Skip to main content

“Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse bëni rregullisht 8 orë gjumë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse bëni rregullisht 8 orë gjumë” plus 9 more - Gazeta Dita


Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse bëni rregullisht 8 orë gjumë

Posted: 23 Aug 2019 02:30 AM PDT

Një studim tregon se të flesh rregullisht për 8 orë nuk është me të vërtetë një luks, por më shumë një pjesë thelbësore e një rutine të shëndetshme.

Mungesa e orarit të gjumit mund të ndikojë seriozisht në shëndetin tuaj mendor, emocional dhe fizik.

Le të shohim se çfarë ndodh nëse filloni t'i jepni përparësi gjumit.

Do të mësoni gjëra të reja më shpejt

Fakti nëse bëni apo nuk bëni gjumë mjaftueshëm, ka një efekt në atë se sa mirë mund të përqendroheni në aftësi të reja dhe të mbani mend gjëra të reja. Shkencëtarët zbuluan se ne përpunojmë informacione të reja ndërsa flemë. Me fjalë të tjera, mendja dhe trupi juaj janë më në formë në mëngjes pasi të keni bërë pushimin e duhur. Dhe kjo vlen për çdo aftësi të re, nga studimi universitar deri tek luajtja e një sporti të ri.

Do të jeni më të vëmendshëm

Kur pushoni rregullisht aq sa duhet, përqendrimi dhe aftësitë tuaja për zgjidhjen e problemeve funksionojnë në nivelet e tyre optimale. Mund të mendoni më qartë dhe të merrni vendime më shpejt.

Ju do ta kontrolloni më lehtë peshën tuaj

Ky studim ka treguar se ndërsa jemi duke fjetur, ne gjenerojmë një hormon të quajtur leptinë, që i thotë trupit tonë se jemi të ngopur dhe se nuk kemi nevojë për më shumë ushqim. Kur nuk pushojmë sa duhet, ky hormon del jashtë ekuilibrit dhe fillojmë të kemi dëshira për ushqim.

Shëndeti juaj do të përmirësohet

Shkencëtarët zbuluan se një gjumë i mjaftueshëm jo vetëm që do të zvogëlojë nivelin tonë të stresit, por gjithashtu do të parandalojë rrezikun e presionit të lartë të gjakut dhe kolesterolit të lartë. Gjumi i pakët gjithashtu mund të çojë në të gjitha llojet e problemeve që lidhen me zemrën.

Ju mund të parandaloni zhvillimin e diabetit

Hulumtimet kanë zbuluar se gjumi bën një ndryshim të madh në rregullimin e sheqerit në gjak dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe si rezultat, parandalimin e diabetit të tipit 2. Duket se faza "e thellë" e gjumit është veçanërisht e rëndësishme për këtë dhe nëse e shkurtoni kohën e gjumit, ka shumë të ngjarë që ta kaloni atë pjesë të rëndësishme.

Do të shëroheni më shpejt nga ftohja

A ndiheni të përgjumur kur jeni të sëmurë? Epo, me sa duket ka një arsye për këtë. Studimet kanë vërtetuar që trupi ynë shkon në gjendje gjumi për t'u rikuperuar. Kjo mënyrë gjumi ndodh kur sistemi ynë imunitar është më i efektshëm për të luftuar bakteret.

Lëkura juaj do të duket më mirë

Lëkura jonë është një tregues shumë i mirë i shëndetit dhe mirëqenies sonë të përgjithshme. Ju mund të jeni në gjendje ta maskoni, por nuk mund ta mashtroni me të vërtetë. Lëkura është organi ynë më i madh dhe ekspozohet  në mënyrë të vazhdueshëm ndaj motit, dritës UV, pluhurit dhe diellit, dhe kur flemë, lëkura jonë riparohet vetë.

Do të jeni një shofer më i sigurt

Të gjithë e kemi ngarë makinën ndërsa kemi qenë shumë të lodhur, të paktën një herë. Dhe, ndërsa shpesh duket se nuk kemi zgjidhje, duhet të fillojmë ta bëjmë këtë zgjedhje një përparësi. Ky studim tregoi se drejtuesit të cilëve u mungonte gjumi i mjaftueshëm, performonin më shumë si shoferë të prekur nga alkooli.

Ekuilibri juaj do të përmirësohet

Kur flini mjaftueshëm, koordinimi dhe ekuilibri juaj përmirësohen, duke parandaluar të gjitha llojet e dëmtimeve fizike.

o.j/dita

Itali, Mattarella u jep më shumë kohë partive të zgjidhin krizën

Posted: 23 Aug 2019 02:05 AM PDT

Në Itali, Presidenti Sergio Mattarella njoftoi se disa nga partitë politike i kishin bërë të ditur se kishin nevojë për më shumë kohë për të zgjidhur krizën qeveritare dhe shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe se ai u kishte thënë të ktheheshin përsëri të martën.

Duke folur para gazetarëve pas bisedimeve dy ditore,  Mattarella tha se shpërbërja e parlamentit ishte një vendim që nuk duhej marrë lehtë.

Partia Demokratike e qendrës së majtë vendosi të enjten kushte të vështira për krijimin e një koalicioni me Lëvizjen e 5-Yjeve, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës po përballet me trazira politike ndërkohë që qeveria e saj, e gërryer nga grindjet e brendshme, nuk arriti të rezistojë, duke bërë që kryeministri Giuseppe Conte të jepte dorëheqjen këtë javë.

Kriza erdhi në një kohë që Roma do të fillonte përgatitjen e buxhetit të vitit 2020.

Rënia e qeverisë u shkaktua nga partia Lega e krahut të djathtë, kreu i së cilës Matteo Salvini e shpalli të vdekur koalicionin qeverisës, duke thënë se nuk mund të punonte më me 5-Yjet, partnerja e tij e koalicionit.

Salvini bëri thirrje për zgjedhje, për të përfituar nga popullariteti në rritje, me shpresën se do të kthehet në pushtet si kryeministër.

