Skip to main content

“Drafti, ja gjobat e reja për biznesin” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

“Drafti, ja gjobat e reja për biznesin” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Drafti, ja gjobat e reja për biznesin

Posted: 20 Sep 2016 06:38 AM PDT

Pas vendimit të Gjyka- tës Kushtetuese, e cila shfuqizoi gjobat marramendëse ndaj biznesit, Ministria e Financave ka hartuar një nivel më të ulët edhe se penalitetet e mëparshme, në ndryshimet e fundit të ligjit të procedurave tatimore, i cili pas diskutimeve të shumta me bizneset ka marrë variantin përfundimtar. P.sh., moslëshimi i kuponit tashmë ka gjobë 50 mijë lekë (kujtojmë se me supergjobat kjo masë u vu 500 mijë lekë) dhe në rast përsëritje aktiviteti, bllokohet për 30 ditë dhe në rast përsëritje të vazhdueshme, konsiderohet evazion tatimor. Për mosdeklarimin e punonjësve, biznesi i vogël merr gjobë 50 mijë lekë dhe i madhi 200 mijë lekë (për biznesin e madh gjoba më parë ishte 500 mijë lekë). Masat janë zbutur edhe në rastet kur kapet malli i pashoqëruar me faturë tatimore, ku nuk parashikohet bllokim malli, por biznesi i vogël kalon si tatimpagues i TVSH-së, ndërsa biznesit të madh i bëhet rivlerësim, ndërsa në të dy rastet gjoba është sa 100% e tatimit të deklaruar, përveç tatimit dhe kama-tëvonesave. Revista “Monitor” ka zbardhur masat ndëshkuese sipas ndryshimeve në ligjin e procedurave, ndërsa janë të përmbledhura në tabelën në fund.
MASAT E GJOBAVE
Mosdeklarimi në afat i deklaratës tatimore
“Tatimpaguesi, i cili nuk dorëzon në afatin e përcaktuar sipas ligjit përkatës, deklaratën tatimore, për të cilën detyrohet sipas ligjit të deklarojë, dënohet me gjobë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar në afat, si më poshtë: 10 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin; 5 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë”
Mospagimi në afat i kësteve të tatimfitimit
Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, dënohet me gjobë në masën 10% të shumës së këstit për t’u paguar
“Mosdeklarimi i punonjësve dhe fshehja e pagës”
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar:
a) tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, me gjobë prej 200 000 (dyqind mijë) lekë;
b) tatimpaguesit e tjerë, me gjobë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Në këtë rast, pas konstatimit, tatimpaguesit përkatës i lihet kohë deri në 5 ditë kalendarike që të vërtetojë pranë organit tatimor se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes ose që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin sipas kuptimit në Kodin Civil.

Gazetari akuza ndaj mjekes, Dokle: Nuk shantazhohem aspak

Posted: 20 Sep 2016 06:37 AM PDT

Gazetari Mentor Kikia akuzoi për mitmarrje mjeken Anika Dokle. Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, Kikia, duke marrë shkas nga ngjarja e ndodhur në maternitetin “Koço Glozhen”‘, ku humbi jetën nëna shtatzënë dhe fëmija e saj, tregon një eksperiencë të të afërmit të tij. Gazetari shkruan se miku i tij i kishte dhënë mjekes 200 mijë lekë për operacionin e nënës së tij. “Tani ne e dimë se të gjithë bëjnë kështu. Por të paktën ju që fusni duart në xhepat e atyre, që edhe vdesin aty, mos bëni moral”, shkruan Kikia. Ndërsa, vetë mjekja, me anë të një statusi në “Facebook”, i cilësoi akuzat e gazetarit, si shpifje të bëra nga njerëz pa identitet. “Linçimin virtual nga njerëz pa identitet e shpërfill. “Baltës” me emër dhe mbiemër do t’i jap përgjigje atje ku duhet. Nuk shantazhohem aspak! Gjobëvënia nuk është zanati im!”, shkruan Anika Dokle.

