Skip to main content

“Fytyra e zymtë e kishës!” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Fytyra e zymtë e kishës!” plus 1 more Telegrafi Opinione


Fytyra e zymtë e kishës!

Posted: 13 Jan 2021 04:09 AM PST

Kjo është e dhimbshme. Për muaj të tërë, Kryepeshkopata e Këlnit dhe kreu i saj, Kardinali Rainer Maria Woelki, kanë fshehur nga publiku gjerman të dhënat për abuzimet seksuale nga priftërinjtë. “Argëtim” është termi krejt i gabuar: Woelki të zemëron pa masë. Sjelljen e tij nuk e kuptojnë madje as katolikët që kanë qëllime të mira ndaj tij.

Brenda disa javësh do të publikohen statistikat e para për “largimin nga kisha në vitin 2020”. “Humbja e besimit” dhe “dobësia në besim” është ajo që shpesh thonë interpretuesit e devotshëm, për ata që i kanë kthyer shpinën kishës së tyre. Nëse jemi të sinqertë – sidomos nga Këlni dhe Dyseldorfi, qytetet më të mëdha në Kryepeshkopatën e Këlnit, tani po grumbullohen raporte se duhet pritur muaj me radhë për një takim me autoritetit përgjegjëse për largim nga kisha!

Kushdo që shpall me zë të lartë zbardhjen e gjërave dhe “tolerancën zero” duhet edhe t’i zbardhë gjërat dhe të dëshmojë këtë “tolerancën zero”. Përndryshe besimtarët largohen.

Prej gati dy vitesh, Kardinali Woelki thotë se angazhohet për zbardhjen dhe përpunimin e abuzimeve, që ka zgjuar edhe vëmendjen e opinionit. Por prej gjashtë muajsh po vijnë lajme nga Këlni se viktimat po ndjehen të manipuluara, të instrumentalizuara dhe të lënduara. Kardinali po përpiqet t’i shfrytëzojë festat si justifikim dhe po i bën përgjegjëse mediat për pakënaqësinë në rritje.

Kardinali po merr konsulentë nga firma të ndryshme ligjore dhe tani ka mbërritur deri tek një firmë ligjore, e njohur për raste nga mjedisi populist i krahut të djathtë AfD, e jo për raste të kishës. Së fundi, janë ftuar edhe gazetarët për një takim informativ në sfond, në mënyrë që t’u paraqiste më parë atyre një marrëveshje konfidencialiteti për nënshkrim. Por kjo dështoi dhe gjërat u publikuan.

Woelki nuk beson shumë tek përpunimi dhe sqarimi i pavarur i gjërave. Për rastet e abuzimeve është njoftuar vetëm atje ku viktimat kanë pasur guximin të hapin gojën dhe të thyejnë heshtjen – dhe në vendet ku mediat i kanë publikuar këto gjëra. Kjo vlen edhe për kishën në Këln. Mediat, gazetat dhe radiot apo televoizionet janë ato që kanë hulumtuar dhe publikuar gjërat.

Kardinali tha se mediat janë fajtore. Por kur bëhet fjalë për zbardhjen e gjërave, kisha mbështetet tek fshehtësia, një term që të kujton diktaturën dhe Shtazin. Në mbi 30 vjet gazetari, unë kam marrë pjesë në qindra diskutime që kanë lidhje me historinë e kishës dhe kontekstin politik. Por asnjëherë nuk më është paraqitur për nënshkrim ndonjë marrëveshje konfidencialiteti.

E gjitha kjo është pjesë e fytyrës së shëmtuar të kishës që është vënë në qendër të vëmendjes. Dhe pikërisht kjo e bën punën edukative të medias edhe më të rëndësishme.

Në vitin 2015 u shfaq filmi amerikan “Spotlight”, i cili në fund të shkurtit 2016 u shfaq edhe në Gjermani. Pak më parë, ai kishte marrë çmimin Oskar si “Filmi më i mirë”. “Spotlight” tregon historinë e gazetarëve të “The Boston Globe”, të cilët zbulojnë dhunën seksuale në Kishën katolike në Boston, një qytet më i vogël se Këlni. Me punën e tyre, gazeta kishte zbuluar një nga kapitujt më të neveritshëm në një kronikë të Kishës Amerikane – që ka ndodhur gati 20 vjet më parë.

Në Boston në shumë vende aktet e dhunës janë heshtur, u bë presion ndaj viktimave dhe të afërmve të tyre, veçanërisht priftërinjtë-autorë u zhvendosën nga një kongregacion në tjetrin. E njeriu në krye, Kardinali i Bostonit Bernard Francis Laë, i dinte këto ngjarje. Atëherë gati 70-vjeçari dha dorëheqjen, por më vonë iu dha një post në Romë.

