Skip to main content

“Të premten mblidhet komisioni hetimor për Metën, merret në pyetje Ardian Dvorani” plus 9 more - Gazeta Dita

“Të premten mblidhet komisioni hetimor për Metën, merret në pyetje Ardian Dvorani” plus 9 more - Gazeta Dita


Të premten mblidhet komisioni hetimor për Metën, merret në pyetje Ardian Dvorani

Posted: 25 Feb 2020 01:45 AM PST

Te premten ne oren 13:00 mblidhet komisioni hetimor per presidentin Meta.

Në Komision do të merret në pyetje kreu i KED Ardian Dvorani.

o.j/dita

ILD forcon radhët, KLP miraton emrat që do kalojnë në filtër vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve “KÇK”

Posted: 25 Feb 2020 01:29 AM PST

Pas marrjes së kompetencave të reja, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur forcimin e radhëve për të kaluar në filtër vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për vitet e fundit, kur janë pezulluar si pasojë e periudhës tranzitore deri në ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Pas kërkesës së kreut të ILD-së për staf mbështetës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi dje dy vendime të rëndësishme duke iu përgjigjur thirrjes.

KLP-ja miratoi vendimin për komandimin e Mirela Kapos në stafin e ILD-së.

Gjithashtu është miratuar edhe vendimi për fillimin e procedurës për verifikimin e figurës për kandidatët që kanë shprehur interesin për t'u komanduar si inspektor në ILD.

"Para Këshillit janë prezantuar opinionet për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t'u komanduar pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Midis 2 kandidaturave, Këshilli miratoi me 10 vota pro, opinionet për kandidimin e znj. Mirela Kapo. 

Me 10 vota pro janë miratuar projekt-vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kancelarët në detyrë në sistemin e prokurorisë dhe projekt vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët që kanë shprehur interesin për t'u komanduar si inspektor në ILD, si vijon: Elena Pelushi, Xhevahir Lita, Daniela Sulaj, Sonila Muhametaj Domi", thuhet në njoftimin e KLP-së.

Por çfarë do të bëjë ILD-ja?

Ligji i miratuar në 12 shkurt, në Kuvend ka synim hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilësuar “KÇK” nga ILD-ja dhe pezullim brenda 6 ditëve.

Artur Metani u shpreh pak ditë më parë se numri i ankesave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve ka shkuar mbi 900 në tre vitet e fundit dhe për këtë shkak kërkoi staf, që ka nisur të plotësohet nga KLP-ja.

 j.l./ dita

Deliri i Edi Ramës dhe një shprehje e gjyshes

Posted: 25 Feb 2020 01:20 AM PST

Nga Bedri Islami

Edi Rama, shefi i qeverisë, është në delir. Në delir politik, pasi Konferenca e Donatorëve shkoi tej parashikimit të tij dhe mund të quhet si arritje politike kryeministrore; në delir panballkanik, pasi, megjithë zërin e arsyes që të mos ketë ngutje në krijimin e një fronti minishengenist, që në fakt nuk është i tillë, shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar sivëllain kryeministër në Kosovë, se ky "fondacion" do të bëhet edhe pa qenë Kosova e pranishme; në delir tërmetor, pasi dalldia i thotë se vetëm ai do e mund këtë fatkeqësi natyrore; në delir qeveritar, pasi i duket se i gjithë ekipi i tij është më i miri i krijuar ndonjëherë në këtë vend; në delir pëpëpëist, pasi, edhe pse struktura të rëndësishme ndërkombëtare i kanë bërë thirrje të ketë kujdes nga kjo rëndesë humnerizuese, ai e vazhdon rrugën e dhënës së koncesioneve mostra, e në fund, edhe në një delir parlamentar, pasi tani, në atë parlament, askush nuk i thotë mos, dhe , edhe nëse dërgon ndonjë dekret për shpalljen e tij si mbreti i Parë Edi, ata do të ngrinin kartonat.

Deliri politik: Konferenca e Donatorëve, mbi të gjitha, ishte një shtysë për të ndihmuar një shtet, të cilit i merren këmbët dhe ku ekonomia e tij është drejt rënies së paparashikuar. Është një fat i pazakontë që më shumë se 100 shtete bëhen bashkë për të ndihmuar një shtet ballkanik, më shumë ngatërrestar nga qeveritë e tij, se sa tolerant e ndërtues; është fat që donacionet – dhuratë ishin në një lartësi që mund të mbulojnë të gjithë dëmet e tërmetit, ishte fat, po ashtu, që donacionet – kredi, janë me një interes shumë të ulët e nganjëherë pa asnjë shtesë.