Vdekja e gruas, prokuroria: 45 ditë burg për dy mjekët

Posted: 20 Sep 2016 06:36 AM PDT

Sonila Musaj
Pas vdekjes së 35-vjeçares Aida Çajka dhe fëmijës që ajo që priste të lindte, Prokuroria e Tiranës po verifikon edhe në dy spitalet e tjera ku u transportua e ndjera Aida Çajka. Përveç hetimeve që po kryhen në spitalin “Koço Gliozheni”, organi i akuzës po heton edhe në QSUT dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”. Mësohet se grupi hetimor ka marrë në pyetje mjekë të spitalit “Nënë Tereza” dhe të spitalit “Shefqet Ndroqi” për të zbardhur shkakun e vdekjes së 35-vjeçares. Bëhet e ditur se mjeku kardiolog i spitalit “Nënë Tereza” ka rrëfyer se 35-vjeçarja merrte frymë me vështirësi, dhe pas një konstatimi të tillë dhe një konsulte urgjente ata dyshuan se kishte probleme me organet e frymëmarrjes, ndaj edhe e përcollën për në Sanatorium. Ndërsa mjekët pneumologë janë mbrojtur duke shpjeguar se Aida Çajka kishte gjakderdhje dhe ishte e pamundur të ndërhynin për ta trajtuar. Ndërsa sipas burimeve mësohet se, edhe pse Aida Çajka ka kryer një vizitë në spitalin “Nënë Tereza”, nuk rezulton që ajo të jetë regjistruar. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se edhe dy mjekë të tjerë janë nën hetim. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka çuar në gjykatë dosjen, ku kërkon dënimin me 45 ditë burg për dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” lidhur me vdekjen e 35-vjeçares dhe foshnjës së saj. Pritet që gjatë ditës së sotme Gjykata e Tiranës të vendosë në lidhje me masat e sigurisë. Mjekët primarë në këtë maternitet, Dritan Deçka dhe Helidon Klosi, u ndaluan mbrëmjen e së shtunës, pasi nga hetimet u konstatua neglizhencë dhe mjekim i pakujdesshëm i gruas shtatzënë. Mjekët në maternitetin “Koço Gliozheni” nuk kanë mundur të kuptojnë diagnozën e 35-vjeçares dhe e kanë orientuar drejt shërbimit të Urgjencës për probleme kardiake. Diagnoza “Hemorragji masive në pjesën e shpretkës” është vënë me shumë vonesë, pas disa orë sorollatjesh të gruas shtatzënë. 35-vjeçarja Aida Çajka ndërroi jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” pas 6 orë sorollatjesh nga një spital në tjetrin. Të dhënat e mbledhura nga grupi hetimor faktojnë se nëna shtatzënë është paraqitur të enjten në orën 22:30 në Urgjencën e maternitetit “Koço Gliozheni”, në gjendje të rënduar. Por pavarësisht kësaj situate, dy mjekët Klosi dhe Deçka pas konsultimit mes tyre nuk e kanë shtruar 35-vjeçaren, por e kanë nisur në drejtim të Qendrës Spitalore Universitare, e më pas në Sanatorium. Disa orë më pas Aida Çajka është rikthyer në maternitet, por këtë herë shumë vonë, pasi bebja nuk jetonte më dhe ajo ka ndërruar jetë pak minuta më pas. Mjekët u denoncuan nga familjarët e viktimës, të cilët thanë se veç sorollatjeve, e gjetën Urgjencën e maternitetit mbyllur, pati vonesë me 2 orë të kirurgut për të bërë ndërhyrjen dhe vonesa të tjera, për shkak të mungesës së një barele dhe të oksigjenit. Aida Çajka, nënë e dy fëmijëve të tjerë, humbi jetën në muajin e nëntë të shtatzënisë teksa priste të sillte në jetë një vajzë. Sakaq, pas vdekjes së 35-vjeçares dhe foshnjës që do të lindte, ministri i Shëndetësisë. Ilir Beqaj mori në mbrojtje ekipin mjekësor të akuzuar për neglizhencë. Në vend që të priste që hetimet të zbardhnin këtë ngjarje, Beqaj deklaroi se “ndaj gruas janë kryer të gjitha shërbimet e duhura mjekësore dhe është konkluduar se vdekja ka ardhur si rezultat i dëmtimit të shpretkës, një rast i rrallë ky”.

Vdekja e të paraburgosurit nga Lushnja në QSUT, familjarët akuzojnë forcat e Rendit

Posted: 20 Sep 2016 06:35 AM PDT

Pas vdekjes në QSUT të një paraburgosuri nga Lushnja, familjarët hedhin akuza ndaj forcave të Rendit. Sipas vëllezërve të Fadil Hoxhës, i ndjeri nuk ishte hajdut, ndërsa akuzojnë Policinë Bashkiake e atë të Rendit për dhunë psikologjike. Nga ana tjetër, nipi i 53-vjeçarit theksoi se “pashë policin e komisariati të Divjakës që i ulërinte xhaxhait”. Familjarët e Hoxhës bënë me dije se do të bëjnë kallëzim penal ndal policisë. Kjo e fundit mohoi akuzat e familjarëve, ndërsa tha se për të ndaluarin Hoxha u ndoqën të gjitha procedurat sipas standardeve. Familjarët fajësojnë policinë për vdekjen, pasi sipas tyre, Hoxha ishte i sëmurë nga zemra e tensioni dhe merrte tri herë në ditë ilaçe, ndërsa në momentin e shoqërimit nuk janë lejuar që t’ia japin në ambientet e paraburgimit. Sipas policisë, Fadil Hoxhës i janë dhënë mjekimet, ndërsa i është dhënë dhe ndihma në spitalin e Lushnjës. Ndërkaq, pas vdekjes së 53-vjeçarit, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani ka deklaruar se policia e ka detyrim dhënien e ndihmës mjekësore për të ndaluarit. Sipas Breçanit, çdo drejtori policie dhe disa komisariate kanë në strukturën e tyre një mjek dhe ndihmësmjek, i cili viziton personat e shoqëruar dhe të ndaluar dhe shërbimi shëndetësor është falas. Në rast se mjeku i policisë refuzohet, i shoqëruari mund të marrë një mjek tjetër kundrejt pagesës. Nëse personi i shoqëruar refuzon të bëjë vizitë mjekësore, ai duhet të nënshkruajë për këtë vendim. Breçani deklaron se, në rast se një person i shoqëruar apo i ndaluar vdes gjatë periudhës së paraburgimit, përveç organeve policore njoftohet edhe prokuroria e rrethit, të cilave u vihen në dispozicion të gjitha dokumentet e personelit të shërbimit dhe atij mjekësor që janë marrë me personin që ka humbur jetën. Fadil Hoxha ndërroi jetë në QSUT si pasojë e problemeve me zemrën. Ai ishte shoqëruar nga policia në Lushnjë pas denoncimit nga një pronar toke, pasi akuzohej se kishte vjedhur disa ullinj. S.Musaj