Ai shpreson gjithashtu të nisë një fushatë të madhe shpenzimesh vitin tjetër dhe të sfidojë rregullat fiskale të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, synimi i tij mund të mos ketë sukses, sepse kreu i shtetit, Mattarella, do ta shpërndajë parlamentin vetëm nëse është e pamundur të formohet një koalicion tjetër, ndërkohë që tani 5-Yjet dhe Partia Demokratike, të cilët do të takohen sot në orën 14 për të provuar të dialogojnë për krijimin e një qeverie të re dhe të shikojnë mundësinë e një marrëveshjeje për ta mënjanuar Salvinin.

o.j/dita

Bllokohen 387.1 tonë mish me salmonelë që vinte nga Brazili

Posted: 23 Aug 2019 01:43 AM PDT

387.1 tonë mish janë ndaluar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për shkak se nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm ose ka rezultuar me salmonelë. 234.5 ton mish janë kthyer në vendin e origjinës dhe 152.6 tonë të tjera janë në proces për kthim.

Si rezultat i kontrolleve janë kthyer:

Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton "Mish Derri" me origjinë nga Kanadaja rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE)

Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton "Mish Viçi" me origjinë nga Brazili në regjim tranzit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (çertifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.

Më herët, analizat e kryera për disa nga ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë mikrobiologjike (analizat laboratorike raportuan prezencën e Salmonella spp) dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye AKU vendosi kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:

Katër ngarkesa me sasi totale 107.240 tonë "Mish derri" me origjinë nga Brazili është finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, më konkretisht:

51.984 ton "Mish Derri" me origjinë nga Brazili,

27 ton "Fileto Pule" nga Brazili,

25.999 ton "Mish Derri" nga Brazili,

22.648 ton "Mish Viçi" nga Brazili,

25 ton "Mish Derri" me origjinë nga Qipro,

dhe me finalizimin e praktikës për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, rezultati do të njoftohet në rrjetin Europian të shkëmbimit të informacionit mbi rreziqet që lidhen me ushqimin (RASFF).

o.j/dita

Jemi mësuar të lëvizim vetëm kur na vjen shpirti në fyt! A ka ardhur?

Posted: 23 Aug 2019 01:37 AM PDT

Bedri Islami

Ditët e fundit, jo edhe aq papritur, në botën e pafund të librave, erdhi një botim i ri, me titullin intrigues deri në fund, shkruar me mjeshtëri, kujdes dhe inteligjencë nga mjeku Isuf Kalo.

Libri "Blloku", pra, enigma e një bote ndryshe nga e zakonshmja e njerëzve, misteri i së cilës ishte gjithnjë në mendimin e shumë të tjerëve, ajo botë e rrethuar nga një garnizon ushtarak dhe sipas dëshirave të së cilës lëviste i gjithë vendi, mjegulla që nuk shqitej dhe mbi të gjitha figura e Atij që me një dorë të hekurt qeveriste pa qenë qeveritar zyrtar, hija e të cilit, edhe pas kaq shumë viteve është e pranishme.

Nuk e di nëse do e kisha shkruar një libër të tillë, pra, nuk e di nëse do të mund të shkruaja anatominë e një zone që ishte mbi zonë, e një blloku që rëndonte mbi shumëkënd, edhe po të kisha kulturën, inteligjecën dhe maturinë e zotit Kalo. Këto, në pamjen e parë, janë marrëdhënie mes mjekut dhe pacientëve të tij, mes një të riu ambicioz, të talentuar, nga njëra anë dhe një bote tjetër, e cila i hapet para syve pa e bërë pjesë; i hap sekretet e trupit, por jo të jetës së tyre, në të cilat ai duhet të depërtojë vetë, herë duke e ditur saktësisht të vërtetën dhe herë të tjera duke shkuar drejt saj përmes hamendjes, mendimit, ngjarjeve dhe deduksionit.

Në fund të fund, si thonte miku im, shkrimtari Xhahid Bushati, përmes këtij libri, miti i Bllokut u zhvesh dhe figura e Ramiz Alisë u shkërmoq.

Si duket, ende nën sugjestionin e pazakontë që Enver Hoxha, përsonazhi kryesor i librit, kishte ndaj njerëzve, ai është ende më i kuptueshëm, më i afërt dhe herë herë më njerëzor për autorin, se sa një njeri në hije, që, si shumë të tjerë mund të shkonte drejt gijotinës politike, që ende askush nuk e di se si shpëtoi pas plenumit të katërt dhe që, në fund të fundit, politikisht, nuk ishte as mish e as peshk, as i shejtanit, as i engjëjve, që as nuk të falte e as nuk të vriste, por që humbi shansin e tij historik për t'u mbajtur mend gjatë si një burrë shteti, nga i cili pritej mrekullia, por erdhi zvarritja.

Blloku i zhveshur të ngjan me pacientët e zhveshur. Ashtu si zhvishin para tij si mjek, ashtu i zhvesh ai tani, një e nga një, dikë me dhimbje, dikë me dëshirë, për të dhënë saktësisht një botë bllokiane, që, duke u vendosur në qendrën e re të Tiranës, kishin humbur çdo lidhje me pjesën tjetër të njerëzve, të cilët, duke mos pasur asnjë simbol tjetër për hasmërinë e tyre, e përmblodhën të gjithën tek Blloku. Jo rastësisht, në ditët e para pluraliste, njëra nga thirrjet do të ishte "Drejt Bllokut", si të donin të thonin "Drejt së Keqes".

Në fakt një libër që nuk mund të lexohet me një frymë dhe as nuk mund të shkruhet për të kaq frymërisht. Nuk e di se sa lidhje ka rrëfimi i tij me betimin e Hipokratit, por ai me shumë elegancë e ka shmangur këtë pyetje që mund t'i bëhej një ditë, ashtu si nuk e di nëse besimi i dhënë prej atyre njerëzve të rrethuar, do të mund të përshfaqej kështu.

Në këtë Bllok mund të bëhej shumëçka; kishte grindje, hasmëri të fshehura, miqësi të lëna përgjysmë, servilizëm dhe frikë, të rinj të përkëdhelur që mendonin se rebelimi ishte vetëm modë, por kur u rrëzuan etërit e tyre e mësuan se ishte mjerim;  dashuri të lindura dhe të harruara, fillesa shkrimtarësh, që më pas do të bëheshin të njohur, idhuj të rremë dhe idhuj të vërtetë, snobizëm, por sidomos frikë. Ata që trembnin të gjithë Shqipërinë, kishin frikën brenda vetes. Ata mund të kërcënonin gjithçka, por vetë ishin të kërcënuar. Mund të burgosnin këdo, por burgun e kishin brenda tyre. Mund të ishin kryeministra dhe të kishin vdekje enigmë, të brohorisnin për Enverin, por edhe të shkonin drejt pushkatimit me emrin e tij; kishte frikacakë dhe trima, të harbuar dhe të qetë, të hapur e të fshehtë, njerëz që donin të ishin të sinqertë, por që e kishin humbur rrugën e sinqeritetit.