Shuma më e madhe, afër 800 milionë euro janë më shumë për të ardhmen, se sa për të sotmen, dhe duhet të besojmë tek kontrolli i rreptë i strukturave ndërkombëtare për menaxhimin e tyre.

Në momentin kur mbarojnë donacionet – dhuratë dhe fillojnë kreditë, duhet të mbarojë edhe deliri politik i shefit të qeverisë.

Nëse ky delir vazhdon edhe më tej, o të thotë se asgjë nuk është mësuar nga shtatë vitet e shkuara dhe, si duket, asgjë nuk e ka ndër mend të mësohet.

Fati i tij, edhe në këtë rast, është opozita, ose më saktë, një pjesë e saj, e cila, edhe kur përfaqësohet nga gratë e politikës, del në skenë me një gjuhë halabake, e pabesuar dhe meskine.

Deliri panballkanik: shumë vite më parë, ka qenë krejt e mundur që politika perëndimore të kenë parë tek Edi Rama modelin e mundshëm të një lideri europian në trevat ballkanike, ndaj edhe e kanë mbajtur më pranë vetes se gjithë të tjerët. Artist nga profesioni, i shkathët dhe elokuent nga dialogu, pa mëkate të së shkuarës në qeverisjen e lartë, pa ndeshje direkte me institucionet ndërkombëtare, përballë liderëve të tjerë ballkanas, të cilët, ose vinin nga lufta, si ato të Bogradit, ose nuk kishin asnjë aureolë mbi vete.

Megjithëse të gjithë e dinë se kjo kohë ka mbaruar dhe ai u bë, si shumë të tjerë, modeli që nuk duhet ndjekur i relativizmit ballkanas, përsëri, me idenë e tij të minishengenit, synon të jetë i tillë.

Analistë të shumtë kanë treguar se minishengeni, i cili nuk kalon përmes Prishtinës dhe nuk e përfshin atë, si e keqja më e vogël e kësaj ideje, është i pakohshëm, jo i duhur, i ngushtë, pa dobi dhe jo në interesin strategjik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Megjithatë ai po shkon më tej. Dy ditë më parë ai i dërgoi mesazhin e tij kolegut shqiptar në prishtinë se, "minishengenin e bëjmë dhe pa Prishtinën", kur krejt natyrshëm do të duhej të thonte se " Pa prishtinën nuk ka asnjë strukturë të tillë, dhe këtë mund ta bëjmë edhe pa Beogradin".

Këshilltarët e tij në Prishtinë, megjithë kohën që ka kaluar, ende kanë nostalgjinë e takimeve të feshta me strukturat e larta të shërbimit sekret serb, por kjo nuk është minishengen. Është diçka tjetër.

Deliri tërmetor : tërmeti i nëntorit të vitit të shkuar tregoi se shteti ishte i përgjunjur. Megjithë mesazhet nëntokësore të dërguara disa muaj para 26 nëntorit, qeveria kishte shkuar në shtratin e madh të harresës.

Ndoshta kjo i shtoi dëmet. Por tregoi se dëmi më i madh është gjumi qeveritar.

Tërmeti do të ketë për shumë kohë pasoja, por, është krejt e mundur që shefi i qeverisë ta shohë këtë si një rast për të rritur kredencialet e tij, për të krijuar besimin se vetëm ai mund ta mposhtë këtë dhe se, pa atë vetë, asgjë nuk mund të bëhet.

Ky delir mund të kushtojë shtrenjtë. Më shtrenjtë nga sa mund të mendohet tani.

Po të ishte se duhej kaluar në delir nga mposhtja e tërmetit, përmes donacioneve të huaja, ndihmave, kredive , etj, lehtësisht mund të mendohet se në çfarë deliri duhej të ishin shtetarët e vitit 1979, që në pak muaj, maj – shtator, përballuan tërmetin e 15 prillit.

Të bjerë a të mos bjerë tërmet, nuk është në dorën e qeverisë, në asnjë vend të botës. E as në fallet e një presidenti.

