Skip to main content

“Po, NATO ka vitalitet të ri, por fronti i saj i bashkuar mund të shembet kur duhet të merret me Rusinë” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Po, NATO ka vitalitet të ri, por fronti i saj i bashkuar mund të shembet kur duhet të merret me Rusinë” plus 1 more Telegrafi Opinione


Po, NATO ka vitalitet të ri, por fronti i saj i bashkuar mund të shembet kur duhet të merret me Rusinë

Posted: 03 Jul 2022 07:17 AM PDT

Nga: Jonathan Eyal /  The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Shumica e samiteve e konsiderojnë veten si “historike” dhe ata që marrin pjesë flasin pa ndonjë ndryshim për “krijimin e një konsensusi të ri”. Por, samiti i NATO-s në Madrid mund të bëjë në mënyrë të besueshme pretendime të tilla, sepse nuk ka dyshim se një aleancë ushtarake që vetëm pak vite më parë u hodh poshtë në mënyrë të famshme nga presidenti francez Emmanuel Macron, si “tru i vdekur”, ka rifituar vitalitetin dhe ka riafirmuar qëllimin e vet strategjik.

Siç tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, vendimi i NATO-s për të rritur trupat e saj të dislokimit të shpejtë në të paktën 300 mijë veta, për ta penguar çdo agresion të mëtejshëm rus, “përbën rishikimin më të madh të parandalimit dhe mbrojtjes sonë kolektive që nga Lufta e Ftohtë”.

Është i paprecedentë përcaktimi i të gjitha 30 vendeve anëtare të aleancës, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Akoma më domethënës është ripohimi i rëndësisë së NATO-s si i vetmi institucion i aftë për të ofruar mbrojtje kolektive për kontinentin evropian. Shpesh harrohet se Suedia dhe Finlanda tashmë gëzojnë garanci të përbashkët të sigurisë së hekurt si pjesë e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian, megjithatë të dy vendet e vlerësuan si gjë të mençur të kërkonin t’i bashkoheshin aleancës në samitin e Madridit, sepse e kuptonin ndryshimin midis aspiratave të BE-së dhe aftësive të NATO-s të mbështetura nga fuqia ushtarake e ShBA-së.

Megjithatë, siç e dinë shumë mirë udhëheqësit e NATO-s, mbeten të rëndësishme sfidat e aleancës. Një pretendim i bërë në samitin e Madridit, nga njerëzit si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është se pranimi i Finlandës dhe Suedisë NATO-n e bëri “më evropiane”. Megjithatë, kjo është një deklaratë ashiqare e qartë për të gjitha zgjerimet e NATO-s që ndodhën, që nga krijimi i aleancës në Evropë. Prandaj, secili zgjerim mund të portretizohet se e ka bërë aleancën më evropiane.

Por, ajo që nuk arriti ta bëjë çdo zgjerim dhe ajo që do të humbasë edhe hyrja e Suedisë dhe Finlandës është zvogëlimi i varësisë dërrmuese të NATO-s nga kontributi i Shteteve të Bashkuara. Aleanca transatlantike reagoi mirë ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Që nga marsi, NATO nuk ka qenë e pranishme vetëm me grupe luftarake shumëkombëshe në shtetet baltike dhe në Poloni, por edhe në Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari. Prania e NATO-s shtrihet nga Deti Baltik në Detin e Zi. Aleanca ushtarake ka shtuar edhe numrin e ushtarëve në terren. Rreth 10 mijë nga 40 mijë ushtarët e NATO-s janë të ndarë në tetë grupe betejash. Grupet e betejës janë të pajisura me njësi të ndryshme të përshtatura për nevojat ushtarake të vendndodhjes përkatëse. Çdo grup beteje udhëhiqet nga një komb i ndryshëm, duke siguruar pjesën më të madhe të trupave.

Megjithatë, edhe pse shumë aleatë kanë sjellë asete të dobishme, kontributi i ShBA-së është më i vogël se ai i të gjithë evropianëve të mbledhur së bashku. Po të mos ishte për faktin se trupat amerikane në Evropë tani numërojnë 100 mijë vetë – shifra më e lartë që nga mesi i viteve 1990 – është e dyshimtë nëse aleanca do të mund të kishte paraqitur një front kaq të bashkuar.

Premtimet e fundit për të rritur shpenzimet e mbrojtjes kanë qenë gjithashtu mbresëlënëse. Por, të paktën për momentin, vetëm nëntë nga 30 anëtarët ia kushtojnë mbrojtjes dy për qind të PBB-së së tyre, dhe ata që nuk arrijnë këtë prag përfshijnë kombe të mëdha evropiane, si Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja. Pjesa tjetër, siç thonë ata, mbetet "punë në progres".