Mjekët e maternitetit protestojnë: Jo arrestim pa u provuar fajësia

Posted: 20 Sep 2016 06:35 AM PDT

Ermelinda Hoxhaj
Për 30 minuta mjekët obstetër-gjinekologë në gjithë vendin kanë protestuar në heshtje për të kundërshtuar arrestimin e dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, Helidon Klosi dhe Dritan Deçka. Dy mjekët janë arrestuar me akuzën “Mjekim i pakujdesshëm”, që çoi në vdekjen e Aida Cajkës, 35-vjeçare shtatzënë, dhe foshnjës që priste të lindte. Sipas stafit mjekësor të maternitetit të ri, ndalimi i dy kolegëve të tyre obstetër-gjinekologë është veprim i nxituar, pasi ata kanë respektuar protokollet. “Secili nga ne mjekët e këtij institucioni do të kishim bërë të njëjtën gjë siç kanë bërë kolegët tanë aktualisht të ndaluar. Kjo pasi siç rezulton, patologjia që u mori jetën të sëmurës dhe foshnjës nuk kishte të bënte me shkaqe për të cilat ne mjekët obstetër-gjinekologë jemi kompetentë. Nuk mund të mbahej këtu në maternitet; kishte nevojë për diagnozë të specializuar, ne nuk kemi ekspertë për eko abdominale”, kanë thënë mjekët gjatë protestës.
Mjekët & protesta
Rezart Ajazi, përfaqësues i mjekëve protestues të maternitetit të ri “Koço Gliozheni”, lexoi edhe një deklaratë për mediat me një apel: Mjekët të mos trajtohen si kriminelë! Ai ka siguruar të gjithë opinionin publik se dy mjekët e ndaluar ia kanë kryer të gjitha ekzaminimet e duhura gruas, por patologjia që i ka marrë jetën asaj dhe foshnjës ishte shumë e rëndë. Sipas tij, patologjia pati lidhje me çarjen e shpretkës. Ata kanë kërkuar nga drejtësia që të jetë objektive. “Ne shprehim indinjatën dhe mosaprovimin për ndalimin e dy kolegëve tanë. Edhe pse drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e saj, duam të sqarojmë se vizita mjekësore është kryer në kohë të përshtatshme. Mjekët i kanë marrë analizat nënës, të cilat nuk pasur lidhje me shtatzëninë. Konfuzioni bëri që mjekët ta transferojnë në QSUT për diagnozën. Transferimi sipas protokollit, me mjekë dhe ambulancë. Ne mjekët do të kishim të njëjtën gjë sipas protokolleve si kolegët e ndaluar. Patologjia që u mori jetën nuk kishte të bënte me shkaqet, ishte mjaft e rrallë. Mendohet se ka një çarje të enës së gjakut që furnizon shpretkën. Për të gjitha këto arsye, kërkojmë që drejtësia të jetë objektive. Mjekët nuk duhet të trajtohen si kriminelë”, – tha mjeku obstetër-gjinekolog Ajazi.