Gjithçka sillej rreth një vile, në të cilën që nga paslufta jetonte Enver Hoxha. Aty merreshin vendime të mëdha, por edhe përcilleshin fatkobe të mëdha; fillonte e ardhmja, por edhe të ndërpritej rruga, mund të lulëzoje dhe të vyshkeshe brenda një stine, të çelje lule, por mos të zije kokrra.

Një gjë mungonte: në asnjë rrjesht të librit mjeku Isuf Kalo, bashkëjetuesi i tyre i jashtëm në sipërfaqe, por, si duket, njohësi i tyre më i mirë, nuk e thotë diçka për grykësinë e pazakontë, për krijimin e një mbivlere shumë dimesionale pasurore, për krijimin e një shumësie blloqesh pasurie, e cila do të kalonte më pas tek fëmijët e nipërit e tyre.

Nuk e di se si ka ndodhur me to; mes tyre ke gjetur edhe prej atyre që më pas do të vuanin në burgjet që kishin ngritur etërit e tyre, por që nuk do të gëzonin asgjë nga pasuria e atyre që kishin qeverisur me dorë të hekurt për rreth 5 dekada.

Blloku i djeshëm, ai që njerëzit menduan se dha shpirt në ditët e para të janarit, në fakt është ende i pranishëm, dhe, për më tepër, i shumëfishuar.

Nëse është e vërtetë një thënie e vjetër e Lomonosovit se "në këtë botë, asgjë nuk humbet, asgjë nuk fitohet, çdo gjë transformohet", atëherë kjo ka ndodhur në Shqipëri. Blloku i djeshëm u transformua në disa Blloqe të rinj, njëri më luksoz dhe më mizor se tjetri; rruginat e ngushta të Bllokut të vjetër u bënë hapësirat e pafund të blloqeve të reja.

Politika nuk ndryshoi. Nëse në vitin 1991 ata që morën përsipër të ndërtonin një shtet demokratik vinin thuajse të gjithë nga aradha e dytë e komunistëve, tridhjetë vite më pas i ka ardhur radha grupimit të tretë nga e njëjta shtresë përgjithsisht dhe, për fat të keq, duke bartur me vete të njëjtat huqe, mendësi, pushtet, dhunë dhe sakrilegje si të mëparshmit, por, natyrisht, në kushte të tjera.

Nëse, shumë vite më parë, gjithçka sillej rreth Njëshit, vetë sistemi e ndërtonte këtë, edhe tani, për fat të keq, gjithçka sillet rreth Njëshave.

Në kaq shumë vite Sali Berisha, njeriu entuziast i komunizmit, do të bëhej njeriu rreth së cilit sillet gjysma e elektoratit shqiptar dhe nga afërsia me të mund të ndërtoje të ardhmen, mund të vije pasuri, të lartësoheshe, të ngrije vilat marramendëse, të vrisje pa dhënë llogari.

A nuk u bë kështu Lulzim Basha, një njeri i panjohur, i cili , duke qenë mik i afërt i bijës kryeministrore, hop!, papritur, pa e njohur askush, u bë ministër, tri herë rradhazi dhe, herën e parë vodhi, herën e dytë shiti pjesë territoriale dhe herën e tretë vrau. Njeriu hije në PD, si ishte Ramiz Alia njeriu hije në PS, kapërceu "ylberin" dhe u bë zot pasurish, zot partie, gjëmimtar dhe frustar.

Në gjashtë vite drejtues i opozitës largoi më shumë se 70 figura të njohura, njëjtë si bëhej dikur lufta mes brezave; dhe tani, në të gjithë piramidën drejtuese të opozitës, nuk ka asnjë nga ata 338 nismëtarë që firmosën për krijimin e kësaj partie, e cila mendohej se do të ishte europiane, por na dërgoi së pari drejt lindjes.

Nuk e di sasinë e kafeve për të cilën u dënua Nexhmije Hoxha. Nuk e kam ndjekur gjyqin e saj. Isuf Kalo sjell pamjen e një gruaje krejt tjetër nga ajo që është shpërfaqur në 30 vitet e fundit. Nuk e kam takuar asnjëherë. Në fakt, nuk e di as se ku jeton. Vitet e shumta të dënimit të saj për kafetë e dhëna në pritjet për vdekjen e njeriut të parë të këtij vendi, të cilin e duruam si askush dhe e qamë si kurrëkënd, (zakonisht në histori diktatorët qahen më së shumti dhe përbuzen më shpejt), pra dënimi që iu dha asaj për shfrytëzim pasuror është sot qesharak me atë çka ndodh në Shqipëri. "Çdo krahasim çalon", thonë gjermanët dhe çalon edhe krahasimi im mes dy botëve, por, ndoshta e dhimbshme, kjo e fundit, e tashmja, ku kishte plot shpresë dhe pritje marramendëse, u bë në fakt kohë mizore, vrastare e shpresës, humbje e besimit, harrim i së ardhmes. Nexhmije Hoxha , gruaja e Shefit të madh, ndoshta nuk të kujton në imtësi një zonjë tjetër shefe partie, por, kur dëgjon nga bashkëshorti i saj se ajo i ka rregulluar fëmijët e saj dhe se, si do zot!, tre fëmijët e saj jetojnë në Londër, mund të bësh lehtësisht pyetjen: përse u ngritët në 8 dhjetor 1990, për të rregulluar fëmijët tuaj apo për të rregulluar Shqipërinë.

Është një pyetje pa përgjigje.

