Skip to main content

“A do të arrijë Evropa të bashkohet rreth planit financiar për rimëkëmbjen?” plus 1 more Telegrafi Opinione

“A do të arrijë Evropa të bashkohet rreth planit financiar për rimëkëmbjen?” plus 1 more Telegrafi Opinione


A do të arrijë Evropa të bashkohet rreth planit financiar për rimëkëmbjen?

Posted: 31 May 2020 09:58 AM PDT

Darren McCaffrey

Depozitat e bankave po rriten në të gjithë Evropën, teksa njerëzit i përgjigjen krizës që godet ekonomitë e kontinentit. Nga Franca në Itali, dhjetëra miliarda euro u depozituan në banka ndërsa qytetarët shqetësoheshin për të ardhmen e tyre financiare dhe i larguan paratë për të përballuar një të ardhme të pasigurt.

Në Gjermani gjërat janë pak më ndryshe. Nëpër banka depozitat ranë, pasi janë bërë tërheqje të mëdha parash. Pse? Gjermanët priren të mbajnë kursimet e tyre në vete gjatë një krize; një fenomen i ngjashëm ndodhi në kulmin e krizës financiare të vitit 2008. Banka Qendrore Gjermane raportoi se paratë në qarkullim u rritën me një shumë masive prej 39.7 miliardë € që nga fillimi i vitit.

Pavarësisht nëse paratë janë në shtëpi apo në bankë, çka po ndodh tregon që besimi ka rënë; që fuqia blerëse nuk mund të ndihmojmë ekonominë e Evropës nga rënia e saj.

Ky lajm, midis një varg parashikimesh për përkeqësimin, po grumbullon presion mbi Bashkimin Evropian, që ky i fundit të dalë me një plan afatgjatë të rimëkëmbjes. A mund të dalë Komisioni Evropian me një plan për të bashkuar të gjithë?

Nga njëra anë, janë Gjermania dhe Franca që kanë bashkuar forcat për të kërkuar një fond të rimëkëmbjes prej 500 miliardë euro. Paratë do të grumbullohen nga huamarrja e Komisionit Evropian në tregjet e kapitalit dhe do të përdoren për të mbështetur shpenzimet e BE-së përmes granteve.

Në anën tjetër, të ashtuquajturat 'Frugal Four' – Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia – kanë dalë me një kundër-propozim që kundërshton grantet dhe miraton një qasje 'kredi për kredi', e shoqëruar me reforma.

A mund të pajtohen? Propozimi i 'Frugal Four' duket se është thjesht aq, një propozim, sesa një vijë e kuqe për të mos u kaluar. Do të duhet të arrihet një marrëveshje. Dhe, megjithëse shtetet anëtare kanë të drejtën e vetos, cili udhëheqës do të dëshironte të shkatërronte një marrëveshje që Evropës i duhet kaq shumë në mes të një pandemie? Pesha e kombinuar e Gjermanisë dhe Francës do të rëndojë shumë.

Kështu që plani i Von der Leyen është një moment përcaktues në përgjigjen e Evropës ndaj krizës dhe gjithashtu mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në integrimin në BE, me huazimin e Komisionit tek tregjet e kapitalit në një shkallë që nuk është parë në histori.

Ende ka shumë pyetje pa përgjigje, veçanërisht se si do të paguhen kreditë dhe si do të shpërndahen paratë. Gjithashtu, kushtet e bashkangjitura për mbështetjen e BE, veçanërisht ideja rreth reformave të rimëkëmbjes ekonomike, do të jenë pjesë thelbësore e debatit.

Por, debati nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Brukseli u akuzua se ishte shumë i ngadaltë në reagim kur u godit nga kjo krizë, dhe nuk mund të përballojë të mos udhëheqë rimëkëmbjen – një rimëkëmbje për të cilën Evropa ka nevojë të madhe, një rikuperim që nuk mund të presë.

The post A do të arrijë Evropa të bashkohet rreth planit financiar për rimëkëmbjen? appeared first on Telegrafi.

Testi i zinxhirit global ushqimor

Posted: 31 May 2020 09:27 AM PDT

The Economist

Nëse jetoni në një vend të pasur dhe doni një shembull të tregtisë dhe bashkëpunimit global, mjafton t'i hidhni një sy pjatës suaj të darkës. Kur në Perëndim nisi izolimi dy muaj më parë, shumë njerëz u frikësuan se nuk do të kishin ushqime të mjaftueshme si bukë, gjalpë dhe fasule dhe filluan të blinin me shumicë për të pasur rezerva. Sot, falë kamionëve të shpërndarjes që mbushin raftet e supermarketeve, ju mund të hani sa të doni.