Cana përfundon në radarët e Peskarës

Posted: 20 Sep 2016 06:34 AM PDT

Jeton Selimi
Lorik Cana nuk ka vendosur ende se kur dhe ku do ta vazhdojë karrierën e tij futbollistike pas pushimit të gjatë që ai ka filluar që nga mbyllja e “Euro 2016”. Por ish-kapitenit të përfaqësueses shqiptare nuk i mungojnë ofertat edhe nga klube me emër, të cilat luajnë në kampionate të forta. Sipas mediave italiane, ndonëse lojtari ka disa muaj larg fushave të blerta, për të ka filluar të interesohet konkretisht një skuadër e Serisë A, në të cilën ai mund të gjejë disa bashkëkombës të tij. Bëhet fjalë për Peskarën, klub i cili ka probleme në prapavijë për shkak dëmtimesh të ndryshme, e si rrjedhojë i duhen sa më parë përforcime për të përballuar këtë sezon, pa pritur merkaton e janarit. Për këtë arsye, po vëzhgohet me interes tregu i lojtarëve me parametër zero. Klubit i janë ofruar disa lojtarë nga menaxherë të ndryshëm, mes të cilëve Diakite dhe Sol Bamba. Por drejtuesit i tërheq ideja që të afrojnë Canën, një lojtar me shumë eksperiencë, të cilit mund t’i ofrohet mundësia për një eksperiencë të fundit në futbollin e rëndësishëm.
Zërat për mbrojtësin shqiptar dhe interesimin e Peskarës u përhapën që në fillimin e këtij muaji. Por fakti që ato janë kthyer në ditën e fundit, mund të jetë një sinjal se diçka po lëviz drejt një marrëveshjeje të mundshme. Informacionet për Canën te Peskara nuk mungojnë, pasi në radhët e kësaj skuadre ka disa shqiptarë, duke filluar nga kapiteni Ledian Memushaj, për të vazhduar me Rei Manajn e të riun Leonardo Maloku.
Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Cana, i cili gjatë javëve të kaluara ka refuzuar disa oferta nga klube franceze apo zvicerane. Ai ka lënë të kuptohet se dëshiron të kthehet përsëri në futbollin e luajtur, por mendohet se do të zgjedhë ta mbyllë karrierën në një prej kampionateve aziatike apo në SHBA

Lenjani në hall, zbut gjithçka me një postim

Posted: 20 Sep 2016 06:33 AM PDT

Ermir Lenjani, lojtari i linjës së majtë te Rena dhe Kombëtarja shqiptare, ka mbetur pjesë e kampionatit francez ku vjet ai luajti si i huazuar te Nanta. Emri i tij gjatë verës u lakua në disa ekipe, por Lenjani do të mbetet pjesë e Rene, dhe premton me anë të një statusi të bërë në faqen e tij zyrtare në “Facebook” se do të japë maksimumin për klubin dhe tifozët. “Javët e fundit është shkruar shumë për mua dhe reagimet më kanë prekur. Unë ndihem mirë te Rene, ku dua të jap më të mirën. Dua të vijoj rrugën në Bretanjë, ku fillimi nuk ishte i lehtë, pasi pata dhe atë dëmtim që më mbajti jashtë fushe për ca kohë. Mundësitë për t’u aktivizuar te Rene në fillim ishin të komplikuara, ndërsa mundësia për të qëndruar në League 1 m’u dha nga Nantes, kështu që pata mundësinë për të luajtur, për të përjetuar eksperiencën e Evropianit dhe të isha gati për kthimin në Bretanjë. Tani unë ndihem më mirë fizikisht dhe dua të jap më të mirën për klubin dhe fansat”. Gjithçka ndodhi pasi mbrojtësi gjeti makinën e tij të tipit “Porche” të gërvishtur, ndërsa lojtari kërkoi të vendosë pikat mbi “i”.

Derbi Partizani-Tirana luhet të dielën në Elbasan

Posted: 20 Sep 2016 06:33 AM PDT

Ka nisur java e derbit. Partizani dhe Tirana do të përplasin brirët për herë të parë këtë sezon për një tjetër akt të rivalitetit të përjetshëm. Derbi vjen në momentin e duhur dhe motivet e optimizmit në të dyja kampet nuk mungojnë. Të dyja skuadrat u kanë dhënë tifozëve mesazhin e duhur para derbit. Te Partizani ndaj Teutës kanë thyer më në fund agjërimin para portës, duke shënuar dy herë. Pas dy muajsh më në fund Ekuban është zhbllokuar, një detaj i rëndësishëm ky për Sormanin dhe mbi të gjitha duartrokitjet e tifozërisë në përfundim të ndeshjes në “Niko Dovana” konfirmojnë edhe rikthimin e klimës së duhur në radhët e fansave të kuq në momentin e duhur para asaj që për ta është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Për Tiranën derbi është kthyer në një çështje. Bardheblutë nuk fitojnë prej 9 ndeshjesh. Tiranës i mungon ende fitorja e parë sezonale në kampionat, por ndeshja me Kukësin ishte një tregues i qartë se forca e bardhebluve është në rritje. Tirana rikuperoi dy herë disavantazhin duke e dominuar ndeshjen për disa segmente të lojës dhe tifozët kanë arsye që të besojnë se kjo mund të jetë hera e duhur. Debutimi i dy mesfushorëve kongolezë Ndoki dhe Nkunku dha sinjalet e duhura për një lojë në rritje dhe morali në kampin e Ilir Dajës është ai i duhuri. Ndërkohë, takimet e tjera të javës së katërt do të luhen ditën e shtunë. Dy ndeshjet e para të së shtunës janë Laçi-Kukësi dhe Korabi-Vllaznia, të cilat luhen prej orës 14:00. Dy të tjerat, Flamurtari-Teuta dhe Skënderbeu-Luftëtari, luhen prej orës 17:00 në stadiumet përkatëse të ekipeve pritëse.

