Skip to main content

“Juncker: I turpshëm refuzimi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” plus 9 more - Gazeta Dita

“Juncker: I turpshëm refuzimi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” plus 9 more - Gazeta Dita


Juncker: I turpshëm refuzimi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Posted: 30 Nov 2019 02:15 AM PST

Kryetari në largim i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në ditën e tij të fundit në këtë post, pranoi të ishte autor i komentit ditor të faqes politico.eu.

Junker u kthehet dobësive dhe sukseseve gjatë mandatit të tij pesëvjeçar në krye të pushtetit ekzekutiv evropian.

Për të, refuzimi i negociatave me Shqipërinë dhe MV, në tetor, paraqet mosmbajtjen e premtimit ndaj këtyre dy vendeve.

"Nëse fuqia e Evropës qëndron në atë që, për të qenë partnerë të besueshëm, dikush mund të na llogarisë për të mbrojtur rendin global të themeluar në rregulla multilaterale, dobësia jonë qëndron në atë që nuk i mbajmë premtimet tona dhe ato të aleatëve tanë ndërkombëtarë", thotë Juncker.

"Shembull më i mirë është politika jonë për zgjerimin dhe paaftësia e turpshme e liderëve evropianë për t'i mbajtur premtimet për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pasi këto qeveri përmbushën kriteret e nevojshme", thekson ai.

"Respekti duhet të fitohet edhe nëse dëshirojmë ta mbajmë besueshmërinë tonë, atëherë duhet të bëjmë atë që kemi thënë se do ta bëjmë", shkruan Juncker në komentin e tij të lamtumirës për politico.eu.

o.j/dita

VIDEO: Rama shkon të verifikojë dëmet në Kombinat, përplaset me banorët

Posted: 30 Nov 2019 01:53 AM PST

Kryeministri Edi Rama ndodhet në zonën e Kombinatit dhe po përballet me banorët, apartamentet e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Banorët të shqetësuar ndihen të pasigurtë me atë cfarë do të ndodhë dhe debatuan me kryeministrin

Banorët kërkojnë që të bëhet verifikimi i pallateve dhe kryeministri thotë se do kohë pasi janë shumë ndërtesa.

Ato ankohen se nuk kanë ku të flenë, ndërkohë që kryeministri thotë se janë qendrat sociale të hapura për të pritur banorët.

Edi Rama: "Shyqyr Zotit ju ruajti, përqafo vajzën se dje përcollëm 22 vetë nën dhe.

Banorja: Viktimat e radhë si bie të jemi ne?!

Edi Rama: Edhe unë këtu kam qenë, dhe i kam njerëzit e familjes time në këtë hall.. Pse do jesh viktima të radhës?

Mos u fut në pallat. Shko tek qendra sociale që të mos kesh qiellin mbi kokë.

Banorët: Duam ekspertë për të vlerësuar

Edi Rama: Do më lini ta mbroj se ka të tjerë shumë më keq se ju. Na lini të bëjmë analizën me të gjithë . Shkoni në qëndrën sociale, mos rrini tek makina.

Në total në zonën e Kombinatit janë 8 pallate të dëmtuara, diku tek 275 familje.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë kryeministri Edi Rama deklaroi se në Tiranë 1192 banesa kanë dëmtime serioze dhe tani 265 pallate kërkojnë vlerësim. 8 shkolla të dëmtuara, një qendër shëndetësore.

o.j/dita

Ministria e Shëndetësisë publikon të dhënat, ja sa persona u lënduan nga tërmeti

Posted: 30 Nov 2019 01:43 AM PST

Ministria e Shëndetësisë ka paraqitur të dhënat e fundit për të lënduarit e tërmetit.

Mësohet se gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Traumës janë paraqitur 13 qytetarë me lëndime të lehta dhe aktualisht 34 pacientë janë të shtruar në këtë spital si pasojë e lëndimeve nga tërmeti.