NATO llogarit se anëtarët e saj kanë premtuar se do të shpenzojnë 172.6 miliardë funte në shpenzimet shtesë të mbrojtjes – në krye të buxheteve ekzistuese për mbrojtjen – me Gjermaninë që llogaritet ndoshta me gjysmën e kësaj shume. Por, pyetja është se si do të shpenzohet kjo dhe në çfarë periudhe. Mënyra më e lehtë për të përmirësuar aftësitë evropiane do të ishte përdorimi i këtyre parave të gatshme për të blerë pajisje amerikane: kjo ofron ekonomi të konsiderueshme në shkallë dhe në kohë. Megjithatë, një qasje e tillë do të shkojë kundër aspiratave evropiane për të nxitur industritë e tyre të mbrojtjes; diplomatët francezë paralajmërojnë se lufta në Ukrainë nuk duhet të përfundojë si pasurim për prodhuesit amerikanë të armëve. Shanset janë të mëdha që të vazhdojë debati i përjetshëm i NATO-s për “ndarjen e barrës”, edhe nëse ka më shumë para në dispozicion. Përtej Atlantikut, Donald Trump dhe dishepujt e tij janë gati të argumentojnë – siç bëri "Donaldi" kur ishte në Shtëpinë e Bardhë – se NATO është mashtrim për të zhvatur taksapaguesit amerikanë. Edhe nëse nuk e organizon rikthimin, ideja se ShBA-ja po shpenzon shumë më tepër sesa duhet për të mbrojtur evropianët e trashë dhe të pasur, ka të ngjarë të shfaqet dukshëm kur të zgjidhet Kongres i ri këtë nëntor.

Rreziku i madh agresionit rus ia ka lejuar administratës Biden të marrë paratë e nevojshme nga Kongresi. Megjithatë, në Uashington merret si e mirëqenë se nuk ka gjasa të përsëritet paketa prej 40 miliardë dollarëve, e miratuar së fundmi nga Kongresi për ndihmën e sigurisë së Ukrainës. Dhe, një debat i ardhshëm për ndarjen e barrës së NATO-s do të bëhet më i ashpër kur kjo bashkohet me një diskutim paralel në lidhje me pagesën për rindërtimin ekonomik të Ukrainës, pas luftës – një projekt i vlerësuar në 500 miliardë dollarë.

NATO gjithashtu ia ka vendosur vetes një objektiv të madh, duke u zotuar të rrisë numrin e forcave të gatishmërisë së lartë në më shumë se 300 mijë. Por, kjo ende nuk i përgjigjet pyetjes themelore nëse – për të penguar agresionin e mëtejshëm rus – aleanca duhet të pozicionojë përgjithmonë forca të rëndësishme në vendet afër Rusisë. Mos bërja e kësaj mund t’i ekspozojë anëtarët ekzistues të NATO-s ndaj rrezikut të një pushtimi rus për të paktën një periudhë derisa të arrijë ndihma për t’i çliruar, një rrezik që, duke pasur parasysh tmerret e Buça, asnjë vend në aleancë nuk është gati ta mendojë. Por, mbajtja e trupave shumëkombëshe të dislokuara përgjithmonë në Evropën Qendrore dhe Lindore, do të jetë jashtëzakonisht e shtrenjtë, përtej planeve aktuale të rritjes së shpenzimeve.

Në fakt, gjithçka që ka bërë NATO në Madrid është të lëshojë një premtim për këtë çështje, me shpresën se natyra e premtimit dhe kushtet e shpengimit të tij mund të diskutohen më vonë. Megjithatë, paradoksi më i madh për aleancën është se ngjitësi që e mban atë kaq fort të bashkuar – vendosmëria për t'iu kundërvënë synimeve perandorake të Rusisë – mbetet cenueshmëria e saj më e madhe. Pavarësisht të gjitha duartrokitjeve në Madrid, nuk ka konsensus se si të veprohet me Rusinë. Të gjithë janë dakord se nuk duhet lejuar që të ketë sukses në agresionin e saj aktual. Por, a do të thotë kjo se ajo duhet të mposhtet fizikisht në fushën e betejës në Ukrainë, siç po argumentojnë Britania dhe shumica e evropianëve qendrorë dhe lindorë, apo do të mjaftonte nëse lufta përfundon pa qenë në gjendje Moska të pretendojë një fitore të besueshme, siç do të preferonin liderët e Gjermanisë?

