo zyrtarët të tjerë të shtetit. I keni parë këto ditë fëmijët e kopshteve gjithandej? Janë veshur me bluza kuqezi, pa folur pastaj për më të mëdhenj se ata, nxënësit e shkollave, sportdashësit nëpër arenat e futbollit, artistët në koncertet jashtë vendit etj. Ndoshta ti i harron fotografitë e udhëheqësve të sotëm duke puthur flamurin në ceremonitë e betimit, por jo ato të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Abdyl Frashërit, Luigj Gurakuqit, Dom Nikollë Kaçorrit, Faik Konicës, Dedë Gjo Lulit, Shotë Galicës, Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Prengë Calit me flamurin dhe për flamurin kombëtar.

Marrëdhënia me flamurin kuqezi është përcaktuese për një shqiptar. Dhe nëse ka pasur shembuj të lartë qëndrese e vetëmohimi nën hijen e flamurit, herët e vonë, për fat të keq ka patur dhe të atillë që nuk kanë mundur të qëndrojnë gjithherë në lartësinë e flamurit, thënë ndryshe kanë gabuar me atdheun, pa folur për tradhtinë. Por, nëse kjo është një analizë e historisë, puna është që cilido sot duhet ta mbajë vëth në vesh të mos "gabojë" me flamurin, për të folur hapur, të mos ia ketë me hile vendit duke u pasuruar për vete me paratë publike përmes tenderave etj.

Në këtë kuptim shqiponja nuk është vetëm simbolikë, por përgjegjësi qytetare. Ama jo gjithnjë me shqiponjën sillemi me "delikatesën" e duhur që i shkon përshtat një zonjë të rëndë, më të madhes zonjë të simbolikës sonë kombëtare. Rasti është i freskët dhe disi flagrant. "Shqiponja" te rrethrrotullimi i Laprakës u hoq me shamatë politike e mediatike, siç është bërë zakon për çdo gjë që ngrihet e hiqet në këtë vend, a thua se kishte qenë një shpend i gjallë që kishte lënë shkrepat e maleve dhe kishte ardhur e ishte ulur me forcë, pa leje në atë piedestal të Tiranës.

Çfarë nuk u tha për të, pro dhe kundra saj. Foli dhe vetë Kryeministri, duke e quajtur si një vepër jo artistike etj. Sigurisht që nuk ishte një vepër e mirëfilltë artistike, ama mund të hiqej më me dinjitet, meqë ajo ishte simboli i flamurit tonë kombëtar dhe ishte vënë aty në një mot të shënuar, në 100-vjetorin e Pavarësisë. Tekefundit, "Shqiponja" e bëri emrin e saj dhe në aq pak vite sa rroi aty në kryqëzim, përderisa njerëzit filluan të mos thoshin më "te Dogana", "tek Unaza e Re", por "te Shqiponja". "Shqiponja" hyri në ligjërimin urban të kryeqytetit dhe ka gjasë që ky "stacion" të vazhdojë të thirret kështu dhe tani që "Shqiponja" nuk është më aty. Ajo që mund të thuhet me këtë rast është se nuk kanë vlerë debatet nëse duhej hequr apo duhej lënë "Shqiponja" aty ku ishte, por kur do të mësohemi që veprat që kanë të bëjnë me trashëgiminë dhe simbolikën kombëtare t'i vendosim në marrëveshje me njëri-tjetrin, pasi kështu nuk do të kemi nevojë t'i heqim më ato. Zakonisht këto janë punë elitash të një vendi, të cilat për vetë natyrën e tyre janë me themel dhe jo të njerëzve të politikës që këndej nga ne të gjitha gjerat mendojnë se i kanë në tapinë e tyre dhe po nuk u shprehën ata, piedestalet nuk vlejnë, mbetën bosh.

Është Viti i Skënderbeut dhe doemos që shqiponja jonë ka pasur shkëlqim më shumë se kurrë. Vetëm pak ditë më parë Papa Françesku do t'iu drejtohej shqiptarëve që kishin shkuar ta vizitonin në Selinë e Shenjtë në Romë: "Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfondin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t'i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t'i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë".

Se ç'vlerë ka fituar shqiponja e tregon fakti që atë tashmë e bëjnë të gjithë, i madh e i vogël, pa pasur asgjë më shumë se dy duart e tyre të ndërthurura në atë mënyrë që të krijojnë imazhin e saj. Dy duar për një shqiponjë janë të mjaftueshme për të krijuar simbolin unik shqiptar, që i ka tejkaluar dhe vetë shqiptarët. Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka pozuar më se njëherë me shqiponjën, duke bërë shenjën e saj, edhe së fundi kur u rizgjodh në Kongresin Amerikan. Po ashtu personalitete të tjera të larta të politikës europiane, të artit, kulturës, sportit, botës akademike etj. Shqiponja askund nuk është më shqiptare se sa ndër shqiptarë, edhe pse ajo është simbol i shumë popujve të botës qysh herët.

E bukura është se nuk dihet se kush qe i pari që i kryqëzoi ashtu duart mbi gjoks, duke krijuar shenjën e shqiponjës që "fluturoi" pastaj kudo si me magji. Gjërat e çmuara të një kombi me gjasë kështu lindin, me një autorësi kolektive, si epet e lashta, nga njëra gojë në tjetrën, nga njëra dorë në tjetrën…

Shqiponja dyduarshe merr më shumë kuptim sot në ditën e 28 Nëntorit si një homazh ndaj dëshmorëve të Atdheut dhe himn i përjetshëm ndaj lirisë.

The post Dy duar për një shqiponjë appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more