Skip to main content

“Kriza demografike po rrënon Ballkanin Perëndimor” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Kriza demografike po rrënon Ballkanin Perëndimor” plus 2 more Telegrafi Opinione


Kriza demografike po rrënon Ballkanin Perëndimor

Posted: 18 Jan 2022 10:57 AM PST

Cristian Gherasim

Asnjë vend në Ballkan nuk është kursyer nga një kombinim i rrezikshëm i emigrimit dhe plakjes së popullsisë. Në aspektin demografik, kombi i vogël i Maqedonisë së Veriut ka vuajtur jo pak. Vendi ballkanik ka humbur çerekun e popullsisë së tij që nga fillimi i viteve 1990. Regjistrimi i fundit i kryer në fund të vitit të kaluar, tregon një rënie të popullsisë me 10 për qind në vetëm dy dekadat e fundit. Gati 600 mijë banorë u shpërngulën jashtë vendit në dekadat pas pavarësisë së vendit. Në Shqipërinë fqinje situata është edhe më e rëndë.

1.7 milionë njerëz, ose 37 për qind e popullsisë, janë larguar nga vendi gjatë tri dekadave të fundit. Sipas raportit të OKB-së mbi perspektivat e popullsisë, popullsia prej thuajse tre milionë banorësh pritet të bjerë nën një milionë banorë deri në fund të këtij shekulli.

Të dyja vendet shpresojnë se një anëtarësim i shpejtë në Bashkimin Evropian, do t'u sigurojë një të ardhme më të mirë, dhe do të ndryshojë modelin e migracionit. Bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut në union, ishin bllokuar në të kaluarën nga Greqia për shkak të një konflikti të gjatë mbi emrin e këtij shteti.

Tani, përparimi drejt BE-së i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë është bllokuar për shkak të vetos që ka vendosur Bullgaria. Një vend tjetër ballkanik i prekur rëndë nga rënia e popullsisë është Serbia. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendi me gati shtatë milionë banorë pritet të ketë një milion banorë më pak deri në vitin 2050. Vetë autoritetet serbe thonë se ky vend po humb një qytet çdo vit. Qindra mijëra serbë u larguan nga vendi pas luftërave të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Ekonomia serbe u ndikua shumë edhe pas sanksioneve që i paraprinë bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 për t'i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Kosovë.

Sipas një analize të OECD-së mbi gatishmërinë e sistemit shëndetësor serb për të luftuar pandeminë e Covid-19, të dhënat tregojnë se mbi 10 mijë mjekë u larguan nga Serbia drejt Evropës Perëndimore gjatë 20 viteve të fundit, dhe sistemit shëndetësor i mungojnë aktualisht 3.500 mjekë dhe 8.000 infermierë.

Disa nga arsyet pse rajoni i Ballkanit ka pasur një emigracion në nivele kaq të larta gjatë dekadave të fundit, mund të gjurmohen tek shpërbërja e ish-Jugosllavisë, luftërat civile dhe vështirësitë ekonomike që pasuan.

Bosnje Hercegovina është ndoshta vendi më i goditur në rajon. Disa studime pretendojnë se gati gjysma e qytetarëve të lindur në këtë vend nuk jetojnë më atje. Një shembull tjetër i spikatur është Kosova, që ka humbur 15.4 për qind të popullsisë së saj midis viteve2007-2018.

Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2013. Që atëherë, më shumë se çerek milioni kroatë janë larguar nga vendi, duke kërkuar punë me paga më të mira jashtë vendit. Popullsia prej pak më shumë se katër milionë banorësh, është tkurrur me thuajse 10 për qind në një dekadë.

Qeveria e Zagrebit po përpiqet të ndryshojë situatën dhe u ka premtuar së fundmi kroatëve të diasporës deri në 26 mijë euro nëse rikthehen në vendin e tyre dhe hapin një biznes. Edhe Greqia po shfaq të njëjtat tendenca shqetësuese. Sipas agjencisë greke të statistikave, midis viteve 2011-2020 popullsia e vendit u tkurr me gjysmë milionë.

Rënia e popullsisë greke gjatë dekadës së fundit, ka ndodhur për shkak të disa faktorëve.

Është më se e qartë se kriza financiare e vitit 2009 luajti një rol të madh, ku shumë prej tyre ose u zhvendosën jashtë vendit ose hezituan të krijonin një familje në Greqi për shkak të një të ardhmeje të pasigurt.

Plakja luan një rol të madh në përshpejtimin e rënies së popullsisë në rajon. Sipas parashikimeve të fundit të Eurostat, deri në vitin 2050, mosha mesatare e popullsisë Në Rumani dhe Bullgari pritet të rritet me të paktën tetë vjet.

Të dhënat e Institutit të Statistikave në Rumani, tregojnë se sa shpejt është plakur popullsia gjatë viteve të fundit. Qarku Valcea kaloi nga 126 qytetarë të moshuar për çdo 100 të rinj, në 185 të moshuar për çdo 100 të rinj, brenda vetëm 10 viteve.