Tash për tash, ky debat duket abstrakt. Por, në momentin që Moska lë të kuptohet se dëshiron një armëpushim në Ukrainë, të gjitha këto mendime të ndryshme brenda NATO-s do të dalin në shesh. Koncepti i ri strategjik i NATO-s i miratuar në Madrid përfshin gjithsej 71 angazhime kategorike “ne do të bëjmë”, të shpërndara në vetëm 11 faqe teksti. Një grup premtimesh të admirueshme, pa dyshim. Por, disa nuk do të durojnë kur armët në Ukrainë do të heshtin. /Telegrafi/

 

The post Po, NATO ka vitalitet të ri, por fronti i saj i bashkuar mund të shembet kur duhet të merret me Rusinë appeared first on Telegrafi.

Ballkani i Hapur apo Procesi i Berlinit?

Posted: 03 Jul 2022 06:38 AM PDT

Artur Lazri

Gjeopolitika e brishtë ballkanase, e ripërkufizuar nga mjeshtrit ndërkombëtarë e rajonalë, të dritës apo të sfondit, po përjeton flirtin e saj më të madh pas projektit të ishJugosllavisë, iniciativën rajonale "Ballkani i Hapur", vendosur përballë "Procesit të Berlinit" dhe samiteve të tjera të Bashkimit Evropian.

"Ballkani i hapur" u emërua zyrtarisht si një nismë apo projekt rajonal nën emrin e parë iniciues "Mini-Shengen", që përkufizon një zonë rajonale politike dhe ekonomike mes tri shteteve anëtare themeluese: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me sipërfaqe: 131.395 kilometra katrorëë dhe popullsi prej më shumë se 12 milionë banorë. Gjithashtu, ky projekt shihet dhe marketohet gjerësisht si një proces i zhvillimit dhe përgatitjes së vendeve brenda rajonit të Ballkanit apo ndryshe Evropës Juglindore, drejt hapjes së negociatave për anëtarësim dhe pastaj anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ideja e zonës "Mini Shengen" ka filluar që pas viteve 1990, por takimi dhe deklarimi i parë i shteteve themeluese anëtare u realizua në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor 2019. Projekti parimor i kësaj nisme fokusohej në lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Më pas u realizuan dy takime, në Ohër, më 11 nëntor 2019, dhe në Durrës më 12 dhjetor 2019. Në tri takimet e para u dakordësuan të tre liderët: Vuçiq, Rama e Zaev, që të krijohej një zonë e përbashkët ekonomike, e cila më pas do shoqërohej me përmirësim dhe integrim rajonal të politikave ekonomike, politike e sociale mes tri shteteve.

Në takimin e radhës në Ohër, më 29 korrik 2021, Vuçiq, Rama e Zaev nënshkruan marrëveshjet për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.

Takimi i "Ballkanit të Hapur" në Tiranë, më 21 dhjetor 2021, u zhvillua me pritshmëri të lartë, për shkak se tashmë marrëdhëniet mes liderëve ballkanas ishin konsoliduar, gjithashtu edhe idetë rajonale ishin qartësuar politikisht e ekonomikisht.

Marrëveshjet e arritura në Tiranë treguan hapa konkretë të dëshirës e tundimit për zhvillimin e projektit të ri rajonal. Marrëveshja për një treg të përbashkët dhe të lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, marrëveshja për ngritjen e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshja e tri qeverive përkatëse për njohje të ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Takimi dyditor spektakolar mediatik rajonal në Ohër, me 7-8 qershor 2022, u mbajt me entuziazëm të shtuar për shkak të afrimit me statusin e vëzhguesit të dy shteteve: Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, duke iu bashkuar tri shteteve themeluese të iniciativës, Serbi, Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, i pranishëm ishte edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ndërsa përmes videomesazhit komunikoi edhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.

Spektakli kryesor si në takimet paraardhëse, ishte mes Vuçiq e Ramës, ku njëri deklaronte se pa Ramën nuk do mbahej dot "Ballkani i Hapur" e tjetri mbante ison se Vuçiq ishte në vështirësi për shkak të presionit ndërkombëtar dhe lidhjeve me Rusinë.

Në Ohër u nënshkrua një marrëveshje dhe tri memorandume mirëkuptimi. Marrëveshja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe notave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe të tjera institucione të autorizuara, memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor dhe memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Kosova është i vetmi vend që refuzon kategorikisht t'i bashkohet "Ballkanit të Hapur", për atë që liderët e Kosovës e quajnë "qasja e Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës". Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e refuzoi ftesën e Kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në takimin e Ohrit dhe me anë të një letre i shkroi se "Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, që u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet nga Bashkimi Evropian".

