Skip to main content

“Virusi dhe kostoja e jetesës” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Virusi dhe kostoja e jetesës” plus 1 more Telegrafi Opinione


Virusi dhe kostoja e jetesës

Posted: 31 Mar 2020 05:20 AM PDT

Jacques Attali

Jemi munduar shumë të bëjmë krahasimin e kësaj krize ekonomike me ato të mëparshmet, dhe jo sa duhet të kësaj epidemie me paraardhëset.

Sidoqoftë, nëse kërkojmë në këtë drejtim, zbulojmë shpejt diçka që duhet ta na bëjë ta shohim më qartë rrugën përpara.

Në epidemitë e mëparshme, në mijëvjeçarë, jeta e njeriut, përveç asaj të të fuqishmëve, nuk llogaritej shumë; ishte e shkurtër, pa asnjë vlerë reale, as ekonomike dhe as ide psikologjike. Meqenëse nuk kishte asnjë mënyrë terapeutike për të mbrojtur jetën, mbetej thjeshtë "dorëheqja". Për më tepër, në shumicën e qytetërimeve, interesi për jetën përcaktohej nga forma të ndryshme të fesë.

Kur filluam të kishim mjete e të mbrohemi, u shpikën vaksinat, ne në shumicën e situatave vazhduam të jetonim si më parë, të ndërprerë vetëm nga epidemitë. Sot kemi ardhur në një situatë rrënjësisht të re: në disa nga vendet më të pasura, jeta është bërë me një vlerë të pafundme. Jo vetëm sepse jetojmë shumë më gjatë. Jo vetëm sepse aftësia prodhuese e secilit është më e rëndësishme se kurrë; por mbi të gjitha sepse, ideologjikisht, etikisht, nuk pranojmë më të masim vlerën e jetës me kritere ekonomike.

Në shumë vende tjera, madje edhe ndër më të pasurit, kujdesi është ende i racionuar, në mënyrë të nënkuptuar ose shprehimisht. Dhe, ka shumë vende, jo domosdoshmërisht të njëjta, që nuk pranojnë të vendosin shëndetin e njerëzve para funksionimit të ekonomisë. Ky është veçanërisht rasti në Brazil. Ca më pak e qartë në ShBA, ku presidenti është i fiksuar me çmimin e aksioneve.

Debati është shumë i qartë. Ne kemi parë gjyshërit të thonë që ata ishin të gatshëm të vdisnin, duke e ekspozuar veten në epidemi, në mënyrë që fëmijët dhe nipërit e tyre të mund të kishin punë. Me fjalë të tjera, në këto vende, kërkesat e shëndetit dhe ekonomisë janë kontradiktore. Kjo na çon në një pyetje marramendëse, që rrallë shtrohet në mënyrë të qartë: çfarë rreziqesh jemi të gatshëm të marrim, individualisht dhe kolektivisht, në të tashmen dhe të ardhmen, që shoqëria jonë të funksionojë çdo ditë?

Përgjigja është e qartë: ka mjaft nga ata që janë të gatshëm për të ndërmarrë rrezik kur të tjerët nuk kanë zgjidhje. Përkundër këtij fakti, sa më mirë që një shoqëri mbron dhe shpërblen këto njerëz, ekspozimi i rrezikut të të cilëve është jetësor për të tjerët, aq më mirë i mbron të tjerët nga rreziqet.

Që shoqëria të funksionojë, natyrisht, ajo para së gjithash duhet të jetë në gjendje të mbrojë sa më fort ato persona, puna e të cilëve është jetike për funksionimin e saj dhe nuk mund të bëhet nga distanca.

Dhe, duhet prodhuar gjithnjë e më shumë pasuri dhe punë në këta sektorë të mbrojtjes, parandalimit, për të siguruar të tashmen dhe të ardhmen; sektorë të cilët, drejtpërdrejt ose indirekt, u është dhënë misioni i mbrojtjes së jetës: shëndetësia, ushqimi, ekologjia, higjiena, arsimi, siguria, tregtia, informacioni; dhe shumë të tjerë.