Dadaistët në Tiranë, një lojë shah me Leninin pas 100 vjetësh

Posted: 20 Sep 2016 06:32 AM PDT

Fatmira Nikolli
100 vjet më parë në “Cabaret Voltaire”, Vladimir Lenin do të fiksohej në një fotografi tashmë historike me Tristan Tzara, themelues i dadaizmit duke luajtur shah. Rrugët e tyre do të ndaheshin më pas; njëri për të udhëhequr revolucionin rus e tjetri, revolucionin kulturor. 100 vjet më pas, ata ritakohen në një lojë shahu, këtë herë kilometra larg Zyrihut e “Cabaret Voiltare”. Pas Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ende rri në këmbë i gjymtuar Lenini, do të përkujtohet Tzara në kuadër të një shekulli të dadaiizmit.
DaDAEAST / DaDADaY -Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë është një festival i llojit nomadik, që lëviz nga një vend në tjetrin. Tipike e kësaj paraqitje është një festival në lëvizje, që ka lidhje me kryeqendrat. Në çdo qytet të vogël që është zhvilluar siç është Këlni apo Mantova nuk ka pasur shkëlqimin që ka pasur në kryeqytete, ndaj kemi vendosur që edhe Tirana t’i ngjajë kryeqyteteve ku është zhvilluar. Kur Arian Leka thotë këto fjalë, po vihen pikat e fundit mbi i të programit të aktivitetit që mbahet në datat 26-30 shtator në Tiranë.
Leka, drejtues i Poetekës dhe i këtij festivali, thotë se do ketë dy repriza të premierave botërore, që kanë ndodhur në “Kabare Voltaire”- vendi ku është themeluar dadaizmi 100 vjet më parë. “Në shkurt dhe në prill të këtij vitit, janë bërë dy performanca për herë të parë në ‘Kabare Voltaire’ dhe përsëriten të dyja në Tiranë: njëra nga Demosteni Agrafiotis dhe e dyta është e peshkopit ortodoks Metodij Zlatanov”.
SIMBOLIKA/ VENDE
KOHËSH TË TRISHTA
Në vende të kujtesës komuniste, si ideologji që ndaloi rrymën dadaiste, të huaj e shqiptarë përkujtojnë atë që nuk erdhi kurrë në Shqipëri përmes vargjesh.
Të gjitha veprimtaritë që mbahen në kuadër të festivalit, kanë para ose pas, pjesëzën dada: “dadawalk”, “dada clock”, “mamadada”- fjala dada vihet që të godasë sepse poezia e parë që është krijuar ruan këtë ritëm: da da da. Ne kemi dashur ta riprodhojmë edhe pas 100 vjetësh këtë, thotë Arian Leka. Ceremonia e hapjes bëhet tek “Reja” që është stacioni i përnatshëm i veprimtarive Dada.
Ai tregon se veprimtaria fillon me “Dadawalk”, që është udhëtim nëpër Tiranë. Nis në sheshin “Bukuresht” si një guidë kulturore nën emërtimin “Përballë fasadave”. “Pse Burkureshti? Sepse është pika më e afërt prej vendit ku u vu bomba në Ambasadën Sovjetike. Ishte aty që filloi terrori kundër mendimit të lirë intelektual në Shqipëri. Nuk është më çështja vetëm te fakti që u vranë 22 njerëz, çështja është që prej këtyre vrasjeve, mijëra të tjerë u strukën. Shpjegohet ky kontekst, i cili tregon se u struk mendimi intelektual, u strukën edhe të gjitha rrymat”.
Leka kujton se më 1948 ishte bërë Kongresi i Tretë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe aty u vendos që të mos ketë asnjë prirje moderniste në letërsinë shqipe. Më 1951, hidhet bomba në ambasadë dhe çdo gjë merr fund, çdo shkëndijë. “Themelohen organet e reja letrare dhe nuk ka më asgjë përveç realizmit socialist. Prej aty ne ecim drejt ish-Radio Tiranës, gjithmonë përballë fasadës. Ky ishte institucioni që lejoi çdo kulturë tjetër të shfaqej përveç modernizmit, i cili nuk mbërriti kurrë në Shqipëri. Prej këtu, rruga na çon tek Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe flitet çfarë ishte ky institucion dhe cili qe produkti i këtij institucioni, që prapë ndaloi dhe pengoi ardhjen e modernizmit në Shqipëri. Ndalesa tjetër është ‘Shtëpia e Gjetheve’, po para fasadës, për të folur për institucionin që përgjoi çdo jetë, gjithnjë të linjës kulturore, të modernizmit”.
DADAbunk mbahet pranë Postbllokut, në hyrje të ish-bllokut. Aty, tek Kolona e Spaçit bëhet aktiviteti “Pinoku në barkun e balenës”. “Pinoku është simboli i njeriut që lëviz nga gënjeshtra tek e drejta derisa kupton vlerat e vërteta humane. Ndërsa brenda këtij ‘barku’ futen tipologjitë e shkrimtarit që kanë lëvizur stilistikisht, moralisht. Tek copëza e murit të Berlinit, që ka formën e shkronjës l, veprimtaria titullohet ‘Liberty’ dhe në një krah është autori gjerman Dorian Steinhoff dhe në tjetrin një autor shqiptar”, thotë organizatori i DaDAEAST/DaDADaY -Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Tiranë.
ARTI SI PUSHTET