Në raportin e saj, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se gjendja e të lënduarve paraqitet e mirë, me përjashtim të një vajze në gjendje të rëndë, e cila sipas mjekëve nuk mund të transferohet jashtë vendit.

Ndërsa tre pacientë janë transferuar në Itali për një trajtim më të specializuar. Në spitalin e Durrësit aktualisht po marrin trajtim vetëm tre pacientë, në gjendje të stabilizuar.

Janë 913 të lënduar si pasojë e tërmetit që kanë marrë trajtim në spitale.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1500 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura.

Ndërsa mbi 700 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti vijojnë të jenë në gatishmëri të përforcuar.

o.j/dita

Situata pas tërmetit, SHBA-ja dërgon tjetër ekip ekspertësh për Shqipërinë

Posted: 30 Nov 2019 01:39 AM PST

Ambasada Amerikanë njofton ditën e djeshme drejt Shqipërisë janë dërguar ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrëfikës dhe Shpëtuese i Fairfax dhe nga Departamenti Zjarrfikës i Los Angelesit.

Ekipet do të bëjnë vlerësimin dhe do të përcaktojnë dëmet në infrastrukturën e ndërtimeve të prekura nga tërmeti.

Njoftimi i Ambasadës Amerikane:

Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit, USAID ka nisur dje për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta.
#ShbaQendronKrahShqiperise

O.J/DITA

OSHEE/ Jemi 24 orë në shërbim të të prekurve nga tërmeti

Posted: 30 Nov 2019 01:24 AM PST

Tërmeti që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit kaloi me shumë pasoja. Deri më tani 50 persona kanë humbur jetën dhe mbi 900 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shembjes së banesave të tyre si pasojë e tërmetit.

Të gjithë janë mobilizuar dhe solidarizuar për situatën e krijuar. Përveç vendeve të huaja që na kanë ofruar ndihmën e tyre edhe forcat emergjencave civile, ushtria dhe shumë vullnetarë të vendit janë vendosur në dispozicion të vendeve që janë prekur më së shumti nga tërmetit.

Me anë të një njoftimi OSHEE (Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike), është shprehur se ky institucion është vendosur në dispozicion të plotë të zonave të prekura. Duke ndihmuar me shpërndarjen e energjisë elektrike, duke garantuar baza materiale dhe mjete transporti për çdo nevojë që mund të shfaqet.

Njoftimi i plotë

"1500 punonjës, shërbim 24 orë📌

Gatishmëria, staf shtesë dhe bazë materiale në zonat e prekura
OSHEE ka vendosur në gatishmëri 24 orë rreth 1500 punonjës në zonat e prekura #Durrës #FushëKrujë #Vorë #Laç, të shpërndarë në linja dhe stacione 35kV, kabina dhe fidera.

Është shtuar personeli, garantuar baza materiale dhe mjetet e transportit për çdo nevojë, jo vetëm për mirëmenaxhim të shjetit ⚡ shpërndarës të OSHEE, por edhe në shërbim të qendrave akomoduese për përballimin e situatës të krizës nga tërmetit ✔", shkruhet në faqen e "Facebook", OSHEE.

O.J/DITA

“Në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq”

Posted: 30 Nov 2019 01:14 AM PST

Nga Entela Resuli

Blerta Lipo është inxhiniere ndërtimi. Ajo jeton dhe punon në Itali, ku merret me inspektimin e urave hekurudhore dhe  është e specializuar në projektim në zonë sizmike.

Në vitin 2006 Blerta ka shkuar në Romë për të ndjekur studimet në inxhinieri ndërtimi në Universitetin La Sapienza. Më pas ka bërë doktoraturën (në Romë dhe një periudhë të shkurtër në Cambridge) ku është specializuar në studimin e sjelljes së ndërtesave në muraturë në zonat sizmike. Ka punuar më pas në Paris dhe prej pothuajse 3 vitesh punon në Firenze, për hekurudhat italiane, ku merret me inspektimin e urave hekurudhore.