Ne duhet të kuptojmë se këta sektorë të ekspozuar, të cilët sigurojnë kushtet për funksionimin jetësor të shoqërive tona, janë në mes të trazirave. Deri para pak kohësh, ato janë trajtuar vetëm si shërbime dhe për këtë arsye nuk kishin ndonjë potencial rritjeje.

Risia, lajmi i mirë, është se ato në këtë kohë janë kthyer jo vetëm në shërbime, por edhe në industri, të afta për të rritur produktivitetin e tyre. Tani ne e kuptojmë më mirë mbështetjen që atyre u duhet dhënë për të përmbushur misionin e tyre. Duke bërë çdo përpjekje që punëtorët dhe industritë e jetës të marrin vendin që u takon ne do të shpëtojmë kombet, civilizimet dhe ekonominë.

Ndërsa presim që një strategji e tillë të ndërtohet, mbase mund t'u rekomandojmë atyre që kanë privilegjin të punojnë ndërsa janë të kufizuar, të kushtojnë pak nga koha e lirë (të paktën nëse e kanë) dhe të pyesin në veçanti se si mund të jenë të dobishëm, me punën e tyre ose jashtë punës së tyre, pa u ekspozuar vetë, për ata që ekspozojnë veten e tyre. Kështu, duke nisur me këtë mënyrë modeste, ne duhet të shërbejmë për mbijetesën e qenieve njerëzore. /Mapo/

The post Virusi dhe kostoja e jetesës appeared first on Telegrafi.

Nostalgjia dhe dilemat mbas koronavirusit

Posted: 31 Mar 2020 02:47 AM PDT

Mjekët thonë se kur njeriu vjen rreth të pesëdhjetave, shëndeti rrezikohet më së shumti, mbasi organizmi provon rigjenerimin. Kam fituar bindjen se në këtë moshë, njëfarë rigjenerimi pëson edhe truri i njeriut, duke u shtuar edhe ndjenja e nostalgjisë.

Shkrimtari i shquar çek, Milan Kundera, gjithë opusin e tij të magjishëm e ka ndërtuar pikërisht mbi nostalgjinë, madje ai shkruan me njëfarë nostalgjie të trishtë edhe kur atdheu i tij u shtyp nga tanket ruse në vitin 1968.

Tetorin e vitit të kaluar më pushtoi nostalgjia për vendlindjen, më saktë për rajonin e Artakollit, të cilin nuk e kisha eksploruar më shumë se tridhjetë vite. Koha ishte ideale dhe me diell, derisa pasioni për ta rinjohur vendlindjen dhe njerëzit me të cilët kisha kaluar një pjesë të jetës, më mbërtheu si asnjëherë më parë.

Nuk dëshiroja të shoqërohesha me askend dhe kisha ndjesinë se vetmia do të ishte prehja ime më e mirë. Kur mbërrijta në vendlindje, me vete mora gjithçka që më duhej, por doli se kisha gabuar me ujin. Malet e Qyqavicës janë të thata, por unë i mbaja mend krojet e rralla ku mund të pija ujë. Në vend të ushqimit të zakonshëm, ushqehesha me pemë që kishte me bollëk gjithandej katundeve të bukura që shtrihen rrëzë Qyqavicës, por aty ku e mbaja mend kroin e parë, ndodhi e papritura. Pak vite më parë ishte asfaltuar rruga që lidhë vendlindjen me Drenicën e Pashës dhe kompania që kishte ndërtuar rrugën e kishte shkatërruar kroin! Vetëm atëherë kur vendos të eksplorosh cilëndo hapësirë të Kosovës së bukur, sheh se flora dhe fauna janë dy specie në zhdukje dhe vetëm atëherë vjen në përfundim sa e vrazhdë dhe e pakujdesshme është dora e njeriut tonë.