Të mos kalohet në delir, kjo është detyrë parësore e një qeveritari.

Deliri pushtetor: vështirë se mund të kishte një qeveri e cila të përfaqësojë më pak se askush tjetër forcën politike që e ka deleguar.

E po ashtu, me disa përjashtime të veçanta, vështirë të gjesh një qeveri , e cila, në strukturën e saj, të ketë kaq shumë njerëz të panjohur për partinë qeverisëse, por edhe për njerëzit.

Mosrealizimet e shumta, defiçitet në buxhet, financat e shkatërruara, spekullimet, korrupsioni i njohur, PPP-të lakmitare, mungesa e veprave serioze dhe e investimeve të huaja, do të duhej të kishim, të paktën në paraqitje, një qeveri më kokëulur dhe më të frutshme.

Ndodh e kundërta. Është e habitshme se si kaq mendjelehtësisht po kalojnë në harresë ngjarje tronditëse, se si po menazhohet shteti, si bëhet kalimi në duart e një grushti njerëzish e pasurisë kombëtare, se si kaq lehtësisht pranohet se do të marrim punëtorë të huaj, nga një botë e tretë, çka ishte paralajmëruar shumë kohë më parë nga një biznesmen i fuqishëm dhe i mbështetur nga shefi i qeverisë – në të njëjtën kohë kur mjeshtërit tanë po ikin.

Deliri PPP-ist : ndoshta më rrënuesi për qeveritë e së ardhmes, por, mbi të gjitha, për njerëzit. Askush nuk e di saktësisht se sa koncensione janë dhënë deri tani dhe cili klientelizëm po sundon shtetin.

Hapja e një kutie të ngushtë "pandore", mes dy bosëve medialë, tregoi shumë më tepër nga sa mund të jetë marrë me mend. Tregoi se abuzimi është bërë normë, se për hir të pasurimit janë të gatshëm të nxjerrin të palarat, se si shteti sillet rreth një grupimi njerëzish, ku mbështetet për të mbajtur  pushtetin , dëshmoi se sa e lehtë është të përfitosh nga qeveria, nëse asaj i duhesh në një moment të caktuar, solli prova se ndarja e punëve nuk bëhet sipas meritës dhe kostove më të ulta, por përmes zyrave qeveritare. Nëse kostoja e tashme e PPP-ve na duket e madhe, ajo e së ardhmes do të jetë tronditëse.

E, megjithatë, shefi i qeverisë nuk heq dorë. Për një shkak të vetëm, është në delir!

Deliri parlamentar : në fakt kemi një parlament të mangët, por që është legjitim. Ata që u tërhoqën nga parlamenti, në një mënyrë krejt absurde, lanë pas vetes listat e tyre. Pra, ishte skalioni i dytë apo i tretë i tyre, por ishin të tyret. Në listat e LSI dhe të PD nuk vuri dorë Edi Rama. I ndërtuan vetë dhe, po vetë, duhet të ndëshkohen për zgjedhjen e tyre.

Si cilësova, është legjitim ,por është i mangët. Jo nga numri, por nga mendimi, idetë, vizioni, qëndresa, llojshmëria.

Aty anë njerëz që u ra në prehër deputetllëku dhe, si nga çdo "llëk" tjetër, edhe nga ky, është e vështirë të heqin dorë.

Duke qenë një parlament i tillë ai e ka kaluar në delir shefin e shumicës. Me këtë parlament ai mund të bëjë çfarë ë të dojë. Si të dojë.

Koha ka edhe ajo gjynahet e huqet e saj.

Në Shkodër, ku është një fillesë gjenealogjia e Edi Ramës, gjyshja e tij e mençur, ka patur gjithnjë një të nëmur shkatërruese, "të hiftë vedja në qejf". Nuk di ta sjell në gjuhën letrare.

Ndoshta do të ishte mirë që shefi i qeverisë të kujtohej për këtë fjalë urtësie, që gjyshja e tij e ka ditur me siguri.

 

Kisha bosh nga paniku i virusit kinez, por ky prift e zhvillon meshën në mënyrën më origjinale

Posted: 25 Feb 2020 01:08 AM PST

Italia është nën masa të rrepta dhe pasojat e koronavirusit ndihen qartë në Xhenova.