Kjo mrekulli kapitaliste nuk pasqyron një plan monolit, por një zinxhir global furnizimi prej tetë trilionë dollarësh që po përshtatet me një realitet të ri, ku me miliona firma po marrin vendime spontane, nga ndërrimi i furnizuesve të orizit në Azi, e deri te rimodelimi i frigoriferëve.

Sistemi nuk është aspak i përsosur: teksa të ardhurat bien, më shumë njerëz mbeten të uritur. Ekzistojnë rreziqe të ndryshme, që nga mungesa e punës, deri te të korrat e këqija. Dhe është ironik fakti që industria po përballet me një krizë që ndoshta ka nisur me shitjen e mishit të pangolinës në një treg në Vuhan. Por, rrjeti ushqimor tani po kalon një provë të rëndë.

Është thelbësore që, gjatë dhe pas pandemisë, qeveritë të mos bien pre e një fushate të gabuar për t'u mbështetur te vetja.

Zinxhirët e furnizimit të drejtuar nga një iPhone, ose një komponent automjeti që përshkon lumin Rio Grande, janë çudira të koordinimit modern. Por ylli i pashuar i logjistikës së shekullit XXI është sistemi global i ushqimit. Duke e çuar prodhimin nga fusha te piruni, ky sistem përbën 10% të PBB-së botërore dhe punëson rreth 1.5 miliardë njerëz. Furnizimi global ushqimor është trefishuar që nga viti 1970, pasi popullsia është dyfishuar në 7.7 miliardë njerëz.

Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve që vuajnë nga pamjaftueshmëria e ushqimit ka rënë nga 36% në 11%, dhe një shinik misri ose mish viçi kushton më pak sot se 50 vjet më parë, në terma realë. Eksportet e ushqimit janë gjashtëfishuar gjatë 30 viteve të fundit; katër të pestat e njerëzve jetojnë pjesërisht me ushqimet e prodhuara në një vend tjetër.

Kjo ndodh pavarësisht qeverive, jo falë tyre. Megjithëse roli i qeverive ka rënë, ato ende rregullojnë ndonjëherë çmimet dhe kontrollojnë shpërndarjen. Tarifat bujqësore të Bashkimit Europian janë katër herë më të larta se ato të importeve jobujqësore. Rreth një duzinë eksportuesish të mëdhenj, përfshirë Amerikën, Indinë, Rusinë dhe Vietnamin, kanë peshën kryesore në prodhime si gruri dhe orizi. Gjysmë duzinë kompanish tregtare, si Cargill nga Minesota dhe COFCO nga Pekini, shpërndajnë ushqime në të gjithë botën.

Përqendrimi dhe ndërhyrja e qeverisë, së bashku me trazirat e klimës dhe bursës së tregut të mallrave, tregojnë se sistemi është i rregulluar në imtësi dhe një dështim mund të ketë pasoja shkatërruese. Në vitet 2007-2008, të korrat e këqija dhe kostot e larta të energjisë, shkaktuan rritjen e çmimeve të ushqimeve. Si rezultat, qeveritë i zuri paniku për mungesa ushqimore dhe ndalën eksportet, duke shkaktuar edhe më tepër ankth dhe rritje çmimesh. Rezultati ishte një valë trazirash dhe shqetësimesh në botën në zhvillim. Ishte kriza më e keqe ushqimore që nga vitet 1970, kur çmimet e larta të plehrave kimike dhe moti i keq në Amerikë, Kanada dhe Rusi, çuan në rënien e prodhimit të ushqimit.

Pavarësisht goditjes së rëndë, çdo shtresë e sistemit është përshtatur. Furnizimi i drithërave është i qëndrueshëm, me ndihmën e të korrave të fundit dhe stoqeve të larta. Kompanitë shpërndarëse dhe portet vazhdojnë të qarkullojnë ushqim në sasi të mëdha. Ndalimi i ngrënies brenda restoranteve ka pasur pasoja dramatike për disa kompani. Shitjet e McDonald's kanë rënë me rreth 70% në Europë. Shitësit e mëdhenj me pakicë kanë pakësuar degët e tyre dhe kanë rimodeluar shpërndarjen.