Blloku i djeshëm është varfanjak ndaj bllokut të Lalzit. Pasunarët e politikës, që në vitin 1991 ëndërronin për një këmishë më shumë, sot e quajnë normale, të zakonshme, bile detyruese e të tjerëve, që ata të jetojnë në vilat nga më luksozet, të kenë shërbëtore nëpër këmbë, të bëjnë festa madhështore, ku vetëm një e qindta prej tyre vlen dhjetë herë më shumë se të gjitha kafetë e gruas së Enver Hoxhës; është normale që fëmijët e tyre, thuajse të gjithë, të jetojnë dhe studjojnë në perëndim, dhe pastaj sulen për të mbështetur studentët, të cilët nuk i qasin; nuk ka asnjë pushtetar, asnjë shef partie, asnjë ministër apo ish ministër, asnjë gjykatës apo ish gjykatës, asnjë prokuror apo ish prokuror, asnjë shef garde, qoftë dhe vrasës, që të mos ketë vilat luksoze, të mos ketë pasuri të fshehur disa dhjetra herë më shumë se ajo e shfaqur; të mos ketë krijuar perandorinë e tij, të fortët që i përkrahin, përfitimet që kanë.

Këta njerëz, sot, më shumë se kurrë, çirren për demokraci, ndërsa janë vrasësit e saj; ata kërkojnë liri njerëzore, kur i kanë shkelur barbarisht ata; u qajnë hallin të varfërve, kur vetë i kanë varfëruar; ndahen në të majtë dhe në të djathtë dhe bashkohen në një kur është fjala për të vjedhur.

Bllokmenët e djeshëm mizorë ndaj të tjerëve dhe të frikësuar ndaj vetes, kanë përcjellë të njëjtin ankth tek bllokmenët e tashëm.

Sa herë që lexoj për sulmet e demokratikasve ndaj Jozefina Topallit me kujtohet fati i një gruaje në kahun e kundërt të saj, Liri Belishova.

Nga majat shkojnë drejt humnerës, jo se kanë bërë faj që kanë menduar ndryshe, por kanë synuar të futen në sinoret  e shefit. Mendoj pastaj se çfarë mund të bënin këta "liderë", ruajna zot si Nard Ndoka e Petrit Vasili, nëse do të kishin sunduar në komunizëm, çfarë mund të kishte bërë Berisha, që pas një vrasje të katërfishtë, kërcënon se, po erdhën përsëri do të vriten , jo tre, jo tridhjetë e tre, por treqindetridhjetë e tre, që, pasi nuk ndjehet i ngopur me kaq, porosit pesë snajperë, katër në katër qoshet e godinës kryeministrore dhe njërën në dorën e tij, për të vrarë shefin e opozitës.

Të vrarët nuk ringrihen. As të vrarët në diktaturën e komunizmit, as të vrarët në diktaturën e rrugës, që, për dreq, kanë thuajse një numër të barabartë.

Vilat e ngritura nga Lalzi në Surrel janë dëshmi se Blloku si lagje është hequr, por si mendësi sundon.

Deri kur?

Askush nuk e di!

Jemi mësuar të lëvizim vetëm kur na vjen shpirti në fyt!

A ka ardhur?

Them se ka shkuar edhe përtej saj.

 

 

Vëllezërit vrasin teknikun e kondicionerit në vilën e tyre, fajin e merr përsipër shoku

Posted: 23 Aug 2019 01:27 AM PDT

Është zbardhur ngjarja e djeshme në Tiranë ku pas një konflikti të çastit u qëllua me armë zjarri në kokë shtetasi Indrit Çelaj, i cili ka ndërruar jetë sot në spitalin e Traumës.

Katër persona janë arrestuar dhe dy vëllezër janë shpallur në kërkim për plagosjen me pasojë vdekjen e të riut.

Pas hetimeve të policisë ka rezultuar se ne ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe në rrugën "Muhamet Gjollesha", shtetasi G.K, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. K, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin Indrit Çelaj, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, e kanë plagosur rëndë këtë të fundit.

Dy vëllezërit, djemtë e pronarit (B.K) të vilës, janë shpallur në kërkim nga policia.

Ndërkohë, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

E.S., 43 vjeç, për veprat penale "Vrasja me dashje" në bashkëpunim, "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit" dhe "Përkrahja e autorit të krimit".

F.B., 41 vjeç, B. K., 54 vjeç dhe L. Ç., 36 vjeç, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës", pasi dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar organet kopetente sipas detyrimit ligjor.

Dje u raportua se autor i dyshuar i ngjarjes ishte shtetasi L.V., 27 vjeç, i cili u arrestua gjatë orëve të vona të natës, por nga hetimet ka rezultuar se ai nuk është autori. Nga veprimet hetimore, rezultoi se katër dëshmitarët kanë biseduar me shtetasin L.V, me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.

o.j/dita

Del lista e fituesve për Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes

Posted: 23 Aug 2019 01:03 AM PDT

Ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, Universiteti i Sporteve të Tiranës ka zbardhur listën e parë të fituesve që do të vijojnë më tej procedurat e regjistrimit për studimet e nivelit "Bachelor" në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes.

Për tre ditë me radhë maturantët dhe kandidatët e tjerë që aplikuan për studimet në këtë fakultet, u janë nënshtruar testeve praktike, vlerësimi i të cilave është bërë nga një komision ekspertësh të kësaj fushe. Sipas Vendimit të Senatit Akademik të këtij universiteti, raporti ndërmjet konkurimit praktik dhe notës mesatares në shpalljen e fituesve të rinj është në kufijtë 60 për qind me 40 për qind.

Klasifikimi i kandidatëve bëhet bazuar në sasinë e pikëve totale te grumbulluara, të vendosur në rendin zbritës, çka do të thotë se fitojnë kandidatët me numrin më të madh të pikëve të grumbulluara nga të dy treguesit. Kështu, me mbylljen e konkurimit praktik, komisioni ka zbardhur gjatë ditës së djeshme listën finale me pikët që secili kandidat ka marrë jo vetëm në konkurs, por edhe nga mesatarja e shkollës së mesme.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e 275 kandidatëve të identifikuar sipas ID-së, që garuan për studimet në këtë fakultet, ku për secilin prej tyre jepen të detajuara edhe pikët e siguruara nga vlerësimi i pikëve të konkursit dhe mesatares.

Sipas kuotave të miratuara, në këtë fakultet do mund të vijojnë studimet gjatë vitit të ri akademik kandidatët nga numri një, e deri tek 150, pasi kaq janë edhe kuotat e miratuara për pranimet e reja të 2019-s. Ndërsa në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit gara për studimet e larta vijojnë edhe për gjatë ditës së sotme me testet praktike.