Don Xhakomo Martino, prift në kishën e San Tomasos, ishte vetëm në kishë gjatë meshës, e cila u transmetua në mënyrë të drejtpërderjtë në Facebook dhe në Youtube.

Një meshë për besimtarët dhe jo vetëm, e cila zakonisht mbahet të shtunë dhe të dielë.

Por për shkak të situatës dhe vendimeve të marra për ndërprerjen e tyre deri në 1 mars, Don Martino ka vendosur ta mbajë çdo ditë në orën 18:30.

j.l./ dita

“Liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret”

Posted: 25 Feb 2020 12:57 AM PST

Qendra "Aleanca Gjinore për Zhvillim" ka reaguar përmes një statusi në lidhje me gjuhën e urrejtjes të përdorur nga politikanët ndaj një pjese të shoqërisë, si dhe ndaj disa politikanëve të tjerë.

Qendra kritikon veçanërisht gjuhën e përdorur ndaj kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ndaj ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj pak ditë më parë. Për më shumë lexoni statusin e plotë.

Statusi i plote

Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e cila duhet të mbrohet, por nuk është një e drejtë absolute. Lira e shprehjes duhet gjithashtu të respektojë kufij veçanërisht në lidhje me gjuhën e urrejtjes. Gjuha e urrejtjes ndaj grave është një çështje e vjetër sa njerëzimi dhe e nën raportuar në Shqipëri, që është një vend që ka ratifikuar Konventën e të Drejtave Civile dhe Politike dhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Fatkeqësisht gjuha e urrejtjes është bërë pjesë e fjalorit të disa politikanëve/eve shqiptarë dhe dukshëm tolerohet nga pjesa tjeter e tyre.
Disa personazhe publike, politikanë/e, Avokatja e Popullit, përfaqesueset e shoqërisë civile, përfaqesuese të medias jane bërë target i guhës së urrejtjes e cila është shtuar në vitet e fundit.
Ne në Shqipëri për fat të keq, nuk kemi mjete ligjore dhe politike për ta dënuar me forcë gjuhën e urrejtjes dhe përndjekur përdoruesit e saj.
Ndërsa presim nga udhëheqësit/et politikë/e të dërgojnë sinjale për publikun ku të dënojnë ligjërimin e dhunshëm ndaj grave, dëgjojmë sharje dhe fyerje të cilat në një shoqëri demokratike nuk duhet të tolerohen.
Është bërë zakon tashmë që gjuha e urrejtjes të shoqërojë lajme dhe informacione të dhëna nga personalitete të ndryshme për persona të tjerë, qofshin burra apo gra. Një informacion që duhet t'i jepet prokurorisë menjëherë dhe tani edhe SPAK-ut mbahet pezull me javë e muaj të tërë për t'u përdorur politikisht edhe kur bëhët fjalë për çështje me interes publik. E pastaj në fund shumica e këtyre lajmeve janë "flluska sapuni".
Kohët e fundit Ministria e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj u bë target i gjuhës së urrjetjes publikisht nga znj. Monika Kryemadhi, kryetare e LSI në një takim me përfaqësues të partisë së saj në prani të mediave. Ky fjalor haptazi nxit urrejtje ndaj Ministres te pjesa misogjene e popullatës. Çfarë domethënë "halabake rrugësh"? Sipas fjalorit domethënë rrugaçe! Ç'kuptim ka që një grua në politikë të etiketohet me këtë term? Nëse sheh komentet në mediat që e publikuan lajmin misogjenët nuk kishin kursyer as zonjën që e përdori.
Kur këta politikanë/e dhe përfaqesues/e flasin në publik duhet të kenë të qartë rolin e tyre në edukimin e elektoratit që i ndjek dhe publikut në përgjithësi që dëgjon në media fjalime apo deklarata.
Nga personat në politikë dhe në vendimmarrje presim të gjithë të zbatojnë konventat ndërkombëtareve dhe ligjeve të vendit. Ata duhet të jenë shembull i përdorimit të gjuhës amëtare me kujdes e pa urrejtje, të luftojnë misogjininë dhe të nxisin tolerancën dhe mirëkuptimin.