Lipo ka ndjekur me vëmendje gjithë këto ditë situatën e tërmetit në vendin tonë, ku është përfshirë me shqetësimin si gjithë bashkatdhetarët tanë.

Ajo ka biseduar me ne duke ndarë disa mendime si specialiste në lidhje me mënyrën se si është ndërtuar në vendin tonë dhe masat që duhen marr pas tërmetit. Blerta këmbëngul që është e rëndësishme të ketë një inspektim të ndërtesave që ndodhen në zonat e prekura nga eventi sizmik dhe pasgoditjet.

Më poshtë intervista në Dita më inxhinieren, Blerta Lipo.

-Si e konsideroni gjendjen e krijuar nga rënia e tërmetit në Shqipëri?

Lajmi i tërmetit më ka tronditur shumë, si gjithë shqiptarët besoj, duke patur parasysh edhe faktin që familja dhe të dashurit e mi jetojnë akoma në Shqipëri. Informohem vazhdimisht nëpërmjet gazetave të ndryshme por nuk kam pasur akoma mundësinë të vizitoj personalisht gjendjen.

-Blerta, ju jeni inxhiniere ndërtimi,  çfarë mendoni se e ka shkaktuar rrëzimin e disa ndërtimeve në zonën e Durrësit, ndërkohë shumë pranë tyre, ndërtime të tjera janë në këmbë?

Me sa kam parë dhe lexuar, ndërtesat që janë rrëzuar mund të klasifikohen në dy grupe: ndërtesa para '90, të ndërtuara me punë vullnetare dhe ndërtesa pas '90, në beton arme. Për të dyja grupet, rrëzimi është shkaktuar nga mos zbatimi i detajeve konstruktive, të domosdoshme për të garantuar jetëgjatësinë në zona sizmike.

-Çfarë duhet të kemi parasysh kur ndërtojmë?

Për sa i përket anës strukturore, metodat e tanishme të projektimit në zona sizmike bazohen në metodën e capacity design, ose hierarkia e rezistencave: kjo metodë përcakton, në bazë të llojit të strukturës, se cili është elementi që do "sakrifikohet”  në momentin e eventit. Është e qartë që në një ndërtesë në beton arme, nuk mund të sakrifikohen kolonat sepse pasojat do ishin katastrofike. Pra projektimi duhet të jetë i tillë që në rastin më të keq, të kem deformimin e trarëve dhe jo rrëzimin e kolonave. Nga ana tjetër pastaj duhet pasur parasysh terreni ku do vendosen themelet e ndërtesës.

-Zona ku ka patur dëmtime në banesa, por edhe shembje, shumë vite më parë ka qenë kënetë, a duhet ndërtuar aty?

Terreni ku vendoset ndërtesa është aspekti i dytë kryesor për shëndetin dhe jetëgjatësinë e saj. Çdo projekt duhet të bazohet në studimin e terrenit për të zgjedhur tipin më të përshtatshëm të themeleve dhe thellësinë e tyre. Terrenet me karakteristika të dobëta, në raste ekstreme kënetat, janë në gjendje të amplifikojnë në mënyrë serioze akselerimin e valës sizmike.

-Ndërkohë një zonë më shumë ndërtesa të dëmtuara është edhe Golemi, ku shumë ndërtime janë afër e afër dhe për më tepër, me shtesa në kate…

Në kushtet e projektimit në zone sizmike janë të përcaktuar edhe distancat minimale midis ndërtesave në mënyrë që gjatë vibrimit mos ketë përplasje midis kateve të sipërm. Normalisht këto rregulla nuk janë zbatuar. Për sa i përket kateve të shtuara në mënyrë abuzive, të gjithë jemi në gjendje të themi që është një veprim i gabuar.