Pas Lidhjes, një pikë tjetër me simbolikë, është pranëvënia me dy pushtete: shpirtëror e politik. “Futemi tek shtegu mes Katedrales Ortodokse dhe Partisë Socialiste. Shëtitja aty i shkon kontekstit që arti është një pushtet më vete. Këtu, në një anë kemi pushtetin religjioz, në anën tjetër kemi pushtetin politik dhe arti futet midis si një pushtet më vete. Deri tani, të gjithë numërojnë median si pushteti i katërt, atëherë i bie që arti të jetë pushtet i pestë? Pse është mbyllur me katër?”, pyet Leka, duke shtuar se arti është padyshim një pushtet, mbase i keqpërdorur, kryesisht nga vetë artistët që kanë dashur të përdoren, e kryesisht nga politika.
LENINI PËRBALLË TZARËS, LOJA E FUNDIT
Në kujtesë të lojës së shahut të vitit 1916, 100 vjet më vonë, pas shpinës së Galerisë Kombëtare të Arteve ku është statuja gjigande e Leninit me një dorë do të mbahet performanca “Edhe një shah me Leninin”. Kjo Lidhet me foton e famshme të Tristan Tzarës, i cili themeloi dadaizimin. Tanimë, Leninit i thuhet se nuk luan dot. “Aty do të performojë poeti francez Patrick Dybost me përkthyesin e tij shqiptar. Do luajnë shah- unë lëviz dhe them poezinë time, e ti, lëviz me tekstin tënd”.
Një ndalesë tjetër është Kulla e Sahatit me aktivitetin “Dadaclock”. Leka bën me dije se është lexim në Kullën e Sahatit ku bëhen dy lexime të ‘Sound Poetry’ nga Amerigo Rodriguez dhe Patrick Dybost. Deri tani Kullën e Sahatit, e kemi kthyer në një objekt simbol të qytetit, por ajo ende nuk e ka ndjerë prekjen kulturore. Aty artisti futet dhe lëshon zërin e kulturës dhe zërin e qytetit”.
SIMPOZIUMI
Në numrin e madh të aktiviteteve që mbahen në pesë ditë, do të mbahet edhe “Simpoziumi i artit, artistit dhe avangardave në Shqipëri”. Pra, a duhet më artisti të jetë i tërhequr?, pyet Leka, duke shtuar se ne artikulojmë që gjithë terrenin e ka pushtuar politika, por nuk ka ndodhur asnjë mrekulli, asnjë luftë, asnjë pushtim, thjeshtë janë tërhequr artistët. “Secili është mbyllur në studion e vet, për të perfeksionuar vargun dhe ka hequr dorë nga një dimension që arti e ka pasur, që është dimensioni i ndikimit në shoqëri. Ky nuk është një produkt vetiak, sepse secili që e prodhon do ta nxjerrë në shoqëri për të thënë ‘unë e krijova”.
Në këtë pikë, Leka shton se Shqipëria është shumë mbrapa, qoftë edhe autorët e rajonit janë shumë më përpara në kërkesën për të pasur një ndikim shoqëror, qoftë edhe në përmirësimin e estetikës.
PESHKOPI DADAIST dhe TË FTUARIT
A do të ketë vend për hatërmbetje, nga ata që ndihen të gjykuar se kanë heshtur? Arian Leka thotë se nuk ka vend për fyerje, pasi secili e ka vetëzgjedhur pozicionin e tij, koha kur dikush të diktonte jetën ka ikur. “Sot, askush nuk të detyron të bësh diçka, secili e ka zgjedhur vetë, të jetë i shfaqur a i fshehur, në sulm apo në tërheqje, në baticë apo në zbaticë. As ne vetë, nuk duam të detyrojmë njeri që të bëhet aktiv. Çështja është, të jetosh si në shekullin e 21-të. Nëse do shihnim në rrugë dikë me pajton e me frak, padyshim do thoshim se po xhirohet një film. Arti s’ka pse të jetë i tillë”.
Mbi praninë e performancës së peshkopit dadaist maqedonas, Metodij Zlatanov, Leka thotë se jeton në Shkup dhe është poet që shkruan poezi dadaiste. Ai vëren se dadaizmi u tërhoq shpejt nga skena, lejoi surrealizmin të zhvillohej, sidomos pasi u nda me manifestin e kulturës proletare, “Proletkunst” ku nuk pranoi që arti të jetë proletar.
“Priftërinjtë i kemi parë si dijetarë, e ai është poet, por lëvron një formë të avancuar të poezisë dadaiste. Nuk ka asgjë për t’u habitur. I kemi futur në një grupim ata nuk janë vetëm të tillë, ka edhe të tillë. Ai përbën një përjashtim, jo vetëm për Shqipërinë, as për rajonin, është rast unikal në kontinent”, thotë Leka, duke shtuar se në datën 20 prill ka pasur performancën e tij në Kabare Voltaire. “Do na vijë performuesi i poezisë së tij, për të treguar se kush është ai dhe pse është i tillë, pse ka nevojë të zbutet përmes poezisë.
“Ai i ka kushtuar një psalm kësaj rryme. Nëse ka psalme kushtuar zotit dhe shenjtëve, ai ka shkruar një psalm kushtuar Hugo Ball-it që është në grupin themeltar të grupit dadaist. Fotot e tij, aty ku peshkopët e tjerë mbajnë shën Mërinë, Krishtin apo apostujt ai ka dalë me Hugo Ball. Ka vepra në kolazh dhe nuk i bën për të ulur vlerën e religjionit, por i propozon si religjion alternativ dhe arti ka të shenjtën e vet”.
HISTORIA E NJË FOTOJE
Më 1916 Lenini me të shoqen kanë jetuar në Zyrih, madje një rrugë më tutje nga ku edhe sot është Kabare Voltaire, e njëjta si e 1916-ës, me ato veshje muresh e aredim. “Duke qenë se jetonte pranë Lenini ka qenë një ndër frekuentuesit dhe ka ndjekur mbrëmjet dadaiste, ka dëgjuar poezitë e tyre dhe kur ka pasur kohë, kanë luajtur shah çka dëshmohet përmes fotove me Tristan Tzara. Më pas, këto dy pushtete ndahen, Lenini kthehet në Rusi dhe ndodh revolucioni, Tzara vazhdon punën me Dadaizmin dhe bën revolucionin në art”.