Qendra "Aleanca Gjinore për Zhvillim"
Qendra për Nisma Ligjore e Qytetare
Linja e Këshillimit për Gra e Burra
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas Shqiptare

 

o.j/dita

Trazira në Brazil, 147 të vdekur në 5 ditë

Posted: 25 Feb 2020 12:51 AM PST

Brazili është përfshirë nga trazirat që kur policia ka filluar protestat duke kërkuar rritje të pagave. Autoritetet bëjnë me dije se 147 persona janë vrarë në verilindje të Ceará në 5 ditët e para të aksionit ushtarak.

Dhuna e krijuar ka çuar në anullimin e festimeve të karnavaleve në disa qytete. Mësohet se shkalla e vrasjeve është 5 herë më e lartë se zakonisht kur ushtria ndërmerrte aksione.

Policia filloi grevën e tyre në 19 shkurt, duke kërkuar një rritje të pagave. Në Brazil struktura e policisë e ka të ndaluar me ligj të bëjë greva dhe protesta. Një gjykatë në Ceará ka paralajmëruar që ato që do vazhdojnë të kundërshtojnë ligjin do të përfundojnë në burg.

Më shumë se 200 oficerë policie që janë në grevë, janë pezulluar nga puna.

O.J/DITA

FOTO: Dalin pamjet e tmerrshme, ja tregu që mund të kthehet në vatër të koronavirusit

Posted: 25 Feb 2020 12:46 AM PST

Foto të tmerrshme të publikuara së fundmi tregojnë kufoma qensh, lakuriqësh apo majmunësh në tregun ekstrem të mishit në Tomohon të Indonezisë, për të cilin është ngritur alarmi se do të jetë inkubatori i ardhshëm i koronavirusit vrasës, shkruan Tempo.

Në atë që njihet si një nga tregjet më të frikshëm të botës shihen gjithahtu kafshë ekzotike që rrihen për vdekje apo digjen për vdekje para klientëve.

Por me gjithë panikun botëror për epideminë, shitësit e blerësit në Tomohon nuk duket se merakosen dhe tregtia makabre vazhdon normalisht.

Në të shiten e blihen lakuriqë, gjarpërinj, qen e majmunë si ushqime delikate ekzotike.

Para epidemisë, tregu ekstrem i Tomohon ishte një nga atraksionet kryesore për turistët kinezë.

j.l./ dita

15 fluturime dhe 4 tragete në ditë nga Italia, sa të rrezikuar jemi?

Posted: 25 Feb 2020 12:36 AM PST

Shqipëria, por edhe mbarë Europa, po ndjek me ankth shpërthimin e koronavirusit në Itali.

Për vendin tonë, epidemia që ka shpërthyer në vendin fqinj, do të thotë se koronavirusi ka mbërritur tashmë në "oborrin e shtëpisë". Pyetja e vetme është si do të mund të "mbajmë derën mbyllur"?

Shumë vende të BE-së i kanë kërkuar tanimë Italisë fqinje mbylljen e kufijve, ndërkohë që në Ballkan, Greqia, Kroacia dhe Rumania, kanë paralajmëruar vendosjen në karantinë të të gjithë pasagjerëve që vijnë nga rajonet ku ka shpërthyer virusi në Itali.

Por për Shqipërinë, situata paraqitet më e komplikuar se kaq. Në rajonin e Italisë Veriore, jetojnë dhe punojnë mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët udhëtojnë shpesh drejt Shqipërisë për të takuar familjarët.

Po ashtu numri i qytetarëve Italinë që udhëtojnë drejt vendit tonë për biznes, konferenca apo takime pune është i konsiderueshëm. Po ashtu edhe nga Shqipëria drejt Italisë janë të shumtë ata që udhëtojnë.

Të dielën në Shqipëri janë ulur 15 fluturime nga Italia, shumica prej të cilave ishin nisur nga Italia Veriore dhe Qendrore. Ndërkohe edhe ditën e sotme, sipas të dhënave që ofron në Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza, kanë mbërritur ose priten të ulen edhe 15 fluturime të tjera.

Pasagjerët që mbërrijnë sot nga Italia, në Shqipëri nisen nga Roma, Bari, Milano, Firence, Bolonja, Bergamo, Xhenova, Rimini, Venecia dhe Verona. Shqipëria ka dy fluturime direkte nga Milano në ditë dhe katër nga Roma.