Por, ishte një tjetër krua që gjendej disa milje larg vendlindjes time, i cili ishte bërë me nam në vitet shtatëdhjetë, kur isha fare fëmijë. Mbasi për shkak të atij kroi ishin thurur dhjetëra legjenda, këmbët padashur më dërguan atje. Në katundin (që në këtë rast për shkak të ndjeshmërisë nuk dua t'ia përmend emrin), mbërrijta në orët e mbasditës. Kur mbërrijta në lagjen kur dyzetepesë vjet më parë kishte ndodhur tragjedia, mbasi për shkak të kroit ishin vrarë e plagosur njerëz, u ndjeva i trishtë. Në lagjen me rreth dyzet shtëpi të reja dhe të ngritura në tridhjetë vitet e fundit, nuk jetonte askush! Në kopshtet e të gjitha shtëpive shquheshin ftonj të egër e të mëdhenj dhe mollë e dardha të bukura bio, të cilat duke qenë me bollëk, ishin tengërlitur deri në rrugën ku po kapërceja. Për habinë time, heshtjen funebre e thyente vetëm gurgullima e ujit të kroit për të cilin ishin vrarë e plagosur njerëz, por asnjëri nga ata banorë nuk jetonte aty!

Tragjedia nuk kishte ndodhur për mungesë uji, por për krenari primitive, mbasi kroi jo vetëm kishte ujë të bollshëm për dy familjet e përgjakura dikur, por për gjithë katundin. A thua cili nga banorët e këtij katundi, do të kishte menduar se jo më larg se tridhjetë vjet më vonë, jo vetëm do ta braktisnin kroin, por edhe të gjitha shtëpitë e bukura, në kërkim të një hapësire të re?! Që të kuptohemi më saktë, braktisje të këtilla kanë ndodhur dhe po ndodhin në dhjetëra katunde gjithandej Kosovës…

Para pak ditësh, u mrekullova me një kolumne sa të gjatë e po aq të thellë dhe sa humane e po aq njerëzore të shkrimtarit hebraik, Youval Noah Harari. Në dilemën e tij me titull "Bota pas koronavirusit", shkrimtari hebraik kishte trajtuar shumë çështje interesante, të cilat pikërisht në këtë kohë, kur pandemia globale është duke kërcënuar mijëra jetë njerëzish gjithandej globit, na vë para dilemave të mëdha. Shkrimtari hebraik shtron dilemën, si do të jetë jeta jonë dhe si do të duket bota pas "epokës" së koronavirusit?

Kjo është dilema e këtyre ditëve që më provokon më së shumti, se ku do të jemi dhe si do të gjendemi ne shqiptarët, mbasi të përfundojë ky cikël i rrezikshëm, të cilin unë kam nisur ta quaj "kolera e radhës".

Të gjithë popujt mbas çdo lufte janë këndellur, edhe kur kanë pësuar tragjedi të mëdha në njerëz dhe mbasi kanë humbur pasuri marramendëse, por kjo nuk ndodhi me shqiptarët mbas luftës së fundit në Kosovë. Kur ishim në gjendje okupimi, secili prej nesh në imagjinatën tonë disejnonim të ardhmen e bukur të Kosovës. Pikërisht më 12 qershor të vitit '99, kur ndodhi kthesa e madhe me hyrjen e forcave të Aleancës veriatlantike në Kosovë, në vend se të ndodhte mrekullia për ndërtimin e vendit, fatkeqësisht ndodhi ajo që nuk e priste asnjeri. Turma njerëzish ia mësyen të plaçkitnin gjithçka që kishin përpara dhe të shkatërronin edhe atë pak kulturë e trashëgimi për mirëqenie e shtetndërtim. Njerëzit e ndershëm dhe dinjitoz, për të parën herë në jetën e tyre nisën ta ndjejnë veten të huaj në atdheun e tyre dhe u ndjenë të padobishëm për të bërë diçka të mirë për vendin e tyre.

Urojmë që fatkeqësinë e koronavirusit ta kalojmë me humbje sa më të vogla në njerëz dhe urojmë që mbas "kolerës së radhës", të na shkrepë fati në fatkeqësi.
Mbas fitores kundër koronavirusit, gjithçka është e mundur!

The post Nostalgjia dhe dilemat mbas koronavirusit appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more