Afatet e regjistrimit

Shpallja e fituesve për këtë fakultet do të bëhet gjatë ditës së nesërme. Sipas kalendarit të miratuar më herët nga strukturat e arsimit, shpallja e fituesve në universitetet e tjera do të bëhet zyrtarisht në datën 30 gusht. Maturantët do kenë në dispozicion një ditë për të bërë ankimimin nëse janë të pakënaqur me renditjen dhe më pas do të shpallet lista finale, me të përzgjedhurit të cilët duhet të paraqiten për të bërë regjistrimin përkatës në degën e përzgjedhur sipas afateve të konfirmuara.

Ndërkohë që sipas udhëzimit të miratuar nga dikasteri i arsimit në datat 2 deri 15 shtator (7 faza 48-orëshe; 02-03: 04-05: 06-07:08-09: 10-11:12-13 dhe 14-15), të gjithë aplikantët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues, mund të kryejnë procesin e regjistrimit, duke paraqitur dokumentacionin përkatës, në sekretaritë mësimore të universiteteve në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet.

Në rast se pas çdo faze, konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fitues të rinj të asaj faze. Këta fitues të rinj mund të regjistrohen vetëm në fazën pasardhëse. Këto faza vijojnë deri në plotësimin e kuotave dhe përfundojnë në datën 15 shtator 2019. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve në datat e përcaktuara. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar.

Për programet e studimit me kuota të paplotësuara, të cilat nuk kanë më aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues gjatë fazave të mëparshme, të cilët nuk rezultojnë të jenë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi. Ndërsa procesi i çregjistrimeve për fituesit që duan të ndryshojnë degën e studimit do të bëhet në datën 16 shtator.

Plotësimi i kuotave në raundin e dytë

Maturantët që deri në këtë datë nuk kanë arritur të sigurojnë dot një degë do mund të aplikojnë sërish në raundin e dytë. Në këtë raund mund të aplikojnë maturantët dhe kandidatët që nuk arritën të siguronin dot një të drejtë studimi përgjatë raundit të parë.

Në raundin e dytë mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që nuk fituan dot në raundin e parë, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online të raundit të parë dhe nuk janë shpallur fitues, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe kandidatët që janë çregjistruar në përfundim të raundit të parë me qëllim ndryshimin e degës së studimit duke hyrë sërish në garë me dhjetë preferenca të reja. Fituesit e këtij raundi do të shpallen në datën 27 shtator.

Ndërkohë që procesi i regjistrimeve do të zhvillohet me 5 faza 48-orëshe ndërmjet datave 30 shtator deri në 9 tetor. Nëse do të ketë sërish kuota të paplotësuara do të zhvillohet edhe një raund i tretë pranimesh, përkatësisht në datat 12 tetor-14 tetor. Edhe në këtë rast maturantëve dhe kandidatëve të viteve të shkuara do t'u duhet të përzgjedhin sërish dhjetë preferenca të reja studimi, sipas programeve që kanë kuota të paplotësuara.

Në dosjen e regjistrimit si fitues duhet të përfshini:

  • "Dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti). Në dosje mbahet vetëm fotokopja.
  • Fotokopjen e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.
  • Deklaratën që duhet ta printoni dhe plotësoni te sekretaritë e degës së studimit ku do të regjistroheni.
  • Pas deklaratës së shkruar bëhet regjistrimi menjëherë në portalin U-Albania dhe firmoset nga sekretarja dhe aplikanti në dy fotokopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit.

Kliko per te pare piket: Lista me piket

I tillë i pëlqen KM-së kazani?

Posted: 23 Aug 2019 12:52 AM PDT

Nga Hamdi Jupe

Kolegu Andi Bejtja ishte mërzitur shumë dy ditë më parë, nga transmetimi drejtpërdrejt në televizion i shembjes së ndërtetës se Kokëdhimës në Porto Palermo.

Në një prononcim publik, ai e kishte quajtur këtë transmetim për prishjen e një kioske trekatëshe në bregdet, një "fshat mediatik".

Nuk i heq asnjë presje vlerësimit të tij për ngjarjen. Edhe unë, atë mëngjes prita më kot për një orë rresht se mos mbaronte fushata e "katundit mediatik" për prishjen e ndërtetës, pastaj të dëgjoja programin e zakonshëm televiziv, pasqyrën e shtypit të ditës etj.

Por, më kot, trasmetimi drejtpërdrejt vazhdonte.

Gazetarët lokalë kishin shkuar që në orën gjashtë e gjysmë (në mos më herët) atje dhe kishin vendosur kamerat në gatishmëri, natyrisht me dijeninë e televizioneve në qendër për të cilat punojnë, që kishin dërguar atje edhe studjot e transmetimit satelitor.

Prita deri në tetë për pasqyrën e shtypit, por asgjë. Vazhdonte në televizione drejtpërdrejt "fshati mediatik" i transmetimit të prishjes së restorantit të Kokëdhimës.

Dola nga shtëpia se kisha punë, por nga mendja nuk më hiqej ajo që pashë. Mendoja: pse duhet që televizionet të transmetojnë drejtpërdrejt një ngjarje të tillë? Çfarë lajmi përbën ajo prishje? Çfarë rëndësie shoqërore a politike ka ajo ngjarje? Në Shqipëri janë prishur mbi dymbëdhjetë mijë ndërtime të paligjshme. Edhe pallate shumëkatëshe, si ai i Lulzim Bashës në Vlorë. Atëherë pse?

Dhe përfundimi në këtë rast ishte: Ky nuk është gjë tjetër, veçse një rast i mjerimit mediatik i disa prej mediave tona audiovizuale. Dhe nuk është hera e parë që kjo gjë ndodh.

Të keqen e televizionit komunist: edhe varrimin e Diktatorit më 1985 e transmetoi drejtpërdrejt vetëm një gjysmë ore! Ndërsa kjo e kioskës së Kokëdhimës vazhdoi për më shumë se dy orë.