-Ndërkohë goditjet po vazhdojnë, sa i dëmtohen ndërtesat që janë në këmbë nga këto pas goditje?

Ky është aspekti me delikat i këtij eventi. Pa dyshim që efekti i pas-goditjeve te ndërtesat ekzistuese duhet matur me kujdes, sidomos kur këto pas-goditje kane magnituda të rëndësishme, siç është rasti i këtij tërmeti.

-Si mund ta dallojmë nëse ndërtesa paraqet rrezikshmëri për banimi apo jo?

Orët pas tërmetit janë thelbësore për të përcaktuar në mënyrë të shpejtë, por edhe të saktë, nqs një ndërtesë vazhdon të jetë e banueshme apo jo. Banueshmëria përcakton kufirin midis qetësisë së kthimit në shtëpi apo fjetjes në makinë; midis qëndrueshmërisë së funksioneve të administratës dhe gjithë shërbimeve dhe ngadalësimit të veprimtarive të një konteksti shoqëror të tërë dhe kompleks. Unë kam patur mundësinë të marr pjesë në përcaktimin e banueshmërisë së ndërtesave pas tërmetit të Amatrice-s (Lazio, Itali). Në Itali, duke pasur parasysh edhe eventet sizmike të viteve të fundit, departamenti i mbrojtjes civile ka përpiluar disa skeda, në ndihmë të profesionisteve të fushës, që shërbejnë për konstatimin e dëmit, ndërhyrjen e shpejtë dhe përcaktimin e banueshmërisë pas eventit sizmik.

-Cilat janë masat që duhen marrë tashmë dhe si duhet të menaxhohet situata me pallatet që janë të dëmtuara?

Fatkeqësisht, historia jonë deri me sot vë në dukje mungesën totale të interesit ndaj mirëmbajtjes dhe lulëzimin e ndërtimeve pa kritere, qoftë nga ana urbanistike, territoriale por fatkeqësisht edhe ajo strukturore. Ka ardhur momenti t’i drejtojmë vëmendjen teknikave moderne të mirëmbajtjes (retrofitting) ose, në rastet më të pashpresë, rindërtimit. Duhet organizuar një fushatë inspektimesh ku grupe profesionistësh duhet të përcaktojnë, për të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, dëmet që kanë pësuar strukturat dhe a janë ato të rikuperueshme.

-Si mund të klasifikohen këto dëme dhe si duhet të veprohet për secilin rast?

Për sa i përket metodës së shpejtë që përdoret nga departamenti i mbrojtjes civile në Itali, dëmet ndahen në 6 nivele: nga 0 në 5, ku ne nivelin 0 struktura nuk ka pësuar asnjë dëmtim ndërsa në nivel 5 struktura është rrezuar plotësisht ose pjesërisht. Për sa i përket strukturave në muraturë, niveli 0 është baraz me krisje vetëm sipërfaqësore (psh në suva), në nivel 1 krisjet kanë hapje maksimale 1 mm dhe mund të shfaqen për shembull në fashot murare (pjesa mbi/nën dyer/dritare) dhe përgjithësisht nuk sjellin pasoja, njëherë që ka pushuar eventi sizmik. Kur hapja e këtyre krisjeve arrin 1-1.5 cm dhe intereson një pjesë më të gjerë të ndërtesës, jemi në nivelin e dëmtimit mesatar (2-3). Në këtë rast, përcaktimi i riskut të strukturës në eventin e ardhshëm sizmik varet nga kuadri i përgjithshëm fesurativ. Në rast se çarjet janë më të mëdha se ato të sipërpërmendura, jemi në nivelet e dëmit të madh (4-5) dhe struktura ka rrezik të ketë një kolaps parcial ose total edhe nga një lëkundje fare e vogël.

-Një nga urat në Durrës, Ura e Shkozetit e ndërtuar vitet e fundit, ka patur dëmtime në trarët mbajtës dhe për pasoj është ndaluar kalimi në të. Pse mendoni që ky tërmet ka shkaktuar edhe dëmtimin e urë dhe çfarë duhet bërë me të?