Ndërkohë, sa i përket trageteve, çdo ditë në Portin e Durrësit hyjnë dhe dalin tre tragete nga Italia, dy nga Bari dhe një nga Ankona.

Nga ana tjetër, në Portin e Vlorës mbërrin një traget nga Brindisi. Po ashtu nga Durrësi nisen 3 tragete në ditë dhe 1 nga Vlora përtej Adriatikut.

Edhe pse deri më tani, në vendin tonë nuk është konfirmuar asnjë rast i prekur me koronavirus, numri i madh i qytetarëve që udhëtojnë nga Shqipëria në Italia dhe e anasjelltas, bën që rreziku të mbetet i madh.

Për shkak të një greve të brenshme, Alitalia ka anuluar 350 fluturime të planifikuara për të hënën, të martën dhe të mërkurën, përfshirë edhe ato drejt Tiranës, por linjat e tjera kanë vazhduar fluturimet normalisht.

Me koronavirusitnnë "derën e shtëpisë", qeveria shqiptare ka njoftuar kontrolle shtesë në pikat kufitare dhe aeroport, por deri më tani nuk ka asnjë njoftim për kufizim të udhëtimeve drejt Italisë.

Çfarë masash kanë marrë vendet e tjera?

Ndërkohë që numri i të infektuarve ka mbërritur në mbi 200, Italia është përballur me presion të gjithanshëm nga fqinjët e saj europianë jo vetëm për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve por edhe mbylljen e kufijve. Austria, Zvicra, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar që paktën vendosjen e kontrollove kufitare me Italinë, për zbulimin e personave të infektuar me koronavirus që në kufi.

Sidoqoftë, qeveria e Italisë ka refuzuar të pezullojë përkohësisht sistemin pa kufij të zonës Shengen.

"Nuk ka asnjë bazë për një iniciativë të këtij lloji, për momentin," tha Kryeministri Giuseppe Conte, duke shtuar se një rivendosje e përkohshme e kontrollit kufitar do të ketë një ndikim shkatërrues në ekonominë e vendit fqinj.

"Çfarë doni të bëjmë me Italinë, të kthehemi në karantinë?", shtoi ai. Si rrallë ndonjëherë, e gjithë skena politike e Italisë duket e bashkuar për mos mbylljen e kufijve, me Di Maion, Salvinin dhe Renzin që kanë kërkuar solidaritet dhe jo izolim për vendin e tyre.

Por kjo nuk i ka ndalur vendet fqinjë të kufizojnë udhëtimet drejt Italisë.

Rumania ka vendosur të fusë në karantinë për dy javë të gjithë italianët dhe rumunët që vijnë nga Italia Veriore. Lajmi u bë i ditur nga Ministra rumune e Shëndetësisë, duke e bërë kështu Rumaninë vendin që mori masat e para direkte drejt Italisë.

Ajo do të vendosë në karantinë të gjithë ata që vijnë nga Milano, Bergamo, Treviso dhe Torino. Të gjithë pasagjerët italianë që mbërrijnë në Aeroportin "Henri Coandă" në Bukuresht, do të hyjnë në vend përmes një sporteti të veçantë. Pas hyrjes në vend, atyre do t'u kërkohet të plotësojnë një pyetësor të shkurtër dhe do të vendosen më pas në një karantinë në Zadar, afër Bukureshtit.

Pas Rumansë, edhe Kroacia vendosi të izolonte të gjithë udhëtarët që vijnë nga Italia Veriore, duke ngritur nivelin e gatishmërisë për rrezikun e koronavirusit në maksimum.

Masat janë edhe më të rrepta për njerëzit që vijnë ose kanë qenë kohët e fundit në kontakt me ndonjë prej rajoneve italiane të prekur nga koronavirusi. Sipas Ministrit kroat të Shëndetësisë Vili Beros, në të gjitha qarqet e vendit do të ngrihen karantina.

Për shembull, në Rijeka, do të formohet një karantinë nën kujdesin e Kryqit të Kuq. Në këtë qytet do të organizohen karnavale ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë edhe shumë qytetarë italianë.

Ministri Beros kujtoi se situata në Itali është përshkallëzuar pasi shumë vizitorët kishin mbërritur tashmë në Rijeka, të premten.