Në fakt, nëse ka një problem këtu, është ai se si ky bar – restorant i paligjshëm ka vazhduar të jetë aty prej gati njëzetë vjetësh, pa leje nga autoritetet. Kush ka kaluar andej, e ka vënë re atë atje. Si nuk janë kujtuar demokratët dikur, tetë vjet në qeveri dhe tani socialistët, prej gjashtë vitesh në pushtet, që po prishin gjithandej dhe po bëjnë jehonë të madhe për prishjet, nuk u kujtuan ta prishnin atë?

Ja një problem shoqëror, ku mund të ndalej vërtet media dhe të nxirrte me dinjitet "bukën" e ditës. Por nuk e bëri këtë.

Edhe më tej: kush i njoftoi mediat elektronike në Tiranë që të ishin atje, në Porto Palermo që në orën gjashtë e gjysmë të mëngjesit, se do prishej kioska e Kokëdhimës? Apo "rastësisht" e morën vesh ata?

Natyrisht, dikush nga qeveria.

Dhe me vrap, me gjithë veglat e punës atje, që në gjashtë të mëngjesit. Mediat i bëjnë kështu "fllad" punës së qeverisë.
Për të ardhur keq. Çfarë mjerimi mediatik!

Po e lemë mënjanë profesionalizmin, se vetëm profesionalizëm nuk ka këtu. Mediat ranë me dashje në "gropën" e qeverisë. Ato u kthyen në "kazan mediatik". I duhej qeverisë kjo ngjarje dhe ky mediatizim dhe mediat u bënë shërbëtore të saj. Qeveria dhe media u bënë kështu bashkë pjesë e "kazanit" për të cilin ka folur kryeministri.

Kur kishte kaq vite pa leje lokali atje, ai mund të prishej pas njëzetë ditësh, kur bregdeti do të lirohet nga pushuesit e shumtë dhe pa zhurmë mediatike. Lokali ishte i bllokuar nga autoritetet. Por jo, duhet të prishet tani, se kështu e do spektakli propagandistik dhe mediat bien pre e këtij spektakli.

Kjo është e vërteta.

Po ç'ti bësh "fshatit mediatik?" Më vjen keq, se jam edhe vetë pjesë e këtij fshati. Duhet më shumë respekt për publikun, por edhe më shumë respekt për veten, punën tonë.

 

*****

Botuar në Dita. Titulli është i redaksisë

Hapësira me pyje sa tre fusha futbolli po digjen çdo minutë në Amazonë

Posted: 23 Aug 2019 12:52 AM PDT

Zjarret që kanë përfshirë Amazonën po kthehen në një shqetësim ndërkombëtar, ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet diplomatike të Brazilit me shtete të tjera, kryesisht ato evropiane. Sipas 'Business Insider', në Amazonë po digjet çdo minutë një hapësirë me pyje e barabartë me tre fusha futbolli.

Sipas qendrës hapësinore të kërkimeve të Brazilit, 72.843 zjarre kanë prekur Amazonën, një rritje kjo prej 83 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar.

Franca e ka konsideruar zjarrin në Amazonë si krizë ndërkombëtare, ndërsa Qeveria braziliane e akuzon shtetin e BE-së se po ndërhyn në çështjet e brendshme. Gjithsesi, presidenti Emmanuel Macron nuk është tërhequr dhe kërkon që Amazona të jetë tema kryesore në samitin e G7 që do të nisë nesër.

Zjarret në pyjet e Amazonës janë aq intensive sa tymi ka mbuluar qytete që gjenden edhe mijëra kilometra larg. Këto zjarre, raportohet se janë aq të mëdha sa që mund të shihen edhe nga hapësira.

Ekspertët thonë se e gjithë kjo mund të ketë pasoja të rënda te klima, ndërkohë, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka fajësuar organizatat joqeveritare se kanë nisur flakët.

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar ka paralajmëruar se do të bllokojë marrëveshjen tregtare BE-Brazil nëse Bolsonaro nuk do reagojë për vënien e flakëve nën kontroll. Edhe Gjermania me Norvegjinë po planifikojnë të ndërpresin miliona euro financime që i shkojnë Brazilit për Amazonën.

Presidenti Bolsonaro, në mënyrë të vazhdueshme është kritikuar se nuk ka mbrojtur pyllin më të madh të botës dhe se ka promovuar një politikë shpyllëzimi, pro bizneseve.  Amazona është një magazinë jetësore e karbonit, që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.

o.j/dita

Vendlindja- gjurmë e përthyer në romanet e Namik Dokles

Posted: 23 Aug 2019 12:35 AM PDT

 Behar GJOKA

 Dëshmi letrare, madje gati e pashmangshëm, si fat dhe frymë ekzistence, si ngjyresë që bartet si prani në çdo tekst, ku me domosdoshmëri vendlindja shndërrohet në identitet shumëngjyrësh. Megjithatë, në lavrimin e letërsisë, ka raste kur shenjat identifikuese, të vatrës së lindjes, e tejkalojnë ngjyrën përveçuese, e prandaj gjurma e këtillë, receptohet si shenjëzim estetik. Në romanet e botuara pas viteve '90 të shekullit të kaluar, e sidomos në shekullin e njëzet e një, si shqiptim i qartë i vendlindjes, i koloritetit origjinar, janë edhe tre romanet e autorit Namik Dokle. Shqyrtimi, i pranëvënë i teksteve, e kuptimëson hetimin e shenjave përbashkuese dhe veçuese, që pasohen nga njëri libër në tjetrin. Ligjërata mbi gjurmimin e vendlindjes, në secilin prej romaneve dhe kundrimin përbashkues të tyre, do të ndalet në disa çështje tipologjike:

A – Triptik apo triologji

B – Dyzimi i kohës reale dhe letrare

C – Zhanri i romanit postmodern

D – Materia letrare në mes jetësores dhe imagjinares

Tre romanet e N. Dokles, veçmas krijimtarisë së endur në dramatikë dhe në prozën e shkurtër, pak më herët, që ndërkaq përfaqësojnë hapësirën e sugjeruar, si shenjëzim etik dhe estetik, ndonëse janë tregues identitar të vendlindjes, të Gorës, ku takohen kufijtë, besimet, etnitë dhe gjuhët e ndryshme. Pikërisht në kapërthimin e ndërliqshëm, ky pasqyrat përputhen dhe përplasen, marrin dhe japin, në hapësirën tekstologjike, të shtrirë në tre romane, ia ka mbërritur me ngjiz tharmin artistik, që ka në qendër vendlindjen. Pranëvënia e tyre, e të tre librave, që kanë plazmuar vendlindjen, vatrën e frymimit të shkrimtarit, ka bërë që nga njëra anë, të shihen si të ndarë, si tre tekstet që kanë në qendër Gorën, djepin ku u përkundën ëndrrat parake të autorit. Nga ana tjetër, janë tri pamje, të ndryshme dhe të përafërta, që ndërkaq kanë  epiqendër Gorën. Në leximet e gjertanishme, këto tekste janë parë në një situatë të dyzuar, janë trajtuar edhe si të shkëputura, por edhe si tekste që kanë vijimësinë e imazhit të vendlindjes, jo vetëm si identifkim, por edhe si shenjë e rrokshme artistike. Në leximet dhe rileximet e këtyre teksteve, ka mbizotëruar shqyrtimi si vijimësi, pra me i pa tekstet e romaneve si të ndërlidhura, që madje pasojnë njëri-tjetrin, duke e përcaktuar si triptik apo triologji. Në procesin e leximit dhe zbulimit të realiteti letrar, që bartin romanet, herë kundrohen si tripik, e herë si triologji, pavarësisht se jam lëkundur midis të dy përcaktimeve, tashmë jam i prirur të përqafoj përcaktimin triologji. Në librin Fjalorth Termash Letrar, me autor Gjergj Zhejin, ndër të tjera theksohet: Triologji-a (gr. Trilogia). Tri vepra letrare të karakterit dramaturgjik ose narrativ të bashkuara nga e njëjta ide e autorit. (1968: 219, Rilindja, Prishtinë). Ky formulim, me ndonjë nuancë ndryshe, ripërcaktohet në librin Fjalor i gjuhës shqipe: Triologji-a, seri prej tri tragjedishë a dramash, subjektet e së cilave janë vazhdim i njëri tjetërit. (2005: 574, Botime Çabej), ndërkohë që formulimi tripik nuk haset në këto fjalor.

Dyzimi i kohës reale dhe letrare

Kundruar brenda tekstit/teksteve romanore, pra pikërisht në atmosferën e kohës si pakohësi, e dëshmisë si shenjë artistike, lënda e shtrirë në tri tekste, si gjendje e përveçme shpërfaqen dy rrafshe:

Së pari: Koha konkrete, që në romanin e tretë, Ditët e lakuriqëve të natës, sjell për lexuesin gjendjen e viteve '60, të shekullit të kaluar, pra është më e largët. Ndërkaq romani i parë, Vajzat e mjegullës, në materien letrare, plason klimën e viteve 78, që përkon më dyzimin e qenies, pothuajse me tëhujasimin e plotë të saj. Romani i dytë si radhë botimi, Lulet e skajbotës, ndërkohë sendërton kohën e tanishme, diçka më në brendësi, fatin e hidhur të njeriut si mërgimtar.

Së dyti: Koha letrare, në pjesën dërrmuese të hapësirës tekstologjike, përgjithësisht e ka përmbysur kohën jetësore, dhe më së shumti ka endur, gati Gorën magjike, të përthyer në tre pamje thelbësisht imagjinare, e ku fillesa shënohet me "Vajzat e mjegullës", dëshmi e kredhjes së autorit në shkrimin e prozës. Zhanri i hapur letrar, pra romani, ku rrëfen fëmija përmes dyzimit të kujtesës, që më tepër i vë në përleshje dy kohët, pagëzoi lavrimin e romanit nga ana e autorit. "Kthimi i dytë", me gjasë si vijim malli, në gjirin e vendlindjes, tanimë si dhimb dhe ankth, skicohet në disa përthyerje të befta në hapësirën e tekstit "Lulet e skajbotës", një pasqyrë e dyfishtë, ku e sotmja zbulon shpërfytyrimin e frikshëm, që ndodhi dje dhe ngjet edhe tani. Megjithatë, rrathët e ferrit, rrënjët e shkatërrimit të humanes, së shtjelluar vetëm në gjashtë ditë, vizatohen me penelime të shpejta, por edhe më vija të thella rembrandiane, pra te romani "Ditët e lakuriqëve të natës", që në shijen time shenjon pikën më të lartë të vëllimit si marrëdhënie me vendlindjen, e po kaq si vlerë e shpaluar artistike.

Kuptohet se koha reale, është vetëmse sfondi, ka të bëjë me kontekstin jetësor, që megjithatë shkërmoqet ditë pas dite në vetëdijen tonë, ndërsa në tre tekstet, në tri pasqyrat, është shpalosur mishërimi  estetik, ku imagjinata ka tejkaluar konkreten, si dhe ka shtampuar marrëdhënien e qenies me kohën gri, të fasadës shkëlqyese, në përmbysjen e plotë kohore, tanimë si tmerr i pasojës. Endur në dyzimin  kohor, letrarja e teksteve, sugjeron mos-harrimin, sepse e keqja përsëritet pambarimisht, ashtu siç e përmend Kundera marrëdhënien me kujtesën, e po kaq, koha letrare, e fton lexuesin, qenien njerëzore, që të largohet prej makthit kohor, ku madje vrasja e dashurisë valëvitet si fitore. Romanet e autorit, tre tekste të të njëjtit zhanër, kanë fiksuar kohën letrare, përthyerjen imagjinare, me kahje fantastike dhe magjike, si dëshmi dhe çlirim shpirtëror, si dhe shenjë estetike, e derdhur në një formë e ndryshme që e kapërcen realitetin, siç e formulon H. Bloom, pra vendlindja është hapësira reale dhe imagjinare e realitetit letrar. "Rikthimi" në vendlindje, përmes shkrimit letrar, pra vetëm si projeksion imagjinar, e cila ka në mes distancën e kohës dhe të moshës, nuk e ka penguar autorin për të endur tekste, që anësohen nga tharmi fantastik, e përpos tjerash buron nga kapërthimi ndërkohor.