Për sa i përket mbikalimit të Shkozetit, është e vështirë të flitet pa patur një imazh të qartë të kuadrit fesurativ në kompleks. Me çfarë kam parë në internet, ka dëmtime të seismic restraints (ritegni sismici) të kolonave. Këto janë pjesë "të sakrifikueshme" përballë një eventi sizmik sepse e kanë kryer detyrën e tyre për të mbajtur në bosht impalkatin e urës. Normalisht këto pjesë  duhen rikonstruktuar, por reagimi që ato kanë pasur është sinjal i faktit që janë nën-dimensionuar në fazë projektimi, dmth nuk janë projektuar për një tërmet të kësaj magnitude.

-Blerta, sipas vëzhgimit tuaj, a është ndërtuar keq në Shqipëri, sidomos në këto zona, Tiranë, Durrës…?

Nga ana urbanistike çdo njeri është në gjendje të thotë që në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq. Fatkeqësisht, zbuluam në lëkurën tonë, që, në disa raste, qenka ndërtuar keq edhe nga ana strukturore. Ajo që unë mund të them është që Shqipëria ka nevojë për redaktimin dhe zbatimin në mënyrë rigoroze të një kodi kombëtar të projektimit. Ky kod duhet të përcaktojë detajet kostruktive që strukturat duhet të kenë dhe të bazohet në një mikrozonim sizmik të përditësuar për përcaktimin e spektrave elastike. Tërmetet nuk duhet të shihen më si mallkime qiellore nga të cilët s'mund të shpëtohet por si fenomene natyrore në territorin e Shqipërisë prej të cilave duhet të mbrohemi nëpërmjet parandalimit dhe mirëmbajtjes.

 

 

Efektet e tërmetit mbi ekonominë e Shqipërisë, sipas medias italiane

Posted: 30 Nov 2019 01:09 AM PST

Shqipëria është sot në gjunjë: dhjetëra persona vdiqën nën gërmadha në Durrës, qyteti port më i rëndësishëm i vendit, në Thumane, një vendpushim malor dhe në një pjesë të Krujës, vendlindja e heroit kombëtar Skënderbeu.

Duke pritur të kemi një tablo të përgjithshme përfundimtare të situatës, shkruan Bunisess Insider Italia, dhe të dëmeve ekonomike të shkaktuara nga tërmeti, ne po përpiqemi të shohim një herë gjendjen me marrëdhëniet e forta ekonomike që ekzistojnë mes Tiranës dhe Romës dhe pasojave që do të shkaktojë vetoja e Francës ndaj hyrjes së Tokës së Shqiponjave në Bashkimin Evropian.

Si për zhvillimin shoqëror ashtu edhe për mundësitë e reduktuara të qasjes tek fondet strukturore evropiane.

Shqipëria është një vend i varfër dhe shpesh, për fat të keq, ndërtesat nuk u ngritën në bazë të rregullave antizizmike; pasojat, sic u pa qartë këto ditë, janë shkatërruese. Anëtarësimi në BE do të ishte një mundësi e mirë për të modernizuar vendin dhe për ta bërë atë më të sigurt nga një këndvështrim urban, thuhet në artikull.

Lidhjet ekonomike dhe kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, janë shumë të ngushta. Në Tokën e Shqiponjave ka 334 kompani italiane të regjistruara zyrtarisht siç raportohet nga baza e të dhënave Ice-ribotim (të dhënat më të fundit në dispozicion 2015) duke filluar nga agro-industria, hidrocentralet, call centers dhe shërbimet financiare. Gjuha italiane flitet përgjithësisht nga çdo qytetar shqiptar edhe falë përhapjes së TV kombëtar të Italisë.