1912, kur Ndre Mjedës i dogjën dorëshkrimet

Posted: 20 Sep 2016 06:32 AM PDT

Dom Nikë Ukgjini
Ndre Mjeda si figurë poliedrike, ka ngjallur një interesim të dukshëm tek studiuesit e rinj për ta njohur veprën dhe jetën e poetit dhe gjuhëtarit të shquar shqiptar, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes sonë kombëtare. Ndërkohë që kemi një interesim të konsiderueshëm në studimet mjedologjike, vërehet edhe një prirje për rileximin e veprës së Mjedës, për shkak edhe sepse ky autor punoi sa për shekullin e vet aq edhe për kohët që vijnë. Një nxitje kanë dhënë në këto kushte edhe qendrat e studimeve albanologjike, katedrat universitare si edhe institucionet pedagogjike e shkencore në tërë hapësirën mbarëshqiptare.
U punua për disa vite për kthimin në identitet të botës ndërtimore të Kishës së Shën Shtjefnit si edhe të banesës, (qelës) të projektuara nga dora e poetit, ku edhe jetoi dhe punoi e shërbeu për 30 vite deri në kalimin e tij në amshim, më 1 gusht 1937.
Mjeda erdhi në famullinë e Kuklit në vitin 1906, nga famullia e Dajçit të Zadrimës dhe puna e tij qe përqendruar në ndërtimin e shtëpisë, ndërtuar në vitin 1906 dhe të një dhome të shndërruar në Kishë, së cilës ia dha formën e duhur, duke e zgjeruar në vitin 1913.
Që të mos e linte të shuhej një fshat me banorë, Mjeda i dha një hov të madh edhe zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë në fshat dhe zonën e Zadrimës në përgjithësi. Ai punoi kështu tridhjetë vjet për ta transformuar Kuklin, për të krijuar modelin e një fshati modern, të një ekonomie të përparuar, e cila pastaj, të shpërndante përmes saj idetë e tij për transformimin e të gjithë vendit.
Kukli, si qendër – pse për nga numri i banoreve gjithnjë ka qenë i vogël dhe i papërfillshëm – njihej nëpërmjet Mjedës edhe nga shumë personalitete ndërkombëtare. Kështu, edhe austriaku Paul Siebertz, në librin e tij, Albanie und Albanofen, dëshmon si dëshmitar okular, se në vitin 1909, Kukli kishte 27 familje, ndërsa Franz Seiner, në statistikat e bëra për popullatën në Shqipëri gjatë viteve 1916-1918, shënon se Kukli dhe Mali i Kuklit, kishte 45 shtëpi, prej të cilave 39 ishin me banim të përhershëm; kishte302 banorë dhe 12 banorë të tij ishin të besimit mysliman. Shënime të ngjashme rreth numrit të banorëve gjejmë edhe te At Lorenc Viezzoli, S.J, në vitin 1923, ku del se Kukli kishte 302 banorë.
Në lidhje me Kuklin, Mjeda kishte edhe momente të hidhura. Në vitin 1912 Mjeda u arrestua nga oficerët osmanë të Ali Fehmi Kosturit, të cilët e mbajtën të mbyllur në qelën e Kuklit, ku iu dogjën edhe dorëshkrimet e shumta të punës së tij shumëvjeçare. Në vitin 1916, në ikje e sipër nga Mirdita, ushtria malazeze u lëshua si e tërbuar në Kukël kundër famullitarit Mjeda, duke e arrestuar me synim eliminimin e tij. Kjo, për fat të mirë, u mbyll me kaq, sepse ushtritë serbe e malazeze u larguan në fillim të vitit 1916, të ndjekur nga ushtria austro-hungareze.
Nga famullia e Kuklit, Mjeda, krye detyrën e deputetit, politikanit, diplomatit. Po në atë tryezë që sot gjendet në muze, shkroi dhe rishkroi veprat tij krijuese dhe përkthimore, hartoi me qindra faqe tekste shkollore, shkroi me dhjetëra faqe studimore etj.