Romanet postmoderne të shenjuara si triologji

Tre tekstet e autorit, përveç përafrimeve të pranishme, si vijimësi e "ndriçim"t” të vatrës së vendlindjes, ndërkaq përveçohen në tipologjinë e zhanrit, si romane. Kapërcimet kohore dhe hapësinore, që shqiptojnë protagonistët dhe ngjarjet, narrativa dinamike dhe detajet përshkrimore, të vendit dhe kohës, kanë përtheksuar tipologjinë e romanit, të shpërfaqur si sendërtim i triologjisë, në kuptimin e plazmimit të skicës së trefishtë të Gorës, vendlindja e shkrimtarit. Megjithatë, përbashkësimi në brendësi, në gjasat e projektimit të triologjisë, si vizatim i Gorës në tre pamje, lidhet pashmangshëm me atmosferën e shkrimit letrar, ku ndërthuret realizmi me fantastiken, e mbi të gjitha aty sendërtohet ngjyresa postmoderne, si një rikthim në të djeshmen, e kujtesës së autorit, e po kaq në të dikurshmen e qenies njerëzore. Nëse ikja në kohën tjetër, në romanet "Vajzat e mjegullës" dhe "Ditët e lakuriqëve të natës", është realizuar si një rikthim imagjinar, në kohën që e kemi lënë pas, gjë dikur është sugjeruar nga U. Eco, si tregues i pastër i ironisë intertekstuale, e cila përkon me poetikën postmoderne, si shkrim i risemantizuar. Nga ana tjetër, romani "Lulet e skajbotës", krahas ndërthurjeve të pranishme kohore, sugjeron arratinë hapësinore në ndërkohësi, si përplotësim i ngjyresave postmoderne, e rizbuluar në hapësirën e tekstit. Vetë akti i rikthimit në vendlindje, çka e rizbulon botën që e ka bartur si kujtesë/e rikujtuar, kuptimson mallin dhe nostalgjinë, prej nga nuk mundesh të ikësh kurrë, vendlindjes së ngulitur në mendje dhe zemër, është formësim i një reflektimi të kujtesës dhe rizbulimit, që e plason fatin e qenies, në klimën e postmodernes, si një proces vetëdije.

Në mes jetësores dhe imagjinares

Realiteti letrar, thurur në tre imazhe, që e vizatojnë triologjinë e vendlindjes, pavarësisht përthyerjeve kohore dhe narrative, sendërtohet përmes dy elementëve thadrues:

A – Konkretes, si hapësirë e Gorës, e vendlindjes, e pamjeve të saj të larmishme, në dy kohë, së paku në motet e monizmit dhe në gjoja demokracinë, ku ma tepër notojmë si të dehur. Jetësorja mishërohet në përshkrimin e mjedisit, e bukurive mahnitëse, e po kaq në praninë e leksikut të përdorur nga protagonistët, që anësohet nga riaktivizimi i frazeologjive, si dhe i ligjërimit të figurshëm.

B – Imagjinarja në triologjinë e autorit, madje në secilin tekst të saj, është thelbi endës estetik, pavarësisht një situate paqëllimore për ta thurur si të këtillë. Anësimi kah imagjinarja, lidhet me sjelljen në kujtesë të gojëdhënave, siç ngjet me shkallët e dritareve të dashurisë, që shpaloset në romanin "Ditët e lakuriqëve të natës". Imagjinarja me tharm të dukshëm fantastik, ngjet edhe si proces legjendarizues, pra si mëveshje me tis legjende të përditshëmrisë, e cila shpallet në romanin "Lulet e skajbotës", ku Gora projektohet si pasqyrë e dyfishtë. Kurse për romanin "Vajzat e mjegullës, i cili plazmon kujtesën e kujtesës, ka vlerë pohimi i Zija Çelës: Ndërkohë që mjegulla ngrihet, pas grisë së saj shfaqen ngjyrat e një tabloje që, ndonëse aq e veçantë për autenticitetin e vet… Përveç treguesve të jashtëm, të shenjuar në secilin tekst të triologjisë, imagjinarja/fantastikja, sendërgjohet nga prania e narrativës dhe dinamikës shpaluese dhe të subjektivizuar, së paku në dy kohë. Universi letrar, plazmuar në tre romane, që përbëjnë fondamentin e triologjisë, të endjes së tablosë së vendlindjes, të "makondës" së autorit, parësisht lidhet me shkrimin e ndërliqshëm:

  • Të kohës së largët, si kujtesë e fëminisë, ku zbulohet vendlindja dhe shkruhet e gdhendur në vetëdijen, e përhekimit dykohor.
  • Të kohës së shkrimit letrar, si një distancë e gjatë kohore, ku malli i mungesës nuk ka gjasa që të zëvendësohet me pamjet e shkëlqimit të kujtesës.

Shkrim i gërshetuar, tashmë si kohë e kujtesës, ku gëlojnë legjendat dhe gojëdhënat, me shkrimin e kohës letrare, ku mbishtresohet prania dhe mungesa, ka bërë të mundur thurjen e një realiteti letrar të përveçëm, me tharm fantastik, që nganjëherë anon kah poetika e realizmit magjik. Gora nuk është shpikur, ajo ka qenë dhe është aty, një realitet konkret. Gora, thelbësisht imagjinare, në tekstet e autorit, megjithatë është rishpikur dhe përthyer, në magjenë e shkrimit letrar. Mbase diçka dinim, ose kishim dëgjuar, ndonëse fytyrën dhe shpirtin e Gorës, me shkëlqimin e plotë, ose ajo gjendje unike, siç e formulon J. Asensio, "historia e përjetshme e njerëzve", i zbuluam në tri pamjet e mishëruar në tre romanet e N. Dokles.

 

Fjalët e kryetarit shkaktojnë tërmet, Çimit i shembet studio në mes të emisionit (Video)   

Posted: 23 Aug 2019 12:21 AM PDT

Gazetari Çim Peka ka çelur sezonin politik të emisioneve LIVE me një intervistë me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Por sapo ka filluar emisioni një nga kamerat dhe një nga panelet në studio janë rrëzuar duke shkaktuar një zhurmë të madhe.

Sic duket nga video, Çimi ngrihet nga tryeza me Bashën dhe shkon të ngrejë ato çka u rrëzuan.

Emisioni është ndërprerë për minuta të tëra dhe kur u rikthye gazetari tha se "kishte pasur një problem teknik”.

Çim Pekës i shembet studio on Vidnews.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more