30% e importeve shqiptare vijnë nga Italia ku vendi ynë është eksportuesi kryesor, ashtu siç ndodh edhe me Greqinë e kjo prani vihet re edhe në sektorin bankar. Të vendosura mirë janë atje edhe institucionet austriake të kreditimit.

Italia është furnizuesi i parë i Shqipërisë, me një pjesëmarrje prej 30 për qind në katër muajt e parë të 2019, por është gjithashtu klienti i parë, me rreth gjysmën e importit.

Edhe turizmi në Shqipëri ka marrë hov falë brigjeve dhe bukurisë natyrore të paprekur. Rreth 2.13 milion të huaj – sipas të dhënave nga Instat (instituti statistikor shqiptar) – vizituan Shqipërinë në gjashtë muajt e parë të 2019, duke regjistruar 11.3% rritje në krahasim me 2018. Nga totali, 817 009 persona janë regjistruar si turistë. Por pas tërmetit, ky mund të jetë një nga sektorët që mund të vuajë pasoja të mëdha, sepse hotelet janë shkatërruar në bregdet.

o.j/dita

Rama: Burg për supervizorët, arkitektët dhe ndërtuesit që abuzojnë

Posted: 30 Nov 2019 01:04 AM PST

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur një sërë vendimesh që do të merren nga qeveria për familjet e prekura nga tërmeti.

Ai shpjegoi se familjet në Durrës e Thumanë që kanë viktima kanë gati shtëpitë e reja dhe se do të vendoset një kontakt me ta për t'i pyetur se ku duan të rrinë.

Gjithashtu ai paralajmëroi fort të gjithë ndërtuesit dhe arkitektët për ndërtimet që do të bëjnë.

Rama ka theksuar se shumë shpejt do të miratohet ligji për ndërtuesit, do të dënohen nga 7 deri në 15 vite burg nëse bëjnë ndërtime me shkelje.

"Dua edhe një herë ta përsëris ne jemi maksimalisht të angazhuar, ne do të flasim me vepra, me fakte. Por përgatisim edhe një akt për dënimet. Me 50 viktima, nga ndërtimet e 30 viteve. Burgosjen e çdo individi që merr leje ndërtimi me emrin e tij, që lë pas një ndërtim që ka shkelje . 7 deri në 15 vite për çdo ndërtues, që leja jepet për 3 kate dhe bëjnë 15 kate.

Për përgjegjësitë duhet të shohim inventarin njëherë. Burg për ndërtuesin, burg për arkitektin dhe burg për supervizorin. Arkitektët duhet të denoncojnë pronarin e tyre në rast shkelje, kur i thotë më bëj një kat tjetër lale, janë bashkëpunëtorë", u shpreh Rama.

o.j/dita

Rama: Në Tiranë janë 1192 banesa të dëmtuara, 256 pallate kërkojnë vlerësim

Posted: 30 Nov 2019 12:40 AM PST

Kryeministri Edi Rama ka publikuar zonat më të dëmtuara nga tërmeti.

Ai tha se në Tiranë 1192 banesa kanë pësuar dëmtime.

"Në Tiranë 1192 banesa kanë dëmtime serioze dhe tani 265 pallate kërkojnë vlerësim. 8 shkolla të dëmtuara, një qendër shëndetësore" – tha Rama.

o.j/dita

Vazhdojnë reshjet e shiut dhe uljet e temperaturave, ky është parashikimi i motit për fundjavën

Posted: 30 Nov 2019 12:36 AM PST

Vendi ynë sot do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të cilat do të sjellin reshje shiu në të gjithë territorin.

Nesër pritet një mot i kthjellët, ndërsa reshjet e shiut pritet të rikthehen përsëri të hënë pasdite.

Sipas Meteoalb, temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë ku do variojnë: në zonat malore nga 03ºC deri në 10ºC, në zonat e ulëta nga 07ºC në 18ºC dhe në zonat bregdetare nga 11°C në 17ºC.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more