Ndërkohë që "Ballkani i Hapur" po shteron kohën e nevojshme për ta kuptuar qartësisht e keqkuptuar po qartësisht, përkrahësit e proklamojnë si një lëvizje origjinale rajonale integruese, ndërsa kritikët dhe njohësit e gjeopolitikës e analizojnë si mbivendosje e pakuptimtë apo më tej djallëzore e procesit evropian të quajtur "Procesi i Berlinit" e në vazhdim të samiteve të tjera të BE-së.

Dualizmi i "Ballkanit të Hapur" me "Procesin e Berlinit", një proces i iniciuar e i drejtuar nga Gjermania dhe mbështetur fuqishëm nga Bashkimi Evropian, mund të shërbejë për të treguar se liderët e Ballkanit kur kanë qëllime parimore rajonale e ndërkombëtare, janë vetë të aftë të marrin iniciativa zhvilluese dhe integruese për vendet dhe qytetarët e tyre. "Procesi i Berlinit", i cili filloi me Konferencën e Berlinit, më 28 gusht 2014 nga Kancelarja Angela Merkel, mblodhi pa paragjykim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor apo Evropës Juglindore dhe filloi të aplikojë projekte konkrete për zhvillimin dhe integrimin e rajonit sipas teorisë gjermane investim-zhvillim-integrim; si: hekurudha rajonale apo investime strategjike në infrastrukturë e energji, por në ndryshim thelbësor, kërkonte vazhdimisht reformat demokratike, zhvillimin real të shteteve ballkanike dhe uljen e korrupsionit të lartë në këmbim të investimeve të mësipërme.

A është në të vërtetë mënjanimi apo largimi nga Procesi i Berlinit dhe samitet e tjera evropiane, një dështim me "dëshirë" i liderëve ballkanas në reformat demokratike dhe uljen e korrupsionit në vendet e tyre?

Kujt i leverdis mbivendosja e dy proceseve dhe fuqizimi i një procesi të dyshueshëm "tërësisht" ballkanik?

A është Serbia iniciuese dhe e favorizuara e "Ballkanit të Hapur"?

Studiuesi i njohur rus i çështjeve ballkanike, Valeri Emeljanov, Drejtor i Qendrës Ruse të Analitikës dhe Informacionit në një analizë botuar në 31 korrik 2021, analizon Mini-Shengenin ose Ballkanin e Hapur. Duke analizuar balancat dhe qëllimet thelbësore të projektit, analisti rus shkruan: "Shqipëria për Beogradin është dalje në det, nga e cila u privua me rënien e Jugosllavisë dhe më vonë të Federatës Serbo-Malazeze". Gjithashtu ai thekson: Serbia, shteti më i fuqishëm i aleancës së "Ballkanit të Hapur" natyrisht është e interesuar për vërshimin e mallrave të lira dhe të shërbimeve të lira nga vendet fqinjë. Përveç kësaj, "Ballkani i Hapur" është rikthim i qartë te statusi i liderit rajonal, të cilin Serbia dhe serbët tradicionalisht e kanë pasur në Ballkanin Perëndimor. Mospjesëmarrja e Kosovës në aleancat e tipit të Mini-Shengenit "Ballkan i hapur", realisht dhe qartë përcaktohet nga fakti se atë e drejton Serbia. Aleksandër Vuçiq, si një lider i "Ballkanit të Hapur", në momentin e zgjedhjes si President i Serbisë për herë të dytë, theksoi si prioritet: "Ju garantoj se do të ruajmë paqen, stabilitetin, Kosovën dhe Metohinë…"!

Vizita e Vuçiqit dhe vendosja e luleve në të ashtuquajturën "Monumenti i Heronjve të Koshares", në Beograd më 15 qershor 2022, duke theksuar se: "Ju nuk lejuat terroristët shqiptarë të hynin në ish-Jugosllavi", tregon qartë qëllimet apo prapaskenat gjeopolitike mes teorisë se projekti i "Ballkanit të Hapur" është bashkëpunim dhe integrim i sinqertë rajonal dhe teorisë se gjithçka luhet thjesht për dominim të Serbisë që nuk kërkon akoma minimalisht falje publike e nuk ndryshon mendje rreth gjenocidit të kryer nga serbët në Kosovë, si dhe të satelitëve lider në rajonin e brishtë dhe të shkumëzuar nga teoritë konspirative herë-herë edhe të pavërteta. Shtimin e problematikave dhe konspiracioneve rreth "Ballkanit të Hapur", e përforcoi ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, kur deklaroi pas anulimit të vizitës së tij në Beograd, se: "ai dhe Rusia e mbështesin fort "Ballkanin e Hapur" për shkak të Serbisë, ndërsa BE don një Ballkan të mbyllur".