Kapaciteti elektronik i tregtisë ushqimore në Amazon është rritur me 60%; Walmart ka punësuar 150 mijë persona. Shumica e qeverive kanë mësuar nga kriza e viteve 2007-2008 dhe kanë shmangur proteksionizmin. Për sa u përket kalorive, vetëm 5% e eksporteve të ushqimit përballen me kufizime, në krahasim me 19% në ato vite. Deri tani, çmimet kanë rënë.

Teksa industria është globalizuar, ajo është bërë më e përqendruar, duke krijuar ngushtime. Në disa thertore amerikane mishi, përhapja e COVID-19 ka ulur furnizimet me mish derri me një të katërtën – dhe ka rritur licencat e gjuetisë së gjelave të egër në Indiana me 28%. Amerika dhe Europa do të kenë nevojë për mbi 1 milion punëtorë emigrantë nga Meksika, Afrika e Veriut dhe Europa Lindore për të nxjerrë të korrat.

Dhe ndërsa ekonomia tkurret dhe të ardhurat bien, numri i njerëzve që përballen me mungesa ushqimore mund të rritet – nga 1.7% e popullsisë së botës në 3.4%, përfshirë disa vende të pasura. Kjo reflekton mungesë parash, jo ushqimi, por nëse njerëzit vuajnë nga uria, qeveritë sigurisht që do të marrin masa të jashtëzakonshme.

Rreziku i tanishëm është që rritja e varfërisë ose pengesat në prodhim do të shkaktojnë panik te politikanët, duke depozituar rezerva ushqimore dhe duke kufizuar eksportet. Ashtu si në vitet 2007-2008, kjo mund të shkaktojë një kundërpërgjigje që do t'i përkeqësonte gjërat.

Qeveritë duhet të qëndrojnë të patundura dhe ta mbajnë sistemin e ushqimit të hapur për biznes. Kjo do të thotë të lejohet prodhimi përtej kufijve, të ofrohen viza dhe kontrolle shëndetësore për punëtorët emigrantë dhe të ndihmohen të varfrit duke u dhënë para, jo duke ruajtur rezerva. Gjithashtu duhet parandaluar përqendrimi i mëtejshëm i industrisë, i cili mund të rritet, nëse kompanitë e dobëta të ushqimit falimentojnë ose blihen nga ato më të mëdha. Dhe sistemi duhet bërë më transparent, i gjurmueshëm dhe i përgjegjshëm, për shembull, me certifikimin dhe standardet cilësore – në mënyrë që të jenë sa më të pakta shanset e transmetimit të sëmundjeve nga kafshët te njeriu.

Të konsiderosh ushqimin si çështje e sigurisë kombëtare është diçka e mençur; por ta shtrish këtë ide në vetëmjaftueshmëri dhe ndërhyrje të hapur, nuk është aspak një mendim i mirë. Që në vitin e kaluar, ushqimi u bë pjesë e një lufte tregtare. Amerika kërkoi të menaxhojë eksportet e sojës dhe të vendosë tarifa për djathin. Presidenti Donald Trump i ka caktuar thertoret e mishit si një pjesë kritike e infrastrukturës së Amerikës. Presidenti Emmanuel Macron ka bërë thirrje që Europa të ndërtojë "autonominë e saj strategjike" në bujqësi. Megjithatë, autarkia e ushqimit është një mashtrim. Ndërvarësia dhe diversiteti na bëjnë më të sigurt.

Puna e nevojshme për të reformuar sistemin e furnizimit ushqimor nuk ka mbaruar ende. Në 30 vitet e ardhshme, furnizimi duhet të rritet me rreth 50% për të përmbushur nevojat e një popullsie më të pasur dhe në rritje, edhe pse në të njëjtën kohë, gjurmët e karbonit të sistemit duhet të paktën të përgjysmohen. Është i nevojshëm një revolucion i ri i produktivitetit, që përfshin gjithçka, nga serat e teknologjisë së lartë pranë qyteteve, deri te robotët që mbledhin fruta.

Kjo do të kërkojë të gjithë shkathtësinë dhe zotësinë e mundshme nga ana e tregjeve, dhe shuma të mëdha të kapitalit privat. Këtë mbrëmje, kur të merrni shkopinjtë ose thikën dhe pirunin për të ngrënë, mendoni për ata që janë të uritur, por edhe për sistemin që ushqen botën. Ai duhet të lihet i lirë të kryejë punën e vet, jo vetëm gjatë pandemisë, por edhe pas saj.

The post Testi i zinxhirit global ushqimor appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more