Famullitarët që erdhën më pas, si: Karlo Prenushi, Zef Gila e Ernest Troshani, (i cili në prag të Krishtlindjes së vitit 1963, u arrestua nga regjimi komunist, në shenjë respekti ndaj mësuesit të tyre, Ndre Mjedës dhe të kulturës shqiptare, u kujdesuan për ruajtjen e ambienteve dhe të relikteve të poetit që gjendeshin në shtëpi (qelë), si: një pjesë të bibliotekës me disa dorëshkrime, tryezës, pendës, makinës së shkrimit, një kryqi të drunjtë, i dëmtuar nga dhunuesit osmanë, të cilin Mjeda e mbante në tryezën e punës etj.
Shtëpia-muze në kohën e monizmit
Me mbylljen zyrtarisht në vitin 1967 të objekteve fetare në Shqipëri, mbyllje e cila frymëzohej nga revolucioni kulturor kinez, do të vazhdonin me intensitet edhe më të madh internimet, burgosjet dhe pushkatimet e klerit katolik, duke iu shtuar këtyre dhe shkatërrimin dhe tjetërsimin e objekteve kishtare.
Edhe objektet në Kukël në vitin 1967 u tjetërsuan: Kisha qe shndërruar në depo grumbullimi e më vonë në depo ushtarake, kurse shtëpia e famullisë në shtëpi banimi për banorët dhe një dhomë në vitin 1962 e më vonë në vitin 1982, qe ngritur muze me disa relikte të Mjedës.
Pas demokratizimit të Shqipërisë në vitin 1991, u konstatua së të dyja objektet e stilit neoklasik, ishin të dëmtuara rëndë. Dhoma – muze qe mbyllur dhe objektet, bashkë më to edhe tryeza e punës, qenë dërguar për ruajtje në Muzeun Historik të Shkodrës.
Rikrijimi i Qendrës “Ndre Mjeda”
Me ardhjen e vëllezërve të Nënë Terezës në këtë famulli, më 1991, u ndërmor aksioni për restaurimin e përkohshëm të objekteve në fjalë. Kështu që në vitin 2007 filloi hartimi i planit për organizimin e ndërhyrjes së plotë dhe thelbësore për restaurimin e objekteve dhe risistemimi i ambienteve të kësaj qendre fetare e kulturore.
Idetë e hedhura në letër për riaftësimin dhe plotësimin e Qendrës me objektet përkatëse, për kthimin në identitet të Qendrës dhe përplotësimin e saj, filluan më 19 mars 2011, me ndërhyrje për riaftësimin e objektit të Kishës, e cila kishte gjendje më të ngutshme për shkak të dëmtimit të pësuar. Punimet e fazës së parë u mbyllën në fund të korrikut, së bashku me oborrin dhe ngritjen e shtatores madhështore të poetit Mjeda. Ceremonia inauguruese u zhvillua më 1 gusht të vitit 2012, në ditën përkujtimore të vdekjes së poetit Mjeda.
Punimet e fazës së dytë filluan me grumbullimin e mjeteve financiare nga Komuniteti Evropian, në muajin maj 2014, ku u përfshi restaurimi i plotë i shtëpisë muze dhe në muajt shtator-tetor të po këtij viti përfunduan punimet në sistemimin e muzeut në katin e parë dhe të dytë. Me përfundimin e këtyre punimeve, u realizua në tërësi ideja e rikthimit të plotë në identitet të Kishës dhe shtëpisë se Mjedës dhe Qendra “Ndre Mjeda” u vu në shërbim të plotë të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj. Duhet theksuar se në qendër të vëmendjes të kësaj Qendre të shpallur Monument Kulture më 16 dhjetor 2011, është tryeza origjinale 100-vjeçare e poetit Mjeda.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more