Bashkimi Evropian, pavarësisht luftës në Ukrainë që ka marrë vëmendjen e plotë, dëshiron fuqishëm integrimin e rajonit të Ballkanit në BE, si e vetmja mënyrë dhe qasje realpolitike për ta zhvilluar e larguar rajonin problematik evropiano-juglindor nga influencat dhe pështjellimet negative.

Samiti historik i BE-së kushtuar Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, në datat 23-24 qershor 2022, kapi në befasi të plotë kritikët dhe zjarrvënësit e proceseve evropiane, duke dominuar agjendat parësore e dytësore, konspiracionet ballkanase e gjeopolitikën globale.

Pranimi unanim si vend kandidat i Ukrainës dhe Moldavisë, është në realitet përtej luftës dhe sfidës ushtarake, një qasje dhe një gjeopolitikë e pastër strategjike se Bashkimi Evropian ka vendosur qartë të mbrojë dhe të zgjerojë strukturalisht kufijtë e saj, duke mbajtur fort peshën nga krijimi i BE-së, drejt së ardhmes perëndimore demokratike.

"Procesi i Berlinit" e në vazhdimësi samitet e radhës, sidomos i fundit "Samiti i Brukselit" përforcojnë tashmë idenë se BEja pas një gjumi të thellë, ka konsoliduar veprimet e saj në unison me ShBA-në e NATO-n, për të treguar gjeopolitikisht fuqinë e vërtetë evropiane si aktor demokratik kontinental e global, fuqi aq shumë e diskutuar dhe e anatemuar.

Vendosmëria e BE-së u tregua edhe në heqjen e "vetos" bullgare për Maqedoninë e Veriut, që shkoi deri në rrëzimin e qeverisë aktuale të Kryeministrit Petkov në Bullgari.

Ballkani Perëndimor apo Evropa Juglindore ka aktualisht Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në stadin e hapjes së negociatave me BE-në, Serbinë dhe Malin e Zi që i kanë hapur negociatat tashmë dhe vazhdojnë plotësimin e kapitujve të anëtarësimit, por Serbia ka kusht njohjen e plotë të Kosovës në rrugën evropiane, Bosnjë-Hercegovina nuk ka hapur akoma negociatat dhe Kosova që ka plotësuar kushtet dhe pret liberalizimin e vizave me BE-në.

Deklarata e paprecedent në Samitin e Brukselit e Kryeministrit Rama: "Mbështeteni 'Open Balkan' ose rajoni do të shkatërrohet", refuzimi momental i propozimit francez për hapjen e negociatave nga Kryeministri Kovaçevski i Maqedonisë së Veriut, si dhe deklarata në Bruksel para gazetarëve e Vuçiq kur e pyesin se çfarë do bëjë ai për Kosovën meqë Kryeministri gjerman, Olaf Scholz, pret njohjen e plotë: "Të mos presin hiç për këtë", tregon për tensionet e forta që ka shkaktuar vendosmëria e BE-së për të integruar me çdo kusht rajonin, si dhe kontradiktat e vërteta ballkanike që ekzistojnë midis asaj që deklarohet dhe asaj që është në të vërtetë.

Në fakt, tensionet kuptohen qartë pse ndodhin.

Bashkimi Evropian, në këmbim të integrimit të vendeve problematike të Ballkanit Perëndimor, kërkon dhe ngulmon në plotësimin e kritereve dhe kushteve paraprake në reforma demokratike, në zhvillim real dhe sidomos në dënimin e korrupsionit tepër të lartë që ekziston në të gjitha vendet e rajonit.

Projekti "Ballkani i Hapur", përveçse po mbivendos të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në "Procesin e Berlinit" dhe marrëveshjet e CEFTA-s, po minon demokracinë reale duke mos dhënë fare llogari para asnjë strukture evropiane apo ndërkombëtare, por shkon akoma më tej, duke keqpërdorur politikat dhe lidershipin autokrat të shteteve me makinacione ballkanike.

Dashuria gjeopolitike rajonale ballkanike në dritë apo errësirë duhet të marrë fund ndaj proceseve mbivendosëse jo transparente, jo gjithëpërfshirëse dhe që nuk rakordohen me vlerat dhe politikat kryesore integruese e zhvilluese të BE-ShBA-NATO, që konvergojnë në demokraci të zhvilluar e të konsoliduar, si dhe integrim e bashkëpunim jo hileqar, por të sinqertë rajonal e ndërkombëtar.

The post Ballkani i Hapur apo Procesi i Berlinit? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more