Kush e di se cilët priftërinj dhe peshkopë në Gjermani e kanë parë këtë film? “Spotlight” ishte një mësim jo vetëm për kishën dhe mbulimin strukturor. Filmi është edhe një homazh për gazetarinë, kërkimin dhe edukimin e vazhdueshëm, vetëimazhin gazetaresk, për t’i dhënë viktimave një fytyrë dhe për të treguar historinë e tyre. Kjo është liria e shtypit.

Në mes të nëntorit të vitit 2020, kryetari i Konferencës së ipeshkëve gjermanë, peshkopi Georg Bätzing, falënderoi mediat për kursin e tyre në Kryepiskopatën e Këlnit. Ndonjëherë ata sqaruan “atë që ne mund të mos jemi në gjendje të sqarojmë”. Bätzing e vlerësoi përpunimin e akteve dhe përpunimin e mbulimeve.

Njëri ose tjetri i interpretoi fjalët e Bätzing si një deklaratë falimentimi – në fund të fundit, kryetari i Konferencës së ipeshkëve ka një titull të bukur, por nuk ka ndikim tek peshkopët individualë në vend. Por mbase Bätzing ishte vetëm në kinema. Unë e di që puna gazetareske ndonjëherë shkon përpara – pavarësisht këmbënguljeve të kishës. Në qendër të vëmendjes ende është Këlni. Spotlight, Këln. Fenerët janë të ndezur! /DW/

The post Fytyra e zymtë e kishës! appeared first on Telegrafi.

Rënia e doktrinës Trump dhe boshllëku paraelektoral

Posted: 13 Jan 2021 04:04 AM PST

Mbi skenën politike të Kosovës mjegull e dendur ka rënë dhe për çudi edhe ujqit duken të hutuar e nuk ulërijnë. Janë të hutuar dhe në pritje. Ulërima e tyre ndodhë vetëm në kujtesën tone historike, të afërt dhe të largët. Janë pashitur pasi në qendrën e botës ka rënë një politikë e cila synonte që nacionalizmin agresiv (më saktë, gjithçka agresive) ta përdorte si karburant për ndryshime globale. Tash përkohësisht kanë mbetur jashtë përdorimi dhe ulërima e tyre ende jehon nëpër rrjetet sociale.

"Kopeja", si metaforë për elektoratin e huazuar nga fjalori fetar, është përpos e hutuar, edhe e diciplinuar me masat dhe histerinë planetare anti-Covid. Kjo frikë prej një virusi, i cili për nga tmerri që u fut në palcë njerëzve të zakonshëm, tashmë e ka tejkaluar tmerrin nga terrorizmi dhe fanatizmi fetar. Shpëlarja globale e trurit për një kohë është pezulluar dhe njerëzit e hutuar sikur janë zgjuar nga një trans apo hipnozë globale e nuk dinë nga t'ia mbajnë.

Nëse lëmë anash debatet për arsyet pse ndodhi e gjithë kjo, edhe virusi, edhe Trumpi, edhe Hashimi, edhe Vuçiqi, edhe rreshtimet e partive dhe mediave pas krejt kësaj histerie globale e cila këtu e rrëzoi një qeveri, ajo që është bë e qartë është se kufijtë nuk po dihet ende ku mbetën në agjendat e emisarëve dhe dialogut. Nuk po dihet ende çfarë boshllëku ka lënë kjo furtunë planetare, rajonale e lokale e cila iku, dhe si do të mbushet me njerëz të rinj apo me politika tashmë të përdorura të dala afati, me politikanë të shlyer nga (keq)përdorimi.

Elektorati duket se kishte fjetur në një realitet dhe është zgjuar, apo po zgjohet e mësohet pak nga pak me një ambient tjetër. Struktura ka mbetur e njëjtë, por përmbajtja ka ndryshuar. Kufijtë të cilët pritet të relativizohen duket se nuk do të jenë primarë aq sa marrëdhëniet mes komuniteteve dhe kulturave. Kufijtë nacionalë po lëkunden nën presionin e ikjeve nga atdheu dhe diasporat po e tejkalojnë numerikisht atdheun. Idetë e shteteve të mëdha nacionale dhe mbinacionale po ndërthuren dhe po fërkohen në kokat e njerëzve dhe në institucione.