Një popullsi e moshuar nënkupton mungesë të fuqisë punëtore në dispozicion, por edhe rritje të shpenzimeve qeveritare për skemat e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor. Kostoja e një numri në rënie të të rinjve në Ballkan është llogaritur nga Fondacioni Westminster për Demokraci dhe Instituti për Zhvillim dhe Inovacion.

Studimi tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor po humbet çdo vit miliarda euro për shkak të migrimit të të rinjve. Për të vlerësuar pasojat ekonomike të kësaj dukurie, studimi merr parasysh si kostot e lidhura me arsimin – 2.46 miliardë euro – po ashtu edhe humbjet e mundshme në rritjen e PBB-së, pikërisht për shkak të largimit të të rinjve nga këto vende.

Llogaritet se vendet e Ballkanit Perëndimor humbasin për shkak të migrimit të të rinjve rreth3.08 miliardë euro çdo vit në rritjen e mundshme të PBB-së dhe në rënien e konsumit. Nëse kësaj shifre i shtohen shpenzimet mbi arsimimin e tyre, atëherë kostoja në total është rreth 5.5 miliardë euro në vit. /Burimi: Eu Observer/

 

The post Kriza demografike po rrënon Ballkanin Perëndimor appeared first on Telegrafi.

Udhëheqësit pa biografi

Posted: 18 Jan 2022 10:41 AM PST

Në dy dekadat e fundit, veçanërisht mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jemi dëshmitarë të emërimit të shumë personave, por jo edhe të personaliteteve në poste të rëndësishme udhëheqëse të vendit, derisa shumica nga ata, sot e dy dekada më parë, nuk i bëjnë publike biografitë e tyre.

Këto veprime, nuk justifikohen assesi, veçanërisht për ata persona që janë zgjedhur drejtpërdrejt nga sovrani, por edhe për ata që janë zgjedhur e vazhdojnë të zgjidhen në dikastere qeveritare dhe agjenci të rëndësishme të Kosovës.

Mbas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, shumë nga ata që fituan pozita të rëndësishme në udhëheqjen e vendit, ose i kanë prerë biografitë e tyre, ose nuk kanë dashur të bëjnë publike aktivitetin e tyre politik, veçanërisht gjatë dekadës së okupimit, sa njeriu fiton bindjen, sikur këta njerëz para 12 qershorit të vitit 1999, nuk kanë ekzistuar!

Disa sish, mbas përfundimit të luftës, sikur janë ndjerë të turpshëm të shpërfaqin aktivitetin e tyre politik, derisa mbas luftës, partinë që dikur e kishin për zemër tashmë e trajtonin si kundërshtare! Kishte edhe të atillë që gjatë periudhës së okupimit, kishin zhvilluar aktivitete të dyshimta biznesore dhe përmes fshehjes së biografisë, provuan t'i fshihnin edhe aktivitetet e tyre të errëta, të cilat nuk do të dëshironin t'i kujtonin kurrë. Fshehja e biografive ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh, edhe për faktin se udhëheqësi i një institucioni të rëndësishëm, nuk disponon as përgatitjen elementare, jo vetëm për të udhëhequr, por as për të punuar në rangun më të ulët të institucionit të cilin e drejton!

Autocensura që ndodhi gjatë dy dekadave të fundit, nuk ishte më e ashpër as në regjimin komunist. Ky veprim i frikshëm, të imponon idenë se janë pikërisht biografitë e errëta dhe të prera, të fshehura e gjysmake, të cilat ndikojnë në paqëndrueshmërinë e institucioneve të vendit.

Derisa i fshehim biografitë, jemi këtu ku jemi!

The post Udhëheqësit pa biografi appeared first on Telegrafi.

Koprofili ose Skatofagi

Posted: 18 Jan 2022 08:49 AM PST

Kur, të enjten e kaluar, në emisionin qendror të lajmeve, Ora Newsi më mësoi plasjen e skandalit "Kosi me fekale", ndërkohë që ky kos (i thënçin) tregtohet nëpër supermarkete dhe që AKU-ja hesht heroikisht, të enjten e kaluar, pra, m'u kujtua një fjali e shkruar dukshëm në mur, diku rrotull shkollës "Vasil Shanto" para shumë e shumë vitesh. Përse m'u kujtua? Për të mos e ndezur më tepër kureshtjen e ligjshme të lexueseve dhe të lexuesve të sotëm, po ua shkruaj me saktësinë më të madhe: "Hani …ut, qeras qeveria"! (sapo i hoqa kësaj fjale germën e parë për arsye njëherazi morale dhe estetike). Sigurisht, fekalet e kosit të sotëm e kanë një lidhje me …utin e asokohe, madje vetë fjala "fekale", po ta shkruash e ta shqiptosh me "h" fill pas shkronjës "k", ta çon mendjen drejt e tek …uti, kështu që këtë arsyetim duhet ta pranojë edhe logjika më elementare.