Në fakt, masa e parë erdhi edhe nga Ministri Grek i Arsimit, Nikis Kerameos, i cili ka vendosur të anulojë të gjitha ekskursionet arsimore të planifikuara në Itali. Sot Athina rriti masat, duke vendosur në karatinë një grup turistësh nga Italia. Greqia po merr po ashtu masa emergjente në portet e Patras dhe Igoumenicës, ku bëhet transferimi i mallrave nga portet italiane.

Sipas një njoftimi të Ministrisë greke së Shëndetësisë, të gjithë pasagjerët nga Italia që shfaqin temperature do të vendosen menjëherë në karantinë.

Ndërkohë, Austria pezulloi të dielën në mbrëmje disa linja trenash që udhëtonin drejt Veriut të Italisë. Vendimi u mor pasi dy pasagjerë të infektuar me koronavirus u zbuluan në një tren që shkonte nga Italia drejt Gjermanisë jugore.

Viena po konsideron po ashtu ndalimin e të gjitha udhëtimeve drejt Brennerit, ndërkohë që ka pezulluar trenat drejt kësaj komune.

"Asnjë tren nuk do të niset drejt Brenner deri në një njoftim të mëtejshëm," thotë ndërmarrja austriake e transportit në një deklaratë. Ministri i brendshëm austriak Karl Nehammer tha se të takohej me zyrtarët e Shëndësisë për të diskutuar nëse Austria duhet të rivendoste kontrollet kufitare me Italinë.

j.l./ dita

Itali, gabimi i spitalit përhapi virusin

Posted: 25 Feb 2020 12:25 AM PST

“Virusi është i paparashikueshëm, por ne nuk kemi nënvlerësuar asgjë , prandaj dhe kemi ndërmarrë masa drastike”, ka deklaruar kryeministri italian Conte, pas mbledhjes së fundit me Komitetin e Mbrojtes Civile.

Kreu i qeverisë italiane ka informuar se në parhapjen e virusit ka ndikuar për më tepër një strukturë spitalore e cila nuk ka ndjekur një protokoll të kujdesshëm e që rekomandohet në këto raste.

“Kjo gjë, tha ai ka kontribuar në përhapjen e koronavirusit në Itali”.

Ndërkohë nuk kanë munguar dhe debatet politike mbi situatën që po kalon Italia.

Lideri i Partisë Lidhja, ish-ministri i Brendshëm Matteo Salvini kërkon dorëhqejn e kryeministrti Giuseppe Conte për paaaftësi në përballimin e kësaj gjëndje të emergjencës.

“Conte ka fjetur, nuk mund të shprehet se është i surprizuar nga përhapja kaq e shpejtë e koronavirusit. Conte paguhet për të zgjidhur problemet e vendit, nuk është një kalimtar i radhës që të ndjehet i surprizuar. Conte, kërkoju falje italianëve e jep dorëheqjen”, ka deklaruar Salvini.

o.j/dita

Alarmi global, SHBA premton 2.5 miliardë dollarë për të luftuar koronavirusin

Posted: 25 Feb 2020 12:18 AM PST

Përhapja e virusit vdekjeprurës përtej kufijve të Kinës, me shpejtësi të madhe ka detyruar shumë vende të botës të marrin masa të forta për të mos lejuar sëmundjen e ngjashme me gripin të kthehet në pandemi.

Kështu, autoritetet në Korenë e Jugut do të testojnë rreth 200 mijë anëtarë të një Kishe ku dyshohet se ka pasur raste me koronavirus, ndërsa SHBA premtoi mbi 2.5 miliardë dollarë për të luftuar sëmundjen, shkruan CGTN.

Virusi me origjinë nga Kina, shpërtheu në këtë vend në fund të vitit të kaluar dhe deri tani ka vrarë më shumë se 2700 persona dhe infektuar 80 mijë të tjerë.

Qeveria japoneze iu bën thirrje qytetarëve të saj të punojnë nga shtëpia ose me orë të shkurtuara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndërkohë që në Hong Kong është vendosur që hapja e shkollave të shtyhet dhe për një muaj.

Shtëpia e Bardhë nga ana tjetër premtoi 1 miliardë dollarë për vaksinën e nevojshme për të luftuar virusin dhe mbi 1.5 miliardë dollarë të tjera për pajisje mjekësore.

j.l./ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more