Kuptimi i krejt kësaj, shumëdimensionalisht mbase do të artikulohet shpejtë nga intelektualët, artet dhe shkencat, por sidoqoftë ato tashmë po formësohen si interesa dhe si politika. Asnjë ideologji, apo ide, së paku ndër ne, duket se nuk i bie tamam kohës dhe partitë politike, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, tashmë të shpallura për ditën e të dashuruarve, ende po heshtin. Nuk dihen ende vijat e kuqe, nuk dihen as koalicionet, nuk dihen as programet, por makineria shumëmilionëshe e marketingut po shkundet e po lëvizë ngadalë për të shpërthyer në 10 ditët e fundit. Se si do të përmbyllet, askush s'e di edhe pse prognozat janë pak a shumë për një fitore të thellë të politikës e cila u thye dhe ra si qeveri.

Oferta politike para zgjedhjeve është ende e pashpalosur. E vetmja parti e cila është marrë pak a shumë me atë çfarë po ndodhë në përmasa globale, ku është vendi i Kosovës dhe shqiptarëve në këto procese, është LVV dhe lideri i saj i cili si duket e ka një ide të përgjithshme se çfarë po ndodhë në botë dhe rreth nesh. Fatkeqësisht, as qarqet intelektuale të kombit, as në Kosovë, duke u marrë me rivalitetet ndërpartiake, me gjykatat apo me histerinë e pandemisë globale, nuk është vërejtur ta kenë regjistruar apo komentuar më seriozisht këtë proces dhe konflikt global. Partitë e tjera, bazuar në retorikën e tyre, duket se nuk kanë ide çfarë po ndodhë, por kemi vetëm një rreshtim pragmatik pas interesave të fuqive të caktuara në rajon, ndërkohë që pas rënies së administratës Trump kanë mbetur krejtësisht të hutuar, sidomos Lidhja Demokratike, ndërkohë që Partia Demokratike e mbetur pa liderët e saj historikë, po e përjeton të njëjtën gjendje hutie me atë që e përjetoi LDK pas vdekjes së presidentit Rugova. Dallimi është vetëm te dy rrymat në këtë parti – njëra mban shpresë në rikthimin triumfal të tyre, pra edhe në politikë, ndërkohë që pjesa më e madhe e elektoratit dhe anëtarësisë pak a shumë e parandiejnë fundin e tyre politik.

Dy partitë më të vogla, që po ashtu njihen si krahu I luftës, e vazhdojnë insistimin në meritat historik, por ende nuk kanë gjetur mbështetje, as në LDK as në PDK, ku kishte pritshmëri. Arsyet e këtyre dy partive për rezerva janë të ndryshme, por ato të PDK-së janë të karakterit më personal, sepse roli udhëheqës i tyre rrezikon pozitën e Thaçit si lider historik i ashtuquajturës vijë të luftës.

Edhe LDK, e mbetur pa lider moral, si pasojë e keqpërdorimit dhe komprometimit të disa figurave kyçe të saj në lojën e ish-presidentit Thaçi dhe emisarit Grenell, nuk ka guxim të ofroj pozitën e presidentit për një person aq dinamik, këmbëngulës dhe aq agresiv si z. Haradinaj, Duke pasur parasysh ndikimin që e kishte z. Thaçi te disa figura kyçe të LDK-së dhe marrëdhënien e veçantë të z. Haradinaj me ish-presidentin Rugova, kjo padyshim rrezikon lidershipin e saj aktual.

Suma sumarum, dallimi mes LDK-së dhe PDK-së asnjëherë nuk ka qenë programor sa historik dhe largimi i liderëve historikë të PDK-së dhe mungesa e një udhëheqësi shpirtëror në LDK, fare lehtë mund të vijë deri te një shkrirje mes tyre, aq më tepër që edhe struktura dhe interesat e tyre pak a shumë nuk dallojnë shumë edhe pse as bashkërisht këto dy parti nuk duket se mund të jenë konkurrente me LVV.

Kështu, tërmeti global me epiqendër në Uashington, pos hutisë së parë pritet të sjell rreshtim edhe nëpër kontinente e rajone, pra edhe ndër popujt dhe vendet e vogla. Formula të gjithë kundër LVV-së si e vetme e cila mbase do të ndalte fitoren e kësaj duket me pakë gjasa të arrihet dhe hutia kolektive pritet të shpërndahet, ndoshta qysh me 15 shkurt. Ky "Shënë Valentin" duket se do të na ikë pa daljet tradicionale nëpër lokale dhe pa puthjet publike të qifteve të .

Sido që të jetë, këto zgjedhje do të përmbyllin kuptimisht një vit shumë të keq, e mbase edhe një epokë pas çlirimit po aq të lodhshme përplot turbulenca e me plotë energji negative.

The post Rënia e doktrinës Trump dhe boshllëku paraelektoral appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more