Ndokush mund të pyesë me të drejtë se cila parti qe në pushtet kur ishte shkruar fjalia e lartpërmendur, socialistja apo demokratikja, cili qe kryeministër, cili qe president republike, pyetje këto deri-diku me vend, por tepër vonë: Fakti që qeveria mund t'i qeraste shqiptarët me …ut, pa e marrë fare vesh këta, u konfirmua pra tani, por qerasjen e bëri mrekullisht të mundur AKU-ja me heshtjen e saj, siç e nënvizova pak më lart, heroike, madje madhërisht heroike! Ç'është e vërteta, më tremb fakti se kësaj here, qeveria – përmes AKU-së, sigurisht, ndofta edhe pa dijeninë e saj – po na "qeraska" ne, shqiptarët, jo falas, por me para në dorë, e thënë troç e copë, çuditërisht ne po e blejmë …utin për ta ngrënë pa e ditur se çfarë hamë!

Sidoqoftë, sot, shprehja "Hani …ut, qeras qeveria" mund ta frymëzojë kreun kremlinesk të qeverisë shqiptar që, me cinizmin e tij cimbithës (pa "y" kjo fjalë në vend të "i"-së së dytë), të shpalosë solidaritetin e tij me mbarë popullin tonë guximtar të pashoq, duke i thënë nga thellësia mallëngjyese e shpirtit: "Bujrum, ta hamë së bashku e na bëftë mirë!" Por, këtu lind një problem shumë serioz: Mirë se po na qeraska qeveria, por …utin e kujt do të hamë?

Përgjigjen duhet ta japin mjekët tanë, por, në veçanti, atë mund ta japin së pari specialistët alergologë: "Para se ta hamë, duhet të bëjmë testin e nevojshëm për të përcaktuar se mos ka njerëz alergjikë ndaj …utit, aq më tepër që jemi mësuar me testet këto dy vitet e fundit. Së dyti, atë mund ta japin edhe specialistët dietologë, të cilët me të drejtë do të druanin se ata njerëz – femra e meshkuj, heteroseksualë e LGBT… – të cilëve …uti do t'iu dukej si ëmbëlsira më fantastike e shekullit, do të hanin aq shumë nga kjo, saqë do të krijonin një vartësi të papërballueshme dhe do të vuanin ëmbëlsisht nga obeziteti duke rrezikuar kështu të bëhen mazohistë! Së treti, përgjigjen në fjalë duhet ta japin me përparësinë më serioze specialistët e shëndetit mendor – psikologë, psikiatër e psikanalistë profesionistë – duke i paralajmëruar …utngrënësit se prirja e tyre për të shijuar me të gjitha shqisat jashtëqitjet njerëzore në veçanti janë pasojë e një çrregullimi psikik, çka në terminologjinë e tyre ka dy emra: koprofili ose skatofagi.

Mirëpo, nga ana tjetër, nën dritën e mençurisë popullore, i grish lexueset e lexuesit e sotëm të më lejojnë që t'u rrëfej historinë e harabelit dhe të bajgës së lopës (një lloj muti bio edhe kjo!): Një ditë dimri të acartë, një harabeli iu tek të fluturonte lart në qiell, por befas një rrymë ajri tejet e ftohtë e mbështolli dhunshëm dhe e ngriu në çast! I gjori harabel nisi të binte poshtë me një shpejtësi të pazakontë, por, për fat të mirë, shkoi e ra bash në mes të një bajge të madhe, të gjerë e të trashë që një lopë gjigante sapo e kishte lëshuar në atë rrugë fshati. Nga ngrohtësia e bajgës, harabeli u përmend, e ndjeu se ku gjendej dhe nxitoi të dilte, madje, me ta parë veten sipër bajgës, u dha fort krahëve dhe u ngrit në ajër, lart e më lart. Ndërkohë, jo larg që andej, një skifter i uritur vinte rrotull për të gjuajtur; papritmas, ai e pikasi harabelin dhe iu vërsul, e kapi dhe e gllabëroi që në ajër me gjithë pupla. Po ta kishte dëgjuar këtë ndodhi fabulisti frëng La Fontaine, do të kishte qëndisur një fabul, morali i së cilës do të ishte: "…uti, le t'themi të vërtetën /Nganjëherë të do të mirën / Aq sa të shpëton edhe jetën!".

Meqë jetojmë në një demokraci të papërsëritshme, ku individi shqiptar është i lirë të veprojë si të dojë, nëse ju pëlqen, o lexueset dhe lexuesit e mi të sotëm, të hani mjaltë apo mut, zgjidheni vetë, veçse pushtetarët tanë nuk dhjesin mjaltë, siç po e shihni vetë këto vitet e fundit!

 

The post Koprofili ose Skatofagi appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more